Avzi Mustafa: 8 Shtatori - Dita Ndërkombëtare Kundër Analfabetizmit
| E Diel, 11.09.2011, 07:03 PM |

8 Shtatori - Dita Ndërkombëtare Kundër Analfabetizmit

           

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

Shekulli XXI – shekulli i luftës kundër analfabetizmit

 

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë e dëgjojmë fjalën analfabetizëm – edhe pse kjo fjale ka kohë që nuk ekziston në fjalor. Megjithatë, ky term sot ka filluar të dëgjohet me të madhe. Kjo ishte edhe arsyeja që t’i rrekem kësaj teme për të parë se a duhet ta kthejmë këtë arkaizëm në fjalorin aktiv në ketë fillimshekulli.

Në çdo shoqëri, krahas faktorëve kryesorë për të mbijetuar, siç janë energjia, ushqimi, tradita kulturore etj., edhe arsimi duhet të llogaritet ndër faktorët kryesorë të mbijetesës së një populli. Arsimi, duke pasur këtë vlerë, me të drejtë sot zë vend qendror dhe bëhet një ndër problemet akute jo vetëm të shteteve në zhvillim, por kalon në një problem mbarëbotëror. Dhe, me të drejtë të gjitha vendet e botës çështjen e shkrim-leximit e trajtojnë ndër çështjet më prioritare, sepse vetëm populli i arsimuar dhe ditur mund të ecë përpara në çdo sferë të jetës. Tani kur kemi një lëvizje të madhe të njerëzve e mallrave, si dhe një përparim në fushën e dijes e shkencës, analfabetët vërtet paraqesin pengesë në zhvillimin shoqëroro-ekonomik. Problemi i analfabetizmit, sa është problem i një kombi ose i një shteti, po aq është edhe problem i tërë njerëzimit në botë. Prandaj kjo dukuri kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndihmë reciproke për t’u çrrënjosur. Për këtë arsye nuk është e rastit që UNESKO-ja vitin 1990 ta proklamojë si vit ndërkombëtar të shkrim-leximit, duke e llogaritur ndër problemet me urgjente dhe kështu duke filluar “luftën botërore” kundër analfabetizmit.

            Gjithë kjo na dëshmon se shkrim-leximi, gjegjësisht arsimi, është trajektore e zhvillimit dhe përparimit dhe kjo flet për rolin e madh të tij në jetën politiko-shoqërore e kulturore të njerëzve. Të gjithë ata që e trajtojnë këtë problem të rëndësishëm, me të drejtë theksojnë se çështja e shkrim-leximit, si problem që ka përmasa të një sëmundje kronike në shumë vende të botës, kërkon angazhim dhe qëndrueshmëri dhe strategji të detajuar dhe inkuadrim të të gjithë faktorëve për ta flakur sa më parë. Mirëpo, problemi i shkrim-leximit, ashtu si e kemi trashëguar ose aty ku ndodhemi ne, si dhe kërkesat arsimore që ndërhyjnë në jetën shoqërore, na paraqitet si një problem me pasoja të rënda, kjo si rezultat i mungesës arsimore jo vetëm në vendet më pak të zhvilluara, por edhe në vendet me zhvillim shumë të madh.

            Meqë jetojmë në një botë ku dija e përcakton cilësinë e jetës së njeriut dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi, është normale që arsimit t’i jepet vendi kryesor, që çdo njeri të arsimohet në pajtim me zhvillimin e shkencës në vendin përkatës. Ky përcaktim vetvetiu na paraqet një bazë ku vendet e ndryshme janë të detyruara ta definojnë politikën e tyre arsimore.

            Duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të shkencës, me ose pa dashje kemi një intelektualizëm edhe të punës në jetën e përditshme, ku dituria po paraqitet si nevojë shumë e madhe e prodhimit të kuadrove arsimore në shumë vende të botës. Sot çështja e shkrim-leximit paraqet një problem shumë akut, i cili mund të tejkalohet vetëm me ndërhyrje të shpejtë, por të integruar fuqishëm, të të gjithë faktorëve, sepse shkrim-leximi paraqet parakusht për adaptimin personal dhe funksional dhe bazë të komunikimit, ekzistimit dhe suksesit të njeriut në shoqërinë bashkëkohore.

           

Kush llogariten analfabet?

 

Për ta kuptuar në përgjithësi problemin e analfabetizmit, së pari do të orvatemi të shpjegojmë se çka është analfabetizmi, çka është shkrim-leximi dhe çka janë gjysmanalfabetët. Megjithëse ka shumë përkufizime, unë do të ndalem në definicionin e prof. B. Samolovçev, i cili krahas shumë mendimeve rreth kësaj çështje, shprehet kështu: “Analfabetizmi është mungesë e njohurive elementare gjuhësore dhe matematikore, që do të thotë pamundësi e njeriut që në mënyre të suksesshme t’i shfrytëzojë ato njohuri në jetën e përditshme”, kurse gjysmanalfabet është dikush që nuk ka njohuri të plota për komunikim të suksesshëm në mediumet bashkëkohore të njohjes, e me ketë edhe zhvillim jo të plotë në aspektin e vetarsimimit. Shkrim-leximi elementar paraqet aftësi njerëzore për komunikim të suksesshëm në ndihmën e fjalës së shkruar dhe të folur, si dhe të simboleve matematikore. Pedagogu Zoran Velkov, një njohës shumë i mirë i problemeve andragogjike, duke u mbështetur në mendimet, teoritë dhe kriteret e ndryshme, kur bën fjalë për shpjegimin e niveleve të shkrim-leximit, e aktualizon edhe çështjen e analfabetizmit funksional dhe të analfabetizmit digjital (kompjuterik).

            Nëse marrim për bazë kriterin që parasheh dokumenti i UNESKO-s, aty në mënyrë decide thuhet “se personi që di të lexojë dhe ta kuptojë tekstin e lexuar, por që nuk është shumë i aftë të shkruajë një tekst të rëndomtë nga jeta e përditshme, llogaritet gjysmanalfabet”, kurse ai që nuk di të shkruajë dhe të lexojë quhet analfabet.

 Statistikat që dalin nga UNSKO-ja na bindin se në botë ka shumë njerëz që nuk dinë aspak shkrim e këndim, por ka edhe të tillë që i njohin shkronjat, por që s’e kuptojnë atë që e lexojë. Prandaj analfabetizmi parqet një problem që duhet të merret seriozisht. Të dhënat thonë se në botë 965 milionë njerëz janë analfabetë. Dhe, fakti më hidhur, ky numër nuk shkon në zvogëlim, por përkundrazi në rritje. Nga të dhënat e vitit 1985, sipas një raporti të UNSKO-s, nga 100 të rritur në botë 30 janë analfabetë. Po ashtu është me interes të theksohet se 702 milionë janë të përqendruar në 10 shtete dhe atë në Azi 6, në Afrikë 3 dhe një në Amerikën Latine. Në Kontinentin e Azisë në krye te listës janë shtete si India, Kina, Jordani, Tajlanda etj. Vetëm në Kine mbi 80 milionë janë analfabete ose gjysmanalfabetë, madje në disa rajone të Kinës përqindja arrin në 90%. Shembujt më drastikë të analfabetizmit janë në kontinentin e Afrikës (Nigeria, Libia, Etiopia, Gana, Egjipti), kurse në Amerikën Latine me numër më të madh të analfabeteve prijnë shtetet si: Peruja, Venezuela, Ekuadori, Kolumbia, Kili, Bolivia etj.

            Këto të dhëna na dëshmojnë qartë se analfabetizmi është karakteristikë jo vetëm e vendeve të pazhvilluara, por edhe e vendeve në zhvillim. Sepse, në përhapjen e kësaj dukurie ndikojë shumë faktorë, siç janë: fertiliteti, kushtet e jetës, numri i madh i gjuhëve dhe të folmeve, numri i madh i fiseve, cilësia e ushqimit, statusi i gruas në planifikimin e familjes, papunësia, luftërat dhe stagnimi i zhvillimit kulturor, që rëndom janë karakteristikë për shtetet e pazhvilluara dhe shtetet në zhvillim.

Sot në botë fliten 3000-5000 gjuhë. Nga këto vetëm 500-600 gjuhë kanë shkrimin e vet, mbi 200-300 gjuhë kanë statusin e gjuhës letrare, ndërsa 7 gjuhë e kanë statusin e gjuhëve zyrtare në shumë vende. Më e përdorshmja në botë është anglishtja, e cila flitet në 46 vende të botës, në 26 vende të botës flitet frëngjishtja, gjuha arabe flitet në 21 shtete, ndërsa po aq (21) shtete të botës përdoret edhe spanjishtja. Faktori gjuhë më duket se është një ndër faktorët më kryesorë për rritjen e analfabetizmit. Sa për ilustrim, sot në Afrikë, p.sh. në Nigeri, janë prezentë 30 gjuhë, në Mali 12 grupe gjuhësore, ndërsa në Guine ekzistojnë 6 gjuhë të ndryshme. Në këto shtete përveç gjuhës së shumicës gjuhët e tjera janë të diskriminuara. P.sh. në Nigeri si gjuhë e shkrim-leximit përdoret spanjishtja, kurse ata që flasin anglisht janë të privuar.

           

Analfabetizmi funksional

 

Analfabetizmi si problem shoqëror dhe andragogjik që paraqet një tendencë në rritje është brengosës, andaj kërkohet zgjidhje sa më e shpejtë. Dekadat e fundit na japin shpresë se këtij problemi edhe bashkësia ndërkombëtare po i qaset me seriozitet dhe me programe arsimore afatmesme dhe afatgjata, duke i ndihmuar sidomos vendet e  pazhvilluara, si dhe vendet në zhvillim, që ta ndalojë ose ta ndërpresin këtë plage shoqërore dhe pengesë të zhvillimit ekonomik. Sot gjithnjë e më shumë po afirmohet arsimimi i rriturve si një trajektore e eliminimit të përqindjes së analfabetizmit, duke hapur institucione përkatëse për ta ndjekur dhe për të marrë masa të duhura për pengimin e përhapjes së mëtejme të analfabetizmit. Habit fakti se, në një anë, gati të gjitha shtetet e botës me kushtetuta e parashohin shkollimin e detyruar fillor dhe të mesëm, ndërsa, në anën tjetër, statistikat flasin se në shumë vende të botës, si shtetet e pazhvilluara dhe shteteve në zhvillim, shumë nxënës po e braktisin shkollimin. Arsyet janë të shumta si ato ekonomike, sociale, psikologjike, shëndetësore, familjare etj. Dukuria e tillë çon në ngecje të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të shumë vendeve. Sot jemi të vetëdijshëm se ai i cili di vetëm të shkruajë dhe të lexojë nuk do të thotë se është i aftë t’i kryejë detyrat dhe qëllimet e ndryshme që paraqiten në jetë. Prandaj, në bazë të kërkimeve të ndryshme që janë bërë në vendet e ndryshme, me të drejtë konstatojnë se në dekadat e fundit kemi të bëjmë me një nunër të madh të analfabetizmit funksional, që është i pranishëm edhe në vendet me zhvillim të lartë. Fjala bie, në Francë 6,3 % nga popullata e rritur kanë vështirësi në të lexuar dhe të shkruar, 10,3% nga të rriturit kanë problem me të lexuar, ndërsa 17,8% nga popullata e të rriturve kanë problem të shkallëve të ndryshme të vështirësisë në të shkruar. Nga kjo del se çdo i pesti i popullatës së rritur është i prekur nga analfabetizmi funksional. Po ashtu edhe në SHBA 52 milionë njerëz kanë vështirësi në të shkruar, ndërsa më shumë se 54 milionë të tillë kanë probleme në lexim.

 

Analfabetizmi digjital

 

Teknologjia kompjuterike gjithnjë e më shumë po e mbërthen tregun e mallit dhe shërbimet e tjera. Me hyrjen e mjeteve të reja, si dhe teknologjive, në masë të madhe ndryshon edhe tregu i punës. Ky treg kërkon punëtorë të aftë që do të mund t’i plotësojnë kërkesat e mëdha të intelektualizmit të punës dhe të profesionit. Andaj me të drejtë mund të behet pyetja se mos vallë sot na paraqet një kulturë e re e shkrimit, e cila quhet kulturë kompjuterike. Me të drejtë shumë shtete të botës teknologjinë kompjuterike kërkojnë ta vendosin në kornizat e procesit të sistemit arsimor, qoftë si lëndë mësimore ose si teknologji arsimore.

            Nevoja për njohje kompjuterike është shumë e madhe sidomos te popullata e cila ka më pak arsimim, si dhe te gjeneratat e vjetra. Njohuritë kompjuterike duhet të mësohen nëpërmjet niveleve që përcaktohet në bazë të nivelit arsimor dhe me një program tepër të definuar të qëllimeve. Theksi i arsimit kompjuterik te të rriturit duhet të vendoset në vlerat e punës profesionale, pra të mos të mbetet në mendimin e gjeneratave më të vjetra se kompjuteri është vetëm një mjet i zbavitjes së të rinjve.

 

Analfabetizmi në Maqedoni

 

Për problemin e analfabetizmit ka mjaft mospërputhje se cili vit duhet të merret si fillim i evidentimit të analfabetëve. Në disa vendeve merret viti i moshës 15-vjeçare, kjo në bazë të të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në disa vende merret mosha 10-vjeçare, ndërsa në disa të gjithë ata që nuk kanë mbaruar shkollën fillore konsiderohen analfabetë.

            Sot janë rastet e shumta të largimit të nxënësve nga detyrimi shkollor për shkaqe të ndryshme, ashtu që nga viti në vit bie interesi për mësim dhe për shkollë. Në kushtet e ekonomisë së tregut shumë prindër të nacionaliteteve të ndryshme fëmijët i shohin si burim fitimi, duke shitur cigare e plaçka të ndryshme nëpër bulevardet e qyteteve, pastaj vjen në shprehje migrimi i shpeshtë dhe i përkohshëm në shtetet e ndryshme, më pas mosadaptimi dhe socializmi me të tjerët, mosregjistrimi i fëmijëve në shkollë, dallimet e nivelit arsimor në mes të gjinive etj. Të gjithë këta faktorë e shtojnë numrin e fëmijëve analfabetë.

            Në bazë të të dhënave statistikore nga Enti Republikan i Maqedonisë, sipas regjistrimit të vitit 2002, nga mosha 10-vjeçare e përpjetë nga gjithsej 1.756.606 qytetarë të Maqedonisë numri analfabetëve arrin në 63.562 ose 3.6%. Nga ky total 1,7% janë meshkuj, kurse 5,5 % janë femra. Megjithatë numri zyrtar nuk korrespondon me situatën në terren, sepse në Maqedoni numri i analfabetëve është 12,2,%, ndërsa 40 % është numri i popullatës së papunësuar pa asnjë kualifikim profesional.

            Në bazë të një projekti që u organizua në Maqedoni me ndihmën e UNICEF-it, “Arsimimi funksional”, të dhënat flasin ndryshe. Në Maqedoni numri total i qytetarëve analfabetë arrin 18,3%. Ndërkaq sipas strukturës nacionale te shqiptarët arrin në 13,2%, te turqit 10%, kurse te romët mbi 90%.

Nëse merren parasysh rrethanat, si p.sh. autodidaktët, përfshirja e të rriturve në arsimim, mortaliteti, fertiliteti, përqindja e shkapërderdhjes së nxënësve të shkollave fillore dhe niveli i zhvillimit tekniko-teknologjik, në mënyre hipotetike mund të konstatohet se përqindja e analfabetëve funksional arrin deri në 60%. Kjo vetvetiu na alarmon se urgjentisht duhet të merren hapa të shpejtë të intervenimit.

 

******

           

Në bazë të kësaj mund të përfundojmë se numri i vërtetë e analfabetëve, si në botë, ashtu edhe në R. Maqedonisë, nuk përkon me të dhënat statistikore. Kjo dukuri varet shumë nga kriteret e pabarabarta, që përfshijnë kriterin e përcaktimit të kategorisë analfabet dhe gjysmanalfabet. Gjithashtu është e pamundur që në proceset e verifikimit të përfshihet e tërë popullata botërore, ndërsa, në anën tjetër, barrierat gjuhësore paraqesin problem në përcaktimin e shkrim-leximit dhe mospërdorimin e instrumenteve joadekuate për këtë problem.

Për në fund do të jap këshillën e Tagorës kur ai arsimit i bënte apoteozë duke thënë: “O arsim i popullit, hyjnesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe të gjithë popujve në botë, kur do të shndrisë nëpër popuj e nëpër të gjitha racat e botës fytyra jote shkëlqimplote, kur do t’i vishet ai brezi i yt i artë mbarë mrekullisë së dheut? O arsim njerëzor, hyjnesha më magjike e botës, kur ndër të të gjitha faltoret tuaja hyjnore, të quajtura prej njerëzimit shkolla, kanë për të ndritur me germa të arta fjalët e Shpëtimtarit ‘Kam parë dritën – kush vjen pas meje, nuk ka për të ngelë në errësirë, por ka për të pasur të pamët e jetës’.”



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: