Nuhi Ismajli: Identiteti kombëtar shqiptar, pa mbrojtje institucionale!
| E Shtune, 03.09.2011, 06:05 PM |

Identiteti kombëtar shqiptar, pa mbrojtje institucionale!

 

Nga Nuhi Ismajli

 

Në shtetet e përparuara dhe demokratike, institucionet shtetërore, me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të madhe, kujdesen dhe ruajnë identitetet dhe dinjitetin e njësive etnike të tyre. Këtu, në Kosovë, veçmas sa u përket vlerave të identitetit kombëtar shqiptar dhe dinjitetit të tij, jo vetëm që nuk ka një kujdes të duhur, por edhe veprohet në kah të kundërt dhe, në vend të mbrojtjes, në mënyrë institucionale dhe në mënyrën më të keqe cenohen ato.

Kështu, ndodhi, çuditërisht, dhe kryeministri i Kosovës, homologun e tij turk, e quajti “vëlla”!

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Kosovën e quajti “shtëpi të tij”, kurse Prizrenin “zemrën e tij” !

Ministri i Arsimit i Turqisë, kërkoi, pa turp, ndryshimin e teksteve të historisë shqiptare, ku flitet për P. Osmane! Këtë kërkesë e bëri edhe ministri i Jashtëm i Turqisë! U tha, madje, se nuk po kërkohet shumë, sepse po kërkohet vetëm ndryshimi i teksteve që sjell ndryshimin e përceptimit të shqiptarëve për P. Osmane ! (shih ç’kërkesë: “ndryshimin e përceptimit” !!! , dukuri kjo e cila paraqet pikërisht esencën e tjetërsimit).

Shqiptarët, përgjithësisht, dhe shqiptarët e Kosovës, veçanërisht, nuk mund të mos ndjehen të fyer keq, në pikëpamje njerëzore e kombëtare, nga pikëpamjet dhe kërkesat e pushtetarëve turqë, të cilët po paraqiten si pasardhës dhe trashëgimtarë të projekteve pushtuese të P. O., por, për më tepër, nuk mund të mos ndjehen keq, në pikëpamje njerëzore e kombëtare, nga qëndrimi jodinjitoz e mungesa e reagimit të nevojshëm të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, ndaj paraqitjeve dhe kërkesave absurde antishqiptare të qeveritarëve turqë.

Kryeministri i Kosovës e quajti homologun e tij turk: “vëlla”, gjë e paditur kjo, gjer më tash, se ai ndjehej vëllai i turkut. Kosova, gjer para pak kohësh, kryeministrin e saj e ka njohur për shqiptar, e jo për vëlla të turkut, që domethënë turk.

Kryeministri i Kosovës nuk ka reaguar asnjëherë ndaj projekteve të homologut të tij turk, që synojnë të ringjallin dhe të ngopin orekset e dikurshme të P. Osmane.

Kryeministri i Kosovës nuk reagoi kur ministri i Jashtëm turk Kosovën e quajti “shtëpi të tij” ! , as kur Prizrenin e quajti “zemër” ! Domethënë, ai pranoi pronësinë turke të Kosovës.

Kështu, sa për kryeministrin, qeveritarët turqë mund të vijnë lirisht në Kosovë, të gjezdisin ngado nëpër të, të deklarohen si pasardhës të P. O., të shpalosin synimet dhe lakmitë e P. O. dhe të tyre, të prekin thellë në plagët e vjetra të kombit shqiptar, ndërsa ai, në vend të reagimit të nevojshëm, deklaron vëllazërinë me ta!

Ministri i Arsimit i Kosovës, nga mosdija apo nga dëshira, nuk reagoi ndaj kërkesës së minisrit turk të Arsimit, i cili kërkoi ndryshimin e teksteve të historisë së vërtetë të popullit shqiptar dhe shkrimin e tyre, sipas filozofisë politike të pushtuesit osman. Në vend të kësaj, shumë shpejt, me gatishmërinë e habitshme të një sherbëtori të përulur, pohoi bërjen e “komisionit” për ndryshimet e kërkuara !

Ministri i Arsimit i Kosovës, në rastin e premtimit për ndryshimin e historisë së vërtetë të popullit shqiptar, dhe bërjes së saj, sipas ideologjisë dhe politikës së P. O., nuk dihet se ç’ka menduar, por shihet se ai nuk ka menduar fare se historia e vërtetë, e përjetuar  shqiptare dhe përceptimi i shqiptarëve për P. O., si pushtuese mbi pesëshekullore të tyre, nuk mund të ndryshohet, pasi ajo histori e përjetuar dhe ai përceptim nuk është shkruar vetëm në ndonjë tekst shkollor, po është përjetësuar në veprat e lloj-llojshme shqiptare dhe të huaja, për më shumë se pesë shekuj me radhë, është ngulitur përgjithnjë në kujtesën e ndërgjegjën kolektive të popullit shqiptar dhe është bërë pjesë thelbësore e identitetit të tij.

Prandaj, është e çuditshme si ka menduar ministri i Arsimit i Kosovës ta zhbëjë të vërtetën e historisë shqiptare nën sundimin osman;

si ka menduar se mund t’i heqë gjithë ato vepra të mëdha të shqiptarëve, në të cilat  pasqyrohet robëria e rëndë osmane mbi shqiptarët !;

si ka menduar t’i shlyejë dëshmitë e veprave shqiptare të shek. XV-XVII !;

si ka menduar t’i eliminojë veprat e mëvonshme shqiptare, veprat e De Radës, Naimit, Samiut, Fishtës, Çajupti, Konicës e autorëve të tjerë të shumtë shqiptarë, gjer në ditët tona !;

si ka menduar t’i eliminojë veprat e lloj-llojshme të autorëve të huaj, të krijuara që nga shek. XV e gjer më sot, në të cilat është përjetësuar qëndresa dhe lufta e popullit shqiptar, kundër pushtuesit osman!

Është e çuditshme dhe e pakuptueshme se ku ka menduar ministri i arsimit i Kosovës, të gjejë gjithë atë forcë, për t’iu kundërvënë historisë së vërtetë të një populli, për t’ia bërë qejfin atij që paraqitej si pasardhës i pushtuesit !

Në anën tjetër, ministri i Arsimit i Kosovës, ashtu si e kishte obligim, nuk ndjeu asnjë fije përgjegjësie institucionale dhe nuk dëshmoi as më të voglën forcë morale e njerëzore dhe, edhe sikur të mos ndjehej fare shqiptar, t’ia thoshte haptazi minitrit të Arsimit të Turqisë, se P. O. , si pushtuese, iu bëri dëme të mëdha shqiptarëve dhe të kërkonte prej tij të distancohej nga të këqijat e paraardhësve të tij !

Ai nuk ndjeu përgjegjësi institucionale, as forcën më të vogël morale e njerëzore, t’ia  përkujtonte ministrit të Arsimit të Turqisë, se Turqia edhe gjatë shek. XX, bashkëpunoi me Jugosllavinë, në dëm të shqiptarëve dhe, për këtë, madje, mori edhe mirënjohje!

Ai nuk ndjeu përgjegjësi institucionale, as forcën më të vogël morale e njerëzore që, nga ministri turk i Arsimit, të kërkojë që, shqiptarëve në Turqi, jo vetëm për shkak të asaj se shqiptarët kanë dhënë shumë për P. O, por edhe për shkak të obligimit për respektimin e të drejtave të njeriut, Turqia t’u japë të drejtën e arsimit shqip.

Ai nuk ndjeu aspak përgjegjësi institucionale, as forcën më të vogël morale e njerëzore që, si ministër i Arsimit i Kosovës, të kërkojë nga pasardhësi i pushtuesit osman të shqiptarëve, ministri i Arsimit të Turqisë, të ndjejë pak përgjegjësi morale e njerëzore dhe ta korrigjojë vetveten, të distancohet nga të këqijat e paraardhësve të vet mbi shqiptarët e të kërkojë falje për këtë dhe të kuptojë se shqiptarët nuk e kanë për nder të ndryshojnë historinë e tyre, të harrojnë plagët e pashlyeshme, as idealet fisnike të paraardhësve, as të shkruajnë historinë, sipas kërkesave të pushtuesve e pasuesve të tyre.

Ai nuk ndjeu përgjegjësi institucionale, as forcën më të vogël morale e njerëzore, që t’i përkujtojë edhe shumëçka tjetër pasardhësit të pushtuesit, siç duhet t’i përkujtohet pasardhësit të pandërgjegjshëm të çdo pushtuesi, ndërsa vetë të kujtohej pak dhe të mos i lejonte vetes, nga pozita në të cilë gjendet, të  lëndojë aq keq kujtesën historike të shqiptarëve, të cenojë identitetin dhe krenarinë e tyre kombëtare, për hir të pasardhësve të P.O. , e cila, dihet fare mirë, se ka shtypur e shfrytëzuar shqiptarët më keq se çdo popull tjetër të nënshtruar.

Kërkesat tejet çnjerëzore të qeveritarëve turqë, për ndryshimin e historisë dhe të përceptimit të shqiptarëve ndaj P. O. , dhe synimi i tyre për ngjalljen e projekteve të  hegjemonisë së saj, nuk janë bërë pa ofertat e atyre që, nëpërmjet shkrimeve të tyre, kanë shkruar e po shkruajnë historinë e shqiptarit, sipas kërkesave politike e ideologjike të pushtuesit osman dhe po e zbulojnë origjinën e tyre turke, ose dëshirën e tyre për vetëtjetërsim kombëtar, ose, madje, edhe synimet e tyre për të zhdukur edhe identitetin kombëtar shqiptar përgjithësisht.

Në kohët e fundit, një tregues tjetër i dalluar i ndërlidhjes e bashkëveprimit të këtij faktori të brendshëm, me atë të jashtmin, në dëm të identitetit dhe vlerave tjera njerëzore e kombëtare të shqiptarit të Kosovës, paraqet ofensiva për të imponuar edukatën fetare në shkollat publike, shfrytëzimit të forcës së saj si mjet të tjetërsimit kombëtar dhe shquarjes së fesë si element kryesor i identitetit.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës duhet ta kenë shumë të qartë se

kërkesat dhe synimet neo-otomane mund të jenë të dashura për ithtarët e islamit politik, nostalgjikët e P. O. e ithtarët “shqiptarë” neo-otomanistë, por nuk mund të jenë aspak  të pranueshme për shqiptarët që njohin e respektojnë të kaluarën e tyre, që kanë sadopak krenari kombëtare dhe vetëdijen për identitetin e tyre kombëtar. Për ta, qëndrimi i institucioneve më të larta të shtetit, ndaj qeveritarëve turqë, të cilët nuk distancohen nga të këqijat e P. Osmane mbi shqiptarët, po haptazi luftojnë për realizimin e ambicieve të tyre pushtuese, duket tejet i ulët, tradhtar dhe fyerje e madhe për shqiptarët.

Mbrojtja institucionale e vlerave të identitetit dhe të dinjitetit kombëtar gjithmonë është e nevojshme, por ajo është më së e nevojshme veçmas në kohën kur, si në rastin me identitetin shqiptar,  ende ekzistojnë orekset e gjalla dhe kur ende zgjohen orekset e vjetra për zhbërjen e tij.

Megjithatë, edhe me gjithë mungesën e mbrojtjes së duhur institucionale të identitetit dhe të dinjitetit shqiptar, për njohësit e historisë së kombit shqiptar, shpresa nuk mungon.

Identiteti dhe dinjiteti shqiptar është sprovuar nëpër histori. Shqiptarët edhe kur nuk patën institucione, patën vetëdijen e duhur dhe iu kundërvunë çdo force që rrezikonte ata. Kështu edhe sot. Ata janë mësuar me mungesën e mbrojtjes institucionale dhe së keqes i kundërvihen me dijen, përvojën dhe ndërgjegjen historike kolektive të tyre.



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: