Frank Shkreli: Ballafaqimi me mohuesit e (krimeve të) historisë
| E Premte, 02.09.2011, 09:04 PM |

BALLAFAQIMI ME MOHUESIT E (KRIMEVE TË) HISTORISË

 

‘’Mohimi i krimeve të historisë vret dinjitetin e atyre që shpëtuan nga këto krime dhe është një përpjekje për të zhdukur kujtesën e tyre.   Në një shekull të prekur nga gjenocidi, ne pohojmë nevojën morale për të mbjtur mend.’’   Elie Wiezel, fitues i Çmimit Nobel dhe aktivist i të drejtave të njeriut.

 

Nga Frank Shkreli

 

Deklarata e Ministrit të Arsimit të Turqisë, Zotit Omer Dincer, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë se librat e historisë së Kosovës duhet të spastrohen nga paragrafet që sipas tij, ‘’fyejnë popullin turk’’, ka shkaktuar një debat dhe reagime në media dhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi dhe më gjërë.

Reagimi i historianëve kosovarë qe se librat e historisë së Kosovës nuk përmbajnë elemente fyese ndaj popullit turk dhe se duke u bazuar në dokumentacionin historik, përfshirë edhe atë të Perandorisë Otomane – fakti se Perandoria Osmane ishte okupuese e trojeve shqiptare nuk mund të mohohet -- dhe si okupuesë pesë shekullorë të shqiptarëve, otomanët kanë bëra gjëra kundër tyre, për të cilat sot shteti modern turk, ndoshta nuk është shumë krenar.   Kjo kuptohet.   Por ajo që nuk kuptohet është se pse Ankara zyrtare ka ndërmarrë një fushatë të tillë, pikërisht në këtë kohë, kur shteti i Kosovës i posa lindur është duke kaluar faza të vështira tranzicioni të ndërtimit të një shteti demokratik, ekzistenca e të cilit mohohet dhe pavarësia e të cilit nuk njihet ende nga armiqtë e kombit shqiptar.   Atëherë, ç’është arsyeja e këtyre deklaratave të zyrtarëve turq, ndërkohë që me sa di unë, as Kosova dhe as Shqipëria nuk kërkojnë as nuk kanë kërkuar kurrë dëmshpërblime as nuk kanë ngulur këmbë që populli turk të kërkojë falje për pushtimin 500-vjeçar të trojeve shqiptare.   Motivet e këtyre deklaratave, në këte kohë, janë pak si të mistershme, megjithëse duket sikur kanë për qellim të ngarkojnë me faj viktimën, popullin shqiptar, duke krijuar dyshime,  duke përhapur ide kontradiktore dhe duke nxitur një debat që nuk është aspak racional, në një kohë kur Kosova përballet me mjaft probleme të tjera, kryesisht të shkaktura nga një okupuese e kohëve të fundit, Serbia, një mohuese tjetër e historisë së shqiptarëve.

Historia e shqiptarëve fatkeqsisht është histori okupimesh shekullore dhe sipas logjikës së ministrit turk të arsimit, atëherë edhe okupatorëve të tjerë duhet tu akordohet e njëjta kortezi, ashtuqë që historia e shqiptarëve të Kosovës të spastrohet si për shëmbull nga ‘’fyerjet kundër popullit serb’’.   Por edhe nga historia e shqiptarëve të Çamërisë të ‘’shlyhen shpifjet e fyerjet kundër Greqisë’’,  e njëkohësisht ‘’të rishikohet’’ edhe historia e luftërave të malësorve të veriut kundër sllavëve, e mbi të gjitha të ndalohet, siç e ndaloi edhe regjimi i Enver Hoxhës, Lahutën e Malësisë të Patër Gjergj Fishtës, pasi aty me vargjet e tija, ai ‘’fyen’’ gjithë këta ish-okupatorë të trojeve shqiptare.   ‘’Miqët’’ që duan tu mohojnë shqiptarëve të kaluarën nuk e di nëse ua duan të ardhmen.

Sidoqoftë, u takon historianëve të kombit shqiptar që të përcaktojnë dhe të shkruajnë vet historinë e popullit të vet, pa imponime e presione nga askush, qofshin ata ish-okupatorë apo edhe çlirimtarë, duke u bazuar, në mes tjerash, edhe në arkivat e ish-okuputarëve.   Por, përpjekjet e përfaqsuesve të ish-okupatorëve për të pastruar imazhin e tyre -- të një të kaluare të hidhët për popullin shqiptar, qoftë historia e okupimit otoman, qoftë historia e okupimeve serbo-sllave, qoftë historia e Çamërisë, ose e edhe historia e regjimeve komuniste në trojet shqiptare – s’janë asgjë tjetër veçse një mesazh për të bindur botën se krimet dhe vrasjet, shpërnguljet me forcë dhe persekutimet e llojllojshme të popullit shqiptar gjatë shekujve – nuk ishin të tilla, se viktimat në të vërtetë nuk ishin viktima dhe se vrasjet dhe shpërnguljet në masë duhet të injorohen.

Ata që mohojnë ketë histori dhe këto krime të historisë së lashtë dhe asaj moderne të shqiptarëve, vetëm e vetëm kontribojnë drejtë përsëritjes së kësaj historie.   Mohimi i krimeve sot, qofshin ato krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër popullit të vet, qofshin ato të okupatorëve të huaj të tokave shqiptare, është në të vërtetë një formë e re agresioni.   Përpjekjet për të mohuar ato që kanë ndodhur në historinë shqiptare, janë në vetvete një proces i qëllimshëm i aktorëve të ndryshëm për të ndryshuar historinë, po se po, por edhe për të rihabilituar kriminelët fajtorë dhe për të demonizuar viktimat e tyre.

Në të vërtetë, mohimi i historisë jo vetëm pengon seriozisht shërimin e plagëve të së kaluarës midis popujve, por në të njëjtën kohë bën edhe më të vështirë pajtimin e shsumë dëshirueshëm midis popujve të historisë moderne.   Siç ka thënë edhe Elie Wiezel, mbijetues i nacizmit dhe fitues i Çmimit Nobel, mohimi i historisë është një ‘’vrasje e dyfishtë’’ -- është faza e fundit e kryerjes së këtyre krimeve kundër dinjitetit të atyre, që për fat kanë shpëtuar nga ato krime, por edhe të dinjitetit të pasardhësve të viktimave të atyre krimeve.

Në të njëjtën kohë, mohimi i tillë i historisë përbën edhe një sulm të gjithanëshëm kundër kujtesës së këtyre krimeve si dhe rëndësisë së historisë, në këtë rast, të historisë së kombit shqiptar.   Kërkesa e ministrit turk të arsimit, Zotit Omer Dincer për të hequr nga historia e Kosovës paragrafë që ai konsideron si ‘’fyes’’ ndaj popullit turk duhet të shkaktojë shqetësime serioze ndër shqiptarët kudo, dhe çdo njëri duhet të ndjejë një përgjegjësi morale që të ballafaqohet me ata që profesori amerikan Henry Theriault i ka cilësuar mohuesit e krimeve gjatë historisë si ‘’agjentë të atyre që i kanë bërë krimet dekada e shekuj më parë, sepse indiferenca dhe mos-ballafaqimi me mohuesit e historisë, qofshin ata të brendshëm ose të jashtëm, bartin pasoja serioze politike dhe morale për të ardhmen e kombit shqiptar.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: