Anamari Repic: Ne, femrat
| E Marte, 30.08.2011, 07:53 PM |

Ne, femrat

 

Dukja e mirë nuk është e rezervuar vetëm për manekine. E tillë mund të jetë secila femër që personalitetin e vet e përshtat me bukurinë shpirtërore dhe pamjen e jashtme.

 

Nga Anamari Repic

 

Vera është koha kur ne femrat flasim më së shumti për dukjen tonë. Ulemi në kafeteri, pimë kapuçino, makiato, ujë dhe bëjmë muhabet për kilogramët, fustanet që, befasisht, na bijnë të vegjël dhe të ngushtë. Nuk duam coca-cola, ngase thonë të trashë. Birra bash na pëlqen, por thonë se fryen stomakun. Nuk guxojmë të hamë as picë shpesh, sepse po ashtu na shton peshën. Por, a mundemi të paktën ndonjë ëmbëlsirë të vogël? Eh, ëmbëlsira bën, por më pas nuk guxoni të hani asgjë tjetër.

 

Dhe kështu sillen e pështillen muhabetet e njëjta për problemet e femrave. Ato nuk janë të parëndësishme, nuk janë aspak naive dhe nuk përfaqësojnë koncepte të thjeshta. Dikush mund të më akuzojë se rrëfimet për dukjen e jashtme nuk janë hiç feministe, se kjo nuk ka të bëjë asgjë me shpirtin liberal, se po i diskriminoj ato femra që nuk mendojnë si unë etj. Por, realiteti është tjetër dhe nuk shtron pyetjen nëse, por sa në të vërtetë në jetën – profesionale, familjare dhe shoqërore – është e rëndësishme që femra të duket fizikisht stabile?

 

Unë i kushtoj kujdes dukjes sime. Edhe pse dukja ime nuk është pjesë e punës që bëj, unë ashtu si gati secila femër frikësohem nga celuliti, kilogramët e tepërt, rrudhat, thinjat, frizura e keqe. Por kjo nuk më pengon ta shijoj jetën, ushqimin, pijet, ëmbëlsirat si kënaqësi të ëmbla. Edhe kjo është pjesë e personalitetit tim dhe më ndihmon që nga vetja të jap më të mirën – fizikisht, mentalisht dhe emocionalisht. Unë nuk jam skllave e dukjes së jashtme, vetëm përpiqem të jem e kënaqur me veten.

Kjo nuk është analizë e bukurisë ideale, duke favorizuar tipa manekinesh, sepse s’jam e tillë, por as qëllim për të pasur një trup të përsosur. Jam vetëm një femër që kujdeset për dukjen e saj, ngase kjo është e rëndësishme për stabilitetin e personalitetit të saj.

 

Si asnjëherë më parë, tash femrat kanë mundëesi që t’i përkushtohen vetes, mendjes së tyre, trupit dhe gjendjes shpirtërore. Femra sot mund të zgjedh se si t’iu përgjigjet mesazheve që vijnë nga kërkesat e shoqërisë, se ajo duhet të jetë e bukur, të kujdeset për trupin e saj, respektivisht të mos jetë tepër e plotë. Ky është invazioni i informatave që vijnë nga rruga, nëpërmjet televizorit, gazetave, reklamave, butiqeve. Informata që mund të jenë të vërteta, por shpesh edhe rrena, për ilaçe dhe tretmane të ndryshme. Femrës i mbetet të gjendet në gjithë këtë hallakamë, të zgjedh ose të refuzojë.

 

Gjithë kjo na krijon mundësinë që të indentifikohemi me femra që duken mirë. I përcjellim sa bukur duken, si vishen, por edhe si dhe për çka flasin. Analizojmë, kopjojmë ose refuzojmë. Si shembull të ndikimit, kam përzgjedhur femra nga të paktën tri sfera të jetës: showbizi (film, muzikë, TV), politika dhe letërsia.

 

Showbizi nis me Marilyn Monroen. Shumë femra gjithnjë kanë dëshiruar të duken si ajo. Dukja dhe suksesi i Elizabeth Taylor’it, më vonë edhe Monica Belucci’t, po ashtu frymëzon shumë femra. Dikush dëshiron të jetë si Jennifer Lopez. Është edhe Meryl Streep, e cila shkëlqen dhe inspiron me një tjetër bukuri, krahasuar me të tjerat. Fenomenet më të reja janë rivalet e famshme Jennifer Aniston dhe Angelina Jolie, të cilat pandërprerë kujdesen për dukjen e tyre. Këtu bëjnë pjesë edhe gazetaret e CNN’it, BBC’së dhe mediave të tjera botërore, të cilat për shkak të punës në televizion gjithsesi kanë shumë kujdes. Përfaqësuese të tilla të showbizit janë simbole të mbajtjes, famës, impulsit të jetës, që mund t’ju çojnë lart, por edhe t’ju hedhin përtokë. Asnjëra nga to nuk është manekine, por dukja dhe stabiliteti fizik janë pjesë e punës së tyre.

 

Edhe femrat që mbajnë poste me përgjegjësi kujdesn shumë si duken. Të tilla janë Hillary Clinton, Condoleezza Rice, Angela Merkel, e dikur me siguri edhe Cleopatra. Përderisa përqendrohen të thonë gjëra të rëndësishme, politikanet përgatiten edhe fizikisht, për dukjen, frizurën, rrobat sepse paraqitja e tyre duhet të lë përshtypje të fortë. Kur paraqiten në publik, ato dërgojnë mesazh se, pavarësisht ngarkesës së madhe profesionale, megjithatë bëjnë shumë kujdes për pamjen e jashtme.

 

Personazhët femra në letërsi me dukjen dhe karakterin e tyre magjepsin me fatet që i përshkruajnë. E tillë është Xhulia e Shakespeare’it, pastaj Ana Karenina e Tolstoit, femrat nga tregimet e Çehovit. Më ka lënë shumë përshtypje libri autobiografik i Richard Bach’ut, në të cilën e përshkruan dashurinë më të madhe të jetës së tij si “grua të përkryer” për të, si dhe kur Mario Vargas Llosa, fitues i Çmimit Nobel për vitin 2010, shkruan për “vajzën e prapë”. Trupi i femrës është i rëndësishmë edhe në veprat e Erica Jong’ut. Shpesh të gjithë flasin për “flokë të arta”, “lëkurë si mëndafshi”, “të lindura për ta”. “Kësi beli natyra mund të krijojë vetëm me porosi të veçantë…”, shkruan Çehov në njërin nga tregimet e tij. Kështu, pamja e femrës ka qenë e domosdoshme për të përshkruar një gjendje të caktuar të personalitetit ose shoqërisë. Ata nuk thonë se secila femër duhet të jetë e përkryer, por e veçantë gjithsesi duhet të jetë.

 

Të gjitha këto femra mund të duken pacipërisht mirë, pamja mund të keqpërdoret dhe të bëhet pjesë e dukjes banale, por gjithmonë është pjesë përbërëse e një personaliteti dhe karakteri. Të gjithë këto femra na tregojnë se dukja fizike, si dhe rrëfimet për të, megjithatë janë pjesë e të gjithë neve. Në secilën paraqitje të tyre shtrohet pyetja se a mund të jenë ato masë, respektivisht model për miliona të tjera? Ato tashmë janë. Nëse jemi të kënaqura se si dukemi bukur dhe jemi stabile, atëherë edhe jeta jonë është e mbushur. Sepse edhe ne mund të kemi flokë “valë-valë“, “bel si të Angelinës” e “shikim si të Liz Taylor’it”… Mund të jemi gazetare kurioze dhe të popullarizuara si Christiane Amanpour ose Hala Gorani, si dhe të përgjegjshme e të forta si Hillary e Angela dhe, megjithatë, të mos jepemi.

 

Pse femrat duhet të kujdesen për këto gjëra? Do të thoja për tri arsye: do të jemi më të shëndetshme, fizikisht dhe mentalisht në rregull dhe, rrjedhimisht, të kënaqura. Do të mbajmë peshën e caktuar, do të kujdesemi për ushqimin, pijet, nuk do të jemi skllave të dietave, por me të ushqyer të shëndetshëm do të ndihmojmë që të rregullohet edhe dukja jonë. Duam të shfaqemi si duhet dhe të dukemi stabile, të sjellim rregull në veshje dhe të kemi frizura si duhet. Do të jemi të kënaqura, sepse nuk do t’i thyejmë disa kritere tona të brendshme dhe do të japim më shumë nga vetja në punë, familje dhe shoqëri.

 

E gjithë kjo krijon vetëm një lloj femre: të lumtur. Sepse dukja e mirë nuk është e rezervuar vetëm për manekine, që atë e kanë punë. E tillë mund të jetë secila që personalitetin e vet e përshtat me bukurinë shpirtërore dhe pamjen e jashtme.

 

Autorja është Zv.Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express dhe opinionet në të janë personale.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: