Frank Shkreli: Ndërroi jetë Hysen Biberaj
| E Shtune, 20.08.2011, 06:59 PM |

Ndërroi jetë Hysen Biberaj

 

Nga Frank Shkreli

 

Të Premten që kaloi u varros në lagjën Ferfeks të shtetit Virxhinia, jo larg Uashingtonit, Hysen Biberaj.  Ai u përcoll nga qindra bashkatdhetarë dhe miqë amerikanë të familjes. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Frank Shkreli, një mik i Hysenit dhe i familjes Biberaj tha këto me atë rast.

 

E nderuara familja Biberaj, të afërm, miq e dashamirë të Hysenit dhe të familjes. Jemi këtu për ti dhënë lamtumirën e fundit një burri malësor, i cili kurr nuk iu përul rrethanaave të vështira dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua padrejtësisë dhe hipokrizisë. 

Hysenin e kam njohur për pothuaj 40-vjetë më parë, pasi isha njoftuar me të birin, Elezin në universitetin Lehman në Nju Jork, në fillim të 70-ave.  Ç’prej asaj kohe deri më sot, Hyseni – megjithëse unë nga Shkreli i Malësisë së Madhe e ai nga Tropoja e Malësisë së Gjakovës -- ai më bëri pjesë të pandarë të familjes së tij mbasi ai u shpërngul nga Nju Jorku në Uashington kur i biri i tij Elez Biberaj filloi punën në Zërin e Amerikës.  Për këtë e falenderoj nga zemra.

Si shumë prej nesh, pjesën më të madhe të jetës së tij, Hyseni e kaloi jashtë Ardheut. Me të ardhur në Amerikë, Hyseni iu përvesh punës së rëndë për të rritur tetë fëmij, me përpjekje të pa-ndërprera, e me cilësi të rralla ndershmërie, ndërkohë që posedonte një vizion pothuaj të përpikët, duke e bërë familjen e tij një shembull të pashoqtë jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për vendin të adaptuar – Amerikën. Nuk e besoj se mund të gjëndet ndonjë familje shqiptare me më shumë diploma universitare e post-universitare se familja e Hzsen Biberajt.  Përgjegjës për këtë fakt ishte vet Hyseni, i cili i ndihmonte, i këshillonte e bile i shtynte fëmijtë e tij – djelmë e vajza – të vazhdonin shkollën e të krzenin universitetin. Si rrjedhim, familja Biberaj ka në mesin e saj autor e publicist, bisnismenë, avokat e llogaritar.

Meritat e kësaj familjeje janë të mëdha.  Dje, ish-ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Zotin Rajerson, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet e tija familjes për humbjen e babait e gjyshit të tyre, në bisedë e sipër u shpreh se Amerika i ka borxh Hysen Biberajt për kontributin që ka dhënë familja e tij për këtë vedn. Ai ra dakord se edhe Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar i ka borxh kësaj familje për kontributin e dhenë për lirinë e demokracinë që shqiptarët gëyojnë sot në Ballkan.

Megjithëse pa ndonjë shkollë të madhe, Hyseni  e dinte mirë historinë e kombit tonë.  Ai i njihte mirë, pasi kishte qenë dëshmitar, vuajtjet e papërshkrueshme të popullit tonë gjatë dekadave të shekullit të kaluar nën komunizëm – një histori këjo burgimesh, internimesh, ekzekutimesh publike dhe vrasjeve të fshehta në burgjet e Enver Hoxhës dhe të komunizmit jugosllav.

Hyseni ishte gjithmonë i informuar mirë pasi ndiqte me kujdes lajmet mbi zhvillimet aktuale në trojet tona dhe gjithmonë i gatëshëm për të biseduar  në lidhje me to. Më kujtohet se gjatë torturave çnjerzore e masakrimeve kundër shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave kriminale të regjimit terrorist të Millosheviçit, Hzseni shpesh shprehte mërzinë e madhe dhe ankohej  se pse botës nuk i vinte keq rreth krimeve që po ndodhnin në Kosovë dhe pyeste se si ishte e mundur që nuk revoltohej ndërgjegjëja e të gjithë shqiptarëve.

Atdhedashurinë Hyseni e kishte  traditë në familje e farefis. Çdo gjë dhe çdo aktivitet që ndërmirrte Hyseni – duke filluar nga përkujdessja  për familjen që ishte prioriteti numër një për të – e deri tek nismat për të ndihmuar shqiptarët në nevojë, siç ishte ndihma e tij për viktimat e përmbytjeve në rrethin e Shkodrës vitin që kaloi – Hyseni i bënte  me qellimin më të lartë altruistik dhe për hir të  naltësimit të emërit të mirë të kombit të vet.

Hyseni nuk i kurseu askujt mbështetjen dhe përkrahjen e tij.  Gjatë viteve në Amerikë, ai bëri me qindra garanci për emigrantët shqiptarë  të shpërndarë anë e mbanë rrugëve të Evropës, sidomos në Itali. Kushdo i kërsiste në derë të Hzsen Biberajt, aty gjente ngushëllim e ndihmë miqësore mikpritjeje, bile në shumë raste edhe për të panjohurin – një frymë miqësore këjo mikpritjeje që ka dalluar kombin tonë nga të tjerët me shekuj dhe një veti këjo që ka lartësuar moralin e tij.

Hysen Biberaj ishte simbol i gjallë i brezit të tij që fatkqesisht po zhduket dal nga dalë – brez ky që jetën e vet e jetonte duke u bayuar në ndihmën e Zotit dhe në vlerat e virtytet e pastra që dallojnë kombin tonë – urtia, nderi e burrënia dhe të cilët e donin dhe vendosnin interesat e Shqipërisë dhe të kombit mbi ato personale.

Gjatë dekadave të fundit, shtëpia e Hysenit këtu në Virxhinia, afër Uashingtonit, ishte si të thuash një ndalesë e detyrueshme e udhëheqësve më të lartë shqiptarë nga të gjitha trojet si dhe pjesëtarë të ajkës kulturore e artistike të kombit që vinin për vizita zyrtare në Uashington. Si anëtar të familjes që më konsideronte, unë isha gjithmonë i ftuar në shtëpinë e Hysenit kur kishte vizitorë të tillë. Më kujtohet se në raste të tilla, Hyseni fliste pak, por fjalët e tija ishin të peshuara mirë dhe të matura, e në frymën më miqësore.

Megjithëse e ndiente veten të kënaqur në shoqërinë e përsonaliteteve të tilla – i shkonte biseda sidomos me Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova – gjatë një periudhe që po shkruhej historia moderne e kombit – Hyseni mbi të gjitha ishte shembull si bashkshort, si prind dhe si gjysh.  Për festën e Bajramit dhe për raste familjare, në shtëpinë e tij, paraqitej dhe shaqej një skenë e lumnueshme kur të gjithë fëmijt  viheshin në rend për të përshëndetur gjyshin. Fëtyra e Hysenit pasqyronte një kënaqësi të mendjes dhe të shpirtit.

Skena të tilla shpesh më kujtojshin traditën tonë, kur dikurë mblidheshim rreth votrës në frymën më të  shëndoshë të dokeve tona, kur rreth zjarmit të votrës mblidhej e gjithë familja e në krye të votrës rrinte i zoti i shtëpisë.  Jam i sigurt se nipat e mbesat e Hysenit, dashtë e pa dashtë, janë influencuar nga shembulli dhe parimet e të zotit të shtëpisë – këtij burri fisnik e të ndershëm.

Kështuqë trashëgimia e Hysenit, megjithse në dhe të huaj dhe larg Tropojës së tij të dashur  -- për familjen etij dhe për të gjithë ne që e kemi pasu fatin e mirë  për ta njohur – do të jetë një dëshmi e gjallë që lëshon rreze njerëzie ndaj vlerave  më të mira të kombit tonë, për dekada në të ardhmen.

Hyseni ndërroi jetë pasi ka përmbushur me ndërgjegje të plotë dhe me nder të gjitha detyrimet e tija ndaj familjes dhe ndaj Atdheut.  Prandaj kujtimi i tij do të mbetet i gjallë, jo vetëm në zemrat e familjes së tij, në zemërat e miqëve, shokëve e dashamirsëve të tij – por mbi të gjitha edhe në historinë e qendresës anti-komuniste shqiptare.

Fatkqesisht, me Hysenin sikur po mbyllet një periudhë historike e një brezi që vështirë se mund të zevendsohet lehtë. Hyseni ishte jo vetëm  simbol, por edhe një anëtar krenar i këtij brezi, brez i cili mbi të gjitha donte të mbante lartë --para botës –nderin e Shqipërisë etnike, brez ky i cili tërë jetën  punoi për rivendosjen e drejtësisë dhe lirisë për të gjithë kombin shqiptar. Ishte ky një brez i pas Luftës së Dytë Botërore që e kishte kuptuar se komunizmi ndërkombëtar do ti sillte kombit shqiptar dëme të papërshkrueshme, pasojat e të cilit nuk do shlyhen për një kohë të gjatë.

I dashur Hysen – të qoftë e lehtë toka e lirë e këtij vendi të madh e bujar, për të cilin vetë, fjalë të mira fole gjithmonë.

Të falendroj nga zemëra për dashninë dhe miqësinë ndaj meje dhe familjes time. Qoftë i përjetëshëm kujtimi i ytë dhe i Madhi Zot të dhashtë qetësi në jetën e pasosur.

Familjes së dashur Biberaj dhe mbarë farefisit këtu dhe anë e mbanë trojeve tona – shprehjet më të gjalla me ndjenja përdhimtimi  -- me urim që këte dhimbje tua këthejmë në gëzime mbas sodit.

 


14 gusht 2011

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: