Ilia S. Karanxha: Zonja e Shkodrës - Histori Arbërore në themelet e Rilindjes Evropiane
| E Diel, 07.08.2011, 07:05 PM |

 

II - ZONJA E SHKODRËS – HISTORI ARBËRORE NË THEMELET E RILINDJES EVROPIANE

 

(Simbol kombëtar i injoruar)

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

Shkodër - 25 Prill 1993 - Papa Xhiovani Paolo II bekon vendin e vendosjes të gurit të parë për rindërtimin e Faltores Nëna e Këshillit të Mirë (apo Zonjës të Shkodrës)

 

Romë - Qytet i Vatikanit - 17 Janar 2009 - Një ikonë (punim i një mozaiku) e Zonjës të Shkodrës  do të ekspozohej në sallat e Vatikanit mes veprave të artistëve më të mëdhenj të botës. (Emision televiziv. RAI-2 ora 16-18, e shtunë 17.I.2009.)

 

Dy fakte që rikthejnë e ringjallin madhërisht e me gjithë dinjitetin që e lyp rasti një traditë shekullore, një simbol të martirizimit të popullit tonë në themelet e kulturës e qytetërimit evropian. Mbi të gjitha një ngjarje historike dhe heroike, po aq legjendare, hyjnore e artistike që për fatin e shqipëtarve, herë të mirë e herë të keq, ndërthuret pazgjithmërisht me historinë e Shkodrës, me kohën e Skëndërbeut, me historinë e re e të vjetër të Shqipërisë.

 

Adhurimi, ikonografia e historia lidhur me Zonjën e Shkodrës në prizmin fetar prej shekujsh ka qënë subjekt interesant e i dëshëruar për një sërë shkrimtarë, studiues apo artistë me formime e prirje të ndryshme kulturore. Si rezultat i mundit të tyre sot trashëgojmë një fond të vyer por edhe të pasur bibliografik e artistik që përfaqësohet nga momografi, studime, shkrime letrare e publicistike, vepra arti në pikturë, sklupturë e arqitekturë.  Nëpërmjet kësaj bibliografie kemi mundësi të ndjekim lindjen, zhvillimin, lulëzimin, e për të mos haruar, edhe shkatërimin e ringjalljen e këtij adhurimi marian që edhe sot e kësaj dite fatkeqësisht vazhdon të konceptohet si një ngjarje me karakter lokal dhe, në rastet më të mira të një tolerance fetare, si një fenomen interesant që i përket vetëm një minorance katolike të kombit tonë.

 

Pavarsisht nga qëndrimet herë toleruese, herë mospajtuese e herë armiqësore, që përbëjnë një histori më vehte, fenomeni Zonja e Shkodrës  duhet të jetë një objekt i studimeve e hulumtimeve serioze edhe në shkencën albanollogjike. Fatkeqësisht edhe pas vitit 1990 historiografia zyrtare e Shqipërisë (Historinë e Shqipërisë(2002) apo  Fjalori Enciklopedik Shqiptar(2008/2009)) në një formë të pa justifikueshme injorojnë krejt këtë ngjarje dhe domethënjen e saj mbarë kombëtare.

 

Zanafillat e adhurimit të Shën Mërisë në Shkodër zbresin në thellësinë e shekujve por vetëm në vitet 70-80  të shek. XV lind fama e saj si shënjtore e atij qyteti, si adhurusja e frymëzuesja që ju jepte gjithmonë fitoren shqiptarve në një përleshje me përmasa vigane në mbrojtje të lirisë  së tyre dhe të botës së krishterë.

 

Milano-ja(Edicola Tarcheta), Venecia(Scuola degli Albanesi) e Roma(Genazzano) janë qendrat e para në Itali ku reflektovi edhe në art ky adhurim i jashtëzakonshëm. Ndërsa në Xhenacano(Genazzano) adhurimi ka në themel mrekullinë e ikonës pra fluturimin e saj më 1467, në Milano e Venedik ndodh e kundërta në themel është mrekullia e adhurimit, e devocionit në vet vehte, e besimit që kishin shkodranët apo shqiptarët tek vetë Shën Mëria. Në rastin e parë është ikona e shënjtë dhe devocioni për atë që gjeneron kultin dhe ikona të tjera. Në rastin e dytë adhurimi për Shën Mërinë kthehet në një simbol i identitetit të tytre e më tej i shtyn shqiptarët ta konkretizojnë atë me vepra të shquara në jetë ndërsa në art krijojnë ikonografinë e saj sipas koncepteve të tyre.

 

Aleks Tarketa në monumentin e ngritur prej tij në katedralja e Milanos njëlloj si luftëtarët shkodranë dhe tamam në kohën kur luftohej në Shkodër(1478/1479) të gjitha  sukseset e karjerës së tij të gjatë ushtarake në shërbim të familjes Sforca ja dedikon edhe ai devocionit të tij të madh për Shën Mërinë. Pra identiteti i tij si shqiptar trasmetohet nëpërmjet kësaj karakteristike.(I. Karanxha: Shën Mëria shqiptare në monumentin Tarketës në Milano. Milosao 27.II.2011) Të njëjtën gjë mund të themi edhe për ish-luftëtarin e Skëndërbeut, Gjergj Shqiptarin që më 1470 shpreh devocionin e tij të pakufishëm për Shën Mërinë dhe i lutet asaj ta ndihmojë në humbjen e pasurisë, pushtetit dhe lirisë.(I. Karanxha: Gjergj Shqiptari, fisniku që porositi inkonat për një kishë  1470, në Milosao 12.12.2010). Emigrantët shqiptarë që mbritën

në fund të shek. XV në Hora e Arbëreshve(Piana dei Greci) kishin si tipar dallues të identitetit të tyre devocionin  për Shën Mërinë dhe mbartën nga Shqipëria edhe një ikonë të saj.(P. Scaglione:Historia e Shqiptrve të Italisë, New York, 1921, p. 65).  Devocioni për Shën Mërinë nuk mungonte as tek shqiptarët që u vendosën në Palazzo Adriano(Siqili) më 1482 dhe që del qartë në kapitujt për njohjen e kësaj kolonie më 1501. Ndërsa vetë Skëndërbeut i ishte falur me sa duket nga ndonjë perëndimor një Uficio(Shërbesë) e Virgjëreshës së Bekuarës  Mari e cila ka përfunduar sot në bibliotekën e Londrës. (I. Parrino: Scanderbeg nell'azione pontifica...Në: V Convegno Internazionale..Palermo 1968, p 156)

 

Në Venedik në bashkëvllazërinë e shqiptareve (Scuola degli Albanesi) ku veç shkodranve kishte antarë edhe nga vise të tjera të Shqipërisë adhurimi i thellë i tyre drejt Shën Mërisë mbetej tipari themeltar që e dallonte këtë komunitet. Në ambientet e shkollës ajo u shpreh me ciklin e tabllove të V. Carpaccios dedikur jetës të Virgjërshës Mari ndërsa në ambientin e brëndshëm të kishës bashkangjitur me shkollën alltari më i madhe që ju përkiste shqiptarve i ishte dedikuar gjithashtu shën Mërisë. E njëjta gje duket edhe sot e kësaj dite në fasadën e kësaj shkolle  ku mbi portën  e saj qysh nga viti 1530 qëndron në basoreliev imazhi i shën Mërisë dhe anash saj dy shënjtorët e tjerë mbrojtës të shkollës Shën Gallo dhe Shen Mauricio. Mbi këta shënjtorë përsëri një lapidar në basoreliev në stilin lombardesk na kujton në formë simbolike rrethimin e dytë të Shkodrës dhe pamundësinë e sulltan Mehmetit për marjen e kalasë që qëndron në një lartësi të pa aritëshme.

 

Me shpërbërjen e asimilimin e shqiptarëve në Venetik apo në Milano edhe devocioni shkon drejt një zbehje të përgjithëshme e të pashmangëshme. Megjithëatë ajo nuk zhduket krejt. Një mrekulli më vehte është ringjallja e saj qysh nga fillimi i shekullit XVIII.  Ai bëhet mjaft popullore duke u prezantuar me emrin Nëna e Këshillit të Mirë - ( Madonna di Buonconsiglio) - që në masat e gjëra të besimtarve konceptohej edhe si Shën Mëria e Shqiptarve apo Nëna e Shqiptarve (Madonna degli Albanesi).

 

Kështu rilindja e fenomenit Zonja e Shkodrës si kult devocional që  reflektovi në letërsi, në art, në arqitekturë mbas shek XVIII solli në mënyrë të pa shmangëshme edhe ringjalljen e kujtesës  historike. Nga Genazzano ky kult marjan filloj të nderohej menjëherë  tek arbëreshët e Italisë (San Benedetto Ullano, Falconara Albanese) e pastaj  në forma të ndryshme në dhjetra e dhjetra qëndra të tjera të banuara nëpër Itali

 

Në prill të çdo viti por edhe në muaj të tjerë binte një kambanë që thëriste besimtarët për të nderuar kultin marian të Shën Mërisë të Këshillit të Mirë. Flitej për fluturimin e mrekullueshëm, për kushtet e jashtëzakonshme se si imazhi i kësaj Shën Mërije të veçantë u gjend edhe në qëndrën e tyre, për mrekulli të saj në persona të devotshëm të Shën Mërisë pra jepeshin arsyet e domozdoshmëria e nderimit të saj nga pikpamja fetare dhe morale. Mirëpo flitej edhe mbi origjinën e saj të largët që vinte nga një tokë e martirizuar për mbrojtjen e krishtërimit. Flitej për Skëndërbeun e luftën e tij. Për mardhënjet e Heroit shqiptar me Kishën e Romës. Për nderimet që ai i bënte shën Mërisë.  Për luftën e jashtëzakonshme të shkodranëve dhe shqiptarëve në mbrojtje të lirisë e të besimit të tyre të krishterë para perandorisë më të fuqishme të kohës. Për ekzistencën e një populli të lashtë që vuante akoma në robërinë osmane dhe që meritonte të rifitonte lirinë dhe besimin e dikurshëm kristian.

 

Kështu tragetimi i kujtesës historike shqiptare në masën e madhe të besimtarve kalonte shumë më kollaj e më me intensitet nga dyert e kishës se sa nga sallat e bibliotekave ku tek tuk ndonje erudit i apasionuar gjente e lexonte jetën dhe bëmat e shkëlqyera të Skëndërbeut. Sidoqoftë kisha nxitëte eruditët dhe eruditët ndihmonin e sqaronin kishën dhe të krishterët. Një hap i rëndësishëm i rilindjes shqiptare u hodh në këtë formë gjë që nxjer në pah vlerat e shumanshme të këtij imazhi me karakter shqiptar.

 

Për momentin na mungojnë dokumetat e drejt për drejta që të shikojmë qartë nismëtarin  e stimuluesin  e vërtetë të fenomenit Zonja e Shkodrës. Megjithëatë disa fakte mjaft të rëndësisshme përkojnë me kohën e Papa Albanit(Papa Clemente XI) i cili njihet si nismëtari i Kuvendit të Arbërit(1703) dhe nxitës i veprimtarisë letrare në dobi të gjuhës shqipe të Francesco Maria da Lecce(Dizionario italo-albanese por dhe një Gramatikë shqip sot e panjohur).

 

Pikërisht në kohën kur pregatitej kuvendi i Arbërit Papa Albani më 1701 me anë të një bole papale urdhëron që altari i shkollës së shqiptarve në Venedik të privilegjohet çdo të hënë gjatë gjithë vitit. Ishte fjala për altarin më të madh që ndodhej në kishën e Shën Mauricios. Një doracak i vitit 1736 mbi Venecien ku përshkruan ambientet e brëndëshme të saj thuhet se: Altari i Virgjërshës së Bekuar dhe i Shën Gallos në pikturë antike është i shqiptarve apo epirotëve. Urdhëri i papës vazhdoi të respektohej akoma më 1709 në kishën e Shën Mauricios mirëpo në këto vite bashkëvllazëria e shqiptarve(Scuola degli Albanesi) shkonte drejt shuarjes së saj kështu që kulti marian që evokonte të kaluarën shqiptare nuk mund të kishte më forcën e ripërtëritjes së tij.

 

Në këto vite familja e shquar epirotase Rodotà me origjinë të largët nga Corone e Epirit e vendosur në San Benedetto Ullano që ruanin akoma ritin bizantin në shërbesat fetare përqafuan me shumë dëshirë devocionin e veçantë për Virgjërshën si mbrojtëse e shqiptarve si brënda familjes  së tyre po ashtu edhe për gjithë komunitetin arbërsh të San Benedetto Ullanos. Nismëtar u bë Andrea Stefano Rodotà i cili në vitet 1704-1714 ishte student në Kolegjin Grek të Romës. Kësaj familje i përket edhe eruditi i shquar Pietro Pompilio Rodotà(1707-1770) që bëri studime të shquara mbi ritin grek në Itali ku na informon edhe faktin e mësipërm. Pra ngjarja ka ndodhur  pikërisht në kohën e papa Albanit familja e të cilit e kishte origjinën diku aty nga mezi i Shqipërisë prej një të qojturi Mikele Laci (ndosht Laçi) dhe u vendosën në Urbino në vitet 60 të shek. XV. I vëllaj i papa Albanit-Clemente XI, kardinali Alesandro Albani(1692-1779) që ëshë i mirënjohur për pasionet e tij mbi artin dhe koleksionet e tij të famëshme në gjithë Italinë më 1734 finacovi në Genazzano ngritjen e altarit prej mermeri ku ësht vendosur ikona e Zonjës të Shkodrës dhe episodi i fluturimit të saj të mrekullueshëm.

 

Pra karakteri kombëtar i shënjtores Nëna e Këshillit të Mirë apo Zonja e Shkodrës apo Nëna e Shqiptarve e adoptuar nga personalitete të shquara të popullit tonë  nga Shqipërija e Mesme apo nga Epiri dhe nga kolonitë arbüereshe  nuk mund të vihet në diskutim. Ajo prezanton Shqipërinë e shqiptarët në botë në të njëjtin nivel me figurën e Skëndërbeut.

 


Firenze 22.VII.2011

(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: