Gani Mehmetaj: Varësia e pashpjegueshme nga Serbia
| E Merkure, 03.08.2011, 06:59 PM |

Varësia e pashpjegueshme nga Serbia

 

Në tregun e Kosovës Serbia është shteti më i privilegjuar në botë. Ku është ndjenja jonë e patriotizmit. A nuk na obligojnë mbi njëzetmijë viktima shqiptare që u vranë nga ushtria e Serbisë, a nuk na obligon vrasja e policit shqiptarë nga Vushtrria, i cili ra për të mbrojtur kufijtë tonë dhe për të mbrojtur shtetin e Kosovës.

 

Nga GANI MEHMETAJ

 

U desh të bëhet një përleshje e shkurtër në mes të Njësive Speciale të Kosovës dhe bandave të organizuara serbe, ku ra në krye të detyrës një policë yni, për të marr vesh botërisht se ne jemi të varur këmbë e krye nga importi i Serbisë. Shpërtheu tërbimi i rrugëqërve nga Serbia në kufi me Kosovën, të mbështetur nga Beogradi, për të marr dhenë pas kësaj informata se ne ushqehemi me mallra -plehra nga Serbia, ndërtojmë shtëpitë e djegura nga ushtria serbe, me çimento, tulla e material tjetër të importuar nga Serbia, të paguara nga paratë tona, se ushqejmë fëmijët tanë me biskota e griz të prodhuar enkas nga fabrikat serbe për popullatën tonë, se jemi të varur kokë e këmbë nga Serbia, më keq se kur ishim nën okupimin e tyre.

Me kujtohet fare mirë që atëbotë, kur ishim nën okupim, nuk kishim as polici, as ushtri tonën, nuk i kishim as trupat e KFOR-it, morëm guximin qytetar dhe kurajën patriotike për ta bojkotuar tërësisht mallin e Serbisë, duke i konsideruar tradhtarë ata që blejnë prodhime të okupatorit. Ata të tillë mbeten edhe sot, por ne jemi indiferent ndaj tyre. Dhe atëbotë kishte efekt të madh bojkotimi i mallit serb dhe organizimi shqiptar. Sot e kemi shtetin tonë, i kemi policët e ushtrinë tonë, ndërsa Serbia sërish na ka pushtuar me mallin dhe ekonominë e vet. Flitet madje se përmes njerëzve tanë ajo i ka shtrirë duart thellë në pasurinë tonë kombëtare e minierat strategjike.

Serbia edhe më tutje ka qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve, kurrë nuk do mund t’i lajë krimet që ka bërë ndaj nesh, edhe më tutje vret njerëzit tanë, është okupatore e një pjese të popullatë sonë (Preshevë, Bujanovc e Medvegj), por ne me ndjenjën e skllavit, sillemi e veprojmë si të mos kishte ndodhur asgjë në mes nesh: bashkëpunimin më të mirë në rajon dhe në botë e kemi me Serbinë! Konsumojmë mallin e tyre, i shpëtojmë nga falimentimi fabrikat e tyre dhe e financojmë ushtrinë e tyre që të blejnë armë për të luftuar kundër nesh. Por ata asnjëherë nuk habitën që të lejojnë mallin tonë të shitët në territorin e tyre, madje as në hapësirën shqiptare në Preshevë, Medvegj dhe Bujanovc. Çfarë populli jeni ju, me tha një ditë një i huaj, dashamirës yni, kur ia tregoja ca fakte që ai nuk i kishte ditur. Rrudha me supe me ndjenjën e thellë të fajit. Nuk kisha përgjigje. Pikëllimi im, nuk ishte argument i mjaftueshëm.

Vetëm pas vrasjes së policit tonë, u mor vesh se Coca-Colen e famshme amerikane e marrim nga Serbia! Ndërkaq, është pikërisht Serbia me ushtarët e vet kriminel ajo që e dogji fabrikën tonë të Coca-Colës në Lipjan, dogji edhe pjesën më të madhe të fabrikave tona, u mor vesh pos tjerash edhe për të rrënuar ekonominë tonë dhe për të na shitur mallrat e tyre. Edhe atëherë kur bizneset tona të shëndosha përpiqeshin të ndërtojnë fabrika ushqimore e fabrika për material ndërtimore, ishin tregtarët e fuqishëm e ndërmjetësit e ndryshëm nga Kosova ata që i ngufasnin prodhimet vendëse, duke na vërshuar me mallin serb të të njëjtit prodhim. Në konspiracion me bosët e fuqishëm të gjakut tonë u ndalua importi i Coca -Colës nga Shqipëria, u shmang i njëjti prodhim nga Maqedoni. Madje edhe disa dhjetëra lloje të ujit të prodhuar në Kosovë e në Shqipëri, tregtarët e sipërmarketeve tona e venë në plan të dytë, duke e vënë në spikamë vetëm një lloj të ujit serb. Shkoni dhe vërtetojeni-janë dhjetëra shishe në frigorifer të një prodhimi serb dhe asnjëe shishe uji të prodhimit shqiptar. Të skandalizon ky protekcionizëm: në tokën shqiptare të Kosovës favorizohet prodhimi serb.

Në tregun e Kosovës Serbia është shteti më i privilegjuar në botë. Ku është ndjenja jonë e patriotizmit. A nuk na obligojnë mbi njëzetmijë viktima shqiptare që u vranë nga ushtria e Serbisë, a nuk na obligon vrasja e policit shqiptarë nga Vushtria, i cili ra për të mbrojtur kufijtë tonë dhe për të mbrojtur shtetin e Kosovës. Ai ra edhe për të penguar kontrabandën e mallrave serbe, ndërkaq, bashkëkombësit e tij vazhdojnë të kontrabandojnë dhe të konsumojnë ato mallra. Medet.

Reagimi i bandave serbe, natyrisht që ishte i egër, i tërbuar, kur u bllokua malli serb dhe u pengua kontrabanda, sepse me aksionin e qëlluar të qeverisë dhe të njësive speciale tentuam t’ua presim degën në të cilin jetonin kriminelët serb dhe mafiozët shqiptar. Me ndërhyrjen e njësive speciale u alarmuan zyrtarët nga Beogradi, sepse një treg kolonial po rebelohej dhe kështu rrezikonte të krijonte krizë në vendin e tyre.

Me kujtohet para shumë vjetësh kur u organizua një bojkot i mallit slloven, (një shteti thellësisht miqësor ndaj nesh), sepse policia e tyre arrestoi pa të drejtë zyrtarin tonë të lartë me një fle arrest nga Serbia. Me kujtohet se ky bojkot sa ishte i dëmshëm, aq ishte edhe parodi, sepse edhe atëherë edhe tash malli nga Serbia ishte mbizotërues në tregun e Kosovës. Dhe askujt as atëherë, as tash, edhe në vitet kur vriteshin nga dhjetëra shqiptarë në veriun e Mitrovicës, nuk organizoheshin bojkote kundër mallit serbe.

Para ndonjë jave një shoqate konsumatorësh i krisi nervi islamik dhe kërkoi të bojkotohet një mall italian, sepse në përbërjen e vet paska yndyrë derri, megjithëse prodhuesi e theksuaka këtë gjë nw gjuhë tjera, por nuk e paska përmendur edhe në shqip, sipas kësaj shoqate. Dhe e njëjta shoqatë që i alarmon myslimanët, nuk i kujtohet të del në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës dhe të thotë: konsumatorë bojkotojeni mallin serb, sepse ata po na i vrasin policët tanë, sepse po e thyejnë kufirin tonë, sepse po e kontrabandojnë mallin e tyre në territorin tonë. Madje, nuk alarmuan konsumatorin as atëherë kur disa prodhime serbe, dolën se janë të helmuara, këtë gjë e konstatuan shoqatat e tyre konsumatore, por te ne malli serb nuk u tërhoq nga qarkullimi.

 


Për ZSH: Ramiz Bojaj

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: