Veli Haklaj: Barbarizmat sllave ndaj shqiptarëve
| E Hene, 25.07.2011, 07:58 PM |

Barbarizmat sllave ndaj shqiptarëve

 

Nga Veli HAKLAJ

 

Që nga 17 shkurti 2008 e në vijim, ka filluar të marrë zgjidhje përfundimtare raporti dramatiko-tragjik mes serbëve dhe shqiptarëve. Ky raport u ndërtua përmes një ballafaqimi shekullor të dy strategjive të kundërta: të asaj serbomadhe në agresivitet e shfarosje të shqiptarëve dhe të asaj shqiptare në vetëmbrojtje e vetëqenie.

Gjenocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore, më 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë; për të vazhduar me projektin e Vlladan Gjeorgjeviçit, më 1908, ku Serbia kërkonte lejen e Evropës për zhdukjen totale të shqiptarëve; me programin e kolonizimit të shqiptarëve, prezantuar parlamentit në Beograd në formë memorandumi me titull “Shpërngulja e arnautëve”, më 7 mars 1937, nga akademiku Vaso Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve; me eloboratin e titulluar “Projekt–raport për Shqipërinë”, promovuar nga shkrimtari Ivo Andriç, më 30 janar 1939, ku paraqiten planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar; me projektin e Stefan Moleviçit, më 30 qershor 1941; me punimin tjetër të Vasa Çubrilloviçit “Probleme të pakicave në Jugosllavinë e re” të 3 nëntorit 1944, për dëbimin e shqiptarëve nga Jugosllavia; me “Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë”, i vitit 1986; me “Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”, të vitit 1990; dhe së fundi me platformat e zbatuara për spastrimin e shqiptarëve nga Kosovë, më 1998 dhe 1999. Këto platforma politiko–ideologjike kishin si objektiv shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e plotë të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nën Jugosllavi.

Studiuesja Elena Kocaqi pohon se, si rezultat i zbatimit praktik të këtyre platformave, gjatë dy shekujve të fundit u dëbuan nga territori i shtetit serb 2,3 milionë shqiptarë. (Elena Kocaqi-LEVANTI, Planet për zhdukjen e shqiptarëve, Tiranë, 2009, fq. 175)

Fillimet e zbatimit të këtyre platformave i gjejmë në luftën serbo-turke, 1876-1878, ku agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse për shqiptarët në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Në kujtesën e bashkëkohësve të atyre viteve llogariteshin 35 000 viktima shqiptarë të çdo moshe e seksi.

Lufta serbo-turke u shfrytëzua nga qarqet shoviniste të Beogradit për përfitime të reja territoriale nga trojet shqiptare. Ishte fakt se fshatra, qytete e krahina të tëra zbrazeshin nga këto tmerre, se edhe këto i kërkonte gjenocidi serbomadh. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje thjesht shqiptare e Nishit prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan, të tjerat u shkatërruan me tokë.

Në kazanë e Leskovacit, u shkatërruan 1. 228 shtëpi me 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20.667 banorë; në rrethin e Përkupës, në 73 fshatra me 1.771 shtëpi shqiptare u shpërngulën 12.480 banorë.

 

Vetëm në rajonin e Pustrekës, në 53 fshatra, mbeten të zbrazura 2.700 shtëpi shqiptare; në Leskovac 700 shtëpi mbeten të zbrazura, kurse në rrethin e Leskovacit 1.322 shtëpi shqiptare; në Përkupë 750 shtëpi; në rajonin e Bahinocit u dogjën të gjitha shtëpitë shqiptare; në fshatin Pllanë e Madhe, prej 889 shtëpive shqiptare, asnjë prej tyre nuk mbeti; në Pirot, nga 2.270 shtëpi shqiptare u dogjën 1.327. (Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike IX-1979, Prishtinë, 1980, f. 138, 139, 142)

Togje kufomash shqiptare, vatër më vatër, shtëpi të rrënuara, nëna të ngrira me foshnja në gji, fëmijë të uritur të pambrojtur, uri e skamje nga zjarret dhe nga plaçkitjet për pasiguri dhe skena të trishtueshme kishin mbetur në tërë Moraven dhe Përmoraven shqiptare në qarqet e Nishit, Pirotit, Vranjës, Leskocit, Përkupes, Kurshumlisë etj., në verilindje, si dhe në rajonet e Kolashinit, të Nikshiqit, Zhabjakut, Shpuzës, Podgoricës, Ulqinit etj. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 45)

Më 1912, mes trysnish dhe politikash antishqiptare, lindi shteti shqiptar. Platformat politike të “Megali Idea”-s greke dhe “Naçertania”-s serbe, të mbështetura me veprimet e tyre konkrete ushtarake, ia dolën që shteti shqiptar të mos krijohej në hapësirën e tij kombëtare, por në më pak se gjysmën e saj. (Veli Haklaj, Kryengritja e Delvinës e vitit 1937, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, f. 292)

Në letrën që Kryeministri serb, Nikolla Pashiç, i drejton ministrit serb në Petërburg, më 21 janar 1913, i theksonte se “Krijimi i Shqipërisë përbën një rrezik të madh, jo vetëm për serbët, por për krejt Lidhjen Ballkanike”. (Enver Bytyçi, Shqiptarët, serbët dhe grekët, Shtëpia botuese “KOHA”, Tiranë, 2005, f.19)

Sipas Jens Reuter: “Serbët konsideronin tokat e reja të fituara më 1912/13 si vend i vjetër serb dhe shqiptarët që banonin atje si një trup i huaj kombëtar. Rrjedhimisht shqiptarët në shtetin e krijuar rishtazi (Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe e Sllovenëve-V.H.), që në fillim iu nënshtruan reprezaljeve të rënda. Ata ishin në mbikëqyrjen e përhershme të autoriteteve: burgosjet, keqpërdorimet, madje dhe likuidimi fizik i shqiptarëve të veçantë kanë qenë në rendin e ditës… Të gjitha planet e qeverisë synonin në likuidimin e këtij grup-popullsie, qoftë nëpërmjet asimilimit të plotë, nëpërmjet dëbimit të detyruar, ose nëpërmjet asgjësimit fizik”. (Jens Reuter, Shqiptarët në Jugosllavi, shtëpia botuese “BOTIMPEX”, Tiranë 2003, f. 30)

Në mbështetje të këtij qëndrimi politik të Beogradit, në vitet 1912-1913 dhe në vijim politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Duke mos e përfillur proklomatën e independencës së Shtetit Shqiptar, serbo-malazezët marshuan përpara me agresionin e tyre. Durrësi u mor më 29 nëntor 1912 e, pas pak, edhe Elbasani. Serbët vranë, dogjën dhe shkatërruan kudo… (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë, 1995, f. 26)

Ndërsa ushtritë serbe dhe malazeze u dynden në Kosovë, në vitin 1912, dhe e përforcuan sundimin e tyre, çdo përpjekje për qëndresë nga ana e udhëheqësve shqiptarë, të cilët kishin sfiduar turqit në fillimin e këtij viti, u shtyp me egërsinë më të skajshme. (Tim Judah, Kosova – Luftë dhe hakmarrje, shtypur në “KOHA Print”, Prishtinë 2002, f. 40) Arqipeshki katolik i Shkupit, Lazër Mjeda, në raportin e tij dërguar Romës konstaton se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë deri në atë kohë ishte 25.000. Kjo shifër pajtohej me raportet e shtypit evropian, i cili kishte përmendur një shifër prej 20 000 viktimash në fillim të dhjetorit 1912. (Noel Malkolm, Kosova, KOHA-Prishtinë&Shtëpia e librit-Tiranë, Botimi i dytë, 2001, f. 265). Po kështu, edhe gazeta “Atdheu” e datës 10 qershor 1913, shkruante se numri i atyre që janë vrarë pa faj arrin në 30.000 veta. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 190). Ndërkohë që dhjetëra mijë të tjerë u larguan nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare të pushtuara nga Serbia dhe Mali i Zi.

Në një artikull të botuar tek “Crusading”, profesor Schiemann ka shkruar: “…Pamja që na shpaloset është veçanërisht shumë brengosëse. Serbët po zhvillojnë kundër shqiptarëve një luftë të formës së gjenocidit. Ata do të dëshironin me shpirt që të shfarosnin një komb me rrënjë e me degë…”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë, 1995, f. 41)

“Deily Chronicle” raporton më 12 nëntor të 1912-ës se “therjet masive të mijëra shqiptarëve prej serbëve është një fakt që nuk mundet ta kundërshtojë askush. Pranë Shkupit, 2 000 dhe jo fort larg Prizrenit 5 000 shqiptarë myslimanë janë therur pa mëshirë. Janë ndezur shumë fshatra dhe janë masakruar banorët e tyre. Serbët e kanë bërë krejtësisht të qartë se shqiptarët myslimanë duhet të shfarosen”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 41).

Ndërsa, për zhvillimin e ngjarjeve në trevat shqiptare të Maqedonisë, korrespodenti i luftës, i gazetës “Riget”, danezi Fric Magnusen, raporton nga Shkupi: “Makina e luftës në Maqedoni ka si tipar kryesor vrasjen e popullatës shqiptare. Ushtria ka shpërthyer në një luftë të llahtarshme gjenocidi. Sipas deklaratave të oficerëve dhe ushtarëve, 3. 000 shqiptarë janë masakruar në zonën midis Kumanovës dhe Shkupit, 5.000 të tjerë përqark Prishtinës. Fshatrat shqiptare rrethohen dhe u vihet flaka. Pastaj serbët presin. Presin cilindo që tenton të dalë i gjallë pa u përvëluar dhe i mbysin… Serbët mburren për këtë gjueti njerëzish”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 43)

Ndryshe nga vendet e përmendura ma lart, Ferizaj kundërveproi me rezistencë të armatosur. U luftua pandërprerë 24 orë… Por, si kundërpërgjigje, masakra e Ferizajt kushtoi 12 000 mijë viktima. Në qytet nuk mbeti asnjë banorë mbi moshën 15 vjeçare. Mbeten veten tre myslimanë shqiptarë. Edhe në Gjilan, ku shqiptarët nuk e mbrojtën veten, e tërë popullata u shfaros ose me plumb, ose duke u djegur e gjallë. Të vetmit që mbijetuan ishin disa që mundën të iknin. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë, 1995, f. 46)

Ndërkohë, forcat serbe, të drejtuara nga gjenerali Jankoviq, në krahinën e Lumës shkatërruan 27 fshatra dhe vranë popullatën, deri tek fëmijët. Këtu u kryen mizoritë më të tmerrshme që njeh lufta shfarosëse kundra shqiptarëve. Këtu ndodhi që gratë dhe fëmijët, të mbështjellë me kashtë, u dogjën të lidhur përpara syve të burrave dhe baballarëve të tyre të lidhur këmbë e duar. Gra shtatzëna janë shpërthyer në mes në mënyrën më të llahtarshme dhe fëmijët e palindur janë ngritur përpjetë me bajoneta. Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 49)

Sipas të dërguarit të posaçëm të “Daily Telegraph”, “historia e botës deri tani nuk njeh persekutime më të fëlliqura sesa pasojën e llahtarisë së duarve dhe shpirtit të gjeneralit Jankoviç. Të frymëzuar prej egërsisë së tyre të tmerrshme, ata kanë mbytur popull të pambrojtur: gra, pleq, fëmijë, bile edhe foshnja në gjirin e nënës. Oficerët serbë, të rrëmbyer nga furia e pushtimeve, kanë shpallur se ka veten një rrugë: sipas tyre, paqja më efektive në Shqipëri mund të arrihet duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë 1995, f. 51-52)

Duke u nisur si gjithnjë nga synimi për në bregdet, monarkia serbe gjatë viteve 1912-1915, në përgjithësi, me anë të dhunës ushtarake ndaloi ushtrimin e qeverisjes shqiptare dhe ushtroi qeverisjen serbe në Dibër, Kukës, Tropojë, përkatësisht në varësi të qyteteve të Dibrës së Madhe, të Prizrenit dhe të Gjakovës. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 166-167)

Në një pasqyrë të dhënash të pjesshme për gjenocidin në Lumë dhe Opojë, në vitin 1913, rezulton se në 12 fshatra minimumi u dogjën 573 shtëpi, u vranë afro 672 njerëz (shumica gra dhe fëmijë), u plagosën 177 njerëz (pothuajse gra dhe fëmijë).

Kështu ngjau edhe në rajonin e Gjilanit, ku në 19 fshatra pati masakra të egra, vetëm në Kabash u masakruan 47 veta. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 202-203)

Sipas M. E. Durham: “Në krahinën e Gostivarit u dogjën me vajguri fshatrat dhe u hodhën në flakë me majat e bajonetave ata që kishin mundur të shpëtonin; ka fshatra me 100, 150, ose 200 shtëpi ku nuk mund të gjendej asnjë frymë. I mbledhin njerëzit me togje nga 40 ose 50 veta dhe i shkojnë në bajonetë deri tek i fundit. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 202)

Edhe në gazetën “Liri e Shqipërisë”, publikohet se në Reçan të Gostivarit, serbët, pasi pushkatuan 30 veta, i mbyllën në dy shtëpi dhe i dogjën të gjallë 200 gra, fëmijë dhe pleq. Po në Gostivar dogjën Reçin, Zdunjën, Ravenin, Vertokun, Mirditën, Orkushin, Simnicën. (Gazeta “Liri e Shqipërisë”, nr. 87, viti 1913)

Gjenocidi dhe terrorizmi përfshiu mbarë luginën e Drinit. Dibra binte erë gjaku dhe shkrumbi. Dibrës së Madhe iu bë një bombardim rrënues, aq sa qyteti me 18-20 mijë banorë ra në dy mijë frymë. Një pjesë e popullatës që mori arratinë u masakrua nga ushtria në mënyrë mizore, ku nuk ngeli gjallë asnjë njeri që të rrëfente për skenat e lemerishme. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 205)

Në Peshkopi, pasi qenë fshi të tana banimet, qenë djegur 57 ndër ma të mëdhatë. (Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, nr. 3, datë 8/21 janar 1914). Në Tetovë u arrestuan 400 myslimanë, prej të cilëve u ekzekutuan shumë gjatë transportit për në Shkup. Ndërkohë, afër Shkupit u theren 20 mijë shqiptarë. (Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, nr. 14, datë 1/27 vjeshtë I, 1913)

Sipas raporteve që i dërgoheshin Vjenës, në tetor 1913, “në Gash e Krasniqe, me rastin e shtypjes së kryengritjes që shpërtheu, u përdoren po ato metoda si në Lumë… U rrënuan 1 500 shtëpi dhe popullata e terrorizuar u arratis në brendi të Shqipërisë”. Largimi i përkohshëm i popullsisë nga zonat e operacioneve shfarosëse qe i vetmi mjet shpëtimi. Malësia e Gjakovës, siç duket, kishte parasysh ngjarjet tragjike në Lumë e Dibër. Ndërkohë, dëshmitarë të ngjarjes japin hollësi për terrorizmin dhe masakrimin në Plavë e Guci. Del se forcat serbo-malazeze të këtij rajoni pushkatuan 720 burra, nga këta 559 në Qafë të Previsë, 150 në Brezovicë dhe 11 në qytetin e Plavës. Ndërsa, bilanci i shtypjes së kryengritjes në krahinën e Përdrines do të ishte: nga 1.380 shtëpi, 1.029 u dogjën dhe u vranë 227 banorë. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 205, 209, 211, 212)

Po kështu, sipas anketave të bëra në vitin 1913 nga Instituti “Caregie” i New York-ut, rezulton një shifër prej 125.000 shpirtënish, por sipas hetimeve të kosovarëve kompetentë dhe statistikave zyrtare të autoriteteve shqiptare rezulton se numri i viktimave shqiptare të masakruara prej ushtrive serbo-malazeze në vitin 1912 kalon 200 000-shin. (Tahir Zaimi, Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës, Bruxelles, 1970, f. 105-106)

Masakrat ndaj shqiptarëve në viset veriore nuk ngelën jashtë vëmendjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në një telegram nga Gjakova, drejtuar Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës thuhej: “Dje mori fund kryengritja në Malësinë e Gjakovës, mbas 12 ditë luftërash të ashpra dëshpëronjëse. Forca të mëdha ushtarësh serbë e malazezë hynë në viset shqiptare, duke bërë barbarizma të panumërta. Malësia e Gjakovës mbaroi fare. Pritet të vijnë këtu pesëmbëdhjetë mijë njerëz. Ju lutemi merrni masa”. (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërorë të RPSH, Tiranë, 1963, f. 230)

Ndërkohë, në njoftimin e gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, të datës 5 nëntor 1913, rreth mitingut të madh të organizuar në Vlorë lidhur me aktet barbare të ushtrive greke kundër popullatës shqiptare, në tokat e pushtuara prej saj, ndër të tjera theksohej: “Ushtima e dhimbshme e ankimeve dhe psherëtimave, të të plagosunve e t’atyne që po heqin shpirt tashi dhjetë muej, ndër male e fusha, të mjerave vise të Kosovës e të Dibrës, ende s’asht sosun e që nji e therme (masakre) tjetër, ma egërsore, e nji të shtrydhun ma mizuer, po mbulon me gjak të pafajshëm vendet e Jugut, të rame në zgjedhën e mënishme të të huejit”. (Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërorë të RPSH, Tiranë, 1963, f. 246)

Megjithatë, duhet të vihet në dukje që gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore pati dhe periudha më të qeta, sidomos në zonat e Kosovës nën pushtimin e austriakëve. Por, nga viti 1918, lavjerrësi u kthye mbrapsht. Duke shkuar për në veri me aleatët, trupat serbe ripushtuan Kosovën. Më 1 dhjetor 1918 u krijua shteti i ri jugosllav. Disa çeta shqiptare vazhduan organizimin e qëndresës kundra autoriteteve serbe, por shtypja e qëndresës së shqiptarëve ishte e përgjakshme. Me mijëra vdiqën.

Sipas Tahir Zaimit, 19 450 shpirt të tjerë shqiptarësh në Plavë, Guci, Rugovë e Podgor të Pejës, u masakruan gjatë vitit 1919. (Tahir Zaimi, Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës, Bruxelles, 1970, f. 105-106) Ndërsa, si rezultat i gjenocidit të ushtruar gjatë vitit 1920, në 41 fshatra të Plavës dhe Gucisë, rezultojnë të mbytur 4 066 veta, nga këta 954 gra dhe 1 046 fëmijë, 6 050 banesa të djegura, 73 884 krerë bagëti të imta dhe 17 842 bagëti të trasha të grabitura. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 283-284)

Një botim me rëndësi që tregon masakrimet që kanë pësuar shqiptarët nga fuqitë serbe është broshura me titullin “Les droits de l’Albanie a ses frontieres natyrelles”, botuar prej Komitetit të Shqiptarëvet Irredentë (Vlorë 1921). Bilanci i atrociteteve të përmendura në këtë broshurë është me të vërtetë i tmerrshëm: 12 371 të vrarë, 22 110 të burgosur, 6 050 banesa të prishura, 10 526 familje të plaçkitura. (Shqipëria dhe të drejta e saj, Shtëpia Botuese “Eqerem Çabej”, Tiranë, 1998, f. 30)

Gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1944, një dallgë tjetër e gjenocidit serbo-malazez përshkoj trevat shqiptare, jashtë Shqipërisë së 1913-ës. Momenti kulmor është masakrimi i krahinës së Bihorit, ku në 82 fshatra u shfarosën në mënyrat më të tmerrshme rreth 5 000 shqiptarë, ku rreth një e treta ishin fëmijë, gra dhe pleq, tragjedi kjo në kushtet kur kombi rënkonte njëkohësisht nën robërinë nazifashiste italiane, gjermane, serbe dhe bullgare. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 576) Përgjegjësit kryesorë për masakrën e Bihorit, por dhe për masakra të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin çetnikët e Drazho Mihajloviçit dhe të Pavlo Gjurishiqit. (Tahir Zaimi, Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës, Bruxelles, 1970, f. 105-106)

Të ikur nga masakrat e vitit 1943 janë 14 000 frymë, nga të cilët 5.000 në prefekturën e Pejës dhe të tjerët në Bjellopojë. Ndërkohë që vetëm në komunat Korita, Llozana, Rashova, Bare, Savinopol dhe Zaton rezultojnë 1 763 shtëpi të djegura dhe 4 626 të vrarë dhe të plagosur. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 400-401)

Pas Luftës së Dytë Botërore, për zhdukjen e popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe Dibrës së Madhe u përdoren mjete dhe metoda me të vërtetë ngjethëse: u pushkatuan në masë mijëra njerëz; i kanë futur gjallë në gropa; kanë therur pleq, gra dhe fëmijë; u kanë prerë njerëzve pjesë të trupit deri sa u ka dalë shpirti; i kanë djegur për së gjalli në zjarr; kanë përvëluar njerëz me ujë të nxehtë; kanë arritur deri sa t’u çajnë barkun njerëzve dhe t’u futin prush zjarri në bark; i kanë përshkuar nëpër hunj dhe i kanë vendosur në gardhe për të terrorizuar popullin; u kanë prerë kokat burrave, grave, fëmijëve në sy të pjesëtarëve të tjerë të familjes; u kanë çarë barkun grave shtatzëna; kanë përshkuar fëmijët me bajoneta; kanë arritur të përdorin edhe mjetet bakteriologjike duke përhapur tifon e morrit, për të zhdukur njerëzit …(Masakrat e klikës Tito në Kosovë, Metohi dhe Dibër të Madhe, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1952, fq. 5-6)

Sipas Shaban Palluzhës, njëri ndër organizatorët kryesorë të qëndresës kundër serbo-malazezëve në fundin e Luftës së Dytë Botërore, “dominimi i komunizmit në Shqipëri, koalicioni me sllavët dhe më gjerë, si dhe rreshtimi në krahun e Lindjes, ishte në fakt një prej fataliteteve që shënoi dëmet më të mëdha në historinë e re kombëtare”. (Azem Hajdini-Xani, Shaban Palluzha, BUROJA, Prishtinë, 2002, f. 323)

Ndërkohë komunistët shqiptarë në Tiranë e dinin se një bashkim i shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë do të sillte fundin e diktaturës komuniste, ndaj dhe mbështeten për disa vite politikat serbe të spastrimit etnik, duke bashkëpunuar madje në krimin e vrasjes së 4 200 shqiptarëve në Tivar nga ana e ushtrisë serbo-jugosllave. (Enver Bytyçi, Shqiptarët, serbët dhe grekët, Shtëpia botuese “KOHA”, Tiranë, 2005, f. 56) Sipas dëshmitarit të mbetur gjallë nga masakra e Tivarit, Azem Hajdinit, “planifikuesit e masakrës së Tivarit nuk dëshironin që 4.600 shqiptarët e grumbulluar në Kosovë, nga 16–65 vjeç, të dërgoheshin në front dhe të vriteshin në luftime me nazistët, por, duke qenë të mëkuar me urrejtje shoviniste, ata kërkonin që në mënyrë ekzaltative të shfrynin e të kënaqnin sadizmin e tyre shtazarak”. (Azem Ajdini, Masakra e Tivarit, Besa, Tiranë, 1998, f. 30)

Pas çlirimit të Kosovës nga pushtuesit nazistë, me mijëra kosovarë ranë pre e masakrave barbare të formacioneve partizane jugosllave dhe OZN-as që morën në administrim ushtarak Kosovën. Sipas të dhënave të rrumbullakosura dhe paraprake të Xheladin Hanës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, po shkonin në Konferencen e Prizrenit (8-10 korrik 1945-V.H.), me 5.200 shqiptarë të vrarë nga forcat çetnike serbo-malazeze, 86.000 të vrarë, therur e djegur për së gjalli, nga të cilët 36.000 në Rrafshin e Kosovës, 23.000 në Rrafshin e Dukagjinit, 27.000 në trevën e Vardarit në Maqedoni, 220.000 bastisje (duke përfshirë edhe ato të përsëritura), 200.000 persona të kaluar në duart hetimore të OZN-as dhe që kanë pësuar rrahje, fyerje, shpifje, kërcënime, presione të gjithfarshme. (Nga një bisedë e Xheladin Hanës me Faik Pruthin e me shokë të tjerë, në Prishtinë, në nëntor 1948/Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 465-466)

Edhe S.S.Juka, në parathënien e librit “Golgota shqiptare”, thekson: “Mbi 40.000 shqiptarë vdiqën në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë të tjerë janë rrahur e torturuar pa mëshirë. Kur ka qenë në fuqi Rankoviçi, është firmosur një traktat me Turqinë sipas të cilit 300.000 shqiptarë janë shpërngulur nga Kosova dhe janë vendosur në Turqi”. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë, 1995, f. 31)

Faktikisht, ende pa përfunduar Lufta e Dytë Botërore, brigadat e caktuara partizane serbo-malazeze si dhe disa brigada partizane të Shqipërisë, hynë në Kosovë, në muajin tetor-nëntor 1944, ku mbanin nën kontroll çdo ngjarje e lëvizje, madje edhe lëvizjet e përditshme të qytetarëve. Kudo që hetoheshin luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare e burrat në zë i kapnin dhe i grumbullonin nëpër burgje si për shembull, në Kullën e Sheremetit në Pejë, në Rrugën e Shkijeve në Gjakovë, në burgun e Istogut, Prishtinës etj., prej nga i merrnin dhe i ekzekutonin pa gjyq. (Faton Mehmetaj, Veprimtaria e “Dorës së Zezë serbe në trojet shqiptare, ANATEMA, Prishtinë, 2004, f. 19)

Sipas Tahir Zaimit, 50.000 shqiptarë janë pushkatue prej Jugosllavisë komuniste, në rast të pushtimit të fundit, në vitin 1944. (Tahir Zaimi, Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës, Bruxelles, 1970, f. 105-106)

Kurse studiuesi Shaban Braha konkludon se gjatë viteve 1953-1960 shifra e të dëbuarve në Turqi arrin në 283.000 shqiptarë. Gjatë periudhës rankoviçjane janë keqtrajtuar dhe rrahur 30.000 shqiptarë, ndërsa mbi 120 000 shqiptarë ishin me dosje. (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 493, f. 502)

Po kështu, studiuesi Faton Mehmetaj thekson se, më 1955/56, në Kosovë filloi aksioni famëkeq për mbledhjen e armëve, ndërsa më 1981, UDB-a (OZN-a) e mundoi deri në fund pjesën dërmuese të inteligjencës shqiptare, kurse rininë kosovare të asaj kohe e dërmoi fizikisht me rrahje, tortura, vrasje, burgosje e përndjekje të pafund. (Faton Mehmetaj, Veprimtaria e “Dorës së Zezë serbe në trojet shqiptare, ANATEMA, Prishtinë, 2004, f.

Dihet se menjëherë pas turbullimeve të mars-prillit 1881, në Krahinën Autonome të Kosovës u shpall gjendja e jashtëzakonshme, që vazhdoi deri në vjeshtën e po atij viti. Një burim i Beogradit jep se në tre vjet e gjysmë (1981-1984) llogariten 883 të akuzuar dhe 581 të dënuar për veprime “armiqësore” kundër Jugosllavisë e rendit të saj “kushtetues”. (Revista “Nin”, nr. 1754, Beograd, datë 12 gusht 1884/Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare, Shtëpia botuese “Lumi-T”, Gjakovë, 1991, f. 526)

S.S.Juka thekson se, në 1989, pushteti serb e shpalli Kosovën pjesë të Serbisë dhe suspendoi nga detyra aparatin shtetëror të kombësisë shqiptare. Në këtë vit serbët arritën dhe helmuan mbi 6.000 fëmijë shkollash. (Leo Freundlich, Golgota Shqiptare, shtëpia botuese “LILO”, Tiranë, 1995, f. 31)

Me fillimin e konfliktit të armatosur në Kosovë (mars 1998), spastrimi etnik dhe gjenocidi morën formën e një veprimtarie barbare që sfidoi gjithë bashkësinë ndërkombëtare në prag të shekullit XXI. Deri në fillim të majit 1999, ishin përzënë 730.000 shqiptarë. Prej tyre 605.000 u strehuan në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, ndërsa 125.000 të tjerë në vende të ndryshme të Evropës. Po t’u shtohen këtyre refugjatëve dhe të ikurit deri në 1996, del se shovinizmi serb, deri në maj 1998, shpërnguli me dhunë 1.070.700 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë tepër dramatike. (Kosova në vështrim enciklopedik, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, TOENA, Tiranë, 1999, f. 52)

Sipas të dhënave të UNHCR, në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët e dëbuar prej Kosove 443.300 ishin vendosur në Shqipëri, 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi, 21.700 në Bosnjë – Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosen gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.882 në Itali, 5.730 në ShBA. (Kosova në vështrim enciklopedik, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, TOENA, Tiranë, 1999, f. 52)

Ndërsa, autori Faton Mehmetaj thekson se, në periudhën 1998 – 1999, në shumë treva të Kosovës, soldateska agresive serbe, përmes mekanizmave të saj, si vazhdimësi e “Dorës së Zezë” bëri një seri masakrash ndaj popullatës shqiptare dhe shpërnguli nga Kosova ¾ e popullsisë shqiptare. Në këto çaste të vështira, në rrethana tejet të rënda, u organizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bashkë me aleatët e NATO-s, të prirë nga SHBA-të dhe Anglia e çliruan Kosovën nga diktatura ushtarake serbe duke i shpëtuar shqiptarët nga shfarosja totale. (Faton Mehmetaj, Veprimtaria e “Dorës së Zezë serbe në trojet shqiptare, ANATEMA, Prishtinë, 2004, f. 8).


Për ZSH- Kadri Mani (etnike@gmail.com)

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: