Ndue Ukaj: Arsimi është fizionomia e një kombi
| E Shtune, 23.07.2011, 06:55 PM |

Arsimi është fizionomia e një kombi

 

Nga Ndue Ukaj

 

Arsimimi i jep fizionomi reale një kombi, shoqërie a shteti. Një komb a shtet që zhvillon një arsim të mirëfilltë dhe përparimtar, mund tw kyçet me lehtë e në kohë e më të shkurtë, brenda sistemit të vlerave ndërkombëtar dhe qytetërimit të së mirës; vlera këto në kohën tonë zhvillohen në përmasa marramendëse.

Një shoqëria, është e aftë të drejtoj vetën në rrugë të përparmit, kur ajo ka vetëdije të shëndoshë për rëndësinë e edukimit. Në kontekstin kosovar, çështja e edukimit le shumë për të dëshiruar. Universiteti i Prishtinës dhe në tërësi sistemi arsimor i Kosovës, është në gjendje anarkie që një kohë të gjatë. Ndërsa ky dekadencë, vetëm sa po përparon. Ajo çka po ndodh në universitetin e Prishtinës, ashtu sikurse në edukimin privat, përveç tjerash duhet analizohet si pjesë e një sistemi të tërësishëm që po ndërton shoqëria kosovare, në këto vite të një tranzicioni të stërngarkuar shoqëror, përçudnimet e së cilës, në mos bazën, një hallkë të rëndësishme, mbase më të rëndësishëm, e kanë pikërisht te Universiteti, i cili, që disa vite, ka prodhuar aq shumë “kuadro”, të diplomuar, magjistra dhe doktorë të shkencave, e të cilët në jetën publike të Kosovës të zënë frymën me injorancën dhe mediokritetin që shfaqin. Andaj, në këtë kohë kur studentët e ri ja mësyjnë dyerve të Universitetit dhe ministria projekton objektivat e saj, duhet të shërbej si një moment i reflektimit, ku ndodhet edukimi ynë sot? Kjo për faktin se nga shkollimi (edukimi) fillojnë të ndërtohet kunturat reale të shoqërisë, që reflektohen si të tilla në politikë, administratë, ekonomi, siguri, shëndetësi, kulturë e ku jo tjetër. Është çështje që nuk do koment: çfarë shkollimi të kemi, aso standardesh jetësore do të kemi, asilloj politike, ekonomie, shëndetësie, kulturë, etj. Nisur nga ky kontekst, duke parakuptuar faktin se premisat elementare të gjithë shoqërisë, në gjitha nivelet, formësohen pikërisht nga shkollimi (edukimi), që ngrit mendjet për emancipim e prosperim, sidomos tash kur gjendemi në procese të rëndësishme për të ardhmen, duhet t’i japim kaheje racionale edukimit. Mendjet e ndritura, duhet reflektuar realisht, që kjo gjendje agonie, e paperspektivë, sa më shpejt që të jetë e mundur, të vihet në binare. Pastaj të sanohen pasojat që ka shkaktuar në të kaluarën ngulfatja që i është bërë universitet nga politika e grupet e ndryshme shoqërore. Në të vërtetë, ajo çka ka ndodh gjer më sot me arsimin, është turpi i demokracisë sonë, i lirisë sonë dhe i inteligjencies sonë.  Hallka e problemeve që ka pikënisje edukimin, reflektohet sot në gjithë organizimin shoqërisë Kosovës: nga arroganca dhe papërgjegjësia totale që ndeshim nëpër jetën publike; nga injoranca dhe padija për t’i shpirë përpara proceset, e deri tek degradimet tjera për të cilat do të shkruheshin regjistra të tëra. Ajo që nuk duhet të përsëritet tash e tutje është mësimi nga gabimet që po i mban mbi supë shoqëria kosovare, veçmas bota akademike, e cila në këto vite e tranzicionit është shpërfillur maksimalisht. Kjo e fundit, tash e ka përgjegjësinë të ngre zërin, në të mirë të idealit të dijës dhe të arsimit. Gjithnjë në të mirë të ardhmes së shëndoshë të Kosovës.

Universiteti i Prishtinës, si institucion publik është precedenti më interesant për të kuptuar, analizuar dhe gjykuar, pos tjerash, edhe spektrin politik të Kosovës. Me këtë institucion, grupet e caktuara politike, kryesisht ato mediokre, kanë ndërtuar relacione varësie, gjithnjë në favor të politikës, e cila, s’ ka kursyer asgjë për të abuzuar e shpërdorur këtë institucion, në funksion të arsyetimeve të angazhimeve publike. Prandaj, natyrshëm sot kemi barikadime të hapura politike në Universitet. Ngase politikan të shumta kanë dalur të “mençur”, studiues, magjistra, doktorë të shkencave, e çka jo tjetër.

Tendencat për të mbajtur nën kontroll arsimin, që nga ai fillor deri tek ai universitetar dhe fushën e dijeve në përgjithësi kanë edhe kuptime tjera: këto grupe synojnë mbylljen shtigjeve për të gjykuar drejtë shumë fenomene degraduese shoqërore që ndodhën dhe po ndodhin në vend. Përveç problemeve të shumta që ndeshën në opinion lidhur me universitetin, aspekt që duhet preokupoj, jo vetëm ministrinë e institucionet tjera, janë edhe sa e sa magjistratura e dokturatura të abuzuara nëpër fakultete të caktuara, pjesë e së cilëve janë edhe shumë emra të ashtuquajtur vipa publik. Në kontekstin e këtij debati natyrshëm duhet të shtrohet ne diskutim, nga dashamirët e botës akademike dhe dijeve në përgjithësi, fenomeni e marrjes së titujve në këtë Universitet, pastaj punësimet pa asnjë kritere dhe sistemet arsimore-pedagogjike që aplikohen, e që lënë shumë për të dëshiruar; sistem që janë larg praktikave perëndimore.  Në këtë aspekt, janë të mjaftueshme arsyet, jo vetëm për të dyshuar, por edhe për të kërkuar përgjegjësi për fenomenin në fjalë.  Dashamirët e vërtetë të dijës, të cilët tashmë vite në historinë më të re të Kosovës nuk janë dëgjuar, as përfillur nga institucionet e politika, në këtë krizë që ka mbërthyer arsimin s’duhet lejojnë asnjë kompromis. Është koha që këta të ngritin zërin në mbrojtje të idealit të shenjtë të arsimit, kundrejt manipulimeve dhe abuzimeve të shumta. Ajo çka i duhet arsimit në Kosovë dhe veçmas  universiteti, është që arsimi t’i kthehet përfundimisht edukimit, profesionalizmit dhe emancipimit të shoqërisë, e jo shërbimit ndaj politikës.

Nëse në të vërtetë ka gatishmëri reale që të kapërcehet kjo gjendje, pastaj edhe të ndihmohet Kosova, politika dhe grupet e caktuara politike, duhet të heqin dorë nga ky institucion dhe dijen tua lanë në dorë njerëzve të dijës. Kjo është zgjedhja më e mirë për t’i ndihmuar Kosovës, prosperimit të saj dhe daljes nga tranzicioni.

Në fakt, instanca më e lartë arsimore e Kosovës Universiteti që nga përfundimi i Luftës e deri më sot, jo vetëm që kanë preh e qarqeve që më së paku kanë të bëjnë me universitetin, preh e grupeve të caktuara politike, ideologjike e çka jo tjetër, por edhe ka prodhuar aq shumë padije e injorancë sa shoqërisë do t’i duhet një kohë e gjatë për të sanuar këto pasoja. Tash, më së paku është nevoja të barikadohet politika në pozitë dhe opozitë, ngase dyjat, në mënyrën e vet kanë qenë pjesë e problemit. Tashti është koha dyja të bëhen pjesë e zgjedhjes së këtij problemi, në të mirë të Kosovës dhe brezave të ardhshëm.

Vetëm duke ju kthyer edukimit të mirëfilltë, dija jonë mund të inkuadrohet në botën e moderuar. Problemi i Kosovës dhe mosaftësia për të dal nga kjo gjendje anarkie, është rezultat i vetë qenësisë së edukimit, një edukimi jocilësor dhe jo substancial.

Shoqëria e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse, përfundimisht duhet ta kuptojnë se arsimi është fizionomia reale e shoqërisë sonë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: