Fahri Xharra: Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare, zoti Davutoglu!
| E Hene, 18.07.2011, 07:05 PM |

Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare, zoti Davutoglu!

 

Nga Fahri Xharra

 

Ne si shqiptarë jemi të ballafaquar me një përplasje të madhe interesash, e pasaçerisht nga ana e fqinjëve tanë, që me gjakftohtësinë më të madhe po i zbatojnë strategjitë e tyre dinake. Edhe pse e drejta është në anën tonë, pa kurrfarë arsyeje po tregohemi të paaftë për të udhëhequr me pozitën tonë gjeografike dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë historike.

Derisa, forca të errëta mendojnë dhe shpresojnë që civilizimi perëndimor do të rrënohet, ne pa kurrfarë kriteresh dhe pa e shikuar interesin tonë gjithëkombëtar iu mbështetemi atyre forcave duke rrënuar pa pikë mëshire të ardhmen tonë. Nga goja e popullit tonë dhe përvoja e tij mijëra vjeçare mësojmë se “ një herë të vjen vera kah dera”: trimat tanë që deshën t`i dalin zot atdheut u shfaqën në skenën tonë kombëtare duke i treguar asaj ndërkombëtare se ja ku jemi.

Jemi UÇK-ja, një forcë kohezive e një populli të tërë, një populli të mbarë dhe e bëmë atë që e dëshironim - L i r i n ë.

Si i kaluam ato kohëra? Fqinjët dhe vetë armiku me strategjinë e tyre gjakëftohtë na e paraqitkan luftën tonë si luftë fetare. Që nga koha e paraluftës së Kosovës është folur dhe përfolur nga propaganda serbe, greke dhe ajo sllave në përgjithësi, për celulat e terroristëve islamikë në mesin tonë, në Kosovë, duke u përdorur si arma më e fuqishme kundër përpjekjeve tona për pavarësi.

 

A ishte UÇK-ja islamike?

 

Serbia dëshironte që luftën tonë çlririmtare në Kosovë, ta kthejë në luftë fetare. Atëherë sikur lufta jonë të hidhej në përkufizimet fetare ajo luftë nuk do të kishte përfunduar kurrë. Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës iu bashkëngjitën me mijëra djem e vasha nga Kosova, shqiptarë e shqiptare nga Amerika, Gjermania, Franca, Zvicra, Britania e Madhe, të mos i përmend të gjitha shtetet, kurse propaganda serbe dhe ajo antishqiptare thoshte për mijëra muxhahedinë nga Lindja e Mesme dhe pjesëve tjera të botës që po iu bashkohëkan UÇK-së në luftë kundër Serbisë.

E pranoi UÇK-ja këtë propagandë sa armiqësore aq edhe ndjellakeqe? JO. E pranon UÇK-ja, se në mesin e tyre paska pasur shumë shqiptarë që kanë folur rrjedhshëm gjuhën arabe për t`u marrë vesh lehtë me muxhahidinët? JO.

Por, edhe më i keq ishte lajmi nga Pakistani, në tetor 1998, ku mbahej Konferenca Islamike “se separatizmi shqiptar në Kosovë e Metohi karakterizohej si “gjihad “.(luftë e shenjtë). Me të vërtetë, lufta e UÇK-s ishte luftë e shenjtë kombëtare por jo, kurrën e kurrës fetare. Derisa para dhe gjatë luftës “raportohej” për ardhjen e luftëtarëve islamikë për t`iu bashkuar UÇK-së, gazeta “The TIMES”( Londër, 26. 11.1998) shkruante: ”Derisa për shqiptarët muxhahidinët paraqesin një katastrofë publike, presidenti Millosheviq e forconte regjimin e tij duke portretizuar luftën e Serbisë si luftën e tyre të mbrojtës së Evropës nga Islami.

Pse, ne paskemi qenë ata dhe tani jemi ata që po ia hapkemi dyert islamizmit në Evropë? E pranon UÇK-ja këtë? E pranojnë të gjallët e UÇK-së t’iu shtrembërohet qëllimi i luftës së tyre? Them unë, themi të gjithë se JO.

Edhe serbët e dinë, edhe bota myslimane e ajo e krishtere e di shumë mirë që në radhët e UÇK-së ka pasur shqiptarë të të gjitha besimeve, jo vetëm si ushtarë por edhe si komandantë dhe se kanë kontribuar me të holla e armatim shqiptarët e të gjitha konfesioneve fetare. E gjithë bota e di se shqiptarët e të gjitha feve e besimeve kanë qenë të masakruar, të çnjerëzuar, të djegur e të dëbuar e të depërtuar. Të gjithë që nga Lindja e Perendimi, nga Veriu e Jugu e dinë që polici, ushtari, paraushtaraku serb nuk ka vrarë se pse ishim myslimanë, apo sepse ishim katolikë, por se pse ishim shqiptarë.

“The Scotsman”, më 30.11. 98, nga gazetari Chris Stephen raportonte nga Prishtina: ”Përafërsisht një e katërta e UÇK-s janë shqiptarë jomyslimanë dhe se gjatë gjithë kohës lufta me serbët ortodoksë, lufta e shqiptarëve nuk është luftë fetare por kombëtare.”

“The Scotsman” i cekte burimet e larta të UÇK-së: “ Është qëndrim i qartë se ne nuk i duam ata (muxhahidinët) në mesin tonë, dhe asgjë nga ata. Edhe pse ishim të këshilluar nga miqtë tanë, ne kemi pasur parasysh këtë edhe më herët“.

 

Ju, të nderuarit e luftës na thuani a ishte kjo e vërtetë?

 

Në librin e tij Ahmet Davudoglu “Thellësi strategjike – Pozita ndërkombëtare e Turqisë” (Logos , Shkup, 2010) shkruan: ” Kriza ballkanike ajo kosovare dhe boshnjake, pothuaj se u shndërrua në operacion likuidimi të identitetit islam dhe osman”. Publicisti dhe historiani francez Thomas Ferrier shkruan se ka qenë fat dhe mençuri e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në luftën e Bosnjës.

Serbia nëpërmjet të elaborateve të Garashaninit, Çubriloviqit, Andriqit dhe më herët gjatë kohës së osmaneve në rend të parë e kishte synimin në ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të Kosovës. Me raprezaliet e tyre qëllimi kryesor i tyre ishte jo mbrojtja e Evropës nga Islami, por zhbërja e shqiptarëve. Nëse për ministrin Davutoglu ”çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam, çdo element tradicional, janë një gur themeli i shkulur nga ndikueshmeria e Turqisë në këtë zonë, është e pashmangshme mbrojtja e gjallë e kulturës otomane-islame “ (Thellësia strategjike), atëherë duhet t`i themi se nëse e kanë kullotur livadhin, nuk do të thotë që t’iu jepet e drejta kadastrale mbi ato kullosa tona.

Duhet gjerësisht lexuar i respektuari shkencëtari francez Alain Ducellier, i cili thotë, se “sllavët janë ata që erdhën në shekullin 7-të në një rajon iliro –shqiptar të lashtë sa vetë Antikiteti”.

Kurse zonja Giselle Kurti-Clerc shkruan: ”Shqiptarët dhe historia e tyre janë ende objekt i dhimbshem i manipulimeve. Kështu çdo popull tenton të përvehtësojë një pjesë të historisë së tyre në mënyrën e një recepti, të një kuzhine, të së cilës i shtohen mëlmesa në mënyrë që historia ta ruajë shijen speciale të dëshirës së tyre.”. Kjo referencë e ka një të kaluar fiktive që bëhet shkak i argumenteve pseudo-historike të politizuara dhe bëhet armë e rrezikshme në duar të atyre që duan të nxjerrin përfitime. Në intervistën dhënë revistes “Turkish Review” Davutoglu thotë: ”Në një mjedis krize dhe kaosi nevojitet një elitë e re, dhe Turqia i ka kapacitetet e saj dhe afron potencial të pashoq që t’i përmbushë nevojat e atij vendi. Turqia duhet t`i rizbulojë rrënjët e veta”.

Në një rast tjetër ai deklaron: “Koha Otomane në Ballkan ishte një sukses i madh. Ajo duhet të kthehet përsëri.” Nuk guxojmë të harrojmë “zemërgjerësinë” e tij kur thotë që “ Turqia është parajsë dhe vend - shtëpi e sigurt për boshnjakët, çeçenët dhe shqiptarët dhe nuk është vështirë të shkruhet mbi të bardhën” .

 

UÇK-ja e pranon këtë?

 

Duhet cekur se Serbia nuk përmendet në asnjë nga deklaratat e tij. Duhet menduar mirë se si jemi të përkëdhelur në mënyra të ndryshme nga këndi Alfa i trekëndëshit brinjëndryshëm ABC. Pra, në këto përplasje interesash ne merremi me emocione, nuk tregohemi aspak të atillë që jemi duke e parë të vërtetën në sy.



(Vota: 40 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: