Kalosh Çeliku: Edhe Filipi i Maqedonisë vjen në Shkup
| E Diel, 17.07.2011, 08:04 PM |

EDHE FILIPI I MAQEDONISË

          VJEN NË SHKUP

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

       Dorën në zemër, më në fund erdhi koha t’i duam edhe “vëllezërit”! I duam, s’i nuk i duam “vëllezërit”: na i polli Njerka një natë të ftohtë acari pasmesnate. Dhe, duhet të pajtohemi me fatin historik, ne shqiptarët. Edhe, mbi të gjitha: janë të mirë këta “vëllezërit”, që na i përkundi në djep Njerka në mes të Dimrit. Krah për krahu, bashkë me Ali Ahmetin na e sollën Skënderbeun në Shkup me gjithë kalë shale. Punemadhe, që heroi ynë kombëtar shpatën e ka futur në brez. Dashakqinjtë, do të thonë: i dorëzoi armët. Jo. Skënderbeu i sotshëm me kalë me shalë te sheshi “Skënderbeu”, është i paqes dhe jo i luftës. Ne shqiptarët: jo, nuk e duam matanë Urës së Gurit, e duam në këtë anë në Çarshi,  në mesin e parkingut të makinave, në bërllok!

      Ali Ahmeti bashkë me “vëllezërit”, u nervozua me shqiptarët. Për inatë të shqiptarëve tha: Skënderbeut, do t’ia bëjmë edhe sheshin më të madh e më të bukur që ka pasur ndonjëherë Shkupi. Ndryshe, ne punojmë dhe veprojmë për dallim nga “vëllezërit”. Sheshin nuk e ngulfasim me përmendore dhe pallate betoni, e lëmë të marrë lirisht frymë, rrëzë Kalasë Dardane. Edhe livadh, po të jetë nevoja  do t’i sjellim Skënderbeut në Shkup, që të ketë ku ta shalojë kalin heroi ynë legjendar. Halldupët, le të plasin nga inati. Problem i tyre është, që nuk duan t’ia përmendin as emrin, po takimet e biznesit i lënë: “te Kali”. Dhashtë Zoti, Skënderbeu një ditë e nxjerrë shpatën nga brezi, dhe me një të rame halldupëve ua flug kokat para këmbëve të kalit si kunguj stambolli.

       “Vëllezërit”, thanë:  në rregull, pasi nuk na e jepni Skënderbeun matanë Urës Gurit, ne do t’i ndërtojmë shtëpi memoriale Nënë Terezës. Shqiptarët, përsëri: jo, matanë Vardarit edhe Nënë Tereza! Edhe Nënë Tereza eshtë e jona, den baba den shqiptare! “Vëllazërit”, kësaj radhe u nervozuan keq, nuk i pyetën më shqiptarët. E dimë ne, pesëdhjetë vjet së bashku me ju hamë bukë e kripë në një grazhd: ju e doni shtatoren e Shokut Tito, të cilën para disa viteve kur ishte në pushtet LSDM –ja e propozoi me argatët e tyre shqiptarë në sheshin “Makedonija”. Vetëmse, kurrën e kurrës nuk do ta shihni atë film pornografik: Shoku Tito mbi kalë të bardhë!...

       Jerm, them unë folni edhe sot e kësaj dite. Populli thotë: dashuria juaj “besnike”, hëngër fiq dhe vdiq. Për inatë të shqiptarëve, “vëllezërit” e ndërtuan shtëpinë memoriale: Nënë Tereza, jo ku e ka pasur shtëpinë e vjetër shenjtorja, po mu në zemër të Shkupit. Edhe Aleksandrin e Mdh me shpatën lartë në dorë, një ditë për inatë të shqiptarëve e sollën me kalin e tij Bukefal mu në mes të sheshit “Makedonija”.

       Ditët e ardhshme historike, “vëllezërit” e Njerkës pritet të ngrejnë një statujë 28 metra të lartë në bronz të Filipit të Maqaedonisë, mu në mesin e një kompleksi luksoz me katër shatërvanë. Edhe babain e Aleksandrit të Madh, Filipin kanë vendosur ta sjellin në Shkup. Babë e bir krah për krahu me Skënderbeun, pas kryngritësve shqiptar që e çliruan dhe e lëshuan Shkupin, kësaj radhe kanë vendosur në këtë qytet shqiptar t’i ngrejnë çadrat. Kuajt e shalës me të katra t’i shalojnë bregut të Vardarit.

       Edhe unë, pas gjithë këtyre “patriotizmave kuqezi” të shqiptarëve them: Amani, mos thuani se, edhe Filipi i Maqedonisë është i joni, vetëm i shqiptarëve. Shkaku se, do ta merrni në qafë edhe këtë mbret të Maqedonisë. Thuani, është edhe i juaji: i maqedonasve.

       Përndryshe, po të presë sot në ne shqiptarët, kjo legjendë lufte do të flejë edhe një shekull në histori nëpër arkivat e muzeve botëror.

       Përsëri, rebelohem në këtë shkrim: shyqyr Zotit që i kemi “vëllezërit” e Njerkës, na e zbardhën sadopak fytyrën para botës përparimtare në këtë shekull, kur na digjet zjarr mbi krye. I nderojnë edhe figurat tona historike kombëtare shqiptare.

       Dhe, në fund them: na qoftë për hajër edhe Filipi i Maqedonisë!...



(Vota: 45 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: