Letra e Kokomanit e Lezhos në ‘78: Enveri po vetizolohet
| E Diel, 17.07.2011, 05:54 PM |

Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani
Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani
Letra e zhdukur e Kokomanit e Lezhos për Enver Hoxhën

 

Nga AFRIM IMAJ

 

Ishte korriku i nxehtë i 78-s, kur dy nga të burgosurit e Spaçit, guxuan t’i shkruajnë një letër denoncuese Komitetit Qendror. Ende pa u tharë mirë boja e saj, nga Tirana u nisën taborët e egërsuar dhe brenda pak orëve sollën aty nënshkruesit e letrës së tmerrshme. Që këtej dy autorët e saj, Fadil Kokomani e Vangjel Lezhua, u bënë objekt i një procesi që i çoi para skuadrës së pushkatimit. Misteri dhe shpejtësia me të cilën u operua në këtë rast, tronditën fort të dënuarit e Spaçit. Shumëkush prej tyre e lidhte fundin e Kokomanit e të Lezhos me letrën e adresuar për udhëheqjen e Tiranës, por asnjëri nuk kishte dijeni për përmbajtjen e saj. “U tha që kanë bërë një letër kundër Enver Hoxhës, ku kërkojnë ndërrimin e vijës politike”, kujton shkrimtari dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja, duke konfirmuar që së paku ai, bashkëvuajtësi dhe miku i tyre, nuk ka ditur gjë për tekstin e saj. “Ka mundësi që në letër, siç kam unë dijeni, por pa e lexuar, shton Lubonja, vihet faji mbi Enver Hoxhën dhe u bëhet një thirrje këtyre që, në mos ta heqin, ta mënjanojnë”. Pak a shumë këtu vërtiten edhe bashkëvuajtësit e tjerë, të cilët janë të bindur se fundi tragjik i Kokomanit dhe Lezhos ka të bëjë me frymën therëse të letrës që tronditi KQ-në. Fakti që ende nuk dihet teksti i saj, ca më tepër, as vendvarrimi i autorëve, për ta është më shumë se një brengë. Gjithsesi, ngjarja tronditëse e atij korriku, është arkivuar në kujtesën e tyre me tërë dramaticitetin e vet, si rebelimi më ekstrem ndaj regjimit.

“Enveri e çoi vendin në humnerën më të turpshme të historisë”

 

I shkruan letër nga ferri i Spaçit, udhëheqjes së partisë dhe përfunduan para skuadrës së pushkatimit. Ajo që ndodhi me dy gazetarët e dënuar Fadil Kokomani e Vangjel Lezho në fundin e viteve ‘70, ishte një ngjarje e tmerrshme që tronditi jo vetëm opinionin e bashkëvuajtësve.

Pavarësisht se ekzekutimi i tyre u artikulua nga autoritetet si ndëshkim i pamëshirshëm për krijimin e një organizate që luftonte për përmbysjen e pushtetit popullor, shkaku i vërtetë kishte të bënte me një letër që Kokomani e Lezho i adresonin Komitetit Qendror të Partisë, për të cilën nuk u fol asnjëherë zyrtarisht. Megjithatë, të dënuarit e Spaçit, dhe jo vetëm e morën vesh se bëhej fjalë për një letër të tmerrshme, por asnjëherë nuk u njohën me tekstin e saj. Hamendësohej se i shkruanin Komitetit Qendror për ndryshimin e kursit pas prishjes me Kinën, për mënjanimin e Enver Hoxhës nga kreu i partisë, për goditjen e linjës staliniste në parti, për mbylljen e burgjeve politike, për lejimin e fesë dhe institucioneve të kultit, për futjen e frymës hrushoviane dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.   Madje, thuhej se këto, i kërkoheshin drejtpërdrejt Enverit, por kishte që besonin se letra i drejtohej sekretariatit të KQ-së si institucion. Gjithsesi, teksti ekzakt i këtij dokumenti,  siç pohon bashkëvuajtësi i Kokomanit dhe Lezhos, publicisti e shkrimtari i njohur Fatos Lubonja, nuk dihet ende, ashtu siç nuk dihet edhe vendvarrimi i dy martirëve. Më së fundi, gazeta  “Panorama” ka zbuluar origjinalin e letrës dhe, duke filluar nga sot do ta bëjë atë publike, duke mos cenuar asgjë nga përmbajtja e saj. Siç konstatohet nga dokumenti, letra nuk i drejtohet Enverit, por Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, dy sekretarëve më të fuqishëm të Komitetit Qendror të Partisë dhe në të nuk bëhet fjalë për ndonjë ofertë konkrete, por për një skanim të plotë të situatës politike në vend nga pozitat e dy komunistëve idealistë që shpresojnë shumë në kursin reformues të ideuar nga Hrushovi.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, Kokomani e Lezho kishin bërë 16 vite burg, për tentativë arratisjeje, ndërkohë që u kishin mbetur edhe 10 të tjera…

LETRA

Hysni Kapo

Sekretar i KQ të PPSH

(Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë)

 

Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (“për flamurin” “për atdheun” “për trojet e shenjta” etj., etj), ai as nuk ka vdekur, dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet “mendimit” dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky “mendim” permanent dhe politik – bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e “kolltukëve” obskurantistë të shumë mbretërive e sundimtarëve të së kaluarës dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta “udhëheqës” e të “zgjedhur” të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë e barazisë.

Në epokën tonë, në shekullin e kozmosit të komunizmit, natyra më e thellë, më serioze ose më e cekët dhe më pak serioze e një shteti a shoqërie që pretendon se ndërton socializmin, varet nga raporti dhe qëndrimi që ai shtet( në rastin tonë udhëheqje) mban ndaj kozmosit të komunizmit, ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj Tetorit të madh. Tetori i Madh, Bashkimi Sovjetik, Partia Komuniste Bolshevike e BS-së, janë tri nocione që mbeten ndër shekuj gur themeltar i kozmosit komunist.

Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurrizpërkulur në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë vendin dhe popullin e madh të Tetorit me shigjetat më të pështira e të helmuara! Përse vallë? Sepse ajo vuan nga kolltukomania shekullore “alla mbret”, “alla Ali Pashë” e kompani. Nuk thonë më kot: në qoftë se aksiomat gjeometrike prekin interesat dhe parimet e personave të posaçëm, këta nuk lënë shtyllë pa ngjitur e kullë pa ndërtuar me qëllim që t’i eliminojnë këto aksioma. Kur dialektika jonë socialiste kërkonte që Sekretari i Parë të hiqej mënjëanë si figurë që e kishte kryer misionin në parti, ai dhe kompania e tij, duket kujtuan gjakun stërgjyshor të sulltanëve e të mbeturve të Francës dhe kërkuan ndihmën e Vatikanit të Perëndimit plak dhe më në fund, e më në bisht dhe të djallit vet, vetëm e vetëm që ata të mbeteshin në fuqi.

Ama komunistë! Vallë a ka gjë të përbashkët këtu me figurën e komunistit?! Vetëkuptohet, këtu zien kolltukomania “alla monark” dhe Sekretar i Parë i përjetshëm i Partisë së Punës, që zgjidhet kongres pas kongresi pa asnjë diskutim (Ka rrezik të zgjidhet edhe pas vdekjes si sekretar nderi)-u prek në egon dhe sedrën e tij stërgjyshore si bej, çifligar a fajdexhi dhe lëshoi tirandën e shëmtuar politike kundër Bashkimit Sovjetik, tirandën më monsturioze që ka parë njerëzimi qysh nga Tetori i Madh i 17-s, megjithëse sa e sa herë kishte fjetur dhe ishte prehur në gjirin e mrekullueshëm të natyrës ruse. Madje, si armiqtë e komunizmit, Perëndimi kapitalist nuk ka përdorur shprehje kaq barbare. Duket se Sekretarin e Parë e preku në thembrën e Akilit udhëheqësi i madh i popullit dhe i Partisë Bolshevike, leninisti i shkëlqyer, Nikida Hrushov dhe atij “iu dhimbs” populli dhe tha: “Jo, populli shqiptar do të hajë edhe barë, por nuk do të përkulet kurrë!” Dhe ja sot, populli shqiptar duke punuar me tri turne merr aq sa të ketë bukë për tri-katër ditë (vallë a bëhet fjalë për bukë në shekullin e XX-të?!), kurse udhëheqja shqiptare dërgon korrierë të posaçëm në dhera të huaja për të blerë një dorezë a bravë dere për këtë apo atë dhomë gjumi a prehje, që t’i

Një nga fotot e papublikuara të takimit të Enverit me Hrushovin në maj ‘59 në Tiranë
Një nga fotot e papublikuara të takimit të Enverit me Hrushovin në maj ‘59 në Tiranë
shkojë ngjyrës, shijes dhe impulsit vetjak e kapriçoz të mbretëreshës, kushërirës së saj e gjithë kompanisë që mbajnë disa tesera të kuqe e që vetëquhen anëtarë partie, anëtarë të KQ-së ose anëtarë të Byrosë Politike. Me një fjalë: Oborrin e monarkut të madh të një populli të nënshtruar e të vogël, ju e keni mbiquajtur KQ, Parti Pune e të tjera fetishe të tilla që i përngjajnë aq shumë atyre organizmave socialiste e socialdemokrate të Europës, që Marksi e Lenini i godisnin si vegla të kapitalit.

Ne, si komunistë e publicistë, të brumosur me idetë e Tetorit të Madh, të Leninit e të Partisë Bolshevike qysh në vegjëli, duke vuajtur nëpër burgjet e kampet tuaja, të cilat ia kanë kaluar përsosmërisë barbare të burgjeve e kampeve fashiste e naziste, pavarësisht se struktura njerëzore e KQ-së ka ndryshuar rrënjësisht, ligji mbetet po ai i Sekretarit të Parë, do ta titullonim këtë letër drejtuar Juve e nëpërmjet jush, KQ të PPSH-së, duke e shtuar në formën e dy pyetjeve të mëdha dhe kyçe: “Que Vadis?” dhe “Kush është demingu i kozmosit të komunizmit?”. Zbërthimi i këtyre dy pyetjeve (që do të formulonin faktikisht edhe titullin fillestar e konkludiv të kësaj letre) nën dritën e metodës së materializmit dialektik dhe historik, si dhe të teorisë së komunizmit shkencor, përbën kuintesencën e pikëpamjeve tona të së kaluarës, të së sotmes dhe së ardhmes.

Juve si “udhëheqje”, u plakët fiziologjikisht, por për faktin mashtrues dhe vetëmashtrues, keni plakur edhe popullin me rininë e tij të përjetshme në gji. Juve, fatin tuaj nuk e tradhtuat, por tradhtuat aspiratat dhe frymëzimin fillestar të popullit, i cili në sfondin e luksit dhe veseve tuaja doktrinare, po hiqet siç thotë filozofi i madh romak, Seneka, – zvarrë! Kësaj i thonë ironi e fatit, si në adresën tuaj të “oborrit” të KQ ashtu edhe në adresën e popullit. Juve i premtuat popullit socializmin shkencor dhe i servirët një socializëm feudal, doktrinar, që dita-ditës më shumë po e jep vetë fytyrën e maskuar dhe po nxjerr në pah kriminalitetin historik dhe paaftësinë dështake për të mos kuptuar rrjedhën dialektike dhe materialiste të historisë njerëzore në tërësi dhe të kampit socialist me Bashkimin Socialist në ballë, në veçanti. Sharlatanizmi nuk ka brirë. Ndaj dhe lodra e gjoja tradhtisë së BS-së, nuk kishte nevojë për brirë. Mjaftonte vetëm të dilej në tribunën e 81 partive në Moskë dhe t’u njoftohej botës për disa muhabete rreth grurit që e hëngërkan minjtë nëpër hambarët e Bashkimit Sovjetik për të nxjerrë konkluzionin “shkencor” dhe “marksist” se N. Hrushovi i PKBS-së denigroi në tradhti revizioniste.

Më tej!

Mjaftonte vetëm të dilej në këtë tribunë dhe të thuhej se, BS-ja i imponon mendimet dhe veprimet e veta, gjoja skllavëruese, për të kuptuar sesa antishkencore janë konkluzionet e “udhëheqjes” së PPSH-së dhe sa të drejta janë studimet dhe parashikimet aktuale, thellësisht leniniste të filozofëve dhe ideologëve të të gjitha partive komuniste të globit.

E pse, ç’u bë Bashkimi Sovjetik, që kaq lehtë e me një “deus ex machina” tradhtoi në revizionizëm? Mos ishte vallë ky shtet i fuqishëm, në kohë e në histori si komuna jetëshkurtër e Parisit që u mbyt nga tradhtia e nga grindjet e brendshme dhe nga vërshimi prusian? Juve e dini mirë se shteti i sovjetëve lindi dhe u konsolidua (qysh nga të shtunat komuniste e deri te gjigantët pesëvjeçarë në luftë kolosale me presionet e kapitalit shumëshekullor botëror dhe doli fitimtar në luftën për pavarësi dhe socializëm të vërtetë e avangardeskë. Sot populli sovjetik gëzon frytet e para të komunizmit modern dhe shkencor. Kurse populli i vogël shqiptar, po gëzon frytet e para dhe të fundit të mjerimit e të varfërisë si rezultat i zhgënjimit dhe ç’betimit të bërë nga “udhëheqja” e tij e zgjedhur, gjoja me vota të lira e demokratike periodë pas periode. Ky popull po vuan për ditë që të shohë pakëz nga premtimi i bërë solemnisht nga PPSH-ja, që pretendon se ka unitet me masat, por ai (populli), nuk ka parë veçse tradhti, keqbërje, degjenerim, vrasje të kuadrove të dalë nga zjarri i luftës antifashiste, kurban të përhershëm për altarin e një farë Perëndie, i cili pas Leninit, qenka “Gjeniali i epokës”.

Ky virtuoz veteran e zhongler i sprovuar, i cili gjatë luftës mbante këshilltarë anglezë, gjatë 35 viteve (si në kohën e jugosllavëve, të sovjetikëve e të kinezëve), nuk ka bërë tjetër veçse e ka zhvatur në mirëbesim këtë fuqi socialiste dhe ka sajuar mbi gjakun e dëshmorëve situata tragjike, gjoja të Atdheut e të flamurit në rrezik dhe, si shpërblim dhe vërtetim juridik, i ka hedhur opinionit vendas e ndërkombëtar tradhtinë e një sërë anëtarësh të thjeshtë partie, të KQ e të Byrosë Politike, ish-partizanë e komunistë të devotshëm.

Çfarë cirk i mrekullueshëm! Me sa lehtësi sekretari i parë i ka hedhur këta shokë përtej, në kafazin e tigrave të kopshtit zoologjik fashist botëror!

Na u kujtua një moment i lashtësisë: në një nga ishujt e Greqisë së vjetër kultivohej perëndia e diellit, e quajtur Moloh. Populli ishullar ishte i detyruar t’i bënte herë pas here kësaj perëndie, kurban në njerëz, ndryshe ai (populli) nuk do të shihte diell. Po kështu, ky popull i këtij vendi që quhet Shqipëri apo Republikë Socialiste, është i detyruar të bëjë kurban e theror mbas therorësh pambarimisht, sepse kështu e dashka kauza e “socializmit”, e pse të mos e saktësojmë, sepse kështu e do kulti i Sekretarit të Parë me kompani, i cili me “guximin” që mori, duke i shpallur luftë vendit të parë komunist, nuk bëri tjetër, veçse çoi në vend amanetin e Mustafa Krujës, “për rrezikun sllav dhe luftën kundër tij”, si dhe amanetin e gjithë obskurantistëve dhe shovinistëmëdhenjve shqiptarë kundër sllavëve, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen.

Ama marksistë!

Çfarë i shtyn këta doktrinarë dhe eklektikë të mos bëjnë dallimin e kohës së para revolucionit socialist me atë të kohës së komunizmit shkencor sovjetik dhe të jetës së gjithë familjes së vendeve socialiste?! Për aparencë të fakteve, sulmi u krye vetëm se na u prek kolltuku! “L’etat, c’est moi”  “Shteti jam unë dhe pikë”! Kështu thotë Sekretari i Parë, i cili mbi kurbanet e vetë, mbi kockat e tyre, kërkon të ngrejë një kështjellë të pamposhtur dhe veten ta japë si demurg i kësaj kështjelle, që i përngjan aq shumë asaj kalasë dhe jetës së Ali Pashës, i cili qe i detyruar të vdes si qen, i rrethuar vetëm nga 20 veta besnikë. Nga na doli ky feniks-demagog, që fryhet e dikton ligjin e parë e të fundit komunistë në të gjithë globin?!

A nuk të kujton historia e kombit shqiptar, që qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore nuk po gjen fytyrën e vet njerëzore të erës së komunizmit, por nën këtë maskë, ka formuluar në vetvete një katrahurë të përbindshme vëllavrasjesh e varfërie të përhershme(të kamufluar me ca fabrika, uzina, hidrocentrale, traktorë dhe këto të ndërtuara me djersën e popullit të mbetur gjithmonë në strehën e varfërisë dhe të investimeve të BS-së dhe të vendeve të tjera socialiste. A nuk të kujton ky nocion atë panoramën tragjik-komike trepjesëshe të Dantes, ku varkëtari i palodhur ka dalë prej kohësh të presë “udhëheqjen” që ta përcjellë për në ferr?!

Ose më tej!

A nuk ju kujton panorama e sotme shqiptare atë tragjedi të Greqisë së lashtë (këtu e tre mijë vjet më parë), kur Atreu për të sunduar, theri bijtë e vëllaut dhe i serviri këtij të fundit mishin e pjekur në sofër?

Programet subjektiviste (qofshin këto ekonomike apo kulturore) të “udhëheqjes” së konservuar e konservatore, nuk i kanë sjellë tjetër këtij nacionaliteti veçse thellimin filistizimit të degradimit shoqëror, të shthurjes familjare (kësaj bërthame engelsiane të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj socialiste në veçanti, duke e mbajtur rininë me gënjeshtrën e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional-çlirimtare, kurse popullit, duke i imponuar gatishmërinë patriotike dhe duke i servirur në vend të mirëqenies, parullat patriotike dhe kohë më kohë, programet stereotipe me premtime pompoze për të ardhmen.

 

___________

 

Letra e Kokomanit e Lezhos në ‘78: Enveri po vetizolohet

 

“Olimpi” i Tiranës, i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë, në komedi alla “Epopeja e Ballit”!

“Me formatin prej monarku “alla Ali Pasha”, Enveri e zhyti vendin në humnerën më të turpshme të historisë”. Njëherazi me etiketimet për diktatorin, nga letra e Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos drejtuar KQ të Partisë nga Burgu i Spaçit, numrin e kaluar zbardhëm një pjesë të refleksioneve të dy ish-gazetarëve të dënuar për realitetet shqiptare të fundviteve ’70-të, kur Shqipëria së fundi ishte divorcuar edhe me aleatin e fundit komunist, Kinën e Mao Ce Dunit. Mënyra si përshkruhet në dokument gjendja në vend është skajshmërisht e guximshme në përmbajtje, por edhe interesante në formë. “Situata aktuale, i shkruajnë Kokomani e Lezho udhëheqjes së Partisë në verën e ‘78-s, të kujton  panoramën tragjikomike trepjesëshe të Dantes, ku varkëtari i palodhur ka dalë prej kohësh, e pret “udhëheqjen” që ta përcjellë për në ferr”. Pjesa në vijim, përtej qasjeve idealiste nga pozicioni komunist, denoncon frymën staliniste të lidershipit të Tiranës dhe dhunën e pamëshirshme ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky “Olimpi” ynë, nënvizojnë autorët e letrës, e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ia kalojnë edhe atyre të fashizmit…

…vijon nga numri i kaluar

Programet subjektiviste (qofshin këto ekonomike apo kulturore) të “udhëheqjes” së konservuar e konservatore, nuk i kanë sjellë tjetër këtij nacionaliteti veçse thellimin filistizimit të degradimit shoqëror, të shthurjes familjare (kësaj bërthame engelsiane të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj socialiste në veçanti, duke e mbajtur rininë me gënjeshtrën e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional-çlirimtare, kurse popullit, duke i imponuar gatishmërinë patriotike dhe duke i servirur në vend të mirëqenies, parullat patriotike dhe kohë më kohë, programet stereotipa me premtime pompoze për të ardhmen.

Dhe turpi i këtyre premtimeve e kulminacioneve pseudosocialiste, del në pah me Kushtetutën e Re, të hartuar nga pozitat individualiste dhe të kolltukomanisë, si dhe të delirit të madhështisë. Ky dokument me një përmbajtje e formë rrënjësisht fiktive, do të ishte lehtë të zëvendësohej jo me 51 anëtarët e komisionit hartues me Enver Hoxhën në krye, por me nënshkrimin e zotërinjve “socialistë-revizionistë” në përgjithësi. Dhe ja sepse: Kjo kushtetutë nuk shpreh në thelb raportin real të forcave në Shqipërinë socialiste, por dëshirat, vullnetin “perspektiv” dhe hileqar të grushtit “social-revolucionar” në fuqi, që shpreh alternativat plot dhunë e kapriciozitet kriminal të makinës shtetërore (KP, Ministrisë së Brendshme, Ushtrinë, gjykatat, këshillat popullore e levave të tjera të shtypjes flagrante!). Ta quash këtë kushtetutë më përparimtare e më demokratike në botë, siç trumbetoi me bujë Enver Hoxha në Kongresin e Shtatë të partisë, pastaj të gjithë isoxhinjtë toreadorë, që nga instancat e “Olimpit” të Tiranës e deri te lakenjtë mikroborgjezë të organizmave në fabrika e në brigadat kooperativiste, do të thotë që ky popull e kjo republikë të jenë në apogjeun e lirisë së njerëzimit, të barazisë e të lulëzimit shkencor, kultural dhe ekonomik modern, don të thotë më tej që, ne, dy milionëshi i RPSSH, të kemi lënë mbrapa shumë nga pararendësit e sistemit komunist.

Sa qesharake!

Me këtë kushtetutë mund të mburren ata që e sajuan, por jo populli që “e aprovoi” nën “projektorët” e dhunës shtetërore. Dhe kij mirësinë të mos e aprovosh po deshe! Shteti jam unë, monarku jam unë, do të kisha qejf të isha dhe Perandor, por!

Enver Hoxha nën dritën e një gjykimi pozitiv do t’u përngjiste socialistëve utopisë, por meqenëse merr vesh si nga ekonomia, ideologjia, kultura, tregtia, politika, organizmat shoqërore, nga çështjet e grave etj., etj do të formulonte në vetvete vetëm një utopist të veshur me petkun e monarkut.

Ama, që komandon ai me Kushtetutën e Re, grabitet për ditë po nga elita e tij dhe kjo grabitje sistematike në fushën ekonomike, shoqërore, familjare mendore e shpirtërore, zor se do t’i japë mundësi kësaj ane të utopistit “Ouven-Enver”, të dalë në brigjet e “Amerikës socialiste” për të ndërtuar atë shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plotë 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar.

Jemi marksistë-leninistë!. Thërrasin me apoteozë diplomatët e politikanët shqiptarë. Historia, praktika, faktet, dialektika e tyre, e sigurt që na kanë vërtetuar të kundërtën.

Jemi revolucionarë që nga maja e flokëve të kokës e deri te thonjtë e këmbëve! Thërrasin njëzëri teoratorët e “Olimpit” dhe të gjithë lakenjtë në bazë.

Mos vallë këto dhe parulla të tjera si këto e zgjidhin problemin dhe i japin fytyrën qoftë makar, edhe kushtetutës? Mos vallë kur ekzistoka një kushtetutë e tillë si kjo e tipit të 51-komisionerëve, ka më shumë liri dhe populli jeton më mirë sesa në të kaluarën?

Këtë kushtetutë e ka mbërthyer fiktiviteti. Sanksionimi me ligj i vetizolimit e vërteton më së miri këtë fiktivitet, si dhe musëndrën e mykur dhe thjesht subjektiviste të saj.

Me fjalimin në mbledhjen e 81 parive në Moskë, Enver Hoxha deshi të bindte përfaqësuesit leninistë nga tërë anët e globit se Hrushovi ka tradhtuar dhe atentatin e tij u mundua ta bënte në fushën e tregtisë së drithit, të zënkave, të hatërmbetjeve etj., etj.

Ama fjalim! Ama ndërthurje filozofike, ideologjike dhe më në fund politike e çështjes! Ky ishte një prezantim aspak komunist, por thjesht komercial dhe absolutisht me dërrasa subjektiviste!

Si e pa që nuk i bindi dot mjekroshët leninistë, por përkundrazi, Gomulka e të tjerë e quajtën fjalimin e tij monstruoz dhe më të paprincipin, Enver Hoxha u kthye në atdhe dhe u mundua të bindë partinë dhe popullin se Hrushovi tradhtoi. Por, objektiviteti i viteve të atëhershme deri në ditët tona, vërtetoi të kundërtën dhe “bindjen” që “udhëheqja” shqiptare lëshoi në popull u shua si flluska e sapunit në ujë. Objektiviteti tregoi se, BS-ja u bë një kështjellë (këtë fjalë Enver Hoxha e përdorte me pompozitet të madh deri në vitet ‘56-’57, në adresë të vendit të parë socialist në botë.) Bindjet subjektiviste të Sekretarit të Parë nuk hodhën shtat aspak në popullin shqiptar, sepse plagët e luftës për liri e demokraci; objektiviteti social e ekonomik diktuan dhe diktojnë përditë material të pashtershëm, të cilin partitë e tjera e përpunojnë në programet e tyre strategjike dhe teorike.

Le të çirret konia dhe le t’i vijë vërdallë elefantit. Bindja e saj se është e përhershme as që e gudulis gjigandin elefant të komunizmit shkencor.

Kur Vladimir Iliç Lenini erdhi me tezën shkencore më 1915 se, revolucioni si rezultat i zhvillimit të pabarabartë të vendeve kapitaliste dhe i forcave të tyre të prodhimit mund të fitojë jo në të gjitha vendet njëherësh (siç parashikonte dikur Karl Marksi), por në disa vende ose dhe në një vend të vetëm, kjo donte të thoshte se teoria e komunizmit shkencor, e zbuluar nga Karl Marksi dhe Fridrik Engelsi (mbi bazën e një materiali faktik dhe teorik të së kaluarës si të punës së gjigandëve utopistë, Son Simon Ouver dhe Furije etj) në raport me rrethanat aktuale mund të parashtrohej me një tezë të re, të fortë, reale, thellësisht shkencore, si ajo pra, që parashikonte V. I. Lenini.

Në qoftë se N. S Hrushovi doli me tezat e reja të Kongresit të XX-të të PKBS-së, lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, të konceptimit të ri të luftës së klasave, të hapjes së dritares së tretë në Europë e në Perëndim, (qysh nga Pjetri i Madh – e para -, nga Paqja e Beostlitovskit dhe e bashkëpunimit me botën e zhvilluar imperialiste e V. I. Leninit – e dyta -, si edhe e paqes dhe e mirëkuptimit reciprok e integrimit të partisë në parti e të gjithë popullit, e N. S. Hrushovit – e treta) -, kjo dritare e tretë e N. S. Hrushovit nuk ishte, pra, një dëshirë subjektiviste e një komunisti të thjeshtë, por një konkludë teorike, filozofike dhe thellësisht shkencore dhe materialiste dialektike e njeriut të madh që interpretoi shkencërisht mësimet e K. Marksit, F. Engelsit dhe V. S. Leninit. Po kështu, edhe konkluzionet teorike të teoricienëve të partisë së Palmiro Toljatit, të Dolores Ibaurit, të Maris  Torezit etj; – janë pa dyshim, reflektim i objektivitetit të gjallë të lëvizjes punëtore në Perëndim dhe një realizim i mrekullueshëm i filozofisë së Marksit dhe Engelsit, i cili në vitin 1895 shkruante se borgjezia nuk na gënjen më me luftë ilegale, me plasdarma e barrikada të përgjakura.

Atë, – borgjezinë, kapitalin,- do ta shembim në rrugë legale, kryesisht nëpërmjet tribunave parlamentare – Këtë teori revolucionare leniniste e kanë realizuar me sukses Belingueri, Karilja, Marsheja…

Le të kthehemi përsëri te Kushtetuta!

“Se liset Jovi non liset bovi” – Ajo që i lejohet Jupiterit nuk i lejohet buallit! Kushtetuta ishte një kartë prej çeliku e gjaku therorësh, (aspak të domosdoshëm), – e cila mbron sajuesin, autorin e “Jupiterit” të saj, por jo njerëzit e thjeshtë, që sillen vërdallë në halucinacione të përjetshme, të etur për liri, për gjumë e qetësi, të uritur për kulturë dhe prirje të shekullit, dhe jo për gërdallza folklorike shterpe, të cilat bota i ka kallur nëpër muzeume, për studime thjesht etnografiko-historike. T’i shtrish dorën për kulturë folklorit dhe kryesisht primitizmave të tij, do të thotë ta kthesh popullin tënd në regres e në egërsi shpellash… Kështu na mëson filozofia e jetës.

Le të marrim tani zbërthimin pseudoteorik që i ka bërë komisioni i 51 anëtarëve të besuar të çështjes së fesë.

Është fakt dhe këtë, ne, si komunistë, jo vetëm e pranojmë, por e realizojmë edhe në jetë, pa çka se ndodhemi prapa hekurave e telave, – se feja është opium për popullin. Bukur fort! Është fakt se, M-l është materializëm dhe është i pamëshirshëm karshi fesë. Kjo është e padiskutueshme dhe siç thotë Lenini, ne patjetër duhet të luftojmë kundër fesë. Por, marksizmi shkon më larg se iluministët dhe ateistët e shekujve paramarksistë. Marksizmi na mëson se duhet të dish të luftosh kundër fesë, duke e shpjeguar në mënyrë materialiste burimin e besimit dhe të fesë në masat e gjera. Ndryshe, partia do të bënte gabimin e anarkistëve blankistë, që pretendonin t’u kallnin flakën priftërinjve me gjithë xhybe, si dhe tempujve të ngritur prej tyre ndër shekuj dhe të ndërtonin një fe tjetër.

A nuk vepruan kështu të 51-tët me Kushtetutën, duke e ndaluar me ligj fenë në Shqipëri? A nuk shpreh ky akt arbitrar aspak dialekto-shkencor e thellësisht anarkist, dukuritë e asaj teorie të kulluar borgjeze-liberale?

Duke mbyllur kishat dhe xhamitë në vitin 1967 dhe duke e paraqitur këtë si “skenë”, si vullnet të rinisë ateiste shqiptare, – Partia e Punës i hapi dyert artilerisë së rëndë fetare dhe gjallërimit të fshehtë të besimit. Duke kryer këtë vepër antimarksiste, Partia e Punës nuk u ndal me kaq, por më 1977-n, sanksionoi me Kushtetutë (e cila për origjinalitet u shtrua për diskutim në Kongresin e shtatë të PPSH-së) ndalimin e besimit fetar dhe dënimin me procedurë penale të cilitdo që do të merrej me fenë!!! Të bukurin zbulimin teorik që na bëri “Olimpi” i Tiranës, i cili të gjitha tragjeditë sofokliane dhe eskiliane të lashtësisë, i ktheu në komedi alla “Epopeja e Ballit”!

Tregtari Enver Hoxha dhe Komisioni i 51-të, u shpall kampion i shitjes së fesë (me një të rënë gordiane) për shekullin e XX-të dhe, për blerjen dhe dyndjen e eshtrave të të vdekurve nga jashtë shtetit, duke i përzier ata në “truallin amtar”, pa dallim feje, krahinë dhe ideje se “feja e shqiptarit është shqiptaria!”

Mirëpo, “olimpikët” e Tiranës harrojnë gjithmonë të mësojnë mirë Maksin, Engelsin, Leninin, Dimitrovin dhe këtë radhë e lanë në harresë konkludën filozofike të Engelsit, në veprën e tij “AntiDyring” (viti 1877), ku thotë se t’i shpallësh  një luftë me ligj fesë, do të thotë “të tregohesh më Bismark se vetë Bismarku”

Duke luftuar kësisoj fenë, juve, autorët e Kushtetutës së Re, i bëtë një shërbim të shkëlqyer Vatikanit, Patriarkanës, myslimanizmit e sekteve të tjera fetare dhe nga ana tjetër, krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare. Duke krijuar kultin e individit, juve ia kaluat edhe vetë kultit stalinian, sepse i hoqët njeriut shqiptar edhe pronësinë më minimale të jetesës së thjeshtë individuale dhe e lidhët atë me një rrogë mikroskopike, të nxjerrë nga kapitali i madh i prodhuar nga ky popull prej dy milionësh, duke u robëruar natë e ditë. Varësia ndaj kësaj page të ulët, me të cilën njeriu nuk ushqen dot një kotec të vogël me pula, e jo më një familje, si dhe frika ndaj kapitalit, – krijoi kultin e perëndisë në figurën e Enver Hoxhës. Kështu, zotë të rinj të popullit të shumëvuajtur! Duke e luftuar ligjërisht fenë, juve në fakt, i ngritët autoritetin asaj (fesë) në botë dhe i ngritët këtij populli një tjetër fe, një zot tjetër (!)

Me fjalë të tjera:

Zoti nuk ekziston më për ju, por ekzistoj unë, Enver Hoxha! Prandaj, besomëni mua, jeni të bindur, vraponi në arë, në fshat, në aksion (natën, ditën – kur t’ju thërras unë), dynduni si një trup i vetëm nëpër zbore, që të mësoni taktikën dhe strategjinë ushtarake, ecni në fabrikë e në uzinë me orë të zgjatura e me rrogë të ulët, ndryshe ju pret shkatërrimi familjar, shpata e dhunës, burgosja, internimi dhe të tjera hove e situata ngushtuese, skllavëruese…!

Ju predikoni se e zhdukët skllavërinë njëherë e përgjithmonë, por krijuat një skllavëri më të tmerrshme të një shfrytëzimi “modern” e të moderuar që ekziston me fije të stërholluara prangash të padukshme. Juve, zhdukët brezin e vjetër e mesatar të popullit, kurse me brezin më të ri, duke e ushqyer nëpërmjet shtypit dhe propagandës më të fëlliqur, deri në organizmat bezdiplotë të fronteve, organizatës së gruas etj; me urrejtjen për BS-në, gjoja socialist-imperialistë, i shpifët atij një dashuri të pakufishme për botën e kapitalit Perëndimor te të cilët juve u shitët qysh në kohën e “Nemçes” për 30 aspra. Juve ngulitët te brezi i ri i kohës urrejtjen për BS-në dhe dashurinë për Kinën, por, kur edhe kjo e fundit ju piu lëngun ose anasjelltas, juve ja pitë asaj lëngun e orizit, atëherë edhe ky brez u zhgënjye!

vijon nesër…

“Letra tek Enveri kur shkruante librin “Me Stalinin”

“Enveri e ka lexuar letrën e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, madje ka bërë edhe nënvizime në të”. Teksa zbardh faktin e shumëpërfolur, njëri nga zyrtarët e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, që është marrë me redaktimin e veprave të diktatorit, kujton edhe një detaj tjetër. Letra e dy gazetarëve të dënuar, shton ish-funksionari i KQ, mbërriti në zyrën e Enverit, kur ai ishte duke shkruar librin “Me Stalinin”, ndërkohë që kishte konturuar strukturën e vëllimit tjetër “Hrushovianët”. Nga aq sa mban mend ish-bashkëpunëtori i Enverit, denoncimi nga Burgu i Spaçit për stalinizmin alla shqiptar që shkatërronte vendin, i shërbeu diktatorit për t’iu rikthyer veprës “Me Stalinin” e për të pohuar me forcë besnikërinë e pafund ndaj kreut të regjimit bolshevik. Përkundër zërave që vinin jo vetëm nga ferri i të burgosurve politikë në fundin e viteve ’70-të, në librin e radhës “Hrushovianët”, Enver Hoxha stigmatizonte “tradhtarë” e “agjentë të të huajve” shumëkënd që së paku shprehte një lloj rezerve për ashpërsinë e frymës staliniste. Sa për ndikimin e Enverit në dënimin me pushkatim të Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos, ish-zyrtari i KQ që është marrë me redaktimin e veprave të diktatorit, pohon se nuk ka dijeni, por është i bindur në një qasje tjetër. “Kur ishte fjala për dokumente që denonconin Enverin dhe binin në dorën e tij, sejmenët në KQ e në Ministrinë e Brendshme, tregoheshin më katolik se Papa, duke shpërthyer egërsisht për të demonstruar besnikërinë ndaj Komandantit.”

 

___________

 

“Perandorinë e Enverit e mbanë në këmbë armata e spiunëve”

 

Nga denoncimet e Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos në letrën drejtuar udhëheqjes së KQ të Partisë, që zbardhëm në numrin e kaluar, ai për përmbajtjen antikombëtare të Kushtetutës së vitit ‘76, është ndër qasjet më interesante të opozicionit të dy gazetarëve të dënuar. “Me Kushtetutën e re, nënvizojnë Kokomani e Lezho nga qelitë e ferrit të Spaçit, “Olimpi” i Tiranës (Enveri-shënim i red.) më në fund sanksionoi me ligj vetëizolimin”. Përtej këtij vlerësimi monumental për kohën, autorët e letrës denoncuese identifikojnë njëri pas tjetrit faktorët regresiv të ligjit themeltar “alla Ali Pasha”, siç e quajnë ata. Duke polemizuar me 51 komisionerët e hartimit të Kushtetutës së re, Kokomani e Lezho fshikullojnë marrëzinë për të ligjëruar zyrtarisht mbylljen e institucioneve të kultit dhe heqjen e fesë. “Ti shpallësh luftë fesë, nënvizojnë ata, do të thotë të tregohesh më Bismark se Bismarku”. Pavarësisht botëkuptimit idealist dhe staturës së komunistit liberal, dy gazetarët e dënuar nuk e kanë vështirë të konkludojnë në fundin tragjik ku e zhyt shtetin dhe shoqërinë shqiptare udhëheqja aventureske e Enverit dhe oborrit të tij prej monarku. Sipas tyre, “Olimpi” i Tiranës i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë në komedi alla “Epopeja e Ballit”…

 

Juve ngulitët te brezi i ri i kohës urrejtjen për BS-në dhe dashurinë për Kinën, por, kur edhe kjo e fundit ju piu lëngun ose anasjelltas, juve ja pitë asaj lëngun e orizit, atëherë edhe ky brez u zhgënjye!  E, megjithatë, juve duke i hedhur asaj armatës suaj të makinës shtetërore (të zëvendësuar demek si rezultati i një burokracie të rrezikshme – me kuadro të njomë e më të bindur) nga një copë sallam, siguruat përsëri një lloj sundimi, një “status-quo” dhe në udhëtimet tuaja me gruan që është edhe anëtare e rrallë e KQ-së nga të vjetërit e mbetur ose edhe me bufonët e tjerë të cirkut alla – shtretbeher, të quajtur kandidatë e anëtare të KQ-së a të Byrosë Politike, si edhe me veteranë të tillë si Myslym Peza etj; pranoni me paturpësi duartrokitje dhe brohoritje kafkash, të zgërlaqura dhe u jepni atyre po atë këshillë dhe po ato premtime stereotipe që keni mësuar qysh në rininë tuaj, premtime që nuk realizohen kurrë.! Dhe këtë e quani Parti–Popull–Enver, që don të thotë Enver-Enver-Enver.

Kjo, sipas jush, do të thotë gju më gju me popullin, kurse po ta përkthesh në gjuhën marksiste-leniniste do të thotë: Pranoni dokrrat dhe dogmat e mia të sajuara me monarkët e së kaluarës dhe unë, nga ana tjetër, në fakt kjo tingëllon jo gju më gju etj, por hundë më hundë dhe hu më hu me popullin.

Duke folur përsëri për faktorin fe të kushtetutës mund të konkludojmë se, edhe të gjitha çështjet e tjera sipas jush kardinale, juve i keni zgjedhur po në këtë dritë.

Dhe në vazhdën e kësaj politike, juve i thoni popullit se na kërcënon rreziku i jashtëm borgjezo-revizionist, inovacioni, bllokada e të tjera dokrra dhe simulitete; dhe e detyroni atë me anë bindjesh (përsëri me bindje!) se këto janë të vërteta, prandaj “O burra!”, dilni me iniciativa. Juve dërgoni nëpër  pozicione artificiale njerëz artificialë e të porositur për “masat” të dalin me propozime si fjalë që vjen, “të punojmë, të jetojmë e të ndërtojmë si në rrethim!, ose me diçka tjetër patriotike që i ngjan këtij kallëpi”.

E kush na paska rrethuar ne?!

Juve sajuat edhe pseudokushtetutën dhe e sanksionuat me ligj se në rast lufte, Sekretari i Parë është kryekomandat olimpik. Duke përgatitur në kudhrën e djersës dhe të gjakut të këtij populli të mjerë tufa të reja medaljesh floriri për këto lodra pesëvjeçarësh olimpikë; juve e sajuat Kushtetutën si një kala me të cilën mbroni veten tuaj dhe me banorët e kësaj kalaje, me masat e gjëra, të cilat i mbani të lidhura si në “kalin e Trojës”, as që keni ndërmend të pushtoni majat e komunizmit, por t’ia dorëzoni skamjes e poshtërimit rininë, gruan, veteranin e Luftës Nacional-Çlirimtare

Kulti i individit të Enver Hoxhës është bërë realitet dhe si tillë është antimarksist, antileninist, prandaj do të ishte më se e natyrshme që ekuacionin Parti + Popull = Unitet, ta shkruanim Parti + Enver = Artific; Artific = Popull.

Populli ka dy të dhëna:

-I varfër ekonomikisht dhe shpirtërisht i vrarë.

-I detyruar të brohorasë e të punoje me orë të pallogaritshme.

Atëherë keni një popull me dy pamje, njëra pamje tregon raportin midis buzëqeshjes (lexo: ngërdheshjes) së shtirur dhe punës shtetërore e vullnetare (duke përfshirë këtu gjithfarë mbledhjesh me pallavra) dhe pamja tjetër kallëzon brohoritjet gjatë mitingjeve (lexo: në ta mbajti, mos brohorit po deshe!) edhe fytyrat e qeshura e me buqeta lulesh nëpër parakalime e takime me perëndinë vet, të cilat duhet t’i kuptojmë pa hezitime të të kundërtave (plusit dhe minusit) si qeshje qesharake dhe brohoritje agonie shpirtrash të sfilitur.

Si rezultat:

Antific + Antific = 2 Artific! Njëra nga këto Artifice ia ka me të pabesë tjetrit, kurse Artifici i dytë (Artifici popull) e quan si përulje e detyrë ndaj Zotit të ri të “Olimpit” të Tiranës, një kulminacion të tillë shoqëror!!!!.

Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim “humanitar” që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten!

Lind pyetja:

Cili është avokati i këtij populli?

Juve pa dyshim do të përgjigjeshit – “partia e tij mëmë”. Kurse ne do të thoshim se avokati i tij përsëri është e do të jetë Moska bolshevike.

Një tjetër pyetje:

Cili është avokati i individit? Juve prapë: “partia e tij mëmë”, kurse ne do të mendoheshim pakëz, sepse juve keni suprimuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe kështu burgjet qysh atëherë, po mbushen çuditërisht me “hove revolucionare e dëshirash impulsive”, kontigjente të reja njerëzish të dënuar me dëshmitarë të rremë, me gjyq e pa gjyq.

Si ndodhi kjo?

Argumentimi është fare i thjeshtë? Juve shani Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë të kësaj bote, me qëllim që t’u shërbeni më mirë këtyre. Juve çirreni në efir nëpër botë, duke harxhuar pa kursyer djersën e këtij populli për propagandë nëpërmjet M-L–ve e kallëpeve të tjera të nëndheshme, me qëllim që të ruani “status-quonë” tuaj. Juve bërtisni për revolucion botëror dhe jeni të etur për gjak, sepse rrugët e tjera nuk ju japin qetësi shpirtërore apo “morale”. Juve luftoni kundër gjithë botës (nën maskën e Marksit – Engelsit – Leninit), duke xurxullitur si gjinkalla në zheg të vapës e të luksit!

Patjetër, një ditë do të bëni bam!

Kjo është dialektike!

Këtë do t’jua imponojë ekonomia që ka marrë të tëtposhtën (kthimi në fshat në kohën e “socializmit” te avancuar, a nuk është regres?); industria dhe mungesa e rëndësishme e investimeve, prezenca e borxheve si rezultat i shpenzimeve kolosale si individ, si oborr “olimpik”, si makinë shtetërore (Ministria e Punëve të Brendshme, Ushtria, gjykatësit, armata e spiunëve – për spiunë, ky shtet i vogël buzë Adriatikut e Jonit, ia ka kaluar Perandorisë së dikurshme Austro-hungareze për të cilën Shvjeku thoshte: “Këtë Perandori e mbajnë spiunët, zhduki ata – Perandoria rrezohet”, – dhe natyrisht të ardhurat vijnë duke u pakësuar.

Për t’i shpëtuar borxhit konkret në të holla dhe borxhit karshi popullit, juve, duhet të kufizoni shpenzimet, të thjeshtoni organizmat qeveritare, të mos ndërhyni kaq banalisht deri në jetën familjare, civile etj., etj.

Por, juve këtë nuk e bëni dot. Kursi juaj është atrofizuar!…

Ndaj, ne si komunistë e publicistë jua përsërisim edhe njëherë idenë tonë vepruese të parashtruar në traktin e hedhur në mes të Tiranës (në vitin 1962) se… “Moska ka të drejtë! Hoxha e Shehu me kompani po e çojnë Shqipërinë në qorrsokak!”

Ku shkoni juve, kjo është punë për ju! Komunizmi botëror nuk do t’ju falë kurrë! Populli që brohoret me ngërdheshje sot, do tua rrëzojë gjithçka në humnerën e Plutonit; monumentet kushtuar Perëndisë do t’ju bëjë copë e çikë!!!!. Enver Hoxha gjithmonë po ecën në shkallën e madhe të dilemës alla Cezar, ai mban mbi supe borxhe të mëdha materiale e shpirtërore, si edhe premtime boshe që nuk po realizohen as me 1 për qind dhe ai ka plotësisht të drejtë të thërrasë deri në fund të ditëve të tij “triumfale”, “Aut Caesar, aut clichy!” ose “Aut Caesar aut nihel!”.

Për fat, tani së fundmi, kemi filluar të merremi me pelegrinazhe me rast dyndjesh eshtrash stërgjyshore dhe atë që e bënte tregtari Çiçikov në shek  XIX-të, duke u endur nëpër Rusi, po e përsërit një tregtar i quajtur Sekretar i Parë i KQ-së të PPSH-së, duke sajuar skena prekëse e përshpirtje fantastike të eshtrave të të parëve patriotë në altarin e Republikës Socialiste.

Edhe këtu dora dhe taktika jezuite e këtij Çiçikovi makabër sjell famë, lavdi dhe natyrisht dhurata.

Klasës punëtore e fshatarësisë sonë i rri mbi kokë shpata e Damakraut dhe nuk është e vështirë që olimpikët e Tiranës ta përkthejnë këtë skenë kështu: Klasa punëtore e Shqipërisë është shpata e gjithë popullit, kurse Partia e Punës është maja e kësaj shpate.!!

Po ç’ndodh në ekonomi?

Deficiti shtetëror rritet, të ardhurat shtetërore pakësohen, për shkak të amullisë së prodhimit të pakësimit të konsumit dhe të importit. Rrugët ekonomike u vështirësuan me humbjen e “Botës së Tretë”

Ç’të bëjmë?

Kursime, angazhime të reja, prodhime në 95 përqind të veglave të ndërtimit në vend (me forcat tona), të punohet me mungesa dhe pa pretendime në jetë, sepse jemi në rrethim(!) Eh, ky rrethimi!?! (Mefistoteli mund të sajonte kësi virtuozitete shoqërore, shtetërore, por në asnjë mënyrë, komunistët!)

Atentatit të madh kundër popullit të organizuar hap pas hapi nga perënditë e “Olimpit” të Tiranës, po i vjen fundi. Çorganizimi “socialist” i organizuar me makiavelizëm po perëndon!

Rroftë liria e popullit shqiptar!

Rroftë Bashkimi Sovjetik, demoni i Kozmosit të Komunizmit!

Juve, zotërinj të Tiranës, shkoni ku të doni. Ne dikur besonim në fjalët tuaja për socializmin, por qysh kur sulmuat Partinë Bolshevike dhe e thelluat këtë sulm me mënyrat që parashtruam më lart, ne, na vjen turp që besuam në udhëheqës si ju, na vjen zor t’ju përmendim qoftë dhe në mendimet tona të thjeshta e shoqërore!!!. Por, një gjë veç të tjerave nuk ua falim kurrë, rininë tonë që na e kalbët nëpër burgje. Për këtë do t’ju gjykojë gjyqi i lartë i komunizmit botëror i Moskës bolshevike, Leninit – përjetë i gjallë midis të gjallëve (të të gjithë globit), të cilët çajnë të sigurt përpara, drejt botës totale komuniste.

Juve, na keni dënuar me temë penale si revizionistë dhe këtë e quani dënim të një drejtësie socialiste. Por, detyra jonë na thotë Vladimir Iliç Lenini, është që t’ua sqarojmë se ne jemi komunistë deri në vdekje, besoni juve në këtë apo jo, neve nuk na shqetëson aspak!

Vetëm një gjë është e qartë si drita: brezi i sotëm duhet të largohet nga skena për t’ia lënë vendin njerëzve që do të jenë të pjekur për një botë të re.

Rroftë Populli!

Rroftë Liria!

Fadil Kokomani

Vangjel Lesho

Spaç, më 9 korrik 1978

 

Fotot e Kokomanit e Lezhos në qelitë e Qafë-Barit

 

Mjaftoi një breshri plumbash pas mesnate dhe regjimi pas një procesi njëvjeçar, për të mbyllur përfundimisht kapitullin me dy armiqtë e rrezikshëm, Kokomani e Lezho. Po hesapet me ta nuk mund të mbaronin këtu. Pas çasteve fatale të dy martirëve, fillonte kapitulli tjetër për mënyrën se si do të përdorej historia e tyre me armatën e  të dënuarve të tjerë. Mëndja diabolike e përbindëshave të fshehtë i kishte dhënë zgjidhje në një formë të padëgjuar më parë: Në vendin e ekzekutimit, dy të dënuarit u fotografuan në dy pamje, njëra para dhe tjetra pas pushkatimit. Produkti i përftuar nga procedura misterioze, të nesërmen filloi “xhiron” e radhës në të gjitha qelitë e të dënuarve politikë. “I kam ende në sy ato pamje të tmerrshme”, rrëfen Haxhi Baxhinocki, njëri nga të burgosurit e Qafës së Barit, duke kujtuar çastet kur nën terror fizik u kanë vendosur përpara pesë fotografi me imazhet e Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos e Xhelal Koprenckës. “Te fotoja e parë ishin ata të tre, gjallë, në këmbë, lidhur me tel me gjemba. Te fotoja në krahë, përsëri ata, por shtrirë, mbuluar me gjak. Në tri të tjerat me dimensione më të vogla ishin veç e veç me plagë që u dalloheshin qartë…”. Baxhinovski nuk e mban mënd njeriun që ua ka sjellë në kamp, por nuk ka për të harruar zërin e tij rrëqethës. “Duke lëvizur me to në duar, kujton ai, thërriste si i çmëndur duke shqiptuar se kështu do ta pësonte çdo njëri nga ne, po të çonim në mëndje aventurën e tyre”. Gjithsesi, operacioni ogurzi i njerëzve të sigurimit me fotot e martirëve do të përjetohej nga bashkëvuajtësit, si një lloj përshpirtje e heshtur.

 


Panorama

(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: