Frank Shkreli: Evropa Feston 100-Vjetorin e Lindjes së ish-Presidentit Amerikan Ronald Reagan
| E Hene, 04.07.2011, 07:03 PM |

Me rastin e 235-Vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Evropa Feston 100-Vjetorin e Lindjes së ish-Presidentit Amerikan Ronald Reagan

 

Nga Frank Shkreli

 

Anë e mbanë Evropës këte javë (me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë Amerikane) po kujtohet 100-vjetori i lindjes së ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan, i cili lindi me 6 Shkurt, 1911 dhe shërbeu si President i Shteteve të Bashkuara nga viti 1981 deri më 1989.   Nderimet, në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së Presidentit Reagan filluan të Merkurën në Budapest, ku në prani të shume personaliteteve të shquara hungareze dhe amerikane, Hungaria nderoi ish-presidentin amerikan me një statujë në Sheshin e Lirisë, aty ku ka selinë edhe ambasada amerikane.  S'do koment fakti se përurimi i statujës u bë në ditën kur forcat sovjetike u detyruan të largoheshin nga Hungaria, 20 vjet më parë.   Megjithse Presidenti Reagan nuk kishte vizituar kurrë Hungarinë, ai sic duket fitoi për gjithmonë, simpatinë dhe respektin e hungarezëve, për përpjekjet e tij që i dhanë fund komunizmit në vendin e tyre dhe anë e mbanë Evropës Qendrore e Lindore.

 

Zsolt Nemeth, zevëndës minister i jashtëm i Hungarisë,i cili ishte i pranishëm në përurimin e statujës dy metra gjatë prej bronxi te Presidentit Reagan, tha se Reagan frymëzoi lëvizjen opozitare hungareze, bashkthemelues i së cilës ishte ai, levizje këjo që sipas tij, ndihmoi në flakjen njëherë e mirë te despotizmit te eger sovjetik.  Zoti Nemeth tha se ish-udhëheqsi amerikan admirohet anë e mbanë Evropës Lindore sepse ai fliste të vërtetën mbi shtypjet e regjimeve komuniste dhe sepse megjith rreziqet e mundshme, ai pati guximin të ballafaqohej me Bashkimin Sovjetik, gjë që me në fund coi në shkatërrimin e tij.   Zoti Nemeth, i cili me 1988 ndihmoi në themelimin e FIDESZ, Aleancës së të rinjëve demokratë, që tani udhëheq vendin, tha se opozita e atëhershme "mori zemër nga fakti se në Perëndim kishte një të vërtetë dhe se kishte udhëheqës që nuk komprometonin të vërtetën.   Reagan ishte kësi lloj politikani", i tha ai gazetës USA Today në një interviste.

 

Gjatë kësaj jave edhe ne vende të tjera evropiane u nderua dhe po nderohet Presidenti Reagan me ceremoni të ndryshme për rolin që ai luajti në rrëximin e komunizmit.   Në Krakovë të Polonisë, Kardinali Stanislaë Dziëisz, i cili ishte ndihmës personal i Papës Gjon Palit të II, tha një meshë falenderimi në Baziliken e Shen Mërisë.   Të pranishëm në këte meshë ishin një numër kongresmenësh amerikanë dhe perfaqsues të autoriteteve qeveritare të vendit.   At Jan Machniak i Universitetit Papnor në Krakovë i tha agjencisë polake të lajmeve se "Papa Gjon Pali II dhe Ronald Reagan ishin dhe vazhdojnë të jenë sinjal shprese për një botë që lufton të keqen, pa marrë parasyshë nëse këjo e keqe është e natyrës individuale apo shtetërore, por që paraqitet në forma te ndryshme monstroze."  Ai shtoi se në këto festime, për të nderuar Ronald Reagan, po marrin pjesë shumë nga ata që mbajnë mend Luftën e Ftohët, por në të njëjtën kohë, shtoi ai, ato po i drejtohen edhe brezit të ri, me qellim që ata të mos harrojnë burrat si Reagan që me vizionin e tyre ndryshuan historinë.   Polonia, gjithashtu ka në plan të ndertojë një statujë të Presidentit Reagan në Uarshavë.   Pervec përurimit të statujës në Budapest, parlamenti hungarez nderoi Reagan-in edhe me nje sesjon të posacëm këte javë.

 

Të Enjtën edhe Cekia, rrugës para ambasadës amerikane në Pragë i dha emërin Rruga Ronald Reagan, ku sipas Fondacionit Reagan,  si perfaqsuese e bashkshortes se presidentit Reagan, Zonjës Nancy Reagan, mori pjesë --dhe në emër të saj mbajti një fjalim, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice.

 

John Sullivan, bashkpuntor i ngushtë i ish-Kryeministres britanike Thatcher dhe pjesëmarrës në disa prej këtyre festimeve për të nderuar Presidentin Reagan dhe rolin e tij në shëmbjen e komunizmit në Evropë, i tha gazetes USA Today se Presidenti Reagan luajti rolin kyc, së bashku me Papa Gjon Palin II dhe Kryeministren Thatcher ne ringjalljen e sindikatës polake Solidarnost e cila ishte shtypur nga regjimi polak që përkrahej nga sovjetikët.   Ai shtoi se Reagan, gjatë qeverisjes së tij, përdori rrjetin e Kishës Katolike dhe të sindikatave amerikane të punëtorëve për të mbledhur fonde dhe burime të tjera të nevojshme për të ndihmuar dhe mbajtur gjallë sindikatën Solidarnost.

 

Edhe në Gjermani, megjithse nuk ishte në plan te mbahesh ndonje ceremoni,  Ministri i mbrojtjes, Zoti Karl- Theodor zu Guttenburg i beri thirrje Berlinit këtë javë që të nderoj Ronald Reagan duke i dhenë emërin e tij ndonjë sheshi ose rruge kryesore të kryeqytetit.   Ishte pikërisht në Berlin që Zoti Reagan mbajti fjalimin e famshëm të vitit 1987 me te cilin iu drejtua udheheqsit sovjetik: Zoti Gorbachev shembe kete mur, duke iu referuar Murit të Berlinit që ndante qytetin midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik.   Deputeti Demokristian Ruprecht Polenz tha se pa rolin e Zotit Reagan nuk do të kishte ribashkim të Gjermanise, andaj "ne duhet të kujtojmë këte mik të madh të Gjermanisë në një vend të dënjë", shtoi ai.

 

Të gjitha këto nderime dhe përkujtime për presidentin Reagan anë e mbanë Evropës, do të kulminojnë në Londër, të Hënen me 4 Korrik, që është edhe Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.  Edhe në qëndër të kryeqytetit britanik është në plan të zbulohet një statujë e Presidentit Reagan atë ditë, ku pritet të marrë pjesë, megjithëse në moshe të shkuar, edhe ish-Kryeministrja Thatcher, bashkpuntore dhe mike e Presidentit Reagan, që përvec politikës konservatore që ndjeknin ata në vendet e tyre respektive, i bashkonte gjithashtu, ajo që gjithnjë quhet "lidhje e posacme" midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.  Sir Malcolm Rifkind, i cili ka shërbyer në kabinetin e Zonjës Thatcher i tha rrjetit televiziv amerikan, msnbc, se Presidenti Reagan kishte "gjykim të drejtë, instinkte të mira dhe ishte i vendosur", dhe sipas tij, "ishin këto cilësi që u shërbyen të dy vendeve shume mire në fund të Luftës së Ftohte, që ishte një periudhë historike për boten."   Statuja e Presidentit Reagan, në shenjë mirënjohjeje te rolit qe ai luajti në dhënjen fund te Luftës së Ftohët, është vendosur pranë statujave të ish-presidentëve amerikanë Eisenhoëer dhe Roosvelt.   Përurimi i statujës do te pasohet me një pritje/festim në sallën historike Guildhall të Londrës, tamam aty ky Kryeministrja Thatcher pat pritur Presidentin Reagan pas një vizite që ai pati me ish-udheheqsin sovjetik, Mikahil Gorbachev, në vitin 1988.

 

Natyrisht se bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike c'prej periudhës kur Reagan, Thatcher dhe Papa Gjon Pali i II ndryshuan historinë, të pakën historinë moderne të Evropës, duke ndihmuar forcat pro demokratike, anti-komuniste në Poloni dhe anë e mbanë Evropës Lindore.   Evropa Lindore, në 100-vjetorin e lindjes së Presidentit Reagan, sic tha një pjesëmarrës në ceremoninë e Budapestit, po përpiqet t'i kethejë borxhin ish-presidentit Reagan, me aq sa ka mundësi.    "Marrëdhënjeve speciale" e historike midis Uashingtonit e Londrës, tani u janë shtuar një numër "marrëdhënjesh speciale" midis vendeve ish-komuniste dhe Shteteve Bashkuara -- një ndër to mund të themi, me krenari, janë edhe marrëdhenjet, që tani konsiderohen "speciale", nga të dy palët, midis kombit shqiptar dhe atij amerikan.

 

Nuk është e rastit që Evropa vendosi të nderojë Presidentin Reagan me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij gjate javës së festimeve të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.   Sepse ishte revolucioni amerikan i cili rezultoi në pavarësinë e kolonive amerikane -- qe më në fund solli këte  ditë të pavarësisë -- që e frymëzoi Presidentin Reagan gjatë gjithë jetës dhe karjerës politike të tij.   Ishin idetë e revolucionit amerikan, të cilin ai e pat quajtur "si revolucioni i vërtetë filozofik në të gjithë historinë e njerëzimit",që e bindën atë se të gjithë njerëzit janë teë krijuar nga Perëndia me te drejta të barabarta dhe të pa tjetersueshme, sic janë jeta dhe liria, të drejta këto që asnjë qeveri nuk mund tua mohoj shtetasve te vet. 

 

Me rastin e një përvjetorit të pavarësisë kur ishte president, në mesazhin e tij drejtuar kombit, ai tha se gjatë historisë ka patur revolucione, por sipas tij, "ato revolucione, vetëm ndryshuan një grup udhëheqsish me një grup tjetër dhe thjeshtë asgjë më shumë.   Revolucioni ynë ishte një revolucion që ndryshoi vet konceptin e qeverisjes.   Le të shërbejë 4 Korriku si një kujtesë, se këtu në kete tokë, për herë të parë u vendos se njeriu lind me disa të drejta që ia dhuron Perëndia -- se qeveria është vetëm një mjet i krijuar dhe i manaxhuar nga populli, pa asnjë kompetencë të sajen, përvec të atyre kompetencave që populli ia akordon asaj vullnetarisht.   Nganjëherë e harrojmë këte të vërtetë të madhe, por nuk duhet ta harrojme kurre", porositi kombin e vet,Presidenti Reagan.

 

Për dekada me radhë, lufta kunder komunizmit mbizotëronte të gjithë politikën e jashtme të Shteteve te Bashkuara.   Si gjithë udhëheqsit e tjerë amerikanë, edhe Presidenti Reagan ishte i preokupuar ne lidhje me pasojat gjeopolitike dhe sigurinë e vendit të vet si rrjedhim i Luftës së Ftohtë, por ai si asnjë tjetër president i këtij vendi, dhe mbi të gjitha, Ronald Reagan tregonte një përkujdesje dhe shqetsim të jashtzakonshëm për viktimat njerëzore të komunizmit botëror.   Keshtuqë, ndërsa evropianët, duke kujtua rolin e Presidentit Reagan mbi fatin e historisë së tyre, ata në të njëjtën kohë përkujtojnë përvojat dhe trashëgiminë e tmershme të regjimeve komuniste.   Dhe ndërsa në këte përvjetor të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, përkujtojnë njeriun që ata besojnë se luajti rolin kryesor në clirimin e tyre nga komunizmi, vlenë të mbajmë mend parimet mbi të cilat u themeluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndaj të cilave Reagan kishte një adhurim pothuaj religjioz – pasi ai ishte i vetdijshëm se pa këto parime universale që përqendrohen mbi të drejtat dhe liritë e individit, bota do të shkonte drejtë një katastrofe të pa-imagjinueshme shtypjesh, padrejtsishë e dhunë kunder individeve dhe njerëzimit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: