Ndue Ukaj: Pështjellimet e politikës së jashtme
| E Premte, 01.07.2011, 07:02 PM |

Pështjellimet e politikës së jashtme

 

Nga Ndue Ukaj

 

Politika e jashtme e Kosovës, e çhierarkizuar dhe fragmentuar, po shfaq shenja pështjellimi, të mos themi anarkie. Ajo është një diplomaci e formësuar me poste të shumëfishuara dhe politikan që për konsum të brendshëm politikë, ngarendin nga një kontinent në tjetrin, pa veprime të matura dhe të menduara.  Kësisoj rezultatet e vajtje-ardhjeve, mbesin pavlerë të theksuar. Nga këto vajtje ardhje diplomatike, Kosovës nuk ka shënuar ndonjë hap përpara në politikën e saj të jashtme, përkundrazi, ka stagnuar, duke bërë kthim mbrapa. Politika e jashtme e Kosovës, ne tërësinë e saj, me shumë ministra e zëvendëskryeministra, të orientuar në këtë fushë, edhe pse ka orientuar gjithë potencialin drejt njohjeve, vendit s’i kanë sjell njohje të reja e domethënëse. Zaten, politika e jashtme e vendit tonë, e tillë si është, para botës nuk ka sesi të paraqitet e harmonizuar. Si e tillë, ajo komunitetit ndërkombëtar, s’i jep pamje autentike dhe të njëmend të shtetit të Kosovës. Këto janë pështjellime, të cilat vetëm sa e komplikojnë procesin e njohjeve, këndej pari edhe  zhvillimet e politikës së jashtme.

 

Kosova ka një qeveri, në të cilën, disa autoritete zyrtare merren me politikën e jashtme. Kur  njeriu përpiqet t’i evidencoj rezultatet e kësaj diplomacie, të vjen të trishtohesh ngase ato lënë shumë për të dëshiruar, madje edhe për opurtonistët e entuziastët më të mëdhenj. Në fakt, për hir të së vërtetës, duhet përsëritur se pështjellimi i diplomacisë së jashtme të Kosovës, ka ndodhur qysh në zanafillën e krijimit, nëpërmjet një sistemi gjysmë paralel që krijoi ish kryetari i AKR, tash zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, karshi ish ministrit Skender Hyseni.

 

Ardhja në krye të diplomacisë së jashtme e Enver Hoxhajt, ngazëlleu opinionin  vullnetmirë. Mirëpo, çhierkarizimi i diplomacisë sonë dhe pështjellimi i saj, është njëri shkaktarët të pengesave dhe së këndejmi mossukseseve evidente të diplomacisë së Kosovës. Ndërkaq, ky çhierkarizmim dhe ky fragmentim i pakuptimtë, doemos i shkakton dëme të mëdha ministrit Hoxhaj dhe imazhit të tij si ministër i jashtëm.  Qeveria e Kosovës, në vend se të sendërtoj një politikë të jashtme unike, në vend se të ndërtoj një platformë të qëndrueshme për të përforcuar diplomacinë e jashtme,  ajo e ka fragmentuar atë, duke e shpërndarë si është më së keqi në disa adresa, rezultat prej së cilave, po shihet qartësisht se janë minimale. Këto pak njohje dhe këto zhvillime të jashtme politike, Kosovës do t’i ndodhnin,  madje edhe sikur Kosova të mos kishte fare diplomaci të jashtme. E le më, me gjithë këta funksionar të cilët buxhetit të varfër të Kosovës,  i kushtojnë mjaft shumë.

 

Është fakt i mirëditur se kjo qeveri nuk është formuar mbi  principe dhe programe politike të mirëfillta, por për t’i përmbushur nevojat e partnerëve të koalicionit, që t’i punësojnë militantët, aktivistët dhe krejt në fund, për t’i përmbushur apetitet e ca figurave politike që mbetën lakuriq para opinionit publik, pas dramës që përjetuan Institucionet e Kosovës me veprimet e tyre anti kushtetuese.

 

Është bë një kohë e gjatë, qysh kur politikan tanë, janë çjerr, se herë në atë të enjte, herë në këtë të enjte, do të na njohin shtetet arabe. Të enjtet shkojnë, me ritmin e tyre të natyrshëm, ndërkaq njohje substancial Kosova ende nuk ka përjetuar nga ky komunitet. E për këto zotime të parealizuara, askush nuk turpërohet. Sikur fjala publike të mos kishte asnjë domethënie. Madje, për ta bind këtë komunitet shtetesh, Kosova ka shfrytëzuar dhe koncentruar thuajse gjithë diplomacinë e jashtme dhe sferat tjera me interes. E kjo ka bë që të lihen çuditërisht në harresë shtetet e Amerikës Latine dhe Qendrore dhe shumë vende aziatike, me të cilat askush nuk është marrë. E gjithë kjo s’ka sesi të mos krijon një shije tejet të hidhur.

 

Shteti i brishtë i Kosovës, po përjeton ditë të vështira. Imazhi i tij është shtrirë përtokë. Me fajin e një qeverie që disa vite vazhdon të bëjë veprime krejtësisht të pakuptimta dhe të pavlerë. Me një qeverisje, që të vetmet atribute që ja njeh bota e përparuar, janë hajnia, korrupsioni, mentalitetin farefisnor, krimi ekonomik, etj. Kosova nga një shtet që ngjallte mëshirë në botën e përparuar, sot shihet si një shtet i dështuar dhe i frikshëm. Për ta përfituar edhe njëherë botën, Kosova duhet të filloi të orientohet drejtë, e jo të ec në tehun e ekuivokëve që asaj s’i sjellin gjë mirë.  Kosova duhet të konsolidoj diplomacinë  e jashtme, duke lënë anash mentalitet farefisnore dhe politikat miope. Mirëpo, mbi të gjitha, duhet bë një hierarki politike të mirëfilltë dhe të dihet adresanti për sukseset dhe mossukseset.



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: