Kupa e Botës, Gjermania ëndërron me Lira Bajramaj
| E Hene, 27.06.2011, 06:54 PM |

Fatmire, Lira, Bajramaj, është ndër lojtaret kryesore të kombëtares gjermane në futboll për femra. Mesfushorja me origjinë nga Kosova është zgjedhur vitin e kaluar ndër tri lojtaret më të mira në botë .

Me vetëm 23 vjet Fatmire Bajramaj ka fituar shumë tituj. Ajo është kampione e botës, kampione evropiane dhe fituese e Ligës së Kampionëve. Ndonëse si fëmijë nuk prindërit nuk e lejonin të merrej me futboll. Babai i saj me origjinë nga Gjurakovci i Pejës mendonte se vajza nuk duhet të merret me futboll, por “si çdo femër normale” me vallëzim, balet apo ndonjë aktivitet tjetër. Gati dy vjet Lira ka luajtur futboll fshehurazi, me vëllain Flakronin dhe shokët e shkolla. Nëna e dinte për “sekretin”.

“Babai nuk e ka ditur, sepse unë luaja fsheht me djemtë në një ekip. Dikur më është dashur një nënshkrim, por babai thoshte: jo çika jem, se nuk është futbolli për çika. Ti më mirë merru me vallëzim, apo diçka tjetër. Por një herë ka ardhë baba dhe kur më ka parë se si luaj, i ka pëlqyer dhe më lejoi të merrem me futboll. Sot memzi pret të shikojë lojërat e mia”, thotë ajo.

Fatmire Bajramaj ka lindur në Kosovë, si fëmija e dytë. Ajo ka një vëlla më të madh dhe një më të vogël. Familja e saj është shpërngulur nga Kosova në Gjermaninë në vitin 1989. Hapat e parë në futboll i i ka bërë në vendin ku jetonte dhe më pas në Mönchengladbach

“I kam pasur 16 vjet, kur erdhi një trajner dhe më këqyri këtu në Mönchengladbach. Pas ndeshjes më tha, a ke dëshirë me i fitu pak para nga sporti? I thash nuk e di, duhet me pyet babën. Baba më lejoi dhe nënshkrova një kontratë me Duisburgun”, shpjegon Bajramaj.

Goli i jetës - nga refugjate në kampionie bote

“Pak para” në Duisburg Lira Barjamaj ka fituar në periudhën prej vitit 2004 – 2009. Me Duisburgun ka fituar në vitin 2009 edhe “UEFA Women’s Cup” si dhe kupën e Gjermanisë për femra. Në sezonin 2009/10 ka ndërruar klubin dhe ka kaluar në Potsdam. Me Turbine Potsdam ajo fitoi në vitin 2010 kampionatin gjerman dhe Ligën e Kampionëve, e cila u mbajt për herë të parë në historinë e futbollit të femrave.

“Për mua kjo do të thotë realizim i një ëndërre”, tha Bajramaj pas kësaj ndeshje.

Fatmire Lira Bajramaj ka ndërruar klubin në fund të këtij sezoni dhe ka nënshkruar kontratë me 1. FFC Frankfurt. Qëllimi i saj është që edhe me klubin e ri të përsërisë sukseset që ka arritur më parë me Turbine Potstam. Por tani para vetes ka një synim tjetër: mbrojtjen e titullit kampion bote me kombëtaren gjermane.

“Të gjitha stadiumet do të jenë plot. Ne shpresojmë të përjetojmë diçka të ngjashme me atë që kanë përjetuar meshkujt në verën e vitit 2006″, thotë ajo.

Fatmire Bajramaj është paraqitur në të gjitha kategoritë e të rejave në Gjermani. Paraqitjen e parë në kombëtaren e seniorëve ka pasur me 20 tetor 2005, në lojën kundër Skocisë. Suksesi më i madh ishte deri tani titulli në Kampionatin Botëror në Kinë, para katër vitesh, kur ajo ishte vetëm 19 vjeç. Kampionet botërore u pritën në Frankfurt nga mbi 20.000 tifozë. Në mesin e tyre ishte dhe familja e saj.

“Ndër 20.000 tifozët ishin edhe baba, nëna dhe i fejuari im. Kam qenë shumë e lumtur. Baba qajke. E pyta babë pse po qan? Tha, jo more kurgjë, vetëm po gëzohem që po të shoh!”, shpjegon ajo.

Bajramaj: Futbolli dhe sporti më kanë ndihmuar shumë për t’u integruar

Fatmire Lira Bajramaj shihet në Gjermani edhe një prej shembujve më të sukseshëm të integrimit të personave me prejardhje të huaj. Në këtë drejtim një rol të veçantë ka luajtur sporti dhe natyra e saj e hapur për zhvillime dhe shoqëri të reja.

“Futbolli dhe sporti më kanë ndihmuar shumë për integrim. Përmes sportit kam mësuar më shpejt edhe gjuhën dhe kam pasur më shumë sukses në shkollë. Dr. Theo Zwanziger, për të cilin kam një respekt të madh, gjithmonë më merr me vete kur ka manifestime për këto tema dhe më thotë: ti je në sport fytyra e Gjermanisë. Të gjitha çikat e vogla të shikojnë ty”, shpjegon Bajramaj.

Prej vitit 2007 Fatmire Bajramaj është në grupin për nxitjen e sportit në Bundesver. Në tetor të vitit 2009 ka nxjerrë edhe librin autobiografik “Mein Tor ins Leben – Vom Flüchtling zur Weltmeisterin” (“Goli im i jetës – prej refugjates tek kampionia e botës”). Bajramaj është angazhuar dhe angazhohet shumë edhe në sektorin social, si ambasadore e World Vision, ambasadore e Vitit Evropian 2010, në luftën kundër varfërisë dhe kufizimeve sociale.

Për Gjermaninë ajo ka luajtur deri tani në 43 ndeshje dhe ka shënuar tetë gola. Ëndërra e saj më e madhe është të fitojë titullin e kampionit të botës në Gjermani, para tifozëve të vet.


DW

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: