Deo Graciani: Kosova e mbërthyer në kthetrat e radikalizmit islamik
| E Premte, 24.06.2011, 08:05 PM |

Kosova e mbërthyer në kthetrat e radikalizmit islamik

 

Nga Deo Graciani

 

Që prej sulmit të terroristit mysliman Arid Uka, i cili vrau dy pilotë amerikanë nën ulërimat “Allahu Akbar,” media ndërkombëtare ka filluar t’i kushtojë një vëmendje më të madhe zhvillimeve në Kosovë. Vrasja e dy pilotëve amerikanë pati një jehonë të madhe në mbarë botën, jo thjesht për faktin se ishte kryer një sulm terrorist islamik ndaj ushtrisë amerikane, por sepse terroristi mysliman që e kishte kryer krimin ishte me origjinë nga Kosova, një vend ky i çliruar nga forcat amerikane.

 

Kosova pati filluar gjithashtu të tërhiqte vëmendjen e qeverive perëndimore që prej vitit të kaluar, kur në Prishtinë dhe disa qytete të tjera filluan të organizoheshin protesta kundër ligjit për ndalimin e mbulesës së kokës në shkolla. Një nga këto protesta të vitit të kaluar paraqitet edhe në videon e mëposhtme. Aspekti i çuditshëm i kësaj proteste, janë britmat “Allahu Akbar” dhe “La ilaha ilallah” gjatë gjithë protestës, duke të krijuar përshtypjen se po protestohet ne Pakistan e jo në trojet shqiptare.

Klikoni Këtu

 

Gjatë viteve të fundit, gjendja në Kosovë ka filluar të precipitojë rrezikshëm drejt humnerës së radikalizmit islamik, me hapa shumë më të shpejtë nga ç’ishte parashikuar, dhe kjo vjen edhe si pasojë e heshtjes së institucioneve, të cilat po japin shenja se janë të implikuara në këtë katastrofë kombëtare. Gjithashtu përgjegjësi kanë edhe intelektualët kosovarë dhe shoqëria civile e cila nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të dënuar apo të paktën për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë mbi dëmet e pariparueshme që sjell radikalizimi islamik në trojet shqiptare. Ndërsa fenomenet e shëmtuara shtohen, shoqëria hesht. Është arritur deri aty sa të sulmohet haptazi Papa dhe Vatikani, të sulmohet kisha katolike.

 

I paprecedent dhe tepër agresiv ishte sulmi i pashpjegueshëm që ndërmori përpara disa ditësh Adem Demaçi ndaj Vatikanit, dhe veçanërisht ndaj Papës Benedikt, duke vjellur vrer dhe urrejtje ndaj kishës katolike, dhe duke e shtrembëruar qëllimisht qëndrimin e Vatikanit ndaj çeshtjes së Kosovës. Fatkeqësisht, ky nuk është as sulmi i parë dhe nuk do të jetë as i fundit i armiqëve të shqiptarëve ndaj kishës katolike, e cila ka qenë shtylla e ruajtjes së identitetit shqiptar gjatë shekujve plot errësirë dhe vuajtje.

 

Pas sulmeve dhe akuzave të njëpasnjëshme drejtuar kishës katolike nga individë dhe grupe radikale islamike shqiptare, kisha katolike reagoi nëpërmjet Zyrës Ipeshkvnore me deklaratën e mëposhtme:

 

“Kisha Katolike në Kosovë, si “Nënë dhe Mësuese e mirë, për dashurinë që ka ndaj popullit të vet, ka qenë dhe mbetet gjithnjë në shërbim të mirës së tij dhe ndërmjetësuese e natyrshme mes shqiptarëve dhe Evropës, nëpërmjet mbështetjes së Selisë së Shenjtë – Vatikanit. Në kohën e fundit, shfaqen disa dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë, dukuri këto të cilat rrezikojnë, edhe ashtu, gjendjen e brishtë e jostabile që kemi. Aq më tepër na befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme. Me shqetësim konstatojmë se qëndrimet dhe veprimet e papërgjegjshme, të kujtdo, mund të ndërrojnë orientimin e përcaktimit tonë të natyrshëm me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor – evropian, të cilit tashmë më shekuj i përkasim. Nisur nga kjo, e shohim të nevojshme ta japim vlerësimin tonë rreth këtyre çështjeve të ndërlikuara dhe të rrezikshme për Kombin dhe njomësinë e Shtetit të Kosovës. – Vërehen simptomat e qarta se si disa individë dhe grupe po shprehin haptas tendenca për përkeqësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe aktuale mes Vatikani dhe Popullit tonë, sidomos Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës. – Kjo po ndodh pikërisht tani, kur Vatikani kohë më parë e emëroi Delegatin e vet Apostolik për shtetin e Kosovës, si një shenjë e dashurisë së vazhdueshme dhe domethënëse të përkrahjes ndaj nesh. – Papa i tashëm Bendikti XVI asnjë herë nuk ka deklaruar se Kosova është ndonjë “djep” i popullit serb, ose pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu që keqinterpretimet në ketë drejtim, jo vetëm se nuk janë të sakta, por sipas gjitha gjasave kanë prapavijë njollosëse ndaj figurës morale të Atit të Shenjtë. Kjo pa dyshim e dëmton vendin tonë, i cili edhe ashtu është në pritje për njohjeve nga shtet dhe vende, mes të cilave pritet me padurim që këtë gjë ta bëjë edhe Vatikani. Prandaj, fuqimisht kërkojmë që institucionet shtetërore dhe kulturore, akademikët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të gjejnë guximin dhe mënyrën për t’u përgjigjur botërisht, vendosmërisht dhe në kohën e duhur të gjitha dukurive negative që e çorientojnë të ardhmen tonë të përbashkët, hutojnë opinionin publik dhe promovojnë të pavërtetën. Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, mund të bashkëndërtojmë të ardhmen e sigurt, bashkëjetesën në paqe dhe mbrojtjen e vlerave.”

 

Gjithë këto fenomene të dëmshme që po ndodhin në Kosovë janë një tregues i qartë i gjendjes kaotike që po kalon ky vend. Mediat ndërkombëtare, kanë filluar të shkruajnë pothuajse çdo ditë mbi rrezikun e radikalizmit islamik që ka mbërthyer Kosovën. Tashmë duket qartë se radikalizimi i popullsisë myslimane në Kosovë po përshpejtohet dhe po nxitet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Një nga faktorët e brendshëm tepër të rrezikshëm dhe që po e ushqen këtë fundamentalizëm është politika ekstremiste e zbatuar nga Bashkësia Islame e Kosovës. Dhe pikërisht një nga shkaktarët kryesorë që e nxit përhapjen e këtij zjarri të radikalizmit islamik në Kosovë, është bërë ai personazh që tashmë e njohin të gjithë. Ai quhet Naim Ternava.

 

Që prej vendosjes së tij në krye të bashkësisë islame të Kosovës, Naim Tërnava e ndërroi plotësisht kahun e politikave fetare islame, duke e drejtuar atë nga vahabizmi. Tani mund të thuhet pa pikë dyshimi se Naim Ternava po përpiqet me çdo kusht që të zbatojë politikat e islamizmit radikal në çdo pëllëmbë të Kosovës.

 

Në një artikull të botuar në huffingtonpost me titull “Islami Kosovar në Krizë”, Stephen Schwartz, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik, shkruan se “që nga përfundimi i konfliktit në vitin 1999, Kosova ka qenë në shënjestrën e predikuesve myslimanë ekstremistë dhe është përmbytur me literaturë fundamentaliste.” Schwartz shkruan se “që nga viti 2003, kur kleriku mysliman Naim Ternava mori drejtimin e bashkësisë islame të Kosovës, ka patur shumë kritika ndaj qëndrimit të tij, sepse ai ka nxitur një ofensivë të re në komunitetin mysliman me qëllim favorizimin e rrymës vahabiste të financiar nga Sauditët. Pas kësaj, vahabistë dhe radikale të ndryshëm, përfshirë edhe pakistanezë, kanë hyrë në territorin e Kosovës, me synimin që shqiptarët myslimanë t’i kthejnë në militantë islamikë. Qëndrimi favorizues i Ternavës ndaj ekstremizmit islamik, ka shkaktuar pakënaqësi brenda komunitetit mysliman të Kosovës.” “Një numër i madh besimtarësh myslimanë,” shton më tej Schwartz, “i kujtojnë me nostalgji, ditët më të mira, përpara vitit 2003, kur bashkësia islame e Kosovës drejtohej nga myslimani sufí Rexhep Boja, një shqiptar i kulturuar dhe patriot.” “Pakënaqësia ndaj Ternavës është shtuar,” vazhdon Schwartz,  “sidomos që nga fillimi i vitit akademik 2011, kur Ternava e spastroi Fakultetin e Shkencave Islamike të Prishtinës, duke larguar njërëzit më të kualifikuar dhe me përvojë dhe duke i zëvendësuar ata me ekstremistë islamikë. Veçanërisht dramatik, ishte largimi i shtatë profesorëve më me përvojë dhe revokimi i autonomisë akademike të fakultetit.” Në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar me 25 Maj, shtatë profesorët thanë, se “tani e tutje, fakulteti i studimeve islamike do të drejtohet nga ‘pedagogë’ me tituj dhe kredenciale fallso, të lëshuara nga institucione të dyshimta, dhe diploma të blera nëpër rrugët e Kairos dhe që nuk njihen në asnjë vend të botës. Këto “profesorë” të rinj nuk do të jenë asgjë tjetër përveçse njërëz të dyshimtë, të ndikuar nga ideologji të huaja, njerëz me orientime ektremiste, të mbështetur nga donatorë ‘zemërgjerë.’ Të paktën tre nga pedagogët e rinj, përveç rrogës që marrin nga Bashkësia Islame e Kosovës, paguhen edhe nga grupe të huaja të cilat synojnë të nxisin bindjet e tyre.” Ata shtojnë se “që kur u zëvendësua Rexhep Boja, Bashkësia Islame e Kosovës sundohet nga interesa personale të kryetarit, ndërsa dhunohen të drejtat njerëzore dhe fetare.” Profesorët i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Drejtësisë që të ndërhyjnë sa më parë, dhe shprehen se Bashkësia Islame e Kosovës nuk është prona private e disa individëve që duan ta përdorin sipas tekave dhe pakënaqësive të tyre personale.

 

Një tjetër ngjarje, që është paraqitur në mënyrë të zgjeruar nga media e huaj, ishte pakënaqësia tepër e madhe që shkaktoi ndër myslimanët e Pejës, vendimi i pushtetit lokal të qytetit për t’i ngritur një shtatore në këtë qytet Nënë Terezës. Forumi i të Rinjve Myslimanë të Pejës i kishte kërkuar kryetarit të bashkisë së Pejës që ta tërhiqte vendimin, duke e konsideruar si ofendim për një qytet që përbëhet nga 98% myslimanë. Kjo ngjarje e hidhur, ka bërë jehonë në arenën ndërkombëtare, dhe ka ngjallur sidomos habi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje ngjarja në fjalë është paraqitur në detaje, edhe në faqen e Këshillit Amerikan për Kosovën.

 

Ofensiva e radikalëve islamikë anti-shqiptarë nuk është e kufizuar vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni e kudo në trojet shqiptare, dhe  ka si qëllim goditjen dhe çrrënjosjen nga zemrat e popullsisë shqiptare të simboleve dhe figurave më të rëndësishme të historisë dhe identitetit tonë kombëtar. Po bëhet një përpjekje e organizuar mirë dhe monstruoze duke i sulmuar publikisht dhe në mënyrën më brutale këto viganë të historisë sonë. Në të njëjtën mënyrë si në rastin e shtatores së Nënë Terezës në Pejë, po veprohet me viganin shqiptar Pjetër Bogdani, por këtë herë në Shkup. Pjetër Bogdani nuk po sulmohet nga sllavo-maqedonasit, por nga disa shqipfolës myslimanë. Në Shkup, është marrë vendim që Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore Shqiptare që mban emrin Pjetër Bogdani, t’i vihet edhe busti i tij. Por menjëherë sapo u përhap ky lajm, korbat u turrën nga skutat e tyre të errëta, për të mos lejuar këtë ‘padrejtësi’ që po u bëhej shqiptarëve myslimanë. Këta janë stërnipat e po atyre korbave turko-tartarë që dikur i patën prishur varrin Pjetër Bogdanit duke ia zhdukur eshtrat. Ndërsa korbat e sotëm duan ta zhdukin me çdo kusht nga kujtesa e shqiptarëve këtë vigan. Një nga këto korba shqipfolës i cili quhet Avni Avniu, në shkrimin e tij “Pse kundër Pjetër Bogdanit?” ndër të tjera shkruan se “Pjetër Bogdani nuk është figurë që i bën nder kulturës sonë. Vepra e tij kryekëput fetare nuk ka kurrfarë rëndësie për letërsinë shqipe, sepse thjesht është blasfemi. Pjetër Bogdani është ai i cili në mënyrën më të paskrupullt e ka ofenduar, Islamin, Kuranin, pejgamberin Muhamed dhe të gjithë muslimanët. Në veprën e tij ‘Çeta e profetëve’ ai Kuranin e quan ‘...rrenë të trilluar, Muhamedin gënjeshtar, pagan, hipokrit ëndërrimtar, i dhënë pas kurvërisë dhe Islamin e quan frymëzim të dreqit (Bogdani, Pjetër, “Çeta e profetëve”, shkalla III, ligjërata XX, paragrafi 5, f.469; shkalla I, ligjërata V, paragrafi 18, f.231, paragrafi 11, f.227; shkalla II, ligjërata I, paragrafi 4, f.269). Më tej korbi Avni Avniu vazhdon: “Është obligim i Bashkësisë Islame në Maqedoni, i myftinive, i Forumit Rinor Islam dhe i çdo besimtari që të organizojnë peticione (nëpër xhami) dhe protesta paqësore për kundërshtimin e vënies së bustit të Pjetër Bogdanit dhe shfuqizimin e vendimit naiv të PDSH-së për pagëzimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore Shqiptare me emrin e tij. E quaj naiv sepse shqiptarët nuk i lidh asgjë shpirtërisht ky emër. Prandaj është momenti që shqiptarët muslimanë në Maqedoni të tregojnë e dëshmojnë se janë gjallë dhe se nuk kanë vdekur (moralisht).” “Ndërsa unë i them këtij korbi të zi: “Lavdi përjetësisht veprës së Pjetër Bogdanit, viganit tonë të madh, i cili nuk ka thënë asgjë që nuk është e vërtetë. Qoftë i paharruar kujtimi i tij në mendjet dhe zemrat tona.” 

 

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto probleme që po kalojnë trojet shqiptare, kohët e fundit në shtypin e huaj kanë filluar të përhapen lajme mbi mundësinë e ekzistencës së një qendre në Mitrovicë, të quajtur Zyra Islamike e Kosovës, dhe që merret me rekrutimin e militantëve islamikë shqiptarë. Kjo qendër është krijuar në vitin 1998 dhe financohet nga Sauditët. Këtë investigim e ka paraqitur me detaje eksperti serb i çeshtjeve të terrorizmit dhe krimit të organizuar, Darko Trifunovic. Nuk mund të spekulohet dot mbi vërtetësinë e këtij informacioni, dhe duhet ta marrim me shumë rezervë, duke patur parasysh faktin se serbët janë ata që me krimet e tyre ndaj popullsisë së Bosnjës, Kroacisë dhe Kosovës tronditën opinionin publik mbarëbotëror dhe shokuan gjithë botën e qytëtëruar. Gjithashtu, serbët janë ata që kanë investuar masivisht për radikalizimin e myslimanëve në Kosovë, dhe pengimin e shqiptarëve të Kosovës për t’u rikthyer tek rrënjët e tyre të krishtera. Sidoqoftë, edhe aludimi i thjeshtë për ekzistencën e qendrave fundamentaliste në Kosovë, është diçka shumë shqetësuese. Eksperti serb në këtë investigim paraqet një skemë të detajuar sipas të cilës bëhet rekrutimi i elementëve islamikë radikalë në Kosovë. Këta fundamentalistë përdoren më vonë për të infiltruar shtete të ndryshme evropiane. Ai thotë se terroristi islamik shqiptar Arid Uka, i cili vrau dy ushtarët amerikanë, është pjesëtar i rrjetit të së ashtuquajturës “Al Kaeda e Bardhë” e cila sipas tij, ka si qëllim rekrutimin e anëtarëve të saj në Ballkan. Termi “Al Kaeda e Bardhë” i referohet terroristëve islamikë si Arid Uka të cilët si rracë kanë tipare evropiane, dhe kjo ua bën më të lehtë infitrimin në vendet përëndimore, ku krijojnë grupe terroriste të fshehta joaktive, por që presin sinjalizimin për t’u hedhur në veprim. Ky lajm u botua fillimisht nga organizata RIMSE (Monitorimi i Islamit Radikal në Evropën Juglindore). Investigimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:  

Klikoni Këtu

 

Faktet dhe ngjarjet e paraqitura më sipër duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre. Kosova ndodhet në një udhëkryq me rëndësi jetike për të ardhmen e saj. Është e pashpjegueshme apatia që e ka mbërthyer popullin e Kosovës, ndaj këtyre fenomeneve tepër të shëmtuara që po ndodhin në mes të trojeve shqiptare. Nëse opinioni publik kosovar nuk bashkohet për të ngritur zërin e tij dhe për të parandaluar në kohën e duhur qëndrime të tilla anti-shqiptare, nesër do të jetë tepër vonë. 



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: