Novruz Shehu: Ja se si u formua Partia Socialdemokrate Shqiptare në vitin 1943
| E Shtune, 18.06.2011, 06:25 PM |

Musine Kokalari
Musine Kokalari
Ja se si u formua Partia Socialdemokrate Shqiptare në vitin 1943

 

Nga Novruz Shehu

 

Me një grup personalitetesh të shquar, Musine Kokalari krijoi Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë, në vitin 1943, në Tiranë si dhe botoi gazetën e kësaj partie "Zëri i lirisë".

 

Në krye të katër forcave opozitare që përbënin Bashkimin Demokrat u dërgoi një notë forcave aleate në Tiranë (ametrikane dhe angleze), ku kërkon shtyrjen e zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 1945, për përfshirjen në parlamentin shqiptar të forcave opozitare. Për këtë në vitin 1946 arrestohet dhe dënohet, duke kryer burg deri në vitin 1961 dhe internim e izolim deri në datën e vdekjes, më 13 gusht 1983, në Rrëshen.

 

Në vitin 1972 shkroi "Si u formua Partia Socialdemokrate", vepër të cilën ia dha në dorëshkrim nipit të saj, Platon Kokalari. Platoni është i vetmi person që ka pasur komunikim me të nga viti 1980 deri në vdekje dhe që ka ekskluzivitetin e një sërë materialeve të saj të rëndësishme për botim.

 

Patëm nderin të na jepej prej tij vepra e Musine Kokalarit "Si u formua Partia Socialdemokrate". Në këtë vepër rrezatohen anë të panjohura të realitetit të viteve të Luftës së Dytë Botërore.

 

Po botojmë disa fragmente të kësaj vepre, e cila do të përmblidhet në botimin e plotë të veprave të Musinesë. Falenderojmë për kontributin dhe për premtimin e vënies në dispozicion të veprave të tjera të panjohura, që zoti Platon disponon, duke kryer kështu një amanet të Musine Kokalarit.

 

PROGRAMI

 

Gazeta: "Zëri i lirisë"  1 Kallnuer 1944

 

Programi i Partisë Social Demokrate

 

I. PSD ka për qëllim kryesor të sigurojë drejtësi shoqërore dhe liri politike.

 

II. PSD është evolucioniste përsa i përket kolektivizmës ekonomike.

 

III. PSD ka për qëllim kryesor t?i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhdukë shfrytëzimin, spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu do t?i sigurojë proletariatit bukën, banimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t?ja bërë jetën të këndshme. Reforma agrare, do të jetë etapa e parë ndaj ndarjes së tokës. Partia do të përpiqet të verë në zbatim një sistem sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore.

 

IV. Liria politike konsiston në sigurimin e të drejtës që jep çdo shtetari të ketë lirinë e fjalës, të mendimit, të shtypit, të inisiativës private dhe të votës (opozita parlamentare). Partia do të mundohet, që të krijojë premisa të tilla që të kontribuojë në edukimin e të gjitha klasave të popullit shqiptar demokratikisht dhe përgatitjen e tij për regjimin e ardhshëm ku do të mbretërojë drejtësia shoqërore dhe liria politike. Liria politike në drejtësinë shoqërore gjen shkakun e parë të kufizimit të saj.

 

V. Përsa i përket marrëdhënieve me kombet e huaja, partia do të frymëzohet jo prej një nacionalizmi të ngushtë egoistik, po prej një patriotizmi të thjeshtë që pajtohet me ndjenjat e respektit e të simpatisë për atdhetarët e kombeve të huaj dhe do të përkrahë zhvillimin e idesë për realizimin sa më parë të një konfederate ballkanike.

 

VI. Partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për indipendencën e një Shqipërie të unjisur brenda kufijve të saj etnikë.

 

Viti 1924 qe ballafaqimi i forcave demokratike me ato feudale: progresive dhe regresive. Iluminizmi i progresit shoqëror, arriti vetëm të konkretizohet në një program të shoqërisë "Bashkimi", atëherë kur Shqipëria u formua si shtet me një administratë dhe triumf i nacionalizmit demokratik i bashkoi forcat vendase mbi ndarjen fetare.

 

Dështimi i republikës si qeveri ishte mospjekuria në shkallën e duhur dhe mospërcaktimi seriozisht i reformave shoqërore që forcat përparimtare nuk e kishin të përpunuar krejtësisht në një rrugë të përbashkët, gjë që u pasqyrua dhe në përpjekjet ushtarake, të cilat nuk kishin shpirtin dhe udhëheqjen e një partie. Mungonte programi dhe organizimi ushtarak në shkallë kombëtare, po udhëhiqeshin e vareshin nga një njeri që kishin besim në të.

 

Por megjithatë, idetë demokratike nuk u zhdukën dhe në qoftë se ato u shpërndanë dhe ajo u arrit me ndihmën forcave të jashtme që i dhanë ndihmë Zogut.

 

Dhe s?kishte se si idetë demokratike të ishin konsoliduar dhe arritur shkallën duhur, se koha qe e shkurtër, gjendja që nga 1912 gjer më 1924 kishte kaluar faza dhe situata të vështira.

 

Pavarësia e vendit ishte fitore e forcave demokratike luftarake në bashkëpunim me forcat ekonomike feudale dhe për këtë revolucioni ishte mundur nga paformimi në shkallën duhur të forcave progresive.

 

Ato kishin mundur të triumfonin, mbi dallimet fetare, hodhën themelet e kulturës shqiptare, po në dualitetin politik nuk ishte lidhur sa duhet me fshatarësinë dhe klasën e vogël punëtore.

 

Po pasardhësit e Rilindjes dhe në mos suksesin si parti, mbetën gjithmonë, gjer në fund, besnikë të idealeve antifeudale, laike në kulturë e në marrdhënie shoqërore, për progresin shoqëror, për liri politike dhe barazi shoqërore e reformim ekonomik.

 

Tradicionalizmi demokratik, që në çdo rast dha shfaqje të individëve të veçantë përparimtarë, përmbante dhe dëshironte vdekjen e tradicionalizmit popullor, duke eliminuar kështu synimet e shtresës së veçantë sunduese.

 

Vërtet në fazën fillestare, plagët shoqërore, prapambetja, papunësia, ishin gjithmonë në epiqendër të mendimit demokratik, sidoqë nuk arriti shkallën më të lartë të acarimeve.

 

Jetën e vendit e karakterizonte lëvizja demokratike për rend demoraktik, për zgjidhjen e çështjes agrare, për tokën e atyre që e punonin, saktësimin e taksave dhe një përpjekje shoqërore si një valë spontane ishte në lëvizje nga vetë fshatarët dhe punëtorët.

 

Duke qenë një konceptim reformist, ajo në vetvete ishte e lëkundur, gjë që u pasqyrua dhe në politikën eFan Nolit, në ndarjen politike dhe pajtimit të klasave sido që atëherë në ballkan kishte qveri më demokratike për karakterin antifeudal dhe antiimperialist dhe porsa i përket fuqive të mëdha, hodhën poshtë nënshkrimin e paktit me Italinë dhe u lëkund ballë Anglisë dhe Amerikës.

 

Megjithë shpalljen e monarkisë, në vitet 1930 lëvizja demokratike antizogiste kaloi brenda vendit. Forcat demokratike nuk mundën të krijonin një organizatë unike, në shkallë kombëtare, që të vihej në krye të lëvizjes.

 

Në lëvizjen antizogiste morën pjesë klasa e shtresa të ndryshme, të pakënaqura nga regjimi në fuqi. Ajo trajtohej:

 

1) Kundra dyerve të hapura,

 

2) Kundra arbitraritetit çifligar,

 

3) Për europianizimin e vendit,

 

4) Forcimi akoma më shumë i frymës së lartë në arsim e kulturë.

 

Kjo lëvizje antifeudale, antimonarkiste ishte spontane. Përcaktohej nga kushtet ekonomike, shoqërore e politike të vendit dhe kundra rrezikut ekspansionist italian që rrezikonte vendin. Këtë rrezik e kundërshtonin edhe elementët jashtë vendit që nuk rrinin me duar lidhur.

 

Organizata e fshehtë e Vlorës (1931-1932) ishte organizatë e bashkimit kombëtar me elementë të brendshëm, lidhur me atë të jashtëm për përmbysjen e Pushtetit dhe vendosjen e Republikës. Në këtë komplot mori pjesë dhe im vëlla, Vesimi, i cili ishte lidhur me të emigruarit që ishin në Greqi dhe me elementët më të përparuar brenda vendit. Ajo u zbulua. Gjithë pjesëtarët u arrestuan, dhe të gjithë i kam njohur jo vetëm në hekurat e burgut, por edhe më parë. Dr. Seit Golemi ishte një demokrat i ardhur në Shqipëri, martuar me një grua franceze dhe kishte një vajzë. Banonte në rrugën e Kavajës dhe unë sido që isha e vogël, shkoja atje dhe e adhuroja këtë mik të vëllezërve të mi. Dëgjoja bisedimet, debatet e tyre, veçanërisht rreth kulturës. Jashtë kam njohur Tare Libohovën, këtë burrë me një trup madhështor e zeshkan gjithmonë entuziast dhe merrte pjesë në aktivizimin e gruas shqiptare në Gjirokastër, që mësonte për sixhade dhe merrej me qëndisjen në makinë. Njoha familjarisht Skënder Hajron dhe Topullin e gjithë të tjerët pastaj si Skënder Muçon, Hysni Lepenicën, inxhinier Baçin, që kish vetëm dy javë martuar. Të gjithë këta, kur veja për takim, na dilnin te hekurat e burgut. Mua më binin lotë dhe më merrnin me të mirë.

 

Dr. Golemi u largua nga Shqipëri me urdhër të Zogut. Sido që ishte me pozitë në Turqi, i shkruante vëllait që e ndjej veten të huaj dhe nuk do të kisha dëshirë tjetër, veçse të isha në vendin tim.

 

Dr. Tare Libohova shkoi vetë në Turqi. Të tjerët më ra rasti t?i takoj kur isha rritur dhe ata bërë burra në moshë. Ishte Av. Skënder Muço me të cilin e formuam Partinë Social Demokrate. Ky avokat i zoti kishte të gjitha tiparet e demokratit iluminist dhe thjeshtësinë në marrëdhëniet shoqërore. Ai mbaroi me një plumb nga ana e gjermanëve, pasi ish takuar me anglezët. Ashtu mbaroi jeta e këtij njeriu simpatik në mendimet e tij të lira dhe në aspiratat e tij demokratike.

 

Që nga 1930 gjer në pushtimin italian, forcat demokratike shkonin përpara, lëviznin, por dhe lëvizja revolucionare në gjirin e grupeve të ndryshme ilegale po grumbullonte elemente që midis tyre kishin divergjenca.

 

Pushtimi italian nxori kërkesa imediate, për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht pati ndeshje mendimesh dhe interpretimesh në zbatimin e luftës kundër okupatorit.

 

Për të arritur në këtë fazë çlirimtare, që nga 1932 gjer më 1939, përpjekjet e brendshme nuk rreshtën. Kryengritja e Fierit zgjati më 1935. Me këtë rast familja jonë pati pasoja të këqia. Arrestuan babanë tim, Reshat Kokalari, i cili në të vërtetë nuk ishte përzier, por një ditë më parë erdhi në shtëpinë tonë djali i xhaxhait, Salim Kokalari, i cili e vuri në dijeni (ne atëherë ishim në Gjirokastër). Atë e panë që erdhi dhe në rrugë e sipër, në të kthyer në Durrës, e arrestuan1.

 

1. Për organizatën e Vlorës u fol se ishte Idriz Jaho që tradhëtoi dhe lajmëroi Musa Jukën. Ai bëri arrestime. (Shënimet janë të Musine Kokalarit).

 

Dënimi i tyre u dha i rëndë, babait i lehtë, pasi vetë nipi tregoi të vërtetën e mosdijes së tij. Në këtë kryengritje që u bë para kohe, qenë përzier si bejlerët me Nuredin bej Vlorën, por ndërhyri një ish e fejuara e tij e huaj pranë Zogut dhe ai e liroi shumë shpejt, si demokratë, ushtarak patriot e komunist. Zogu në këtë rast pushkatoi një numër xhandarësh që ishin përzier dhe atyre që u rëndonte, u dha dënime të ndryshme. Si u fol atëherë? Si ndodhi që u zbulua?

 

Në burgun e Tiranës ndodhej Mustafa Gjinishi, i njohur si komunist. Ndodhej gjithashtu edhe një jugosllav. Gjithashtu dhe ai komunist. Mustafa Gjinishi kishte dijeni për organizatën e Fierit. Këtë të fshehtë ia kishte treguar një shokut jogusllav. Një mik i Mustafa Gjinishit shkonte në burg, e takonte dhe shpesh ai dilte me shokun jugosllav. Mirëpo një herë ky miku shkon në spitalin e Tiranës ku qe shtruar një i afërm i tij dhe në krah të asaj ode qe shtruar jugosllavi i sëmurë Mirëpo ai me sytë e tij pa dhe se i thanë dhe të afërmit e tij, që hynin e dilnin njerëz të Ministrisë së Punëve të brendshme me pula të pjekura, me byreqe e gjithë të mirat. Ai e kuptoi që jugosllavi qe i lidhur me Musa Jukën. Lajmëroi menjëherë Mustafa Gjinishin dhe dy shokët, (kështu u fol). Dhe kjo organizatë la mbresa të thella, pa kënaqësi dhe keqardhje për xhandarët e pushkatuar.

 

Neoshqiptarizmi i Branko Merxhanit, Iliria e Asim Jakovës dhe diktatoria e ndritur e vëllezërve Toto, ishte atëherë një problem që rrihej në shtyp. Ardhja në fuqi e qeverisë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, i cili njihej si bej demokrat dhe deklaroi se do ta bënte Zogun të dilte me bastun pazarit, nuk pati jetë të gjatë më 1936. Dojç ? kulturë si Bushati, ministër i arsimit dhe E. Çabej si sekretar i parë gjë që e revoltoi Sotir Kolenë, pa marrë një pozitë, mbaruan me premtimet e bëra në popull.

 

Erdhi në fuqi prapë Musa Juka dhe shokët e tij. Kur u përhap lajmi, unë isha në librarinë Venus ku punoja jashtë kohës së shkollës me tim vëlla. Na ra si bombë. Një heshtje prej varri mbretëronte në rrugë. Fytyrat e njerëzve ishin të ngrysura dhe nuk më harrohen kurrë.

 

Viti 1937.

 

Viti i fundit i shkollës së mesme, në institutin "Nana Mbretëreshë". Për herë të parë në këtë vit u hap një degë prej pesë vitesh si gjimnaziste në klasën tonë, me ndryshim me disa lëndë.

 

Ishte Vera Bogdo, Tefta Lepenica, Xhovana Kola, Qamurran Toptani dhe unë. Kështu ne patëm rastin të diplomoheshim me të drejtë që të hynim në Universitet.

 

E para për avokate në Romë, edyta Tefta për farmaciste në Zagreb, e treta Xhovana Kola për shkencat natyrore më duket në Francë, e katërta Qamurran Toptani për doktoreshë në Romë dhe e pesta unë, për letërsi, në Romë. Shoqet e tjera, Agllia Harito, Gliqeria Koço, Gjylsime Dervishi ndoqën studimet në mazhisteri, d.m.th në pedagogjiken e lartë. Klasa jonë, më e vogla në numër, ka pasur numrin më të madh të universitareve më të shumta.

 

Në maj më duket, më 15, klasa jonë për të festuar mbarimin e shkollës, shkoi e shoqëruar nga profesorët Hysni Babameto, Ahmet Gashi e të tjerë ,në qytetin e lashtë të Krujës së Skënderbeut. Vizituam kështjellën, pazarin. Shkuam në teqe. Ne që ishim gjirokastrite ishim tepër të shkathëta në të ngjitur të përpjetët, se ishim mësuar me qytetin tonë të gurtë. Mbasdite, kur u kthye dita, hipëm në kamion dhe morëm rrugën e kthimit për në shtëpi. Nga mesi i rrugës, pamë oficerë që ndalonin makina, zbrisnin njerëz, ndalonin fshatarë dhe u merrnin kafshët. Sigurisht, ndaluan dhe makinën tonë. Deshën të na zbritnin, por profesorët, me këmbëngulje të madhe, thanë që ne, vajzat e shkollës, nuk mund t?i lëmë në mes të rrugës, për çdo arsye qoftë.

 

Këta treguan se qe bërë kryengritja e Delvinës dhe mjetet drejtoheshin për në Vlorë. Megjithatë u bindën oficerët dhe klasa jonë mundi të kthehej në Tiranë me makinë, duke prurë dhe një lajm të ri të papritur dhe të paditur: për kryengritjen e Delvinës.

 

Ajo u shtyp. Një vëlla i Ehtemit u vra në Sevaster, Ethemi vrau veten i rrethuar, Ismeti u var në kalanë e Gjirokastrës. Xhaxhai i tyre, kur mori vesh tragjedinë, vrau veten nga dëshpërimi. Gratë që ishin motra mbenë me një tufë fëmijë dhe Selaudini ishte i vetmi vëlla që mbeti gjallë.

 

Kështu diktatura e ndritur u mbyll me këtë kryengritje.

 

Penda e Nebil Çikës dhe e Vangjel Koçës vazhdoi me italianët. Për këtë të fundit u habitëm që u lidh me ta. Me Nebil Çikën njerëzia qenë mësuar. Motra e tij ishte gjithashtu gazetare, Ikbali.

 

Ernest Koliqi, që na mbajti një fjalim në Romë, e quajti veten të ngarkuar nga Nalt Madhëria e tij Zogu të kujdesej për rininë studenteske universitare dhe i kish dhënë fjalën se do ta kryente me nder këtë mision të lartë patriotik. Mirëpo, me pushtimin e Shqipërisë nga italia doli i lidhur me ta U bë ministër i Kulturës, u martua me një mësuese të thjeshtë 18-vjeçare (ai rreth të dyzetave) duke bërë bujë kështu për dashurinë e tij dhe modestinë që tregoi. Më në fund erdhi në Romë dhe u bë profesor në universitetin e letërsisë, në gjuhën shqipe. Pana e tij e jashtme ngjallte respekt, zhvillonte studimin e bërë rreth ciklit të Gjeto Basho Mujit dhe, të them të drejtën, ai frekuentohej nga shumë studentë italianë, pasi e tërhiqte oratoria e tij, gjuha italishte e folur bukur si dhe kultura e gjerë që kishte.

 

Ai me familjen e tij u vendos në Romë dhe atje mbeti. Gjithmonë tregonte kujdes për studentët, pa fjalë të mëdha, duke u kufizuar gjithmonë te kultura. Si duket nuk e kish harruar se na kish folur për Zogun dhe e quajti veten të zgjuar të mos fliste as mirë as keq për italianët përpara nesh që e kishim dëgjuar si përfaqësues te mbretit. Unë vazhdova studimet në Romë për katër vjet në Fakultetin e Letërsisë moderne. Katër vjet vështirësi e boshllëqe të trashëguara nga shkolla e mesme e jonë që kishte mangësi të mëdha.

 

Unë u laurova më Nëntor të 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe, që përfaqësohej nga arbëreshi Zef Skiroi dhe Naim Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime të vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin për ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, të barazisë, të demokracisë.

 

Këta ishin të shtrenjtë për ne, nuk mund të kuptonim Shqipërinë pa mendimet, veprat dhe idealet e tyre dhe për këtë trashëgimi kishim një adhurim dhe për djalin e Abdyl Frashërit që ishte Mitat beu, ose Lumo Skëndoja, si mbante emrin dhe libraria e tij. Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit. Plak i mbajtur mirë, me flokë të bardha, veshur me elegancë, me papion në vend të kravatës Megjithëse i merrej goja ne e dëgjonim me kënaqësi. Libraria e tij qe vendi ku Zogu vihej në lojë. Urrejtja e tij për të ishte një ushqim që ne i jepnim të gjithë dhe me përçmim, siç bënte Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci, që na rrethonin me dashurinë dhe interesimin e tyre të përditshëm dhe të përhershëm. Këta simbolizonin Shqipërinë demokratike të lirisë së fjalës, të diturisë që të hynte në popull dhe të vegjëlisë dhe te një e ardhme më e mirë, më e lumtur, pa varfëri.

 

Unë e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithçka që po rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur në botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformizmin e parlamentarizmin që na e ushqeu Sami Frashëri që në bankat e shkollës.

 

Pse ndodhnin gjithë këto prapaskena që dështonin dhe hanin grushta të herëpashershme? Pse nuk mbroheshin hapur se nuk lejonte Zogu parti politike, as Italia që e kishte pushtuar vendin më vonë? Që nga dhjetori 1924 gjer më 7 prill 1939 të gjitha tentativat për të rrëzuar Zogun nuk u arritën. Dhe në atentatin që i bëri Azis Çami në Vjenë, ai shpëtoi gjallë dhe u vra vetëm Llesh Topallai.

 

Rinia, në përgjithësi antizogiste, brezat e ardhme, gjatë gjithë kohës së vegjëlisë dhe rinisë u rritën me ideale për emancipimin e shoqërisë shqiptare, duke pasur gjithmonë rrezikun forcave të jashtme antishqiptare që synonin, si ato të gadishullit Ballkanik, zgjerim territorial dhe të Fuqive të Mëdha, ekspansion kolonial.

 

Idealet e Rilindjes ishin të gjalla, të shëndosha. Demokratët e shikonin dhe mbështeteshin tek ideja e zhvillimit, e evolucionit, hyrë në ndërgjegjen shoqërore, si një zhvillim gradual. Po krahas këtyre idealeve, Revolucioni i Tetorit pruri ideale të tjera revolucionare që hynin në Shqipëri dhe u formuan grupet komuniste jo me shtrirje në shkallë kombëtare, por të kufizuara dhe me parime jo të qarta, as të njëllojta.

 

Pushtimi italian pra, nxori në plan të parë luftën. Gjithë ish të emigruarit në kohën e Zogut, të kthyer në vend, kishin dëshirën, që, në gjendjen e re, të bëhej e mundur dhe vendi me një luftë demokratike dhe të mbështetur në ndihmën e aleatëve, të arrinin në një Shqipëri demokratike konstitucionale që ishte dhe opinioni i gjithë demorkatëve të vendit. Kurse grupet komuniste arritën në një marrëveshje midis tyre dhe formuan Partinë Komuniste Shqiptare, për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis. Kështu, fati tragjik i demokratit u gjend në udhëkryq. Dakord me luftën po e shikonin që fronti ishte një forcë unike udhëheqëse dhe drejtuese që kishte Partinë Komuniste që drejtonte dhe synonte në marrjen e pushtetit.

 

Propaganda pansllaviste dhe elementë jugosllavë që ndodheshin në radhët e tyre gjithmonë kishin parandjenjën e një rreziku dhe kurthi nga ana e të huajve.

 

Të gjithë e donin luftën, po e shikonin se Partia Komuniste, e dalë nga elementët që kapërcyen kufijtë e grupeve dhe që bënin luftën me epërsinë e saj, i vinin elementët demokratë të shkonin pas qerres, nën urdhrat e tyre, dhe s?kishin asnjë gjë tjetër në dorë, pasi vetë ata ishin inkuadruar, pa një ide të qartë mbi lëvizjen e të ardhmen dhe nuk kishin një objektiv të caktuar dhe as që i linin të formoheshin duke vënë përpara parrullën nacionalçlirimtare si detyrë më imediate.

 

Megjithë vlerësimin që i bënin luftës, kuptonin që ishin vetëm sa për të kapërcyer atë fazë të domosdoshme gjer në çlirim.

 

Elementi nacionalist përfshihej, si të thuash, në Ballin Kombëtar, organizatë heterogjene, pa ndonjë formë organizative të përcaktuar, me një program të gjerë demokratik që, përpara rrezikut komunist nguronte dhe shihte rrezikun në të ardhmen e Shqiëprisë parlamentariste. Ky grumbull elementesh, me tendenca të ndryshme emërtohej me nacionalizëm të thjeshtësuar, pa një përcaktim shoqëror qoftë reformist.

 

Në Komitetin Qëndror, që flitej se ishte formuar, qëndronte figura e Lumo Skëndos, i biri i Abdyl Frashërit, që përfaqësonte atë trashëgimi taktike si në luftën me hope, se për Shqipërinë demokratike frymëzonte manifesti politik i Sami Frashërit.

 

Respekti për Lumo Skëndon ishte i pakufishëm. Ishte figurë e njohur. Dekallogu i ballit ishte demokratik. Pengesat e luftës paraqiteshin nga goditjet komuniste, kurse pala tjetër ishin ato për oportunitetin me okupatorin. Qe krijuar një psikozë e gjerë dhe një dëshirë e madhe bashkimi midis dy organizatave.

 

Më kujtohet një herë të vetme që pata rast të bisedoja drejtpërdrejt me Lumo Skëndon në librarinë e tij.

 

Akoma nuk qe hedhur në ilegalitet.

 

Ai u ankua se në Shqipëri kishin hyrë agjentë jugosllavë e do merrnin kalanë nga brenda.

 

- Komunistët e mbajnë me premtime fshatarësinë dhe punëtorët e thjeshtë, Musine, - më tha. ? Këtu jemi përpara një rreziku të jashtëm që gjithçka do të shkojë në dobi të të tjerëve, gjithë ky gjak. Unë jam kundër komunistëve që mbrojnë idetë e tyre, po flas për komunistët shqiptarë dhe ja (më dëftoi një të ri). Ai është komunist, po e shikon me tjetër sy. Ai më parë mendon për mëmëdhenë dhe nuk është aspak dakord me këta që udhëheqin dhe nuk dihet se kush fshihet pas tyre.

 

- I nderuari Mitat Bej, - i thashë unë, - ju diskutoni një çështje thjesht nacionale.

 

- Po kjo është sot për sot kryesorja, - më tha. ? Vërtet në qoftë se luftohet ose të presim momentin e goditjes për të mos u dëmtuar shumë është një çështje nacionale. Mirëpo komunistët, bashkë me nacionalizmin, japin premtimin se çdo fitojnë nesër kur të çlirohet Shqipëria. Se mos do t?i mbajnë premtimet, - më tha.

 

- Atë do ta dëftojë koha u përgjegja unë. Po vetëm fjala nacionalizëm nuk e mbush zemrën e fshatarit dhe të punëtorit, qoftë dhe me shpresë të rrema.

 

Fjala nacionalizëm, e zhveshur i përket të kaluarës, kurse e ardhmja kërkon ndryshimet shoqërore ekonomike që duhen gërshetuar me fjalën nacionalizëm.

 

- Kur të çlirohet Shqipëria, - më tha, - unë vetë do të vishem me opinga dhe do të shkojë fshat më fshat për të shpëtuar fshatarin nga varfëria dhe padituria.

 

- Mirë po, këtë duhet ta thoni sot bashkë me luftën, me dyfekun dhe me pendën që të të ndjekë nga prapa për atë që ke në zemër.

 

- Rreziku komunist është më kryesor, - më tha ai. ? Unë vetë, ti e di që s?kam kurrgjë se humbas si pasuri se s?kam kurrgjë, veç librarisë, që sheh dhe atë personale që do ta lë trashëgim pas vdekjes, shtetit dhe brezave të ardhshme. Po diktatura e kuqe është mizore dhe derdh lumenj gjaku. Ndodhemi përpara një kasaphane.

 

- Po as unë s?jam komuniste dhe as që e kuptoj atë, si çdo gjë dhe vetë s?kam se ç?të humbas si pasuri veç se botëkuptimin e mësonjësve t?onë të nderuar, të sakrifikuar që na kanë rritur. Këtu është tragjedia t?onë e demokratit që e pret diçka që ai nuk e kupton dhe arrin ta marri vesh dhe ndodhet përpara një udhëkryqi. Po një gjë është e qartë, ata luftojnë dhe organizohen. Japin prova dhe sakrifikohen.

 

- Dhe ne nuk duhet ti lëmë ata të kenë supremacinë, - tha Mitat beu.

 

- Atë e fitojnë duke luftuar, s?ja u ndalon do t. Ju i rihni çështjet dhe qëndroni në vend. Ata organizohen dhe vrasin italianët .

 

Kështu u ndamë. Unë s?pata më rast ta takoja më gjer në fund. Po dëshira e flaktë e të gjithëve ishte bashkimi.

 

Kurse unë e shikoja jo në prizmin e një bashkimi të Ballit Kombëtar me Frontin Nacionalçlirimtar, mbi një bazë aleance demokratike dhe mbi këtë bazë kur rashë në kontakt me Nexhmije Xhuglinin (Hoxha më vonë) dhe parashtrova intensifikimin e luftës kundër okupatorit unë ja parashtrova që të hynim në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar, jo si individë të veçantë, po si një grup demokratik ose më mirë si parti (Social Demokrate që të përfaqësonte rrugën e mesme që të lidhte me të forcat e pa kristalizuara, duke u radhitur me të në alenacë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar). Ajo nuk e pranoi këtë tezë dhe tha se sot nuk është koha e formimit të partive të tjera, po e organizimit të luftës kundër okupatorit.

 

- Ç?të keqe ka këtu? ? i thashë unë. ? Ju jeni komunistë dhe midis jush i rihni dhe problemet shoqërore mbi parimet t?uaja, ne jemi demokratë dhe rahim midis nesh problemet shoqërore dhe njëkohësisht i japim rëndësi në radhë të parë luftës kundër okupatorit.

 

Këto mbledhje qenë bërë në shtëpinë e mësueses Razie Hallullit, ajo vetë ishte pjestare, ishte edhe Mefarete Frashëri, Afërdita Asllani si dhe Gjokoroce. Këto tre të parat më përkrahnin, e fundit mbante heshtje. Në atë periudhë pune të përbashkët, nxuarmë numrin e parë të revistës GRUAJA SHQIPTARE. Unë bëra hyrjen, shkrova një tregim "HIEJA E DJALIT", po këmbëngulja e Nexhmijes vazhdoi. Ajo dëshironte që ne të urdhëroheshim prej saj, të vepronim sipas urdhrave të saj dhe asgjë tjetër. Ky mos kuptim dhe mos dashje pruri largimin t?im së fundi nga gjiri i Frontit Nacionalçlirimtar ku tentova që të hynim si një grup, në fillim dhe të formonim Partinë Social-Demokrate bashkë me luftën kundër okupatorit.

 

Në këtë kohë rastësisht u takova me avokat Skënder Muçon që e kisha njohur në hekurat e burgut, në vitin 1932.

 

Njoha Isuf Luzin, profesor të letërsisë dhe Selman Rizën, gjuhëtar i zoti. Që të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e luftës, aqë më tepër se në rrethin e Vlorës, ku kishin çetat e tyre kishte hyrë grindje dhe sipas fjalës së tyre, komunistët i qëllonin që t?i shpartallonin. Ata, me gjithë respektin që kishin për Lumo Skëndon, shikonin plogështinë e udhëheqjes, kërkonin sa më shumë organizim dhe bashkim, gjë që në rrethin e Vlorës autoriteti i Hysni Lepenicës qe një balancim midis mosmarrëveshjeve të tyre ose çfaqjeve të ambicieve. Përpara tij tërhiqeshin. E respektonin shumë dhe ai njihej për njeri modest e atdhetar që u vra në Grehot, nga armët italianëve, të cilët e qëlluan dhe e vranë. Me këta njerëz e shtrova prapë mbi një koalicjon demokratik. Duke u mbështetur te Dekallogu, thashë që të formohej Partia Social-Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh më tepër unë me Isuf Luzin përpiluam programin e Partisë dhe moralisht njohëm Skënderin si udhëheqës që të miresh më tej. Unë shkova të bisedoja me Mitat benë po nuk e gjeta, po fola me Hasan Dostin, që ishte zëvendësi i tij. Ky njeri i ditur, modest dhe i butë, s?kish asnjë inisiativë, vetëm atë njeri që ishte dakort se ç?thoshte Mitat beu, vetë nuk lidhte do t as dy fjalë.

 

Ja parashtrova krijimin e Partisë Social-Demokrate. Ai u përgjigj se Mitat beu nuk ishte dakort dhe nuk e aprovonte. U përgjegja se ne nuk kishim nevojë për aprovimin e tij, pasi atë e përfshinte Dekallogu. Ne botuam një trakt dhe lajmëruam formimin e saj. U bë vetëm një mbledhje. Atë e organizoi Skënder Muçua. U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Për fat të keq, nuk e mbaj mënd emrin e të zotit, i cili ishte antar i frontit. Ishin mbledhur rreth 60 burra. Veç të zotit të shtëpisë ishte dhe Qiriako Harito, antar frontit, njeri aktiv për ta. Fjalën e rastit e mbajti Skënderi. Foli për situatën, për luftrat që kishin bërë në rrethin e Vlorës, për bashkimin që duhej në popull, për përpjekjet për t?u marrë vesh me Frontin, në një luftë më intensive si dhe formimin e Partisë Social-Demokrate (ne katër ishim grupin e parë). Si mbaroi fjalën, u ngarkova unë dhe lexova programin. Erdhi momenti delikat. I zoti i shtëpisë tha: "Ne jemi në front, punojmë, sakrifikohemi, po na duan sa për të shkuar radhën". E çfaqi pakënaqësinë e tij të vërtetë. Skënder Muçua u nxitua. U drejtohet atyre të dyve: "A do të hyni dhe ju në Partinë Social-Demokrate?" Qirako Haritua mbeti në pozitë të keqe. Mendohesh të gjente një përgjigje. Shoku i tij po thellohej e nuk nxitohej. Gjithë ata burra, në përgjithësi, nuk thanë asnjë fjalë. Atëherë unë e mora vetë fjalën dhe iu drejtova vetëm Skënderit: "Sot është hera e parë që mblidhemi. Ne që komunikuam duhet të bëjmë punën tonë kryesore të organizimit. Të bëjmë luftën, të japim prova dhe pastaj këta njerëz, të cilëve iu drejtove të vendosin për hapin e tyre". Unë nuk doja përçarje dhe as që cenohej Fronti N/Çlirimtar. Duhej të mbetej gjithmonë rruga drejt bashkimit, afrimit, në rast nevoje dhe aprovimi të hynim si Parti S. Demokrate.

 

Qiriako Harito e mori veten, gjithashtu dhe shoku tjetër. Mendimin t?im e aprovuan dhe anuan që sa më parë të arrinin në qëllimin e caktuar. Ata do të mbeteshin gjithmonë një element, në favor të luftës, të bashkimit dhe të demokracisë.

 

Po për fat të keq dhe kjo tentativë shkoi kot. Mitat beu tregoi pakënaqësinë e vet dhe ndikoi për keq në marrëdhëniet midis Skënderit dhe Isuf Luzit, që ishin në grindje e në ambicie. Selmani ishte tip i heshtur. As ndizte, as shuante. Unë u zëmërova se pashë me një herë se krerët e ballit nuk frymëzoheshin nga demokracia, po donte të shkonte përpara, duke ruajtur vetëm prestigjin e Lumo Skëndos, që të mbizotëronte në sajë të emrit të babajt. Rruga tragjike dhe pozita demokratike ishte gjithmonë, sa në krahun komunist në shënjestër po as dhe aq nga elementi udhëheqës i Ballit, që donte të mbahej në këmbë me influencat personale. Moment tragjik. Ata bënë çmos të kundërshtonin. Atëherë mua më hypi një inat i madh e shkova drejt tek Nexhat Peshkëpia, profesor dhe sekretar i Ballit në Tiranë dhe pasi plotësova numrin e parë të gazetës "Zëri i lirisë" i thashë ose botojeni, ose ne do të lidhemi, të gjithë sa jemi, me komunistët.

 

- Musine, - më tha ai, - kjo nuk është e drejtë. Ju organizoheni dhe kërkoni të mbani të fshehta forcat t?uaja. Juve ju kanë nxitur komunistët që të shkaktoni përçarje në radhët e Ballit.

 

- Do ta botoni gazetën e do ta dërgoni atje ku dërgoni dhe shtypin e Ballit, - i thashë. ? Të lutem mos na pengoni. Ne nuk duam përçarje dhe gaboni krejtësisht. Të lutem mos na pengoni. Në vend që të luftojmë ju hiqni dhe bazat më të thjeshta të demokracisë, me të cilën mburret Balli se i ka.

 

Nexhati, si dhe të tjerët, besonin se ne ishim lidhur me njeri-tjetrin mes një vargan njerëz që ata s?e dinin. Dhe vërtet, ose dyshonin se ishin komunistët që na shtynin ose na mbushesh mëndja se do të hidheshim me komunistët. Nexhati u detyrua të botojë gazetën "Zëri i lirisë" dhe ta shpërndajnë. Atëherë ata Skënderin e bënë redaktor të gazetës që nxirrte Balli. Unë merja material andej këndej. Ndihmonte dhe Isuf Luzi dhe e vetme munda të nxirja vetëm gjashtë numra. Asnjëri nuk e dinte sa ishim, se kush ishim dhe kush e nxirrte gazetën. Vetëm unë ngula këmbë. Besoja në fitoren e saj? Jo, dhe ne të katër që e themeluam nuk u takuam më herë bashkë. Unë i nxora ato gjashtë numra vetëm me një qëllim: Qe përshkruar një rrugë, një program partie. Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshim në atë rrugë dhe të vazhdonte.

 

Ç?ndodhi brenda kësaj periudhe që erdhën dhe gjermanët?

 

Bashkimi i Mukajt u prit me gëzim nga të gjithë. U bë bashkim. Prishja e saj qe një keqardhje e të gjithëve. Komunistët hapën fjalë se Ballistët nuk donin të luftonin. Mirpo u kap korrieri, me vendimin e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste që dënonte qëndrimin dhe vendimin e Ymer Dishnicës dhe të shokut të tij. Udhëzohej që të shkruhej dhe të forcohej dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe shumë gjëra të tjera. Këtë e botuan dhe u pa se ishte fronti ose më mirë Komunistët që e prishën bashkimin e Mukajt, po jo se Ballistët nuk deshën të luftonin. Ishte një moment që e cilësoi se qëllimi ishte se komunistët donin të merrnin fuqinë. Në këtë kohë shumë elementë u shkëputën nga fronti dhe sidomos ikja e Xhelal Staraveckës pruri shumë dëme. Ai i njihte komunistët dhe bazat e tyre. U bënë shumë vrasje. Një grup të rinjsh ikën në Berat dhe forca gjermane intensifikohej më keq. Vrau Skënder Muçon në Vlorë, që u takua me englezët. Balli u paralizua. Bëri në Berat Kongresin dhe një pjesë të krerëve të tij, si Kolë Tromara, Bahri Omari, Koço Muka muarnë pjesë në qeveri. Unë nuk e nxora më gazetën. U mora vetëm me letërsi. Çdo përpjekje qe e kotë, nga të dy palët.

 

Katër Shkurti qe tronditës. 27 Shkurti një masakër prapë, qoftë me një numër më të vogël. Aksioni në rrugën e Dibrës qe i fortë. Atentati kundër Mustafa Krujës dështoi. Kundër Xhafer Devës dështoi. Iljaz Agushin thuhet që Bujar Hoxha, djali i mikut të tij, i vajti në shtëpi dhe e vrau. Lefter Kosova, ministër i Kulturës, më duket se, pasi që u formua kjo qeveri e Rexhep Mitrovicës, e vrau Xhelal Staravecka mu në derë të shtëpisë. Pastaj u bë largimi i 100 e ca vetave për në Prishtinë. Tirana dhe në rrugët e saj dukej si kazermë. Beqir Valteri, që e rrethonin mbi dhjetë veta prapa krahëve, gjëmonte me çapat e tija dhe nuk mjaftonin gjerësitë e rrugëve që të kalonte me madhështinë. Ish atentatori i Zogut, në hotel Dajti, siç e tregonin në një odë, kishte varur flamurin e Shteteve të Bashkuara, pasi do të formonte Konfederatën Ballkanike. Preng Previzi, mu te sheshi i Ministrive, vrau Selami Çelën, në mes të ditës. Vranë një oficer po tek ai shesh, demek se kishte përdhunuar një të të burgosur. Seit Matia vetë i pestë, i armatosur, tundej dhe shkundej nëpër rrugë dhe gjuante komunistët. Bazit të Canes, larguar nga fronti, i dënojnë rojen personale. Mehdi beu u kthye nga Italia dhe u bë kryetar i Regjencës. Gjon Markagjoni i binte pash më pash Tiranës. Gjon Fusha nuk tundej dhe më pak. Osman Gazepi, që kishte vënë grada sa i deshi qejfi, shëtiste në një krahë vajzën, në krahun tjetër mbesën dhe prapa trimat e tij. Mehmet Alemi bastiste shtëpitë. Muharem Bajraktari, Ali Alija herë vinin, herë shkonin. Man Kokoleshi gjithmonë i fuqishëm. Papalilua nuk mbetej prapa. Cen Elezi, një këmbë në qytet, një këmbë në mal. Të dhjetë djemtë ishin në vartësinë e lojrave të tija. Idriz Jazua po tmeronte Gjirokastrën. Haxhi Bankën kur mblodhi popullin në burg, hyjtën njerëz në burg dhe therrën të burgosur. U var Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Ali Peçi u bë i famshëm me aventurat e tij.

 

Risilianjtë që sundonin në Vlorë, niseshin për në kampet e Gjermanisë. Isa Manastërliu e kishte shtrirë pushtetin personal në Lushnë. Hamit Matjani, me të dy gratë, mbante në grusht Peqinin. Azis Biçaku kërcënonte Elbasanin. Hasan Isufi tmeronte Shkodrën. Xhem Gostivari nga Tropoja e poshtë. Në Dibër, Ukë Cami me bajraktarët e tjerë kishin të parë Fiqri Dinën. Masakrat e Isa Toskës që bëri në kohën e Italisë u errësuan. Vetëvrasja e Safet Butkës në rrethin e Korçës ishte tragjedi e pabesisht në ndëshkimin e tij, në këto situata të pëdëshirueshme.

 

Gjithë Shqipëria e pushtuar nga Gjeramanët. Shqipërinë e mbanin mendime që Mehdi Frashëri dërgoi djalin e dytë në Turqi që të merrej vesh, me një regjencë në krye të vëndit, Mehdi Beu, Kryetar, Pater Anton Arapi, Fuat beu, që pati fat dhe vdiq, Lef Nosi që e zëvendësoi si dhe Shkodrani që s?e mbaj mend, rrinin në zyra.

 

Shqipëria, ndënë Gjermanët ishte nënë sundimin e tyre dhe kërkonin pushtete personale mbaheshin të gjallë, vepronin dhe mbeteshin kryesisht me forca mercenare, të rekrutuar në zonat e ndikimet e tyre. Në fillim patën përkrahjen e italianëve, aqë më tepër të gjermanëve dhe me dorën e tyre bënin krime e bënin përçarje. Kjo ishte një gjendje tragjike, e përgjakëshme, ku ndërthureshin e kaluara dhe e ardhmja me situata aq të koklavitura, me tragjedira, vrasje e burgime. Katër Shkurti që mbushi Tiranën me kufoma rrugëve, për ditë e më shumë ndërthurej në një lëmsh aqë të vështirë për atë që ëndërronte dhe dëshironte një paqe të drejtë, një Shqipëri demokratike.

 

Filloi lufta e Tiranës. 12 Nëntor, m?i morën dy vëllezër e shumë veta në lagje (për fat që vllai i tretë ishte i sëmurë me tifo) i vranë "ushtarak çlirimtarë". Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagja e jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem tek rruga e Fortuzit, ndënë gadishmërinë e tanksit gjerman. Na shpunë në rrugën Bardhyl. Na përplasën në bimsat e një shtëpije ku qenë shumë të burgosur, të mbledhur andej këndej. Më mori në pyetje Sylo Kozeli dhe Sotir Polena. Më thanë:

 

- Je social-demokrate?

 

- Po, u thashë.

 

- Ke prurë përçarje? ? më thanë.

 

- Bini një njeri që të vërtetojë këtë, - i thashë unë.

 

- S?ke bërë luftë, - më thanë.

 

- S?na latë ju të bënim, - u përgjigja.

 

- E, ç?ke bërë?

 

- Jam marë me shkrime. Kam botuar libër për fëmijë.

 

- Libër, - u përgjegj me injorancë Sulo Kozeli.

 

- Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë s?je i zoti ta bësh.

 

Më dërguan prapë në birucë.

 

Erdhëm tek rruga e Dibrës. Më liruan, një herë, më kapën për herë të dytë, ku më vizitoi Beqir Balluku. Për 28 Nëntorin 1944 më liruan. Dy vrasje të pafajshme; në shtëpi më gjeti çlirimi dhe me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia e individit demokrat, nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarorus demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e me mospërfillje.

 

Botëkuptimi i ri i diktaturës së proletariatit, ndonëse në fillim nuk e zbatoi tërësisht, u ndesh që në luftë e sipër me botëkuptimin demokratik iluminist progresiv, si qëndrim oportunist që gjatë luftës antifashiste.

 

Kampi demokratik që përfaqësohej nga Balli Kombëtar ishte i lëkundur, kurse Partia Komuniste, që drejtonte Frontin Nac/Çlirimtar u përcaktua me luftë të pandërprerë, pa kompromis me okupatorin. Demokratë që iu nënështruan kësaj rrjedhe bënë luftë, e humbën rëndësinë politike dhe ata guxuan të shihnin çështjen si pluralizëm politik dhe ata e hangrën plumbin ose mbaruan në burg. Ata që hyjtën me Ballin, nuk mundën të predominonin dhe ta udhëhiqnin luftën dhe në këtë ndeshje filloi etapa e pas luftës, ku aleatët e Lindjes dhe të Perëndimit donin të ruanin pozitat e veta dhe elementi vendas të qëndronte në parimet e demokracisë perëndimore apo të asaj Lindore.

 

Filloi shoshitja e atij që s?është komunist dhe në fshehtësi (që dolli më vonë) se ç?drejtim do të mbante Partia Komuniste dhe ata që e udhëhoqën luftën, që gjer në ç?shkallë pajtoheshin me njëri-tjetrin, me shoëkt sovjetikë. Me një fjalë përpunohej Marksizmi shkencor i një shteti të vogël dhe atyre që donin të ishin hegjemon, duke haruar parimin e barazisë, dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme.

 

U afrua nëntori 1945. Flitej për votimet. Vendosej fati dhe përcaktohej drejtimi. Në Shqipëri ishte misioni anglez, misioni amerikan, ai francez, jugosllav dhe sovjetik. Kërkohej njohja e qeverisë. Aleatët e perëndimit thoshnin të bënin zgjedhje demokratike. Përfaqësuesit e U.N.R.A.-s, gjithashtu, ndodheshin në vënd. Situata ishte e ndërlikuar. Njerëzit që kishin qenë në Front dhe s?ishin komunistë anonin nga Perëndimi. Gjithashtu dhe ne demokratët aspironim një Republikë Demokratike. Po a mund të bënim gjë? A mund të shpresonim që në rrugë paqësore të zgjidhej?

 

Në këtë kohë më erdhi Shaban Balla në librari. Unë nuk e njihja. Ai më tha emrin dhe shfaqi mendimin e tij hapur, pa ndrojtje se ishte koha që të bënim diçka, me përkrahjen e anglezëve. Unë s?kisha ndonjë plan të përcaktuar vetë dhe aqë më tepër ta rrihja këtë çështje me një të panjohur.

 

Ai kuptoi një gjë, se unë heshtja nga mosbesimi.

 

Nxori nga xhepi një pako, të mbështjellë me letër dhe më tha:

 

- Mere! Këtu janë shkruar gjithë lidhjet dhe orientimet që më japin ata. (Ai kishte një xhips dhe ishte shofer. Vëllanë e kishte oficer sigurimi. Më duket se kishte bërë teknikën e Fulcit. Dinte Inglisht). Meri, lexoi, mbaji. Unë kam besim të verbër tek ti. Unë s?pranova. Nuk i mora dhe as që u bëra kurioze, pasi duke qenë gjithmonë e rezikuar të hyja në burg, nuk doja të jepja llogari për punët e të tjerëve. Torturat ishin gjithmonë të njohura. Propaganda komuniste i kishte përshkruar dhe më tepër.

 

Erdhi për herën e dytë Shabani. Këtë herë rahu çështjen e votimeve. E dëgjova me vëmendje. Unë asnjëherë nuk kam dashur të përfshihem në gjëra të formuara ilegalisht, për t?ja arritur qëllimit. As që e kam kuptuar dhe aq më tepër nuk u kam besuar njerëzve nëse janë të atillë, siç thonë. Po haptas, çdo qëndrim kundërshtar ose për të kërkuar një të drejtë që mund të paraqes pa ndrojtje. Këtë po. Për të kërkuar një ndihmë morale nga aleatët, për të ndërhyrë tek qeveria që të shtynte votat dhe të mernim pjesë në parti të tjera, këtë e gjeta me vend. Në qoftë se kishte mundësi të bëhej, qe një situatë e dëshiruar dhe e pëlqyer. Në qoftë se nuk arrihej dhe ata më burgosnin për këtë tentativë, të paktën e dija pse isha në burg. Mbrohesha dhe sikur të dënohesha isha e qetë, pasi kisha kërkuar një gjë legjitime që ata si komunistë e hidhnin poshtë. Merrnin masa. S?kishin pajtueshmëri.

 

Në këtë kohë erdhi një i ri ? K1 ? dhe deshi që të bashkoheshim. U përgjegja: rrini urtë, rrini të qetë. Mos veproni, se do ta hani dhe do të shkoni kot. Po të jetë për ta shtruar çështjen, do ta shtrojë unë dhe po dolli mirë atëherë do të jemi të gjithë bashkë, jashtë çdo rreziku.

 

Erdhi Sami Çeribashi. Ai kërkonte një bllok të fuqishëm bashkim.

 

U përgjigja që unë jam vetëm për kërkesën, të shtyhen votat dhe të veprojmë haptas, sipas parimeve që ka secili. Erdhi Suati2 dhe tha: "Të mundohemi që të zgjedhim deputetë, të arrijmë në Kuvendin Popullor dhe atje të formojmë opozitën". Nuk pranova manovra e prapaskena. Erdhi prapë Shaban Balla me një letër të shkruar nga oficeri Lykke me sa mbaj mënd emrin, që të tërhiqnim në opozitë Gjergj Kokoshin, që ishte në frontin e zgjedhur nga komunistët. I thashë Shabanit, "këtë s?e pranoj". Punët tona, njerëzit t?onë i gjejmë vetë. Ata duhet të jenë vetëm ndërmjetës pranë Qeverisë që të shtyhen votat dhe të bëhen zgjedhje demokratike.

 

1. Bëhet fjalë për Osman Kazazin. (Shënimi Platon S. Kokalari)

 

2. Fjala është për avokat Suat Asllanin. (Shënimi Platon S. Kokalari)

 

Kishte ardhur nga Siria, në Egjypt ku fliste në radio, pastaj në Bari, më në fund në Shqipëri Xhemal Ferko, nxënës i Sotir Kolesë, që shkruante kur ishte në gjimnaz me pseudonimin Sula i Fajës. Ai më tregoi se anglezët, me sa kam kuptuar unë, nuk ja kanë me të drejtë Shqipërisë. Në shtabin e Mesdheut kam njohur Missin Hoshikun që ka jetuar në Shqipëri, ka punuar, ka shkruar, po ajo për vendin t?onë nuk është dashamirësi. Ata kërkojnë turbullira, po jo se na i kanë me të drejtë.

 

N?atë kohë kish ardhur në Shqipëri Ivanaj, ish profesor dhe ministër i arsimit që më 1933 mbylli shkollat private në Shqipëri. Me pushtimin e vendit, ai u largua me të vëllanë, ndenji në Turqi. Dhe ai i tha një shokut t?im: "Anglezët nuk janë të prirur për qëllime të drejta. Unë e kam njohur mërgimin, atje më vdiq vëllai se nuk kisha me se ta bëja operacjon dhe erdhi në vëndin e tij vetëm për të punuar në moshë të kaluar e jo për të shpresuar diçka nga Anglo-Amerikanët".

 

Shpresat qenë të pakta. Po hapi duhej bërë. Unë ndenja në qëndrimin tim dhe as që kërkova të dija se ç?bluanin në mëndje dhe midis tyre grupet e tjera.

 

Nuk afrova njeri as grumbullova, po vetëm parashtrova çështjen e notës kur më kërkonin mendimin t?im.

 

U bë e vetmja mbledhje në shtëpinë e Ali Kavajës, në Nëntor 1945. Ishte Sami Çeribashi, Shaban Balla, Ali Kavaja dhe Çoku, që s?më kujtohet emri. Ishte Qenan Dibra, Leskoviku dhe Hasho. Unë isha e vetmja social-demokrate. Ata filluan të flitnin për qëllimet dhe forcat e tyre. Unë e pres shkurt. I drejtohem Qenanin:

 

- Ç?tendenca përfaqësoni?

 

- Unë jam për Zogun.

 

- Atëhërë, je monarkist. Kështu dhe Leskoviku, Hasho dhe Beshiri. Shumë mirë, u them: ju jeni katër monarkistë. Keni programin t?uaj, qëllimet t?uaja, lidhjet t?uaja. Këto janë çështjen t?uaja të brëndëshme, që unë që s?jam monarkiste nuk duhet t?i di se nuk punoj për monarkinë.

 

U ktheva nga Sami Çeribashi:

 

- Po ju ç?tendenca kini?

 

- Ne jemi lidhur me ata që qëndrojnë akoma me armë në male.

 

- Atëherë, ju jeni të rezistencës, që të katër nga sa kuptoj.

 

- Po dhe Shaban Balla, Çoku dhe Ali Kavaja.

 

- Shumë mirë. Ju keni forcat t?uaja, qëllimet t?uaja, ç?ështjet e brendshme t?uaja. Ato duhet t?i dini vetëm ju. Unë s?kërkoj të di më shumë. Unë jam Social-Demokrate, kam shokët e mi, kemi programin t?onë, qëllimet t?ona. Këto janë çështje të brëndëshme. Sonte jemi mbledhur këtu për një notë. Ne jemi një koalicion demokratik dhe duam që në zgjedhje të marin pjesë shumë parti. Pra, duhet të përpilojmë një notë dhe të kërkojmë nga aleatët që të ndërhyjnë pranë Qeverisë të shtyjnë votat, të marim pjesë dhe ne. Fituam, humbëm atë, e di populli.

 

- Jeni dakort? ? i pyeta unë.

 

- Po, - thanë me entuziazmë që të gjithë.

 

- Seicili të ruajë të fshehtat ose idealet e veta pa u përzjerë tek njeri tjetri dhe pa kërkuar të futi hundët në punët e brëndëshme.

 

- Më se e drejtë, - thanë të gjithë.

 

Unë mora penën, përpilova notën.

 

Atë e firmosën katër zogistë, katër të rezistencës, unë, Musa Dizdari, një shoku t?im në trurin e Social Demokrates. Me qenë se nuk kisha kërkuar të hapeshim me të tjerët vura unë me dorën t?ime dy emra shokësh demokratë. Në qoftë se do të dilte mbarë, ata s?do të ishin kundra. Në qoftë se dilte keq, ata nuk pësonin gjë, si nuk pësuan me të vërtetë, pasi unë deklarova në hetuesi që ata s?kishin dijeni për veten e koalicionin demokratik.

 

Një kopje e shpuri Shaban Balla tek Anglezët dhe një kopje tek Amerikanët.

 

Unë pata vetëm një rast të flitja me oficerin Palmer, që të përkrahnin këtë hap në qoftë se donin që zgjedhjet të ishin demokratike, siç pretendonin ata.

 

Mirëpo aleatë nuk ndërhynë pranë Qeverisë. E lanë në heshtje. Dhe qe një rast që të faktonin se kishin forca në vend që të donin zgjedhje me shumë parti. Ata nuk e bënë! Përse vallë? Mos vallë të mos jepnin rast që të arestoheshim se do të jepnin dhe emrat? Qëndrimi i tyre qe i gabuar. Se prap se prap ne na arestuan dhe nuk pati një mbrojtje që ishte për shtyrjen e votimeve që të mernin pjesë në zgjedhje po na vunë një akuzë akoma më të rëndë: Ishte një bllok të përmbyste Pushtetin.

 

Po të kishin lojtuar hapur, Anglo-Amerikanët e kishin të lehtë të thoshnin se elementët demokratë nuk u lejohet pjesëmarrja në zgjedhje, për të cilin kishin një dokument dhe zgjedhjet nuk ishin demokratike, pasi nuk muarën pjesë dhe parti të tjera.

 

Argumentimin e shëndoshë e humbën ata vetë dhe ne na rënduan akuzën, me heshtjen e tyre. Nuk them se ishim viktima të tyre, se unë e quajta me arësye të bëja tentativën e tretë të Social Demokratikes. Humbën, se të tjerët kishin punuar për idenë e tyre, ishin organizuar, kishin luftuar dhe kishin bërë sakrifica. Këtë nuk e tund as topi. Superioriteti i tyre ishte i padiskutueshëm dhe i merituar, sikundër qe e merituar dhe humbja t?onë. Po që ata më prapa sakrifikuan duke organizuar grupazhe treguan dhe inferioritetin e tyre që nuk duhej t?i forconin këta me duart e tyre. Shumë njerëz të mirë humbën kot mbas nesh.

 

Më 23 Janar 1946, u arestova. Të parët qenë grupet zogiste dhe të rezistencës. Ata u arestuan më 10 Janar. Tani para hetuesisë u shtrua çështja e notës: ishte Nesti Kerenxhi, Siri Çarçani, Edip Çuçi, Kadri Hazbiu etj., që u rah akuza t?ime. Unë e kisha të lehtë të mbrohesha, ata e kishin të zorshme të mbanin në këmbë akuzën e përmbysjes së Pushtetit.

 

Filloi hetuesia. Më pyetën për notën. Sigurisht kishin folur të tjerët para meje, po ata nuk e kishin qartësuar synimet e duhura për t?u mbrojtur.

 

Fillova unë: notën e bëmë në emër të tre grupeve, aleatëve të cilët ju i lejonit që të vëzhgonin se ishin demokratike. Çështja u shtrua si nja koalicion demokratik se secili grup me programin të paraqiste kandidatët e vet, pasi të shtyheshin zgjedhjet dhe të mernim pjesë dhe ne.

 

- Çudi, - tha Nesti Kerenxhi që ishte kryetari i Sigurimit. ? Ti vjen nga një familje demokratike, antizogiste. Si u bashkove me monarkistët.

 

- Këtë mësim e kam marë nga ju ? u përgjigja unë, ? si do që jeni komunistë dhe Partia Komuniste, drejtonte në Front, ju futët bazin e Canit, përfaqësuesin e Ahmet Zogut, i njohur botërisht.

 

Ata mbenë. Nuk dinin si të përgjigjeshin.

 

- Ju deshët të përmbysnit Pushtetin, - thanë.

 

- Jo, ne kërkuam shtytjen e zgjedhjeve. Unë as që kisha grumbulluar njerëz, veç dy veta. Ne do të përmbysnim Pushtetin?

 

- Ti përdore dhe parinë. Të përfitohej nga forcat e tyre dhe të dilje në krye ? thanë.

 

- Kjo s?është e vërtetë. As që di sa forca kanë, dhe sikur të ishin të shumta. Kur nuk ju likuiduam bashkë me gjermanët, s?kishim mundësi të përmbysnim tani.

 

- Ata, ata synonin shtyrjen!

 

- Unë përgjigjem se ç?pretendoja unë. S?jap llogari për qëllimet e të tjerëve. Ata, po të ishin të zotë, të përmbysnin një Pushtet që ka marë fuqinë në dorë, të jeni të sigurtë dhe neve të ideologjisë do t?na shuanin nga faqja e dheut.

 

- Pse nuk ja drejtove Qeverisë notën? ? më thanë. ? Atëherë ne nuk të arestonim.

 

- Kjo s?kishte si të bëhesh. Elementi që s?është me ju dhe sikur të bënim ne një notë Qeverisë do të thoshnin që këtë lojë e kanë kurdisur komunistët që të shohi se kush janë ata që nuk mendojnë si ju. Pra duhej, që gjithë elementi i kanalizuar në programet e veta të dilte hapët. Në fitonte vota, mirë, në qoftë se nuk fitonte, mbyllej ky hesap. Kështu dhe aletatët, me anën e notës viheshin përpara një qëndrimi dhe nuk kurdisnin pas krahëve e të mbanin njerëzit me shpresa. Nota ju shkoi dhe ata duhet të thoshnin: në Shqipëri ka elementë që do të marë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet të jenë të lira, të marin pjesë të gjithë. Ata s?e bënë këtë dhe unë jam në vështirësi të vërtetoj përmbajtjen e notës.

 

- Ju doni përçarje.

 

- Aspak, i thashë. Ne nuk ngajtëm nga elementi brënda Frontit. Le të dalë një e të thotë se e kemi nxitur. Ne donim që në Front të kishte një vetëm parti komuniste. Po dhe Social-Demokrate ose dhe një tjetër.

 

- Ne bëmë luftën, - përsëritën.

 

- Po dhe ne, në mos me armë, me mënyra të tjera nuk bashkëpunuam me okupatorin. Ju e dini dhe e kuptoni dhe vetë: unë s?kam bërë gjë kundër jush, as kam bashkëpunuar me okupatorin. Po ju do të dënoni jo se kam bërë faj, po se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni Pushtetin.

 

Unë s?jam fajtore, s?jam komuniste dhe ky s?mund të quhet faj. Ti fitove në zgjedhje, mirë po unë në burg nuk duhet të jem. Ti më arestove e thua se jam fajtore. Atë s?e pranoj.

 

- Po ju donit të kishit dhe shtypin tuaj? ? më pyetën.

 

- Po, - i thashë unë.

 

- Dhe kush do të bashkëpunonte në atë shtyp?

 

- Kjo nuk pyetet. Mos vallë s?jemi në gjendje të botojmë një gazetë?

 

- Po të fitonim dhe do të nxirnim shtypin dhe njerëzit hapët do të çfaqin mendimet. Dhe ju do të shikonit se kush i shkruante. Ju s?keni deklaruar që duhet të jesh pa tjetër komunist. Ju mbroni shtypin e lirë.

 

- Po jo shtypin fashist.

 

- Unë s?jam fashiste. Kam kulturë demokrate, jam nxënëse e të ndriturit Sami Frashëri. Komuniste s?jam dhe as që e kuptoj.

 

- E mbyllëm! Po të kishe drejtuar notën Qeverisë ti nuk do të ishe arestuar. A e mendove se mund të hyje në burg? - Më pyetën.

 

- Po si, më shumë se 99%. Po të paktën jam në burg, po e di pse jam. Në më dënofshi, padrejtësisht dhe atë do ta di.

 

Këto teza i mbrojta dhe me shkrim.

 

Prokurori Gjon Banushi, kryetari Frederik Nosi, s?e bëmë dhe proces në gjykatën e lartë e përsëritën dhe i mbrojta tezat e mia gjer në fund.

 

Në 2 Qershor filloi gjyqi special.

 

Kryetar qe Frederik Nosi, prokuror Nefzat Hasnedari. Filluan me grupin e Sami Çeribashit, pastaj me monarkistët, më në fund erdhi radha t?ime. Kryetari pyeti:

 

- Kush e përpiloi notën?

 

- Musineja, thonë.

 

- Është e vërtetë, Musine?

 

- Po, - u përgjegja unë.

 

- Kush i cilësoi me emra të tjera.

 

- Musineja, thonë.

 

- Është e vërtetë, - më pyetën mua.

 

- Po, - u përgjigja. ? Gjithsekush në bazë të qëllimit për të cilin donte të dilte në skenë, kishte programin e vet. Dhe unë, në përmbajten e tyre, e vura emrin e grupeve.

 

- Po pse nga çdo grup ishin katër veta? Dhe ti vetëm? - pyeti kryetari.

 

- Mjaftojnë. Sa më pak njerëz aqë më pak në burg. Po të bëhej gjë, kujt t?i pëlqente le të vinte.

 

Erdhi dita që do të jepja llogari përpara bangës së akuzuarve. Dolla ek mikrofoni. Më pyeti Kryetari, Frederik Nosi:

 

- A e pranoni akt akuzën?

 

- Në bazë të pikëpamjeve t?uaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo.

 

- Mjaft me sofizma ? uluriti Frederik Nosi.

 

- Atëherë është e kotë të më pyetni. Lexoni procesin dhe unë shumë e kënaqur u ula tek vëndi t?im.

 

Pretenca qe e fortë. Sa herë që vërtitej, gjithmonë akuzohesha unë. Mendova se do më dënonte me vdekje. Veç kësaj, prokurori më akuzoi se mora fajet e të tjerëve sipër. Unë s?thash as jo as po.

 

Erdhi dita e mbrojtjes së të pandehurve. Unë s?pranova avokat. E përpilova vetë mbrojtjen. Po ama ata nuk dinin se çfarë përmbante. Prokurori më akuzoi se ishim një bllok që donim të përmbysnim Pushtetin. Më dënoi 30 vjet. Unë me mbrojtjen në dorë, u afrova tek mikrofoni. Fillova leximin. Thashë: "Në këtë gjyq janë të pandehur 36 veta. Katër grupe. Në tre grupe kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve, që të shtyheshin votimet dhe si koalicjon demokratik të mernim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e Pushtetit, po për zgjedhje demrokatike".

 

Si kryetari, si prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë:

 

- Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen.

 

- Në qoftë se e ndaloni ju, nuk e lini të burgosurin të mbrohet, unë e lë, se më urdhëruan të mos vazhdoj.

 

Shkova tek vëndi tim. Pas pak erdhi oficer Manoli dhe më mori mbrojtjen. E dhashë.

 

Kur thanë për fjalën e fundit, kërkova drejtësi. Kryetari më dënoi 20 vjet. Gjyqi vazhdoi 15 ditë. Më në fund, më shpunë në burg. Kishte pak. Më të shumtat ordinere. Vajtja ime pruri rregulla. Nuk lejohej më takimi jashtë portës, po hapesh një penxhere e vogël tek porta. Erdhën shumë veta të më takonin. Lanë vetëm familjarët.

 

Pas tre muajve më izoluan tek ndënë shkalla e drejtorisë së burgut. Një i burgosur (pasi dritarja binte në oborrin e burgut) më tha që pyesnin Xhemal Farkën për ty. E kuptova. Ai s?hapi gojë për mua, dhe unë s?thashë gjë për të.

 

Më 1947 me arestimin e deputetëve, më izoluan. Prapë Jonuz Mersini vinte kastile nga komanda e përgjithëshme për mua. Thoshte, "folë". Përgjigjesha:

 

- Atë që kisha bërë e keni në proces verbalin. Tjetër nuk kam. Këtu erdhi dhe Kadri Hazbiu. Më tha:

 

- Ti nuk flet se ke frikë se mos të pushkatojmë.

 

- S?kam ndonjë humbje. Do të pushoj së vuajturi.

 

- Jo se ti kërkon të mos futësh njeri në burg.

 

- I ke futur pa pyetur mua. Në qoftë se ju u penduat se nuk më torturuat atëhrë, në dorë më keni. Në qoftë se doni të më pushkatoni, në dorë më keni prapë. Mua nuk më mbron njeri. Ju e keni shtrembëruar akuzën dhe veproni si të doni.

 

Një vit ndenja e izoluar nat e ditë në errësirë. Rastësisht gjeta një gazetë në nevojtore dhe mora vesh divergjencat me jugosllavët. Qe bërë plenumi i tetë dhe më kërkuan të mbroja tezat shkurtimisht të Social-Demokrates.

 

Në shtator të 1948 më shpunë në burg. Gjeta të gjyqit special dhe u habita se më kishin akuzuar (nga druri). Tregova që nuk i njihja fare. Atëherë m?u kujtua fjala që tha një oficer: "sikur të besonim ato që kanë folur për ty, ti do të vareshe të paktën tre herë".

 

Në Gusht 1949, qe kryetar dege Halim Xhelua. Më dërguan me Erifilin bashkë në burgun e Burrelit. Qe koha e provokacjoneve. Atje ndenja dy vjet gjysëm.

 

Më 1952 më prunë në punëtorinë qëndrore, qepja me maqinë.

 

Më 1957 erdhi për kontroll gjeneral Xhule Çiraku dhe Sabri Sevrani. Unë isha drejtuar Komitetit Qendror për rishqyrtimin e çështjes sime dhe s?mora kurrë një përgjigje. Me këtë rast, kur pyetën me radhë, unë thashë se ç?është arësyeja që s?kam patur një përgjigje nga Komteti Qendror sipas rregullave.

 

- Si je sjellur? ? më pyeti Gjenerali.

 

- Korekt, - thashë unë.

 

I bëri përshtypje. Shkuan shumë veta për të biseduar në zyrë. Këta më thirën dhe mua. Sabri Sevrani më thotë:

 

- Kur ngjet ndonjë gjë e papëlqyer në burg, i drejtohesh drejtorëve?

 

- Ajo s?është puna t?ime, - i thashë unë, dhe kështu u kacafitëm me të dhe me gjeneralitetin.

 

Koha përputhej me kundër revolucionin e Hungarisë.

 

Hoqën shumë burra, hoqën dhe gjashtë gra, midis tyre dhe mua. Erdhi gjenerali për vizitë, më tundi kokën dhe deshi të më thoshte, a se ç?i punuat vetes. E pagove. Një vit punuam në fermë. Pastaj na dërguan në burgun e Shkodrës. Aty erdhi Beqir Balluku. Më kërkoi me shokun dhe më njohu:

 

- Si vete Social-Demokrate? ? më pyeti.

 

- Unë jam një njeri që kam humbur të drejtat civile ? iu përgjegja.

 

- Përndryshe do isha përgjegjur?

 

- Pa tjetër, i thashë. Atë që e keni dënuar me ligj, nuk ju takon ta pyetni.

 

- Moj, po Musine Kokalari do vrarë - u hoth kryetari i Degës, Hilmi Seiti.

 

- Po kush të ndaloj ? i thashë unë. - Vetë e ke në dorë Pushtetin.

 

Burgu doli jashtë përdorimit. Shkuam në burgun e Vlorës. Dhe atje ndenjëm një vit. Për një skandal me një ordinere me oficerët e Drejtorisë e mbyllën burgun, na prunë në Puntori, na mbajtën të veçuara në bodrum. Me qenë se kapa një raport të gruas të Hilmi Lekës, ish shoqja t?ime e klasës, e lexova në mes të odes u detyruan dhe na shpunë lart në punëtori ku punova dhe një vit në makinë.

 

Më 8 Tetor 1961 u lirova nga burgu. Katër makina ndruam rrugës me të dy policët që më shoqëruan. Erdhëm në Rrëshen. Më vunë pranë odës së familjes së Izet Osmanit që kishin 6 vjet si vija dëshmori, që kur foli radio Athina, që u vra në kufi një diversant (ishte babai i tyre). Pas gjashtë vjet dolli i gjallë. Nënën dhe të dy vajzat Universitare i internuan në Rrëshen. Në shtëpin e tyre hynte dhe dilte Vasil Filipi, grek, ish i burgosur, kishte rrogë speciale. Ai kishte shkaktuar një provokim në burg dhe kishin kapur të burgosurit tek telat, i kishin dënuar (ma tregoi një ish i burgosur), duke më paralajmëruar që greku kërkon të arrijë tek ty. Në Rrëshen kish të burgosur shumë të tjerë. Ishte dhe Ali Sulejmani, i njohur botërisht.

 

Mua më erdhi dhe nëna e qëndruam shumë të izoluara. Vetëm një "mirë dita" e kaq.

 

Këtu filluan vuajtjet dhe lufta në punën e rëndë. Pas dy vjetë nëna vdiq në Tiranë, ku kishte shkuar për pak ditë. Më dhanë leje 24 orë. E pashë të vdekur për herë të fundit.

 

Mbeta vetëm. Letrës që i dërgova Kadri Hazbiut pse më kishte internuar, unë nuk i mora kurrë përgjigje.

 

Jeta në Rrëshen është një kapitull tragjik më vete, vuajtjesh dhe shëmtimesh. Deshën të krijonin një qendër informacioni. Ata pandehnin se unë nuk e dija. Kurse në të vërtetë i shkrova ish Kryetarit të Degës që erdhi pas Hysen Goricës dhe i shpjegova kush ishte greku. I thoshja, këtë e shkruaj jo se dua të ndërhyj në punët t?uaja, po ta dinë që i di. Sa vjet vuajtje e padrejtësi? Nuk kam mundur të mbaj një ditar të hollësishëm që do të ishte shumë interesant. S?ka gjë më të keqe kur njerëzit janë të paformuar ideologjikisht dhe çudi, ardhur nga bankat e Universitetit. S?kishin marë vesh asgjë. Gjithçka negative u vërtit rreth këtyre komshive dhe unë vetëm në odë, shikoja çdo lëvizje, çdo njeri që hynte e dilte. Kurrë si pyeta, kurrë s?ju thashë gjë, po kjo heshtje u sqarua se ku synonin.

 

Viti 1972

 

Përshtypje

 

Njoha kulturën demokratike. Njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special, njoha 16 vjet me përplasje sa andej, këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive, si bujqësinë dhe ndërtimin. Njoha vetëminë e vetë kërkuar dhe shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pësojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit.

 

Po njeriu u ndodh përpara një qëndrimi të ri. U vunë në lëvizje të gjitha vogëlsirat, përçarjet, punët e rënda, kallximet dhe studiova në veprat e përfaqësuesve të marksizmit parimet themelore, taktikën dhe strategjinë revolucionare. Njeriu u ndodh përpara të pa priturave të hidhura dhe për të mos ardhur në kundërshtim me vet-vehten nuk ka rrugë tjetër veçse tërheqje, humbje, duke u mbështetur në forcat e veta, në minimumin e jetës dhe duke rrojtur me botën e vet të brendshme. Rrallë ose asnjë njeri nuk pata rast ta shoh të formuar ideologjikisht. Në gjithë atë mori grash, i kujtoj me mall vjetët e kaluara bashkë dhe janë të paka ato që arritën në shkallën më të fundit të poshtërsisë. Të paka. I kam parë si qënie, ku marrëdhëniet e mia kanë qenë të thjeshta, jashtë çdo synimi politik, në lidhje fqinjësie, duke folur për jetën dhe pjestarët e familjes, ngjarje të ngjara si ndodhi dhe arrita kështu të njoh Shqipërinë e përmbysur, dhe ata të punës në Rrëshen, që nuk më kanë lënë veç mbresa të këqia, pasojë e ç?organizimit, e mungesës së disiplinës, e qartësive dhe mungesës së trajtimit në mënyrë parimore në themel të organizimit. Njëmbëdhjetë vjet pune në ndërtim ka qenë një zhgënjim, pasoja e inferioritetit në krahasim me superioritetin e organizimit të punës tek të burgosurit dhe intensiteti i rendimentit më të lartë, në krahasim me të lirët. Sa i fortë është një brigadier i lirë e sa abuzim bën. Sa e vërtit punëtorin e shkretë, mjafton që të ketë guximin t?i kundërshtojë.

 

Sa lekë ha ai duke mos punuar, sa ditë shkruan ai, jo vetëm për vete por për atë që e mbron dhe ka leverdi. Një qehaja që vjedh shtetin dhe punëtorin. Një Tiran i vogël, po që lakmon jetën e punëtorit një jetë të tërë dhe ai përfiton se kultura, shtypi punëtor nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët dhe punëtori të shpreh mendimet, jashtë mureve të ndërmarrjes. Punëtori i krahut vuan për një mos kuptim nga i deleguari i shtëpisë së kulturës. Punëtori është i pa ndihmuar dhe varet nga një brigadier dhe nga një teknik që të paguan si dhe sa t?i pëlqejë.

 

Puna e krahut është e rëndë në socializëm, që thonë se është klasa punëtore në fuqi, punëtori mbetet gjithmonë në fund: qoftë si dituri, aqë më pak në pagesë dhe aq më shumë në mbylljen e tij brënda katër mureve të ndërmarrjes.

 

Këtë njoha dhe ky është realiteti. Dhe po të mos kisha kaluar këtë rrugë sa tragjike aq dhe tronditëse, unë do ta quaja veten, po të meresha me letërsi, se kisha bërë një punë kush e di sa me rëndësi. Vërtet talenti dhe kultura do punë dhe studim po ama punëtori i bujqësisë, i minierës, i ndërtimit bëjnë punën më të rëndë dhe luftojnë çdo ditë në gjirin e kolektivit po dhe me vet-vehten, me forcat e veta, me lodhjen e me pafuqinë, bashkë me të gjitha këto dhe një familje për të mbajtur, fëmijë për të rritur. Mosha kalon, fuqia pakësohet, norma ose është ajo e para ose është ngitur dhe ai duhet të punojë, të robtohet dhe nevojat e tija mbeten gjithmonë kërkesa legjitime. S?ka dallim midis punës mendore dhe fizike. Sa e lehtë të thuash dhe sa e rëndë që është kur e jeton. Norma është një angazhim për luftë. Ai që s?ka punë me normë, ta quajë veten të lumtur, se nuk i bie rasti as t?i hanë hakun as të thonë që s?ka fuqi të punojë.

 

Socializmi prapë se prapë, të paktën, atë socializëm që kam kaluar, është diferencim dhe punëtori i krahut e ka punën më të rëndë, punon me orë të zgjatur dhe kur kthehet në shtëpi nuk ka fuqi të rrijë në këmbë.

 

Le ta mbydhim vitin 1972 me këto shënime.

 

U detyrova, lashë punën se nuk do t?i harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në shpinë të punëtorit, sa mbetet i pakulturuar dhe sa pak interesim ka nga inteligjenca, e cila bën reportazhe ose shkruan një roman, po asnjëherë nuk e ndihmon në zgjidhjen e problematikës.

 

PROGRAMI

 

Gazeta: "Zëri i lirisë" ? 1 Kallnuer 1944

 

Programi i Partisë Social Demokrate

 

I. PSD ka për qëllim kryesor të sigurojë drejtësi shoqërore dhe liri politike.

 

II. PSD është evolucioniste përsa i përket kolektivizmës ekonomike.

 

III. PSD ka për qëllim kryesor t?i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhdukë shfrytëzimin, spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu do t?i sigurojë proletariatit bukën, banimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t?ja bërë jetën të këndshme. Reforma agrare, do të jetë etapa e parë ndaj ndarjes së tokës. Partia do të përpiqet të verë në zbatim një sistem sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore.

 

IV. Liria politike konsiston në sigurimin e të drejtës që jep çdo shtetari të ketë lirinë e fjalës, të mendimit, të shtypit, të inisiativës private dhe të votës (opozita parlamentare). Partia do të mundohet, që të krijojë premisa të tilla që të kontribuojë në edukimin e të gjitha klasave të popullit shqiptar demokratikisht dhe përgatitjen e tij për regjimin e ardhshëm ku do të mbretërojë drejtësia shoqërore dhe liria politike. Liria politike në drejtësinë shoqërore gjen shkakun e parë të kufizimit të saj.

 

V. Përsa i përket marrëdhënieve me kombet e huaja, partia do të frymëzohet jo prej një nacionalizmi të ngushtë egoistik, po prej një patriotizmi të thjeshtë që pajtohet me ndjenjat e respektit e të simpatisë për atdhetarët e kombeve të huaj dhe do të përkrahë zhvillimin e idesë për realizimin sa më parë të një konfederate ballkanike.

 

VI. Partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për indipendencën e një Shqipërie të unjisur brenda kufijve të saj etnikë.

 

Rrëshen, Dhjetor 1972

 

***

 

Ja e vërteta e kampeve politike kundërshtare në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore

 

Ai me familjen e tij u vendos në Romë dhe atje mbeti.

 

Gjithmonë tregonte kujdes për studentët, pa fjalë të mëdha, duke u kufizuar gjithmonë te kultura. Si duket nuk e kish harruar se na kish folur për Zogun dhe e quajti veten të zgjuar të mos fliste as mirë as keq për italianët përpara nesh që e kishim dëgjuar si përfaqësues te mbretit. Unë vazhdova studimet në Romë për katër vjet në Fakultetin e Letërsisë moderne. Katër vjet vështirësi e boshllëqe të trashëguara nga shkolla e mesme e jonë që kishte mangësi të mëdha.

 

Unë u laurova më Nëntor të vitit 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe, që përfaqësohej nga arbëreshi Zef Skiroi dhe Naim Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime të vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin për ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, të barazisë, të demokracisë.

 

Këta ishin të shtrenjtë për ne, nuk mund të kuptonim Shqipërinë pa mendimet, veprat dhe idealet e tyre dhe për këtë trashëgimi kishim një adhurim dhe për djalin e Abdyl Frashërit që ishte Mitat beu, ose Lumo Skëndoja, si mbante emrin dhe libraria e tij. Ai ishte i biri i Abdyl Frashërit. Plak i mbajtur mirë, me flokë të bardha, veshur me elegancë, me papion në vend të kravatës Megjithëse i merrej goja ne e dëgjonim me kënaqësi. Libraria e tij qe vendi ku Zogu vihej në lojë. Urrejtja e tij për të ishte një ushqim që ne i jepnim të gjithë dhe me përçmim, siç bënte Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci, që na rrethonin me dashurinë dhe interesimin e tyre të përditshëm dhe të përhershëm. Këta simbolizonin Shqipërinë demokratike të lirisë së fjalës, të diturisë që të hynte në popull dhe të vegjëlisë dhe te një e ardhme më e mirë, më e lumtur, pa varfëri.

 

Unë e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithçka që po rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur në botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformizmin e parlamentarizmin që na e ushqeu Sami Frashëri që në bankat e shkollës.

 

Pse ndodhnin gjithë këto prapaskena që dështonin dhe hanin grushta të herëpashershme? Pse nuk mbroheshin hapur se nuk lejonte Zogu parti politike, as Italia që e kishte pushtuar vendin më vonë? Që nga dhjetori 1924 gjer më 7 prill 1939 të gjitha tentativat për të rrëzuar Zogun nuk u arritën. Dhe në atentatin që i bëri Azis Çami në Vjenë, ai shpëtoi gjallë dhe u vra vetëm Llesh Topallai.

 

Rinia, në përgjithësi antizogiste, brezat e ardhme, gjatë gjithë kohës së vegjëlisë dhe rinisë u rritën me ideale për emancipimin e shoqërisë shqiptare, duke pasur gjithmonë rrezikun forcave të jashtme antishqiptare që synonin, si ato të gadishullit Ballkanik, zgjerim territorial dhe të Fuqive të Mëdha, ekspansion kolonial.

 

Idealet e Rilindjes ishin të gjalla, të shëndosha. Demokratët e shikonin dhe mbështeteshin tek ideja e zhvillimit, e evolucionit, hyrë në ndërgjegjen shoqërore, si një zhvillim gradual. Po krahas këtyre idealeve, Revolucioni i Tetorit pruri ideale të tjera revolucionare që hynin në Shqipëri dhe u formuan grupet komuniste jo me shtrirje në shkallë kombëtare, por të kufizuara dhe me parime jo të qarta, as të njëllojta.

 

Pushtimi italian pra, nxori në plan të parë luftën. Gjithë ish të emigruarit në kohën e Zogut, të kthyer në vend, kishin dëshirën, që, në gjendjen e re, të bëhej e mundur dhe vendi me një luftë demokratike dhe të mbështetur në ndihmën e aleatëve, të arrinin në një Shqipëri demokratike konstitucionale që ishte dhe opinioni i gjithë demorkatëve të vendit. Kurse grupet komuniste arritën në një marrëveshje midis tyre dhe formuan Partinë Komuniste Shqiptare, për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis. Kështu, fati tragjik i demokratit u gjend në udhëkryq. Dakord me luftën po e shikonin që fronti ishte një forcë unike udhëheqëse dhe drejtuese që kishte Partinë Komuniste që drejtonte dhe synonte në marrjen e pushtetit.

 

Propaganda pansllaviste dhe elementë jugosllavë që ndodheshin në radhët e tyre gjithmonë kishin parandjenjën e një rreziku dhe kurthi nga ana e të huajve.

 

Të gjithë e donin luftën, po e shikonin se Partia Komuniste, e dalë nga elementët që kapërcyen kufijtë e grupeve dhe që bënin luftën me epërsinë e saj, i vinin elementët demokratë të shkonin pas qerres, nën urdhrat e tyre, dhe s?kishin asnjë gjë tjetër në dorë, pasi vetë ata ishin inkuadruar, pa një ide të qartë mbi lëvizjen e të ardhmen dhe nuk kishin një objektiv të caktuar dhe as që i linin të formoheshin duke vënë përpara parrullën nacionalçlirimtare si detyrë më imediate.

 

Megjithë vlerësimin që i bënin luftës, kuptonin që ishin vetëm sa për të kapërcyer atë fazë të domosdoshme gjer në çlirim.

 

Elementi nacionalist përfshihej, si të thuash, në Ballin Kombëtar, organizatë heterogjene, pa ndonjë formë organizative të përcaktuar, me një program të gjerë demokratik që, përpara rrezikut komunist nguronte dhe shihte rrezikun në të ardhmen e Shqiëprisë parlamentariste. Ky grumbull elementesh, me tendenca të ndryshme emërtohej me nacionalizëm të thjeshtësuar, pa një përcaktim shoqëror qoftë reformist.

 

Në Komitetin Qëndror, që flitej se ishte formuar, qëndronte figura e Lumo Skëndos, i biri i Abdyl Frashërit, që përfaqësonte atë trashëgimi taktike si në luftën me hope, se për Shqipërinë demokratike frymëzonte manifesti politik i Sami Frashërit.

 

Respekti për Lumo Skëndon ishte i pakufishëm. Ishte figurë e njohur. Dekallogu i "Ballit" ishte demokratik. Pengesat e luftës paraqiteshin nga goditjet komuniste, kurse pala tjetër ishin ato për oportunitetin me okupatorin. Qe krijuar një psikozë e gjerë dhe një dëshirë e madhe bashkimi midis dy organizatave.

 

Më kujtohet një herë të vetme që pata rast të bisedoja drejtpërdrejt me Lumo Skëndon në librarinë e tij.

 

Akoma nuk qe hedhur në ilegalitet.

 

Ai u ankua se në Shqipëri kishin hyrë agjentë jugosllavë e do merrnin kalanë nga brenda.

 

- Komunistët e mbajnë me premtime fshatarësinë dhe punëtorët e thjeshtë, Musine, - më tha. ? Këtu jemi përpara një rreziku të jashtëm që gjithçka do të shkojë në dobi të të tjerëve, gjithë ky gjak. Unë jam kundër komunistëve që mbrojnë idetë e tyre, po flas për komunistët shqiptarë dhe ja (më dëftoi një të ri). Ai është komunist, po e shikon me tjetër sy. Ai më parë mendon për mëmëdhenë dhe nuk është aspak dakord me këta që udhëheqin dhe nuk dihet se kush fshihet pas tyre.

 

- I nderuari Mitat Bej, - i thashë unë, - ju diskutoni një çështje thjesht nacionale.

 

- Po kjo është sot për sot kryesorja, - më tha. ? Vërtet në qoftë se luftohet ose të presim momentin e goditjes për të mos u dëmtuar shumë është një çështje nacionale. Mirëpo komunistët, bashkë me nacionalizmin, japin premtimin se çdo fitojnë nesër kur të çlirohet Shqipëria. Se mos do t?i mbajnë premtimet, - më tha.

 

- Atë do ta dëftojë koha u përgjegja unë. Po vetëm fjala nacionalizëm nuk e mbush zemrën e fshatarit dhe të punëtorit, qoftë dhe me shpresë të rrema.

 

Fjala nacionalizëm, e zhveshur i përket të kaluarës, kurse e ardhmja kërkon ndryshimet shoqërore ekonomike që duhen gërshetuar me fjalën nacionalizëm.

 

- Kur të çlirohet Shqipëria, - më tha, - unë vetë do të vishem me opinga dhe do të shkojë fshat më fshat për të shpëtuar fshatarin nga varfëria dhe padituria.

 

- Mirë po, këtë duhet ta thoni sot bashkë me luftën, me dyfekun dhe me pendën që të të ndjekë nga prapa për atë që ke në zemër.

 

- Rreziku komunist është më kryesor, - më tha ai. ? Unë vetë, ti e di që s?kam kurrgjë se humbas si pasuri se s?kam kurrgjë, veç librarisë, që sheh dhe atë personale që do ta lë trashëgim pas vdekjes, shtetit dhe brezave të ardhshme. Po diktatura e kuqe është mizore dhe derdh lumenj gjaku. Ndodhemi përpara një kasaphane.

 

- Po as unë s?jam komuniste dhe as që e kuptoj atë, si çdo gjë dhe vetë s?kam se ç?të humbas si pasuri veç se botëkuptimin e mësonjësve t?onë të nderuar, të sakrifikuar që na kanë rritur. Këtu është tragjedia t?onë e demokratit që e pret diçka që ai nuk e kupton dhe arrin ta marri vesh dhe ndodhet përpara një udhëkryqi. Po një gjë është e qartë, ata luftojnë dhe organizohen. Japin prova dhe sakrifikohen.

 

- Dhe ne nuk duhet ti lëmë ata të kenë supremacinë, - tha Mitat beu.

 

- Atë e fitojnë duke luftuar, s?ja u ndalon do t. Ju i rihni çështjet dhe qëndroni në vend. Ata organizohen dhe vrasin italianët .

 

Kështu u ndamë. Unë s?pata më rast ta takoja më gjer në fund. Po dëshira e flaktë e të gjithëve ishte bashkimi.

 

Kurse unë e shikoja jo në prizmin e një bashkimi të Ballit Kombëtar me Frontin Nacionalçlirimtar, mbi një bazë aleance demokratike dhe mbi këtë bazë kur rashë në kontakt me Nexhmije Xhuglinin (Hoxha më vonë) dhe parashtrova intensifikimin e luftës kundër okupatorit unë ja parashtrova që të hynim në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar, jo si individë të veçantë, po si një grup demokratik ose më mirë si parti (Social Demokrate që të përfaqësonte rrugën e mesme që të lidhte me të forcat e pa kristalizuara, duke u radhitur me të në alenacë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar). Ajo nuk e pranoi këtë tezë dhe tha se sot nuk është koha e formimit të partive të tjera, po e organizimit të luftës kundër okupatorit.

 

- Ç?të keqe ka këtu? ? i thashë unë. ? Ju jeni komunistë dhe midis jush i rihni dhe problemet shoqërore mbi parimet t?uaja, ne jemi demokratë dhe rahim midis nesh problemet shoqërore dhe njëkohësisht i japim rëndësi në radhë të parë luftës kundër okupatorit.

 

Këto mbledhje qenë bërë në shtëpinë e mësueses Razie Hallullit, ajo vetë ishte pjestare, ishte edhe Mefarete Frashëri, Afërdita Asllani si dhe Gjokoroce. Këto tre të parat më përkrahnin, e fundit mbante heshtje. Në atë periudhë pune të përbashkët, nxuarmë numrin e parë të revistës GRUAJA SHQIPTARE. Unë bëra hyrjen, shkrova një tregim "HIEJA E DJALIT", po këmbëngulja e Nexhmijes vazhdoi. Ajo dëshironte që ne të urdhëroheshim prej saj, të vepronim sipas urdhrave të saj dhe asgjë tjetër. Ky mos kuptim dhe mos dashje pruri largimin t?im së fundi nga gjiri i Frontit Nacionalçlirimtar ku tentova që të hynim si një grup, në fillim dhe të formonim Partinë Social-Demokrate bashkë me luftën kundër okupatorit.

 

Në këtë kohë rastësisht u takova me avokat Skënder Muçon që e kisha njohur në hekurat e burgut, në vitin 1932.

 

Njoha Isuf Luzin, profesor të letërsisë dhe Selman Rizën, gjuhëtar i zoti. Që të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e luftës, aqë më tepër se në rrethin e Vlorës, ku kishin çetat e tyre kishte hyrë grindje dhe sipas fjalës së tyre, komunistët i qëllonin që t?i shpartallonin. Ata, me gjithë respektin që kishin për Lumo Skëndon, shikonin plogështinë e udhëheqjes, kërkonin sa më shumë organizim dhe bashkim, gjë që në rrethin e Vlorës autoriteti i Hysni Lepenicës qe një balancim midis mosmarrëveshjeve të tyre ose çfaqjeve të ambicieve. Përpara tij tërhiqeshin. E respektonin shumë dhe ai njihej për njeri modest e atdhetar që u vra në Grehot, nga armët italianëve, të cilët e qëlluan dhe e vranë. Me këta njerëz e shtrova prapë mbi një koalicjon demokratik. Duke u mbështetur te Dekallogu, thashë që të formohej Partia Social-Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh më tepër unë me Isuf Luzin përpiluam programin e Partisë dhe moralisht njohëm Skënderin si udhëheqës që të miresh më tej. Unë shkova të bisedoja me Mitat benë po nuk e gjeta, po fola me Hasan Dostin, që ishte zëvendësi i tij. Ky njeri i ditur, modest dhe i butë, s?kish asnjë inisiativë, vetëm atë njeri që ishte dakort se ç?thoshte Mitat beu, vetë nuk lidhte do t as dy fjalë.

 

Ja parashtrova krijimin e Partisë Social-Demokrate. Ai u përgjigj se Mitat beu nuk ishte dakort dhe nuk e aprovonte. U përgjegja se ne nuk kishim nevojë për aprovimin e tij, pasi atë e përfshinte Dekallogu. Ne botuam një trakt dhe lajmëruam formimin e saj. U bë vetëm një mbledhje. Atë e organizoi Skënder Muçua. U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit. Për fat të keq, nuk e mbaj mënd emrin e të zotit, i cili ishte antar i frontit. Ishin mbledhur rreth 60 burra. Veç të zotit të shtëpisë ishte dhe Qiriako Harito, antar frontit, njeri aktiv për ta. Fjalën e rastit e mbajti Skënderi. Foli për situatën, për luftrat që kishin bërë në rrethin e Vlorës, për bashkimin që duhej në popull, për përpjekjet për t?u marrë vesh me Frontin, në një luftë më intensive si dhe formimin e Partisë Social-Demokrate (ne katër ishim grupin e parë). Si mbaroi fjalën, u ngarkova unë dhe lexova programin. Erdhi momenti delikat. I zoti i shtëpisë tha: "Ne jemi në front, punojmë, sakrifikohemi, po na duan sa për të shkuar radhën". E çfaqi pakënaqësinë e tij të vërtetë. Skënder Muçua u nxitua. U drejtohet atyre të dyve: "A do të hyni dhe ju në Partinë Social-Demokrate?" Qirako Haritua mbeti në pozitë të keqe. Mendohesh të gjente një përgjigje. Shoku i tij po thellohej e nuk nxitohej. Gjithë ata burra, në përgjithësi, nuk thanë asnjë fjalë. Atëherë unë e mora vetë fjalën dhe iu drejtova vetëm Skënderit: "Sot është hera e parë që mblidhemi. Ne që komunikuam duhet të bëjmë punën tonë kryesore të organizimit. Të bëjmë luftën, të japim prova dhe pastaj këta njerëz, të cilëve iu drejtove të vendosin për hapin e tyre". Unë nuk doja përçarje dhe as që cenohej Fronti N/Çlirimtar. Duhej të mbetej gjithmonë rruga drejt bashkimit, afrimit, në rast nevoje dhe aprovimi të hynim si Parti S. Demokrate.

 

Qiriako Harito e mori veten, gjithashtu dhe shoku tjetër. Mendimin t?im e aprovuan dhe anuan që sa më parë të arrinin në qëllimin e caktuar. Ata do të mbeteshin gjithmonë një element, në favor të luftës, të bashkimit dhe të demokracisë.

 

Po për fat të keq dhe kjo tentativë shkoi kot. Mitat beu tregoi pakënaqësinë e vet dhe ndikoi për keq në marrëdhëniet midis Skënderit dhe Isuf Luzit, që ishin në grindje e në ambicie. Selmani ishte tip i heshtur. As ndizte, as shuante. Unë u zëmërova se pashë me një herë se krerët e ballit nuk frymëzoheshin nga demokracia, po donte të shkonte përpara, duke ruajtur vetëm prestigjin e Lumo Skëndos, që të mbizotëronte në sajë të emrit të babajt. Rruga tragjike dhe pozita demokratike ishte gjithmonë, sa në krahun komunist në shënjestër po as dhe aq nga elementi udhëheqës i Ballit, që donte të mbahej në këmbë me influencat personale. Moment tragjik. Ata bënë çmos të kundërshtonin. Atëherë mua më hypi një inat i madh e shkova drejt tek Nexhat Peshkëpia, profesor dhe sekretar i Ballit në Tiranë dhe pasi plotësova numrin e parë të gazetës "Zëri i lirisë" i thashë ose botojeni, ose ne do të lidhemi, të gjithë sa jemi, me komunistët.

 

- Musine, - më tha ai, - kjo nuk është e drejtë. Ju organizoheni dhe kërkoni të mbani të fshehta forcat t?uaja. Juve ju kanë nxitur komunistët që të shkaktoni përçarje në radhët e Ballit.

 

- Do ta botoni gazetën e do ta dërgoni atje ku dërgoni dhe shtypin e Ballit, - i thashë. ? Të lutem mos na pengoni. Ne nuk duam përçarje dhe gaboni krejtësisht. Të lutem mos na pengoni. Në vend që të luftojmë ju hiqni dhe bazat më të thjeshta të demokracisë, me të cilën mburret Balli se i ka.

 

Nexhati, si dhe të tjerët, besonin se ne ishim lidhur me njeri-tjetrin mes një vargan njerëz që ata s?e dinin. Dhe vërtet, ose dyshonin se ishin komunistët që na shtynin ose na mbushesh mëndja se do të hidheshim me komunistët. Nexhati u detyrua të botojë gazetën "Zëri i lirisë" dhe ta shpërndajnë. Atëherë ata Skënderin e bënë redaktor të gazetës që nxirrte Balli. Unë merja material andej këndej. Ndihmonte dhe Isuf Luzi dhe e vetme munda të nxirja vetëm gjashtë numra. Asnjëri nuk e dinte sa ishim, se kush ishim dhe kush e nxirrte gazetën. Vetëm unë ngula këmbë. Besoja në fitoren e saj? Jo, dhe ne të katër që e themeluam nuk u takuam më herë bashkë. Unë i nxora ato gjashtë numra vetëm me një qëllim: Qe përshkruar një rrugë, një program partie. Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshim në atë rrugë dhe të vazhdonte.

 

Ç?ndodhi brenda kësaj periudhe që erdhën dhe gjermanët?

 

Bashkimi i Mukajt u prit me gëzim nga të gjithë. U bë bashkim. Prishja e saj qe një keqardhje e të gjithëve. Komunistët hapën fjalë se Ballistët nuk donin të luftonin. Mirpo u kap korrieri, me vendimin e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste që dënonte qëndrimin dhe vendimin e Ymer Dishnicës dhe të shokut të tij. Udhëzohej që të shkruhej dhe të forcohej dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe shumë gjëra të tjera. Këtë e botuan dhe u pa se ishte fronti ose më mirë Komunistët që e prishën bashkimin e Mukajt, po jo se Ballistët nuk deshën të luftonin. Ishte një moment që e cilësoi se qëllimi ishte se komunistët donin të merrnin fuqinë. Në këtë kohë shumë elementë u shkëputën nga fronti dhe sidomos ikja e Xhelal Staraveckës pruri shumë dëme. Ai i njihte komunistët dhe bazat e tyre. U bënë shumë vrasje. Një grup të rinjsh ikën në Berat dhe forca gjermane intensifikohej më keq. Vrau Skënder Muçon në Vlorë, që u takua me englezët. Balli u paralizua. Bëri në Berat Kongresin dhe një pjesë të krerëve të tij, si Kolë Tromara, Bahri Omari, Koço Muka muarnë pjesë në qeveri. Unë nuk e nxora më gazetën. U mora vetëm me letërsi. Çdo përpjekje qe e kotë, nga të dy palët.

 

Katër Shkurti qe tronditës. 27 Shkurti një masakër prapë, qoftë me një numër më të vogël. Aksioni në rrugën e Dibrës qe i fortë. Atentati kundër Mustafa Krujës dështoi. Kundër Xhafer Devës dështoi. Iljaz Agushin thuhet që Bujar Hoxha, djali i mikut të tij, i vajti në shtëpi dhe e vrau. Lefter Kosova, ministër i Kulturës, më duket se, pasi që u formua kjo qeveri e Rexhep Mitrovicës, e vrau Xhelal Staravecka mu në derë të shtëpisë. Pastaj u bë largimi i 100 e ca vetave për në Prishtinë. Tirana dhe në rrugët e saj dukej si kazermë. Beqir Valteri, që e rrethonin mbi dhjetë veta prapa krahëve, gjëmonte me çapat e tija dhe nuk mjaftonin gjerësitë e rrugëve që të kalonte me madhështinë. Ish atentatori i Zogut, në hotel Dajti, siç e tregonin në një odë, kishte varur flamurin e Shteteve të Bashkuara, pasi do të formonte Konfederatën Ballkanike. Preng Previzi, mu te sheshi i Ministrive, vrau Selami Çelën, në mes të ditës. Vranë një oficer po tek ai shesh, demek se kishte përdhunuar një të të burgosur. Seit Matia vetë i pestë, i armatosur, tundej dhe shkundej nëpër rrugë dhe gjuante komunistët. Bazit të Canes, larguar nga fronti, i dënojnë rojen personale. Mehdi beu u kthye nga Italia dhe u bë kryetar i Regjencës. Gjon Markagjoni i binte pash më pash Tiranës. Gjon Fusha nuk tundej dhe më pak. Osman Gazepi, që kishte vënë grada sa i deshi qejfi, shëtiste në një krahë vajzën, në krahun tjetër mbesën dhe prapa trimat e tij. Mehmet Alemi bastiste shtëpitë. Muharem Bajraktari, Ali Alija herë vinin, herë shkonin. Man Kokoleshi gjithmonë i fuqishëm. Papalilua nuk mbetej prapa. Cen Elezi, një këmbë në qytet, një këmbë në mal. Të dhjetë djemtë ishin në vartësinë e lojrave të tija. Idriz Jazua po tmeronte Gjirokastrën. Haxhi Bankën kur mblodhi popullin në burg, hyjtën njerëz në burg dhe therrën të burgosur. U var Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Ali Peçi u bë i famshëm me aventurat e tij.

 


Shtator 2007

(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: