Mareglen Verli: Kërkesat e atdhetarëve kosovarë, dibranë e çamë, të paraqitura nga Bedri Pejani
| E Enjte, 16.06.2011, 07:29 PM |

KËRKESAT E ATDHETARËVE KOSOVARË, DIBRANË E ÇAMË, TË PARAQITURA NGA BEDRI PEJANI NË GJENEVË MË 1921*

 

Nga Mareglen Verli

 

Nga 1-10 shtator të vitit 1921, në Kongresin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve, të mbledhur në Gjenevë, prof. Bedri Pejani paraqiti një promemorie si përfaqësues i “Komiteteve të Bashkuara të Shqiptarëve Irredentistë”.

 

Prof. Bedri Pejani, i cili përfaqësonte një nga figurat e spikatura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të kohës, me aktivitet intensiv qysh në etapën e fundit të Rilindjes Kombëtare, në segmentin kohor 1918-1921 ishte figurë qendrore në njërën nga organizatat më të fuqishme e më të organizuara atdhetare të kohës, pikërisht në komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku kryente detyrën e sekretarit. Dihet kontributi i çmuar i kësaj organizate për mbrojtjen dhe konfirmimin e rezultateve të arritura më 1912-1913, pra për shpëtimin e shtetit shqiptar, si edhe në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e karakterit shqiptar të këtyre viseve, për kufizimin e dhunës serbe atje e deri për korrigjimin e padrejtësive që i ishin bërë në të kaluarën kombit shqiptar për çështjen e kufijve.

 

Memoria e botuar integralisht më poshtë, e paraqitur nga B. Pejani në Gjenevë më 1921, në gjuhën frënge, është një dokument i rëndësishëm, mjaft i argumentuar, prandaj edhe pati jehonë, duke ndikuar në marrjen e disa vendimeve nga Kongresi për Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve dhe në hartimin e miratimin prej tij të një rezolute në favor të “Shqipërisë irredentiste”, të cilat iu komunikuan telegrafisht Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve. Memoria iu ofrua, bashkëngjitur me fakte të shumta për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, edhe opinionit ndërkombëtar, duke synuar sensibilizimin e tij për çështjen shqiptare të vënë në ato momente në diskutim nga Fuqitë e Mëdha. Duke pasur parasysh punën e madhe që bënte aso kohe B. Pejani së bashku me Hoxha Kadriun, kryetarin e komitetit “MKK”, për hartimin e promemorieve, deklaratave dhe dokumenteve të tjera të ngjashme, të destinuara për forumet ndërkombëtare, kancelaritë dhe personalitetet më në zë të shteteve evropiane dhe të SHBA-së, nuk ka dyshim se B. Pejani nuk ishte thjesht lexuesi i “memories”, në fjalë, por, së paku, edhe ndër hartuesit kryesorë të saj.

 

Në memorien e B. Pejanit jepet në mënyrë impresionuese, koncize e të argumentuar gjendja e shqiptarëve në robëri, mbështetur në kartat ndërkombëtare të miratuara. Aty kërkohen të drejtat që u takonin atyre etj., madje, me mjaft guxim, brenda normave të etikës diplomatike, në memorie u bëhet e qartë fqinjëve, Fuqive të Mëdha dhe gjithë opinionit publik se pavarësisht nga vështirësitë që duheshin përballuar, çështja shqiptare kërkonte një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare. Pa një zgjidhje të tillë Ballkani dhe më gjerë nuk mund të kishin qetësi.

 

Pasi shpjegon qartë se ekzistenca e një “Shqipërie irredentiste” vjen për shkak të copëtimit të padrejtë e krejt të gabuar, B. Pejani argumenton, përmes një vështrimi në sensin etnik dhe historik mbi Kosovën, përse këto vise nuk mund t’i përkasin Serbisë.

 

Një vëmendje e veçantë në memorien në fjalë i kushtohet edhe situatës së shqiptarëve të lënë nën sundimin serb në fillim të viteve ‘20. B. Pejani i informon delegatët e Kongresit për të Drejtat e Popujve se do t’u vihej në dispozicion edhe një broshurë me dokumente e dëshmi të pakundërshtueshme, shpesh të burimeve jugosllave, mbi dhunën dhe terrorin e Serbisë, për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve të komiteteve të bashkuara të shqiptarëve irredentistë, hartues të promemories. Përmes këtyre të dhënave, bëhet e qartë se çdo reagim i shqiptarëve, duke përfshirë edhe qëndresën e tyre të armatosur, është thjesht vetëmbrojtës, ndaj edhe plotësisht i justifikuar. Në këtë plan duket se kjo memorie e vitit 1921 nuk e ka humbur aktualitetin as sot, kur ndërsa në botë mbizotëron fryma e zgjidhjes së çështjeve të kontestueshme politike ose territoriale pa dhunë dhe bëhen përpjekje për qëndrime konstruktive nga të gjitha palët në konflikte, Serbia ka shpërthyer kundër shqiptarëve në Kosovë luftën etnike pa precedent.

 

Në memorien e paraqitur nga B. Pejani, një syth i veçantë i kushtohet gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni dhe në Çamëri. Në këtë pjesë hidhet ideja gjithashtu aktuale në qarqe të ndryshme politike, për një Maqedoni të pavarur, të organizuar me “forma politike si Zvicra”.

 

Në konkluzionet e memories shënohet kërkesa e njohjes të së drejtës së vetëvendosjes për “Shqipërinë irredentiste” dhe ndërmarrja e përçapjeve imponuese pranë qeverive të Beogradit dhe të Athinës për t’i detyruar të heqin dorë nga dëbimi i shqiptarëve.

 

Më poshtë po jepet e plotë memoria e komentuar.

 

MEMORIE

 

PARAQITUR NGA DELEGACIONI I SHQIPTARËVE IRREDENTISTË NË KONGRESIN NDËRKOMBËTAR

 

PËR TË DREJTAT E POPUJVE

 

Shqipëria e pavarur dhe Shqipëria irredentiste

 

Zoti President,

 

Zonja e Zotërinj,

 

Ju keni dëgjuar të flitet shpesh për Shqipërinë, sidomos në vitet e para dhe pas Luftës Ballkanike. Diplomacia e lartë më 1913, e quajtur koncert evropian, u mor me këtë çështje, në fakt me një nervozizëm që shpeshherë e bëri botën të kujtojë se ndodhej në prag të një konflikti të përgjithshëm.

 

Po, Zonja e Zotërinj, është folur, flitet e do të flitet për Shqipërinë.

 

Dhe a mund të marrë fund kjo gjë? Le të shpresojmë. Le të jemi, qoftë edhe fare pak optimistë. Por, sidoqoftë, jo pa parashikuar vështirësi shumë të mëdha për t’ia arritur realizimit të një zgjidhjeje përfundimtare dhe rrënjësore.

 

Më lejoni të deklaroj që kjo çështje, e ashtuquajtur shqiptare, për shkak të një mendësie të pakuptueshme që mbretëron në sferat e larta diplomatike të shek. XX, po kthehet pak nga pak në një nyje të vërtetë gordiane. Ajo mbetet e pazgjidhshme dhe delikate, sepse aftësia e kontinentit tonë nuk i gëzon ato cilësi të larta morale të Ngadhënjyesit të Madh maqedonas. Ky është një labirint, Zonja e Zotërinj, sepse ajo që nga viti 1913, datë që përfundon me numrin e mallkuar, falë mendësisë së epokës politike në të cilën ne jetojmë, përbën një strumbullar konspiracioni dhe intrigash.

 

Le të shpjegohemi pak më qartë: Problemi shqiptar, për nga vetë natyra e pozitës gjeografike të Shqipërisë, lidhet ngushtë me dy probleme të tjera të rëndësisë më të lartë, për dijeni: ai i Ballkanit dhe ai i Adriatikut. Dhe gjithnjë është folur për një ekuilibër adriatik pa qenë nevoja gjithashtu të flitet për nevojën e padiskutueshme për një ekuilibër ballkanik.

 

U krijua një Shqipëri. Jo, mos e besoni këtë, Zonja e Zotërinj. E vërteta është që më 1913 u nda Shqipëria më dysh: njëra pjesë për t’i shërbyer si gjah imperializmit qesharak serbo-grek dhe tjetra, e quajtur e pavarur, në mënyrë mistifikuese, për të qenë një casus-belli për një luftë të ardhshme, botërore ose të pjesshme.

 

Këtu, kam misionin e shenjtë të mbroj këtë Shqipëri të parë fatkeqe kundër zgjedhës serbo-greke që, për poshtërsinë e vet të pabesueshme, përbën sot një kryevepër turpi dhe shpifjesh për shekullin e Tolstojve dhe të Markonëve.

 

Sa për të dytën, jam i sigurt se ajo do të mbrohet ndershmërisht dhe energjikisht kundër kujtdo, nga bashkatdhetarët e mi trima, të cilët me një luftë të ashpër prej 6 vjetësh ia dolën mbanë për të thithur ajrin e lirë të maleve tonë të bukura me armë në dorë, i vetmi mjet që kurrë nuk i ka tradhtuar interesat e larta të shqiptarëve e të Shqipërisë.

 

***

 

Vështrim etnik dhe historik i Kosovës

 

Tani, më lejoni, Zonja e Zotërinj, të përmbledh vështrimin etnik dhe historik të kësaj Shqipërie, të cilën bashkatdhetarët e mi e kanë quajtur “Shqipnia e robnueme”.

 

Pjesa më e rëndësishme e kësaj Shqipërie përbëhet nga një krahinë e quajtur Kosovë, që serbët e pagëzuan aty nga viti 1353 me emrin “Stara Srbia”(Serbia e Vjetër) e që sot e quajnë Serbia Jugore. Është pjesa lindore e Ilirisë së vjetër, e ndarë nga Maqedonia prej maleve të Sharrit (Scardus) ose malet ilirike sipas Strabonit, Ptolemeut dhe Bogdanit. Në të banojnë 800 000 shqiptarë kundrejt 60 000 serbëve. Emrat gjeografikë të rajoneve që ajo përfshin pësuan një serbizim pothuajse të plotë gjatë sundimit të përgjakshëm dhe të përkohshëm të serbëve në shekujt XIII dhe XIV, por falë një sundimi pothuajse fiktiv të turqve, tiparet e saj etnike mbetën ilire, d.m.th. shqiptare.

 

Hartografia e shekujve XV, XVI, XVII e XVIII, nuk na flet fare për emrin “Serbia e vjetër”.

 

Megjithatë, letërsia e huaj e mori dhe e përgjithësoi këtë emër ireal, pa e gjykuar dhe pa dokumente, duke mos njohur faktin se ajo u shërbente synimeve imperialiste të rusëve dhe të serbëve të shekullit XIX.

 

Falë bujarisë financiare të Peterburgut, serbët përfituan jashtë mase nga ky emër për të shfrytëzuar dhe magjepsur mendësinë naive të Perëndimit, duke e mbytur me broshura dhe duke i kënduar kudo e gjatë më se një gjysmë shekulli kësaj Serbie legjendare me një histori të sajuar, me heronj që s’kanë qenë kurrë dhe me një sërë teorish qesharake.

 

“Islamizim dhe shqiptarizim i serbëve të Serbisë së Vjetër!…”.

 

E vërteta është se Kosova ishte dhe është ende shqiptare. Sundimi i vjetër serb la aty disa kisha dhe ai turk rreth 100 xhami dhe varreza me epitafe turke ose arabe.

 

E robëruar nominalisht nga turqit, kjo krahinë drejtohej faktikisht nga ligjet shqiptare dhe guvernatorët shqiptarë, pasardhësit e të cilëve jetojnë ende në Kosovë. Dhe kur Turqia e sulltanëve, në fillim të shekullit XIX, nën pretekstin e futjes së reformave dhe në fakt për konsolidimin e sundimit osman në Shqipëri, provonte t’i jepte fund mbretërimit të familjeve shqiptare, ajo hasi në një kundërvënie kombëtare të drejtuar nga Mustafa Pasha, Vezir i Shkodrës, i cili e ndoqi ushtrinë e shpartalluar të sulltanit deri në Filipopol.

 

Nga ana tjetër, historia serbe nuk mund të përmendë, pas betejës së parë të Kosovës më 1389, që rrëzoi Perandorinë e Car Dushanit, asnjë lëvizje kombëtare serbe që të ketë mundur të zhvillohet në Kosovë kundër sundimit turk.

 

Përkundrazi, historia osmane ka shënuar 54 kryengritje të mëdha shqiptare të komanduara dhe drejtuara në pjesën më të madhe nga shqiptarët e Kosovës.

 

Ku ishin pra, këta serbë të Serbisë së Vjetër, kur shqiptarët zhvillonin një veprimtari kombëtare kaq të madhe?…

 

E për më tepër, perandoria e themeluar nga i famshmi Car Dushan, që zotëroi Shqipërinë më 1345, u prish më 1389 në vijim të një beteje të vetme të humbur dhe kjo ndodhi në një periudhë kur sundimi turk në Ballkan ishte ende shumë i dobët.

 

Përkundrazi, shqiptarët iu kundërvunë po kësaj perandorie osmane, madje në kohën kur zotëronte Kostandinopojën dhe kërcënonte Evropën mbarë, duke i shkaktuar ushtrive të Muratit të Dytë dhe të Mehmet Pushtuesit, me qëndresën e tyre më se 25-vjeçare, 22 humbje në beteja të njëpasnjëshme.

 

Serbët e propaganduan dhe e shfrytëzuan disfatën e Kosovës dhe bindën mendësinë perëndimore se fusha e Kosovës, vendi ku qe varrosur Fuqia serbe e shek XIV, nuk ka qenë e nuk mund të jetë veçse një vend serb.

 

Një teori me të vërtetë e çiltër dhe e hollë! Por e vërteta është se fusha e Kosovës, qoftë për nga pozita e saj gjeografike, qoftë për artin ushtarak të epokës në fjalë, përbënte një vend takimi të mrekullueshëm për ushtrinë turke dhe ato të kryqtarëve.

 

Së fundi, a është dëgjuar ndonjëherë të flitet, qoftë edhe për një vitalitet minimal të serbëve të Kosovës, gjatë shekujve dhe në vitet para 1912-s? Jo, dhe kjo për arsyen e vetme që Kosova është një pjesë përbërëse e atdheut shqiptar qysh nga kohërat para-historike.

 

Përkundrazi, shqiptarët e Kosovës drejtuan të famshmen Lidhje të Prizrenit më 1880-n dhe iu kundërvunë me armë neneve të Traktatit të Berlinit, që parashikonte copëtimin e Shqipërisë në favor të grekëve dhe të malazezëve.

 

Nga ana tjetër, ata luftuan kundër ushtrive të Sulltanit të Kuq gjatë gjithë sundimit të tij, dhe e detyruan më 1908, në përputhje me vendimin e Asamblesë plotësisht kombëtare të Ferizajt (23 korrik 1908), të shpallte Kushtetutën Osmane. Së fundi, duke parë se ishin tradhtuar nga xhonturqit, ata filluan një luftë të përgjakshme kundër regjimit të tyre shtypës dhe i mundën më 1912, duke pushtuar Shkupin në krye të një ushtrie revolucionare prej 25 000 vetësh dhe duke i diktuar kërkesat e tyre Portës së Lartë.

 

Ku ishin pra, këta serbë të Serbisë së Vjetër kur shqiptarët e Kosovës, duke paguar me lumenj gjaku, përgatisnin ngadalë por të sigurt çlirimin e të gjithë elementëve ballkanikë, të nënshtruar nga zgjedha e sulltanëve të Konstandinopojës?

 

Po, Zonja e Zotërinj, serbë kishte. Por jo në Kosovë. Dhe ata që ishin përtej kufijve tanë të asaj kohe, duke i shpallur luftë Turqisë u hodhën tradhtisht mbi ne, duke luftuar kundër Shqipërisë dhe tërësisë tokësore shqiptare.

 

Dhe kjo gjë ndodhi pikërisht në kohën kur ne sapo kishim fituar në fakt mëvetësinë dhe ishim në lartësinë e duhur për të fituar edhe atë të Maqedonisë.

 

Shqiptarët e Kosovës, me gjithë fatkeqësitë e pësuara gjatë Luftës Ballkanike(1912-1913), morën pjesë gjallërisht në ngritjen e Shqipërisë, të quajtur të lirë, përgatitën në pjesën më të madhe Kongresin e Vlorës, që shpalli nën zjarrin e bombardimeve të flotës greke pavarësinë e Shqipërisë (28 nëntor 1912), mbrojtën Mbretërinë e Shqipërisë më 1914 dhe u larguan nga kryeqyteti shqiptar vetëm pas nisjes së mbretit të tyre, iu kundërvunë energjikisht dëshirave imperialiste të çastit të austriakëve më 1916, 1917 dhe 1918, dhe, më së fundi, dhanë ndihmesën e tyre për ta bërë të pamundur copëtimin e Shqipërisë më 1920, duke përforcuar Kongresin Kombëtar të Lushnjës, duke komanduar shtypjen e kryengritjes së esadistëve dhe duke marrë pjesë në çlirimin e Vlorës.

 

Të gjithë kësaj, më lejoni t’i shtoj edhe një fakt historik, që duhet të ketë një rëndësi krejt të veçantë.

 

Më 1918, Kosova u pushtua nga trupat franceze të paraprira nga kryengritësit tanë, që luftonin kundër pushtimit austro-bullgar qysh nga 1916. Për të qetësuar demonstratat e armatosura kombëtare të 21 tetorit 1918, komandanti francez u detyrua ta përfundonte fjalimin e tij duke thirrur nga lartësia e ballkonit të bashkësisë së Pejës: “Rroftë Shqipëria e Madhe!…”.

 

Këto trupa kërkuan më kot serbët e Serbisë së Vjetër(!) dhe ushtria e të vërtetës Serbi e Vjetër guxoi të kryente rivendosjen e saj në Kosovë vetëm disa javë më vonë, nën mbrojtjen e trupave dhe të topave francezë.

 

***

 

Situata aktuale dhe regjimi serb në Shqipërinë irredentiste

 

Le të kthehemi tani në gjendjen aktuale të kësaj krahine fatkeqe:

 

Në broshurën që kam nderin t’u jap, do të gjeni dokumente të mizorive që do të bënin të dridheshin Neronët në varret e tyre.

 

Ka shumë të tjerë që mungojnë aty. Asnjë zmadhim, përkundrazi, unë mund t’ju siguroj që ka mijëra viktima, të masakruara ose të djegura të gjallë, për të cilët ne s’patëm mundësi të mësonim emrat për t’i regjistruar.

 

Ja disa dokumente të tjera pakundërshtimisht autentike, përderisa ato janë riprodhuar tekstualisht nga shtypi jugosllav.

 

Mos u habisni Zonja dhe Zotërinj nga ky numër i gazetës “Hak”, i hartuar në turqisht dhe ku gjendet e regjistruar një pjesë e masakrimeve në Prishtinë.

 

Është hartuar në turqisht sepse kultura kombëtare shqiptare, përfshirë aty edhe gjuha, na është ndaluar rreptësisht nga regjimi shovinist serb.

 

Këtu shihet një dëshmi shumë karakteristike e natyrës së misionit gjoja qytetërues të serbëve në Shqipërinë irredentiste. Sidoqoftë, e vërteta qëndron ashtu siç është, dhe këta njerëz të cilëve ju u shikoni emrat dhe mbiemrat, janë masakruar nga serbët e shekullit XX.

 

Ja tani se ç’thotë gazeta “Pravda” në një kryeartikull të shkruar nga pena e Z… dhe botuar në nr. 91, më 5 prill 1920.

 

“Duke e njohur shumë mirë situatën, unë mund të pohoj pa asnjë hezitim se bandat rebele në Malin e Zi dhe në Serbinë Jugore janë 90% pjellë e administratës së keqe, e paaftësisë së nëpunësve tanë ose e abuzimeve që ata bëjnë në përmbushjen e funksioneve të tyre. Sekretari më i rëndomtë prej këtyre nëpunësve është i bindur se askush s’mund t’i bëjë gjë për sa kohë që ai ka një mbrojtës të lidhur me çfarëdo parti politike…”.

 

Unë mund të siguroj, vijon artikulli, zotërinjtë Pashiç dhe Drashkoviç, se ata nuk do të mundnin të bënin asgjë nëse do të kishin nën urdhrat e tyre nëpunës të ngjashëm me ata të Serbisë së Jugut.

 

Po ashtu, dhe pa asnjë zmadhim, unë mund të siguroj zotërinjtë Pashiç dhe Drashkoviç, që, nëse rastësisht ata do të kishin fatkeqësinë të jetonin në Malin e Zi dhe në Serbinë e Jugut, do të ishin të detyruar të ngjiteshin në male dhe të luftonin kundër nesh!…”.

 

Nga ana tjetër, ja një pjesë e shkëputur nga gazeta “Epoka”, botuar në Beograd:

 

“Të mos dënohen pohimet tona: Të lejohen që të lindin pyetje spontanisht, të fshehësh të vërtetën e të mos tregosh që populli i kësaj zone është në revoltë të plotë, përbëjnë të këqija të mëdha. Po, neve na duhet të bindemi se në Serbinë e Vjetër, në Metohi e në Sanxhak, populli është revoltuar, sepse atje qeveria është lëshuar mbi popullin”.

 

“Në Kosovë, vazhdon artikulli, ne kemi më tepër xhandarë se sa Turqia mbante dikur aty. Gjithsesi, deri më 1915 nuk kishte asnjë bandë në këto zona”.

 

“Numri i të revoltuarve rritet përpjesëtimisht me numrin e xhandarëve. Ne e vërejmë këtë duke parë humbjet e pësuara nga xhandarmëria jonë”.

 

“Për pasojë, arrin në përfundim artikulli, ne duhet të bindemi se arsyeja e vetme që populli, sidomos shqiptarët, u revoltuan, vjen nga abuzimet e nëpunësve tanë”.

 

Vështrim mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe të Çamërisë

 

Më mbetet të deklaroj që asnjë konflikt nuk ka midis shqiptarëve irredentistë dhe elementëve të tjerë të Maqedonisë, përjashto serbët dhe grekët.

 

Zonja dhe Zotërinj, unë konfirmoj deklaratat e mia të djeshme dhe deklaroj edhe një herë që bashkatdhetarët e mi mbështesin me të gjitha mjetet e tyre çështjen maqedonase, idenë e një Maqedonie të pavarur në kufijtë e vet etnikë e duke patur të njëjtat forma politike si Zvicra.

 

Kufijtë e ardhshëm shqiptaro-maqedonas janë një çështje që u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë irredentiste, dhe maqedonasve. Për më tepër, është një çështje, që për nga vetë natyra e saj, nuk paraqet asnjë vështirësi.

 

Për sa i përket konfliktit shqiptaro-malazez, mund të deklaroj që shqiptarët irredentistë janë gati të merren vesh me malazezët mbi bazën e një plebishiti në zonat e Malit të Zi të vitit 1914. Deklaroj nga ana tjetër që ne mbështesim me të gjitha mjetet tona pavarësinë e Malit të Zi.

 

Për grekët, fola mjaft dje me rastin e diskutimit të çështjes së Smirnës dhe të konfliktit turko-grek.

 

Unë ju tregova të gjitha të këqijat që na kanë bërë më 1914 dhe që vazhdojnë të na bëjnë.

 

Në këtë broshurë, ju do të gjeni detaje më të plota mbi konfliktin shqiptaro–grek.

 

Më mbetet vetëm të shtoj që Shqipëria irredentiste nuk do të heqë kurrë dorë nga Çamëria e bukur dhe do të kërkojë gjithnjë kthimin te mëmëdheu.

 

Konkluzion

 

I lutem kongresit të votojë rezolutën e mëposhtme:

 

a) Të kërkohet e drejta e vetëvendosjes për Shqipërinë irredentiste.

 

b) Të bëhen përçapje pranë qeverive të Beogradit dhe Athinës për t’u imponuar heqjen dorë nga dëbimi i shqiptarëve.

 

Profesor Bedri Pejani

 

Përfaqësues i Komitetit të Bashkuar të shqiptarëve irredentistë

 

Shtator 1921

 

Gjenevë


G. Metropol, 29/03/2008

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: