Boks/“Jemi gati, nga Turqia kthehemi me medalje”
| E Enjte, 16.06.2011, 06:21 PM |

Kristian Demaj
Kristian Demaj
Kombëtarja shqiptare e boksit ka zhvilluar të hënën stërvitjen e fundit në prag të nisjes drejt Turqisë ku do të zhvillohet Kampionatit Europian i boksit më 17-24. Shqipëria do të përfaqësohet në këtë aktivitet të rëndësishëm për kontinentin me 4 boksierë, 2 prej të cilëve janë pjesë e Vllaznisë, një i Apolonisë së Fierit dhe një i Tiranës. Shqiptarët e boksit janë përgatitur intensivisht me një ngarkesë të plotë gjatë këtyre tre muajve të fundit dhe tashmë janë të gatshëm për t’u përfaqësuar denjësisht në Kampionatin Europian. Pjesë e Kombëtares do të jenë në peshën 64 kilogram Xhulio Vrenozi i Apolonisë, në peshën 69 kilogram Asmer Bilali i Vllaznisë, në peshën 75 kilogram Alban Bërmeta i Tiranës dhe në peshën 91 kilogram Kristian Demaj i Vllaznisë. Boksierët kuqezi do të drejtohen nga trajneri shkodran Zef Gjoni, i cili do të ketë ndihmës të tij Baftjar Abazin e Apolonisë dhe Renato Kurtin e Tiranës. Trajneri Gjoni i pyetur nga “Sport Ekspres” para nisjes drejt Turqisë, ka deklaruar se është optimist dhe ka besimin e plotë se boksierët shqiptar do të arrijnë rezultate pozitive. “Ekipi është stërvitur intensivisht gjatë të gjithë kohës. Kemi bërë një fazë përgatitore të plotë. Gjendja e boksierëve është shumë mirë. Në aspektin fizik e teknik të gjithë gëzojnë një formë të mirë dhe nuk kanë asnjë lloj problemi. Jemi të gatshëm të përballemi në Europian nga ku kam bindjen e plotë se nuk do të kthehemi duarbosh nga Turqia. Natyrisht që duhet të kemi edhe pak fat në hedhjen e shortit në mënyrë që sportistët e mi të ecin sa më lart në këtë garë të rëndësishme. Kësaj here kam besim se ndonjë nga boksierët e Shqipërisë, duke parë edhe rezultatet e fundit të tyre në turnetë Ndërkombëtar, them se mund t’ia arrijmë qëllimit për t’u kthyer me medalje në Shqipëri. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, por ju siguroj se ne do të bëjmë maksimumin për të arritur rezultate të larta”, thekson Gjoni. Optimist është edhe zvtrajneri Baftajr Abazi, i cili mendon se boksierët e Shqipërisë do të dinë të zhvillojnë ndeshje të bukura dhe të marrin medalje, edhe pse do të jetë e vështirë. Kombëtarja e Shqipërisë që nga e marta ndodhet në Turqi dhe gjatë këtyre dy ditëve ka zhvilluar seanca stërvitore duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Europianin që do të nisë nesër. Aktiviteti do të zgjasë për 7 ditë me radhë. Në Shkodër, qyteti ku qëndroi e grumbulluar skuadra e boksit, në prag të kësaj gare të rëndësishme ka entuziazëm dhe besim se kësaj here kuqezinjtë e boksit kanë shanse reale për të arritur rezultate të larta.

 

Senad Nikshiqi - Sport Ekspres



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: