Fotaq Andrea: Moj shqiptarka këmbëlehtë
| E Merkure, 15.06.2011, 08:05 PM |

MOJ SHQIPTARKA KËMBËLEHTË -

 

Romancë franceze e vitit 1833

 

Nga Fotaq Andrea

 

Para disa muajsh, duke hulumtuar rreth dy romaneve të panjohur të madhështorit Faik Konica, shkruar drejtpërdrejt në frëngjisht, të cilat i kam sot gati për botim, më tërhoqi vëmendjen një thënie e F. A. Steenackers në tetor 1906, sipas së cilës “Shqipëria nuk është më subjekt romance, ashtu siç ka pasë qenë më 1830”. Ç’të qe vallë një pohim i tillë? Hulumtimet më çuan në do pista krejt të panjohura, dhe përpara, veç kur m’u shfaq një tablo e gjerë romantizmi, me tematikë të mirëfilltë shqiptare, që përmbante në thelb romancën franceze “La jeune albanaise” apo “Vasha shqiptare”, e shqipëruar nga ana jonë “Shqiptarka”, për bukurinë artistike që përmban vetë ky term shqip.

 

Kjo romancë është shkruar më 1833, me muzikë të Theodore Labarre, kompozitor i njohur francez, konsideruar si virtuoz i harpës, që ka kompozuar opera, balete e mori romancash, si dhe është dekoruar Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës më 1862. Kurse teksti i këngës është shkruar nga shkrimtari dhe poeti Ambroise Bétourné, nga Kaeni i Normandisë, ku unë vetë kam kaluar një vit të bukur të jetës sime studentore. Ky poet ka shkruar romanca franceze nga më populloret, që janë përcjellë gojë më gojë për vite të tëra, janë kënduar nëpër festa, ballo e gëzime kolektive, si për shembull romancat “Festa e Madonës”, “Kujtime nga vendlindja”, “Vasha syzezë”, “Zezakja e shkretë”, etj. romanca këto që dallohen për hijeshinë e tyre, sentimentalizmin, thjeshtësinë dhe cilësitë ritmike. Madje, shumë nga romancat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Por kulmin e tërë romancave të Beturnesë e arrin kënga “Shqiptarka”, sikurse shkruhet në Grand Dictionnaire Universel të shek. XIX, vëllimi 2 i P. Larousse (1867), apo në Dictionnaire des Dictionnaires të Paul Guérin, një romancë kjo që “i ka rënë botës qark” siç thuhet shprehimisht. E megjithatë, sikurse ndodh shpesh paradoksi, poeti i kësaj romance, Bétourné, do të vdiste në mjerim më 1838 në moshën 43 vjeçare.

Le të shohim nga afër tekstin e këngës për të krijuar një ide të plotë të bukurisë së saj poetike dhe le t’ua lëmë kompozitorëve tanë shqiptarë kënaqësinë për të na interpretuar notat e saj muzikore, duke shpresuar se do dinë të interpretojnë ëmbëlsisht muzikën e Mjeshtrit Labarre, i cilësuar dhe njohur publikisht si “Autori i Shqiptarkës”, sikurse vë në dukje organi “Sylphide – Shtojzovallja” në janar 1855: “Muzika e Theodore Labarre, thuhet në të, është e shkruar me një veçori të mahnitshme, me ritme vallëzues që e ëmbëlsojnë veshin, pa rënë në vulgaritet... Njihet menjëherë dija, shprehja dhe shija melodike e autorit të “Shqiptarkës””.  Ja teksti i këngës:

 

“Shqiptarka”

 

A do të bëhesh mikja ime

Moj Shqiptarka këmbëlehtë?

Eja pra në mal me mua,

Mes rrezikut në më do.

 

Jo, skllave s’ke pse shko (n)

Për harem të sulltanit,

Më mirë shoqe me një trim,

Ditë lirie do na vinë.

 

 

Eja pra, mikja ime,

Moj Shqiptarka këmbëlehtë,

Eja pra, në mal me mua,

Mes rrezikut në më do.

 

Besim të kesh tek unë,

Veç ty të dua shumë.

Me të gjithë jam gati të luftoj,

Veç eja, eja mikja ime moj!

 

Lamtumirë kodra, brigje,

E ti qiell përherë qeshur,

Aty në mal të rreptë,

Liria është strehur.

 

A do të bëhesh mikja ime, .........

................................................

 

Arranxhimi:

 

Lumturinë më në fund gjeta,

Për të, vuajta aq shumë!

Dashuri në shpirt unë kisha,

Por prapë e lumtur s’isha.

 

Një buzëqeshje e tim trimi,

Sa e ëmbël pamja e tij,

Kur e putha krejt u qesh,

Shpirt’i tij, vetëtimë mes resh!

 

Edhe sikur të ndalemi këtu, bukuria e këtyre vargjeve është e tillë sa nuk ka si të mos na këndellë shpirtërisht, kur vetë lutja e trimit drejtuar vashës së tij na shfaqet si një nanuritje dashurore apo si një lutje lasgushiane e tipit “Eja, eja, vashëzo”, tek përfytyrojmë kryet e trimit prehur mbi gjoks të vashës, si në tregimet mahnitëse të Mitrush Kutelit, andej, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”.

Por, le të çapitemi më tej në histori, për të parë nga afër, para së gjithash, kuadrin historik të këngës, si dhe për të ndjekur në vite rezonancën artistike që ajo do të shkaktonte në Francë e kudo.

Në veprën “Dashuria dhe Bakusi” (1834), almanak romancash të kohës, kjo këngë e botuar me pentagrame dhe fjalë, mban titullin “Klefti” apo “Kaçaku”, një tregues më shumë rreth historikut të vetë këngës, e cila, sikurse theksuam, është pagëzuar nga shumica e autorëve dhe nga Fjalorët më prestigjiozë të kohës që i përmendëm me titullin e lirshëm “Shqiptarka”, apo “Moj shqiptarka këmbëlehtë” (Dictionnaire des Dictionaires, Paul Guérin, vëll. 1, f. 1122). Po ashtu, në librin “Këngë kombëtare e popullore të Francës”, (Paris, 1866) me autorë Dumersan e Noel Segur, kjo romancë jepet e plotë nën titullin “Vasha shqiptare”.

Pa depërtuar thellë në histori – kur skënderbejada jonë do të bënte epokë në Evropë, duke u shndërruar në burim frymëzimi për mjaft autorë monografish dhe tekstesh të mirëfillta letrare, deri te dashuria e zjarrtë e Skënderbeut për Donikën, si te libri “Skënderbeu i madh” i Anne de la Roche-Guilhem i vitit 1688 –, pa u ndalur as te udhëtimi i Jean Houel, Piktor i Mbretit dhe i Muzeut të Parisit, nëpër fshatrat arbëreshe të Kalabrisë më 1785, ku ai do të realizonte pesë tablo të suksesshme me në qendër bukurinë e vashës arbëreshe (tablo që i bleu që në atë kohë Katerina e Rusisë), le të themi se pikënisje e njohjes së drejtpërdrejtë të figurave evropiane me figurën e vashës shqiptare do të përbënin në fakt mbresat e Princit Charles Joseph de Ligne më 1787 përpara batalionit të 200 amazonave shqiptare në Kaffa, që parakaluan para tij:

 

“...Pashë, dhe e kam fjalën për fytyrën e zbuluar, thotë princi, vetëm ato të një batalioni shqiptarkash të një kolonie të vogël maqedonase vendosur në Balakllava: dyqind gra apo vajza bukuroshe, me dyfekë, bajoneta e heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjatë gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin e vizitës sonë për të na nderuar...”.

 

Princi i Linjës ndodhej në atë kohë në Theodozinë e lashtë të Detit të Zi, ku luftëtaret shqiptare të Perandorisë osmane ishin dërguar aty për të pritur enkas ardhjen e tij. Një rast i rrallë në histori që flet për mobilizim trupash amazonike, me në qendër vashat shqiptare dhe që një ditë, një piktor shqiptar lypset të rrëmbejë penelin për të përjetësuar këtë ngjarje !

Duke iu rikthyer kronologjisë sonë, shohim se që më 1782, Fauvel do të realizonte drejtpërdrejt nga natyra katër portrete albanojësh, dy gra e dy burra, që do përfshiheshin në koleksionin e mirënjohur “Duflos”, ku bie dukshëm në sy shtatlartësia e gruas shqiptare dhe piktoresku i kostumeve të saj. Sigurisht, filozofi dhe shkrimtari i madh frëng Ruso, në veprën e tij Emili apo Mbi Edukimin, që më 1762 e kishte përmendur tashmë vashën shqiptare gjithë feminitet tek thoshte: “Nga ana ime, unë do kisha dashur që një angleze e re t’i kultivonte talentet e veta të këndshme për t’i hyrë në sy të shoqit me të cilin do lidhet, me po aq kujdes sa vasha shqiptare, që aq ëndshëm kultivon talentet e saj për haremin e Ispahanit.” Konteksti historik i Perandorisë osmane është këtu më se i qartë, dhe ashtu si shkëlqenin në atë kohë jeniçerët shqiptarë në Lindje, apo stradiotët shqiptarë në Perëndim, shkëlqenin edhe vashat shqiptare jo vetëm për nga bukuria e feminiteti, por edhe për nga virtytet e amazonia.

 

Veçse çka do t’i jepte hov lartësimit të figurës së vajzës shqiptare në Perëndimin evropian në fillim të shekullit XIX, do të ishin përshkrimet me penë artisti të Pukëvilit, konsullit francez në Janinë, edhe pse ai nuk reshti së paragjykuari Shqiptarët tek s’i ecte në politikën e tij napoleoniane pranë Aliut të Janinës. Ja si shprehet për Shqiptaret Konsulli francez që gjendej në Janinë në vitet 1806-1814: “Armëmbajtëse tek Skipëtarët e Drinit, vështrimi i tyre krenar, ecja kryelartë tregojnë se ato janë bashkëshortet dhe nënat e atyre burrave kalitur në sfilitje, mësuar me rreziqet, që po aq sa nuk njohin kënaqësitë e jetës, po aq shpërfillin edhe vetë vdekjen si të mos ishte gjë. Kur shtegtojnë, me brezin gjithë pisqolla, shoqëruar nga qen të tmerrshëm që i nënshtrohen zërit të tyre, i merr për Dianë a për shoqet e veta... I sheh në luftëra kur vatra atërore kërcënohet, amazona të reja tek zënë vend në radhët e luftëtarëve dhe tek i cysin këta për të bërë kërdinë. Të krishtera apo muhamedane, asnjë prej tyre nuk mban perçen e sajuar nga xhelozia orientale; të bukura, gjithë ndrojë e dëlirësi, veç i kushtohen një familje të shumtë...”

 

Është e njohur që po në atë periudhë, ndodhej në oborrin e Janinës, kryeqyteti shqiptar i kohës, edhe Bajroni, pena e famshme të cilit shkëlqeu në tërë drejtimet për dashurinë ndaj Shqiptarëve, dashuri që do ta përjetësonte në vargjet, letrat dhe komentet e veta. Ishte pikërisht pena e tij, si dhe kostumi shqiptar që ai veshi mes trimave suljotë që do trazonin krejt shpirtin romantik të kohës, do ndiznin e ushqenin fantazitë, do nxisnin udhëtimet e shumta të artistëve, udhëpërshkruesve, studiuesve drejt trevave të lashta shqiptare, që ruanin ende madhërishëm origjinalitetin dhe bukurinë, me ekzotizmin e tyre. Është epoka kur Shqiptarët toskë, burra e gra, Boçarët, Xhavellat, Moskot e Dhespot, u vunë në qendër të rezistencës dhe të kryengritjes greke për pavarësi, për të hedhur tej zgjedhën osmane shekullore, e për ditë lirie edhe për vetë Shqiptarët. Ja si pasqyrohen ato kohëra lavdie përmes vargjeve popullore që po i përkthej lirisht nga frëngjishtja e Nepomucène Lemercierit, poet, dramaturg dhe përkthyes i Akademisë franceze:

 

... Është Suli mal i rreptë,

Mal i rreptë, mal i egër,

Armatosur bij e etër,

Motra, nuse edhe mëma.

Me çobenjtë pallëlarë,

O Xhavella trim i rrallë,

Jot grua jo! s’mbahet e rrethuar!

Djalnë më njërin krah,

Kordha më tjatrën i bie,

Lidhur me gjalmë dyfeku,

Krahëqafë ç’m’i ka hije!

E kur ecën, fluturon,

Fustanella palë-palë,

Atë futë në luftë ia tund,

Plot barot edhe plumb.

 

Domosdo, këto vargje dhe heroizmat në shekuj të arvanitasve, suljotëve, çemërve, krejt  Shqiptarëve, do viheshin në qendër të interesimit evropian kur ziente lufta për pavarësinë greke dhe kur Shqiptarët ishin vënë në krye të saj me Boçarin, Bajronin dhe trimat shqiptarë. Ary Scheffer do përjetësonte kështu gratë suljotet me tablonë e tij mahnitëse; Friedel do shkëlqente me portretin e Bubulinës; Lear nuk do linte gjë pa pikturuar nga kostumi i rëndë e gjithë madhështi i Shkodranes dhe nga trevat e shumta shqiptare; shpejt do ndizeshin krejt fantazitë për Hajdenë mes dhjetëra portretesh dhe emri i saj, përjetësuar nga Bajroni e Dyma i Ati do përhapej me shpejtësi nëpër Evropë. Sakaq, vetë Shatobriandi, një ndër figurat qendrore të romantizmit francez, nuk do vononte të njihte nga afër Shqiptarët e Greqisë. Dhe jo vetëm kaq, por do ishte pikërisht një vashë shqiptare, brenda një kasolleje të varfër arvanitase, ajo që do përkujdesej për të, duke i qëndruar te koka, duke i kënduar madje edhe ëmbël, kur ethet e kishin pushtuar keq shkrimtarin e madh tek e vërvitnin në kllapi, aq sa edhe atij vetë iu duk për një çast se vdekja qe gati për ta përpirë, sikurse e pohon në shkrimet e tij. Nga ana tjetër, i famshmi gjeograf franko-danez Malte-Brun, duke vënë në dukje fjalët e studiuesit Bartholdy për Shqiptarët e Suljotët, do të shkruante që më 1808 në Journal de l’Empire (nr. 9, 20 janar): “Shqiptarët, këta spartanë të rinj, janë jo vetëm luftëtarët më trima të Greqisë moderne, por ata kanë edhe një përparësi të theksuar nëpërmjet bukurisë së tyre fizike, që të kujton format e statujave tona më të bukura”.

Ja pra, ky është nga afër konteksti historik i këngës “Moj shqiptarka këmbëlehtë”.

 

Tridhjetë vjet pas daljes së romancës “Mos Shqiptarka këmbëlehtë”, studiuesi J.B.Wek-erlin, në esenë e tij “Studim mbi këngën popullore”, citon Znj. B. De M. që shprehet konkretisht se nga koha e rinisë së saj, ajo kujton si këngë të parë popullore këngën “A do të bëhesh mikesha ime, moj Shqiptarka këmbë-lehtë” të Labarrit. Kurse më 1843, në sallonin mondan të baroneshës Trémault, zonjat do të vallëzonin në kadrilin e parë, ku binte në sy Znj. F. veshur si “Shqiptarkë këmbëlehtë e me vështrim vezullues”.

Se sa popullore u bë kjo romancë në Francë, le të përmendim këtu një skenë nga Ditari i Dr. Menière i datës 21 shkurt 1833 që na shfaq shkrimtarin Imbert de Saint-Amond në moshë të rinisë: “Togeri i granatierëve (i trupave të përzgjedhura mësymëse franceze) në kompaninë 64, shkruan ai, po këndon gjithë shije e kënaqësi, shoqëruar në piano, romancën sentimentale që ndez krejt mjedisin tonë mustaqemadh (ushtarak) “A do të bëhesh mikesha ime, moj Shqiptarkë...”. Këto fjalë janë në tërë gojët, kënduar edhe nga vetë gjenerali Bueaud, që nuk është se ia thotë këngës, por që rri dhe e murmurit romancën mbi njëzet herë në ditë”. Po ashtu, te P. Veron (konkretisht në veprën e tij “Ressamblance garantie – Përngjashmëri e siguruar), heroi i bën të dashurës së vet “dhurimet e zemrës” tek i çuçurin në veshë fjalët “A do të bëhesh mikesha ime...”, duke i propozuar madje të marrë pjesë në mbytjen që do t’i bëjë ai vetë një anijeje të armikut.

Më 1836, Alexandre Hope, në bazë të romancës “Shqiptarka”, harton dhe kompozon romancën “Andaluzania”. Kurse më 1838, Konti Dupont, në poemën e tij prej dhjetë këngësh “Arti i Luftës”, shkruan këto vargje:

 

Mbi ballë të saj, Shqiptarka gërshetin ngre, / Dhe shkëlqen gjithë krenari, hijeshi, bukuri, / Të sigurt për fatin e tyre, / Burra e gra, trima të paepur, / Luftojnë për çerdhet e shenjta plot ngrohtësi, liri.”

 

Më 1858, Henry Nadaut, në veprën e tij”Atdheu në zi” harton poezinë “Margarita” po sipas romancës “Shqiptarka”, ndërsa poeti Sebastien Rheal do të shkruante tek “Bota e tij hyjnore” vargun “Buzëtrandafileja shqiptarkë”. Pa vijuar më tej në citime të tilla të bollshme, le të themi përmbledhtas se figura e Shqiptares do të përbënte simbolikë të veçantë për krahasime të tilla si “këmba e Shqiptarkës”, “trupi apo shtati i hajthëm i Shqiptarkës”, “puthja e Shqiptarkës” etj., teksa te mjeshtri i penës Gustav Flober (Edukimi i ndjenjave) “vëllai i Shqiptarkës” rrëmben kitaren dhe ofshan një romancë nga të kohës. Armand Pommier, monografisti dhe miku i Dora d’Istrias, në tregimin “Zonja me mantel të kuq” i pasqyron kolonat e lehta të një kështjelle maureske “të hovshme si shtat shqiptarke”, ndërkohë që tek romani “Dorashka e Dianës” të Felix d’Amoureux - i cili do të frymëzohej edhe ai nga sentimentalizmi i Dora d’Istrias -, personazhi i Sharlotës shfaqet “me bukuri greke, por të një tipi modern, një Shqiptarkë për nga eleganca e shtatit dhe hajthmëria e trupit, dhe një korinthase për nga pastërtia e tipareve” .

Duke përvijuar gjithnjë në fushën e letrave dhe të historisë, pa kaluar ende në atë të muzikologjisë e të pikturës, vëmë re se virtytet e Shqiptares dhe roli i saj në ngjarje të rëndësishme nuk i kanë shpëtuar syrit të historianit. Kështu, gjermani J.B. Haiber, në veprën e tij “Histori e Osmanllinjve” citon një relacion të vitit 1594 nga Venediku, në të cilin vihej në dukje ndikimi i madh i krye-oborrtares Kadun Kjetchuda apo Kadëm Keçuda (Hanëme Keçja) tek Sinan Pasha : “Nën sundimin e Amuratit, thotë ai, gratë kishin një fuqi të madhe, dhe Sinani, pikëmbështetje kryesore kishte përkrahjen që i bënte një Shqiptare, bashkëpatriote e tij, të cilën ai e mbante si të parë në haremin e vet”.

Më thellë në histori, Jules Michelet, historiani i shquar, në veprën Bibla e Njerëzimit (1864), tek paraqet Filipin e Maqedonisë  - që, siç e dimë, u martua me Olimbinë e Molosëve, e cila nxori në dritë Aleksandrin e Madh -, vë në dukje se duke nderuar Epirin me atë martesë mbretërore,

 

“...ai (Filipi) bëri për vete fiset kreshnike albanaises (sic), siguroi kështu kohortat e tij. Ishte ky sekreti i fitores së tij. Por edhe i vdekjes së tij. Vdiq, sepse u martua me një grua epirote. Njihet ky vend, Shqipëria e sotme, për kontrastet e mëdha, i vogël, e megjithatë numëron jo më pak se katërmbëdhjetë popullata. Një stuhi e përjetshme godet pareshtur malet Kerauniane me rrufe. Vullkane të lashtë, tërmete, lymishte përpirëse përrenjsh të rrëmbyeshëm, ja pra kush është Epiri. Qen të mëdhenj të egër, por njeriu akoma edhe më i egër. Në çdo kohë vetëm vrasje. Vetë gratë, të armatosura, të ashpra e të fuqishme, sunduar nga shpirtrat e lashtë të zonës (pyjet e Dodonës) dhe nga demonët e rinj të Thrakisë e të Frigjisë. Ato lindin bakshante (që interpretojnë misteret e Bakusit) dhe magjistrica, njohin mirë përdorimin e barërave të rrezikshme e vegulluese apo përdorimin e helmit. Kënaqësia e tyre ishte që, ashtu si Medetë thesaliane, të mbanin rrotull nëpër krahë, trup e gjoks bolla rrëshqitëse. Thonë se dikur ato, vetëm me britmat e tyre dhe me gjarpërinjtë që mbanin në krahë i bënin ushtri të tëra të merrnin arratinë (Polyaen.IV,1). Dokrra. Ato kafshë të pafajshme që mbanin, ishin mbi trup të tyre thjesht si zbukurim... Vajza që u martua me Filipin ishte pikërisht një nga ato që luanin me gjarpërinj. Mbrohej nga orakujt më të mëdhenj, kur të gjithë i nënshtroheshin Bakusit. Filipi ndoshta këtë gjë e dinte, dhe ndoshta me dashje kërkoi të zotëronte një grua të tillë, si mjet përdorimi. Dhe ra kësisoj brenda për vetë djallëzitë e tij. Ajo quhej Mirtala. Por, nisur nga një ambicie e hapur, u vetëquajt Olimbia...”.

 

Duke u larguar nga Lashtësitë molosiane e iliriane, nga Mirtala ilire që lindi Aleksandrin e Madh, dhe duke iu rikthyer gjysmës së parë të shekullit XIX, konkretisht vitit 1849, vëmë re se kronikasi Emmanuel Roux, në korrespondencën e vet na shfaq tanimë publikisht një Shqiptarkë bukur fort të emancipuar, tek shkruan: “Sikion. Çupa e mikpritëses sonë shqiptare, e sapomartuar, thotë ai, këmben me të shoqin e vet përkëdhelitë më të ëmbla e më të pazakonta përpara motrës së saj më të vogël e ne të gjithëve. Kapitulli i turpit oriental është një gërshetim kontradiktash: qëndrim i rezervuar, tejet i skajshëm para martese, çdo qëndrim i lirshëm më pas.” Kurse Louis Enault, gazetar e shkrimtar na jep, më 1863, një portret më të kompletuar të Shqiptares në veprën e tij të mirënjohur “Mesdheu”: “Shqiptaret përgjithësisht janë të bukura, shtatlarta, krenare dhe me një bardhësi shpërthyese... Kostumi i tyre është i këndshëm, këmishë e mëndafshtë apo garzë e trëndafiltë, qëndisur në ar përpara dhe te mëngët, të cilat shfaqen të gjera. Korseja e kadifenjtë, që vjen e ngushtë dhe plot qëndisma e gajtanë të praruar, mbërthehet nga sumbulla të mëdha argjendi të praruar; pantalloni (çitjani), me byrynxhyk të bardhë apo me cohë të pambuktë ngjyrosur, i shkon gjer te nyejt, setra është me mëngë të gjera, mëndafshi...”. E kështu me radhë, jepet përshkrimi i detajuar i veshjes deri te manteli i famshëm i Shqiptarkës, pasqyruar bukur nga mjaft piktorë të kohës. Po ashtu, tek Enault pasqyrohet edhe mënyra e mbajtjes së flokëve, me ndarje në tre gërsheta, me kapuçin e kuq gjithë prarime, mënyra e mbathjes me papuçe lëkure të verdha dhe cohë të kuqe nga brenda, si dhe bizhuteritë e parfumet që përdor vasha shqiptare, ku bien dukshëm në sy sekenet e artë (monedha veneciane) mbi ballë, perlat, etj. si dhe ngjyrosja e shkëlqimi i flokëve, gjer te kujdesi ndaj vetullave, për t’u dhënë një hark të përkryer, gjer te zbardhëllimi i fytyrës e i qafës, duke përdorur pudrën e irisit fjorentinas, si dhe karminin, që vetë vashat e vendit e quajnë “e kuqja e Frëngut”, për të përforcuar kështu ngjyrën e trëndafiltë të buzëve të tyre. Kësisoj, në fushën e letrave, figura e Shqiptares shpejt do vihej në qendër të tregimeve, kronikave, novelave, pjesëve teatrore, gjer edhe tek romanet historike, si për shembull romani “Shqiptarja” i Haitianit Delorme, mikut të Hygoit, apo romani tjetër “Shqiptarka dhe urrejtja e saj” i Pierre Chanlaine. (Në parantezë, këtë roman interesant e kemi përkthyer ka do vite, por na fle gjumë në disketa, sepse mjerisht, për ironi të fatit, sot e kësaj dite u dashka që t’i paguash botuesit shqiptarë, në do që të botohesh, dhe jo të të paguajnë ata për punën e bërë). Një ngjarje më vete do përbënte po ashtu edhe tragjedia “Shqiptarja” e Mullnerit, e cila pati në Gjermani sukses të tillë që i rriti famën shkrimtarit, pas tragjedisë së tij “Mbreti Yngard”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për melodramën “Suliotët” të Minette Franconit, që u luajt me shumë sukses në Teatrin e Cirkut Olimpik të Parisit më 1830, duke pasur në qendër të saj bukuroshen Zeilade, motrën e Kapelanit apo pashait të Shqipërisë.

Kurse tregimi “Nusja e Kaçakut”, shkruar nga Hippolyte Audeval, përveç që do lartonte figurën e bukuroshes suljote Kriseja, do të nxirrte më së miri në pah idenë se në shekullin XV, ndër fiset katolike të Shqipërisë së Veriut dalloheshin për virtytet e tyre luftarake Suljotët, përjetësuar katër shekuj më vonë gjatë rrethimit të Misolongjit tek kishin zënë tashmë malet e Sulit, duke zbritur nga Veriu i Shqipërisë dhe duke ndjekur aksin Veri-Jug të shpërnguljeve historike të Shqiptarëve, siç i përshkruan saktësisht, me argumente historike, At Valentini në veprat e tij.

Duke iu rikthyer romancës franceze “Moj Shqiptarka këmbëlehtë”, vëmë re në fushën e muzikologjisë një sërë veprash muzikore që shoqërojnë historikisht këtë këngë. Konti Abel d’Adhémar (1812-1854), i cili filloi të njihet për romancat e veta të pritura me shumë sukses që nga viti 1836, kompozon dhe boton në Paris tek Shtëpia prestigjioze e partiturave muzikore A. Meissonnier & Heugel valsin e dytë favorit të titulluar “Shqiptarja”. Vëmë në dukje se mbulesa e partiturës së tij mban një grafikë shumë të bukur të një vashe shqiptare vizatuar nga Paul Gavarni, piktor i shquar, monumenti i të cilit ngrihet në sheshin Saint Georges në mes të Parisit. Kjo vepër e Gavarnit mban nr. 248 në Inventarin e Fondeve Franceze pas vitit 1880, ku përcaktohet viti i realizimit të ilustrimit, 1842, pikërisht kur u botua partitura e d’Adhémarit.

Një tjetër kompozitor, këtë radhë i shquar për marshe ushtarake, Georges Meister, Çmim i parë i Konservatorit të Parisit më 1868, dhe dirigjent i Xhenios së Parë të Francës, kompozon pjesën muzikore ushtarake “Shqiptarja”, krahas pjesëve të tjera, si Roma dhe Kartagjena, Finlandezja, Ngadhënjyesi, Sedan, I drejti, etj. etj. Po kështu, Alphonse Girard, alias Alphonse Leduc (1804-1868) - profesor e kompozitor, virtuoz i flautit, i kitarës dhe i basonit, njëkohësisht kompozitor i muzikës festive të valleve të Parisit në shekullin XIX si dhe themeluesi i Shtëpisë së Parë muzikore të Parisit më 1841, me prestigj ndërkombëtar edhe sot e kësaj dite -, kompozon dhe boton për nder të Zonjushës Nierendorff pjesën muzikore për piano “Shqiptarja”, në gjininë ‘schottisch’ – valsi skocez, i cili gjeti përhapje të shpejtë në Francë e Evropë në shekullin XIX. Dhe sërish në mbulesë kemi një ilustrim mjaft të bukur grafik të një vashe me veshje të bukur shqiptare. Për fat të keq nuk arrijmë të lexojmë autorin e grafikës, i cili duhet të jetë një penë mjeshtërore që bashkëpunon me kompozitorin dhe botuesin e shquar të veprave klasike.

  1900, J. Hassenhut kompozon dhe boton pjesën muzikore “Valle shqiptare” (partitura për piano), kurse më 1911, Paul Paray, dirigjent dhe kompozitor francez, merr Çmimin e Parë të Madh të Romës me kantatat ‘Janica’, pikërisht atë vit kur gazeta franceze “Le Petit Journal” boton në faqe të parë gravurën e mirënjohur “Janica – Zhan d’Arka shqiptare”  (vepër e mbetur anonime, por edhe e hamendësuar si vepër e piktorit shqiptar Ndoc Martini), në një kohë kur në Shqipëri zienin kryengritjet e armatosura për pavarësi dhe Evropa ndiqte me vëmendje lindjen e një shteti të ri në Ballkan. Vepra “Janica” e Paray u dha si premierë publike më 11 nëntor 1911 në Institutin e Francës (Akadamia franceze) me pjesëmarrje të orkestrës së Teatrit Kombëtar e të Operës së Parisit, nën drejtimin e Henri Büsser. Urata At Eduard Perrone, që drejton Assumption Grotto Church në Detroit të Miçiganit, e ringjalli kompozitorin francez Paul Paray duke transkriptuar tërë veprat e tij muzikore dhe duke i botuar në shtatë vëllime CD (2006) me mbulesën “Janica – Zhan d’Arka shqiptare”.  Më në fund, H. Dickson kompozon marshin “Shqipëria ime”, arranxhuar e orkestruar nga Ad. Gauwin, në Paris më 1919, vepër të cilën e kemi botuar në Antologjinë tonë “Pena të arta franceze për Shqiptarët (1332-2007).

Sa për figurën e Shqiptares në veprat e artit, sidomos të shekullit XIX, ajo është trajtuar gjerësisht nga piktorët mjeshtër, evropianë e botërorë, që prof. Ferid Hudhri, miku im i kahershëm, me albumet e tij të shumta dhe me punën pasionante që bën që prej gati dyzet vjetësh i ka qëmtuar e ndjekur një për një, me vullnet e rigorozitet shkencor, jo vetëm muzeumeve e ekspozitave botërore, por edhe katalogjeve e botimeve të shumta, duke synuar një Enciklopedi madhore të Artit botëror me tematikë shqiptare, vepër që shpresojmë të shohë ditën e botimit sa më parë. Sa për ilustrim dhe për kënaqësi të lexuesit, po botojmë këtu për herë të parë në mediat tona dy tablo, me bukuri të rrallë për figurën e Shqiptares, e para titulluar “Vajzë shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar holandez Jan Frederik Pieter Portielje e vitit 1870, dhe e dyta e titulluar “Vajzë shqiptare me mandolinë” e piktorit hungarez Svetislav Ivanowitch (42, 2 x 35 cm), ekspozuar për herë të parë në Sallonin Palais – Paris, qershor 1907, katalogizuar po aty me të njëjtin titull e me nr. 833  dhe vënë në ankand para një viti nga ndërmarrja Sotheby’s, me një emërtesë të ndryshuar për fat të keq, “Muzikantja e re”, pa kurrfarë arsyeje, në mos thjesht për paragjykim. Siç i shkruaja para një viti prof. Hudhrit, sinjalin e parë për këtë vepër mahnitëse e pata nga miku im në Kanada Dritan Muka, me të cilin bashkëpunoj nga afër, duke qenë madje edhe bashkautorë në punën tonë kërkimore e botuese. Tabloja ka një lirizëm të theksuar dhe gjithçka flet për Orientin ekzotik të do kohërave të mëparshme. Portreti është gjithë ëmbëlsi, me një paqe shpirtërore të theksuar të vashës shqiptare në përqendrimin e saj të madh për të nxjerrë nota muzikore. Duket sikur vetë shpirti i saj rrëmbehet nga këto nota të ëmbla mandoline tek ka mbyllur sytë si për t’i shijuar më mirë, ashtu sikurse bëjnë, në fakt, gjithë instrumentistët e vërtetë.

Në mbyllje, po japim për kënaqësi të syve tablonë “Lamtumira e luftëtarit” të piktorit anglez Francis Philip Stephanoff, ku trimi shqiptar, me fustanellën e tij historike dhe epokale, shtrëngon në krahët e vet të dashurën e tij para se të niset për në betejën e jetës. “Trimat lindin nga gratë”, thotë Dora d’Istria. Andaj po e përfundojmë këtu këtë shkrim në nderim të gruas shqiptare me fjalët lapidar të popullit tonë që e bekon atë konkretisht: “Moj lulja e Shqipërisë, e bekuara e Perëndisë”.



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: