Dokumenti i Sigurimit: Si e shtypëm revoltën e Qafë Barit
| E Marte, 14.06.2011, 06:57 PM |

Nga Afrim Imaj

Panorama, 05/10/2009

 

Dy janë revoltat tronditëse me karakter thellësisht antikomunist, që  janë rregjistruar në historikun e burgjeve politike. E para, ajo e  kampit të Spaçit, në vitin 1973, dhe tjetra e Qafës së Barit në maj të vitit 1984.Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, policia sekrete, ka bërë çështë e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre. Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete. Se çfarë ndodhi në Spaç dhe Qafë-Bari në ditët e revoltave, është zbardhur shumë më vonë. Hapja e burgjeve politike do të hapte përfundimisht dhe historinë e revoltave të panjohura, me protagonist kundërshtarët politik të regjimit. Kronikën e shpërthimeve të përgjakshme, do ta zbulonin së pari të mbijetuarit me dëshmitë e tyre autentike. Pastaj, zhvillimet e reja do të nxirrnin nga “burgu” i përjetshëm edhe dosjet e zeza, ku sigurimi i shtetit kishte koleksionuar revolat tronditëse. Gazeta “Panorama” ka siguruar një raport të komandës së burgut të Qafë Barit, ku përshkruhen rrethanat në të cilat shpërtheu dhe u shtyp revolta e të dënuarve politikë. Janë regjistruar në të momentet kryesore dhe emrat e protagonistëve të protestës. “Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, nënvizohet në këtë dokument, tregoi dhe një herë se armiku nuk bëhet kurrë mik, prandaj i treguam vëndin”. Ndërkaq, artikuluesit e tij, teksa raportojnë për autoritetet e larta të shtetit, nuk harrojnë t’i garantojnë se ngjarje të tilla nuk kanë për t’u përsëritur. Sidoqoftë, ndodhia e Qafës së Barit nuk kishte si mos ta cënonte krenarinë e këtij institucioni që deri në atë kohë mbahej më i sigurit ndër burgjet e tjerë të sigurisë së lartë. Po si e ka dokumentuar komanda e burgut revoltën e 22 majit ‘84 në raportin e adresuar për kreun e Ministrisë së Brendshme Hekuran Isai?

 

Raporti sekret: Revolta

 

Dokumenti sekret “Mbi ngjarjen e ndodhur në datën 22 maj 1984 në regjimin e të dënuarve të repartit 311 Qafë Bari”, mban datën 27 maj 1984 dhe është nënëshkruar nga drejtuesit e lartë të burgut. Plotë pesë ditë pas revoltës tronditëse, autoritet e repartit Nr: 311, rigrenë versionin zyrtar të ngjarjes. Padyshim krerët e policisë sekrete, por jo vetëm ata, kanë qënë në kontakt çast pas çasti me atë që ndodhte në burgun e Qafës së Barit. Raporti i datës 27 maj, saktësonte përfundimisht rrethanat e revoltës pas analizave të hollësishme të bëra në të gjitha hallkat e institucionit të riedukimit. Pjesa kryesore e tij fokusohej në përshkrimin e ngjarjes, duke bërë një përmbledhje kronologjike të saj. Gjithçka, zbulohet në dokument, nis me njoftimin e orës 0730, datë 22.05.1984, sipas të cilit dy të burgosur të turnit të tretë, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla nuk kishin realizuar normën në galeri dhe sipas rregullores së kampit duhej të riktheheshin me turnin në vijim. Kundërshtimi i prerë i dy të burgosurve të tjerë tjerë, Sokol Sokoli e Sokol Progri, për t’i kthyer mbrapsh dy bashkëvuajtësit e tyre që sa kishin përfunduar turnin e tretë, u bë shkak i përplasjes së pazakont. Mjaftoi kaq dhe menjëherë policët e shërbimit, lajmëruan oficerin e rojës. Vetëm në pak çaste mbritën aty 5 policë me shkopinj gome. Përballë tyre këtë radhë nuk ishin vetëm dy të burgosurit që refuzojnë për t’u rifutur në galeri, por një masë e madhe të dënuarish që protestojnë energjikisht në mbrojtje të shokëve të tyre. Reagimi është i menjëhershëm. Ndërhyrja e forcave të policisë për të çuar në dhomat e izolimit të pabindurit, ndezi protestën e pjesës tjetër. Sakaq, të dënuarit Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Martin Leka, Dedë Nimani, Bajram Vuthaj, Ndue Kola, Haxhi Baxhinovsi, Lush Bushgjoka e Kostandin Gjordeni, aty për aty vendosen në pozicione mbrojtëse dhe fillojnë t’u bëjnë thirrje policëve për të lëshuar shokët e tyre. Shpërfillja e palës tjetër ndaj këtij apeli e bëri dhe më agresive turmën, e cila tanimë e papërmbajtur filloi të gjuajë me gurë e tulla mbi forcat e policisë. Në raport shprehet se përballë kësaj gjendje të nderë, oficeri i rojës vendosi anulimin e urdhrit dhe marrjen e masave për stabilizimin e situatës. Komandanti i togës u bëri thirrje të dënuarve që të futeshin në mencë për të bërë apelin. Në vazhdim, dokumenti sekret përshkruan tesionin e krijuar aty pas thirrjes së oficerit të shërbimit, për të nxjerrë jashtë të dënuarit që kishin iniciuar përplasjen. Kostandin Gjordeni ishte i pari që refuzoi t’i bindet urdhrit. Të njëjtën gjë bëri dhe i dënuari tjetër Sokol Sokoli. Kundërshtimi i tyre i dha zemër turmës dhe sakaq një pjesë e saj shpërtheu derën e mencës dhe doli jashtë. Në pak sekonda gati të tërë të dënuarit u grumbulluan te sheshi dhe filluan të protestojnë energjikisht.

U njoftua menjëherë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës dhe komandanti i repartit që ishte me shërbim në Fushë - Arrëz. Nga çasti në çast dueli bëhej më agresiv. Të dënuarit shpërthejnë mbi forcat e sigurisë dhe me çfarë të mundin qëllojnë mbi ta. Tesionit në rritje ju shtuan krismat e armëve. Ushtarët e shërbimit hapën zjarr të pandërprerë. Për një moment policët tërheqin me forcë për në birucë Kostandin Gjordeni. Të burgosurit e tjerë shpërthejnë dhe më vrullshëm mbi personelin e armatosur. Për të zbutur gjendjen, urdhërohet lirimi i Gjordenit, po tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit. Në panik e sipër rojet fillojnë të tërhiqen nën goditjen e gurëve dhe tullave me të cilat i sulmojnë të dënuarit. Përforcimet e ardhura rishtaz hapin zjarr nga larg. Plumbat e parë ranë mbi supet e Kostandin Gjordenit. Të tjerë të dënuar u plagosën e përgjakën. Kaosi vazhdoi disa orë. Mbërritja me helikopter nga Tirana e zëvëndësministrit të Brëndshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale, e futi përballjen në një hulli të re. Me urdhërin e tyre u bë arrestimi i organizatorëve të protestës, të cilët u izoluan në Degën e Brendshme të Pukës. Pjesa tjetër u fut në menxë me forcën e shkopinjve të gomës dhe sulmit me armët e zjarrit...

 

Komanda: Arsyet e protestës

 

“Protesta e të dënuarve të Qafës së Barit ka lidhje të drejtpërdrejt me zbulimin dhe goditjen nga Partia dhe shoku Enver të grupit armiqësor të poliagjentit Mehmet Shehu e bandës së tij, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu”. Jo rastësisht në raportin e autoriteteve të burgut 311, argumenti i parë për shkaqet e “ngjarjes së rëndë”, lidhej me sfondin politik të kohës.

Shkaku tjetër, sipas dokumentit sekret të datës 27 maj 1984, ishte “shtimi i veprimtarisë armiqësore në radhët e të dënuarve, kryesisht nga rrethet e Shkodrës dhe të Tropojës”. Ndërkaq, në raportin e zyrtarëve të repartit 311, përmendej si shtysë e artikulimit të pakënaqësive “norma e ulët e ushqimit dhe trajtimi jo si duhet nga personeli” etj. Po kështu, eprorët e Qafës së Barit, të tronditur nga ngjarja e papritur, gjejnë rastin të reflektojnë për “punën jo të efekshme të këshillit të edukimit të të dënuarve”, e cila sipas tyre ka ndikuar sadopak në situatën e jashtëzakonshme të datës 22 maj 84. Kaq dhe asgjë tjetër për arsyet e protestës. Në përfundim, dokumenti sekret i rikthehet përsëri një argumenti politik “Ngjarja e datës 22 maj 1984 në repartin tonë, shkruhet në të, tregoi edhe njëherë se armiku nuk bëhet kurrë mik e ai ashtu siç ka thënë partia e shoku Enver, gjithmonë është përpjekur e do përpiqet të pengojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, por nga ana tjetër, kjo ngjarje tregoi edhe njëherë gatishmërinë e vigjilencën dhe urrejtjen klasore të efektivit tonë ndaj armikut të klasës”.

 

Ministria: Masat e reflektimit

 

Në dosjen e revoltës së Qafës së Barit, njëherazi me raportin për ngjarjen, janë dhe dokumentet e tjera, që kanë të bëjnë me masat e marra për të parandaluar situata të tilla. Në një program pune të hartuar pas ngjarjes nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së të Brendshme dhe të miratuar nga kreu i dikasterit, Hekuran Isai, parashikoheshin një sërë masash për forcimin e regjimit të sigurisë në tërë sistemin e burgjeve dhe në mënyrë të veçantë në ato të të dënuarve politikë. Për vet rëndësinë e ngjarjes së Qafës së Barit, në dokumentin me firmën e Ministrit të Brendshëm bashkalidhej lista me emrat e të dënuarve, të etiketuar si organizatorë të protestës së 22 majit 84, të cilët i kishin kaluar për gjykim organeve të drejtësisë. Në këtë praktikë zyrtare të panjohur, krerët e policisë veçojnë emrat e tre të dënuarve të Qafës së Barit, pjesëmarrës në revoltë, të cilët duke reflektuar shfaqën “gatishmëri të lartë në dhënien e shpjegimeve të hollësishme mbi ngjarjen”(!). Gjithsesi, dokumenti i përpiluar nga Agron Tafa, ish numuri Dy i dikasterit të sigurimit, nuk kufizohej vetëm në problematikën e kampit të Qafës së Barit. Krerët e lartë të Policisë Sekrete, e vlerësonin revoltën e 22 majit 84, si këmbanë alarmi për ta riparë me themel tërësinë e regjimit të sigurisë në kampet e riedukimit. Fill pas analizës së revoltës së Qafës së Barit, ministri Hekuran Isai organizoi një mbledhje urgjente me fuksionarët e lartë të ministrisë, ku u shqyrtua me përgjegjësi forcimi i diktaturës në tërë sistemin e burgjeve. Ndërkaq, reflektimi ndaj kësaj çështje, solli dhe një rrokadë në radhët e drejtuesve të kampeve të riedukimit, siç quheshin në atë kohë vendet e dënimit...

 

Lista e të ridënuarve

 

Në dosjen e Ministrisë së Brendshme për revoltën e Qafës së Barit, me siglën “Sekret” ndodhet dhe lista me emrat e 12 të burgosurve që u  ridënuan menjëherë pas saj. Renditja fillon me emrin e Sokol Sokolit, njërit prej më të rinjve në moshë dhe vazhdon me Sokol Progrin, Tom Ndojën, Lush Bushgjokën, Haxhi Baçinovskin, Vllasi Koçin, Kostandin Gjordenin, Barjam Vuthin, Martin Lekën, Lazër Shkëmbin, Hysen Tabakun dhe Ndue Pishën. Komanda e burgut pas asaj që ndodhi mëngjesin e 22 majit 84, ka bërë seleksionimin e organizatorëve dhe njëherazi me inteditetet ka forumuluar një aktakuzë të përgjithshme për ta dhe për secilin veç e veç. Sipas saj 12 të dënuarit “në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer krimin e terrorit kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe në veçanti “Sokol Progri, Lush Bashgjoka dhe Ndue Pisha kanë konsumuar krimin e tardhëtisë ndaj atdheut, duke tentuar për t’u arratisur”. Nga mënyra si është operuar më tej me gjykimin e tyre në   Pukë dhe në Gjykatën e Lartë (Kolegji penal) bie në sy e njëjta aktakuzë për të gjithë, me përjashtim të ndonjërit që e përjashtoi veten duke pranuar bashkëpunimin me organet e sigurimit...

vijon nesër...

 

Spaç, maj ‘73: Revolta e parë antikomuniste

 

Plotë 72 orë zgjati pandërprerje revolta e Spaçit. Përballja energjike e të burgosurve politikë të burgut-kamp në 21-23 maj të vitit 1973 me forcat e policisë, tronditi nga themelet regjimin e Tiranës. Lajmi i pazakontë i përkiste kampit më të egër, ku ishte izoluar pjesa më e madhe e kundërshtarëve të rrezikshëm. Rebelimi i tyre kishte qenë i papritur. Po kështu dhe thirrjet energjike “Poshtë komunizmi, rroftë Europa” “Duam liri” “Jo diktaturë si të Stalinit” etj. Shpagimi do të vinte i pamëshirshëm. Me tërë arsenalin luftarak të gardianëve dhe policisë sekrete. Përleshja nisi e përgjakshme dhe u mbyll me gjak. Pati të vrarë e të lënduar. Me dhjetra u gjymtuan. Oraganizatorët u izoluan forcërisht dhe u ridënuan rreptë. Katër syresh Hajri Pasha, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Pal Zefi u pushkatuan me vendim të rrufeshëm. Plotë 15 të tjerë, Kostandin Papaj, Sali Çuni, Shefqet Gjana, Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa,Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Njazi Bylykbashi,Sherif Allamani, Mirash Gjoka, Refik Beqo, Gëzim Çela, Rexhep Lazri e Bebi Konomi, u ridënuan me masa ekstreme. Në historinë e regjimit të Enver Hoxhës revolta e Spaçit, u koleksionua si protesta e parë kur u ngrit flamuri kombëtar pa yllin, simbol të komunizmit. Të dënuarit e kampit famkeq, për kupolën politike, ishin thjesht armiq të tërbuar që aspironin “përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor”. Sipas  raporteve të autoriteteve të policisë “të rebeluarit e Spaçit kanë krijuar organizatë kundër pushtetit popullor për të kryer krimin e sabotimit ekonomik, krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe krimin e terrorit”.

 

“Aushvici” shqiptar, në grykën e maleve të thepisura

 

“Një grusht qiell, mbi një përrua të thepisur, tela me gjëmba gjithandej, bunkerë e karrakoll në çdo pëllëmbë, fërngji e ushtarë ngado…” Jo rastësisht, i dënuari i Qafë Barit, Haxhi Baçinovci, përshkrimin e ferrit të dikurshëm e nis nga larg afër. Ka një domethënie për të ky lloj orientimi. Diktatura, saktëson Baçinovci, na kishte privuar edhe rrezen e diellit. Drita që se zinte shpati i malit, bllokohej nga pishat e larta. Ajo që depërtonte prej tyre, pengohej te bunkerët e shtyllat e truprojeve. Për dritë në tunel e qeli, as që bëhej fjalë. Ferr e kaluar ferrit! Një Auishvic i tmerrshëm. Në përshkrimin e qytezës burg, i dënuari i Qafës së Barit veçon tre katër rrethime të larta me tele me gjëmba dhe fillin e korentit në distancat midis tyre. Pjesët e mbetura bosh, kujton Baçinovci, ishin mbushur me parrulla propogandistike. Nuk ka si ta mbaj mënd përmbajtjen e tyre, por njërën syresh nuk e harron për asnjë çast. “Në pjesën më të dukshme të kampit, diku në hyrje, shprehet ai, ishte shkruar me gërma të mëdha “Jetë të gjatë shokut Enver”, që para kuptonte urimin tonë për njeriun që na gjymtonte jetën! Po cinizmi, sipas tij, nuk mbaronte këtu. Aty në ferr komanda e komisarët nuk rreshtnin për t’i bindur që të festonin ditëlindjet e diktatorit dhe ato të partisë. Kulmi i suksesit vlerësohej nënshkrimi i ndonjë telegrami prej ndonjërit nga të dënuarit fatkeq.

 

_____________

 

Dëshmitari: Orët e tmerrit gjatë revoltës të Qafës së Barit

 

Nga Afrim Imaj

Panorama, 06/10/2009

 

Unë isha në Qafë Bari kur barbarët gjymtuan shokët në revoltë. Ishte mëngjesi i 22 majit ‘84. Guxuam një moment të kundërshtojmë urdhrin e njërit prej policëve të shërbimit dhe na përpiu kryqëzata e shpagimit të përgjakshëm. Nëna ime ç’kanë parë sytë e mi!

Njeriu që rrëfen sa i ka kaluar të pesëdhjetat, por thotë se është sa gjysma e kësaj moshe. Gjysma e jetës i ka kaluar në ferrin e burgjeve komuniste dhe mundohet ta harrojë, madje ta largojë si diçka që nuk i përket atij. E quajnë Haxhi Baçinovski. Në pamjen e parë nuk ta krijon përshtypjen e njeriut të vuajtur. Ka trup të lidhur dhe vështrim energjik. Të pranon me bujari në bisedë, por e ka të vështirë, shumë të vështirë t’i kthehet ditëve të shpërfytyrimit njerëzor që ka përjetuar në qelitë e errëta të sigurimit të shtetit. Tmerrësisht e pamundur bëhet kjo kur i kërkon diçka nga revolta e Qafës së Barit, në të cilën ka qenë njëri nga protagonistët e saj. Megjithatë gjejmë një moment dhe futemi dalëngadalë në retrospektivën e asaj ngjarje që e ka fiksuar në kujtesë çast pas çasti, sikur të kishte ndodhur dje. Haxhi Baçinovski është gjendur në ferrin e Qafës së Barit, pas një arrestimi spektakolar në qytetin e Librazhdit, kur kryente shërbimin ushtarak. Ka qenë vetëm 20 vjeç kur u bë pjesë e komunitetit të “armiqve të partisë”. Aty pastaj jeta e tij do të përvijohej në konturet e një drame të tmerrshme, për të mbërritur te revolta e majit ‘84, ku “fjeti” me vdekjen për orë të tëra. “U pashë me të sy më sy, shprehet Baçinovski. Bile-bile e thirra me shpirt të më merrte. Po deshi Zoti dhe mbijetova”. Sakaq përmend emrat e shokëve që nuk mundën ta sfidojnë deri në fund barbarinë e atij terrori të përgjakshëm dhe çastet e tjera të revoltës që u kthye në tragjedi… 

 

Mëngjesi që ndezi gjakrat

 

Në fakt aty çdo çast pritej të shpërthente. Ishte një lloj eksplozivi që akumulohej dita-ditës. Çdo moment përballeshim me barbarinë çnjerëzore. U desh një shkak, një fërkim i rëndomtë dhe të gjithë u ngritëm në këmbë. Pikërisht mëngjesin e 22 majit. Kur ndërrohej turni i tretë me turnin e parë. Me grupin e atyre që e kishin gdhirë natën në thellësitë e galerisë, njëri nuk kishte realizuar normën. Kjo, sipas rregullit të xhahilëve, do të thoshte se duhej të rifutej prapë në zgafellë për të bërë edhe turnin e parë. Madje nuk lejohej të hante as mëngjesin. Polici i shërbimit e urdhëroi të kthehej mrapshtë. Zëri i tij buçiti fort: Ndue Pisha ke porta! Dy policë të tjerë rrinin gati te hyrja e galerisë për ta marrë që ta çonin në punë. Kur Nduja u bë gati që t’u bindej, i dolën para disa nga bashkëvuajtësit e tjerë. Jo, nuk ke për të shkuar!, e këshilluan të vendosur. Sakaq ndërhynë policët që më sa dukej u revoltuan jashtë mase nga guximi i tyre. Po qëndresa ishte e prerë. Një lloj vendimi ishte marrë në heshtje. Teksa turni i parë bëhej gati për t’u futur në galeri, Ndue Pisha qëndronte mes një grupi shokësh që e ndaluan t’i bindej urdhrit të çmendur. Këtu nisi kacafytja e parë. Për një çast, raporti i forcave ishte në favorin tonë. Policët e shërbimit ishin fare pak përballë grumbullit të të dënuarve. Të gjendur në befasi ata iu drejtuan oficerit të rojes. Menjëherë pastaj erdhi turma e parë e taborëve të pamëshirshëm. Pas saj erdhi skaloni tjetër...

 

Përplasja e parë te mensa

 

“Të gjithë në mensë! Të gjithë në mensë!”. Oficeri i rojes që kishte ndjekur situatën në distancë, dha sinjalin e kushtrimit. Për çaste të tëra çanga binte papushim. Brezi i parë i policëve u vendos menjëherë para fjetores. Të gjithë gati në një zë përsërisnin pandërprerë: “Në mensë, në mensë!” Nuk bëhej fjalë për ta vënë në diskutim urdhrin e tyre. Në pak minuta u grumbulluam aty. Hyri vrullshëm komandanti. Qysh nga larg dukej i xhindosur. Sa kaloi portën, hipi në stolin e parë që gjeti dhe filloi me zë të lartë: Kush dëgjon emrin të dalë jashtë, pa një pa dy! E morët vesh?! Ndryshe e dini çfarë u pret! Të dilje jashtë, të priste dhoma e izolimit, aty pastaj fillonte seria e torturave. Ndue Pisha, të dalë jashtë! Këtë radhë zëri i urdhërdhënësit u bë më i prerë. Ndërkaq, Nduja i gjorë si pa me bisht të syrit rreth e qark, u çua në heshtje dhe mori drejtimin nga dera. Pas emrit të tij, u përmend ai i Kostandin Gjordenit dhe i atyre që prapësuan Nduen për mos t’u futur dy turne bashkë. Sa dilnin te porta i prangosnin menjëherë dhe i qëllonin me shkelma e grushte. Të revoltuar nga kjo u çuam të gjithë në këmbë dhe u vërsulëm nga dera. Dikush dha urdhër për ta mbyllur, por vërshimi ynë ishte shpërthyes. Me çfarë kishim në duar shpartalluan portën dhe dolëm jashtë duke u përballur me policët e shumtë. Ata të mbërthyer deri në grykë me pajime ushtarake, ne me gurë e tulla. Një dyluftim i egër. Palës tjetër nisën t’i vijnë përforcime, por ne i vumë para si lopët. Me duart në kokë nxitonin për të dalë jashtë rrethimit. Sulmi i “armëve” tona nuk i linte të merrnin frymë. Një skenë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Asnjëherë nuk kishte qëlluar që efektivi i sigurisë të binte në pozita kaq të pasigurta. Një breshëri automatiku na ndali për një moment. Oficeri i rojes duke parë rrezikun që u kanosej shokëve të tij shkrepi kallashin në drejtimin tonë. Plumbat e parë ranë mbi shpatullat e Kostaq Gjordenit. Një “of” i tij nga thellësia e shpirtit na shtangu në vend...

 

Shpagimi i përgjakshëm

 

Me tërheqjen e policëve dhe afrimin e tyre te rrethimi, kujtuam se ia dolëm mban, por nuk kishte qenë e thënë. Sa hap e mbyll sytë, u shfaqën reparte të tëra me policë dhe ushtarë. Një helikopter i ardhur nga Tirana, si fluturoi disa herë mbi kamp, u ul në kodrinën përballë. Të grumbulluar te sheshi para mensës, pyesnim njëri-tjetrin se çfarë mund të ndodhte. Pas një pauze të shkurtër, u dëgjua zëri i komandantit që fliste nga jashtë rrethimit. Ai filloi të lexojë listën me emrat e të dënuarve që duhej të dilnin jashtë. Askush nuk lëvizi. Një heshtje varri ra sakaq. Ai prapë nga e para, këtë herë me një ton disi më të qetë. Po përsëri as një reagim nga turma. Ishin momente dramatike. E dinim që nuk do na i falnin, por ishim të gëzuar që u dhamë një mësim të mirë gjakësorëve të pamëshirshëm. Situata u bë vërtet kërcënuese. Sidoqoftë, nuk kishim çfarë të humbitnim tjetër. Vdekja na dukej mjaltë para terrorit që na priste orë e çast. Me dhjetëra makina me sirena ndezur frenonin pas njëra tjetrës te hyrja kryesore. Forca të shumta që me sa dukej vinin nga Tirana, sa zbrisnin prej tyre shpërndaheshin me shpejtësi në pozicione. Grupi i oficerëve të ardhur rishtas nga Ministria e Brendshme, u futën për një moment në komandë dhe pas disa minutash dolën duke zunë vend në vendrojen afër derës nga hynin mjetet. Njëri ndër ta, si komunikoi aty për aty me komandantin, mori megafonin  dhe komandoi ushtarakisht “Armë mbush!” Që nga ky moment ishim në shënjestrat e dhjetëra kallashnikovëve që prisnin komandën “Zjarr!”.

Eprori i lartë i ardhur nga Tirana, si vendosi situatën paralajmëruese, na u drejtua për herë të fundit duke na lënë vetëm pesë minuta kohë.   

Pastaj hodhi në tokë megafonin dhe u kthye nga komandanti duke i kujtuar listën. Ç’të bënim?! Të penalizuarit e saj sugjeruan të parët zgjidhjen. Të shkojmë për të shpëtuar shokët! Vendimi i tyre ishte i padiskutueshëm. Dhe ashtu bënë. I pari u afrua te rrjeta me tela Sokol Sokoli. Tom Ndoja pas tij. Kështu me radhë të dymbëdhjetë. Po ç’na priste aty? Sa na lidhën këmbë e duar na futën te dhoma afër komandës.  Nëna ime ç’më kanë parë sytë…

 

“Teknikët” e dhomës teknike

 

Orët në dhomën teknike, siç quhej ndryshe njëra nga zyrat e komandës, ishin të tmerrshme tek Zoti. E kishim përjetuar dhe më herët misterin që fshihej aty. E përzgjedhur për t’u dhënë “mësim” të pabindurve, dhoma me mbishkrimin teknike, pa pikë mëdyshje ishte si qelitë e kuesturës fashiste. Shumëkush që stononte me regjimin e kampit, do provonte “bekimin” e saj. “Teknikët” e besuar nga komanda, sa kapërceje pragun, fillonin nga avazi i tyre. Ishin shumë të përpiktë në atë që bënin, jo vetëm nga përkushtimi, por dhe nga teknikat e përdorura. Të rrihnin mirë e mirë me ç’t’u ndodhej dhe nuk të shqiteshin deri sa të mbeteshe pandjenja. Kur dilje që andej, mund të ecje vetëm këmbë e duar ose i mbështetur për muri. Nuk qëllonte kurrë që të futeshe atje dhe të dilje me këmbët e tua. Sidoqoftë, këtë herë xhahilët kishin një arsye më shumë për t’u xhindosur tej cakut të zakonshëm. E ndjemë tërbimin e tyre që në kontaktin e parë. Në krye, si nga hera, qëndronte shefi i policisë së burgut, barbar e gjakësor si ai. Na urdhëroi fillimisht të hiqnim peliçet. Pastaj u kujtua se duhej të hiqnim dhe çizmet, trikot dhe çorapet. Ashtu bëmë. As që mendohej një sjellje tjetër. Më tej na tha të uleshim në dysheme. Aty filloi dhe rrebeshi i goditjeve me shkelma e grushte deri sa përdoruesit e tyre u lodhën. U kujtuan një moment se nuk kishin mbaruar punë dhe rrëmbyen drutë e zjarrit që ishin aty pranë. Me to në dorë bam e bum në kokë, në krahë, në gjoks. Një terror i paparë. Dhoma sa nuk shpërthente nga britmat e ulërimat. Muret dhe dyshemeja u mbuluan me gjak. Në katrahurë e sipër, nuk u përmbajta dhe diçka fola protestueshëm. Dy policët që kisha afër më kapën nga këmbët dhe duke më hequr zvarrë më qëllonin me forcë me mjete të forta. Brita me sa fuqi kisha, po kush të dëgjonte. Thirra me zë të lart deri sa mbeta pa ndjenja. Kur u përmenda provova të lëviz, por ishte e kotë. Pashë përreth. Të gjithë kishin mbetur përtokë të mbuluar në gjak. “Beteja” e xhahilëve pa shpirt vazhdoi disa orë. Pas saj eprori i policëve, që krekosej si pas një triumfi, urdhëroi të na çonin në birucë. Aty kam rënë përsëri në koma. Jam përmendur të nesërmen kur më kërkonin të çohesha për të hipur në makinën e burgut. Po ishte e pamundur të ngrihesha në këmbë. Më tërhoqën zvarrë e më hodhën në karrocerinë e një “IFA”. Aty kishin sjellë dhe të tjerët që nuk pushonin nga britmat e dhimbjeve. Po nuk donte t’ia dinte kush. Na nisën në drejtim të Pukës. Për disa ditë na mbajtën në qelitë e degës së të brendshme. Aty më futën këmbët në allçi. Pa marrë mirë veten, iu nënshtruam seancave hetimore. Hetime sa për t’u thënë. Pas tyre vijoi gjyqi me dyer të mbyllura. As që bëhej fjalë për dënime të lehta. Nga gjithë ai proces mbaj mënd pjesën e akuzës që bënte fjalë për terror dhe tradhti…

 

Mashtrimi i mjekëve për vdekjen e Sandër Sokolit

 

“Barbarët mbeten barbarë deri në fund!” I bindur në atë që përmend,    Haxhi Baçinovski, dëshmitari i revoltës së Qafës së Barit, risjell me lot në sy një episod tronditës. “E mbytën burrin e huaj, pasi më parë e thyen në mes. E mbytën si të ishte një shpend. U ulën pastaj e shkruan qetë-qetë dokumentin “Vdiq nga infarkti!” Sakaq ish i dënuari, tregon raportin me firmat e mjekëve të burgut, të cilët vazhdojnë në radhët e bluzave të bardha. E pashë bre me sytë e mi, shton Baçinovski. E pashë si dha shpirt Sandër Sokoli. Ishte më i forti ndër ne, me trup të gjatë e gjithë muskuj. E thirrën ditën e protestës xhahilët. I ranë me shkelma, me shkopinj druri, me shufra hekuri. E thyen në mes. Ra si lis në tokë duke bërtitur nga dhimbjet. Çaste të tëra vazhdoi të lëngojë nga plagët i gjori. Ulërimat e tij bezdisën barbarët dhe filluan prapë ta godasin. Më fortë, më egër. Sandri vazhdonte të bërtiste me zë të lartë. Policëve u duhej t’ia mbyllnin gojën përgjithmonë. Po nuk dalka kollaj shpirti i shkretë. Kur e panë që druri nuk jepte efekt, e rrëmbyen me forcë dhe pasi e ngritën lart e palosën më dysh në tokë. Pas dy-tre rënkimeve të mbytura Sandri ra në qetësi. Pashë vetëm dy currila gjaku që i dolën nga goja dhe kokën që iu var anash. Në vështrimin e mbërthyer mbi majëmale dukej sikur na thoshte: Më në fund shpëtova nga barbarët!...” Këtë skenë, siç thotë Haxhi Baçinovski, nuk ka për ta harruar kurrë. Më shumë se ajo, më lëndon mashtrimi i madh i atyre palo mjekëve, që e panë me sy si përfundoi Sandër Sokoli dhe firmosën diçka krejt tjetër, përmbledh i dënuari i Qafë Barit.

 

“I bëra letër Nexhmijes: Ç’bëni kështu more kriminelë”

 

“Të burgosurit politikë në asnjë rast nuk kërkuan mëshirë. Madje edhe kur adresonin ndonjë letër për krerët e regjimit” I vëmendshëm ndaj asaj që thotë, Haxhi Baçinovski përmend korrespodencën që mbante gjatë viteve të burgut me liderët komunistë të Tiranës. Në të gjitha letrat e shkruara në qelitë e Burrelit apo të Qafës së Barit, bie në sy preokupacioni për të sjellë në vëmendjen e tyre krimet dhe genocidin e ushtruar jo vetëm mbi bashkëvuajtësit e tij, por mbi një popull të tërë. Në arkivin e shtetit ruhet ende letra e fundit që ai i ka drejtuar Nexhmije Hoxhës në cilësinë e kryetares së Fronit Demokratik. Po çfarë vë në dukje Baçinovski në të...

 

Quhem Haxhi Baçinovski – pinjoll i një familje luftëtarësh që qëndruan në malet e Kosovës 15 vjet me radhë me armë në dorë. Jam arrestuar në radhët e ushtrisë në vitin 1981, krimi agjitacion e propagandë. Në maj 1984 arrestohem përsëri, por kësaj radhe si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare, fantazi e bandës kriminale të Sigurimit të Shtetit. (Imagjino organizatë kundërrevolucionare e krijuar brenda telave me gjemba e grykës së mitrolozëve). Aktualisht gjendem në burgun mesjetar të Burrelit, natyrisht mbas një torturimi fizik dhe psikik dhe një gjyqi me dyer të mbyllura. Të përshkruhen krimet e gjenocidit që ushtrohet mbi popullin shqiptar nga regjimi juaj, duhen penat e sociologëve e shkrimtarëve të të gjithë botës dhe zor se do të ishin në gjendje me e portretizue këtë realitet tragjik. Por desha t’ju pyes ju çfarë i kam ba unë shtetit konkretisht dhe kush jam unë? Një njeri krejt i thjeshtë me arsim fillor, pra kuptohet edhe aftësia ime për t’ju rrezikuar juve pushtetin. Për të tilla “krime” asnjë lloj regjimi diktatorial as që do të merrte mundimin me më pyetë dhe jo më të më merrte rininë dhe krejt jetën time, përveçse regjimi juaj gjakatar. Ku keni ju gojë të flitni për humanizëm apo për të drejtat e njeriut, kur ju keni 46 vjet që torturoni një popull 3 milionësh që Shqipërinë e keni kthyer në burg 28 mijë km2... Ju, me paturpësi arritët me i bë telegram Nelson Mandelës, duke e ngushëlluar për “vuajtjet” në burgjet raciste, kur ai ban burg me çokollata dhe është politikan i deklaruar dhe kur në burg takon gazetarë e personalitete nga e gjithë bota dhe në rast sëmundje, kurohet në klinika private. Kurse mua, e qindra si unë, njerëz të zakonshëm, nuk lejohet as shokë, as miq, as farë e fis, vetëm familja në takim dhe ky takim vetëm 10 minuta në muaj nëpërmjet një sporteli të blinduar ku nanat tona nuk na shohin vetëm 1/3 e fytyrës. Po kufizimi i ushqimit në 2 kg në muaj. A ka krim më çnjerëzor se një trajtim i tillë dhe kundër kujt pa? kundër njerëzve të pafajshëm. Jua drejtoj këtë letër me qëllim përgjigje dhe përgjigjja juaj do të jetë ekzekutimi im. Por jam krenar t’i jap fund këtij poshtërimi dhe asgjësimi të ngadalshëm. S’kam frikë nga vdekja, se jam pjellë e atyre që veç pushka i ka marrë dhe vdekjen e kanë përbuzë. Natyrisht që ju nuk do të keni kuarjo me më ekzekutu direkt, por me metoda të stërholluara siç keni bat tash e 46 vjet, por dije se gjithë shqiptarët nuk do t’i shfarosësh.

I dënuari politik, Haxhi Baçinovski

18 shkurt 1990

 

_______________

 

Dokumenti i Gjykatës: Si proceduam për ridënimin e rebelëve të Qafës së Barit

 

Nga Afrim Imaj

Panorama, 07/10/2009

 

“Më në fund, armiqtë e betuar të partisë dhe diktaturës së proletariatit morën dënimin e merituar. Dy prej tyre përfunduan para skuadrës së pushkatimit, dhjetë të tjerë u ndëshkuan me burg.”

Moria pafund e faqeve të dokumentit zyrtar të procesit gjyqësor ndaj rebelëve të Qafës së Barit, mbyllet kështu me këtë epilog tragjik. Është një dosje e veçantë në llojin e vet, ku bie në sy shpejtësia me të cilën është operuar dhe mënyra e procedimit në adresë të së pandehurve të kryqëzuar në bangën e të akuzuarve drejtpërdrejtë nga vendi i dënimit. E çelur nga Prokuroria e Pukës ditën e shtypjes së revoltës (24 maj 1984) dhe e plotësuar në vazhdim nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, dosja e procesit famëkeq pati fatin të mbyllej brenda dhjetë ditëve për mos t’u hapur kurrë. Në 3 qershor 1984, pikërisht ditën e shpalljes së vendimit gjyqësor, u bë pjesë e kasafortave sekrete të arkivit të destinuar për dokumentacionin e armiqve të partisë dhe diktaturës së proletariatit. Pra, gjithçka ka zgjatur vetëm 10 ditë: Hetimi, sigurimi i provave, shqyrtimi i tyre dhe shpallja e dënimeve! Po jo vetëm kaq. Një “risi” tjetër e ka përvijuar procesin e fshehtë. Urgjenca me të cilën vlerësohej çështja nga krerët e regjimit në Tiranë, i ka detyruar besnikët e “drejtësisë” për të kapërcyer edhe procedurat zyrtare më elementare të kohës. Martirët e rebeluar të ferrit të Qafës së Barit, janë detyruar të rrëfejnë para një hetuesi të Pukës dhe pa kaluar në shqyrtimin e gjykatës së rrethit, janë përballur drejtpërdrejt me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët nuk kanë pritur viktimat në Tiranë, por kanë nxituar për t’i dënuar në qelitë e tyre në qytetin verior! Gjithçka në terr të plotë si në rastet e tjera të gjykimeve të   me dyer të mbyllura. Po çfarë ka mbetur e dokumentuar në dosjen e procesit të 3 qershorit 1984 dhe cili ka qenë fati i viktimave të tij...

 

Prokuroria Pukës: Aktakuza

 

Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi. Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal. Në veçanti të pandehurit Sokol Zef Progri, Lush Prel Bashgjoka dhe Ndue Pisha për tradhti ndaj atdheut në formën e përgatitjen për arratisje në bashkëpunim me njëri-tjetrin të parashikuar nga neni 47 germa “gj” dhe 11 e 13 të Kodit Penal. Vllasi Koçi për agjitacion e propagandë kundër shtetit në bazë të nenit 55 të Kodit Penal...

 

Organi i akuzës: Ngjarja

 

Më datën 22.5.1984 i pandehuri Ndue Pisha dhe i dënuari Ndue Nikolla u urdhëruan nga personeli i shërbimit për të shkuar në punë mbasi nuk e kishin realizuar detyrën e ngarkuar. Në momentin që ata po sqaroheshin nga punonjësit e shërbimit të repartit të riedukimit, kanë shkuar aty të pandehurit Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka, të cilët kanë dhënë sinjalet e para edhe për të pandehurit e tjerë, për të filluar veprimet kundërrevolucionare dhe   aktet terroriste. Nga këta të pandehur i është bërë thirrje të pandehurit Ndue Pisha që në më­nyrë të hapët të refuzonte për të dalë në punë dhe mbasi kanë rrëm­byer gurë e tulla u kanë bërë presion të hapur punonjësve të shërbimit, duke tentuar të qëllonin atë për të mos lejuar shkuarjen në punë të Ndue Pishës dhe më pas me forcë ta rrëmbejnë. Edhe në largim e sipër këta të pandehur me egërsi me gurët e tullat në duar e me fjalë vazhduan kërcënimet ndaj punonjësve të policisë dhe efektivave të repartit të riedukimit e mbasi u bashkuan me të pandehurit e tjerë bënë konsolidimin e marrëveshjeve të tyre armiqësore. Për të normalizuar gjendjen ata janë urdhëruar nga punonjësit e shërbimit për të shkuar në mensë, ku do të bëhej apeli i të dënuarve. Mbasi filloi apeli i të dënuarve dhe i pandehuri Kostandin Gjordeni dëgjoi emrin e tij për apel në mënyre brutale kundërshtoi duke thënë se nuk dilte jashtë, nga ana e komandës u vazhdua të lexoheshin emrat e të dënuarve të tjerë. Të pandehurit filluan të grupoheshin për të kryer aktet e tyre armiqësore dhe pas leximit të emrit me apel të së pande­hurit Sokol Sokoli, këta armiq bërë organizimin e tyre terrorist dhe me egërsi sulmuan efektivin e shërbimit që ishin tek dera e mensës, ku duke shtyrë e duke qëlluar me grushte e shqelma në drejtim të ty­re i larguan ata nga kryerja e detyrës dhe u grumbulluan në shesh për të vazhduar bashkërisht veprimet kundërrevolucionare. Përsëri me gurë e tulla vazhduan kërcënimet armiqësore. Mbasi u bë rifutja e të dënuarve në mensë filloi përsëri bërja e apelit. Kur doli nga mensa i pandehuri Kostandin Gjordeni dhe u bë izolimi, ai me britma u dha sinjalin të pandehurve të tjerë për të filluar akoma më me egërsi veprimet terroriste. Të tërë këta të pandehur me egërsi e urrejtje kanë sulmuar punonjësit e shërbimit të repartit të edukimit. Të pandehurit me stola, grushte, shqelma, paterica, godisnin përfaqësuesit e shtetit. Veprimet e tyre i kanë shoqëruar me britma shtazarake, kërcënime e presione dhe me egërsi mposhtën re­zistencën e oficerëve dhe policëve e punonjësve të tjerë të shërbimit. Ata dolën nga mensa, ku mbasi u ngjitën në një vend më të lartë rrëmbyen gurë e tulla e filluan goditjen kundra tyre. Ndër me agresivet si Sokol Sokoli, Haxhi Baxhinovski, Bajram Vuthi nxorën dhe çuan në përdorim edhe thikat kurse të tjerët levat e hekurat, që i kishin përgatitur e futur në regjimin e kampit, në mënyre të fshehtë për t’i përdorur për kryerjen e terrorit. Kur të pandehurit sulmuan policët dhe oficerët e kampit të riedukimit, i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer. “Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo”. Me këto veprime të pandehurit goditën e gjakosën disa nga punonjësit e shërbimit, por përsëri nuk e ndërprenë terrorin, e vazh­duan atë deri në afërsi të daljes nga regjimi i kampit të riedukimit. Vetëm kur dëgjuam krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndjenë frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen.

Në këto akte terroriste treguan egërsinë e tyre të gjithë të pandehurit e akuzuar, për sidomos të pandehurit Sokol Sokoli, Sokol Progri, Martin Leka, Lush Bushgjoka, Haxhi Baxhinovski, Lazër Shkëmbi, Bajram Vuthi dhe Tom Ndoja janë treguar më aktivë në këtë veprimtari.

Ndërsa i pandehurit Vllasi Koçi si një armik i betuar që është u ka ardhur në ndihmë të pandehurve, duke i nxitur ata dhe ne kryerje e sipër të sulmit kriminal ka hedhur parullën armiqësore “Viva Duce” dhe “Poshtë udhëheqësi i Partisë”. Në veprimtarinë e tradhtisë ndaj atdheut janë futur të pandehurit Sokol Progri, Lush Bushgjoka e Ndue Pisha. Dolën të dhëna për veprimtari armiqësore edhe për të pandehurin Sokol Sokoli, Vllas Koçi, Kostandin Gjordeni, Tom Ndoja, Lazer Shkëmbi e Petrit Moriseja, por akuza në ngarkim të tyre u pushua për mungesë provash. Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar.

Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit...

Ata kanë vepruar me paramendim dhe në bashkëpunim me njëri–tjetrin. Veprimet e tyre janë kryer me armiqësi të thellë ndaj përfaqësuesve të pushtetit. Me urrejtje të theksuar dhe cinizëm u janë kundërvënë masave të drejta që janë marrë nga komanda për zbatimin e rregullave ligjore në repartin e riedukimit, si pasojë e kundërshtimeve të kundërligjshme dhe armiqësorë të Tom Ndojës, Sokol Sokolit, Martin Lekës etj.

Armiqësia e tyre evidentohet qartë në thirrjen që u ka bërë Vllasi Koçi të dënuarve për t’u bashkuar në aktin e terrorit ndaj policëve. Në ato momente ai u ka bërë thirrje kundërrevolucionare të dënuarve që ishin të pranishëm. “Unë, - thotë Vllas Koçi,- i kam kërcënuar të dënuarit që nuk dilnin jashtë për t’u përleshur me policinë, duke ju thënë që pse nuk dilni more spiunë. Do t’ju vras, po nuk dolët dhe kam rrëmbyer stolin t’u bija...” Të pandehurit Sokol Sokoli, Sokol Progri, Tom Ndoja, paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore edhe për faktin se kanë mbajtur qëndrim mohues në hetuesi, megjithëse për fajësinë e tyre ka mjaft prova.

 

Skeda e të pandehurve

 

1. Sokol Sokoli, i biri i Zefit dhe i Coles i datëlindjes 1952, lindur dhe banues në fshatin Gerni Tropojë, me origjinë fshatar i varfër e me gjendje punëtor, me arsim 8 klasë, i pamartuar, me shërbim ushtarak të kryer, i dënuar për tentative arratisje dhe rrahje, i arrestuar me datën 24.5.1984.

2. Sokol Progri i biri i Zefit dhe i Lenës i datëlindjes 1959, lindur në fshatin Salce të Tropojës, me origjinë fshatar i varfër, beqar, me arsim 8 klasë, i paorganizuar, i dënuar për vjedhje në përpjesëtime të mëdha, agjitacion e propagandë kundër shtetit, shkelje të rregullave të shërbimit të rojës, dëmtime me dashje të pasurisë së tjetrit, kundërvajtje penale të largimit pa leje nga reparti me 25 vjet heqje lirie.

3. Tom Ndoja i biri i Kolës dhe i Zojës, i datëlindjes 1952 lindur dhe banues në fshatin Kollogjin të rrethit Shkodër, i mar­tuar me dy fëmijë, me arsim 7 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqip­tar me origjine fshatar i varfër, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të sabotimit, agjitacion e propagandë kundër shte­tit dhe të armëmbajtjes pa leje, arrestuar me datën 24.5.1984.

4. Lush Bushgjoka i biri i Prelës dhe i Lulës i datëlindjes 1955 lindur dhe banues në Lekbibaj Tropojë, i martuar me një fëmijë, me arsim 8 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar për tentativë arratisje dhe për rrahje, armëmbajtje pa leje me 8 vjet heqje lirie, arrestuar me datën 24.5.1984.

5. Haxhi Baxhinovski i biri i Shefqetit dhe i Dinares i dat­ëlindjes 1956 lindur dhe banues në Çlirim të Fierit, me arsim 3 klasë, beqar, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagande kun­dër shtetit, arrestuar më datën 24.5.1984.

6. Vllasi Koçi i biri i Llambit dhe i Marijes, i datëlindjes 1956 lindur dhe banues në Vlorë, me origjinë shoqërore punëtor, i pamar­tuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me arsim 6 klasë, i dënuar për agjitacion e propagandë kundër shtetit, largim pa leje nga vendi i internimit si dhe i ridënuar për fyerje për shkak të detyrës me 19 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.1984.

7. Kostandin Gjordeni, i biri i Sotirit dhe i Xhevrijes i datëlindjes 1957, lindur dhe banues në Durrës, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i shkurorëzuar, me një fëmijë, me arsim 8 klasë i dënuar për tentativë arratisje me 11 vjet heqje lirie, arrestuar më datën 24.5.84.

8. Bajram Vuthi i biri i Ismailit dhe i Nurijes i datëlindjes 1956 lindur dhe banues në Fushë-Kruje, me arsim 10 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjine shoqërore kooperativist, i martuar pa fëmijë, i dënuar për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes me 15 vjet heqje lirie, arrestuar me datën 24.5.1984.

9. Martin Leka i biri i Sokolit dhe i Lezes, lindur dhe ba­nues në fshatin Nicaj Rrethit Shkoder, me arsim 8-klasë, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me profesion elektricist, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, për krimin e agjitacio­nit e propagandës, si dhe për rrahje, arrestuar më datën 24.5.1984.

10. Lazër Shkëmbi i biri i Zefit dhe i Dranes i datëlindjes 1960, lindur në Dukagjin të Rrethit Shkodër, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me arsim klasë me shtetësi dhe kombësi shqiptare; i dënuar për tentative arratisje me 10 vjet heqje lirie, si dhe për fyerje botërisht, arrestuar më datën 24.5.1984.

11. Hysen Tabaku i biri i Halilit dhe i Shahes i datëlindjes 1961 lindur dhe banues në Elbasan i pamartuar, me arsim 8 klasë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar me 10 vjet heqje lirie, arrestuar me datën 24.5.1984.

12. Ndue Pisha i biri i Martinit dhe i Pashës i datëlindjes 1965, lindur dhe banues në Theth të Shkodrës, me arsim fillor, i pamar­tuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për diversion, arrestuar me datën 24.5.1984.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit të pa­rashikuar nga neni 50/1 e 13 të Kodit Penal. Në veçanti të pandehurit Sokol Zef Progri, Lush Prel Bushgjoka dhe Ndue Pisha akuzohen për tradhti ndaj atdheut në formën e përgatitjes për arratisje. Vllasi Koçi akuzohet për agjitacion e propagandë kundër shtetit.

Meqenëse hetimet i konsideroj të mjaftueshme dhe akuzën e provuar, dosjen hetimore ia përcjell Gjykatës së Lartë të RPSSH-së për gjykim.

 

Aktakuza u përpilua në Pukë sot më datën 30.5.1984

Gjykata e Lartë

 

Pukë, sot më 3 qershor 1984, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të së pandehurve (listohen emrat me gjenialitetet përkatëse, shënim i red.) vendosi: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim; Sokol Progri, me 25 vjet burg; Vllasi Koçi, me 25 vjet burg; Martin Leka me 16 vjet burg; Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg; Bajram Vuthi, me 15 vjet burg; Ndue Pisha me 25 vjet burg; Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg; Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg; Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj 1984. Të pandehurit Sokol Progri, Lush Bushgjoka dhe Ndue Pisha për akuzën e tradhtisë ndaj atdheut u deklaruan të pafajshëm. (Në fund të vendimit janë firmat e tre gjyqtarëveu të Gjykatës së Lartë) Pukë, më 3.06.1984

 

Plumba pas mesnate dy rebelëve nga Veriu

 

Janë dashur gjashtë veta me 60 karikatorë kallashnikovi për të pushkatuar në terrin e natës dy nga rebelët e pabindur të Qafës së Barit. Gazeta “Panorama” ka mundur të zbulojë proçesverbalin e aktit të nënshkruar nga gjashtë ekzekutorët. Nga sa duket, dokumenti është shtypur më herët, duke lënë bosh rreshtat për fjalët e fundit të dy viktimave. Në pjesën hyrëse të tij pasi prezantohet përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për ekzekutimin e dy të dënuarëve, vijon skeda e tyre...

Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952 nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën.

Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952 lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr.3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (Pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888 datë 7.6.1984 nuk i fali jetën.

Pjesa më rrënqethëse e dokumentit, është ajo që është shënuar me dorë pasmesantës së 9 qershorit. Në të artikulohen rënkimet e fundit që shqiptuan të dënaurit para skuadrës së pushkatimit. Ja çfarë kanë mundur të riprodhojnë pushkatarët nga to: Para ekzekutimit të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisnin mbrapa. Gropën e hap vet. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka bërë. Nuk i kemi bërë gjë kujt” Ndërkaq, i dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!” Në fund firmat e gjashtë pushkatarëve që janë komanduar në tërë këtë mision tragjik nga shefi i policisë së rrethit. I gjithë dokumenti një faqe me gati 30 radhë! Kanë kaluar plotë 25 vite nga ajo natë tragjike, po ende asnjëri nga gjashtë pushkatarët nuk e ka zbërthyer gojën për vendin e masakrës. Ende Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja janë pa varr!...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: