Kastriot Myftaraj: Vija e Horizontit
| E Premte, 10.06.2011, 06:57 PM |

Vija e Horizontit

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Vija e horizontit ishte i pari ndër misteret me të cilët u ndesh njeriu, që në prehistori, dhe të cilin u përpoq që ta zbulonte. Për njeriun prehistorik duhet të ketë qenë një mister i madh fakti që bota e perceptuar prej tij kishte një kufi, i cili largohej sa më tepër i afroheshe, çka ndodh me vijën e horizontit. Ky ishte një mister sa fizik aq edhe metafizik. Vija e horizontit bëhej edhe më tepër impresionuese në perëndim të diellit, në muzg, si dhe para lindjes së diellit në mëngjes, kur kjo vijë ngjyrosej nga reflektimi i dritës së diellit, i cili tashmë gjendej i fshehur nën horizont. Njeriu prehistorik nuk ishte në gjendje që të eksploronte misteret e qiellit, nuk ishte në gjendje që të eksploronte misteret e detit përtej një pike fare afër bregut, pa folur për thellësinë. Por njeriut prehistorik i dukej se ishte e thjeshtë që të zbulonte misterin e vijës së horizontit. Për njeriun që rrinte në një rrafshinë, vija e horizontit gjendej 4-7 km larg, varësisht shtatlartësisë së tij. Për njeriun që ngjitej në lartësi, pemë, kodra, male, kjo largësi e perceptimit të vijës së horizontit rritej deri në 40-50 km.

Vija e horizontit përbënte kështu kufirin e botës së perceptueshme nga njeriu prehistorik, dhe ende edhe sot ajo përbën kufirin e botës që ne perceptojmë me sy të lirë. Njeriu filloi të krijonte personalitetin e vet kur u diferencua nga natyra përreth dhe gjesti më domethënës i tij në këtë kahje ishte kur kërkoi që të zbulonte misterin e vijës së horizontit. Vija e horizontit ishte nxitësi i parë për njeriun që ky të kultivonte personalitetin e vet. Njeriu që mediton duke kqyrur vijën e horizontit, është ai që ndjen joshjen e sfidës për të provuar limitet e veta, çka është pikënisja e kultivimit të çdo personaliteti të fuqishëm. Njeriu i parë që u nis të ndiqte vijën e horizontit ishte njeriu i parë i lirë, eksploratori i parë dhe intelektuali i pare, paraardhës i atyre që do të niseshin në aventurën e madhe të ndjekjes së vijës së horizontit në fusha nga më të ndryshmet, pushtuesve të mëdhenj të botës në rrafsh gjeografik, intelektual, artistik. Sa intelektualë të kohërave të mëvonshme dhe të së sotmes, qëndrojnë shumë pas këtij njeriu të parë, për shkak se ata, për shumë arsye, u akomoduan me limitet e vendosura në fushat e tyre të dijes, dhe nuk ndoqën “vijën e horizontit”?

Vija e horizontit nxiti tek njeriu eksploratorin, jo vetëm në hapësirën gjeografike, por dhe në atë të mendjes. Fakti se vija e horizontit merrte trajta të mistershme në muzg dhe herët në mëngjes (për këto dy intervale kohe anglishtja ka një fjalë të vetme twilight), përbënte të parën sfidë intelektuale të njeriut. Dhe kjo jo vetëm në hapësirën gjeografike, por edhe në atë intelektuale. Pejsazhi (Landscape) gjeografik me vijën e horizontit, i projektuar në atë që mund ta quajmë hapësirë intelektuale, fushat e dijes. Mbresa që krijoi vija e horizontit në nënvetëdijen e njeriut është me siguri nxitësi kryesor që njeriu t’ i hyjë sfidës së eksplorimit të fushave të dijes, duke kërkuar që të kapërcejë limitet në to.

Fjala “horizont” vjen nga greqishtja e vjetër, dhe do të thotë kufiri ndarës. Në greqishten e vjetër, fjala “oros” ka kuptimin që në anglisht ka fjala “boundary”, pra një kufi i përcaktuar. Por vija e horizontit nuk është një kufi i tillë, ajo është çka në anglisht quhet “frontier” dhe që është zona, pranë ose përtej boundary, pra një kufi që shtyhet tutje sa më tepër përparon njeriu. Të dy konceptet, shprehin perceptime të ndryshme të botës dhe lloje të ndryshme të personalitetit. Sipas konceptit të parë, kur vija e horizontit shihet si “boundary”, njeriu kërkon të gjejë limite në botë, të vetëkufizohet brenda tyre, të akomodohet në realitetin e zgjedhur prej tij dhe të mos joshet nga sfidat për të bërë eksploratorin në çfarëdolloj fushe. Grekët e vjetër e kuptonin mirë se vija e horizontit ishte një lloj sirene, si sirenat që joshnin Ulisin, e cila të joshte me trajtë, ngjyra, tinguj. Pamja më e natyrshme në botën antike duhet të ketë qenë njeriu që mediton duke kqyrur vijën e horizontit, ditën apo në muzg, e megjithatë kjo pamje mungon krejt në artin antik grek. Në fakt mungon edhe në pikturën e Rilindjes Europiane, dhe duhet pritur shekulli XIX që kjo pamje të shfaqet në pikturat e një artisti të madh.

Në pikturat e Rilindjes Europiane të bën përshtypje refuzimi i vijës së horizontit. Tek tabloja e Rafaelit, “The Madona of the Meadow” (1506), madona i ka kthyer shpinën vijës së horizontit. Tek “Primavera” (Pranvera) e Botticelli nuk duket vija e horizontit. Tek “Lindja e Venusit”, e Botticelli, vija e horizontit është në sfond, por ndonëse është pragmëngjesi, kur ajo është shumë piktoreske, nuk duket. Tek tabloja tjetër e Botticelli-t “Venusi dhe Marsi”, ndonëse vija e horizontit shfaqet, duket se ajo nuk tërheq vëmendjen e piktorit. Në tablotë e mrekullueshme të barokut flamand (flemish), të cilat kanë hyrë në fondin e kryeveprave botërore, vija e horizontit është gjithëherë diçka anësore që nuk tërheq vëmendjen e piktorit. Tek tabloja e Anthony Van Dyck (1635) “Portreti i Mbretit Charles I”, shikon nga e kundërta e vijës së horizontit. Njëjtë edhe tek tabloja e Peter Paul Rubens, me titull “Peisazh me pamje të Het Steen” (1636). Tek tabloja e Pieter Brueghel, “Korrësit” (1565), vija e horizontit thuajse e padukshme.

Tek tabloja e francezit Eugene Delacroix “Liria që u prin njerëzve” (1830) mungon krejt, ndonëse vasha gjendet në sfondin e pejsazhit. Në fillim të shekullit XIX një piktor gjerman, Caspar David Friedrich (1774-1840), e bëri meditimin e njeriut përballë vijës së horizontit, temë qendrore të tablove të tij. Në pikturat e tij ka njerëz në trajtë siluete që meditojnë duke kqyrur vijën e horizontit. Në tablonë e këtij piktori të romanticizmit, “Udhëtari mbi detin e mjegullës” (1818), është një njeri i cili mediton përballë një hapësire të mjegullt, në të cilën qartësisht po bëhet gati që të aventurojë. Njëjtë edhe tek tablotë e tjera të tij “Burri dhe gruaja duke medituar mbi hënën” (1835), “Lindja e hënës mbi det” (1822), “Skenat e jetës”, më e mrekullueshmja ndër to për mua.  Në pikturën e shekullit XX është Andrew Wyeth, i cili në tablonë “Christina’ s world” (1948), paraqet një vajzë e ulur në një arë me grurë, kqyr horizontin.

Nuk është rastësi që vija e horizontit si pikë fokale ka hyrë në pikturë baras me çlirimin e njeriut nga konvencionet. Grekët e vjetër e kuptonin se njeriu i cili mediton duke kqyrur vijën e horizontit ka diçka demoniake, në sensin e mbinatyrores, se ky njeri është duke u tunduar që të testojë limitet e kapacitetit të tij në ndonjë lloj sfide. Grekët e vjetër kishin frikë nga ky lloj njeriu, se u trembeshin tiranëve. E megjithatë gjërat më të bukura që kemi trashëguar nga grekët e vjetër, i kemi nga këta lloj njerëzish, ndjekës të vijës së horizontit. Pushtuesit e mëdhenj të botës, që nga Cyrusi, Kserksi, Aleksandri i Madh, Cezari, Karli i Madh, Genghis Khan, Kristofor Kolombi, Napoleoni, Hitleri qenë tekefundit ndjekës të vijës së horizontit. Pushtuesit e mëdhenj të fushave të dijes, kanë ndjekur “vijën e horizontit”, Freud, në thellësitë e psikes njerëzore, në subkonshin e tij, Einstein ka ndjekur “vijën e horizontit” në univers, Mozart dhe Bethoven në botën e tingujve, Platoni, Nietzche në filozofi, Shakespeare, Dostojevsky në letërsi.   

Kur njeriu mediton duke kqyrur vijën e horizontit tek ai riaktivizohet arhetipi i vjetër i paraardhësve të tij, dhe vija e horizontit bëhet sirenë që e josh me forma, ngjyra, tinguj, e fton të testojë limitet e veta në sfidën që zgjedh ai. Të kqyrësh vijën e horizontit në muzg dhe në mëngjes herët është si të marrësh pjesë në një rit misteresh. Vija e horizontit është më intriguese në muzg dhe në mëngjes herët, kur është e ngjyrosur nga perëndimi i diellit dhe lindja e dritës. Këto dy intervale quhen në anglisht “twilight”. Twilight, përdorur për herë të parë në anglisht në shekullin XV, një vonesë domethënëse kjo. Ka dy twilight, dawn (mëngjes) dhe dusk (muzg), që janë përkatësisht twilight, në fillim të ditës dhe në fund të saj. Atëherë kur dielli është ende poshtë horizontit por drita e tij shfaqet nëpërmjet reflektimit në shtresat e larta të atmosferës.

Njeriu që mediton përballë vijës së horizontit lexon shpirtin e vet. Njeriu në këto momente shikon më tepër në thellësi të vetvetes, se në fushëpamjen natyrore para tij. Njeriu shikon kufijtë e ambicjes së tij, kufijtë e personalitetit të tij, limitet që i ve vetvetes, kufirin se deri ku guxon në sfidat që zgjedh në jetë, ato intelektuale dhe të cdo lloji tjetër. Njeriu në këto momente gjendet përballë dilemës nëse do të jetë në jetë një eksplorator në fushën e tij, apo do t’ i vendosë vetes limite, për t’ u akomoduar në një realitet të kufizuar prej tij. Në këto momente njeriu ndjen thirrjen, lutjen, qortimin e “Unit” të vet tjetër, eksploratorit, që kërkon të ndjekë vijën e horizontit. Ky “Uni” tjetër e ndjen veten sipas hekurave të burgut në realitetin e kufizuar që njeriu ka krijuar për t’ u akomoduar dhe kërkon t’ i thyejë këto kufij, ku për të ka po aq liri sa për të burgosurin në një qeli të vogël. A do ta dëgjojë njeriu këtë thirrje? Nëse nuk do ta dëgjojë, do ta kalojë gjithë jetën duke u përpjekur që t’ i arsyetojë “Unit” të vet vendimin se përse nuk e bëri këtë gjë, por nuk do të marrë asnjë përgjigje, ashtu si një njeri që rri para sfinksit dhe flet me të.


kastriotmyftaraj@sot.com.al - Gazeta Sot

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: