Kalosh Çeliku: Thashë
| E Marte, 07.06.2011, 08:05 PM |

THASHË

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Në disa shkrime të publikuara në mjetet e informacionit kam thënë: Dielli si një saç i skuqur, derisa unë kisha bërë një sy gjumë pas dere, ishte ngritur lart mbi male. Ku ta dish, ndoshta edhe sa herë e kishte zgjatur dorën të më zgjojë nga gjumi. Po ç’e do, kur unë shihja ëndërr. I kisha hipur gjokut dhe fluturoja mes reve nëpër qiell. E shaloja kalin, po ende nuk e kisha flug gurin pas shtatë maleve. E ç’është më me rëndësi, e dija se nuk jam Gjergj Elez Ali, që në trup t’i marrë nëntë plagë, e të dhjetën ta kërkoj nëpër Qytetin e qyqeve. Edhe pse, gji më jepnin për luftë Tri Zana. Ja, mu pse isha shtrirë pas dere, nuk kisha mundur të zgjohem nga gjumi.

        Dhe, kur i sheh kaq të flaktë për Shqipëri Etnike, të vjen të pëlcasish jo nga barku, po nga kurrizi. Komunistët e djeshëm të Partisë Komuniste, “demokratë” të sotshëm me fjalime të zjarrta e shkrime “bombastike” nëpër istikame kulturore e politike. Njëri me kravatë të kuqe mbi shkrimin patriotik, i ndezur zjarr e flakë. Tjetri: me shqiponjën e pergjysmuar dykrenare kuqezi mes flamurit me një gotë ujë përpara mbi tavolinë. “Disidenti” i Doktorziut në mjetet e informacionit po si Mic Sokoli duke e rrokur topin për fyti: “Shqiptarët do t’i zhgarravisin fletëvotimet, Marrëveshja e Ohrit ka vdekur, Pres që të ketë incidente të përgjakshme, Analisti i kërkon falje popullit shqiptar, A duhet të bashkohet Kosova dhe Shqipëria (edhe Maqedonia e Mali Zi v. j.)”… Edhe, shesin mend: “ideologji deledash e partive shqiptare, presione shantazhe dhe kërcnime të partive politike”. Trusakatët që deri dje u bënin “temena” liderve partiak: Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Edhe ua fërkonin natë e ditë me dorë. E sot, kur këta i përzunë nga Partia si material shpenzues vetëm për një përdorim dhe i flugën në hedhurinat e kontejnerëve të berllokut, gurë e dru hedhin mbi këta burra mejdani. Fotografohen me shqiponjën e zezë dykrenare, qafë për qafe me Skënderbeun e dalin në syrret me kësula të bardha. E ti kur i sheh kaq të mjerë, kaq të varfër në tru, aty për aty të hidhet t’i duash këta liderë partiak. E merr guximin të thuash në këtë shkrim: po mirë ua bëjnë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. E sidomos ky i fundit, Menduh Thaçi është i pamëshirshëm për sojin e këtyre “patriotëve”, që janë shërbetorë të dëgjueshëm dhe i ndrrojnë partitë politike si kurva brenda një nate burrat. Vetëm edhe Menduh Thaçi nuk rri duarkryq, i “dogj” gjatë këtyre viteve patriotët e rrejshëm me kësula të bardha. Meritë e vetme kjo e këtij lideri politik shqiptar, që i zhveshi burrat e grave para syve të popullit lakuriq e pisa ashtu siç i ka lindur nëna pas dere një natë dimri. Trusakatët e këtij soji të zmëruar me liderët e tyre partiak, të nesërmen turr me shkrime e sharje të themelojnë parti të reja politike.    Dumdumët, që pantollonat mezi i mbajnë me duar dhe u bien rrugës.

       Përmëkeq, shqiptarët edhe sot e kësaj dite janë të përçarë nëpër parti politike. Një Parti Neokomuniste gjatë njëzet vjetëve i polli me dhjetra parti të tjera kopilesha “demokratike”. Fatkeqësisht, të njëtit individë njëzet vjet me radhë bëjnë akrobacione politike duke shëtitur parti më parti si kurva burrë më burrë. Dorën në zemër, kurvës edhe i ka hije. Po, jo edhe këtyre rrospive meshkuj me pashterka të kuqe, që gjatë natës na i flukin kopilat pas dere. Ose, nga pangopësia përditë themelojnë parti të reja politike duke vazhduar ta përçajnë këtë popull edhe nëpër katunde. Fatkeqësia më e madhe: gjithë këtë e bëjnë në emër të popullit dhe për popullin shqiptar. Populli i shkretë, sot e ka humbur rrugën në oborr. Nuk di pas kujt të eci, cilit t’i besojë ose t’ia japë votën. Kohë shterpë kjo, kur Gomari Babatasit i pri para këtij populli nëpër fushëbeteja për Liri. Rrugëdalja: pajtohet me fatin, ende t’i prinë këta hajdutë politikë duke e vjedhur me duar e këmbë popullin dhe pasuruar veten, një rreth të ngushtë familjar, miqsor e klanor, grupe interesi partiak nëpër kabinete.

       Qesha. Dhe, them me vete: po, në fillim të viteve ’90 –ta, në prag të ndryshimeve demokratike, këta “burra mejdani” ishin bashkë si një trup e kokë në themelimin e PPD -së, në Tetovë. Përjashtim këtu bënte vetëm Ali Ahmeti me shokë. Në atë kohë erdhën gra e burra nga të katër anët e botës nga toka e qielli me aeroplanë special në votime. Kurrë populli shqiptar nuk ka qenë më i bashkuar se atë ditë në atë kohë historike. Edhe Sheshin e Shkupit e mbushën me kësula të bardha e flamuj kombëtar kuqezi. Vetëm, tjetër është ajo se, ky bashkim kombëtar nuk zgjati shumë kohë. Plasi sherri për interesa të ngushta personale, ose hyri Dreqi në mes të “patriotëve” kuqezi. Nëna Parti çdo katër vjet, gjatë zgjedhjeve të reja pillte kopilesha pas porte. E përçanë popullin shqiptar, mos Zot më keq! Njëzet vjet me radhë të njëtit “patriotë” kuqezi i ngatrrohen popullit shqiptar nëpër këmbë. I hipin për çdo katër vjet mbi shpinë si gomarit të Nastradinit nëpër beteja: herë i hip Nastradini e herë Nstradinica. E kanë rrëzuar me të katër këmbët në batak. E ky popull edhe sot e kësaj dite, nuk e hedhë samarin, barrën nga shpina. Bythekrye t’i hudhë trusakatët në baltë.

       Edhe sot si dje zërin e ngrejnë për Liri, hipin në foltore, nëpër karrige na rrëfejnë grushta në demokraci. Herë pas here në gazetë na shkruajnë “letra dashurie” se: si e kanë kaluar natën matanë Vardarit me rrospitë meshkuj qafë për qafe. Na shesin mend nëpër emisionet debative televizive: “Një temë një bisedë”. Vëllazërim-bashkimin e ri që do ta ndërtojnë në Qytetin e qyqeve. Himnet e para partiake që do t’i shkruaj poeti Honxhobonxho. Kolumnat “profetike” Patrioti i Vonuar, “miku” i Abazit dhe armiku i Ali Ahmetit. Librin për të cilin do të çohet aq pluhur nga Kritiku Teknefes që nuk ka haber nga letërsia. Bibanin Qafërjepur se, si fryhet para kamerave televizive me një torbë për qafe në krah si pjellë komuniste dhe “flijimet e tij artistike” se, si e ka shpëtuar Atdheun nga Përmbytja e Madhe…

       E për sa u përket liderve të rinj partiak që gjatë këtyre ndryshimeve demokratike mezi i pollën me shterëzime partitë politike shqiptare: PPD, PDSH dhe BDI, nuk dua të flas mes këtyre rreshtave, kanë qenë vite me radhë shërbetorë të tyre “besnik” për një torbë tagji nëpër institucionet e shtetit. Edhe pse më shtini ta them haptas: ata “patriotë” kuqezi të cilët i ka djeg Menduh Thaçi, kurrën e kurrës nuk mund të bëhen liderë të sukseshëm politik shqiptar. Realiteti: me këtë dua të them, edhe këtu në këtë shkrim: Menduh Thaçit duhet t’i takojnë meritat si politikan shqiptar në pastrimin e haleve të partive politike shqiptare, e jo në avansimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Nuk do t’i përmendi emrat në këtë shkrim, i di populli shqiptar. Fatkeqësisht, ndonjëri nga pakujdesia ka shkuar edhe si qeni në rrush.

       Njëzet vjet na kanë hipur e zbritur nga shpina si gomarit të Nastradin Hoxhës.  Herë Nstradini e herë Nastradinica. Njëzet vjet na i  kanë shitur lirë të gjitha të drejtat kombëtare. Njëzet vjet na i mohojnë të gjitha librat. Njëzet vjet na i helmojnë fëmijët nëpër shkolla me tekste shkollore e planprograme sakate. Njëzet vjet me radhë na e shtinë në dhomën e librave Zonjën Vdekje. Njëzet vjet… O Imzot, njëzet vjet na kanë ndjekur maleve, vetëm e vetëm t’ju bindemi urdhërave të tyre, të udhëtonim nëpër gjiriz mes hithërave. Kujt i hynte në kokë ose së paku të na dëgjonin se, ne i kishim frikë krimbat të na ecin nëpër trup. Atyre me rëndësi ishte t’u ndizet qiriri mbi oxhak. Tymi t’ju shkojë drejtë qiellit mbi çati. E për ne, kush e çante kokën se një ditë do të na e  burgosnin edhe Lirinë brenda katër mureve. Fajin e patën vetë, do të thoshin nëpër emisione debative, ne u dolëm borxhit. Dhe, vërtet duhet pranuar nëse ka Zot se na “dolën” borxhit…

       Dritat u shuan në tribinë. Në sallë shpërtheu një duartrokitje frenetike. Nëpër errësirë dëgjova edhe një zë femre. O Imzot, ama ia kishte marrë një kënge partizane! E përdridhte zërin, më thirrte me emër nëpër errësirë… Grupi i burrave me çifteli: Ne gjatë këtyre njëzet vjetëve kemi gabuar në politikë, por nëse tani na e jepni votën – shpërblimin e popullit, kurrë më nuk do ta gabojmë rrugën politike. Tjetri duke mbajtur ison: Kryetarin e Parlamentit, nëse fiton Partia jonë demokratike do ta kemi shqiptar! I treti me një parullë partizane të Partisë Komuniste: Liri ose vdekje…

       Punemadhe. Them unë në këtë shkrim artistik - demokratik. Shqiptar e kemi pasur një kohë në komunizëm edhe kryetarin e Shtetit të Jugosllavisë. Edhe atë, shkrimtar. Poashtu, në Kosovë e Maqedoni, gjatë sistemit komunist kemi pasur poste të larta në nivele shtetërore. Edhe dy shtete shqiptare i kemi sot në demokraci: Shqipërinë dhe Kosovën. I treti e pret radhën pas porte. Që, nëpër dyluftime heroike për poste politike duam t’i ndajmë me litar jug-veri, siç e ndante gjatë një fushate parazgjedhore Xhaxhi Kuqezi Kërçovën. Edhe gjatë ndryshimeve “demokratike”, poste kemi pasur e kemi për burrat e mejdanit, po nuk kemi pasur e kemi shtet shqiptar: Shqipëri Etnike. Ekonomi të zhvilluar shqiptare. Barabarësi të plotë kombëtare me “vëllezërit” e Njerkës në këtë shtet të “përbashkët demokratik”. Shkaku se: ende shqiptarëve nëpër damarë u qarkullon gjaku komunist i vëllavrasjes. Vështirë e kanë në kohën e sotshme të gdhihen qafë për qafe si demokratë, këta burra mejdani me brekët mbi pantollona.

       E thashë këtë mendim dhe u ula këmbëkryq mbi një varr. Vetëm se tani kukullat filluan të sillen në rreth, t’i rrahin duart herë pas here shuplakë. Kjo do të thoshte se u pëlqente muzika e rokënrolit në këtë festival ballkanik. Ja, edhe pse e këpusnin mjedisin, i rrotullonin sytë, përdridheshin para kamerave televizive. I venin në përdorim të gjitha shkathtësitë, që para kukullave të ishin sa më bindës, sa më të zjarrtë. Vetëm pak veta i besonin lojës së tyre, kishin frikë mos thyejnë ndonjë këmbë… Kokën... Nuk i kuptonin përdridhjet e tyre, nuk e dinin ku i shpienin këta flamurtarë, në Liri ose Robëri . Një kukulle edhe i ra të fikët kur Vajza e Dr. Madhit një lojtari iu hodh në qafë. E mori për dore pas mullarit me bar dhe e rrëzoi nën qiellin e hapur me yje.

       Edhe, them: BDI – në nuk mund ta rrëzojë nga pushteti ky kapacitet politik që e kanë shqiptarët në Maqedoni. Shembull: Deklarata e Rufi Osmanit se, vjen në skenën politike për ta rrëzuar nga pushteti Ali Ahmetin. RDK –ja në këto zgjedhje të parakohshme do të fitojë 17 deputetë. Ose: paszgjedhjet e parakohëshme parlamentere, ku Menduh Thaçi: sinqerisht e uron Ali Ahmetin për “fitoren”. Njëkohësisht, duke i porositur kopilat e PDSH -së që humbën në këto zgjedhje, t’i thonë lamtumirë politikës. Poashtu, edhe se do të jetë në të ardhmen një opozitë e fuqishme. Porosi kjo për BDI – në, që nëse nuk bënë reforma brenda partiake, pastroj radhët e veta nga bërlloku i mbledhur me vite para dere, as le të mos marrë guximin t’i masi forcat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

       E nesërmja është në duart e shqiptarëve…



(Vota: 41 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: