Fotaq Andrea: Dy artikuj të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma, më 1933 dhe 1934
| E Hene, 06.06.2011, 08:05 PM |

 

QË PREJ NJËZET SHEKUJSH NDODHEMI KËTU, NË SHQIPËRI. KATOLIKË E SHQIPTARË JEMI,

KATOLIKË E SHQIPTARË DO MBETEMI –

 

Dy artikuj të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma,

më 1933 dhe 1934.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Në vazhdë të një letre, tashmë të bërë publike, të priftit shqiptar në mërgim Françesk Karma, me titull “Kush e qeveris Shqipërinë”, botuar në organin e mirënjohur francez “la Croix” më 28 qershor 1933, po  botojmë edhe dy shkrime të tjera të tij, botuar në të njëjtin organ më 5 korrik 1933 dhe më 24 nëntor 1934. Shkrimi i parë titullohet: “Protestë e ethshme nga ana e peshkopëve ndaj qeverisë së Tiranës”, dhe i dyti, botuar në kronikën “Fakte – Në Shqipëri”, mban titullin: “Qeveria dhe shkollat katolike”.

Me penë të fuqishme, At Frano Karma, parashtron para së gjithash gjendjen e nderë në Shqipëri që nga fillimi i muajit prill 1933, gjendje “thellësisht e turbullt dhe veçanërisht kritike” siç shprehet ai, që ka shkaktuar “tension tepër të rëndë midis katolikëve dhe qeverisë”. Duke fajësuar qeverinë, që “e ka shkaktuar dhe nxitur posaçërisht vetë” këtë tensionim, prifti shqiptar në mërgim nuk lë shteg për keqinterpretim kur thekson se me  termin “qeveri” duhet kuptuar veç “Parlamentit e ministrave, edhe vetë mbreti Zog si person”. Tek bën të qartë zanafillën e tërë këtij tensionimi dhe të kësaj pakënaqësie në radhët e katolikëve shqiptarë, ai vë në dukje :

 

Një ligj i ri, që synon kategorikisht mbylljen e shkollave katolike në Shqipëri sapo u dekretua nga ana e Parlamentit, me tre seanca të shpejta, ndërprerë nga pezullime pesë minutëshe!... Asnjë deputet nuk bëri vërejtjen më të vogël e veç kur ligji u miratua njëzëri. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Parlamentarët nuk mund të vendosin me dëshirën e tyre : Zogu komandon! Ai donte që ligji o të miratohej, o s’ka!

Atëherë, me një të rënë të kalemit, shkollat katolike u zhdukën!...

U përhap zhurma se ky ligj gjoja godiste drejtpërdrejt propagandën e huaj. Por e gjithë kjo nuk qe veçse një gënjeshtër!...

Gazeta le Temps e 25 prillit 1933 jep një ide të gabuar të gjendjes në Shqipëri, duke thënë se ligji goditi posaçërisht shkollat e Franciskanëve e të Jezuitëve, sepse këto shkolla na qenkëshin në shërbim të Italisë! Është tërësisht e gabuar. Ligji synonte të ndëshkonte këto shkolla thjesht ngaqë ishin katolike.

Mbreti Zog po bëhet në të vërtetë lodër në duart e një Shoqërie të fshehtë, e cila po vë në përdorim një program panislamik për të goditur me ashpërsinë më të madhe katolicizmin.

Shkollat franciskane ishin gjysmë qeveritare, me një program të dhënë nga qeveria dhe me një kontroll të pjesshëm nga ana e qeverisë, e cila subvenciononte profesorët shqiptarë të këtyre shkollave. Për sa i përket Jezuitëve, duhet nënvizuar se shkollat e tyre kishin edhe ato një karakter tërësisht kombëtar shqiptar, edhe pse në trupin arsimor përfshiheshin ndoca Jezuitë italianë pleksur me profesorë shqiptarë.

 

Të gjithë peshkopët katolikë shqiptarë protestuan energjikisht ndaj kësaj mase të padrejtë të qeverisë. Dhe konkretisht Imzotët: Lazar Mjeda, peshkop i Skutarit; Guri Gjura, peshkop i Durazzos; Luigj Bumçi, peshkop i Alesios [Lezhës]; Jozef Gjocali, peshkop i Zadrimës; Bernardin Shllaku, peshkop i Pulatit; Francesk Gjini, peshkop i Mirditës.

Ja pikat kryesore të kësaj proteste në drejtim të qeverisë së Tiranës:

“Ligji që detyron mbylljen e shkollave private ka tronditur e shqetësuar thellë tërë katolikët. Këta, edhe pse më të paktë numerikisht, kanë dhënë proporcionalisht një kontribut më të madh për zgjimin kombëtar. Ne që shohim se si mbi tre mijë djem e vajza po dëbohen dhunshëm nga shkollat fetare si të ishin vende murtaje dhe streha të rrezikshme për ekzistencën e shtetit, ne e ndjejmë për detyrë të shenjtë të protestojmë dhe t’i bëjmë të njohur qeverisë mbretërore të Tiranës papajtueshmërinë e këtij ligji me të drejtat më të shenjta të njerëzimit; po ashtu, vëmë në dukje kontradiktën flagrante të këtij ligji me aspiratat më të ligjshme dhe më të arsyeshme të elementit katolik shqiptar. Ne duhet t’i bëjmë të ditur qeverisë mbretërore se – me përjashtim të Rusisë – në asnjë vend tjetër të botës, në kushte normale, një qeveri nuk mund t’i lejojë vetes të veprojë, qoftë edhe ndaj të huajve, ashtu siç po vepron sot qeveria shqiptare ndaj nesh, qytetarë të lirë të Shqipërisë.

Po ashtu, protesta vë në dukje se ligji bie ndesh me të drejtën e familjes, duke qenë se familja është parësore ndaj shtetit. Shteti ateist, duke monopolizuar arsimin, asgjëson familjen dhe i çel dyert bolshevizmit.

Nga ana tjetër, ligji shkel statutin themelor të shtetit dhe të drejtën e parashkrimit të shkollave katolike, përderisa pjesa më e madhe e tyre ishin hapur tashmë gjatë sundimit turk. Dhe këto shkolla respektoheshin nga vetë turqit, nga serbët, malazezët, austriakët, francezët, italianët, etj.

Memorandumi, pasi hedh poshtë energjikisht dhe në mënyrë të argumentuar shpifjen e kurdisur nga Parlamenti sipas së cilës shkollat katolike përbënin një element separatizmi, shprehet fuqimisht kundër një qeverie, shumica e së cilës është myslimane.

“Më të fortit, nuk i mungon kurrë një arsye. Po le të na thonë ata zotërinj se cilët na qenkan separatistët e vërtetë! A kanë shkaktuar gjë separatizëm ata djem e ato vajza që studiojnë shkollave katolike shqiptare?... Apo mos vallë janë pikërisht qeveria dhe Parlamenti që, me atë ligj, çelin një plagë aq të thellë e të përgjakshme në  vetë zemrën e njëqind mijë katolikëve shqiptarë?...

Ne ndodhemi këtu, në Shqipëri që prej njëzet shekujsh! Katolikë e Shqiptarë jemi, Katolikë e Shqiptarë do mbetemi!”

Ja fjalë krenare, që tërë katolikët e botës duhet t’i dëgjojnë dhe duhet t’u bëjnë jehonë!

Më pas, Memorandumi parashtron të mirat e pamohueshme që i kanë bërë kombit shkollat katolike shqiptare. “Prej tyre kanë dalë shkrimtarët dhe funksionarët më të mirë, bijtë më të denjë e më besnikë të atdheut. Sa e prapambetur tingëllon shpifja e turpshme e dalë nga vetë radhët e Parlamentit për të diskredituar arsimin katolik sikur nuk na qenka në nivelin e duhur dhe nuk dhënka frytet që priten! Sa i prapambetur ky pushtet arbitrar i Parlamentit që me një të rënë të lapsit zhduk tërë këto shkolla katolike!”

Dhe protesta ngre lart këto fjalë paralajmëruese: “Le ta dinë zotërinjtë parlamentarë se as që kanë për të zhdukur kurrë ato faqe të historisë së ndershme e të vërtetë të shkruara me djersën dhe me gjakun e vuajtjeve shekullore të katolikëve shqiptarë!”

Peshkopët risjellin në kujtesë nga ana tjetër tërë ato luftëra të ndërmarra nga katolikët shqiptarë për të hedhur tej zgjedhën osmane, “pikërisht kur sivëllezërit tanë myslimanë shqiptarë luftonin në mbështetje të Turqisë”.

Dhe nuk ka si harrohet me këtë rast, se në mbarim të Luftës së Madhe, Kongresi i Versajës nuk pranoi kurrsesi të njohë delegacionin shqiptar nën pretekstin se ishte një “delegacion turk”. U desh atëherë që një peshkop katolik shqiptar [Luigj Bumçi] të shkonte vetë në Versajë duke u paraqitur në Kongres si prijësi i delegacionit. Përpara atij Kuvendi të lartë, ai, peshkop katolik, deklaroi solemnisht se tërë katolikët e Shqipërisë i shihnin myslimanët shqiptarë si vëllezër dhe në çdo kohë kanë dashur të jetojnë bashkërisht me ta.

Në përfundim të protestës së tyre krenare episkopale ndaj aktit krejt të padrejtë të qeverisë, Peshkopët ftojnë tërë katolikët të luten për lulëzimin e atdheut, aq i shtrenjtë për ta e për subjektet e tyre.

Akti i protestës, i firmosur nga tërë Peshkopët e Shqipërisë dhe dërguar qeverisë së Tiranës mban datën: Skutari, 30 prill 1933.

 

Por, askush në botë nuk do mund ta merrte dot me mend atë që bëri Zogu pas kësaj proteste.

Duke u hequr se i trembej një veprimi të armatosur nga ana e katolikëve, ai mori masa të posaçme mbikëqyrjeje për qytetin e Shkodrës, qendër e popullsisë katolike shqiptare.

Ashtu si pat vepruar më 1926, ai mblodhi krerët myslimanë të disa fiseve dhe i urdhëroi të viheshin në gatishmëri ata dhe bashkëpatriotët e tyre për të mbrojtur në rast nevoje nëpërmjet armëve fenë e Kuranit, po qe se katolikët thërriteshin nga peshkopët e tyre për të ngritur krye dhe po qe se mbështeteshin nga katolikët e një shteti tjetër të huaj për përmbysje të qeverisë dhe shkatërrim të islamizmit.

 

Mirëpo, ç’qëllim ndjek ligji i ri ndaj shkollave? Veç qëllimeve sektare gjoja në emër të  laicizimit të arsimit në Shqipëri, ja një qëllim tjetër: arsimi që jepej në shkollat fetare katolike e tejkalonte dukshëm çdo arsim të dhënë në shkollat e shtetit. Nxënësit e shkollave katolike dalloheshin dhe shquheshin në raport me gjithë të tjerët. I mbyllën pra shkollat në fjalë për t’u mohuar katolikëve mundësinë që të qëndronin më lart për nga kultura, duke dashur t’i barazojnë nëpërmjet forcës me të tjerët.

Ne, priftërinjtë katolikë, që vuajmë në mërgim që prej tetë motesh si pasojë e persekutimeve që kemi njohur nga ana e Zogut dhe përkrahësve të tij, në unison me katolikët shqiptarë bashkojmë zërin tonë me atë të Peshkopëve, klerit dhe gjithë katolikëve të tjerë shqiptarë, për të protestuar me tërë forcat tona kundër mbylljes forcërisht që po u bëhet shkollave katolike dhe kundër çdo padrejtësie në kurriz të bashkëfetarëve tanë në Shqipëri.

Protestojmë po ashtu ndaj çdo shpifjeje të turpshme të ndonjë gazete sektare dhe albanofone të Jugosllavisë, ku katolikët janë jo më pak të persekutuar se në Shqipëri, gazetë  që ka dashur t’i bëjë lexuesit e saj të besojnë se nëpërmjet veprimit të tyre – i denjë ndaj  detyrës episkopale që kanë marrë përsipër –, peshkopët e Shqipërisë qenkan bërë vegla të shteteve të huaja të interesuara për të bërë intriga në Shqipëri.

 

Në emër të priftërinjve dhe katolikëve të mirë të syrgjynosur,

 

Francesk Karma, Prift shqiptar i mërguar.

 

Shkrimi tjetër i At Karmës, “Qeveria dhe shkollat katolike”, botuar në të përditshmen katolike franceze la Croix, shfaqet pas një viti e gjysmë nga botimi i protestës së mësipërme të Peshkopëve të Shqipërisë. Përmban në thelb një peticion të katolikëve shqiptarë dorëzuar Sekretariatit të Lidhjes së Kombeve më 11 tetor 1934. Vihet sërish në dukje qëndrimi armiqësor i qeverisë shqiptare të kohës ndaj katolikëve të vendit, sidomos për të penguar klerin katolik në misionin e tij për edukimin e rinisë katolike shqiptare. Ja përmbajtja e letrës:

 

Zoti Sekretar i përgjithshëm,

 

E kam për detyrë të tërheq vëmendjen e Shkëlqesisë Suaj për gjendjen e minoritetit katolik në Shqipëri, që përherë e më shumë po përkeqësohet, si pasojë e persekutimeve që kryen mbi të qeveria shqiptare.

Ne emigrantët katolikë, ne kërkojmë drejtësi për vëllezërit tanë shqiptarë, të cilët nuk kanë as mundësinë që protestat e tyre të arrijnë të dëgjohen, në një kohë kur në vatrën e tyre kombëtare janë të shtrënguar të hanë në heshtje bukën e dhembjes.

Ne kemi besim në mbështetjen tuaj; sepse, të vetëm, ne jemi të pafuqishëm për t’u mbrojtur përpara persekutimit që po na bën qeveria shqiptare.

Nuk ka as dy vjet që shkollat e besimit të lirë u mbyllën pas një mocioni parlamentar.  Peshkopata katolike shqiptare ju drejtoi në atë kohë një protestë tepër të denjë, duke ju kërkuar drejtësi ndaj atij akti tiranik të qeverisë. Qeveria shqiptare u mundua ta përligjte qëndrimin e saj duke parashtruar këto dy arsye: 1. vetë deputetët katolikë na qenkëshin bashkuar me dëshirën për zhdukjen e shkollave, sepse na paskëshin një karakter antikombëtar; 2. Duke qenë se shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare, ai nuk i njeh minoritetet fetare.

Zoti Sekretar i përgjithshëm, ne ju kërkojmë të merrni në konsideratë qëndrimin tonë ndaj kësaj përgjigjeje të qeverisë shqiptare:

Në vendin tonë, nuk ekziston asnjë liri mendimi publik dhe deputetet e ashtuquajtur “katolikë” nuk janë përfaqësues të katolikëve shqiptarë, por krijesa të qeverisë së sotme. Kështu, gjatë zgjedhjeve të fundit më 1932, katolikët që u orvatën të vendosnin kandidaturën e tyre në këto zgjedhje u burgosën. Për më tepër, e çfarë do mund të bënin pesë deputetë katolikë përballë një shumice prej dyzet e pesë përfaqësuesish myslimanë e ortodoksë?

Që shkollat katolike shqiptare na paskëshin një qëllim antikombëtar, ne jua lëmë vetë juve në dorë të peshoni vlerën e një thënieje të tillë. Mund ta gjykoni për më tepër nëpërmjet leximit të Memorandumit që peshkopët e Shqipërisë i drejtuan qeverisë së Tiranës.

Persekutimi ndaj katolikëve në Shqipëri vazhdon në formë sistematike. Funksionarët katolikë janë nxjerrë në pension dhe janë zëvendësuar nga mësues që i përkasin feve të tjera. U dashka pra që këta të edukojnë fëmijët tanë katolikë. Studentët tanë skarcohen në provime në përmasë të paimagjinueshme, ndërkohë që të tjerët i kalojnë këto provime pa kurrfarë vështirësie. Edhe në kishat e tyre priftërinjtë katolikë nuk kanë të drejtë të predikojnë lirisht. Kështu, vitin e shkuar abati Marlaskaj u fut në burg dhe vazhdon të mbetet i burgosur, sepse kishte kërkuar gjatë një betimi të drejtën e Kishës për t’i arsimuar lirisht besnikët e saj.

Mbyllja e shkollave fetare është preludi i institucioneve shkollore dyfish të përziera: të përziera nëpërmjet pleksjes së sekseve dhe të përziera nëpërmjet pleksjes së feve, gjë që do të thotë shkatërrim moral e intelektual për rininë katolike. Katolikët do të jenë kështu të detyruar të mos i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla të tilla.

Për sa i përket mungesës të një feje shtetërore që parashtron qeveria shqiptare për të përligjur qëndrimin e saj të sotëm ndaj minoritetit katolik, le të na lejohet të kujtojmë se e njëjta gjendje ekzistonte gjithashtu edhe gjatë viteve 1921 e 1922, epoka kur Shqipëria u zotua të respektojë të drejtat e minoriteteve sipas racës, fesë dhe gjuhës.

Në fakt, më 7 korrik 1922, Ministri i Punëve të jashtme të Shqipërisë i përcolli Sekretariatit të Përgjithshëm një raport së bashku me pjesët shtojcë që kishin të bënin me çështjet që shpreh posaçërisht paragrafi 2 i nenit 5 të Deklaratës së 2 tetorit 1921. Në këtë raport, qeveria shqiptare, duke vënë në dukje se nuk ka fe shtetërore në Shqipëri, u njeh, ndër të tjera, “bashkësive katolike shqiptare të drejta të plota për të krijuar shkolla në nivele të ndryshme brenda gjuhës që flet popullata, shkolla mbi të cilat krerët e tyre fetarë kanë të drejtën juridiksionale”.

Ne dëshirojmë që kjo thirrje e jona të mirëpritet nga Shkëlqesia Juaj dhe nga Lidhja e Kombeve, sepse vetë kërkesa jonë është e drejtë dhe mbështetet mbi parimet e drejtësisë dhe të njerëzimit që qëndrojnë në themel të Lidhjes së Kombeve.

Ju lutem të pranoni, Zoti Sekretar i Përgjithshëm, sigurinë e konsideratës sonë shumë të lartë.

 

Në emër të shumë emigrantëve katolikë shqiptarë : prifti katolik Francesk Karma.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: