Avzi Mustafa: Zajavi përballë pushtuesit serb (1912-1915)
| E Shtune, 04.06.2011, 08:04 PM |

ZAJAZI PËRBALLË PUSHTUESIT SERB

(1912-1915)

 

Nga Avzi Mustafa

 

Një historian thotë se kapitujt e historisë shqiptare fillojnë me fjalën luftë, jo se shqiptarët këtë e duan, por se kanë qenë të detyruar që çdo herë t’i mbrojnë trojet e veta. Historia nuk njeh asnjë rast të vetëm që i huaji të ketë venë këmbë në truallin shqiptar, pa u pritur me luftë. Këtë më së miri e dëshmon edhe fshati Zajaz me rrethinë, ku luftëtarët patriotë treguan në vitin 1912 me një heroizëm të madh iu kundërvunë okupatorit serb. Ushtria serbe, edhe pse e organizuar mirë dhe e përkrahur  e ndihmuar nga çetat çetnike nga Poreçja e gjetiu, më 4 dhe 5 nëntor të vitit 1912 u prit me rezistencë të pashembullt nga fshatarët e Zajazit. Sipas një dokumenti që e shkruan një ushtarak i lartë serb në ditarin e vet. “Katundi Zajaz është i madh dhe numëron 2000 banorë. Të gjithë janë shqiptarë dhe për ta thuhet se janë shumë të rreptë në këtë anë. Ata nuk e lëshuan fshatin, duke i bërë rezistencë të madhe ushtrisë sonë

             Siç njofton i njëjtin ushtarak, “se çeta e kapitenit Danil Belimarkoviq edhe pse qëndroi heroikisht, prapëseprapë regjimenti i tretë në përleshje me vendasit (zajazlitë) çeta e ke Danillit humbi 40-50 njerëz. Nga humbjet që pësoi ushtria jonë (serbe) në luftimet kundër mbrojtësve të këtij katundi dhe katundarëve përreth, u hakmorëm duke e djegur Zajazin.

            Çetat vullnetare të shqiptarëve të Zajazit me rrethinë që morën pjesë direkt në fazën e parë kundër vendosjet së pushtetit ushtarako-policor serb ishin kryesisht katundarë nga Zajazi e rrethina. Këto çeta vullnetare në fillim ishin si një grup luftarësh të zhveshur, pa armë e municion dhe ishte e pamundur të hidheshin në luftë kundër një fuqie të madhe e të armatosur deri në dhëmbë. Por, mbrojtja e vatrave stërgjyshore ishte detyre e tyre, andaj ata pa ngurruar u hodhën në shpëtimin e vatanit.

            Diplomacia serbe nga kjo humbje vepronte në dy anë. Nga njëra anë ndërmirrte aksione konkrete për ndëshkimin e shqiptarëve të kësaj ane, kurse nga ana tjetër, në fushën diplomatike, trumbetonte se shqiptarët e Zajazit gjoja janë përcaktuar për mbrojtjen e Perandorisë Osmane, duke luajtur në kartën e fesë. Për këtë shkak krerët e politikës serbe e kishin autorizuar Shtabin e Komandës së Përgjithshëm të ushtrisë serbe të marrë aksione të ashpra ndaj popullatës vendase nëpër shumë vende të ashtuquajtura “çetat për çarmatimin” e popullatës shqiptare. Me këtë rast Komandanti i Armatës serbe dhe Shefi i “Narodna Odbranës” gjenerali Bozho Jankoviq, kërkonte me ngulm nga Beogradi që t’i jepeshin autorizime të posaçme për të kryer represione të pakufizuara ndaj shqiptarëve me qëllim që popullsia shqiptare kudo që jetonte në këto troje të heqë dorë nga çdo qëndresë.

            Si kudo, ashtu edhe në Kërçovë dhe rrethinë pushtuesi pushtetin e vet e drejtonte nëpërmjet organeve ushtarako-policore. Për ta pasur popullin nën kontroll të plotë, pushtetmbajtësit e ndanë Kërçovën në 14 komuna, ku administrativisht përfshiheshin 78 fshatra-vendbanime. Për seli të komunave zgjodhën vendbanimet e banuara me popullsi, siç i quanin ata, serbe, që ishin të besimit ortodoks. Kështu Zajazi me rrethinë, që përbën një tërësi rajonale, ku fshatrat prej Zajazit ndaheshin vetëm me një megjë, rrugë, përrua apo çukë kodre, u ndanë në tri komuna: Zajazi, Kollara dhe Baçishti në komunën e Milincës, Drogomishti i Madh dhe Dragomishti i Vogël në komunën e Premkës dhe Greshnica, Dllapkindolli, Reçani i Zajazit, Leshnica, Trapçindolli dhe Kolibari në komunën e Osllomesë. Një situatë e njëjtë ishte edhe me fshatrat e tjerë shqiptarë. Kjo ndarje administrative e pushtetit ushtarako-policor serb kishte të vetmin qëllim t’i kombinojë masat administrative, territorin e ushtrisë e të policisë dhe veprimtarinë propagandistike për të mbytur kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare në këto treva.

            Pushtuesi serb kishte bindjen se në Zajaz e rrethinë çështja e organizimit të pushtetit të vet në këto troje ne përkatësi, siç i quante “arnaute”, nuk do të kryhej shpejt, prandaj nuk i largoi forcat nga pozitat e tyre. Në anën tjetër, për të ulur sadopak rezistencën dhe për të riorganizuar agjenturën e vet, u përpoq me të gjitha forcat e veta të gjejë njerëz naivë për të mashtruar masën e varfër dhe analfabete. Kudo që shkonin, ata vetën e quanin “çlirimtarë të këtyre viseve”. Në një dokument që mban numrin 4837 të datës 1. IV. 1913, kërkohet që autoritete serbe së pari t’u drejtohen hoxhallarëve dhe parisë së fshatrave për të gjetur përkrahjen e tyre, duke i udhëzuar edhe si te veprojnë në bisedat e odave, në fetfatë e xhamive e kudo. Mirëpo, ky vullnet i Beogradit në Zajaz e rrethinë nuk gjeti përkrahje. Këtë e dokumenton edhe vrasja mizore e Abedin Mulla Muratit dhe maltretimi fizik dhe psikologjik i Sali Beqirit, që ishin paria e Zajazit. Në këtë kohë kemi edhe maltretimin e shumë njerëzve, siç është i njohur i a.q. “maltretimi me samar”.

            Sidoqoftë duhet pohuar se kishte edhe elementë të tillë që për shkak të dobive personale, si dhe për arritjen e qëllimeve për hakmarrje individuale të llojeve të ndryshme, bashkëpunoni me okupatorin. Të gjithë këta diheshin dhe nga vendasit quheshin “kuferxhi” (valixhexhinj)

            Presionet, rekrutimet me dhunë në të ashtuquajturat “batalione vullnetare”, grabitjet e të mirave materiale, bagëtive, marrja e njerëzve në punë angarie-kullakë, tatimet e renda gjthëfarëse që ishin të papërballueshme nga popullata e kësaj ane bënë që i ashtuquajturi “çlirimin serb” të jetë shumë më i rendë se në kohën e Perandorisë Osmane. Për Zajazin e rrethinën e vetmi shpëtim ishte pushka dhe mali.

            Vetëdija kombëtare, si kudo ashtu edhe në Zajaz e rrethinë, kishte filluar të zgjohej. Nga gjiri i popullit dolën patriotë të shquar ku kishin marrë pjesë shumë herët në kuvende e luftëra të ndryshme për të mbrojturën çështjen kombëtare. Këtu mund të përmendin: Ali Drgomishtin, që kishte marrë pjesë në kryengritjen e Ferizajit më 1910, Rexhep Fasku që kishte emigruar në Bukuresht dhe kryente punën e sekretarit te Klubit të Mysliman në Bukuresht, Jusuf Ali Premka, Mulla Aliu (Dila), Rexhep Dauti, Sefadin Kërçova, por edhe shumë kaçakë që kurrë nuk iu ishin përkulur pushtetit serb, si Kalosh Dan Zajazi, Sadin Baçishtishti, Sadin Selmani etj.

            Pushteti i instaluar serb nën pretekstin e shtypjeve të kaçakëve, ngase ky vend njihej si vend kaçakësh që në periudhën osmane, me forcat e rregullta ushtarake dhe policore dhe çetat çetnike vendase, me në krye me vojvodët, organizonin maskara periodike, duke shkatërruar e djegur fshatra, duke masakruar banorë, pa kursyer as pleq , gra e fëmijë.

Për terrorin serb mbi popullsinë e pafajshme ka shkruar edhe organi i socialdemokracisë serbe të asaj kohe “Radnice Novine”. Në faqet e kësaj gazete ka mjaft të dhëna për skenat e trishtueshme të terrorit e të dhunës që zbatohej ndaj shqiptarëve. I gjithë ky gjenocid ushqehej edhe nga propaganda zyrtare e Beogradit, e cila i cilësonte shqiptarët si popull i prapambetur, si plaçkitës i egër, që duhej sunduar dhe shtypur.

Edhe përkundër mjeteve e metodave më të këqija që përdori Komanda Supreme nëpërmjet organeve policore që të bindë dhe që të qetësojë, siç thoshin ata, “kaçakllëkun”, ato nuk dhanë rezultate që shqiptarët të bëhen qytetarë lojalë. Masat e jashtëzakonshme që ndërmori pushteti e keqësuan edhe më tepër gjendjen dhe erdhi puna deri te një revoltë e përgjithshme, që plasi si kryengritje më 29 shtator 1913. Kjo kryengritje sipas çetnikut e vojvodës Vasilie Tërbiq u quajt për nga përmasat si “Luftë e III Ballkanike” ose ”Luftë me Shqipërinë”.

Nga kjo gjendje që u krijua, ushtria serbe dhe çetat çetnike gjetën rastin të rihyjnë dhe të bëjnë maskara nëpër disa fshatra shqiptare. Në dokumentet zyrtare për terrorizimin apo shfarosjen e shqiptarëve shkruhet vetëm për ato raste që s’ka pasur mundësi të fshihen.

Por gjendja faktikisht qëndron ndryshe. Nuk ishte fjala për raste të rralla. Nga kujtesa popullore nuk fshihen lehtë maskat kolektive, që ndodhën në Zajaz, Greshnicë, Llapkindoll e gjetiu.

Zajazi ishte në shënjestër të hakmarrjes së forcave të armatosura sërbe. Zajazin me rrethinë e priste i njëjti fat si Pesoqanin, Sopin, Starocin, Braqanin (Teqja e Madhe), e shumë e shumë fshatra të tjerë. Me skenarë të përgatitur serbët u orvatën të krijojnë provokim të situatave të ndryshme se gjoja zajazasit sulmuan disa administrativë dhe dogjën aktet zyrtare. Nën këtë arsyetim në xhaminë e Zajazit i mblodhën 100 burra dhe fëmijë, të cilët të gjithë u therën dhe u hodhën në bunarin e xhamisë. Një listë komplete me emrat e të masakruarve gjendet te Ramazan Dalipi, emigruar në Nju Jork të SHBA.

Nën pretekstin e një kaçaku fare të panjohur të fshatit Greshnicë, i quajtur Feto Bajrami, ushtria serbe dhe çetat çetnike hynë dhe në këtë fshat. Së pari plaçkitën fshatin, maltretuan banorët dhe së fundi dogjën fshatin.

Një masakër e organizuar ndodh edhe kur sulmohet komuna Reshtanit nga kaçaku Ali Dedja me pretekst se gjoja ky po fshihet në fshatin Greshnicë. Okupatori në këtë fshat i  mblodhë tërë fshatin dhe nga ai grumbull fshatarësh morën. Rufat Daljen, Lazam Daljen, Rrahit Abazin, Sadin Ramën, Qerim Tarin, Beqir Maksutin dhe i pushkatojnë te Përroi i Plakës. Mirëpo, siç pohojnë më të vjetërit e fshatit, kur kanë shkuar t’i sjellin kufomat, janë gjetur jo 6, por 14 të vrarë, prej tyre edhe 3 kanë fëmijë.

Terrorin e paparë ushtruar mbi shqiptarët nga pushtuesi serb për këtë periudhë na e përshkruan edhe Edit Durhami e cila ngriti zërin edhe në Parlamentin Anglez. Ja si shkruan ajo: “Nga krahinat e pushtuara na vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e paduruara, që bënin serbët dhe malazezët mbi popullsinë shqiptare. Dhe, në vend që t’i fshihnin veprat e tyre, ata përkundrazi mburreshin me to. Një oficer serb tregonte duke qeshur se si ushtarët të tij kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës. Një tjetër nga dera e Petroviqëve mburrej kur thoshte se brenda dy vjetëve asnjë njeri në tokat e pushtuara nuk do të guxonte të fliste atë gjuhë të ndyrë (shqipen)... Gratë myslimane pasi i zhvishnin, i dërgonin bashkë me fëmijët e tyre në kishë për t’i pagëzuar. Brenda një brezi ne do ta serbizojmë atë popull “.

Nuk ka dyshim se synimet e drejtpërdrejta të gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë shqiptare në vitet 1912-1915, madje edhe më vonë, bëheshin me të vetmin qëllim që nëpërmjet jetës së padurueshme, së pari nëpër fshatra ku kompaktësia ishte e madhe, të bëhej shpërngulja masive. Por, në kohën e tronditjeve të mëdha historike dhe shoqërore njerëzit piqen shpejt.

Pavarësisht nga terrori dhe propaganda e shfrenuar zajazasit e përballuan dhunën dhe nuk i lëshuan trojet e të parëve, duke penguar kështu realizimin e objektivave të qarqeve shoviniste të Beogradit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe shkombëtarizimin e trevave të tyre.



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: