Pëllumb Gorica: Të lexosh në sy madhështinë e detit të jetës
| E Enjte, 02.06.2011, 06:16 PM |

  LEXOSH NË SY MADHËSHTINË E DETIT TË JETËS

 

(Përsiatje  rreth vëllimit me poezi “Lumi kërkon detin”, të poetes Zyba Hysa)

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Deti i ndjenjave, dallgëve, kaltërsive, aromave, ngjyrave, me shkëlqim verbues, përkundet në brigjet e lumenjve të shpresave. Mbushur me hove, nga limfa e jetës, në laboratorin e tyre poetët i kthejnë në vargje. Në 91 poezitë e vëllimit të saj të fundit, të titulluar “Lumi kërkon detin”, poetesha Zyba Hysa, kjo grua plot vrull e ndjeshmëri, gjithçka, kohën, njerëzit, zhvillimin, shoqërinë, kërkon t’i masë me metrin e ndjesisë:

 

   Mos e mat poetin/me metrin e mendjes tënde/Ai di të mati kohën dhe njerëzit/Veç me tinguj zemre…”  

                                                                 

   Ajo, Zyba në radhë të parë është vetvetja, krijuese e mbushur me zjarr frymëzimi, Poezia e saj është e re, moderne edhe për mendësinë që kjo poezi është ndërtuar mbi imazhe dhe përshtypje të skalitura e perceptuara gjatë jetës.  Kompozicioni letrar është elegant me spikatje të mendimit. E shumë herë që bie në sy në vargjet e saj, janë metaforat që të krijojnë një ndjesi fëshfëritëse, të cilat burojnë nga mendimi po aq nga zemra. Këto ndjesi të shkruara me dashuri kanë qartësi të pa ekuivoke e determinante:

 

    “Po nuk arrite/Të lexosh sytë/Kurrë s’do ta njohësh dashurinë.” 

                     

 Poetja  endet në ndjenjat fisnike dhe arsyet njerëzore në  dallgët e jetës, të cilat  nuk e rrëmbejnë e as e joshin me buzëqeshjen e trallisur. Atë nuk e trembin valët e detit kur egërsohen nga stuhitë, dhe as tundimi joshës i një jete luksoze e të zverdhur sallonesh. Ajo kompleksitetin dhe zhvillimin jetësor e quan si një  “duel me veten”, që vazhdon i ashpër por pa rënë në sy deri në fitoren e së mirës mbi të keqen, e dritës mbi errësirën. Me logjikën dhe pasurinë e ndjenjave që posedon, herë e detyron jetën ta ndjekë  pas, e herë e lë jetën ta rrëmbejë në krahët e saj, e kështu vazhdojnë të dyja duelin ku komandën dhe frenat i mban gjithmonë autorja. Zybaja nuk lodhet kurrë së gërmuari në udhët e jetës. Edhe aty kur ndalet, ajo gjithmonë pushon fare pak, mbushet me frymë e merr vrull për ta nisur udhën përsëri e për të fituar mbi trazirat dhe pengesat që i dalin moshës së asaj. Ndaj shkruan bukur e në mënyrë metaforike, se pasi e ka urdhëruar jetën “Këndej”, ajo e ka çuar prap “Andej”, poetja vendos:  

 

   “Verbërisht i shkoj pas/Me vete flas :/Do rimarr fuqi/Ta mund përsëri.” 

                      

Ajo ashtu siç kërkon vendosmërisht që dashurinë ta lexojë në sytë e partnerit të saj, ashtu sheh në sy me guxim edhe vështirësitë e jetës, dhe e koncepton lumturinë e të jetuarit vetëm kur arrin të fitojë nëpërmjet një lufte të ashpër dhe të ndershme. Për të s’ka kënaqësi më të madhe, se sa një fitore e arritur me luftë, këmbëngulje mençuri, guxim e pjekuri:

 

    “Dua ç’nuk dua/Të mirën dhe të keqen të provoj/Vetëm atëherë/Them se jetoj.”

 

 Duke i dashur shumë poetët, si njerëz me zemër të madhe e plot ndjeshmëri, siç e vërteton edhe kur shkruan për Dritëroin e madh, apo për Petro Markon e paharruar, për Valdete Antonin, apo poetin si krijues, merita e saj shkrihet shpirtërisht me to:

 

    I gjerë është shpirtii poetes/Nxë/Qytete/Njerëz/Dete/Melodi/Këngë/Qiell dhe tokë”.

 

 Kështu poetja  Zyba Hysa, me një detaj të bukur i përjetëson poetët si heronj të krijimit. Dikush ka shkruar se heronjtë i ngjajnë perëndimit të diellit i cili perëndon për të lindur përsëri, edhe ato ashtu nuk kanë vdekje. Dhe kjo mua  thënie më përforcohet më shumë kur lexoj këto vargje:

 

Poetët/presin vdekjen/Që të lindin/Të fituar janë/Pas lindjes/Vdekje s’kanë!” 

                                              

  Por jeta i ka të gjitha, ajo mban  në gjirin e saj edhe të ndershmin por dhe hileqarin, edhe servilin intrigantin, e karrieristin, prej të cilëve vuan mjaft shoqëria. Dhe asaj i vjen keq që e tillë është bërë edhe shoqja e saj e dikurshme:

 

    Duhet të kisha kuptuar/Që ditën/Kur hipe në karrige/ Humba një mike 

                    

Duke jetuar këtë kohë plot dredhi e trazira, poetja preket që kanë mbetur pak njerëz të mirë në këtë botë hileqare. Dhe për këtë nuk e kanë fajin koha që solli në kornizën e jetës këta njerëz, por njeriu i kësaj kohe që i gënjyer nga buzëqeshja false e një realiteti hileqar, harron se është njeri:

 

    Se kam të vështirë/ Të njoh njerëzit/ Por është e vështirë/ Të gjesh një njeri

 

Ajo i njeh mirë edhe udhët e shpirtit edhe udhët e tokës, udhën për në zemrat e njerëzve të vërtetë dhe udhët për të siguruar të mirat materiale:

 

   Qenkan të ndarë/bashkudhëtarët e kësaj bote/dikush për udhë shpirti/ dikush për udhë toke.”  

 

Poetja mundohet të kapë me intuitën e saj edhe të pakapshmen dhe të pamatshmen. Kështu lidhjen shpirtërore me djalin, ajo e shpreh me një ndjesi që është përtej kufijve të nënës me fëmijën. Ajo mbi të gjitha  kërkon të mbjellë te fëmija i saj kulturën, edukatën, mirësjelljen. S’ka më rëndë për poeten se sa fëmija t’i kthesh fjalën nënës. Atë se lë pa gjumë as dhembja e trupit, as të ftohtit e akullt, as fjala e ligë, as vapa që frymën të merr. Atë e lë pa gjumë:

 

    Veç fjala e ashpër e djalit/E thënë pa mall/Pa ndjenjë.

                           

 Ajo kërkon të bëjë një reminishencë në të kaluarën. Edhe pse nuk jeton shumë me kujtimet e së kaluarës, nuk është nostalgjike që të lotojë për gjithçka që iku pa u kapur prej saj, përsëri ajo deklarohet se po të ketë mundësi ka për  të ndreqë diçka në ato vite jete që kanë ikur. Ajo e di se rinia s’kthehet më, por të paktën të shpalosë tërë ndjenjat dhe mendimet e saj në favor të të tashmes, e kështu si poete të  lë sa më shumë gjurmë në ditët që jeton e në vitet që do të jetojë. Ajo kërkon të ketë një të ardhme të merituar. Meraku i poetes në përgjithësi është korrigjimi i gjithçkaje që ka bërë keq:

 

   “Jetova pak/Jetova gjatë/Dua të jetoj më gjatë/Dua të jetoj më pak/Ato që jetova gjatë  

                                                                                                           

    Poetesha Zyba Hysa sintetizon në poezitë e saj detaje konkrete, mendime të çiltra, edhe kur flet për dashurinë edhe kur shkruan për poetin, apo kur është buzë detit të trazuar, edhe kur i uron ditëlindjen djalit, ndaj thekson fort se  njeriun e mban gjallë shpresa, e ai lufton në jetë gjithmonë për më të mirën:                               

 Në shpirt ngjallet shpresa e themi/“kështu e ka jeta

Njeriu ecën në udhët e jetës herë me këmbët e tij e herë me këmbët e të tjerëve,herë duke u zvarritur si zhabë e herë duke fluturuar si dallëndyshe, herë mbytet me pabesi dhe herë çan me sinqeritet, ca nuk ngopen kurrë  me jetë e ca të tjerë u mërzitet vetvetja. Mesazhi është i qartë: jetoje jetën sa je gjallë, meritoje fjalën njeri. Kur i vjen fundi secilit,i mbetet merak që nuk i realizoi të gjitha në jetë e drita e shpresës rri e ndezur në sytë e tij edhe kur vdes ai mbetet sy hapur:

 

   Mbase/Prandaj njerëzit/Vdesin me sy hapur/Dritëzën e horizontit/Mbetëm pa kapur



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: