Fotaq Andrea: Moda “Dora d’Istria” në Paris dhe disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës
| E Diel, 29.05.2011, 04:05 PM |

Moda “Dora d’Istria” në Paris dhe
disa episode të panjohura nga jeta e Elena Gjikës –

 

Në përshëndetje të Sesionit shkencor “Elena Gjika dhe përmasa evropiane e kulturës shqiptare”, Tetovë, 27 maj 2011.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Jemi në Pyllin e Bulonjës, Paris, qershor 1870, në atë pyll që historikisht, ka qenë dhe mbetet arenë mahnitëse mode me shëtitoret e veta madhështore dhe liqenet e brendshme, në një kuadër të plotë harmonizimi të natyrës me kulturën njerëzore. Ja kostumi “Grand Prix” i Shtëpisë Gagelin, tërë elegancë të bujshme në mëndafsh të purpurt valëvitur erës; ja kostumi “Gabrielle” në mëndafsh lila, trazuar nga dantella plot sharmë; ja kostumi “Anitta”, si në trupin e një sulltaneshe leshraverdhë, me tërë ato pala fluturake byrynxhyku në ngjyrë gruri; ja mes tyre kostumi “Dora d’Istria”, me mëndafshurinën e kaltër qiellore, tunikë e derdhur, krejt shpupurimë, me gipurë (dantellime) gjithë relieve, që bien dukshëm në sy dhe përshkuar nga mëndafsh i bardhë; ja më në fund edhe kostumi “Fontenblo” me pala byrynxhyku e kordone kadifeje të zezë, - të tëra kostume mode parisiane që kontrastojnë dukshëm mes tyre, plot larushi ngjyrimesh, të tëra “gusto frëngu” a “punë frëngu”, siç thotë shprehja e vjetër shqipe.

S’ka pse çuditemi këtu, përderisa rubrika “Moda e ditës” në gazetën më të vjetër franceze “Figaro” të 17 qershorit 1870, na shfaq një kostum të plotë mode stil “Dora d’Istria”, pikërisht për nder të erudites rumuno-shqiptare Elena Gjika, bukuria e së cilës u bë e pavdekshme artistikisht përmes tablove të mirënjohura të venecianit Felice Schiavoni. Dhe domosdo, një figurë e tillë e përmasave evropiane që firmosi për herë të parë në histori “Librin e artë të grave të Kontinentit të Lashtë” nën emrin luftarak Dora d’Istria, falë mençurisë, erudicionit, bukurisë, elegancës dhe forcës së penës, shpejt do vendosej në pidestal të Letrave dhe Kulturës evropiane, përkrah shkrimtarëve të mëdhenj të kohës, Hygo, Balzak, Dë Vinji, Dë Myset, Zh. Sand, Madam dë Stal, etj. që shkruanin si ajo në organet më në zë të shtypit perëndimor.

Pra, një kostum mode parisiane, stil “Dora d’Istria”! Me siguri që do ketë joshur në kohën e vet tërë ato zonja e zonjusha të kryeqyteteve të Evropës që lëçisnin gjithë ëndje librat e saj “Gratë e para nga një Grua”, “Gratë në Lindje”, “Gratë në Perëndim”, publicistikën dhe udhëpërshkrimet e saj, si dhe esetë e serisë “Kombësitë ... sipas këngëve popullore”. Për më tepër që admironin tek ajo grua gjithë hir e karakter të fortë jo thjesht udhëtaren që i binte kryq e tërthor mbarë Evropës, nga Lindja në Perëndim, por edhe mendimtaren e letraren që mbronte të drejtat e tyre për barazi gjinore e drejtësi. Pale që shumëkush ishte mahnitur që herët prej saj, kur vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe kishte deshifruar përpara Humboldit të madh dhe mbretit Frederik Gijomi mbishkrimet e vjetra greke në monumente antike, që dinte të notonte që herët si ngjalinë dhe kishte shpëtuar nga mbytja jetë njerëzore, që dinte të kalëronte aq hijshëm nëpër Pelopolnez mes kleftëve e arvanitasve, të qëllonte me armë si shqiptarët, t’u qepej Alpeve të Zvicrës.

Dhe prapë, në modën parisiane të kohës nuk ishte hera e parë që përmendej stili “Dora d’Istria”. Edhe një shkrim i revistës “l’Artiste, Beaux-Arts et Belles Lettres” më 1866, firmosur nga Kontesha d’Orr (pseudonim i Znj. Cousin, penë e specializuar në artikujt për modën dhe artin), vë në dukje se “kapela më e bukur e stinës, një kapele e vërtetë prej zonje nga shtresë e lartë... është kapela “Dora d’Istria”, sipas emrit të princeshës së famshme për nga gjaku dhe për nga talentet e saj letrare, një nga lavditë e seksit tonë që mban në Francë një vend të denjë për emrin e saj, vend që pak gra kanë të drejtë ta dëshirojnë me gjithë zemër”. Në mënyrë të hollësishme, në atë artikull bëhet përshkrimi kapeles, me përbërje kashte orizi dhe në formë të tillë që të kujton kapelën tipike të Jakobinëve; është e veshur me garzë të bardhë që anashkalohet si çallmë nëpër rrumbullakësinë e festes, del anash dhe bie hijshëm mbi sup;  “është, nënvizon Kontesha d’Orr, perla e peshtafit të Aleksandrinës, një mrekulli shijeje përmbledhur në tre fjalë: karakter, elegancë e thjeshtësi”.

Në parantezë, vërejmë se po ky numër i revistës “l’Artiste” boton edhe një letër të panjohur të Dora d’Istrias, dërguar pikërisht Konteshës d’Orr më 3 mars 1864. Për vetë rëndësinë që paraqet kjo letër në ditët e sotme, lidhur me origjinën shqiptare të Dora d’Istrias, kur po bëhen përpjekje në forume interneti për ta mohuar këtë origjinë, po japim këtu letrën e saj të plotë:

 

“Letër e Znj. Dora d’Istria drejtuar Konteshës d’Orr.

Villa Caprilli-Ardenz, 3 mars 1864.

 

Zonjë,

Duke ju falënderuar për mënyrën tuaj të hijshme dhe dashamirësinë që treguat duke folur për personin tim dhe shkrimet e mija, më lejoni t’ju vë në dukje një gabim, për më tepër më se të kuptueshëm. Meqenëse unë kam lindur në Rumani - vend që ia detyron qytetërimin e tij kolonëve latinë dhe që, për shkak të kësaj rrethane, e quajnë ndonjëherë Italia orientale -, shumë shkrimtarë priren të mendojnë se unë jam italiane. Një pohim i tillë nuk është i saktë, familja ime (princërit Gjika) është me origjinë shqiptare, por është vendosur në Rumani që nga koha (shekulli XVII) kur  stërgjyshi im Georges I Ghica  u thirr nga Porta e Lartë për të qeverisur një nga principatat rumune.

Pranoni Zonjë shprehjen e konsideratës sime më të veçantë.

Dora d’Istria, Princesha Koltzoff Masslsky.”

 

Duke iu rikthyer kapelës stil “Dora d’Istria”, vëmë re se ajo zë një vend të nderuar ndër kapelat e grave të modës klasike franceze të shekullit XIX, ku spikatin kapelet e stilit “Lambella”, “Fashon” e “Pamela”. Po ashtu stili “Dora d’Istria” në modën parisiane është përdorur edhe në bizhuteri, garniturë dhe në buqetat e luleve, krahas stileve të rënda “perandorake”, ashtu sikurse edhe një brez mode mban po emrin e saj, si simbol elegance, bukurie e hijeshie.

Nga ana tjetër, në shtypin francez të shek. XIX, konkretisht në organin “Univers Illustré” të datës 29 korrik 1876, përmendet edhe një lloj kapele zonjash, e quajtur bukur kapelina shqiptare, “byrynxhyk e dantellë, që vjen e shtypur pak mbi ballë, dhe kryqëzohet në formë shalli mbi gjoks, duke u shfaqur kësisoj mbi krye si një aureolë rrezëlluese. Parisiania, thuhet në kronikën “Lajme nga Moda” e mban këtë kapelinë në teatër dhe gjatë shëtitjeve në natyrë”.

Pa u ndalur në këtë artikull për elementët përbërës të kostumeve të bukura popullore të grave shqiptare e arbëreshe, që kanë frymëzuar gjatë shekullit XIX modën parisiane dhe që u ngritën në art, si xhoka, mënga, korseja, brezi dhe mbulimi i kryeve, le të themi shkarazi se kostumi popullor shqiptar, jo vetëm i burrave - që u vesh për herë të parë nga Bajroni dhe që u pasua nga Dyma, Lotti, Oscar Wilde, etj. -, por edhe i grave, do të vishej në Perëndim nëpër ballo e shfaqje artistike për piktoreskun e tij, do të ekspozohej muzeumeve të Evropës dhe do të bëhej burim frymëzimi për mjaft tablo të arrira të mjeshtërve piktorë, do të përbënte ajkën e koleksioneve të antikuarëve dhe objekt studimesh të shumta etnografike, si dëshmi e rrallë prejardhur që nga Lashtësia më e hershme.

Duke u rikthyer te Princesha e Letrave dhe e Kulturës evropiane Dora d’Istria, po japim më poshtë disa të dhëna të veçanta nga jeta e saj, që nuk mendojmë se janë të njohura nga publiku i gjerë shqiptar.

Në një letër drejtuar profesorit hungarez Hugo Meltz de Cluj më 6 tetor 1879, Dora d’Istria vë në dukje se një nga varietetet e luleve shumëngjyrëshe të quajtura latinisht floks, në hortikulturën parisiane mban prej kohësh emrin “Princesha Ghika”, gjë për të cilën Dora d’Istria ndihej krenare. Dhe me të drejtë, përderisa ajo grua gjithë feminitet e me gjak shqiptari në damarë, që i shkon aq bukur fjala shqipe “burrneshë”, ishte ndër të tjera e lidhur shumë pas botës bimore, shkroi esenë “E mbinatyrshmja në botën vegjetale” dhe mbeti gjer në fund të jetës e lidhur ngushtë pas kopshtit të saj dhe qenit “Brahma”, aq sa anuloi për këtë arsye edhe një vizitë studimore në Indi. Kjo lloj luleje përmendet edhe në librin “Kopshtari parisian i vitit 1851” shkruar nga F. Hernicq, i cili në kapitullin “Bimë të reja” vëren se kopshtari Z. Lierval nga Nëjija e Senës përkujdeset për lulet “Floks” dhe ka 16 varietete, ndër të cilat “varietetin e pagëzuar “Princesha Gjika”, lule e madhe, e kuqe, që drejt qendrës vjen në manushaqe dhe në rozë të portokallinjtë”. Me tërë këto të dhëna të hollësishme, ardhur që prej një shekulli e gjysmë, a duhet harruar atëherë nga hortikultura shqiptare e ballkanike kjo lule e bukur “Princesha Gjika”? Po ashtu, në korrespondencë me De Radën, Dora d’Istria flet nga të parat edhe për eukaliptusin dhe vlerat e tij, madje duke dashur t’i dërgojë rilindësit të madh arbëresh edhe fara për ta mbjellë këtë pemë, kur në vendin tonë, siç dihet, kjo pemë erdhi në vitet 50 të shekullit të shkuar dhe gjeti shumë shpejt përhapje të gjerë.

E njohur për korrespondencë të dendur me mjaft personalitete të kohë dhe bashkëkombës të saj, nga perandori Dom Pedro i Brazilit e Garibaldi, gjer te Benloew dhe rilindësit shqiptarë, De Rada, Kamarda e Mitko, në një letër tjetër, mësojmë se në gusht 1881 ajo ndodhet e ftuar në Shkollën e Vishisë, Francë, dhe për nder të saj, dijetari francez Amadée Roux ngre një dolli, që për vetë veçorinë që paraqet, në përmbajtje dhe shprehi,  po e japim të plotë:

 

“Nëse shekulli ynë XIX francez e ka merituar të zërë vend ndër epokat e mëdha letrare, këtë ai ia detyron për një pjesë të madhe katër grave, emrat e të cilave nuk ka si shuhen: Znj. Stal, Zhorzh Sand, Daniel Stern dhe Elena Gjika.

“Tre prej tyre nuk jetojnë më, përveçse në kujtimin e njerëzve, por tjetra ka mbetur si një prej mishërimeve më magjepse të brezit tonë lëvrues, tek e cila ushqehen tërë shpresat, por që mjerisht ka pësuar edhe tërë zhgënjimet.

“E ngjashme me atë Muzë që ka kënduar Alfred dë Myse, me atë Malibran “që përshkonte Evropën me lirën në dorë”, Princesha jonë e dashur është endur, edhe ajo, nën tërë ata qiej, ka shkuar në tërë ato brigje, duke i folur tërë gjuhët, duke u shërbyer tërë kauzave fisnike, duke e mbjellë rrugën e saj plot mirësira, aq sa duke e vështruar, nuk ka si të mos mendosh për atë tërësi të mrekullueshme cilësish aq të rralla, dhe harrohet se, e lindur në shkallaret e fronit mbretëror, ajo ka të drejta trashëgimie për ato nderime që i dhurojnë vetvetishëm bashkëkohësit e saj që e adhurojnë. Por  e lavdishmja publiciste do më shtrëngonte të heshtja këtu sikur të vihesha e të parashtroja tani tërë ato shërbime të mëdha që ajo ka bërë. Për më tepër, ju të gjithë i keni lexuar shkrimet e saj të këndshme, ku brishtësia e pakrahasueshme e një dore femërore bëhet njësh me forcën e mendimit më burrëror.

“Nuk më mbetet tjetër veç të bëj një detyrë aq të ëmbël duke ju propozuar një dolli për atë që unë nuk guxoj ta quaj kolegia ime, por gjenerale e madhe, e cila erdhi një çast të prehet midis dy fitoresh këtu, nën çatinë e thjeshtë të një luftëtari vartës.

“Për Zonjën Princeshë Dora d’Istria, sovrania e ardhshme e Shqipërisë!”

 

Nuk ka si të mos na tërheqin këtu vëmendjen fjalët e fundit të filologut francez “Sovrania e ardhme e Shqipërisë!” Përse vallë një urim kaq i veçantë? Urim zemre, do thoshim në çast, por lypset prapëseprapë të futemi brenda kontekstit dhe logjikës së kohës: së pari, Dora d’Istria, pesëdhjetë e tre vjeçe në atë kohë, kishte arritur në kulmin e lavdisë së saj, jo vetëm si erudite dhe mjeshtre e penës letrare dhe artistike, por edhe si përkrahëse e fuqishme për kauzën e lirisë dhe të pavarësisë së mbarë popujve të shtypur nën Perandorinë osmane; së dyti, tehu i penës së saj, si dhe lidhjet e shumta që mbante me rilindësit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, kishin bërë që ajo të rrokte frontalisht, në rrafsh horizontal e vertikal, krejt tematikën e realitetit dhe të çështjes shqiptare, shtruar për zgjidhje që pas Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Shën Stefanit (1878); së treti, përballë të “Sëmurit të Bosforit” dhe në prag të shembjes së Perandorisë osmane, ende ushqehej ideja utopike e krijimit të një konfederate ballkanike për popujt e Evropës juglindore, me të drejta të plota e të barabarta, ide që ishte përkrahur edhe nga Dora d’Istria (sipas modelit të konfederatës zvicerane) dhe që përbën sot, në fund të fundit, një ide promotore e projektit madhor të Bashkimit Evropian për vëllazërim e unitet popujsh në liri e pavarësi; kjo ide, e avancuar për kohën, shihej nga qarqet liberale politike evropiane si progresive dhe ishte i njohur  angazhimi i drejtpërdrejtë i Dora d’Istrias për t’i bërë jehonë kryengritjeve shqiptare të viteve 1860-1880 dhe për të marrë pjesë në lëvizjen çlirimtare shqiptare. Aq sa në një letër të saj për De Radën në dhjetor 1866, Dora d’Istria thotë se “ne kemi 15.000 deri në 20.000 pushkë pesëmbëdhjetë frangëshe, të një cilësie shumë të mirë, të cilat unë mund t’i shtie në dorë”, me synimin për t’i futur në Shqipëri; së katërti dhe më në fund, një afrim i politikës franceze drejt Shqipërisë i kishte dhënë shenjat e veta paraprake që me Princin e Mirditës, kur Napoloni III i Francës i kishte dhuruar madje edhe një shpatë të argjendë Prenk Bibë Dodës; mirëpo, në kushtet e reja, pas Kongresit të Berlinit, kur Princi i Mirditës internohet prej autoriteteve turke dhe vala e kryengritjeve shqiptare po fitonte në lartësi, politika franceze drejt afrimit të Shqipërisë shihte tashmë te Dora d’Istria një figurë të plotë e të denjë si “sovrane e Shqipërisë”, si përfaqësuesja e saj më e lartë, supreme. Po a ushqente në këtë drejtim ndonjë iluzion vetë Dora d’Istria? Fakti që kurrkund në shkrimet e saj nuk flitet për një gjë të tillë, që kurrkush nuk e zë në gojë dëshmon se kjo ka mbetur thjesht një ide, dhe asgjë më shumë. E megjithatë, në kohën e vet, ajo e meritonte plotësisht cilësimin “Sovrania e Shqipërisë”, për vetë angazhimin e saj, me mish e me shpirt për kauzën e Shqipërisë, gjë për të cilën edhe bashkëkombës të saj ishin më se të bindur e të ndërgjegjshëm. Nga ana tjetër, çuditërisht, publicistja C. Berton-Samson, që  ka njohur nga afër Dora d’Istrian, në një seri shkrimesh të saj me kujtime shkruan se “Që prej moshës së njomë fëmijërore gjersa mbushi pesëmbëdhjetë vjeç, ishte i ungji i saj mbreti Aleksandër që mori në dorë arsimimin e saj, aq të thellë në lëndët më serioze dhe për zhvillimin e forcës dhe të guximit, sa dukej sikur ushtroheshin për përgatitjen e një princi se sa të një princeshe. I mrekulluar nga aftësitë e saj të parakohshme, Aleksandri X kishte pa dyshim tek ajo qëllime të fshehta dhe, duke e gjykuar të denjë për një fron, ndoshta shpresonte ta bënte të një ditë mbretëreshë të Shqipërisë”, (nënvizimi ynë për fjalën ndoshta, pa shkuar më tej...).

 

Pak njihet jeta personale e Dora d’Istrias, sidomos martesa e saj me princin rus Aleksandër Kolstoff Massalski. Përgjithësisht, thuhet me të drejtë se nuk ishte martesë e lumtur dhe detyrimisht, pas vdekjes së foshnjës së saj, gjithçka do përfundonte me divorc, ndonëse princesha Gjika ruajti gjer në fund mbiemrin e të shoqit.  Më 1896, domethënë tetë vjet pas vdekjes së Dora d’Istrias, Znj. C. Berton-Samson që sapo përmendëm, boton kujtimet e saj nga takimet me Dora d’Istrian që prej vitit 1864 dhe shfaq plot dashuri portretin e Princeshës, si dhe mjaft episode të panjohura nga jeta e saj.  E përshkruan Dorën me “bukuri speciale”, duke u shprehur konkretisht: “Ishte përjashtueshmërisht e bukur, bionde, me sy bojë qielli, me tipare fine, me shprehje të fizionomisë gjithë finesë e ëmbëlsi, portret i gjallë i nënës së saj me origjinë angleze” dhe, nga ana tjetër,  “e adhuronte babanë e saj si një shenjt, kur dihet sa larg misticizmit qëndronte ajo”.

Znj. Samson tregon po ashtu se Dora d’Istria u martua më 1849, një bashkim ky që shfaqej jo thjesht si martesë fisnikërore për nga gjaku, por edhe si martesë dashurie. Veçse në Shën Petersburg, princesha Elena Gjika u prit që në fillim keq në pallatin familjar nga vetë kunatat e saj, të cilat e paragjykuan dhe e panë me xhelozi. Pikërisht, në ditët e para të muajit të mjaltit në Petersburg, gjatë një vizite tek i kunati, në mbrëmje, një vrasës i paguar plagosi rëndë të shoqin e saj, i cili nuk e mori më veten nga plaga e shkaktuar, dhe pas ca vjetësh do të ndërronte jetë. Në të vërtetë, vrasësi ishte paguar jo për të vrarë të shoqin e saj, por të kunatin e Dora d’Istrias, që organizonte herë pas here lojë me letra në pallat dhe gjatë një seance loje kishte qëlluar të vidhej ora e shtrenjtë që Dora d’Istria ia kishte bërë dhuratë të shoqit për martesë. Një histori e tërë e trishtë, me zanafillë kunatin dhe të kunatat shpirtliga vetëm e vetëm për të prishur lumturinë e çiftit të ri princëror dhe për të thyer zemrat!

Znj. Samson boton po ashtu edhe një letër që Dora d’Istria i dërgon asaj vetëm dy javë para se të mbyllte sytë, më 2 nëntor 1888, ku i shkruante, ndër të tjera:

 

“...Kam më në fund në dorë dy fëjtonet tuaja të bukura që i lëçita me etjen dhe kënaqësinë që ndjej sa herë që ju ndodheni pranë meje. Më dukej sikur ju dëgjoja të më recitonit me zërin tuaj të fuqishëm e dramatik ato rreshta që më kujtojnë tërë ato gjëra dhe që më provojnë se ju nuk më harroni. Njëmijë herë faleminderit me gjithë zemër... Duke qenë se ju keni një qen, që e doni, po ju dërgoj portretin e Brahmës tim me poezitë që zbukurojnë mbështetësen e statujës së tij... Pranoni Zonjë... dhe vijon formula e mirësjelljes si dhe nënshkrimi Dora d’Istria”.

 

Kaq shumë ishte e lidhur Princesha Gjika vitet e fundit të jetës me kafshën e vet besnike shtëpiake, sa e kishte bërë këtë edhe skulpturë, një vepër arti të vërtetë me porosi, pa menduar aspak të bënte vetveten në ndonjë vepër arti. Dhe jo vetëm kaq, por Dom Pedro d’Ancaltara i Brazilit, perandor, filozof dhe mik i shtrenjtë i Dora d’Istrias, i kishte thurur qenit të saj Brahma edhe një poezi (sonet) kur i kishte pasë shkuar për vizitë në vilën e saj Princeshës mendjendritur.

Në këtë vetmi të saj në mbyllje të jetës, kur veprat e shumta që kish lënë, shkëlqenin tanimë si vepra drejtësie e vërtetësie, kur kish depërtuar vite të tëra në shpirtrat njerëzorë e të popujve, duke folur për ta me respekt të cilësuar “fetar”, kur kishte shpallur në mënyrë proverbiale se “drejtësia është e vërteta e dorës së parë”, se “burri lind nga gruaja” dhe “gruaja është engjëlli mbrojtës i burrit”, e shquar tërë jetën për madhështi morale, për karakter guximtar e burrëror, e shohim përfundimisht Dora d’Istrian, për të na mbetur përjetësisht në mendje, me një ndërgjegje të qetë, me një mision të kryer e të përkryer, kokulur mbi lulet e kopshtit, në liri të plotë mendimi, pas tërë asaj jete gjithë mund e fryt, falë një vullneti të paepur dhe pune këmbëngulëse që e kishte konsideruar si shprehjen më të plotë dhe më të shenjtë të veprimtarisë njerëzore.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: