Pëllumb Gorica: Libra me mesazhe të qarta teorike dhe praktike për shkollat
| E Diel, 29.05.2011, 04:57 PM |

LIBRA ME MESAZHE TË QARTA TEORIKE DHE PRAKTIKE PËR SHKOLLAT

 

Mendime për librat e autorit Ramazan Sherja: “Njohuri dhe komente letrare”,“Gjuha Shqipe për nxënësin”, “Shtigjeve të dijes” në ndihmë të mësuesve dhe nxënësve.

 

NGA PËLLUMB GORICA

 

Ramazan Sherja është autori i 6 librave dhe ka në shtyp dhe dy libra të tjerë. Ai shkruan dhe nuk bën vetëdeklarime apo promovime për të krijuar jehona dhe sensibilizime. Një njeri tepër modest në krijimtarinë e tij edhe pse librat e tij kanë vlerë, duke krijuar kënaqësi në një masë të gjerë lexuesish. Në biografinë e tij krijuese bëjnë pjesë, librat: “Cili është fajtori”, “Njohuri dhe komente letrare,” “Trokas me vargje”. “Gjuha shqipe për nxënësin,” “Shtigjeve të dijes”, “Funari në historinë e tij” “Sa bukur të jesh femër”, si dhe ka në shtyp librat: “Jetoje jetën” me probleme social psikologjike dhe një vëllim me poezi: “Nostalgji poetike”.

Do të ndalem shkurtimisht në tri librat e këtij autori: “Njohuri dhe komente letrare”, “Gjuha Shqipe për nxënësin”, “Shtigjeve të dijes”, që kanë vlera të veçanta letrare, metodike e gjuhësore, që tregojnë jo vetëm punën e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete si dhe informacionin e gjerë që u japin këto libra mësuesve dhe nxënësve, lexuesit në përgjithësi. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar me mjaft korrektesë profesionale në vitin 2009, është me karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoartistik i disa temave të lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Libri e ndihmon nxënësin dhe mësuesin në disa drejtime kryesore :

1 .-  Në njohjen e plotë të figuracionit letrar që përdoret në shkolla, duke i specifikuar në figura stilistike dhe figura gramatikore, si dhe duke i ilustruar ato me shembujt përkatës - veçoritë dhe aspektet themelore të analizës dhe zbërthimit ideoartistik, duke trajtuar pjesë artistike dhe poezi të veçanta me një gjuhë të thjeshtë argumentuese.

2. - Në trajtimin teorik të esesë si formë krijimi mjaft e përdorur në shkolla si dhe shtjellimi me rrjedhshmëri artistike i disa prej tyre, të cilat janë një model i gatshëm dhe ndihmë e drejtë për drejtë për nxënësin.

3. – Një ndihmesë u jepet nxënësve të klasës së IX për provimet e Lirimit, duke zbërthyer koncepte kryesore të lëndës së leximit e duke ofruar alternative për zgjidhjen e pyetjeve e tematikave të veçanta që mund të shtrohen në teste.

4. –Në  njohjen e disa termave dhe fjalëve kryesore letrarë, që nxënësi i përdor më dendur në lëndën e leximit.

Thelbësorja është se nxënësi nuk shpërndahet, por me një gjuhë të thjeshtë e të saktë atij i jepen njohuri dhe koncepte të shëndosha për lëndën e leximit. Nëpërmjet alternativave të ndryshme, apo koncepteve të shtruara në formë diskutimi në grupe apo në klasë, autori jo vetëm e bën nxënësin të përjetojë lëndën, por edhe të flasë me gjuhën e saj e të jetë i vetëdijshëm për lëndën. Në librin “Njohuri dhe komente letrare” jepen edhe një sërë temash si alternativë për nxënësin për të trajtuar një ese në klasë apo si punë e pavarur.

Libri tjetër “Gjuha Shqipe për nxënësin” është një punim që u vjen në ndihmë të gjithë lexuesve që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, jo vetëm nxënësve e studentëve. Autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore, qartëson në mënyrë të gatshme pjesët e ligjëratës dhe funksionin e fjalës në sintaks, por shpjegon edhe përdorimin e madh që po marrin sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës.

Me shembuj konkretë e të goditur, që të mbeten në mendje, autori bën të mundur dallimin e qartë të funksionit morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm analizon funksionet e këtyre dy veçorive, si forma  kryesore për rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse. Një vend të veçantë autori i ka kushtuar edhe drejtshkrimit të disa fjalëve, që paraqesin shqetësim tek nxënësit.

Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin si një dritare, por edhe si një mundësi për të hapur tek çdo nxënës e lexues një shteg të ri drejt dijes. Autori ka vjelë në mënyrë shteruese mjaft fjalë të panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, dhe për secilën jep një shpjegim korrekt shkencor, duke u bazuar në fjalorin e gjuhës shqipe, apo  edhe njohuri të tjera që i ka nxjerrë nga literatura e studiuar prej tij e nga erudicioni i gjerë që ka.

E veçanta e librit është se na njeh edhe me një grup personalitetesh botërore dhe kombëtare, që kanë fituat çmimin Nobel, si dhe mjaft të tjerë që kane dhënë kontribut të veçantë në fusha të ndryshme të shkencës dhe shoqërisë. Në këtë libër nxënësit dhe studentët gjejnë të zbërthyer në mënyrë të gatshme terma nga fusha e politikës dhe artit, shkencës dhe historisë, florës dhe faunës, si dhe shprehje e koncepte që kanë të bëjnë me traditën dhe aktualitetin.

Libri në fund shoqërohet me thënie të mençura të filozof ëve dhe mendimtarëve të shquar. Të tri librat përcjellin tek nxënësit dhe mësuesit mesazhe të qarta e koncepte të shëndosha shkencore,  jo vetëm me profesionalizëm, por edhe me një gjuhë të thjeshtë, gjë që flet jo vetëm për erudicionin e autorit, por edhe metodë-përcjelljen e qartë dhe efikase të tyre tek lexuesi në përgjithësi.

“Njohuri dhe komente letrare”, “Gjuha Shqipe për nxënësin” dhe  “Shtigjeve të dijes”janë  tri libra me një informacion të gjerë si një koncentrat i teorisë dhe praktikës letrare e gjuhësore, që përdoret sot nëpër shkollat tona.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: