Sejdi Berisha: Vargje që rilindin jetën, që peshojnë historinë
| E Diel, 29.05.2011, 04:58 PM |

R e c e n s i o n

 

Sejdi BERISHA:

 

VARGJE QË RILINDIN JETËN, QË PESHOJNË HISTORINË

 

(Gjon Neçaj: “Sinus”-poezi, botoi Shtëpia Botuese “Marin Barleti” Tiranë, 2011)

 

Për ta zbërthyer jetën në shumë rrafshe me peshën e arsyes dhe të njerëzores, këtë kujtoj se mund ta bëjë vetëm poeti duke e ndrydhur zemrën dhe shpirtin, që çdo gjë ta tregojë, për çdo gjë të rrëfejë, në mënyrë që njeriu të jetë i lumtur, duke e përqafuar sinqeritetin, dinjitetin dhe ndërgjegjen. Nëse është kështu, e mendoj se edhe kështu duhet të jetë, atëherë çdo fjalë, çdo varg dhe çdo poezi e ka zjarrin dhe etjen për t’u shndërruar në zë me peshën e urtisë, të madhështisë dhe të krenarisë. Këtë virtyt të thekshëm e hasim në veprën më të re, “Sinus” të poetit tropojanë, Gjon Neçaj.

 

Në këtë sublimë vargjesh, poezish dhe të këndimit poetik, kësaj radhe më karakteristike se deri me tash, poeti, fuqishëm prezanton historinë e jetës, duke na i ofruar ndijimet si zë detyrimesh për t’u kyçur në rrugëtimin e tij krijues, dhe kështu për t’ia zbuluar brendinë e brendisë së shpirtit, sepse, padyshim ka dëshirë që edhe ne të jemi atje ku është ai, për të shprushur gjithçka, ose, në mos kurrgjë tjetër, atëherë për t’u ngrohur ose për t’u përcëlluar me zjarrin e tij kurrë të pashuar.

Ky krijues, i cili deri me tash ka botuar nëntë vepra, kryesisht me poezi, me xhelozi këndimi dhe me begati metaforike na ofron sërish poezi të shkurtra, që kohët e fundit i preferon, në të cilat, ose, në secilën prej tyre na dhuron nga një strall, por bashkë me te edhe ndijimin e karakterit të qëndresës dhe të gurit të kalasë që nuk njeh rrënim as rrëzim. Këtë “imponim” na detyron që në poezinë e parë, prej pesëdhjetë e katër sa i ka përmbledhur në këtë libër. Dhe, shih. Sikur fillimisht nuk na lë as të marrim frymë për relaks, me morfologjinë e fjalës, gjë kjo e cila tërheq vërejtjen për përgjegjësinë ndaj jetës, veçmas për ata që e bëjnë atë.

 

Mllefi, nostalgjia dhe filozofia si këndim poetik

 

Nëse dëshirojmë bash ta shprushim këtë provokim si thesar urtësie, mesazhi dhe të metaforës, atëherë, duhet të kthehemi prapa, pastaj, të kthehemi në mes periudhash, më pastaj të qëndrojmë këtu ku jemi tash, dhe atë gjithnjë duke na therë për diçka që nuk e kemi bërë, për diçka që ia kemi borxh tokës dhe qiellit tonë: “Prej antikitetit deri në palcën e gurit;/Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare,/ vallëzojnë trishtueshëm në tokën e nemun.../ Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik/ Në rrugët e fjetura të vendlindjes sime...”.

Vargjet e tilla, na ofrojnë mllef dhe mbushje shpirtërore por edhe filozofike të poetit, i cili detyrohet t’i shpreh kështu, dhe mirë ka bërë që i ka kënduar në këtë mënyrë, për të na shpjerë në formulën e jetës, për çfarë, edhe na paralajmëron në poezinë “Sinus”, se kjo shprehje apo fjalë, nuk është ndonjë formulë matematikore dhe as shkencore, edhe pse, është e qartë se formulat e ndryshme kanë begatuar por edhe e kanë përplasur mendjen gjatë gjithë shekujve. Krahas kësaj, në veprën e Gjon Neçajt e hasim vargun dhe temën e brishtë, e cila për shkak të thjeshtësisë detyron për t’u kthyer në rrethin e mendjes, i cili jo rrallë i ngjanë pikturës që pasqyron ambientin e ngrohtë në shtëpitë e vjetra e me histori të moçme: “Vetëm kur ndihej potpuria e minjve në trarët e moçëm/Macet kërkonin lëmshin e plakave...”.

Në këtë rrëfim, edhe nëse nuk ekziston edhe një trohë metafore, edhe atëherë, vetvetiu e nxjerrim atë duke lexuar në mes rreshtave pikërisht formulën e jetës, e cila, në të njëjtën kohë na i pasqyron tri rrafshe: lashtësinë, krenarinë mbase edhe dembelinë, të cilat gjëra pastaj imponojnë shthurjen e lëmshit të natyrës tjetër. Se cila është ajo, këtë e zgjedh vetë lexuesi. E, këtu qëndron edhe aftësia e këndimit të poetit, i cili asnjëherë nuk është i kënaqur me atë që shkruan, edhe pse është krenar, dhe: “... Asgjë s’kisha shkruar për sot/Ndaj truç i mbështolla/E rashë të flija...”.

Këtu e vërejmë madhështinë e krijuesit, i cili, jetës dëshiron t’i dalë karshi mirë e më mirë, pikërisht pse vargjet e veta i bën duç për t’ua zënë frymën atyre, që më vonë, ose nesër apo një ditë tjetër, të marrin fuqi shpërthimi. Sepse, ato gufojnë si gjelbërimi, si lulet në pranverë, edhe pse në vete kanë nga pak hidhërim, etje e huj për tokën dhe njeriun.

Në “Sinus”, autori shpreh tërë atë ndijimin me një kolorit temash, që dikur, e më shumë tash, ia ngacmojnë kujtimet për atë që individi krijon e thurë ëndrra e ndërton shpresa, por, ato sikur gjithnjë i bën të përcjella me dorën e ngritur lartë e duke e lëvizur rreptë në shenjë përshëndetjeje.

Mirëpo, ato përjetime na përftojnë të kaluarën dhe kujtimet që provokojnë historinë dhe ngjarjet, duken si panoramë përjetësie për dashurinë, për peshën e saj, për kujtimet si hartë gjeografike apo reliev përcëllues: “Të kam kërkuar në gurrat e krojeve me ujë të kristaltë/... Të kam kërkuar në odat e malësorëve të mi/Të kam kërkuar në bistekët e çikave pas shpine/Si tufulaket e aheve në Lugun e Madh/Ku zë fill nisja e një kënge...”. Është ky jo vetëm një kujtim i thjeshtë që madhështon tokën dhe vendlindjen e autorit, por është edhe një gjerdan i bukur që i përshkon vargjet dhe poezitë rrjedhave të dashurisë, që nganjëherë na imponojnë kujtimin për kohën e shkuar, e cila, duhet pranuar, gjithherë shërben si themel i palëkundshëm i rrjedhave që e përplasin njeriun, qoftë ndonjëherë edhe padiktueshëm, nëpër ato rrugët që ka kaluar dhe kalon: “... Të kam kërkuar ku bardhokat blegërojnë për qingjat sykë/Të kam kërkuar në verë e në vjeshtë/Por këtu bleroka çdoherë pranverë/... E, në shpirtin e malësorëve të gjerë sa deti/Të kam kërkuar...”.

Kjo formë e këndimit poetik, na sjellë varg më varg nga një tabllo jete, e cila bëhet si amanet për çiltërsinë e njeriut, e cila shndërrohet në formulë që kujtimet i kthen në këshillë e në histori për gjithçka. Për këtë, e hasim edhe vargun përmbyllës të kësaj poezie: “Më fal moj këngë/Ti je e pranishme ngado me ne...”!

 

Shkëptuja nga vetvetja, fjala e sertë dhe gjuha e urtisë për atdheun

 

Pra, poeti, në këtë vepër gjithnjë është i veçantë dhe i kujdesshëm, që në asnjë moment të mos shkëputet nga vetvetja dhe nga e tërë ajo që ai e bartë përbrenda zemrës dhe shpirtit, e në këtë rast, edhe përbrenda vargut dhe poezisë. Dhe, në meditimin e vet, nxjerr flakadanin e jetës së tij, që gjithnjë bën dritë e nxjerrë ngjyrë bojxhake, kur thotë: “... Vërtetë të bukurën e krijon dashuria e sinqertë/... E, gishtat i shkova mbi ballin e sertë...”.

Shih. Këto dy vargje, lexuesin e detyrojnë që në çfarëdo situate ta fisnikërojë mendimin e vet, por gjithnjë duke mos harruar atë fenomenin që shpesh edhe nuk e hetojmë, nuk e vërejmë dhe as nuk e shohim, por që gjithnjë na shoqëron, sepse, na ka dhuruar, apo na ka detyruar historia. E, ai është sertëlloku.

Në këtë formë, Gjon Neçaj, me “Sinus-in” e vet shëtitë nëpër të gjitha rrafshet; edhe atje ku ka kënaqësi, edhe atje ku kujtimet shprushin dhembjet, edhe atje ku fushat dhe alpet flasin me gjuhën e urtisë dhe të madhështisë, por, ndonjëherë edhe me zërin sertë apo qortues, i cili zë, edhe sot, domosdo i nevojitet njeriut të këtij nënqielli. Kjo, sepse, trashëgimia jonë e cila është përplot me dëshmi dhe me histori, por edhe me plotë shkronja të zverdhura mbase edhe me dokumente të ndrydhur, të grisur e të brejtur jo vetëm nga koha: “Isa, Baca, Shota e Azemi/Në poret e trupit tanë bulëzon inde trimërie/Vëllezërit Frashëri e Çerçiz Topulli/Çamëria e Kosova/Të gjithë nga një fije”!

Edhe pse, në këtë vepër, sigurisht me qëllim, poeti lëvizë e shëtitë poshtë e lartë nëpër jetë dhe nëpër ngjyrat e saj, duke i lënë temat dhe vargjet natyrshëm të lidhen e ndërlidhen, ashtu siç dalin nga brendia e shpirtit, ai, thjeshtë por bukur ligjëron: “Këto këngë zemre/Lexues i dashur/Në thellësitë e shpirtit/Prej vitesh i kam mbajtur”. E pra, sa çiltërsi e sa madhështi për këtë “siklet” të poetit.

Në këtë libër, kudo vërejmë e hasim idilikën dhe madhështinë e tokës por edhe dashurinë, të cilat, autori, ndoshta mua më bëhet kështu, i bën lapidar përjetësie, i kthen në aromë që nuk harxhohet kurrë, i bën ëndrra mahnitëse, sa që: “...Shpesh djemtë hutohen dhe nuk i hanë bojliat/Ndonëse gjithë ditën mrizojnë bjeshkëve të vendlindjes”!

Pikërisht, duke u mbështetur në këtë thesar dhe në këtë begati përrallore, poeti ligjëron dhe sikur gjithnjë s’e heq dot nga mendja për të ngre zërin për ta ndritur dhe ruajtur të kaluarën, e cila s’është gjë tjetër veç se rrënjë e trung që ushqen kurorën e çdo bime. Për këtë, më së miri sikur i shohim përplasjet, vuajtjet dhe etjen për ta mbrojtur lashtësinë, sepse, ajo, kudo në botë është dhe konsiderohet si dokumenti dhe dëshmia më e shenjtë e njerëzimit. Pra, këtë e hasim apo e vërejmë tek poezia “Elegji për një trung gështenje”: “Trungu i moçëm rrokulliset në kashnjetin me gështenja.../E prenë në pranverë, kur lëvorja ishte njomur prej mushtit/E nën të çarën e saj pikonin lotët e kësaj peme gjysmë shekullore/Gushkuqi fluturoi nga degët dhe pushoi këngën/Foleja ra si kasketa e druvarit në lëmyshkun e kafejtë/Filizave përreth u drodhën gjethet e njoma nga dhimbja...”!

E tërë kjo, veç tjerash, ma detyroi mendimin, se peshën e vargut, autori e çmon si gjënë më të dashur dhe me vlerë, si gjënë më të përkryer të mendimit fisnik, të mesazhit si kumt. Këtë frymë, e hasim edhe në shumë poezi dhe vargje që u kushtohen më të preferuarve të tij, të cilët tani nuk po i zë në gojë. Mirëpo, në disa raste, na përftojnë vargje që dëshmojnë se autori nuk ka qenë gjithnjë i kursyer nga mënia dhe urrejtja si pjesë të jetës, por që gjithnjë kanë ngre kokë për të mirën e njeriut, të cilën gjë, ai, mund të them se e ka konsideruar si përpëlitje e përplasje jete: “... Tani që thinjat janë shpeshtuar në kokë/Urrejtjen e kam më larg nga zemra/Kurse dashurinë e afroj pranë vetes...”, ose: “Në jetë kam urryer, por dhe dashuruar/Dhe ky është pranimi i parë njerëzor/Kush t’i lexojë këto vargje mos të mbetët i hutuar/E bukura në jetë është ideali madhështor”!

Të kësaj natyre, vargohen si vasha të bukura shumë poezi të tjera, sepse, siç thekson autori: “ Shumë e ndjeshme është zemra ime”.

 

Vargu dhe koha që dhurojnë pavdekësinë

 

Duke ligjëruar për disa nga figurat historike, Gj. Neçaj, për pak çaste del nga ajo që thash pak më lartë, dhe duke besuar se koha dhuron pavdekësinë, në poezinë “I pavdekshëm”, kushtuar Bajram Currit, e zgjeron kuptimin, e begaton metaforën, dhe e forcon mesazhin për peshën e gjakut, të trimërisë dhe të atdhedashurisë: “... Bajram Curri/Atdheut ia dha gjakun/Trimit trimërinë/Gurit peshën në vend të vet/Fjalës mençurinë/Kosovës besën”!

Gjatë vjershërimit, “Sinusi” sikur autorit i ka mundësuar të rrugëtojë e të lërojë lirshëm. Andaj, në vargje, hetohet rrëshqitja e lezetshme e mendimeve mbi dhembjen, krenarinë dhe mallin, të cilat, poeti i ka si armë shpëtimi për ta pajtuar vetveten me jetën dhe tërë atë që e shoqëron. Vargjet e tilla e sforcojnë edhe më shumë vizionin e shëndosh të këndimit: “U kam grah këngëve nëpër mote/Shtatselvi janë rritur me mua/... E, tash urojmë dasmën e madhe të jetës/Thinja të bardha në flokët e mi kanë dalë/Këngët apo vitet/Kush i thirri vallë”! 

Por, Neçaj, menjëherë pas kësaj di të ligjërojë edhe kështu: “Kësaj rruge malore me pisha/Një vegim i largët më kujtoi ty/Dy fjalë zemre atëherë t’i thashë/E t’i putha sytë e zi”.

Larushia e temave, që thjeshtë i shprehë dhe i vë edhe ato në “hall” shpirtëror, në këtë mënyrë ngrohë atë tërësinë e zhveshur të personalitetit të krijuesit, dhe sikur gjithnjë bie në telashe me vetveten, sepse, edhe me ndijimin dhe zjarrminë që ka brenda, na bën për të kuptuar se ende nuk e ka shpenzuar tërë atë energji prej njeriut me mendimin e drejtë dhe të thellë poetik, e që kjo vepër e bën edhe më të përkushtuar dhe më të veçantë: “Sa herë kam marrë penën për të shkruar/Ndjenjat shpirtërore më janë ngacmuar/ Sinqerisht/Nga hapësirat vëllazërore”.

Nëse i vështrojmë kështu poezitë në këtë vepër, poeti nuk e zvetënon as kujdesin, as mallin, as dhembjen dhe as përgjegjësinë për tërësinë e tokës, për fatin e atdheut dhe për peshën e historisë: “Në oborrin e kullës trekatëshe/ Fluturon një pëllumb dhe ulet mes çiftit të ri.../ Deli Pjetri nga thellësitë e moteve/Dukagjinasit përshëndet. (Poezia: “Imazh për Shtatë Shaljanët”).

Ndoshta për këtë, por edhe për shumëçka tjetër, poeti nuk e dëshiron fundin: “...Vdekja na sillet si fantazmë çdo ditë pranë vetes/Kjo poezi(pa poezi) për mua e të gjithë/Qoftë gënjeshtër!...”.

Por, megjithëkëtë mospranim dhe mospajtim, poeti reflekton madhështi për realitetin, të cilit nuk i trembet në asnjë moment: “Kur të vdes/Ma bëni varrin nën hijen e mrizit/Pranë stanit ku u linda/M’i mbillni dy lulebore te kryet/M’i ujitni me ujë kristal të gurrave bjeshkatare/Kur të vdes/Ma shkruani emrin në një rrasë guri/Pranë ahut ku u linda/Mos harroni/Në doni të ngjallem përsëri”.

Kështu, me “Sinus”, Gjon Neçaj, me këtë vepër, me këtë titull, me këtë fjalë e shprehje, qoftë matematike, qoftë filozofike, qoftë jetësore, apo edhe qoftë metaforike dhe e mbarësuar me mesazh të qartë, ia ka dalë të spikasë kudo kuptimin me peshë, të cilin edhe lexuesi mund ta shfrytëzojë për të dhënë komentin e vet plotësisht të pavarur për vargjet që rilindin jetën, që peshojnë e ndrisin historinë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: