Femi Halimi: Madhështia e Teatrit (III)
| E Enjte, 26.05.2011, 07:53 PM |

Madhështia e Teatrit (III)

 

Natyra dhe njohja

 

Nga Femi Halimi

 

Vetë Teatri dual nga Shpirti i madh i Polisit antik. Udhëheqësit e polisit ishin përgjegjës të jashtëzakonshëm. Lojrat në skenë i financonin në fillimet e hershme tregëtarët e mëdhenj të polisit. Dy tregëtarë të tillë ngritën Teatrin në lartësi të Olimpit në kohën e Eskilit e Sofoklit. Pastaj ndërhyri Perikleu, mbreti i Athinës dhe Teatrin e lidhi me financat e Polisit dhe e institucionalizoi. Që atëherë hargjimet për Festivalin njëjavësh të Teatrit në Eleuzinë pranë Athinës ndaheshin nga buxheti i shtetit. Eskili, Sofokli e Euripidhi patën fatin e madh të përkraheshin nga pushteti i Polisit dhe të rrëmbenin famën. Kurse fama u erdhi nga tekstet e fuqishme e të përjetshme të një mrekullie krijimi të paarritshëm edhe për ditët tona.

Këtë hyrje e bëra njëherit për krahasim me gjendjen e Teatrit tash te ne në Kosovë, po edhe si kudo gjetkë në trojet tona. Ky ishte në të vërtetë Teatri atëherë, në fillet e hershme të agimit, para 2500 vjete në Teatrin antik, ku u lind e lëshoi shtat tok me perënditë e Olimpit. Ndërkaq tash Teatri, te ne këtu në Kosovë, është një pasardhës i largët i Teatrit antik dhe me pak përngjasim. Pse ka kaq shumë dallim, kurse koha është në favor tonin? 2500 vjet pas, në vend se të jetë Teatri po aq në ngritje e madhështi, në të vërtetë është e kundërta. Cilët janë shkaqet? Pse janë këto dobësi e pengesa në organizimin e Teatrit? Pse nuk ka as tekste cilësore? A thua Polisi antik ka qenë në përparësi me diçka ndaj neve tash? Motivi i fuqishëm e i madh i dramaturgëve antik që u erdhi atëkohë pas fitoreve të mëdha në luftërat me Persët dhe ngritja e Athinës në qiell, është motivi i njejt që te ne erdhi pas 1999 –s. Po përse te ne nuk ndodhë Teatri andaj, siç ndodhi atëherë në Polis? Kurse tash janë kushtet, kuadrot, teknika, mundësitë!...

Pas viteve e viteve të përsiatjes e studimit erdha në përfundim se Teatri antik nuk është ky Teatri tash! Mendja më tha se ne kemi të zhvilluar Imitimin! Imitimin?! Po, sigurisht!... Imitimin në gjithçka, -edhe në këtë lëmi. Imitimi i të tjerëve, trajtimi i pozitës së udhëheqjes me kulturën, e me të me Teatrin, sepse duhet të bëhet kështu, -sepse të gjithë bëjnë kështu. Ky domen kulture thjesht siguron vende pune dhe autoritet. Më mirë punohet në Teatër, se në administratë dikund, a në punë fizike, a në rrugë! Janë privilegjet e dhuratat partiake që ndahen për anëtarësinë e dëgjueshme deri në mpakje. Vendet e punës janë për merita partie, jo për merita kreative e arti. Teatri përdoret për kushtëzim, si çdo privilegj a dhuratë tjetër mirënjohjeje të dyanshme. Është një kusht për privilegj, për pozicionim ndërpartiak të asaj partie që merr Teatrin në ndarjen e bukës pas zgjedhjeve. Është një premtim, në një paket përplot me dhurata tjera për ata që i don Partia. Në këtë paket sikur të babadimrit te ne këtu, aktrojnë edhe të huajt. Kufinjt e Teatrit vendosen me marrëveshje, duke ndarë dhuratat që jepen shpërblim dëgjueshmërie reciproke.

Në të vërtetë, Teatri Politik i grupeve e partive, është Teatri i Vërtetë!!! Publiku përcjell tash Teatrin politik, që nga lojrat fillestare zgjedhore, e deri te sajimi i Kuvendeve e Qeverive. Në Kosovë ka komuna mu sikurse poliset antike dhe një polis i tillë në Kosovë është i pavarur dhe shtet në vete, mu sikur polisi antik. Ky është Teatri ideal, i ngjashëm me Teatrin antik , përderisa teatri që ka titullin, vendin dhe sallën, është një teatër imitues dhe asgjë tjetër. Si i këtillë teatri ka mbetur pa autoritet. Teatri për këtë tash, te ne, nuk ka as publik. Nuk ka teatër më që për një shfaqje shet njëzet bileta. Prandaj punojnë, ata që punojnë diçka ndonjëherë, me donacione të komunave a të Qendrës. Sepse në të vërtetë ky lloj teatri as që ka mundësi të jetë, seppse as që është Teatër.

Në Gjilan ndodhi që me lojë teatrore me një tekst të Mehmet Krajës të poshtërohen ish të burgosurit politik në masë sa nuk i ka poshtëruar asokohe as vetë Sigurimi i Shteti jugosllav. Pse?... Në luftën për pushtet të dikujt, me të gjitha mjetet dhe për vdekje, u përdor teatri, duke besuar gabimisht se teatri ka forcën e zotërave pagan të polisit antik edhe tash. Në të vërtetë, teatri që është tash, nuk ka fuqinë të mbledh as njëzet euro nga shitja e biletave në kafiterinë e teatrit. Në mungesë të fitimit nga puna, teatri tash mbahet nga buxheti komunal, kurse shfaqjet nga donacionet që vijnë a pikin prej ndokah!... Ndërsa ata që lanë jetën nëpër burgjet e rezhimit që ishte para lirisë së 1999 –s u bënë temë për një lojë teatrore, nëvend se për tu përkujtuar, me falënderim e respekt, në të vëretë për tu rrënuar në ndërgjegjen e publikut, edhe atë, duke shfrytëzuar rastin eveniment të Manifestimit multikulturor të Flakës së Janarit, që mbahet rregullisht çdo vit, përkujtim i shenjt për ata kontribuuan për çlirimin nacional me sukses. Gjithë loja teatrore, politikë dhe imitim, u hargjua jashtë skenës së teatrit dhe për në teatër në termin të shfaqjes nuk mbet asgjë. Prandaj nuk pati as publik të komplotistëve të përbetuar kundër ish të burgosurve politik.

Në Teatrin e polisit antik, luftëtarët dhe heronjtë duheshin, nderoheshin, respektoheshin me lavd dhe ngriteshin e shoqëroheshin me zotërat e Olimpit në forcë dhe përjetësi dhe skena ishte vendi i shenjt i respektit me përulje falënderimi për ta. Asnjë popull fundifundit, pos neve, nuk urren e sulmon kontribuesit e vet për liri të atdheut! Gjithë Polisi, të gjithë si një, ishin për lirinë, mbrojtjen dhe qenien, në përballje të përhershme me armiqt. Kush ishte kundër, e largonin nga mesi i vet. Këtë në të vërtetë na e thotë dhe përcjell Teatri antik. Teatri për ta ishte angazhim publik, duke qenë në nevojë për një media që bën të njohur e të ditur arsyen e Polisit!...



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: