Besnik Dizdari: Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar
| E Merkure, 30.01.2008, 07:38 PM |

Dr. Vasfi Samim Visoka: themelues i madh në sportin shqiptar

Nga Besnik Dizdari

Besnik Dizdari
E kam njohur Dr. Samimin, në fillim në largësi, prej tregimit për te, të vëllaut tim Petrit Dizdari, zooteknik i shquar, student dhe mik i tij. Mandej ka ardhë njohja e drejtpërdrejtë, nxitës i së cilës për çudi ishte vetë Doktori. Eshtë vërtet e çuditshme se si një njeri i tillë i madh me gjithë peshën e këtij përcaktimi, gati 70-vjeçar, një ditë prej ditësh, të bënte hapin e tij për t’u njohur me një gazetar të ri rreth të njëzetetetave, i cili sapo kishte nisur rrugën e tij të gjatë të gazetarisë, pa ditur asesi se ku do të mbërrinte.

Kujtoj se ka qenë një ditë pranvere e vitit 1970 ose 1971, dhe ndërsa unë po ecja së bashku me të fejuarën time Teuta, diku aty pranë Pazarit të Ri, në hyrje të sheshit të tij, shoh Dr. Samimin fare pranë nesh. Ai vuri buzën në gaz, ndaloi dhe u drejtua me një pyetje krejt të veçantë: “Zonjushë, a shkoni ju në stadium? Në Turqi femrat shkonin qysh me kohë në stadiume.”. Ne shtangëm paksa. Ai zgjati dorën dhe mu drejtua mua me fjalën: “Ju keni një stil modern në shkrimet”. Nuk ma kishte thënë kurrnjiherë askush. Po ma thoshte Dr.Samimi, me të cilin ndonëse unë po bisedoja për herë të parë, vetvetiu mu duk se ishin takuar dy miq të kohshëm. E kuptoja se përmes përcaktimit të tij, më fort se një të vërtetë, thënia e tij përmbante një dëshirë për nxitje tek një i ri, një inkurajim për një gazetar të ri të “Bashkimit” të Tiranës në një vit të çuditshëm 1970 apo 1971, kur krejt papritmas në një horizont të vagët dukej një dritë e zbehtë liberalizmi, që natyrisht do të shuhej pa u ndezur, vetëm mbas disa muajve me të famshmin Plenumin IV të PPSH.

Kujtimi i kësaj njohjeje tonën, sidomos për mua ishte i paharrueshëm. Më ndalon në rrugë me një sjellje tejet elegante e të sinqertë, po aq dhe moderne e dashamire dhe më flet për shkrimet e mia të para me një nxitje krejt befasuese! Nuk ishte pak për një djalë i cili sapo kish nisur me ndrojtje rrugën e gazetarisë. Qysh atë ditë për fat unë jam bërë mik me Dr.Samimin dhe bisedat tona kanë qenë të përhershme, të gjata: gazetaria, sporti, e kaluara e tij në Shqipëri, dhe jashtë, fillimet, e sotmja...

Dr. Samimi, kishte mbetur megjithë burgosjen, nëpërkambjen e tij, i gjithmonëshmi: njeriu i lirë mbrenda shpirtit të tij kalorsiak. Besonte dhe ëndërronte sidomos te brezi i ri prej të cilit qe rrethuar gjithmonë dhe do të rrethohej deri në ditën e ndarjes së tij nga jeta më 1981 në moshën 76-vjeçare, që për të gjithë ne që ia njihnim shpirtin rinor, ajo ishte një lamtumirë e parakohshme.

Kësisoji, qysh nga ai vit i kësaj njohjeje të veçantë, edhe unë qeshë një prej miqve të tij të rinj. Besimi që kishte tek vëllai im, Petriti, vetvetiu mbërrinte edhe tek unë, e së bashku me këte, të gjitha të tjerat: gazetaria, gazetaria sportive i së cilës ky sportist ndër të parët e Shqipërisë qe një prej themeluesve. Hap mbas hapi unë do të mbërrija te historia e portjerit të vjetër të Fenerbahçes së Stambollit, Flamurtarit të Vlorës dhe Sportklub Tiranës, një jetë e tanë poliedrike, universale, e pa skaj në larminë e jashtëzakonshme që Nana-Natyrë i kishte blatuar këtij njeriu të rrallë, një jetë të cilën për shumë kohë në kushte të një përndjekjeje të djallëzuar, ai diti ta përsosë dhe ta ngrejë në piedestalin e një vepre të tanë në shërbim të kombit.

Sot, ndërrmarrja e të bijve të tij, Prof. Dr. Ergjin Samimit dhe Ing. restaurator Genc Samimit, për një kollanë të gjithanshme të veprës së Dr.Vasfi Samim Visokës, ku natyrisht bën pjesë edhe ajo sportive, është sa fisnike dhe detyruese, po aq kombëtare dhe atdhetare. Aq më tepër kur dihet se e shpërndarë në vite, e fshehur dhe e harruar me qëllim prej një Regjimi që kurrnjiherë nuk ia fali as atdhetarinë dhe as universalizmin e tij kulturor dhe shkencor, por as dhe oksidentalizmin e tij të pashembullt, gjithnjë në dobi të përparimit të Shqipërisë, dalja në dritë për herë të parë e veprës së Dr.Samimit, do të përbëjë padyshim një ngjarje të madhe në jetën shqiptare.

Për fat të keq njihet pak edhe jeta e veprimtaria sportive e Dr.Samimit. Krejt pak njihet prej studjuesve, prej mjedisit akademik sportiv, ndonëse nuk mund të themi nëse ky mjedis të jetë sendërtuar ende në Shqipëri. Të paktën ashtu siç e ëndërrronte Dr.Samimi, e ashtu siç u përpoq ta parashtronte ai në veprën e tij. Në të gjitha drejtimet apo anët nga ta vështrosh: si sportist i drejpërdrejt në fushën e lojës, si organizator themelues i sportit kombëtar, si gazetar i shquar sportiv, si mendimtar dhe parashtrues i mendimit historiko-filozofik të kulturës fizike dhe frymës e shpirtit olimpik.

Por… më mirë vonë se kurr. Prof. Dr. Ergjin Samimi ka pasë një mendim të madh: të bëjë ate që shteti shqiptar, po ndoshta më fort Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nuk e bëri kurr për veterinerin, biologun, shkencëtarin dhe njërin prej themeluesve të shërbimit veterinar në Shqipëri, mësuesin, pedagogun, zyrtarin, veprimtarin e shumanshëm të jetës shqiptare, sportistin, aktorin, piktorin, kampionin, gazetarin, shkrimtarin, përkthyesin, turkologun, organizatorin, nismëtarin, qytetarin e ndritur Dr. Vasfi Samim Visoka.

Autori i këtij cikli të shpejtë shkrimesh në “TemA”, do të përpiqet të interpretojë rolin e vet, atë që i takon: të shoqërojë në këte Dossier për rininë e sotme një rrugë sportive të panjohur për ta, përmes aventurës së mrekullueshme të Dr. Samimit në këte rrugë, në të cilën ai e udhëtoi edhe kur ia ndaluan të udhëtonte…

 

 

 

I.

 


Edhe kur e kam njohur unë Dr.Vasfi Samimin, në fillim të viteve '70, tek ai ende kishte mbetur diçka nga portreti i një prej portierëve të parë të futbollit shqiptar: shtatlartë, ndonëse paksa i përkulur tashmâ, symprehtë, parashikues, hulumtues dhe racional. Me çantën e vjetër prej lëkure në dorë, me ecjen e tij të ngadaltë, me vështrimin e tij të një mirësie të pakrahasueshme, në gjithë këtë portret prej intelektuali të klasit të parë, gjithsesi ai ruante edhe diçka të mirëfilltë sportive. Ndoshta, më tepër se një farë atletizmi që përherë nuk iu shlyhet sportistëve, tek Dr.Samimi ruhesh një gjallëri e përhershme mendimi.

E në sheshin qëndror të Pazarit të Ri shpesh shihja dy personazhe të mëdhenj të sportit shqiptar tek kryqëzoheshin: Vasfi Samimi e Selman Stërmasi. Ata kishin shtëpitë aty dhe unë e dija se që të dy ishin themelues të sportit shqiptar. Kalonin në të shumtën në heshtje, pa tërhequr fort vëmendjen e ndokuj, madje pa mëtuar ta tërheqin këtë vëmendje. Lavdia e tyre tashmâ kishte mbetur mbas dhe pak kush kujtohesh për to...

Nuk arrita të njihem me Stërmasin, ndërsa me Dr.Samimin jam njohur pikërisht në këtë shesh të Pazarit të Ri, në atë pasdreke pranvere, siç e tregova në dy fjalëshin hyrës të këtij cikli.

 

 

 

Stambolli dhe Fenerbahçe

 


Kishte lindur në Visokë të Fierit më 1905, po për vite të tana do të jetonte në Stamboll ku kreu mësimet e para, të mesme dhe të larta. Eshtë një nxënës i shkëlqyeshëm dhe mbetet në Stamboll, derisa studjon veterenarinë duke u diplomuar më 1927, në atë fakultet ku kishin studjuar edhe rilindas shqiptarë, një Dr, Ibrahim Temo e një Riza Teufik. Diplomohet po atje në Fakultetin e Veterinarisë. Dhe ashtu si në Gjimnaz, prap është gjithaq një student i shkëlqyeshëm.

Elegant, teksa binte në sy me shallin e tij të verdhë karakteristik, prej të cilit nuk shkëputej, ai e kishte kohën të mbushur plot, i përfshirë i tani në veprimtaritë letrare, kulturore, shoqërore, sportive. Shtatlartë, po ashtu do ta tërhiqte volejbolli e basketbolli, teksa mbërrin deri te skuadra përfaqësuese e fakultetit…

Dr. Samimi na ka lënë një foto të jashtëzakonshme në artistiken dhe sportivitetin që ajo paraqet. Vështrojeni. Topi në duart e këtij volejbollisti të ri nën fanelën e ekipit të shkollës, tejet e ngjashme me fanelat e futbollit të Fenerbahçes. Në dorën e Samimit të ri, duket sikur ai e perkëdhel me një dashuri të veçantë topin. Ka përkulë kryet pak majtas, fytyra i shndrit prej një gëzimi që më tepër se prej një pozimi, vjen nga mbrendësia e shpirtit të tij të pastër. Interesant vërtet, disa gjëra njeriu i shfaq qysh në fëmijëri apo rini dhe kështu mbesin. Edhe në vitet e mëpasme, deri në moshën e shtyrë, Dr.Samimi ruajti po këte buzagaz të pastërt e disi naiv në pastërtinë e shpirtit të tij.

E nuk është punë volejbolli, por futbolli, sepse qysh asokohe ky sport ishte i pari edhe në Turqinë që Ataturku po e çonte drejt modernizimit. Dr. Samimi do të bëhej futbollisti i parë shqiptar që do të mbërrijë të veshë fanelën e një klubi të huaj. Dhe jo të një klubi dosido, por mu të Fenerbahçes së famshme të Stambollit. Në tetor 2004 kam pasë rastin të vizidoj selinë dhe rezidencën e Fenerbahçes në “Fenerbahçe Adai”, po për fatin tim, vetëm pak minuta na u dhanë për të parë Muzeumin e Fenerbahçes. Fotot e vjetra ishin kaq të shumta sa që unë e kisha të pamundur që në ato minuta të rrufeshme të rrëmoja rradhazi për të gjetë personazhin tim të madh.

Spikasnin pamjet e vizitës së themeluesit të Republikes Turke, Mustafa Kemal Ataturk, më 1918 (Fenerbahçe është themeluar më 19 korrik 1907), i cili dihej se kishte qenë tifoz i Fenerbahçes. Në Turqi mbahet mend një barazim 3-3 kunder Gallatasarajt per Kupën “Gazi”, ku Ataturku po e ndiqte ndeshjen se bashku me tre tifozë te Gallatasarajt dhe dy tifozë të Fenerbahçes, e ku citohet te ketë thënë: “Këtu jemi tre me tre, sepse edhe une jam tifoz i Fenerbahçes.” Mandej, kur ndërtesa e klubit ne Kusdili u dogj, donacioni i parë për ndërtimin e një selie te re erdhi mu nga Ataturku. Ai e ka vizituar klubin dhe ka nënshkruar në librin e nderit frazën e mëposhtme, që përsëritet përgjithmonë në Turqi: “Unë u informova lidhur me aktivitetet e admirueshme të Klubit te Fenerbahçes dhe ia vura vetes detyrë që të vizitoja dhe përgëzoja klubin. Kjo vizitë përkoi me këte ditë dhe prandaj po regjistroj homazhin dhe urimet e mia”. (3 maj 1918, Komandanti i Ushtrisë Mustafa Kemal Ataturk).

Në këte viti Dr. Samimi ynë ka qenë vetëm 13 vjeç dhe tashmâ ai ishte një nxënës në shkollat e Stambollit, ku mbas vdekjes së shpejtë të të jatit, daja i tij e kishte marrë me vete në kryeqytetin e famshëm në bregun e mahnitshëm të Bosforit.

Ai është volejbollist, basketbollist dhe futbollist i Gjimnazit ku mëson, dhe ka guxuar të ëndërrojë edhe vetë Fenerbahçen e famshme. Do ta arrijë këte në vitet e fakultetit. Në të vërtetë, qysh në vitin e fundit të Gjimnazit, ky shtatlartë me një pamje sa fisnike aq dhe sportive, sa elegante aq dhe të zgjuar, papritmas kishte tërhequr interesimin e trajnerit të Fenerbahçes. Ndoshta nuk i kishte shkuar në mend se mund të luante portjer. Në fillim duhet të ketë qenë një lloj mesfushori mbrojtës dhe në zbulimin e fundit që kemi bërë, në fragmente të arkivit të Fenerbahçes, për fat të madh gjejmë dy foto që për Dossier-in tonë që janë margaritar i vërtetë dokumentues.

Në njërën studenti Vasfi Samimi është i ulur në rreshtin e mesit, i katërti nga e majta dhe jo me fanelën e portjerit, por të një lojtari. Në tjetrën është Fenerbahçe e Stambollit e rreshtuar e gjitha në këmbë dhe i pari nga e djathta është portjeri shqiptar Vasfi Samimi. Një fizik i mrekullueshëm, shtatlartë (Dr. Samimi ka qenë rreth 1.85 cm), i veshur si në stilin e Zamorës së famshëm të Spanjës, me topin në dorë, me gjunjëzat mbrojtëse që nuk do t’i ndante kurrnjiherë deri në Kampionatet e Shqipërisë të viteve ’30, madje ai do të jetë portjeri i parë që do t’i sillte ato në Shqipëri, duke i shtuar më mbas edhe kasketën e portjerit, që ndër vite do ta mbanin mbas tij të gjithë portjerët shqiptarë që do të vinin.

Të dy këto foto unikale (vetanake) i përkasin viteve 1927, 1928. Në letrën e përgëzimit që i Dr.Samimi i shkruan trajnerit gjerman Helmuth Schön më 1974 menjëherë mbas fitimit të titullit Kampion i Botës, prej Gjermanisë, midis të tjerave i thotë se “në vitet 1927 dhe 1928 kam qenë portjer rezervë i Fenerbahçes së Stambollit”, dhe kështu për saktësinë e këtyre dy viteve ne nuk mund të dyshojmë asesi. Fotot e vitit 1927 që kemi zbuluar, i vëjnë vulën.

Nuk mund të marrim me mend se si mund të ketë qenë prova që trajneri i Fenerbahçes të viteve 1926-27, i famshmi Hikmet Mocuk, i bën djaloshit 20-vjeçar nga Visoka e Fierit të Shqipërisë. Por ky djaloshi shqiptar, i cili aq mirë dinte të ledhatonte topin e basketbollit dhe të volejbollit, a nuk ishte tejet i përshtatshëm për të interpretuar rolin e portjerit, teksa ia admiroje shtatlartësinë dhe symprehtësinë e tij?

Vasfi Samimi është tashmâ portjeri herë i parë dhe herë i dytë i Fenerbahçes së Stambollit 1927-28, duke hyrë në historinë e sportit tonë si futbollisti i parë shqiptar i cili arrin të luajë me një klub jashtë jashtë Shqipërisë. Ky pararendës i Riza Lushtës së Juventusit dhe Naim Kryeziut të Romës të fillimit të viteve ’40, plot 15 vjet para tyre bartë për historinë tonë rastin disi të kundërt me to. Nëse Lushta dhe Kryeziu lindën si futbollistë në Shqipëri dhe shpërthyen në rang ndërkombëtar në Itali, Dr. Samimi lind si futbollist në Turqinë e Fenerbahçes dhe vjen në Shqipëri për t’iu treguar shqiptarëve të tij se çka ishte futbollisti i kohës dhe sidomos portjeri për një skuadër.

Të gjithë e kanë quajtur si portjerin e parë të futbollit shqiptar, në kuptimin se portjeri i vërtetë i parë kaq qenë mu ky Vasfi Samim. Siç kam përcaktuar njëherë për portjerin e famshëm të Skenderbeut të Korçës, Klani Marjani, si njeriun i cili së bashku me Rudolf Gurashin e Niko Dovanën e Teutës së Durrësit kanë themeluar shkollën tonë të portjerëve, kam shënuar se themelet e kësaj shkolle i vuri Dr. Vasfi Samimi, portjeri i Fenerbahçes së Stambollit, Flamurtarit, SK Tiranës. Them se Samimi - Marjani - Gurashi-Dovana ka qenë katërshja e madhe e portave shqiptare e viteve ’20-’30.

Gjithnjë e paraprirë prej Dr. Samimit të Fenerbahçes…

Dihet ndërkaq, se Kampionatin e saj Kombëtar mbarëturk, Turqia e ka filluar vetëm Mbasluftës, më 1959, çka do të thotë se deri në këte vit, ai që ka marrë vlerën e Kampionatit Kombëtar të Turqisë ka qenë Kampionati i Ligës së Stambollit. Ka filluar më 1924, dhe vetvetiu del se Dr. Samimi i viteve 1927 dhe 1928 është kështu, ndër portjerët e parë të futbollit turk! Fenerbahçe e ka fituar titullin e saj të parë të kampionit më 1930 mbas katër titujve rresht të Gallatasarajt të një shqiptari tjetër të madh të Turqisë, birit të Sami Frashërit, Ali Samiut, i cili në historinë e sportit të Turqisë, hyn jo vetëm si themelues i klubit legjendar të Stambollit, por dhe si president i Komitetit Olimpik të Turqisë. Mendja ta thotë se Ali Samiu nuk duhet të ketë qenë indiferent ndaj pranisë së këtij shqiptari krenar dhe elegant të Visokës së Fierit. Eshtë e pamundur. Dhe është Dr. Samimi njeriu i cili më ka treguar se Ali Samiu është i biri i Sami Frashërit. Dhe vetëm kaq. Siç kemi shkruar me kohë në shkrimet tona kushtuar Ali Samiut, ai ëndërronte një vizitë në Shqipëri. Nuk ia lejuan kurr e kësisoji, përmendja e emrit të tij në Shqipërinë e “asokohe” nuk ishte fort e përshtatshme…

Në Kampionatin 1926-27 Fenerbahçe ka mbetur 3 pikë nën Gallatasarajn, më 1928-29, 4 pikë mbas, gjithnjë Nënkampione e Stambollit. Ka qenë një Fenerbahçe, e cila në atë periudhë sundonte Kombëtaren e Turqisë me emra historikë të futbollit turk: Baydar, Sporel, Gursoy, Çelen, Çagatay, Refet, Goktulga, Seyit, Çetin… Sa ka qenë i pranishëm Dr. Samimi në këto dy kampionate të Ligës së Stambollit, për fat këte nuk e mësojmë. Për ne mbeten fotot dokumentuese, ajo çka ka pohuar vetë Dr. Samimi si dhe kujtimi i nderit të fanelës së Fenerbahçes që djaloshi shqiptar e ka vulën e personalitetit të tij të jashtëzakonshëm sportiv.

Mbas diplomimit të tij si veteriner, ai nuk e ka të lehtë të ndjekë kërkesat e Fenerbahçes. E emërojnë veteriner në prefekturën e Samsunit, përfshihet në ushtri përmes kryerjes së stazhit teknik në Sptalin Veteriner ushtarak prej ku del me gradën toger në rezervë dhe arrin të emërohet veteriner në Ministrinë e Bujqësisë së Turqisë. Eshtë një tjetër çast i madh në biografinë e tij. Eshtë vetëm 23 vjeç dhe shtë veteriner i Ministrisë së Bujqësisë.

E ndërkaq, papritmas, futbollisti ynë i Fenerbahçes rrëmben pendën e gazetarit dhe në faqet e “Serveti Fumun”, “Resimli-Aj, “Vakit” dhe të tjerë, shfaqet edhe emri i tij si autor shkrimesh. I rreh pulsi i letrarit dhe shkrimtarit. Shkruan drama të shkurtëra në turqisht një prej të cilave vihet tetë herë në skenat e Stambollit: në Yskydar, Kadikoy e Beshiktash!

 

 

 

Vlora dhe Flamurtari

 

 

 

E thërret Shqipëria e tij. Eshtë 1929. Këtu i thotë lamtumirë edhe Fenerbahçes . Nuk do ta shohë për bukur 32 vjet. Vetëm më 30 shtator 1961 kur në Stadiumin “Dinamo” të Tiranës, sot “Selman Stërmasi”, luhet Partizani – Fenerbahçe 0-0 për Kupën Ballkanike. Në atë 30 shtator 1961, vetë Stërmasi, burri i madh i futbollit, themeluesi dhe drejtuesi legjendar i Sportklub Tiranës, ka qenë njëri nga spektatorët e turmës të ndeshjes Partizani – Fenerbahçe, e nuk e mendonte kurrsesi se mbas 30 e sa vjetëve ky stadium do të mbante emrin e tij. Po Stadiumi “Dinamo” do të kishte ndërkaq edhe një spektator tjetër të rangut më të rrallë sportiv: Dr. Vasfi Samimin, profesorin tonë të madh të veterenarisë; gazetari, studjuesi, portjeri i parë i Sportklub Tiranës dhe i Flamurtarit, i vetmi shqiptar i cili ia kishte arritur që në vitet 1928 dhe 1928 të vishte fanelën si portjer i po kësaj Fenerbahçe! Merrej me mend, nuk bëzante askush për këte fakt vetenak të historisë sonë sportive shqiptaro-turke, mbas atij madhështor për themeluesin e Galatasaray-t të Stambollit, Ali Sami Yen, birit të Sami Frashërit! Doemos në atë Shqipëri të mbyllur 1961, askush nuk ka guxuar të ftojë Dr. Samimin në pritjet me Fenerbahçen, si një protagonist historik, siç ishte ky portjer i saj ndër të parët. Logjika ta do se në atë “tmerr” të ndeshjes së Tiranës (kemi hyrë në stadium 6 orë përpara fillimit të ndeshjes, qysh në 10.00 të paradrekes), edhe Dr. Samimi do të ketë pasë jo pak vështirësi për të gjetë një biletë të mirë për ndeshjen…

Kështu apo ndryshe, Shqipëria kishte spektator në shkallët e gurta të Stadiumit “Dinamo” portjerin e dikurshëm të Fenerbahçes, por heshtja ndaj këtij kujtimi historik ishte shembullore. Fenerbahçe ishte skuadra e parë e një shteti të sistemit kapitalist që vinte në Shqipëri mbas skuadrës së Barit më 1938, plot 23 vjet më mbas. E kush guxonte të përmendte Dr. Samimin si portjer të Fenerbahçes?...

E, le ta lëmë për një çast digresionin për episode të Shqipërisë së Mbasluftës dhe të qëndrojmë te aktualiteti i Shqipërisë së Mbretërisë së Ahmet Zogut…

Dr. Samimi është kthyer kësisoji në Shqipëri, më 1929. Ftesa zyrtare vinte prej Ministrisë së Bujqësisë dhe të Pyjeve, tash të Mbretërisë Shqiptare. Një ftesë që shoqërohet me një letër personale të të famshmit Dr. Bilal Golemi: “Shqipëria ka shumë nevojë për veterinerë, mjekë e tjerë… çdo intelektual, kudo që të ndodhet, këtu do të pritet mirë…”,- i shkruante shkencëtari i madh. Dhe viti 1929 e gjen Doktorin tonë në drejtim të Seksionit Zooteknik të Ministrisë.

Ndërkaq, për sportin shqiptar viti 1929 është një vit historik. Për herë të parë Shqipëria organizon Kampionatin e saj të parë Kombëtar sportiv, atë të atletikës së lehtë. Një vit më vonë, më 1930, atë të futbollit. Veçan me të dy këto sporte do të ketë fort punë Dr. Vasfi Samim Visoka, portjeri i Fenerbahçes së Stambollit i cili kthehej në Shqipëri mbas gati 15 vjetëve. Do t’i dilte për zot një veprimtarie gjigande. Edhe sportive, madje drejtpërsëdrejti në fushën sportive, dhe më fort në ate organizative. Natyrisht blegtoria, veterenaria, zooteknia, problemet e ekonomisë kombëtare, të mbijetesës së Mbretërisë së re, ishin mbi gjithçka. Dr. Bilal Golemi dhe Dr. Vasfi Samimi krijojnë të parin laborator biologjik, por papritmas Dekreti Mbretëror, nr. 79, i 13 qershorit 1930 do ta çojë Doktorin 25 vjeçar në krye të Zyrës veterinare të Vlorës mbasi qysh me një shkresë të 5 shkurtit 1929 qe emëruar veteriner i Vlorës.

Fati i Flamurtarit të Vlorës të gjente kështu edhe portjerin e tij të futbollit. Dr. Samimi ka qenë kështu një ndër portjerët e parë në futbollin shqiptar, mbasi më parë, siç e pamë, kishte qenë në futbollin e Turqisë. Në Shqipëri ai është i pari midis portierëve të sipërpërmednur Dovana, Marjani, Gurashi. Në një farë mënyre, me stilin e tij, Samimi është novatori dhe mësuesi i tyre. Falë edhe përvojës nga Turqia, nga Fenerbahçe.

Tash, më 1930, do t’i takonte të ishte një prej themeluesve të Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë.

Do ta fillonte pra, si portjer i Flamurtarit të Vlorës wë atë vit luante me emrin Vlora. Në albumin e tij fotografik janë një tufë fotosh që e tregojnë si portjer të Vlorës. Janë të jashtëzakonshme për historinë tonë. Paradoksi është se midis 11-shit vlonjat, portjeri ka veshjen më elegante dhe më ndërkombëtare njëkohësisht. Fanelë të errët, shpesh edhe gri, përherë dhe një kasketë tipike portjerësh të Evropës së viteve ’20-’30. Ky është stili elegant dhe plot sqimë i këtij portjeri të parë të futbollit shqiptar. Do ta ndjekin stilin e tij edhe Klani Marjani i Skenderbeu të Korçës, edhe Rudolf Gurashi i Sportklub Tiranës, edhe Niko Dovana i Teutës së Durrësit. Duken si vëllezër siamezë, ndonëse secili ka stilin e tij. Interesantja është se ndërsa tre prej tyre, Dr.Samimi, Marjani dhe Gurashi do të bëhen Kampionë të Shqipërisë, Niko Dovana i cili nuk ia arrin titullit, do t’iu rrëmbejë të treve fanelën e portjerit të Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e saj themeluese më 12 mars 1936, aq fort të vlerësuar prej Dr. Samimit, tregim i yni që do ta shpalosim më mbas…

Kampionati i Parë Kombëtar i Shqipërisë është përuruar në orën 15.30 të 6 prillit 1930

kur 6 skuadra shqiptare i jepnin jetë atij: SK Tirana, Skenderbeu i Korçës, Bashkimi Shkodran, Teuta e Durrësit, Urani i Elbasanit dhe Vlora. Ndodh që mu në Vlorë Skenderbeu humbet 0-2 prej Vlorës edhe pse Anton Mazreku i skuadrës korçare, bën çmosin për të tijtë duke “treguar një përmirësim të çmuar”, siç përcakton shtypi për njeriun që do të shpikë për Shqipërinë radiokronikën e parë sportive. Por këtu ne na intereson skuadra vlonjate. Eshtë një ndeshje që pasqyron gjithë frymën e një epoke. 100 paraushtarakë të armatosur ruajnë sigurinë e ndeshjes në Fushën e Vlorës! Befasia e parë e kampionatit është fakti se në këte ndeshje luan një portjer me diplomë universitare të Stambollit, i cili ka veshur edhe fanelën e Fenerbahçes: Dr. Vasfi Samimi! Befasia e dytë është se ndeshjen e gjykon arbitri italian Carlo Lorenzo dhe nën vërshëllimëne tij skuadra e Vlorës rrëmben një fitore të bujshme për kohën: 2-0 Skenderbeut të Korçës që mendohej si mëtuese e titullit kampion. Do të shpallej kampion vetëm mbas tre vjetëve, më 1933, dhe për çudi me një titull që do të nënshkruhej prej një trajneri që gjithashtu vinte nga shkolla e futbollit të Turqisë: Qemal Omari, lojtar i Kombëtares turke, sekretar i përgjithshëm i federatës së futbollit të Stambollit, gjyqtar ndërkombëtar (vetëm pak ditë më parë se të vinte në Korçë (1932) ai kishte gjykuar ndeshjen Fenerbahçe – Gallatasaraj), një prej themeluesve të klubit tjetër stambollian, atij Istanbulspor, lojtar i të cilit kishte qenë. E bashkë me te do të vijë edhe një futbollist tjetër nga Turqia, sulmuesi i mrekullueshëm Tefik Agaj! Për çudi një përvojë turke endej mbi fillimet e kampionateve shqiptare…

Por le të mbetemi te viti 1930 dhe te fitorja e bujshme e Flamurtarit, e cila do të bëhej shkaku parësor dhe i vetëm i humbjes së titullit të Skenderbeut, i cili në fund do të jetë po me 14 pikë sa dhe SK Tirana!...

“Kjo ka qenë vërtet një ngjarje e papritur, - shkruan “Gazeta Shqiptare” e 12 prillit 1930, - Dhe vërtet skuadra e Vlorës me qenë se nuk ka përballuar asnjë ndeshje preliminare, me qëllim rreshtimi dhe njohjeje ma të mirë nga ana e të gjithëve, përfaqësonte pak pikëpyetjen, dhe kjo u përfundua me një fitim të plotë dhe të ndritur mbi skuadrën mjaft të fortë dhe të dashur të Korçës”.

Nuk ishte prekë rrjeta e portjerit Samimi.

Por në ditën e dytë, 13 prill 1930, Sportklub Tirana i trondit tri herë rrjetat e portjerit “stambollian”. Jo për faj të tij. Shtypi përcakton qartë protagonistin tonë me këto tri fjalë kuptimplote: “Portieri i zot i Vlorës V.Samimi”. “Arbënia e Tiranës e 15 prillit 1930 shkruan: “Topi qëndron pothuaj se gjithmonë pranë portës së Vlorës, por portjeri i zot i saj Vasfi Samimi e pret pa reshtur”. Ndërsa gazeta “Ora”: “Nga lojtarët e Vlorës, vendin e parë e zen portjeri Samimi, i cili me zotësinë e tij shpëtoi portën”. “Gazeta Shqiptare”: “Portjeri i zot Dr. Vasfi Samimi pret pa reshtur”.

Këtu i shkruhet emri i plotë me gjithë titullin e profesionit. Për gjithë shekullin, madje deri më sot, ai do të mbetet në histori si i vetmi futbollist shqiptar me titullin e doktorit të shkruar gjithmonë: Dr. Vasfi Samimi! Them se i gjithë ky emërtim i tij kishte të bënte me autoritetin e tij. Më tej “Gazeta Shqiptare” është më origjinalja, teksa shkruan në faqen e parë: “Në Tiranë erdhi me një javë leje veterineri i Vlorës Dr. Vasfi Samimi dhe me këte rast mori pjesë në matchin si portjer”. Dr. Samimit do t’i përzihesh përgjithmonë sporti me blegtorinë.

Sidoqoftë, në ndeshjen e Tiranës, me sa dukej, gjithçka kishte qenë për më tepër se 3-0. Dr. Samimi kishte ndalë katastrofën e përtejme.

Kur mbërrin Java 4 e Kampionatit, ajo e 27 prillit 1930 dhe është Vlora – Bashkimi Shkodran 1-1, shtypi shpërthen mu për portjerin: “Dr. Samim një portjer i përkryer që ka bërë çudira”. Sepse skuadra shkodrane ekzekuton jo pak, por plot 19 korne, të cilat të gjitha i sundon Dr.Samimi!

1 qershori 1930, ditë e duelit të kthimit Shkodër – Vlorë, Java 8 e Kampionatit, i fituar ngushtësisht prej Bashkimit Shkodran, në ecurinë e saj dramatike, ka përsëri një protagonist të vetëm: portjerin e Vlorës, Dr. Vasfi Samimin. Kjo është ndeshja së cilës falë kërkimeve tona të fundit ia arritëm të zbulojmë edhe se cili ishte 11-shi i skuadrës së Vlorës, çka nuk kemi mundur ta zbulonim as kur kemi botuar “Historia e Kampionateve të Shqipërisë, - Vittet ’30”. Tek është:

VLORA: Dr.Samimi; Abedini, Remziu; Nexhati, Kosta,Vasili; Malo, Apostoli, Xhevdeti, Sallata, Fishta.

E drejtuar prej gjyqtarit Anton Fekeçi, në vetëpërmbajtjen e saj kjo ndeshje e luajtur në Fushën e Vjetër të Shkodrës, ecën nën epërsinë shkodrane, po ndërkaq, ajo paraqitet tejet e fortë në kundërshtimin midis synimeve të skuadrave. Në të ’20, lind kalimi Paç Koliqi – Rexhep Krasniqi (i famshmi Prof. Rexhep Krasniqi) dhe futbollisti shkodran i Kosovës tund rrjetën e Dr. Samimit. Të duket si një duel Profesori kundër Doktorit. E vërteta është se Bashkimi Shkodran (Vllaznia e sotme) gjatë gjithë pjesës së parë kishte erën në mbështetje, çka në pjesën e dytë i takon vlonjatëve. Dhe është pjesa e dytë ajo që duket se do të barazojë gjithçka, por më mbas Paç Koliqi – një nga futbollistët më mirë të Shqipërisë së kohës - arrin të shënojë golin e fitores së ngushtë 2-1 të shkodranëve. Ajo që na intereson për Dossier-in tonë është doemos loja e Dr. Samimit. Nënvizon gazeta “Ora”: “… Të dyja skuadrat kanë diftuem zotësi të madhe, dhe veçanërisht portjeri vlonjak”. Mandej gjejmë në faqen e parë të “Gazetës Shqiptare” këte përcaktim emblematik që si dhe citimet e tjera, po e japim gërmë për gërmë në drejtëshkrimin e mesëm të kohës:

“Portjeri i Vlorës, djalosh me dijeni sportive dhe tepër i zhdërvjelltë, ka ba mrekullina të ndigjueshme që çuditën gjithë publikun e shumtë q’ishte sjellun në fushën e lojës. Asoj portjerash asht vështirë me gjetë, dhe janë kudo fort të rrallë në Shqipëri dhe gjetkë. Dhe popullsia shkodrane, e cila din vërtet të çmojë ma s’mirit vleftën reale të lojtarëve gjithë, e duertrokiti me gjithë dashuni kurdoherë që priti shutet e forta të shkodranëve”.

Ky është përcaktimi më i fuqishëm që kemi gjetë për Dr.Samimin si portjer. Dhe është i “Gazetës Shqiptare” të vitit 1930, e cila në gazetarinë shqiptare të asokohe përfaqësonte një kompetencë më tepër në temat sportive, për shkak të një shkolle italiane që përfaqësonte, kur vështron se ishte edhe një ndjekëse e rregullt e Kampionatit të Italisë. Në këte ndeshje Dr. Samimi përveç të tjerave, ka nxitur edhe një “Fair Play” po të rrallë. Ai ka fituar duartrokitjet e publikut shkodran, me siguri për një interpretim që ka qenë sa sportiv për kah mjeshtria, po aq edhe human për kah interpretimi etik i lojës së tij.

Askush, prej publikut shkodran, ndoshta as vetë portjerri ynë, nuk mund të çonin nëpërmend se 19 vjet më vonë ky portjer 25 vjeçar i duartrokitur, do të “pushtonte” edhe një herë Shkodrën në vitin 1949, kur do të ngrinte dhe sendërtonte Stacionin e famshëm të Zooteknisë, që do të ishte nxitja e madhe për zhvillimin e blegtorisë së vetë Qytetit të Blegtorisë.

Jemi ende larg nga kjo, e ndërkaq, mbetemi te viti 1930 për të nënvizuar përcaktimin e mësipërm që “Gazeta Shqiptare” i jep Dr. Samimit, në të vërtetë një vlerë ndërkombëtare të nivelit të lojës së tij, kur shkruan e bardha në të zezë: “

“Asoj portjerash asht vështirë me gjetë, dhe janë kudo fort të rrallë në Shqipëri dhe gjetkë”.

Natyrisht. Ai vinte nga Fenerbahçe e Stambollit.

Sidoqoftë, ndonëse do të kishte portjerin më të mirë të Kampionatit, skuadra e Vlorës do të përfundonte një Kampionat të pafat. Vlora renditet e fundit (e 6-ta), me vetëm fitoren e saj të bujshme 2-0 ndaj Nënkampiones Skenderbeu, sepse ka një sulm të pafuqishëm (vetëm 4 gola të shënuar), por dhe një mbrojtje të cilën sado që mundohet ta organizojë Dr.Samimi, ajo nuk ia arrin. Këte e vërteton edhe fakti se pothuajse në të gjithë shkrimet kritike që do të zbulosh për ndeshjet e saj, ai që ngrihet mbi, është loja e portjerit të saj. Edhe fakti që Vlora pëson 13 gola në të 10 ndeshjet e saj, më pak se Bashkimi Shkodran, Teuta e Durrësit dhe Urani i Elbasanit, që renditen më lart saj, tregon se sa i rëndësishëm ka qenë portjeri i saj. Flet për këte edhe ngushtësia e shumicës së humbjeve të skuadrës vlonjate.

Dr. Samimi e kishte dhënë kështu kontributin e tij të madh, duke i treguar Shqipërisë për herë të parë interpretimin modern për kohën që një portjer paraqet. Ka qenë një ndikim i pazakontë. Protagonisti ynë është vërtet ashtu siç kemi sipërthënë: themeluesi i lojës së portjerëve në Kampionatin Shqiptar. Do ta imitonin të gjithë. Ose për të qenë më të drejtë, të gjithë ata pak portjerë që kishte Shqipëria asokohe, do të përpiqeshin që të rrëmbenin prej stilit të tij. Dhe është e padyshimtë se Dr. Samimi me shpirtin e tij të gjërë nuk qëndronte indiferent, e çka shihet përreth, me zemrën e gjërë të pedagogut, ai do të përpiqet të përhapë shkollën e tij ”turke” të portjerit. Kaq i mjaftonte, ndonëse fati i kishte ruajtur edhe atij nderimin e madh: do të bëhej Kampion i Shqipërisë, një kampion krejt i veçantë në kuptimin klasik që një titull kampioni përmban.

Ndërsa përherë ai do të mbetej mësuesi, pedagogu, madje trajneri i mbrenda dhe i jashtë lojës….



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: