Flora Durmishi: Intervistë me Venera Mehmetagaj Kajtazi – flautiste
| E Shtune, 21.05.2011, 06:59 PM |

 

Venera Mehmetagaj Kajtazi – flautiste

 

Nuk e dija peshën e gjithë asaj që po përjetoja

 

Nga Flora Durmishi

 

Flautistja e mirënjohur Venera Mehmetagaj Kajtazi, është një emër tjetër i respektuar i elitës artistike kosovare.

 

Venera u lind më 25 mars të vitit 1960 në Prizren. Rrjedh nga nje familje artistesh. Nena e Veneres zonja Sevime Gjinali, kompozitore, është edhe femra e parë shqiptare që ka kryer Akademinë e Muzikës.Tezet e Venerës, veterane të arsimit ndërsa gjyshi I saj ka kënduar shumë bukur. Dhe kështu s’ka si të jetë ndryshe, krejt natyrshëm edhe Venera u lind dhe u rrit në një ambient ku dominonte muzika dhe dashuria për artin. Ninulat e saj ishin ndryshe nga ato të zakonshmet, ajo flinte me Shopenin por edhe me këngët që I kompononte e ema.  Lodrat e saj kanë qenë jo vetëm kukullat por edhe instrumentet muzikore na rrëfen e ëma e saj zonja Sevime Gjinali. Prej moshes 3-4 vjecare Venera luante me piano, ndersa në moshën 5 vjecare filloi mësimet për këtë instrument . Por krejt pa pritur ra në dashuri në shikim të parë me një instrument tjetër.

 

Venera, ke filluar orë për piano ndërsa u dashurove në shikim të parë me flautin! Si ndodhi?

 

Ishte në modë, aso kohe,që të gjithë fëmijët të luain në dy instrumente, piano dhe violinë. Me që nëna ime kishte kryer Akademinë e Muzikës dhe e kishte instrument të preferuar pianon edhe dëshira ime fillimisht ishte që të regjistrohesha në shkollë të muzikës dhe fillova mësimet në piano. Shkova dy ose tri vjet, nuk më kujtohet, por disi jo me shumë dëshirë, si me zor. Nnjë ditë prej ditësh, shkuam me nanën në një koncert dhe aty e pashë një flautiste. Dhe, aty për aty, më bëri për vete tingulli, timbri I instrumentit të flautit dhe menjëherë I thash nënës: unë dua flaut nuk dua piano. Ajo menjëherë bisëdoi me profesorin I cili ishte një kroat një professor jashtëzakonisht I mirë  Josip Barishici I cili atë kohë jepte të gjitha instrumentet frymore.

 

Shkollën e ulët të muzikës e kreve për dy vjet ndërsa të mesmen për tri!

 

Ka dashur fati që programin e kaloja shumë shpejt.

 

Të kujtohet momenti kur edhe u bëre pronare e flautit të parë?

 

Kjo ndodhi kur unë isha ende në Prizren,. Një flaut e përdornim dy tre veta. Nana  porositi të madhen Nexhmije Pagarusha, e cila shkonte në Gjermani, që të ma blejë flautin. Dhe kështu, Nexhmija ma solli flautin e parë. Ka qenë Perll, e cila flaut më ka shoqëruar disa vjet.

 

Me gjithë fillimin e mirë dhe pasionin për flautin skenën për herë parë e ka prekur si balerinë!

 

Isha në klasën e dytë apo të tretë fillore në Prizren, në një shfaqje për ditën e shkollës, tezja ime, Nedime Kabashi, e cila ka qenë veterane e arsimit dhe njëherësh edhe një prej anëtareve të para të Shoqërisë Kulturo Artistike “Agimi”, vendosi që unë të luaj balet ndërsa ajo këndoi. Kjo ishte pika e parë e muzikës klasike që më inspiroi dhe unë u mishërova me të dhe jam edhe sot e kësaj dite.

 

Ti ishe kudo ku kishte konkurse, koncerte…Kujtoj këtu një projekt që duhet vlerësuar “Takimet e talentëve të rinj”, si u përzgjodhe?

 

Ka qenë një project jashtëzakonisht I qëlluar. Kanë qenë takimet e talentëve të shkollave të ulta të muzikës. Projekt I inicuar nga prof. Fahri dhe Myrvete Beqiri . Më të dalluarit e koncerteve interne, nëpër shkollat e muzikës, merrnin pjesë në këto takime. Dhe unë isha njëri prej tyre!

 

Ishin pikërisht këto takime por edhe garat e ndryshme që organizoheshin në nivele të ndryshme kur ti re në sy për talentin e jashtëzakonshëm. Pikërisht atë kohë edhe u themelua Orkestri Simfonik I Radio Televizionit të Prishtinës dhe ty të bënë një ftesë për të qenë pjesë e këtij Orkestri ndërsa ishe vetëm 14 vjece!

 

Ishte kafshatë e madhe për mua, për një 14 vjecare, sepse edhe të qenit anëtar I një orkestri simfonik është një punë jashtëzakonisht e madhe, punë me përgjegjësi, punë e cila kërkon një rutinë orkestrale gjë që unë nuk e kisha mirëpo duke iu falënderuar kolegëve, më të vjetër, njëri prej tyre ka qenë ish profesori im I flautit, më ndihmuan që me hapa të shpejtë ta tejkaloj atë fillim të vështirë. Të jesh pjesë e një orkestëri e sidomos të jesh instrumentist ku flauti është pjesë solistike edhe në orkestër është përgjegjësi e madhe.

 

Sfidën e parë serioze ti e kalove me shumë sukses në moshën 15,16 vjecare. Ishte koncerti I parë si soliste me Orkestrin Simfonik nën dirigjimin e Bahri Celës. Luajte koncertin e Vivaldit. Të kujtohet ky moment?

 

Po si. Por unë dua të përmend një moment tjetër: Pas dy vjetësh nga ky koncert, erdhi si mysafir në orkestrin tonë dirigjenti Ferdinand Deda. Ishte viti 1978. Ai solli një vepër të Feim Ibrahimit e cila ishte kompozuar për flaut, variacione për flaut dhe orkestër të madh simfonik. Ferdinand Deda do të qëndronte vetëm një javë. Kjo nënkuptonte  që atë partë që solli ai ta luajë një flautist këtu. Ma ofruan mua. Për një javë e përgatita përmendësh. Ai u cudit që për një kohë kaq të shkurtër e përkatita. Këtë vepër pastaj, pas një viti, kur orkestri ynë shkoi për një muaj në turne në Shqipëri, e luajta  cdo mbrëmje. Kjo vepër më pas u regjistrua në pllakë gramafoni. Radio Televizioni I Beogradit e regjistroi pllakën e orkestrit tonë me vepra të kompozitorëve shqiptarë në të cilën ishte edhe kjo pjesë që unë e luajta.

 

Feim Ibrahimi ishte jashtëzakonisht I kënaqur me këtë interpretim kështu që u inspirua që të kompozojë edhe shumë vepra të tjera që t’I luaje ti. Kam përshtypjen se Tirana u bë pjesë shumë e rëndësishme e karrierës tënde profesionale dhe ecjes drejt shkëlqimit apo jo?  

 

Po ke të drejtë. Fehim Ibrahimi më pas ka kompozuar edhe vepra të tjera që t’I luaj unë. Një vit më vonë, së bashku me këngëtaren tonë të cilën e dua shumë Shpresa Gashin, na ftuan të qëndrojmë në Tiranë një muaj dhe të bëjmë incizime për Radio Televizionin Shqiptar, të mbajmë koncerte dhe të bëjmë edhe specializime. Unë punova me Gjovalin Shestanin e Shpresa me Jorgjia Trujën.

 

C’përvojë ishte ajo për ty?

 

Nuk do ta harroj kurrë atë përvojë.  Pas një viti, mua më ftuan përsëri dhe përsëri punova me Gjovalin Shestanin. Ishte viti 1981. Punuam vepra të reja. Kur e mendoj atë kohë ishte si ëndërr kur mua m’u kishin hapur aq shumë dyer! Kur e kujtoj sot se si një orkestër simfonik, I RTSH-së, aq kualitativ, ishte në dispozicionin tim!. Gjovalin Shestani ishte I liruar prej të gjitha punëve tjera. Ai ishte professor në Akademinë e Arteve, ishte flautist në Orkestër, por ishte I liruar prej të gjithave vetëm që të më përgatisë mua. Ai I luante veprat e ndryshme shqiptare, të panjohura për mua, sepse këtu për arësyet që dihen nuk ishin të preferueshme edhe aq që të luheshin. Ka ndodhur që nëse mua më pëlqente ndonjë vepër, pavarësisht se nuk ishte e orkestruar për flaut, nuk ishte e kompozuar për flaut dhe orkestër, kompozitorët ishin menjëherë të gatshëm ta orkestronin atë. Unë tash kur mendoj them: O Zot a është e mundur që unë e kam përjektuar këtë. Isha shumë e re dhe nuk e kam ditur peshën e gjithë kësaj që unë kam përjetuar. 

Prej prof. Gjovalinit kam përfitu shumë. Ai ka punu 8 orë pa u kursyer fare.  Një program për koncertin që zgjati 2 orë, me krejt vepra të reja, u desh ta përgatisim për një muaj! U desh t’I  mësoj përmendësh dhe arritëm ta mbaj edhe koncertin solistik në sallën e Operas dhe Baletit. Bëmë edhe regjistrime për radio e telebvizion. Këtë përvojë nuk e harroj dot sidomos me dy dirigjentët Ferdinand Deda dhe Eno Kocon me të cilët kam pasur kënaqësi të madhe të punoj.

 

Këto vepra ti pastaj I solle edhe në Kosovë, dhe jo vetëm. Pavarësisht që nuk ishin aq të preferuara këtu, ti I luajte edhe në Zagrb e vende të tjera.

 

Pikërisht gjatë qëndrimit tim në Shqipëri edhe kompozitori I madh Qesk Zadeja  e kompozoi një vepër enkas për mua, për flaut dhe orkestër, improvizim me pik, të cilën vepër pastaj unë gjatë qëndrimit tim në Zagreb, ku isha e ftuar nga Orkestri Simfonik I Zagrebit, ata kërkuan që unë dicka të incizoj me atë orkestër. Unë insistova që pikërisht këtë vepër ta incizoj me orkestrin e TVZ . Pra TVZ e ka këtë incizim të veprës së Cesk Zadesë.

 

Me që jemi te Zagrebi, le të flasim pak për përvojen tënde atje. Disa dirigjentë me të cilët ke punuar edhe sot flasin për ty në superlativ.

 

Atë kohë ende isha studente. Mbaj mend, ishin takimet e Akademive të të gjitha kryeqyteteve  të republikave të Ish Jugosllavisë. Atë vit mbaheshin takimet në Rovinj dhe ishin ndërkombëtare. Tre më të sukseshmit e këtyre takimeve, që zgjatën gati një javë, do të luanin me Orkestrin Simfonik të Radio Televizionit të Zagrebit. Unë fitova dhe kështu pata fatin të luaj me atë orkestër. Ishim një violinist gjerman, një pianist kroat dhe unë. Dirigjent ishte Mlladen Jagusht. Pastaj incizova edhe me Igor Kuleriqin-dirigjenti tashme I ndjerë kroat. Fati im I madh ishte që unë përjetova që të luajë edhe në sallën Vatrosllav Lisinski. Për një interpretues është shumë me rëndësi ku merr pjesë dhe me cfarë orkestri luan. Isha e mahnitur me atë bukuri të asaj salle. Ka pasur transmetim të drejtëpërdrejtë. Unë luaja atje ndërsa prindërit e mi më ndiqnin këtu në Kosovë.

 

Punën tënde e ke përmbledhur në një CD por kjo ndodhi vetëm pas 30 vjetësh. Pse kaq vonë?

 

Nuk ka pasur ndonjë interesim. Atëherë nuk ka pasur CD, kanë qenë kaseta. Kjo lloj muzike edhe sot e kësaj dite nuk është profitabile kështu që nuk ka pasur interesim për ta botu ose për ta shitur për ta komercializu këtë lloj muzike. Icizimet ekzistonin edhe këtu edhe në TVSH kështu që, unë e bëra një përmbledhje me ato incizime që ishin të gatshme me orkestrin e RTSH-së dhe orkestrin simfoik të RTP-së dhe botova CD-në time të parë e cila poashtu nuk ka qenë në shitje por është dhuruar miqve të mi. Thjesht me këtë CD e shënova 30 vjetorin e karrierës time.

 

Derisa ishe në Tiranë, në vitin 1981, ti re në sy të një flautisti francez të përmasave botërore, Alien Marion, tashmë I ndjerë. Ai të dëgjoi dhe i pëlqeve shumë dhe menjëherë të ftoi në Paris!

 

Po, më dëgjoi dhe I pëlqeva.Unë dëshiroj që ti të vish në Paris dhe të bësh specializimin me mua, më tha. Aso kohe Tedi Papavrami ishte I vogël por pikërisht ky professor e kishte dëgjuar dhe edhe atë e ka marrë në Paris. Tedi sot e kësaj dite është atje.

 

Mirëpo ti në Paris punoje edhe me një tjetër professor!

 

Po, unë vazhdoja specializimin me professor Marion mirëpo për shkak se ai udhëtonte shumë shpesh nëpër botë për të koncertuar kërkova të punoj edhe me një professor tjetër. Dhe kështu ushtroja edhe me Pierre Iv Varto-flautist gjithashtu shumë I njohur francez. Por Alien Marion më mori në Akademi Dede në Nisë  ku ai mbante kurset verore që zgjasnin 3 muaj dhe 1 vit unë isha demonstratore e tij, e disa veprave muzikore. Tani kur e mendoj nuk ka qenë edhe punë e vogël të jesh demonstratore si asistente e një profesori me emër kaq të madh, ku merrnin pjesë flautistë nga e gjithë bota. Akademi Dede është një kurs veror I njohur në tërë botën.

 

Dyert për ty gjithandej ishin të hapura por ti qëndrove në Kosovë! Pse?

 

Kam pasur mundësi të qëndroj në Paris, sidomos në Kroaci. Kam pasur edhe ofetra të jem edhe pjesë e orkestres kroate mirëpo, atë kohë mendoja se nuk është problem, shkoj kur të dua në Kroaci, kur të dua në Francë, pse të mos jetoj këtu dhe të jap kontributin tim këtu. Atë që unë e kam përfitu gjatë udhëtimeve të mia, gjatë studimeve, gjatë kontakteve me flautistë të njohur, dëshiroja ta përcjell te nxënësit e mi, ta ndaj me studentët e mi, me flautistët e rinj këtu në Kosovë.

E dija që Kosova ka nevojë, e ndieja këtë!

 

Venerë, ti dhe orkestra ecët bashkë, u rritët bashkë, duhet të jesh krenare për këtë!

 

Unë jam rritë me orkestrin dhe sot e kësaj dite edhe si anëtare e filharmonisë së Kosovës , unë thjesht ndiej nevojë, unë nuk mundem pa orkestër, jam rritë me të. Orkestrën e ndiej si familje.

 

Magjistraturën e kreve në Maqedoni te flautisti gjithashtu shumë I njohur Nikolla Atanasov. Pse në Shkup kur ti specializimet I ke bërë kryesisht në Tiranë dhe Paris?

 

Kur u ktheva nga Franca, nuk ishte në modë magjistratira! Psh. Profesorët e mi nuk kanë magjistruar madje, profesori im, më thoshte: ty nuk të duhet magjistratura asgje! Ti po koncerton dhe kjo është diplomë për ty. Mirëpo kur erdha këtu, kërkohej një letër më tepër! E regjistrova në Shkup.I plotësoja të gjitha kriteret. Duhej të kishe biografi të pasur, veprimtari artistike, kështu që u pranova vetëm unë dhe e mbarova për dy vjet me notën më të lartë.

 

Venera në Izmir shkove për të mbajtur një koncert ndërsa mbajte dy! Si ndodhi?

 

Izmiri ndodhi kur unë isha në Shqipëri. Atje kishte ardhur dirigjenti I njohur Hikmet Shimshek. Kishte dëgjuar disa incizime të miat dhe pa u takuar fare me mua kishte thënë se kjo flautiste dëshiroj të vijë në Izmir të mbajë një koncert sepse kemi një orkestër jashtëzakonisht të mirë madje edhe kishte caktuar se cka të luaj. Kishte kërkuar që të luaj Mocartin në sol mazhor. Shkova për një koncert por interesimi ishte aq I madh sa që më lutën ta mbaj, ta përsëris të njejtin koncert edhe të nesërmen. Orkestri ishte shumë I mirë, shumë kualitativ. Atë kohë kishte edhe paragjykime se Turqia nuk mund të ketë një të tillë orkestër të muzikës klasike mirëpo unë u befasova. Kishte instrumentistë nga Franca dhe vende të tjera. Kështu unë këndhsëm u befasova. Ishin dy koncerte shumë të sukseshme.    

 

Nuk mund të mos e përmend këtu edhe Egjiptin. Ti atje konkurrove me nivelet botërore.

 

Pas 10 vjetësh që unë kasha humbur lidhjet me shoqen time, flautisten e mirënjohur, e cila është zgjedhur edhe një ndër 9 femrat më të sukseshme egjiptiane, Ines Abdel Daim. Ne kemi koncertu bashkë edhe në Paris. U rilidhëm bashkë. Ajo më ftoi që të mbajmë një koncert së bashku me Orkestrin Simfonik të Kajros. Për mua ishte nder I madh se kur pashë se cfarë artistë kanë marrë pjesë, kanë koncertu me atë orkestër, ishtë vërtetë kënaqësi dhe nder për mua. Mbajtëm dy koncerte, një në Aleksandri, në një sallë të bukur dhe një në sallën e Operës së Kajros.

 

Venerë, cilat janë përparësitë e të qenit soliste e një  Orkestri?

 

Kulminacioni I një artisti I cili, tërë jetëm ia kushton një instrumenti, është kur një artist arrinë që të koncertojë si solist me një orkestër. Dihet që secila orkestër nuk pranon cfardo solisti, sepse është niveli I orkestrit që mund të bie, varësisht nga solisti. Unë kam pasur nderin të koncertoj me orkestra të ndryshme. Po të mos koncertosh me orkestër, sipas meje, asgjë nuk ke bërë se, me piano nuk është problem të mbash koncerte ose edhe solo. Kam mbajtur disa herë koncerte me orkestrën simfonike të Shqipërisë pastaj me ansamble të ndryshme si me Amra-n, me Orkestrin Simfonik të Zagrebit, të Beogradit, Maqedonisë, Kajros etj.etj.

 

Shumë nga ata që kam intervistuar për ju, thonë se ju keni arritur majat, po ju vetë cfarë mendoni?

 

Oh jo, ajo majë as nuk shifet, nuk mund të them ashtu! Unë kam arritur atë që unë kam pasur synim. Në fillim kur unë fillova të merresha me flaut, isha shumë e vogël. Mbaj mend, kur shkoja në gara të ndryshme, ëndërr e kisha që të arrij atë nivel që ta mbaj një koncert në Zagreb ose Lublanë, në këto qytetet e mëdha të ish Jugosllavisë. Unë atë e arrita por nuk mund të them që majat janë arritur. Ende ka punë por unë nuk kam më ambicje që të mbaj ashtu koncerte qysh kam mbajtur. Kam familjen. Ai që do të bëjë karrierë dicka duhet të sakrifikojë.

 

Me që jemi te familja, shumë artistë për karrierë kanë sakrifikuar familjen, e shumë të tjerë karrierën. Por si ka ndodhur me ty?

 

Familja do të thotë shumë për mua. Kam dy fëmijë të mrekullueshëm, Rronin dhe Ritën të cilët nuk merren me muzikë edhe pse janë të talentuar. Kanë vesh për muzikë por unë nuk ua kam imponuar se muzika nuk shkon me imponim.

Unë nuk dëshiroj që familja ime, fëmijët dhe bashkëshorti im Vetoni, të ndiejnë që po jetojnë me një artiste, ku ka me ju mungu dreka dhe ajo që I takon cdo gruaje, cdo bashëshorteje. Kështu ata nuk e ndiejnë as mungesën e nënës, të gjitha punët I koordinoj, edhe ushtrimet në atë kohë kur atyre nuk u pengon. Kemi gjetur një gjuhë të përbashkët. Ata nuk e ndiejnë që po jetojnë me një artiste të cilës nuk I intereson asgjë përvec koncerteve.

 

Le të shfletojmë edhe pak karrierën twnde. Ke një numër të madh të koncerteve recitale të cilat mbahen mend edhe sot!

 

Po kam pasur shumë recitale sidomos në Paris, me një pianiste greke shumë të njohur, Dhespina Jorganopollu. Pastaj në Gjermani, Spanjë, në të gjitha qytetet e ish Jugosllavisë, në Havanë etj.etj.Është një numër I madh I tyre.

 

Gjithë këtë bagazh muzikor që ke patur dhe ke, dhe që ke akumuluar ndër vite, ti ua transmeton studentëve tu. Le të flasim pak edhe për përvojen e pedagoges dhe emocionit që sjell ky profesion!

 

Kam filluar si pedagoge në shkollën e muzikës këtu në Prishtinë. Pastaj kam punuar në shkollë të mesme dhe prej shumë vjetësh edhe në Akademinë e Muzikës. Është edhe kënaqësi por edhe përgjegjësi se puna yte shihet në bazë të dikujt tjetër.

 

Por ne ende nuk po shohim flautist të nivelit tënd!

 

Jo, jo, ka por tash është koha e tillë që nuk po mund të vijnë në shprehje p.sh një student I imi është pranuar në Itali, për studime master, me maksimumin e poenave. Ka talent jashtëzakonisht të mirë. Kam studentë jashtëzakonisht të talentuar që mund dhe na prezantojnë edhe jasht vendit.

 

Kush ka qenë modeli yt, ndonjë flautist I cili ka ndikuar në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme?

 

E pata fituar një pllakë me koncertin e Johan Joakim Kvancit, për flaut dhe orkestër, të cilin e luante Rampalli. Unë atë e kisha ëndërr!I thash vetes: Kur arrij këtë koncert ta luaj atëherë them se kam realizuar ëndrrën. Ende atë koncert e dua shumë. Natyrisht që Zhan Pjer Rampalli ka qenë model për shumë flautistë. Profesori im, Allien Marion, ka qenë asistent I tij, në fillimet e tij  gjë që unë arrita të shkoj afër tij.

 

Ndonjë këshillë të përgjithshme për flautistët ose ndoshta ndonjë paralajmërim para se ata të vendosin të merren me këtë instrument?

 

Natyrisht që përvec talentit është edhe puna. Njeriu duhet të sakrifikojë shumë, nëse dëshiron të merret me këtë punë, nëse dëshiron një karrierë të sukseshme. Unë kam sakrifikuar rininë time. Isha nxënëse e shkollës së mesme e më vonë edhe si studente, moshatarët e mi shkonin në disko, nëpër kafiteri. Unë ato nuk I kam përjetu mirëpo, në anën tjetër, kam pasur një satisfakcion se kam koncertu jasht vendit. Kam përfaqësu si shqiptare edhe ish Jugosllavinë p.sh. si në Havanë ose në Kongresin e Rinisë muzikore në Zagreb, në Gjermani e vende të tjera. Për mua kjo mjaftonte.Thjesht nuk kam pasur kohë ta jetoj jetën e moshatarëve të mi. Pra duhet shumë punë dhe të sakrifikoj shumcka.

 

Bahu ka qenë kompozitori më I dashur për ty. Vazhdon të jetë edhe sot?

 

Po Bahu është I dashur për shumkë por unë më me kënaqësi I luaj veprat e kompozitorëve të cilët edhe vetë kanë qenë flautist si Kvanci, Devijeni, Anderseni, Dopleri sepse janë të shkruara pikërisht për flaut. Kompozitori I cili e njeh instrumentin mirë vetë, është edhe më lehtë të luhen veprat e tij.

 

Ke provuar të kopozosh edhe vetë?

 

Jo nuk komonoj mirëpo pikërisht këtë koncertin e Kvancit të cilin e luajta me Filharmoninë e Kosovës, kadencën, unë vetë e kam bërë, kështu që improvizoj shpesh. Edhe improvizimi është një lloj kompozimi por që nuk shkruhet me nota, sepse kadencat e shumë koncerteve instrumentisti vetë I bën.

 

Improvizime të tilla ke bërë shpesh….

 

Në Havanë unë u prezantova me dy koncerte solistike mirëpo aty ishte edhe baleti slloven. Ata kishin harruar kasetën e tyre. Më lutën që të improvizoj në bazë të lëvizjeve dhe unë e bëra këtë. Pastaj improvizova edhe gjatë recitalit të një aktori të njohur.

 

Të ta kujtoj unë një? Në Zagreb ke improvizuar duke përcjellur një shfacje të studentëve të Prishtinës. Unë isha pjesë e asj shfacjeje. Edhe neve na dështoi kaseta. Pianistja që ishte me ty na refuzoi ndërsa ti na dole në ndihmë. Ju mund ta keni harruar këtë moment!

 

E paskam bërë? Gëzohem që paskam ndihmuar! Nuk më kujtohet të them të drejtën.

 

Në programin tënd përherë mundohesh të luash edhe kompozitorët shqiptarë.

 

Po sigurisht. Unë edhe në CD që kam botuar kam 80%kompozitorët shqiptarë. Fatkeqësisht kompozitorë nga Kosova ka shumë pak që kanë kompozuar për flaut përvec Valtonit pastaj Rafet Rudit, e ka një vepër shumë të mirë që e pata luajtur në Spanjë me Vivendin dhe Akil Koci, nuk kam pasur më tepër. Kompozitorët kosovarë më tepër duan të komponojnë për kor, për orkestër por jo kështu për instrumente solistike.

 

Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se vepra e tij I është dukur edhe më e bukur kur ju e keni luajtur. Cfarë në të vërtetë I keni dhënë asaj vepre?

 

Unë zakonisht u jam përkushtuar shumë veprave dhe I kam luajtur veprat që më kanë pëlqyer. Veprat që nuk I kam pëlqyer edhe nuk I kam luajtur. Këtë vepër e kompozoi kur unë e kisha recitalin me të. E shkroi shumë shpejt. Ai ashtu I shpejtë është por ai gjithmonë ia qëllon.  Ma dha veprën 3- 4 ditë përpara por mua më pëlqeu jashtëzakonisht shumë. Valtoni I di mundësitë e mia teknike, e di cka mund të jap, cka mund të nxjerr. Ajo vepër doli shumë e mirë edhe pse shpejt u përgatit.

 

Gjatë karrierës edhe jeni vlerësuar, këni marrë shumë cmime.

 

Po kam marrë shumë cmime por nuk dua t’I vecoj me që I dua të gjitha njësoj. Të gjitha më kanë sjellur shumë emocione.   

 

Gishtrinjtë janë ndoshta më të rëndësishmit për ty, ke kujdes të vecantë për ta apo?

 

Kur isha më e re dëshiroja të merresha edhe me karate por nëna nuk më pat lënë, tha duhet t’I ruash gishtrinjtë se mund t’I thesh e pastaj përshëndetu prej flautit.

 

Dhe në fund, dëshironi të thoni ndonjë gjë për të cilën nuk ju kam pyetur?

 

T’I jepet pak më shumë rëndësi kulturës. Mbaj mend kur unë isha anëtare e Orkestrit është investu shumë për atë orkestër simfonik. Ne kemi pasur muzicientë nga Polonia më të mirët, nga Rumania, ka qenë një orkestër e komletuar. Kemi marrë pjesë në Dubrovnik, unë isha soliste në Festivalin Ndërkombëtar pastaj në Opati mirëpo është investu në atë orkestër. U jepnin banesa muzicientëve. Unë aso kohe e kam pasur rrogën më të madhe se nëna ime që punonte në Akademi. Ndërsa tash nuk është ashtu e kjo më brengos. Shpresoj që do të vijë koha kur do të kujdeset shteti ynë më shumë për muzicientët sidomos për Filharmoninë e cila ende nuk është e kompletuar.

 

A është kjo arësyeja që muzicientët e rinj po shikojnë si të ikin nga Kosova?

 

Me siguri. Shikoni, një anëtar I Filharmonisë derisa të arrijë të jetë anëtar I Filharmonisë duhet 10=15 vjet të shkollohet. Gjithë ai investim e të paguhet vetëm 180 euro është vërtetë e pakuptimtë, është për të t’u dhimbsur. Natyrisht që ai I miri synon të dalë jasht sepse atje do të vlerësohet jashtëzakonisht shumë. Unë për nga natyra jam optimiste dhe shpresoj që një ditë do ta kuptojnë rëndësinë e një Filharmonie të mirëfilltë.

 

Thanë për Venera Mehmetagaj-Kajtazi

 

Dubravko Detoni-kopozitor dhe pianist I mirënjohur kroat

 

Flautistja Venera Mehmetagaj është artiste që ka arritur majat më të larta. Kam pasur fatin që kam bashkëpunuar me të disa herë  dhe cdo herë ka qenë përvojë e shkëlqyer. Ajo, jo vetëm që është muzikante e shkëlqyer por, ka edhe teknikë të përkryer. Është mjeshtër e instrumentit. Ka qenë përjetim I vecantë të punosh me të. Më kujtohet vecanërisht kur kemi regjistruar Bahun . Interpretimi I saj ishte I jashtëzakonshëm edhe pse është pjesë shumë e vështirë për interpretim por, ajo e kaluajtur në mënyrë virtuoze dhe të përkryer. Gjithashtu kam regjistruar me të disa herë kur ka luajtur bashkë me Orkestrën e Radio Televizionit të Zagrebit si producent artistik por kemi luajtur bashkë edhe nëpër festivale si në Opati e vende të tjera dhe gjithmonë ka qenë e mrekullueshme në nivelet më të larta të mundshme. Unë edhe sot jam krenar për regjistrimet që kemi bërë bashkë duke vlerësuar kështu artin muzikor të Venera Mehmetagaj.  

 

Jaksha Zlatar-kompozitor,pianist dhe poet nga Zagrebi

 

Ka më shumë se 25 ndoshta edhe 30 vjet kur Venera erdhi në Zagreb dhe luajtëm bashkë për Rininë muzikore. Më ka mbetur në mendje ajo përvojë e bukur. Ka pasur një teknikë të përkryer, ka pasur një tingull jashtëzakonisht të bukur, të pastër. Ka qenë shumë e suksesshme atëherë por sigurisht që në ndërkohë është zhvilluar dhe ka ecur. Do të doja shumë që të kisha ndonjë regjistrim të saj, dhe do të më pëlqente që sërish të luaja me të. Më vjen keq që nuk jemi parë e as dëgjuar që para 25 vjetësh.

 

Eno Koco-dirigjent

 

Ka qenë viti 1980 kur ne bëmë tri regjistrime me Orkestrin Simfonik të Radio Televizionit. Venera luajti tri pjesë shqiptare. Ajo kishte studiuar në vendin e saj në Kosovë por ku I kishte mësuar këto pjesë? Ajo erdhi të bëjë një specializim të shkurtër me flautistin tonë të mirënjohur Gjovalin Shestani. Më bëri shumë përshtypje që pjesë shqiptare të kompozuara nga Limoz Dizdari, Tish Daija dhe Aleksandër Peci, të cilat ajo sigurisht nuk I kishte dëgjuar por për një kohë të shkurtër ajo I mësoi dhe jo vetëm I mësoi po I solli me një inerpretim shumë interesant për neve. Ne kishim atë traditën e shkollës së flautist, në Shqipëri, por kjo erdhi me një tjetër pamje! Nga pamja e jashtme ishte si një shtojzovalle që vinte nga një bukuri e vecantë por ta lëmë këtë gjë sepse ajo e mbulonte modestinë e saj. Kishte një modesti vërtetë të cuditshme që në mënyrën e të sjellurit, mënyrën e të luajturit, mënyrën e komportimit me Orkestrën, që na bëri të gjithëve ta admirojmë. Mbaj mend që kishte një lojë ndryshe nga ajo e zakonshmja me një intonacion shumë të bukur me një tingull kadife, me një përqim të tingullit kaq të natyrshëm dhe kaq të begatë sa që në castin e parë që filluam regjistrimet  të gjithë Orkestra dhe mbetëm të cuditur nga kjo gjë e vecantë. Kanë kaluar shumë vjet që atëherë dhe unë akoma më ka mbetur në mendje se ku e gjeti gjithë atë forcë, atë vullnet, gjithë atë dëshirë, gjithë atë passion. Ajo kishte repertorin e saj, mund të luante dicka tjetër por I studioi këto tri pjesë, bile disa prej tyre as nuk ishin për flaut sic ishte poema për violinë që e adaptoi Venera për herë të parë për flaut, sigurisht atëherë përmes Gjovalinit, dhe I dha një pamje të mrekullueshme. Janë tri incizime të cilat herë pas here kur bie rasti t’I dëgjoj them:cfarë begatie të tingullit dhe vizionit të saj muzikor që atëhere!

 

Jetmir Barbullushi-dirigjent

 

Venera është mike e imja, një muzikante e shkëlqyer. Kam luajtur dy koncerte me të, një në Tiranë dhe një në Prishtinë. Kam dhe ruaj respektin më të madh, në radhë të parë si muzikante pastaj edhe si njeri, por në atë bashkëpunim që kam pasur kam parë një muzikante me një eksperiencë të jashtëzakonshme, me një përvojë dhe me një timbrikë të flautit të vecantë që nuk e gjen kollaj te flautistët sepse është vetë instrumenti pak delikat për sa I përket tingullit por ajo duke punuar, duke pasur një eksperiencë shumë të madhe, qoftë me orkestër qoftë me pedagogë shumë të njohur, me të cilët ajo ka punuar, me sinqeritet them që e ruaj një respect të vecantë në kujtimet e mia në bashkëpunimet e mia me instrumentistët e frymës.

 

Zhani Ciko

 

Zonja Mehmetagaj është një emër I hershëm i njohur në Shqipëri. Fillimisht e kam njohur kur erdhi këtu për një stazh koncertor me flautistin tonë të mirënjohur Gjovalin Shestani dhe që atëherë la përshtypjen e një artisteje të ardhur nga Kosova të vecantë. Të vecantë për nga natyra e saj s’pari, e dyta nga interesat artistike dhe nga përgatitja e saj. Më pas kam pasur kontakte të tjera sidomos në periudhën kur midis Shqipërisë dhe Kosovës filluan të ikin barrierat e forta që u përpoqën në mënyrë të padrejtë historikisht të na ndajnë,Venera ishte një ndër artistet e preferuara. Unë pata rastin të punoj me të, fillimisht me Orkestrin e Filharmonisë së Kosovës, si në koncertet e para të saja, dhe aty ndjeva kënaqësinë e atyre mbresave që tashmë pas disa vitesh I përjetova përsëri. Më kujtohet që solot e saja të flautist, në koncertin e Cajkovskit për piano dhe orkestër, edhe në veprat e tjera, ishin ndër momentet solistike më të bukura të Orkestrës. Më pas në koncerte të tjera pata rastin të dirigjoj Venerën edhe në disa pjesë të tjera ndër të cilat më kujtohet Balada e Frank Martë për flaut dhe orkestër harqesh. Një vepër virtuoze shumë e ndjerë, shumë e lirë në konceptimin e saj kompozicional po kaq virtuoz edhe në parting e flautit. Kam mbresat më të mira nga ky koncert me Venerën  ashtu si edhe më pas kur e kam dëgjuar edhe me dirigjentë të tjerë që ka ardhur e ka performuar në Shqipëri. E quaj gjithmonë një person të formuar më së miri nga ana njerëzore, artistike që e do Shqipërinë, I do muzikantët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, pa diskutim, dhe sa herë që ne bashkohemi dalin në pah vlera artistike  sepse ato burojnë edhe nga shpirti edhe nga dëshira e përbashkët për të lartësuar artin instrumentor dhe muzikën shqiptare në përgjithësi të kombit tonë.  

 

 

Shpresa Gashi

 

Nëse me dikë I kam pasur marrëdhëniet e përsosura atëherë ajo është Venera dhe jo për shkak timin po për shkak të qiltërsisë së saj. Venera ka qenë dhe është symbol I talentit I miqësisë, I spiritiozitetit dhe bukurisë natyrisht, bukurisë së pa imponume. E theksoj te pa imponueme duke pasur parasysh sot kuazivlerat që donë me t’I nxjerrë sytë.

 

Valton Beqiri

 

Realisht kur një kompozitor e definon një vepër për një artist të caktuar, nënkupton që respekti është i madh për atë artist dhe pa asnjë hezitim e kam komponuar veprën edhe për Venerën madje ajo e ka ekzekutuar edhe më mirë se sa e kam pritur unë  kështu që është edhe meritë e saj që veprat e mia nën ekzekutimin e saj dalin edhe më të mira se sa janë shkruar.

 

Baki Jashari-dirigjent

Venera ka qenë dhe është një artiste e lindur. Më kujtohet koha kur në grupin tonë prej 11 nxënësve ajo është dalluar që në ditën e parë me që ajo ishte me flaut në klasë, përderisa ne të tjerët tek fillonim t’I mësonim notat e para, pentagramin, celsin, ajo vec kishte bërë një rrugë. Kishte një përvojë dhe kishte një casje, që atëherë, shumë profesionale, shumë e vendosur në rrugën e saj drejt karrierës që e ka arritur gjatë viteve në vijim.

Kemi qenë një kalsë shumë e suksesshme, një gjeneratë ku mes tjerëve ishte edhe Mendi Mengjiqi pastaj Merita Junikun, diva jonë, mezosopranoja jonë më e njohur e disa të tjerë por Venera vërtetë e kishte vendin e vecantë. Ajo ka pasur një talent të lindur të zhvilluar me passion më pas. Jam krenar që kam qenë në gjeneratë me të.

 

Pierre Iv

Ajo është një artiste e shkëlqyer. Ajo ka passion për profesionin e  saj si muzikante,

është përson jashtëzakonisht aktiv, dhe një muzikante profesioniste.

Sot me ju dua te ndaj kënaqësinë që kam ndier  gjate vizitës në Prishtinë, kur kam luajtur së bashku me te. Iishte një nga koncertet e para të pas luftës në orkestrën kombëtare. Luajta disa pjesw me te. Aty e  kuptova se sa të vështira ishin kushtet për punë pas atyre ngjarjeve të tmerrshme. Unë vlerësova shumë këtë qëndrim pozitiv, të Venerës në vacanti, dhe entuziazmin për muzikë dhe besimin se muzika nuk ishte thjeshtë nje argetim por është dhënie e një pikë gëzimi të tjerëve. Pra ishte një moment I vështirë për t’u përshkruar me fjalë por një ndjenjë e mrekullueshme në atë moment kur t’I kupton thellësisht brenda vetes se përse je muzikant. Kjo ishte edhe hera e parë që vizitova Kosovën. Njoha më mirë njerëzit e shtetit tuaj, vecanërisht muzikantët dhe Venerën. Unë falënderoj Venerën që më ka dhënë këtë rast që të vij dhe të ndaj momente muzikore me ta dhe Venerën.

 

Me Gjovalin Shestanin
Me Gjovalin Shestanin
Gjovalin Shestani

 

Të them të drejtën unë nuk e prisja që ajo të ishte me një talent të fuqishëm kur e njoha në fillim fare. Pastaj gjatë kohës që punova me te, disa herë, jo vetëm një vajzë jasht mase e talentume por edhe me një vullnet të fuqishëm për të ecë përpara. Ajo është një flautiste e shkëlqyer, soliste simfonike dhe solistike. Në Orkestër luante flautin e parë bile më kujtohet vazhdimisht dhe nuk më hiqet kurrë nga mendja vullneti dhe talenti I saj. Unë nuk kam pasur studenta më të fuqishëm se sa ajo, ka pasur edhe ndonjë tjetër dhe nuk mund t’I nënvleftësoj, por Venera Mehmetagaj më ka ngelur në kujtesë , një talente e jashtëzakonshme. Ajo kishte vullnet të qeliktë. Komunikimet me te kanë qenë jashtëzakonisht të ngrohta se ishte edhe vajzë shumë e edukume. Nuk besoj të vijë studente me talent kaq të fuqishëm se Venera nga Kosova.

 

Të nderuar lexues, ishte kjo  një pjesë e rrëfimit të Venerës për vete dhe vlerësimet e kolegëve e miqve të saj për punën dhe personalitetin e saj. 
Po themi një pjesë e rrëfimit, sepse ky është një rrëfim që vazhdon. Personazhi kryesor i këtij rrëfimi, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, është aktive, është plotë energji krijuese dhe plane që, shpresojmë , se do të kurorëzohen me suksese e vepra të reja.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: