Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi: Dinakëria greke dhe kisha Ortodokse Shqiptare
| E Shtune, 21.05.2011, 07:57 PM |

At Visarion Xhuvani
At Visarion Xhuvani
Dinakëria greke dhe kisha Ortodokse Shqiptare

 

Nga Nos Xhuvani, Pavli Haxhillazi

 

Dëshira e ortodoksëve shqiptarë për të pasur një Kishë të pavarur është e hershme. Atë e morën me vete ata që mërguan jashtë atdheut, në Amerikë, Rumani, Bullgari, Egjipt, ku gjetën truall të përshtatshëm shenjat e gjallërimit. Me shpalljen e pavarësisë 1912 dhe me formimin dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar më 1920 (Kongresi i Lushnjës), kjo dëshirë erdhi duke u gjallëruar, forcuar dhe mori trajta më konkrete. Ortodoksët shqiptarë, të udhëhequr nga kanoni kryesor "Kishë e lirë në shtet të lirë", kërkojnë që të gjitha ritualet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare. Organizimin shpirtëror në bazë të kanoneve të shenjta, zyrtarizimin dhe miratimin e tij është e nevojshme ta bëjë në radhë të parë shteti. Këtë nismë e mori Kostë Paftali, prefekti i Durrësit. Ai njoftoi telegrafisht prefekturat në vitin 1922 për domosdoshmërinë e organizimit të një tubimi për këtë qëllim të rëndësishëm. Çdo prefekturë do të zgjidhte nga dy delegatë, midis tyre kishte edhe klerikë shumë të njohur, si Arkimandrit Visarion Xhuvani, Arkimandrit Agathangjel Çamçja, Ikonom Vasil Marku, Papa Harallambi, Papa Josifi, etj.

Qeveria shqiptare u tregua mjaft e interesuar për çështjen shpirtërore dhe fetare të popullit të saj. Ajo i dërgoi një qarkore prefekturave dhe nënprefekturave për të mbështetur zgjedhjen e njerëzve atdhetarë, të cilët do të përkrahnin idenë e një kishe autoqefale shqiptare. Kundërshtarët e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare përhapën gënjeshtra sikur organizatore e mbledhjes së Kongresit të Parë Kishtar të Beratit ishte qeveria. Ahmet Zogu, atëherë ministër i Brendshëm, i hodhi poshtë këto shpifje. Kongresi kishtar ortodoks e shpalli autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare duke u mbështetur në kanonet apostolike dhe të sinodeve të lidhura shpirtërisht, dogmatikisht dhe apostolikisht me Kishën e madhe të Krishtit, me Patriarkanën e Stambollit. Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoksë për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë. Me vendimin Nr. 807 të datës 18-09-1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë së shtetit shqiptar (A.Q.Sh. fondi 251,dosja 1254, viti 1922).

 

Stambolli nuk nje kishën shqiptare

 

Këshilli i Naltë i zgjedhur në Kongres njoftoi të gjitha patriarkanat dhe kërkoi miratimin e Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, e cila nuk e miratoi autoqefalinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Dy delegacione njëri pas tjetrit shkuan në Stamboll dhe u takuan me Patriarkun. Në delegacionin e dytë morën pjesë deputetë, klerikë të shquar, personalitete të njohura të vendit, si At Vasil Marko, Dhosi Havjari, Vasil Avrami, deputeti Thoma Orolloga, At Harallamb Torka, Dhimitër Kacimbra, Simon Shuteriqi e Kristo Kirka. Me gjithë kërkesën e argumentuar bindshëm, Patriarku nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke vepruar me diplomaci për njohjen e pavarësisë së Kishës dhe jo për njohjen e autoqefalisë. Për njohjen e pavarësisë, pra theksojmë jo të autoqefalisë, Patriarku i Stambollit vuri këto kushte: (1) Peshkopët që do të zgjidhen prej popullit shqiptar duhet të jenë miratuar më parë prej tij; (2) Patriarkana ka të drejtën e vetos në miratimin e Kryepeshkopit; (3) Gjuha e vjetër e dëshirueshme e kishës, greqishtja, të zërë vendin e parë në Kishë.

Këto kërkesa të Patriarkanës së Stambollit hidhnin poshtë vendimet kryesore të Kongresit Kishtar të Beratit dhe opinioni atdhetar nuk u pajtua me këto kërkesa. Ndërkohë diskutimet u bënë të ashpra dhe kontradiktat ndërmjet atyre që ishin për autoqefalinë dhe atyre që i quanin të mjaftueshme propozimet e Patriarkut të Stambollit erdhën duke u thelluar. Zbatimi i vendimeve të Kongresit të Beratit u bë ngadalë sepse edhe dioqezat kryesore ishin pa titullarët e vet. Gjithashtu edhe gjendja financiare e kishave ishte shumë e dobët. Për të krijuar një gjendje më të favorshme Visarion Xhuvani më 1923, që atëherë ishte deputet dhe anëtar i Këshillit të Naltë, kërkoi nga Parlamenti ndihmë financiare prej 50000 franga ari. Ai iu drejtua Parlamentit me këto fjalë: " Kështu edhe nji herë ky Parlament t’i marri parasysh gjithë nevojat dhe gjendjen delikate të Kishës Autoqefale Kombëtare dhe të mos kursejë nje dhuratë të vogël që ka me prumun njisimin dhe shqiptarizimin e ortodoksëve, punë që ka aq vlerë për interesimin ma të naltë të shtetit në kohën e ardhme, sa nuk mund ta shpjegoj me kohën e pakët që kemi".( Bisedime të Këshillit Kombëtar, faqe 221, viti 1923)

Mbas disa diskutimesh Ahmet Zogu tha: "Asht e ditun se këto ndihma do të jepen jashtë buxhetit dhe nji shumë prej 50.000 frangash ari nuk asht gja e madhe. Qeveria pra, me gëzim e pranon dëshirën e komisionit të financave, që kjo shumë t'i dhurohet Këshillit të Naltë të Kishës Kombëtare". Në këtë rast Ahmet Zogu shprehu për herë të dytë vullnetin e mirë për të ndihmuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ai mbajti po këtë qëndrim në përkrahje të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare edhe në raste të tjera që do t'i shohim më poshtë. Ndihma e miratuar në Parlament i dha udhë zgjidhjes së problemeve të ngutshme të kishës sonë, por mungesa e Sinodit të Shenjtë me dhespotë kanonikë, të cilët do të drejtonin veprimtarinë kishtare për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Beratit, ishte pengesë e madhe. Mitropolitët kanë qenë: Jerotheu në Korçë, Kristofori në Berat dhe Noli në Durrës. Me veprimet e tyre këta titullarë u treguan të mefshtë dhe nuk plotësuan kërkesën e Kongresit të Beratit për të dorëzuar dy kandidaturat e mundshme, që atëherë ishin V. Xhuvani dhe A. Çamçja. Kaluan tre vjet nga Kongresi Kishtar i Beratit dhe zgjidhja po dukej disi e largët. Ndërkohë dioqeza e Durrësit mbeti pa Mitropolit.

Për të plotësuar këtë post të rëndësishëm kishtar dhe për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Beratit, Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ngarkoi Visarion Xhuvanin që të drejtonte Mitropolinë e Durrësit sipas dekretit Nr. 686 të datës 28.3.1925. Nga klerikët dhe bashkëpunëtorët e vet Visarioni kërkoi që të ruajnë dhe të zbatojnë në mënyrë të plotë kanonet e shenjta për nder të kishës dhe për të mirë të popullit. Plotësimi i kësaj detyre kërkonte që Mitropoliti i Durrësit të kishte gradë episkopale. Visarioni nuk mund të priste deri sa të zbutej zemërimi i Patriarkanës së Stambollit dhe nuk u pajtua me plogështinë, durimin dhe përunjësinë e ndonjë dhespoti tjetër. Ai ishte i bindur se Patriarkana dëshironte që kisha shqiptare të mbetej e varur përgjithmonë prej saj. Ishte koha për të vetëvepruar me guxim dhe me sakrifica. Atëherë pa mbështetjen e Këshillit të Naltë, Visarion Xhuvani shkoi në Mal të Zi dhe më 3 maj të vitit 1925 u dorëzua në gradën episkopale. Akti i dorëzimit të Visarionit pati jehonë të dyfishtë. Disa mendonin se punët do të shpejtoheshin për formimin e Sinodit, të tjerë e quajtën shkelje disiplinore. Midis tyre kishte dhe anëtarë të Këshillit të Naltë të cilët nuk e njihnin si Mitropolit dhe e ndalonin që të celebronte Meshë Episkopale. Madje ata arritën të kërkojnë që të merreshin masa disiplinore ndaj tij. Përplasjen e Episkopit të ri me Këshillin e Naltë e zgjidhi ministri i Punëve të Brendshme, A. Dibra, i cili, në përgjigje të letrës së dërguar nga Prefektura e Elbasanit më datën 24.2.1927, ka shkruar: " Meqenëse Sinodi i Shenjtë është në formim e sipër, të ruhet statuskuoja dhe problemi të zgjidhet prej Sinodit".( AQSh f. 152, dosja 20, viti 1927).

 

Xhuvani nuk mposhtet

 

Në vitin 1926 Patriarkana e Stambollit ndërmori një veprim tjetër diplomatik për të mposhtur qëndresën e atdhetarëve shqiptarë dhe për të bindur Qeverinë dhe Mbretin e shqiptarëve. Ajo dërgoi në Shqipëri Eksarkun Krisanthos, Mitropolit i Trapezundës dhe laikun P. Kotoko. Misionarët grekë ngulën këmbë përsëri për ruajtjen e privilegjeve të Patriarkanës së Stambollit. Ortodoksët shqiptarë atëherë u ndanë në dy grupe: në përkrahës të idesë së autoqefalisë dhe në përkrahës të kërkesave të Patriarkanës. Ndërkaq ortodoksët e Vlorës me Tol Arapin në krye i dërguan këtë telegram At Vasil Markos më 10 qershor të vitit 1926: "Krisanthi vjen në Korçë, kini kurajo patriotike dhe mos bini viktimë e dhelpërive fanariote. Kemi lindur shqiptarë, rrojmë dhe do të vdesim shqiptarë. Statuti i Beratit për të cilin jemi betuar nga ana jonë nuk cenohet". Visarioni doli në ballë të përpjekjeve që kundërshtonin ndalimin e gjuhës shqipe në liturgjinë fetare. Vënien e gjuhës greke nuk e quajti të logjikshme edhe për arësye filologjike, sepse pjesa më e madhe e librave liturgjikë ishin përkthyer e përshtatur në gjuhën shqipe nga njerëz me kompetencë profesionale.

Kundërshtitë midis intelektualëve për këtë çështje të rëndësishme të Kishës Ortodokse Shqiptare i zgjidhi Mbreti Zogu i Parë, i cili me vendosmëri ka deklaruar: " Aq më ban ç'mendon Patriarkana. Në Shqipni jam zot vetë dhe komandoj unë".(70 vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale, Tiranë 1993, faqe 71). Më 13 nëntor të vitit 1929 Kryeministri i Shtetit Shqiptar, Koço Kota, iu drejtua me dy shkresa Mitropolitëve Jerotheu dhe Kisi që ishin që të dy në Korçë, dhe shfaqi dëshirën që dy kandidatët për peshkopë (Çamçe dhe Ambrosi) të dorëzoheshin sa më parë dhe me këtë mënyrë të plotësoheshin kushtet për formimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Katër muaj kaluan pa u bërë asgjë. Qeveria kërkoi zgjidhje të brendshme të sinodit, ndërsa ata që nuk e përkrahën këtë ide kërkuan zgjidhje tjetër. Kërkesat e tyre jo vetëm që nuk qenë kanonike, por qenë dhe të pamundshme për interesat kombëtare të ortodoksëve shqiptarë dhe për parimet shtetërore. Për formimin e Sinodit u interesua në mënyrë të veçantë Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale, i cili u mbështet në vendimet e Kongresit të Beratit, në kanonet e shenjta dhe te qeveria shqiptare e kohës.

Në shkurt të vitit 1929 Kryetari i Këshillit të Naltë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë njoftoi Visarion Xhuvanin. Detyra e re që iu ngarkua Visarionit u miratua menjëherë nga Qeveria Shqiptare. Çdo pritje e mëtejshme do ta dëmtonte rëndë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, prandaj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, të kryesuar nga Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog I, në të cilën morën pjesë Koço Kota, Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, ndërsa nga Këshilli i Naltë Kishtar At Vasil Marko dhe Imzot Visarioni. Ky i fundit u ngarkua që të zgjidhte dy episkopë kanonikë të huaj, të cilët do të dorëzonin kandidatët shqiptarë. Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt të vitit 1929 u bënë hirotonisjet e episkopëve dhe më 18 shkurt do të formohej Sinodi. Këto qenë ditë festive për ortodoksët dhe për myslimanët shqiptarë. Meshat që u mbajtën atëherë ishin ngjarje të shënuara në historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Mbretin në to e përfaqësoi Kolonel Zef Seregji, mori pjesë kryeministri Koço Kota, ministri i Drejtësisë Hiqmet Delvina, Xhafer Vila, Yzedin Beshiri, Abdurrahman Kroi, Dr. Basho, Tefik Mborja etj. Diskutimet e gjata shtatëvjeçare për zgjedhjen e Sinodit të Shenjtë morën fund. Gazeta e Re atëherë shkroi: "Më në fund ideja kombëtare ngadhënoi si gjithnji sepse ajo buron nga shpirti i kombit dhe asht besue në duer të forta patriotike".

 

Kongresi i Korçës

 

Mbas formimit të Sinodit u shtua shumë zemërimi i Patriarkanës së Stambollit dhe i Patriarkanës greke. Të dyja bashkë dhe veç e veç ato e rritën trysninë dhe i shtuan sulmet ndaj Sinodit dhe veçanërisht ndaj Kryeepiskopit Visarion, ndaj mbretit Zog dhe Qeverisë shqiptare. Për të përballuar këto shpifje, të cilat mund të arrinin në formë ankese deri në Lidhjen e Kombeve, Këshilli i Ministrave me vendim Nr. 218 të datës 21.3.1929 vendosi të formojë një komision, të përbërë prej ministrit Fuqiplotë Mehdi Frashëri dhe Dhimitër Pogës, drejtor politik pranë kësaj Ministrie për të ndjekur veprimet e mundshme dhe për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, për t’u bërë ballë situatave në rast se Qeveria greke do ta shtronte çështjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Lidhjen e Kombeve. (AQSh. fondi 251, dosja 850, viti 1929) Pa u tutur ndaj presioneve të brendshme dhe shpifjeve të jashtme, Sinodi, me Visarionin në krye, punoi në mënyrë intensive për të përgatitur Kongresin e dytë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Korçë. Edhe për këtë veprimtari kujdesi i Qeverisë dhe i Naltmadhnisë së Tij, Mbretit Zogu I, ishte në lartësinë e duhur, duke përballuar edhe një pjesë të shpenzimeve financiare. Kongresi do të miratonte Statutin definitiv dhe rregulloren e brendshme të administrimit të kishës. Më 19 qershor të vitit 1929 të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Panortodoks. Kongresi historik i Korçës miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e vendosur Kishën Shqiptare krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike, evropiane e botërore.

 

Njohja e Autoqefalisë Shqiptare

 

Në vitin 1935 Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog, kërkoi njohjen e autoqefalisë nga Patriarkana, duke dërguar Koço Kotën e Josif Kedhin në krye të një delegacioni pranë Patriarkut për t'i dhënë Tomusin Kishës Ortodokse Shqiptare. Kërkesave të Patriarkanës iu shtua edhe një kusht tjetër: largimi i Visarionit nga detyra e Kryeepiskopit. Visarioni, që dha kaq shumë për kishën tonë, vendosi të vetëflijohej dhe në Sinodin VII pranoi të jepte dorëheqjen. Mbas 27 majit të vitit 1936, dita kur dha dorëheqjen Visarioni, e deri më 12 prill të vitit 1937, pati veprimtari të dendur diplomatike për të bindur Patriarkun e Stambollit që të miratonte Tomusin. Ai nuk lëvizi nga kërkesat e veta, vetëm se i zbuti ato dhe ia përshtati diplomacisë së kohës, miratoi Tomusin dhe në krye të Kishës Shqiptare erdhi Imzot Kristofor Kisi. Edhe më vonë Naltmadhnia e Tij, Ahmet Zogu, tregoi vëmendje të veçantë për mbarëvajtjen e Kishës Ortodokse Shqiptare. Dhënia e Tomusit nga Patriarkana e Stambollit për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare u bë më 12 prill të vitit 1937. Kjo erdhi pas punës këmbëngulëse që bënë klerikët shqiptarë me Kongresin e Beratit, të Korçës dhe pasi formuan Sinodin e tyre.

 

Grekërit bllokuan udhëtimin e Kryepeshkopit Shqiptar

 

Mbreti Zog porositi avion në Itali për imzot Xhuvanin. Për realizimin e misionit fetaro-kombëtar Visarion Xhuvanin e mbështeti Naltmadhnia e Tij, Zogu I. Kur Visarioni u burgos nga regjimi komunist (nga viti 1948 deri më 1962) një nga bashkëvuajtësit e tij, Beqir Ajazi, për ndihmën e pakursyer që dha Naltmadhnia e Tij, Zogu I, në librin "Nga zhgaba me kurorë deri te drapri me çekan" shkruan: "Kishte vdekur Patriku i Bukureshtit dhe i gjithë Rumanisë. Siç e duan kanonet varrimi i tij do të zhvillohej me ceremoni madhështore ku do të ishin jo vetëm klerikët e lartë të vendit, por edhe përfaqësuesit zyrtarë nga kishat e vendeve të tjera, ndër të cilat bënte pjesë edhe Shqipëria, që dilte për herë të parë si autoqefale. Meqë vdekja e Patrikut kishte qenë e befasishme dhe kur përfaqësuesi i kishës shqiptare, Visarioni, duhej të ishte patjetër, Naltmadhnia e Tij, Zogu I, kishte porositur një takëm ceremonial për meshë, të thurur e të qëndisur krejt prej ari. Vetëm kamillafi i rëndë (mitra) dhe skeptri kishin kushtuar më se 400 napolona ar.

Linja ajrore për në Bukuresht atëherë kalonte Tiranë-Athinë-Sofje-Bukuresht. Kështu që veç vizës së tranzitit të Bullgarisë duhej edhe ajo e qeverisë greke. Kjo e fundit kishte refuzuar dhënien e vizës për Visarionin, sepse Imzot ishte "persona non grata" atje dhe i dënuar për shkak të veprimtarisë që kishte kryer me rastin e autoqefalisë. Dukej sheshit se autoritetet greke po bënin çmos për ta penguar kishën tonë që të paraqitej në një ceremoni botërore, siç qe ajo e varrimit të Patrikut të Rumanisë. Për t'ua hedhur në ajër planin e sabotimit të tyre, Naltmadhnia e Tij, Zogu I, kishte porositur aeroplan të posaçëm, duke e kaluar Visarionin në Itali dhe s’andejmi në Rumani. Sipas rregullave të protokollit i kish takuar Visarionit që të ishte i pari në krye të kësaj ceremonie. Pjesët e tjera, pamjen, veshjen dhe aftësitë kishtare i kishte vetë Visarioni, i cili kishte korrur atje një simpati të madhe për kishën tonë, për veten e vet dhe për Shqipërinë. Në lidhje me këtë veprimtari Gjergj Bubani më ka thënë se gjatë ceremonisë mijëra gra shqiptare të Bukureshtit ndërprenin herë pas here kortezhin për t’i dalë përpara Visarionit, duke brohoritur me devocion: "Jetë të gjatë o dhespoti ynë".

 

(Nga Gazeta Shqiptare. Titulli në origjinal: Kur krijohej kisha Ortodokse Shqiptare. Zgjodhi për ribotim: Baki Ymeri)

 

___________

 

Statuti i Kishës, “garda” greke pranë Janullatosit

Antishqiptari grek dhe kryeministri shqiptar
Antishqiptari grek dhe kryeministri shqiptar
 

Nga Shpëtim Koli

 

Pas vitit 1997, përpjekjet për greqizmin e plotë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u intensifikuan edhe më tej. Me këto veprime, i përkohshmi u bë i “përjetshëm”. Në vitin 1998 u shpall formimi i Sinodit të Shenjtë i KOASH-it, nëpërmjet një sërë ceremonish. U bë fronëzimi i mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Ignatit, më 18 korrik 1998 në kishën “Shën Spiridoni” të qytetit të Beratit. Edhe Ignati, ashtu si vetë kryepeshkopi, nuk plotësonte kushtin e shtetësisë shqiptare, siç e kërkonte statuti komunist i kishës së vitit 1950, i njohur nga Janullatos. Të kombësisë jo e jo. Për më tepër, Ignati për të cilin filloi të thuhej se ishte “arvanitas”, vinte nga shteti që nuk njeh asnjë pakicë kombëtare. Janullatos kryesoi shërbesën, së bashku me dy përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, mitropolitin e Pergamit, Evangjelos dhe mitropolitin e Filadelfias, Meliton. Po atë ditë, Janullatos dhe Ignati formuan së bashku “bërthamën” e parë të Sinodit të Shenjtë të KOASH-it, mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme të Sinodit në Tiranë. Mitropolit i Korçës u zgjodh arkimandrit Joan Pelushi, i cili njihej më parë si Fatmir Pelushi, deri atë çast pedagog dhe dekan i akademisë teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës. I zgjedhur si episkop i Apolonisë ishte Atë Kozma Qirjo. Më 23 korrik 1998, Janullatos, i shoqëruar nga Ignati dhe Joani, kryesoi dorëzimin e episkopit të Apolonisë. Janullatos, së bashku me mitropolitët Meliton dhe Ignat, kryen dorëzimin e mitropolitit të Korçës, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, më 20 korrik 1998, ndërsa ceremonia e fronëzimit u krye pesë ditë më vonë, në kishën metropolitane “Burimi Jetëdhënës” në Korçë. Jani Trebicka u caktua kryesekretar i përgjithshëm i Sinodit të KOASH-it. Vdekja e Kozma Qirjos, më 11 gusht 2000, solli një vend të ri vakant të Sinod. Në këtë mënyrë, Sinodi u kompletua nga 3 grekë: Janullatos, Sinaiti dhe Ignati. Kjo duket se ishte edhe fitorja më e madhe e Janullatosit, për “minimin” e autoqefalisë së Kishës Ortodokse shqiptare. Edhe pas “fjetjes”, (kështu i thonë vdekjes në liturgjinë ortodokse), në krye të KOASH-it do të jetë prapë një grek dhe greqishtja do të vazhdojë njësoj, si “gjuhë e perëndisë”.

 

Ndryshimet e vitit 2006

 

Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të KOASH-it, të datës 11 nëntor 2006, u vendos që të ngrihen në gradën episkopale 3 arkimandritët Dhimitër Sinaiti, Nikolla Hyka dhe Andon Merdani. Dhimitër Sinaiti, sot 70 vjeç, u caktua mitropolit i Gjirokastrës, ku ka “shërbyer” në 15 vitet e fundit si zëvendësmitropolit. Edhe ky nuk plotësonte kushtin e kombësisë. Sinaiti kishte qenë pjesëtar i vëllazërisë së njohur murgjve të Sinait, në Egjipt. Pesë ditë pas kësaj mbledhjeje, më 16 nëntor, u krye në kishën-katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, nga Janullatos, Ignati dhe Pelushi shërbesa e dorëzimit në episkop e Sinaitit. Liturgjia dhe ceremonia e fronëzimit të mitropolitit të Gjirokastrës, Sinaiti, u bënë më 26 nëntor 2006, në kishën e Kryeengjëjve në Gjirokastër, në shqip dhe greqisht. Nikolla Hyka, i cili mori titullin Episkop i Apolonisë, u dorëzua në episkop në datën 19 nëntor 2006 në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, nga kryepeshkopi Anastas, hirësi Ignati, hirësi Joani dhe hirësi Dhimitri. Andon Merdani, i cili mori titullin Episkop i Krujës, u dorëzua në episkop në datën 21 nëntor 2006 në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, nga kryepeshkopi Anastas, hirësi Ignati, hirësi Joani, hirësi Dhimitri dhe hirësi Nikolla. Më 3-4 nëntor 2006, në mjediset e manastirit të Shën Vlashit dhe të akademisë teologjike ortodokse në Durrës, u mblodh asambleja kleriko-laike e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e 259 delegatëve. Punimet e saj u drejtuan nga Janullatos. Kjo asamble miratoi edhe statutin e ri të kishës. Ky statut nuk u botua gjëkund dhe nuk u bë i njohur për publikun, por duket fare qartë se ai është bërë duke mos pasur kufizim shtetësie dhe kombësie për klerikët grekë, që janë aktualisht apo do të mund të vijnë në të ardhmen në Shqipëri. Autoritetet shqiptare që merren me çështjet e feve, duhej ta kishin këtë statut, i cili duhet të jetë në përputhje me ligjin për fetë dhe të kishte kushtin e kombësisë e shtetësisë për kryepeshkopin.

 

Sinodi i Shenjtë në ditët e sotme

 

Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas emërtimit zyrtar që KOASH, përbëhet nga tre klerikë me shtetësi e kombësi greke dhe 4 të tjerë shqiptarë. Kryepeshkopi Anastas është kryetari i Sinodit të Shenjtë, për të cilin është e tepërt të thuhet se ka kombësi e shtetësi greke. Mitropoliti i Beratit, Ignati dhe mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri, janë gjithashtu me kombësi e shtetësi greke. Anëtarët me kombësi e shtetësi shqiptare të Sinodit të shenjtë janë mitropoliti i Korçës, Joani, episkopi i Apolonisë, Nikolla, episkopi i Krujës, Andoni dhe kryesekretari i Përgjithshëm, Jani Trebicka.

 

Presioni i Greqisë për të penguar zgjedhjen e kryepeshkopëve shqiptarë

 

 E gjithë ajo që mund të quhet “bota ortodokse” ka zbatuar parimin “Kishë e pavarur, në vend të pavarur”. Për Shqipërinë kjo nuk funksionoi në vitet e para të krijimit të shtetit, për shkak të kushteve të vështira të lindura nga luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Në vitet 1913 – 1920 nuk u arrit të kryhej shpallja e autoqefalisë (në shqip kokë drejtim) shqiptare. Peshkopët grekë vazhdonin të ishin të pranishëm në peshkopatat e vendit, duke punuar haptazi për interesat e Greqisë. Peshkopët grekë dhe priftërinjtë e niveleve më të ulëta, përveçse punonin kundër interesave të shtetit, përpiqeshin të çonin sa më larg marrjen e kontrollit të Kishës nga shqiptarët. Kudo ata u shfaqën problematikë, aq sa detyruan qeveritë shqiptare të kohës t’i dëbonin nga territori i shtetit shqiptar. Një i tillë ishte dhespot Jakovi në Korçë, i cili përbetohej se nuk do ta linte Fan Nolin të shkelte në atë qytet. Noli i shumëditur, kishte nisur një proces autoqefalie nga Bostoni. Përpjekjet e tij zinin fill nga viti 1908 e vijonin deri në atdhe. Në Korçë Fan Nolit iu bë një pritje entuziaste. Më 28 prill 1921, At Vasil Marku dha të parën meshë shqip në kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Besimtarët ortodoksë u mblodhën në një kongres ortodoks në Berat më 10 – 19 shtator 1922. Më 12 shtator 1922 ata shpallën solemnisht krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në shpalljen zyrtare thuhej se kryetari kishte shpallur qëllimin e mbledhjes, që ishte shpallja Kishën Autoqefale Ortodokse Kombëtare, “mbas kanunevet apostolike të 7 sinodhevet të shejtë ikumenikë të kishës së madhe ortodokse të Krishtit”. Arqimandriti Visarion Xhuvani kishte shpjeguar hollësisht çështjen dhe rastet e tjera të ngjashme. Duke patur për shembull kishat autoqefale të Rusisë qysh më 1771, të Austrisë më 1740, të Bukovinës më 1873, të Greqisë më 1833, të Serbisë më 1880, të Rumanisë më 1856, dhe më së fundi të Bosnjë – Hercegovinës më 1908, delegatët shpallën, “në emnin e trinisë së shenjtë të njëqenshëm dhe së pandame (enonimati tis Agjias omoniu qe adhieretu Triadhos), Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare të Shqipniës edhe de facto, sepse de jure ka qenë që prej ditës së shpalljes së Independencës politike të shtetit shqiptar, duke mbajtur lidhje spirituale dogmatike dhe apostolike plotësisht me Mëmën Kishë të Patriarkanës së Shenjtë Ekumenike dhe me Patriarkanat dhe kishat e tjera autoqefale të botës, por administrativisht Indipendentë pra”. Deklarata u nënshkrua nga delegatët. Kongresi i Beratit miratoi një statut të përkohshëm, miratoi krijimin e Këshillit të Lartë Kombëtar të Përkohshëm (me qendër në Korçë), që u drejtua nga At Vasil Marko dhe veproi deri në krijimin e Sinodit të Shenjtë më 1929.

 

Formimi i Sinodit të Shenjtë

 

Pas kongresit të Beratit, Kisha greke vazhdonte të ushtronte presion mbi Patriarkanën për të mos pranuar autoqefalinë e Kishës shqiptare. Detyrë e shtetit shqiptar mbetej përkrahja që duhej t’u bënte besimtarëve ortodoksë në krijimin e Sinodit të Shenjtë, i cili duhet të përbëhej nga peshkopë. Bisedimet me Patriarkanën nuk sollën rezultate pozitive për kushtet e vëna në dobi të Kishës greke. Në këto kushte veprimi i brendshëm shqiptar u bë më i shpejtë. Visarion Xhuvani u hirësua në Kotorr (Jugosllavi) nga dy peshkopë rusë, duke ushtruar më pas detyrat e arkimandrit të Durrësit.

Më 11 shkurt 1929 mitropoliti i dioqezës Tiranë – Durrës, peshkop Visarioni dhe peshkopi i Kishës serbe, Viktori, në kishën katedrale të Tiranës, në një ceremoni të drejtuar nga kryetari i Këshillës së Lartë Kishtare Shqiptare, ikonom At Vasil Marko, zhvilluan ceremoninë e dorëzimit të arqimandritit Agathangjel Çamçe si peshkop i Beratit. Të nesërmen u zhvillua ceremonia e dorëzimit si peshkop të At Efthim Hoshtova. Më 18 shkurt 1929 u zhvillua ceremonia e tretë, që dorëzoi si peshkop zëvendësmitropolitin e Gjirokastrës, Ikononom At Thanasin. Pas kësaj, më 20 shkurt 1929 u shpall Sinodi i Shenjtë i KOASH-it, ku u zgjodh Visarion Xhuvani si kryetar i tij me titullin e kryepeshkopit, duke pasur në krah ndihmësit e tij Imzot Eugjenin, peshkopin e Beratit, Agathangjel Çamçen, peshkopin e Gjirokastrës, Imzot Ambrozin, dhe At Vasil Markon, i cili merrte gradën e ikonomit të madh mitrofor.

Më 27 shkurt 1929 Sinodi i Shenjtë u betua para mbretit Zog me një ceremoni solemne, në të cilën ndodhej dhe kryeministri Kostaq Kota. Këtu mbreti shfaqi kënaqësinë që shihte sinodin shqiptar, duke thënë se shqiptari “pa liri absolute nuk mund të bëhet si gjithë bota”. Zgjedhja e një shqiptari në krye të Kishës, krijoi pakënaqësi te grekët, ku zëri i parë ishte peshkopi Thyeateros. Në përgjigje, kryepeshkopi Visarion tha se kishat autoqefale vepronin në bazë të dy parimeve të njohura: të origjinës së autoktonisë dhe independencës politike, duke i quajtur këto si të drejta të popullit ortodoks shqiptar. Sipas të njëjtave parime kishin vepruar grekët më 1833, ndërsa njohjen e kishin siguruar nga Patriarkana më 1852. Kryepeshkopi Visarion mbërriti me një ceremoni të posaçme festive më 22 mars 1929 në kryeqytetin e përkohshëm kishtar ortodoks, në Korçë. Në kishën e Shën Gjergjit u mbajt mesha e zakonshme me pjesëmarrje të madhe, ku Zoi Xoxa lexoi dekretin mbretëror mbi emërimin e kryepeshkopit shqiptar. Xhuvani nga ana e tij theksoi parimin shtet i pavarur – Kishë e pavarur.

Për të zgjidhur përfundimisht gjendjen e brendshme të Kishës ortodokse shqiptare, më 16 qershor 1929 filloi në Korçë Kongresi i Dytë i KOASH-it.

Më 29 qershor 1929 kongresi miratoi statutin e Kishës. KOASH-i përbëhej prej të gjithë banorëve të mbretërisë, që pohonin simbolin e shenjtë të fesë ortodokse dhe cilësohej pjesë e pandashme e të Shenjtës Kishë të Përgjithshme e Apostolike. KOASH-i ishte i bashkuar dogmatikisht dhe shpirtërisht me të gjitha patriakanat e shenjta dhe kishat e tjera autoqefale dhe “ruante burimet e besimit, shkrimet e shenjta dhe gojëdhanat e hirshme (Agian Grafin dhe Hieran Papadhosin) si dhe Kanunet e Shenjta Apostolike”. Gjuha zyrtare e Kishës përcaktohej shqipja (neni 3), ndërsa autoriteti më i lartë i Kishës ishte Sinodi i Shenjtë Peshkopal, i përbërë prej peshkopëve aktivë të çdo dioqeze, prej ikonomit të madh mitrofor dhe i kryesuar prej mitropolitit të qendrës, kryepeshkopit të gjithë Shqipërisë. Titulli zyrtar ishte Sinodi i Shenjtë i KOASH-it. Peshkopata e Tiranës merrte titullin “Mitropoli” dhe titullari quhej mitropolit e asaj dioqeze e gjithë Shqipërisë. KOASH-i shpallej person juridik, trashëgues i të gjithë titujve dhe të drejtave të komuniteteve ortodokse të deri atij çasti. Sinodi rregullonte KOASH-in sa i takonte besimit, adhurimit, disiplinës kishtare, organizimit të brendshëm të Kishës mbi bazën e dogmave e kanuneve të shenjta në përputhje me ligjet e shtetit, ushtronte kontroll mbi veprimet e peshkopëve, hartonte programet e shkollave fetare e botimet fetare, përkujdesej për edukatën fetaro – kombëtare etj.

 

Njohja nga Patriarkana e Stambollit

 

Në muajt e parë të vitit 1936 u rritën përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të siguruar njohjen në fjalë, por Stambolli vuri fillimisht si kusht deklarimin vakant të vendit të kryepeshkopit dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë. Në këtë kohë u njoftua se do zhvillohej mbledhja e Sinodit të Shenjtë, që përbëhej me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Ekonomik Mikst, Kristo Qirko, Kosta Marko, Andon Beça dhe Zoi Xoxa, i thirrur prej kryepeshkopit Visarion. Më 26 maj 1936 kryepeshkopi Visarion Xhuvani paraqiti dorëheqjen, për t’i hapur rrugë zgjidhjes përfundimtare.

Në fillim të vitit 1937 Patriarkana pranoi që peshkopët Evllogji Kurilla dhe Pantelejmon Kotoko të zgjidhen anëtarë të Sinodit të Shenjtë. Këta ishin shqiptarë të ikur që në vegjëli në Greqi, të udhëhequr kurdoherë nga ndjenja të thella grekofilizmi.

Në mars 1937 një delegacion kishtar shqiptar i përbërë nga Kristofor Kissi, Agathangjel Çamçe dhe Josif Kedhi udhëtoi në Stamboll për të mbyllur procesin e njohjes nga Patriarkana e Stambollit.

Befasia e këtij procesi ishte përfshirja e dy peshkopëve të rinj (Kurilla dhe Kotoko) në Sinodin e Shenjtë, me kërkesë të Patriarkanës, si pjesë e kushtit që iu vu palës shqiptare. Në të vërtetë ata e plotësonin kushtin që kërkohej nga neni 16 i Statutit të KOASH-it, pra ishin me kombësi shqiptare, porse udhëhiqeshin nga ndjenja grekomane, pasi edhe vetë mjedisi ku ata ishin rritur kishte qenë i tillë.

Peshkopi Pantelejmon Kotoko ishte lindur në Korçë dhe kishte vazhduar mësimet për teologji në shkollën Eprore të Halgit, si kishte mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë. Peshkopi 57-vjeçar Evllogji Kurrilla ishte lindur në Ziçisht të Devollit dhe kishte shkuar qysh në moshë të vogël në Malin e Shenjtë. Ai ishte arsimuar në Universitetin e Athinës, duke fituar gradë në letërsi, kishte dhënë letërsi në disa shkolla të Athinës, për t’u rikthyer në manastirin Agjia Llavros. Këtu i ishte dhënë grada e lartë e përfaqësuesit të Llavrës në mbledhjen e shenjtë, duke u bërë kryetar i saj. Qelia e tij ndodhej në Malin e Shenjtë. Thuhej se vite më parë Kurrilla kishte qenë kandidat për kryepeshkop të Shqipërisë.

Më 12 prill 1937 Patriarkana e Stambollit njohu Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare si dhe statutin e saj. Sipas rregullit të vënë, Patriarkana për vendin e kryepeshkopit shpalli 3 kandidatura, pasi u deklarua se në këtë funksion nuk ishte aktualisht askush. Formalisht u shpallën si kandidatë përveç Kristofor Kissit edhe Agathangjeli i Eleas, dhe Fillotheu i Nazianxusë. Me vota të përbashkëta u zgjodh Kristofor Kissi. Më pas, u deklaruan të zbrazëta vendet e titullarëve për peshkopatat e Korçës, Gjirokastrës dhe Beratit (ku futej edhe Vlora e Kanina).

Për Peshkopatën e Korçës u deklaruan kandidatë Kurrilla, arqimandriti i madh Kalinik dhe predikuesi i madh Kaloqerinos. Për Gjirokastrën, u paraqitën si kandidatë Kotoko, arkimandriti Ireneu Corotnaqi dhe Kostandin Villiadhi. Për Beratin u deklaruan si kandidatura emrat e peshkop Agathangjel Çamçes, arkimandritit Agathangjel Çaushi dhe Kiril Lambrinit. Në këtë mënyrë, peshkopë u zgjodhën: Kurrilla, Kotoko dhe Agathangjel Çamçe. Ky i fundit ishte i vetmi që u betua me shkrim.

Më 13 prill 1937 Patriku Ekumenik, Veniamini, njoftoi zyrtarisht me anë të një telegrami mbretin Zog dhe kryeministrin Kostaq Kota për njohjen e KOASH-it nga Patriarkana. Patriku përgëzonte Mbretin “për evenimetin e lumtur historik të shpalljes dhe të bekimit të Autoqefalisë së KOASH-it”, i parashtronte “falënderimet e nxehta të së madhes Kishë”, duke uruar që Zoti t’i jepte fuqi atij “për madhësinë e kombit fisnik shqiptar dhe për të mirën e Kishës Ortodokse të vendit”.

Si mbreti Zog ashtu edhe kryeministri Kota iu përgjigjën me telegrame të posaçme Patrikut Ekumenik. Pas këtij procesi, 4 anëtarët e Sinodit të Shenjtë u kthyen në Shqipëri, bënë vizita të shumta në mbarë vendin dhe më 26 prill 1937 hynë triumfalisht në Tiranë. Të nesërmen ata u pritën në audiencë nga mbreti Zog, i cili, sipas ligjeve të shtetit shqiptar, dekretoi kryepeshkopin dhe peshkopët. Në vitin 1940 Evllogji Kurrilla u largua nga Shqipëria e për pasojë, Sinodi i Shenjtë, sipas Statutit, e shpalli të rrëzuar dhe e zëvendësoi me Imzot Agathangjelin. Ndërsa Pandelejmon Kotoko u largua në vitin 1941 dhe u shpall i rrëzuar nga Sinodi i Shenjtë. Kryepeshkopi Kissi qëndroi deri më 25 gusht 1949.

 

(Burimi informacionit MAPO/. Zgjodhi për ribotim: B. Y.)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: