Femi Halimi: Madhështia e Teatrit (II)
| E Merkure, 04.05.2011, 09:57 PM |

Madhështia e Teatrit (II)

 

Nga Femi Halimi

 

Teatri doli prodhim i një kohe, kur fryu erë e ngrohtë demokracie qytetare për anëtarët e polisit. Fitoret e mëdha mbi ushtritë Perse, betejat mbushur me legjenda, krenaria e fryrë tejmase veçanërisht për klasën sunduese, e cila fitoi më së shumti prej betejave, bënë që të drejtat politike të derdhen mbi të gjitha shtresat qytetare. Atina kishte tetë shtresa qytetare dhe deri edhe e teta fitoi statusin e të drejtave qytetare politike në raportin e ndarjes së pushtetit. Punët kaluan vetëm te të huajtë dhe te skllevërit. Të huajtë ushtronin zanatet dhe mësuesinë, kurse skllevërit, shumica të zënë robër luftërash, veç të huajve nga familje mbretërore të të huajve, bënin të gjitha punët fizike dhe shërbimet.

Besimi politeist i atinasve ishte për të gjithë. Ishte i dhënë për të gjithë, sepse të gjithë i nevojiteshin Atinës. Edhe robërit vendës në burgje ose në punë në ara e male, ishin të detyruar të besonin, atë besimin publik të polisit, i cili mbante unitetin. Nuk mund të kishte mënyrë besimi tjetërfare veçse mënyrës e cila i konvenonte klasës së pasur vendore. Nuk është çudi prandaj që Sokrati u dënua mu në këtë pikë të dobët qytetare! Denoncuesit e tij, tregëtarë të fuqishëm dhe me autoritet politik, kërkuan që ky Sokrati të dënohej, sepse sipas këtyre, ky po prishte rininë dhe se në qiellin e besimit grek po sillte perëndi të reja! Dënimi në të vërtetë ishte i nevojshëm për frenimin e Sokratit dhe të tjerëve si ai, për ruajtjen e rendit të polisit. Klasa sunduese kishte nevojë për të mbajtur fitoren e vet mbi të tjerët dhe në këtë edhe zotërat ishin në shërbim të pushtetit të polisit! Zotërat për më tepër merrnin pjesë në rkonflikte njerëzish dhe ndaheshin e anonin! I tillë ishte i gjithë pushteti asokohe.

Të mirat materiale dhe jeta e bujshme që pasoi pas luftërave me Persët ndryshuan mënyrën qytetëruese të polisit. Me kohë u krijua shtresa e të diturve, mësues e filosofë, shkrues e shënues të ngjarjeve dhe të diturive të arritura dhe të atyre hulumtues të së ardhmes. Që atëherë doli në pah nevoja për shtresën e të diturve, favorizimin e tyre dhe nxitjen e madhe që vetë pushteti bënte për të rritur e forcuar diturinë. Ishte koha e krijuesve të parë, të kohës së Hesiodit nga shekulli i shtatë a tetë, që përshkruanin gojdhanat, mitet e legjendat heroike të kohërave të errëta të së kaluarës, e që përbëjnë kohën e parë të krijimeve fantastike e të egzagjeruara. Por pas epokës së artë të luftërave me fitore ndaj persëve, erdhi krijimi artistik e shkencor, racional e real për kohën.

Në radhën e veprave njerëzore pasuese erdhi atëkohë Teattri, një mënyrë shikimi e përparuar e të gjitha ngjarjeve gojore. Erdhi mënyra e konkretizimit praktik me reduktim të kohës e hapësirës dhe me zvogëlim të pamjes, përmes një tregimi fragmenta, pasuar me lojë. Qëllimi këtu është i dukshëm. Duke vepruar kështu, shikuesit i ofrohej një ngjarje me një përfundim dhe një gjykim. Duke bërë ngjarjen, e duke gjykuar, jepej mësim. Qëllimi i mësimit është edhe më i dukshëm. Ishte vetëmse legjitimimi i këtij mësimi. Si do të kalonte mësimi për gjykim dhe kalimi i tij në rregull dhe parim, aksiomë logjike, si dhe me çfarë performance artistike. Po të thuhet se këtë e kanë thënë njerëzit, duhej të ishte një njeri i madh shumë dhe me shumë merita. Meritat njerëzore nuk mjaftonin për të prodhuar parime morale logjike. Vetëm zotërat mund të kishin pranimin e demosit për një gjë të tillë. Kjo edhe ndodhi kështu në veprat antike të asaj kohe. Megjithkëtë, njeriu, krijuesi, vendimtari për fatin e polisit, a gjykuesi e kritikuesi, hetoi mundësinë e shtjellimit të fjalës së vet në këtë krijim, sikur një të drejtë autoriale krijuese, me kusht që të gjykonte drejtë! Kushti për të gjykuar drejt, i dha të drejtë krijuesit të asaj kohe të besoj se kishte të drejtë që fjalëve të zotërave tu shtonte edhe fjalë të vetat. Ky ishte krijimi njerëzor, i ngjashëm me krijimin e zotërave, apo të Zotit një, Perëndisë, por të perceptuar disi në shumës.

Edhe sot e kësaj dite janë dy kahje të krijimit dhe të gjykimit për këtë. Si të dihet, një krijues, ka Frymën e perëndisë në fjalët e veta, apo nuk e ka dhe ka një zbrazëti në krijim? Askush nuk mund ta dij, pos nëse gjykon në bazë të arsyes, për të mirën e përgjithshme të demosit a të bashkësisë tash, së cilës i takon, por edhe për gjithë njerëzimin, pse jo?! Njësoj, si atëherë –si tash, -dilema, e gjykimit të pavarur njerëzor me autoritet, apo me Frymë Perëndie mbeti e njejta dhe e përjetshme! Kjo është kështu, për të provuar se Teatri është gjithmonë i fuqishëm njësoj dhe aktual dhe se loja teatrore ka dhuntinë e krijimit dhe të gjykimit për mësim!



(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: