Ndue Ukaj: Si mund të bëhet "Europa atdheu i vlerave tona të përbashkëta”?
| E Marte, 03.05.2011, 08:01 PM |

Si mund të bëhet "Europa atdheu i vlerave tona të përbashkëta”?

 

Nga Ndue Ukaj

 

“Për të krijuar një shoqëri stabile, duhet që njerëzit t’i shtypin dëshirat e tyre dhe të veprojnë sipas rregullave”-shkruan  antropologu dhe filozofi Claude Levi-Strauss. Duke vepruar kështu, Kosova dhe kombi ynë, mund të bëhet pjesë vlerave të përbashkëta të Eruopës, për të cilat shkruan shkrimtari dhe ish presidenti Çek, Vaclav Havel. Referenca e lartshënuar e C. L. Strauss-it shpjegon shumëçka nga peripecitë dhe “pamundësitë” shqiptare për të konsoliduar rrugëtimet drejt integrimit në Familjen Perëndimore. Nëse e analizojmë gjendjen e përgjithshme të kombit shqiptar, brenda kësaj reference shumë domethënëse, shohim se në vendin tonë, vullneti për të ndërtuar rend, apo shoqëri stabile, fashitet keq, para dëshirave të njerëzve, të cilët, thënë troç, s‘duan t’i shtypin dëshirat e tyre egoiste, në të mirë të sendërtimit të aspiratave dhe synimeve të përbashkëta. Përkundrazi, dëshirat e tyre egoiste, i vënë kurdoherë në ballë. Kjo ndodh sidomos në domenin e politikës, prej ku zënë fill shumë degradime tjera socio-psikologjike që po e rrënojnë kombin tonë. 

Për të pasur një rrugëtim më të lehtë dhe më të shpejtë drejt integrimit në Perëndim, duhet eliminuar qëndrimet dualistike, të cilat, për rrjedhojë, kanë konsekuenca tejet negative në jetën politike e socio-psikologjike.

Kjo që thamë, vlen sidomos tek vendet në tranzicion, në të cilat lypset organizimi i kaosit të brendshëm dhe transformimi i një gjendje jo stabile, drejt stabilitetit shumëdimensional.

Një ndër fjalët më shpesh që përmendet në diskursin përditshëm politikë, të Prishtinës zyrtare, herë me dije e herë pa të, mbase, herë vetëdijshëm e më shumë pavetëdijshëm, mbetet fjala integrime, e cila, çuditërisht është bë një metaforë komplekse, e cila, mban “çelësin” e ardhmërisë së lumtur shqiptare. Prandaj kjo metaforë është bë komplekse për t’u deshifruar dhe interpretuar, e sidomos për qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në pritje të jetësimit të këtij synimi. Zaten, integrimet nuk janë vetëm pjesë e diskursit politikë. Çka është e vërteta, ato janë bërë pjesë e diskursit të përgjithshëm shoqëror, mbi të cilat synime dhe projektime, frymon shumëçka dhe mbi të cilat, do të thoshim, pa hamendje, mbështetën dhe janë varur, mijëra e mijëra shpresa.

 

Zakonisht kur përmenden integrimet, gjithë shqiptarëve dhe grupeve tjera etnike në Kosovë, mendja ju shkon te integrimet europiane, pastaj ato transatlantike. Në të vërtetë, nëse ndjekim këtë filozofi politike në Kosovë, empirikisht, vërejmë se shenjat e para u bashkëartikuluan paralel me kërkesat fundamentale për liri, pavarësi, demokraci dhe shtet. Pra, qysh kur u artikuluan qartësisht kërkesat e Kosovës për shtet, në fillimvitet e 90-ta, integrimet ishin pjesë e diskursit dhe programit politikë të asaj kohe. Madje, në sëndërtimin e kësaj aspirate është punuar shumë dhe në shumë dimensione. Në këtë linjë, lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, bëri kthesat më të rëndësishme, më qenësore, duke e perceptuar këtë fenomen, jo vetëm si dimension politikë, por edhe etikë, e më shumë, si dimension kulturor. Prandaj, ai iu dha shpirt, frymë integruese dhe paqësore, angazhimeve të tija gjigante. Kështu konsolidoi vetëdijshëm rrugën më të mirë për integrime, i bindur se "Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale"- Robert Schuman. Në synimet e tija etike, politike dhe kulturore, Ibrahim Rugova ndërtoi shenjat e veçanta politike, të cilat, atëkohë ndërkomunikonin fuqishëm me qytetërimin perëndimore, jo vetëm në planin politikë, por edhe në atë shpirtëror, duke i vënë kështu shqiptarët (Kosovën) në pozita të barabarta me popujt tjerë që kanë konstituar civilizimin perëndimor. Madje, po t’i bëhej një analizë thelbësore Lëvizjes Rugoviane, mund të konkludoheg se këto shenja etiko-kulturore, ishin substrati esencial mbi të cilën u ndërtua e gjithë ajo lëvizje panperëndimore ndër shqiptarë, trashëgimia e së cilës kishte rrënjë të thella në Ilirinë e lashtë, Dardaninë Antike, duke pasur për shembull heroin Gjergj Kastriotin, shkrimtarin, priftin dhe veprimtarin Pjetër Bogdanin, dijetarët dhe shkrimtarët e shumtë të Rilindjes dhe viteve të 30-ta, pastaj Nënë Terezën, e shumë figura tjera, me të cilat u identifikuan shenjat dhe kodet etiko-kulturore që konsolidonin dhe përshpejtonin proceset e përgjithshme. Mbi këtë trashëgimi të pasur historike, u sendërtua një korpus i gjerë i angazhimeve integruese, që patën suksese të jashtëzakonshme në atëkohë, me sjelljen e botës perëndimore në Kosovë.

Kosova e pavarur, me një prezencë të fuqishme ndërkombëtare dhe me institucione në formim e sipër, vazhdon rrugëtimet drejt perëndimit, mirëpo me çalime të shumta, pjesë e një tranzicioni të stërmundimshëm. Në këtë linjë, bëhen përpjekje të shumëfishta për të unifikuar legjislaturën konform standardeve të kërkuara europiane, punohet për zhvillim ekonomik, sipas parametrave të pranuar, mirëpo, mungon diçka substanciale, mungon shpirti dhe kreativiteti i modelit europian, ai që i paraprinë politikat dhe jo që i ndjek ato. Dhe kjo ndodh, sepse integrimet çalojnë në esencën e tyre, madje shpeshherë kanë edhe shenja dualiste, gjë që konoton specifikisht keq në kontekstin shqiptar.

 

Ajo çfarë tashmë është imediate, në kohën kur sfidat janë të shumëfishta, është shmangia e demagogjive politike. Kjo domethënë, të shmangen elozhet për perëndimin dhe të fillojmë të jetojmë si perëndimi, të frymëzohemi nga vlerat e mirëfillta të këtij korpusi të pafund vlerash dhe t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë të përditshme dhe në çdo segment, sepse duke i jetësuar ato, në futemi vetvetiu ne Europë, pa pasur nevojë për retorika dhe politika të mundimshme. Në këtë formë, më së miri, "Europa bëhet atdheu i vlerave tona të përbashkëta”.

 

Për ta kuptuar se ku janë dallimet dhe të përbashkët e këtij procesi, duhet një vetëdijesim i shumanshëm dhe një zgjim kombëtar. Së pari duhet të ndërtojmë liri personale, e cila sjell demokraci të shëndoshë, rezultatet e së cilës janë institucionet e fuqishme dhe efektet e tyre, mirëqenia shoqërore, që nënkupton sendërtimin e synimeve për integrime.

Parimet e punës perëndimore janë solidariteti, liria dhe demokracia, si shtylla që kultivohen nëpërmjet dialogut. Ku s’ka dialog të hapur, aty ka përmbysje të vlerave demokratike, ka përçudnime kulturor dhe kësisoj degradime të përgjithshme që karakterizohen me situata jo stabile.

Prandaj, që të mos vonohemi në histori, siç thoshte Faik Konica, duhet të veprojmë energjikisht, në përmirësimin e kësaj gjendje. E, që të ndodh kjo, Kosova duhet të shkëputet nga idetë neootomane, ato ide që brenda kombit, janë si një bombë e kurdisur që mund të eksplodoj. Rrugëtimi ynë drejt perëndimit, duhet bë pa ekuivoke. Nëpër Stamboll nuk shkohet në Europë. Këtë e dinin gjithmonë njerëzit e ditur të këtij kombi, e dinin madje edhe ata që jetonin në gjirin e dikurshëm të asaj perandorie, sikur vëllezërit e mençur Sami e Naim Frashëri. Prandaj, një gjë duhet thënë troç, rruga për në Bruksel, assesi s’kalon nëpër Stamboll. Kjo qasje, është vetëmashtruese dhe e rrezikshme. Për më tepër, është fyese për të kaluarën tonë kombëtare. Andaj, është koha që qeveria e Kosovës dhe populli i saj, të kthejnë kokën me bindje dhe besim nga Perëndimi dhe të flakin nostalgjitë për otomanizmin e perënduar.



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: