Heather Maher: Si u zbulua dhe u vra bin Ladeni?
| E Marte, 03.05.2011, 06:09 PM |

Si u zbulua dhe u vra bin Ladeni?

 

Nga Heather Maher

 

Ajo që filloi para katër vjetësh me zbulimin e një emri, përfundoi në orët e vona të së dielës, me vrasjen e personit më të kërkuar në historinë amerikane: Osama bin Laden.

 

E shtëna në kokë, që thuhet se e i mori jetën bin Ladenit, u bë pas disa muajve të mbledhjes së fakteve të përpikta të inteligjencës, që kishin filluar kur një i dyshuar për terrorizëm, në një burg të Shteteve të Bashkuara, e zbuloi emrin e njeriut, për të cilin ishte thënë se ishte korrier i besueshëm i bin Ladenit. Ky person ishte i njohur me emrin e tij luftarak, Abu Ahmed al-Kuvaiti.

 

Në këtë person, Osama bin Laden mbështetej në dërgimin dhe marrjen e informacioneve nga bota e tij e izoluar, ku komunikimet elektronike ishin shumë të rrezikshme.

 

Ishte thënë se ky korrier ishte i afërt me Khalid Sheik Mohamed, që e ka përshkruar veten si ideolog të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, dhe me Faraj al-Libi, njeriun që e zëvendësoi Mohamedin pas zënies së tij.

 

Majk Roxhers, kryesues i Komitetit për Inteligjencë i Dhomës Përfaqësuese, tha se ishin sesionet e hetimeve të të burgosurit ato që prodhuan informatën e parë kyçe, e cila i çoi autoritetet te kompleksi i bin Ladenit në qytetin Abbotabad, afro 60 kilometra nga kryeqyteti pakistanez, Islamabad.

 

Për këtë operacion, zoti Roxhers e lavdëron gjithë aparatin e inteligjencës amerikane për bashkëpunim dhe tubim të informacioneve të zbuluara.

 

“Kur ju e shikoni ndërmarrjen e pabesueshme të analistëve, të operatorëve, të atyre të CIA-s dhe të atyre në Agjencinë për Siguri Kombëtare, të cilët të gjitha informacionet i mblodhën në një vend dhe filluan ta hartojnë operacionin, ai ishte një operacion i jashtëzakonshëm, për të cilin mendoj se do të mund ta bënin vetëm pak vende në botë”, tha Roxhers.

 

Zyrtarët e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kanë dhënë më tepër detaje për mbledhjen e informacioneve dhe për aspektin ushtarak të operacionit, por të gjithë ata kanë folur në kushte të anonimitetit për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

 

Zyrtarët thanë se mësuan se emri i vërtetë i korrierit në vitin 2007, Sheik Abu Ahmed, nuk ishte i tillë në vitin 2009. Analistët e kishin ngushtuar lokacionin e tij gjeografik, diku në afërsi të Islamabadit.

 

Në gusht të vitit 2010, ata e kishin përcaktuar lokacionin e tij të mundshëm në një kompleks jashtë Islamabadit dhe kishin filluar ta studionin ndërtesën trekatëshe.

 

Muret e larta 4 dhe 6-metërshe, të mbështjella me tela me gjemba, dhe muri i lartë 2.5-metërsh në ballkonin e lartë, për analistët ishte një gjë e çuditshme. I çuditshëm ishte edhe fakti se banorët në këtë kompleks dukej se i digjnin të gjitha mbeturinat, ndërsa në shtëpi nuk kishte lidhje telefonike e as Internet.

 

Një zyrtar i lartë i administratës tha se ishte moment kthese kur zyrtarët e inteligjencës e morën vesh se korrieri, që ata e kishin përcjellë për dy vjet, po jetonte në këtë kompleks aq të sigurt. Andaj, ata menduan se aty do të mund të jetonte vetëm një cak me vlerë të lartë.

 

Këshilltari për Siguri Kombëtare, Xhon Brenan, tha se para se të zbulohej kompleksi, analistët e inteligjencës kanë supozuar se Osama bin Laden më parë do të fshihej në ndonjë vend afër civilizimit sesa në ndonjë shpellë të malit.

 

Por, Pakistani është vend i madh, tha ai, dhe në fund ishin gjurmët e informatave, disi të ndërlidhura, që zyrtarët i çuan në një vilë periferike të liderit të Al Kaidës.

 

“Si rezultat i informatave që ne i kishim në një mënyrë shumë të përgjithësuar për këta korrierë dhe individë, që ishin ndërlidhëse për bin Ladenin, gjatë kohës ne ishim në gjendje t’i tubonim informatat plotësuese, ta kemi emrin luftarak të korrierit dhe përfundimisht emrin e tij real, që ndërlidhej me gjërat e tjera, derisa ne e gjetëm kompleksin në Abotabad”, tha Brenan.

 

Prej muajit shtator të vitit të kaluar, zyrtarët e CIA-s thanë se ata besonin se ekzistonte mundësi e fuqishme që bin Ladeni ishte brenda.

 

Zyrtarët e inteligjencës po ashtu besonin se kompleksi ishte ndërtuar me qëllim të caktuar për ta fshehur bin Ladenin, në vitin 2005, i cili në atë kohë ishte njeriu që për pak i kishte shpëtuar zënies në luftimin në malin Tora Bora, më 2001, në Afganistan.

 

Në shkurt, disa muaj të punës plotësuese i kishin bindur zyrtarët e inteligjencës dhe këshilltarët ushtarakë të Shtëpisë së Bardhë, se ata me gjasë e kishin gjetur Osama bin Ladenin.

 

Ato që i dinin, ata ia sollën Obamës, i cili u pajtua me analizat dhe e lejoi atë që një zyrtar i lartë i administratës e përshkroi si një “kurs agresiv të aksionit”.

 

Lidhur me këtë çështje, këshilltari për siguri kombëtare, Xhon Brenan, tha:

 

“Nuk kishte asgjë që konfirmonte se bin Ladeni ishte në atë kompleks. Rrjedhimisht, kur presidenti Obama ballafaqohej me një mundësi që të vepronte në bazë të kësaj, ai duhej ta vlerësonte forcën e informacionit dhe pastaj të bënte atë që unë besoj se ishte thirrja më e guximshme për secilin president në kujtesën aktuale”.

 

Në mes të muajit mars, presidenti Obama ka filluar të mbajë mbledhje me ekipin e tij të sigurisë kombëtare për planifikimin e operacionit.

 

Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, ai i ka mbajtur pesë mbledhje të këtilla.

 

Anëtarët e ekipit të sigurisë kanë debatuar nëse do të bombardohej kompleksi, në të cilin e dinin se ishin afro 22 njerëz. Por, Obama e ka kundërshtuar këtë qasje, duke thënë se dëshironte të kishte prova të vdekjes së bin Ladenit dhe sa më pak viktima të tjera të mundshme.

 

Ndërhyrja nga Forcat e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara, të njohura me emrin Navy SEALS, ishte kurs i preferuar i aksionit të presidentit Obama dhe më 19 prill ai e ka dhënë miratimin preliminar të operacionit.

 

Kjo do të ishte pikë logjike, në të cilën Uashingtoni do t’i tregonte Islamabadit se çka dinte dhe çka po planifikonte. Por, ky ishte operacion shumë sekret, kështu që asnjë zyrtari pakistanez nuk i është thënë asgjë.

 

Zoti Brenan tha se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara “nuk i kanë kontaktuar pakistanezët, derisa të gjithë njerëzit tanë dhe të gjithë aeroplanët tanë të dilnin jashtë hapësirës ajrore të Pakistanit”.

 

Në mëngjes të 29 prillit, presidenti Obama e dërgoi një autorizim formal për ndërhyrje te drejtori i agjencisë CIA, Leon Paneta, i cili, një ditë më parë, ishte nominuar për sekretar amerikan të mbrojtjes, duke zëvendësuar sekretarin Robert Gejts.

 

Panetës i ishte dhënë udhëheqja e komandës së operacionit dhe gjatë ndërhyrjes ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me ekipin SEAL nga dhoma e konferencave në selinë e CIA-s, që u shndërrua në qendër komanduese.

 

Gjatë ndërhyrjes, bin Ladeni “ishte përpjekur ta rezistojë forcën sulmuese” dhe ishte qëlluar “në fytyrë”. Sipas disa përshkrimeve, një plumb ia kishte shpuar syrin e majtë.

 

Komandanti ushtarak i kishte kumtuar Uashingtonit se bin Ladeni ishte vrarë. Në Uashington, në selinë e CIA-s, shpërthyen duartrokitjet. Në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët e ndiqnin situatën prej momentit në moment, tha Xhon Brenan.

 

“Ne kishim mundësi të monitorojmë në bazë të kohës reale progresin e operacionit, nga fillimi i tij e deri te nxjerrja e mbetjeve. Me gjasë kjo ishte njëra nga periudhat më me ankth në jetët e njerëzve që ishin mbledhur këtu”, tha Brenan.

 

Ekipi i Shteteve të Bashkuara atëherë i mblodhi të gjitha dëshmitë që i ka gjetur në shtëpi, e ka fotografuar trupin e bin Ladenit dhe është larguar me helikopterët e zëvendësuar. (f.b.)

 

____________

 

Kush ishte Osama bin Laden?

 

Osama bin Laden, kreu i Al Kaidës dhe njeriu më i kërkuar i Shteteve të Bashkuara, ka bërë një karrierë 30-vjeçare të islamizmit ekstremist, duke mbështetur muxhahedinët afganë në organizimin e sulmve kundër interesave amerikane.

 

Bin Laden kishte lindur në Riad të Arabisë Saudite në vitin 1957, në një familje të pasur, si djali i vetëm i gruas së katërt të Muhamad bin Ladenit. Prindërit iu divorcuan shpejt pas lindjes së tij.

 

Në moshën dhjetëvjeçare, babai i Osama bin Ladenit e humbi jetën në rrëzimin e një aeroplani në Arabinë Saudite, kur piloti amerikan gaboi gjatë aterimit.

 

Bin Ladeni u rrit si vehabist i devotshëm, duke ndjekur shkollën elitare sekulare Al Thagar në vitin 1968, ndërsa pastaj studioi ekonominë dhe biznesin në universitetin Mbreti Abdulaziz.

 

Pasi i braktisi studimet në vitin 1979, bin Laden iu bashkua teologut sunit palestinez, Abdullah Azam, për të ndihmuar në luftimin e invazionit sovjetik në Afganistan, duke jetuar për ca kohë në qytetin veriperëndimor pakistanez, Peshauar.

 

Deri në vitin 1984, bin Ladeni dhe Azami e themeluan grupin Maktab al-Khadamat, i cili siguronte para, armë dhe militantë myslimanë nga mbarë bota për luftën afgane.

 

Në vitin 1988, bin Ladeni u shkëput nga lëvizja Maktab al-Khadamat dhe e formoi Al Kaidën. Kur sundimtari i Irakut, Sadam Huseini e pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, duke kërcënuar mbretërinë saudite, bin Ladeni fillimisht ofroi ndihmë për të mbrojtur Arabinë Saudite me luftëtarët muxhahedinë të tij. Por, oferta e tij u refuzua.

 

Pasi u pranua ndihma e Shteteve të Bashkuara për të dëbuar Irakun nga Kuvajti, bin Ladeni publikisht e denoncoi varësinë e Arabisë Saudite nga ushtria amerikane dhe vendosjen e trupave të Shteteve të Bashkuara në territorin saudit.

 

Brenda disa muajve, bin Laden e tërhoqi vëmendjen me sulmet në perëndim dhe në botën arabe, përfshirë vrasjen në vitin 1990 në Nju Jork të rabinit amerikano-izraelit, Martin David Kahani, shpërthimin e bombës në vitin 1992 në hotelin Gold Mihor në Aden dhe sulmin e dështuar në vitin 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

 

Në vitin 1992 bin Ladeni jetoi në mërgim në Sudan, ku besohet se e zhvilloi justifikimin e Al Kaidës për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

 

Por, në vitin 1996 ai u dëbua nga Sudani nën presionin e Arabisë Saudite, Egjiptit dhe SHBA-ve, dhe kaloi në Afganistan, ku vendosi kontakte me regjimin e talibanëve.

 

Në kohën kur ishte mysafir i regjimit të talibanëve në Afganistan, mendohet se bin Ladeni e financoi sulmin në vitin 1997 në Luksor, një masakër në Egjipt ku u vranë 62 njerëz.

 

Në këmbim, bin Ladenit iu lejua të ngrejë qendër për stërvitjen e terroristëve në fermat Tamak, në jug të Kandaharit.

 

Ndaj bin Ladenit u ngrit aktakutë në SHBA për ndërlidhje në sulmet me bomba në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, në vitin 1988, ku u vranë 224 njerëz, shumica afrikanë dhe myslimanë.

 

Ishte viti 2004, kur pas disa mohimeve që i pati bërë, bin Laden e mori përgjegjësinë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në sulmet me aeroplanë të rrëmbyer në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe në Pansilvani, e humbën jetën rreth 3.000 njerëz. (v.p.)


Radio Evropa e Lirë

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: