Doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit “Vesel Haxha Galica- atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar”
| E Hene, 02.05.2011, 07:45 PM |

Kёto ditё, nё botim tё SMS, Biblioteka Monografi, doli  nga shtypi  libri mё i  ri, i njëzeti me radhë,  i shkrimtarit e publicistit të njohur Bedri Tahiri “ VESEL HAXHA GALICA- atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar ”, me redaktor  Prof. dr. Jusuf OSMANI, recensues  Prof. dr. Mehmet RUKIQI e lektor Driton TAHIRI.

Brenda kopërtinave të këtij libri lexuesi kueshtar do të mësojë historinë e familjes Haxha nga Galica heroike, e cila në katër breza qëndroi e patundur në rrugën e dijes, të sakrificës  e të burrnisë. Dhe, jo vetëm kaq. Autori Bedri Tahiri me një mjeshtri   të rrallë e me një stil të veçantë paraqet detaje e fakte nga historia e Galicës dhe e Drenicës në përgjithësi.

Libri fillon me historinë e Drenicës, e cila me njëqind e ca fshatrat e saj paraqet zemrën e luftërave dhe betejave për liri e bashkim kombëtar. Dhe, për çudi, ato fshatra sot janë copëtuar, u takojnë shtatë qendrave komunale! Në veçanti flitet për Galicën, e cila aktualisht i takon Vushtrrisë, duke shpjeguar historinë e saj që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Në gjithë këtë histori, familja Haxha është e pranishme me pjesëtarët e saj. Fillon me xha Rexhepin, këshilltar i Azem Galicës, vazhdon me Vesel Haxhën- Galicën, i cili qe pjesëmarrës i betejave të kryetrimit Azem Galica dhe i atyre të Luftës së Dytë Botërore, të udhëhequra nga tribuni Shaban Palluzha e strategu Mehmet Gradica dhe kulmon me luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëshmorin Bahri Haxha.

Duke e ndjekur fatin e kësaj familjeje lexuesi mëson gjithë historinë e kësaj treve luftarake dhe njihet me trimat e saj që nga Milosh Kopiliqi e deri tek Adem Jashari. Pra, autori na jep informacione edhe për Bejtë Galicën (babanë e Azemit),  Hasan Prishtinën, Mursel Ahmetin, Shaban Manxhollin, Fazli Baranin, Bajram Tërnafcin, Xhemë Tërnafcin, Mehmet Konjuhin, Sadik Ramën, Dërvish Goxhulin, Mehmet Gradicën, Shaban Palluzhën, Rifat Galicën etj.

Autori librin ua kushton: Të gjithë të rënëve për liri dhe bashkim kombëtar!

 

Shënime për autorin

Bedri Tahiri u lind në Galicë të Drenicës më 1956. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980 ligjëron lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë.

Krahas punës edukativo-arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, merret edhe me artin letrar. Me shkrime ka zënë të merret qysh herët. Shkrimet e tij letrare- historike- dokumentare- publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër Simpoziume e Sesione shkencore me tema hulumtuese  shkencore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Gjatë tërë kohës së luftës sonë çlirimtare qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime e ditar lufte dhe gëzon statusin e Veteranit të UÇK-së.

Deri sot, pa i përmendur librat si bashkautorë, ka botuar këta libra:

Azem Bejtë Galica, 1995

Përmendorja që mungon, 1997

Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare, 1998

Adem Jashari- legjendë e legjendave (u  ribotua nëntë herë), 1999

Përjetësia, 2000

Agu i lirisë (e ribotuar dy herë), 2001

Drenica- një shekull trimëire  (u  ribotua tri herë),  2002

Përtëritja, 2002

Flakadanët e lirisë1, 2004

Drejtësia në sprovë, 2005

Azem Bejtë Galica (botimi i  dytë i  plotësuar), 2005

Flakadanët e lirisë 2, 2oo6

Nga Shqipëria në Shqipëri, 2oo7,

Flakadanët e lirisë 3, 2007 dhe

Adem Jashari- legjendë e legjendave (botim i nëntë i plotësuar), 2008,

Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2008,

Abdyl Krasniqi-  frymëzes brezash, 2009,

Diferencimi (Tregime), 2010

Për Flamurin kuqezi, 2010

Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në bashkimin tonë kombëtar.

Ky krijues i palodhur nuk pushon për asnjë çast. Pena e tij e mprehtë nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. I ka të gatshme për botim edhe këta libra:

Fehmi e Xhevë Lladrovci- të pandarë edhe në përjetësi,

Përmendorja që mungon (botim i dytë i plotësuar),

Përshtypje nga Franca,

Në Grykë të Valbonës,

Toponimia e Galicës  etj.

Kohë më parë doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu.

Ky është libri i tij i njëzet.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: