Petrit Ruka: ‘’Këngët e maleve të mia’’
| E Hene, 02.05.2011, 06:12 PM |

Petrit RUKA

 

“KËNGËT E MALEVE TË MIA.”

 

Tekst i shoqërues për koncertin me këngë popullore të këngëtares Mimoza Kosturi

 

1. Prolog.

 

Kënga popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkritë e këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Do të ndjenim vapë pa këtë gurgullimë të përjetshme që na i bën jetën më të butë dhe më me dritë. Në këtë thesar shkëlqen si një margaritar kënga labe, kjo kryevepër e kuturës së popullit shqiptar,  të cilën Unesko, kjo seli e mëndjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje. Ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej  mrekullive të  kësaj bote.

Fan Noli, një nga mendjet më brilante të letërsisë shqiptare, në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij  la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga labër safi.

Sepse e di që ajo të bën të përjetshëm... Në këngën labe, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, fymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu. Me këtë këngë janë krijuar disa prej monumenteve më të ndritur të kulturës sonë shqiptare, duke filluar nga „Legjenda e urës“ ku muroset një grua e deri tek “Vajza e valëve“ të cilat do të kemi fatin t’i dëgjojmë së bashku. Po cilët janë bilbilat që do të bashkojnë zërat e tyre të rrallë sot?

 

( Në fund të skenës shfaqet duke ecur Mimoza Kosturi.)

 

2. Mimoza Kosturi, prezantimi. Tekst e figurë në sfond 2 minuta.

 

Midis atyre që po e mbajnë të gjallë dhe e çojnë më tej magjinë e këngës labe vjen sot në këtë koncert një zë drithërues i këngës labe, Mimoza Kosturi.

 

(Mimoza ka zënë vendin e vet në skenë dhe përshëndet duke u përkulur para publikut)

 

Pasi ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve, në klasën e kantos më 1992 dhe ka dhënë një sërë koncertesh, ajo e ndjen se herë pas here duhet t’u kthehet rrënjëve të saj të origjinës për t’u ndjerë e plotë dhe e mbushur me dritën e këngëve labe. I ka provuar dhe kënduar ato të përpunuara në koncerte të bukura e të suksesshme brenda sallave tona muzikore dhe jashte Shqipërisë, të shoqëruara me orkestra, kore dhe instrumente të praruar. Por me sa duket, asnjëherë nuk është ndjerë aq e plotë se sa në këngën e mirëfilltë të vendlindjes e të nënës së saj, edhe kjo një këngëtare e shquar e një kënge të bujshme të viteve ’70.  Prandaj ajo mbledh pranë vetes disa nga bilbilat e këngës labe dhe vjen me ta para nesh në këtë koncert, për të shpalosur disa nga perlat e thesarit të këngëve tona.

 

I tërë ky tekst ilustrohet me pamje nga koncertet e saj në Tiranë, videoklipet e bëra në Zagori, (me titra veprimtaria e saj muzikore në ekran) me pamje nga kënga që këndon nëna e saj (arkiv) etj

 

Le të njohim tani kush janë ata së bashku me të krijojnë frymën e këtyre këngëve të mëdha.

Hyso Xhaferaj. (Hysua hyn në skenë dhe shkon e vihet në krah të Mimozës. )

një pritës me zë të rrallë, në dhjetra këngë të mrekullueshme që tashmë janë pjesë e fondit tonë të artë të këngës popullore, solist i Ansamblit Popullor.

Mehmet Visha, kthyes, një tjetër këngëtar i njohur për talentin e tij të rrallë, solist i grupit polifonik “Ergjëria”

Në iso Aleksander Rrapi, dhe Andrea Doci, solist i Ansamblit Popullor, si dhe këngëtari Neil Ruçi dhe Hasim Meli.

Drejto artistik i grupit Prof. Milto Vako.

Ideator dhe producent, Andon Pango.

 

 

*   *   *

1.                               Kenga 1   5.14   minuta  Kënga e nënës.  Tekst+ figure (1 minute)

 

(Te deklamuara me zë sinkron ose jo ndërkohë që në ekran ka pamje nga vendlindja, Zagoria, shtëpi, rrugë, sokake, plaka dhe pamje të tjera që kanë të bëjnë me mallin për nënën dhe vendlindjen…)

 

Udhë e gjatë më kish marrë,

Gji e zemër më kish tharë

Nënë, moj e mira nënë…

 

Det i thellë e i pamatur dhembshurie,

Sa më prite atë natë, ti e dije,

 

Erdha të gjeta të gjallë,

Të putha gjirin e tharë,

Po dot nuk ta nxorra mallë-ë

Nënë, moj e mira nënë…

 

Një këngë e thekshme për nënën që emigranti e ka lënë pas duke marrë rrugët e botës. Atje larg ajo dhe vetëm ajo., nëna e shtrentë i rri ditë e natë në qiellin e mendjes. Dhe tani ai po vjen, i zhuritur nga malli për të. Rruga deri tani duket e pafund...Është apo ajo gjallë? Një këngë drithërimë që noton nëpër kujen e madhe tek  zemra e përvëluar. Vetëm kënga labe mund ta nxerë brenda saj kaq dhimbje. Dhe duhet zëri i një këngëtareje si Kosturi me shokët e saj të na bjerë një emocion kaq të paharrueshëm.

 

Fillon kënga:

 

4.  kenga 2. 5 min   Ç’ka bari që s’mbin në qafë ?!  Tekst+ figure  1.015’minuta

 

Ç’ka bari që s’mbin në qafë ?!

Nga lotët që derdhin gratë

 

Ju të ligj e ju sakatë,

Amanet ju lëmë gratë.

 

Amanet ju lëmë gratë.

Se marrim rrugën e gjatë.

 

Se marrim rrugën e gjatë.

Dhe vallë a kthehemi prapë.

 

 

Një këngë me moshë 100 vjeçare. Sa zemra ka çarë me dhimbjen e saj në këto 100 vjet ?! Një këngë që ka lindur lart në në fshatrat e Zagories aty ku kurbeti ka korrur më shumë burra se sa kosa e vdekjes. Burrat iknin larg për bukën e gojës dhe gratë mbeteshin kallogre. Jeta ngrinte dhe nënat prisnin, qanin e prisnin një lajm nga djemtë. Poeti i madh i këtyre anëve, Andon Zako Çajupi, u bë i famshëm duke kënduar këtë  dhimbje që gërryente edhe gurët. Nga lotët e grave thahej bari tek qafa e malit ku i nisnin një çast dhe i prisnin për dyzet vjet me radhë, duke iu lutur Zotit me sytë nga qielli. Pas viteve ’90 kjo plagë e zuri prapë Zagorine dhe mbare Shqipërinë tonë. Nuk mund ta linte pa përfshirë në repertorin e saj edhe këtë këngë vajtimi, që e këndojnë gratë e këtyre anëve, Mimoza Kosturi. Është kënga e rrënjëve të saj…

 

5.    kenga 3.    5  minuta   Legjenda e urës…   Tekst+ figure  1 minute

 

Atje tek ura në lumë

Ustallarët bëjnë një mur

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

Ç’i flet vjerra nuses së vogël,

Shpjeru bukë ustallarëve

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

Ma lini përjashta gjinë

Se lashë të vogël fëminë,

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

Kënga e legjendës së urës është një nga kryeveprat e folklorit shqiptar. Brenda saj luhet një tragjedi e tërë, ku rrinë bashkë, tradhëtia, dashuria e madhe, besa, flijimi në emër të jetës. E ndërsa e dëgjojmë sot kaq mjeshtërisht, shohim me sytë e mëndjes atë nusen e re, që po i ngjitet përpjetë një kodre me bukën e ustallarëve në duar. Pas pak çastesh, ndërsa gurët e rëndë do të bien mbi të, ajo do të lerë amanetin e madh për foshnjën e saj. Asgjë tjetër nuk mund ta përcjell këtë rrënqethje muresh më mirë se sa kënga labe qe do të dëgjojmë këto çaste...Sepse vetë kënga labe dridhet si një urë e madhe që flijohet në zemra për të bashkuar në një shpirtrat njerëzorë.

 

 

6     kenga 4.     .                 Nina- nina djalin-o      1 minute

 

Nina – nana djalin-o

Të voglin e nenes-o

Ç’i rrit foshnjat çiliminjtë

Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë…

 

 

Vargjet e kësaj ninulle janë të poetit tonë të madh, Andon Zako Çajupit. Ninullat janë muzika e parë e botës, një muzikë që nuk do të vdes kurrë. Për çdo foshnjë të lindur lind edhe nje këngë. Sepse fëmijët nuk mund të rriten pa përkedhelitë e këngës që dalin prej gjoksit të grave. Dhe të gjitha janë të papërsëritshme siç janë të tilla nënat…siç është i papërsëritshëm për secilin nga ne, zëri i nënës së tij…Me një embelsi prej nëne vjen edhe për ne kjo ninullë e rrallë që do të dëgjojmë. Të ngjan sikur tërë tingujt e ëmbël magjepsës të natyrës këngëtarja i ka mbledhur në të. Si në të gjitha sinfonitë e mëdha ku dirigjon dashuria e nënave.

 

6.  kenga 5.  4.16   min  Për të venë në kadife… Tekst+ figure  1.20  minute

 

Një natë fjeta përjashta

Një natë të tërë,

Ç’bukuri që kishte nata

Një magji të tërë.

 

E veja si Afërdita,

Rrinte kryq i heshtur

Siç e hante natën dita

Ngjallja në të qeshur.

Nga të tjerat ishte ndryshe

Ish si piramidë egjypti,

Pse më iku goja,

Botën e shikoja,

Qënka bota tërë sekrete,

Tërë ëndrra, tërë qejfe

Për atë qiell

Për atë dhe

Për të venë në kadife

Përkëdhele veshur, mëndafsh kadife.

 

Në këngët labe dhimbjet e dashurisë shkëlqejnë me një bukuri që nuk vdes kurrë. Janë këngë të gjera ku shpirti dridhet për një vajzë a për një grua tërë aromë si një trëndafilishte prilli. Burri përgjërohet në to me fjalë të kulluara shpirti, duke e ditur se zemra  e një gruaje me këngë  trulloset. Brenda tyre ka një përmallim të gjerë sa vetë jeta e njeriut. Kur i dëgjon duket sikur e gjithë bota mbushet me qumësht yjesh dhe erë trëndeline.

Të vijnë aq ëmbëlsisht në zemër sa të besosh tek përjetësia, të dehin aq shumë sa ta ka ënda të shtrihesh brenda tyre e të ndihesh aq i lumtur sa edhe vdekja vetë nuk të tremb dot më.  E tillë është, kjo magji e viseve tona jugore kur shkruhet me kaq bukuri tronditëse nga një penë nazike si ajo e poetit të madh të Bregdetit, mjeshtrit Lefter Çipa.

 

7.  kenga 6.  4.30  minuta    Ç’u ngrita me natë… Tekst+ figure   minute

 

Ç’u ngrita me natë…

Vajta tek burimi.

 

Lava sytë e zesë,

Me ujë trëndafili.

 

Më humbi sahati,

Më mbeti zinxhiri…

 

Hesht, mos qaj , moj bijë

Se ta blen bandilli.

 

E kishe të argjendtë,

Ta blen prej floriri…

 

 

Ka ardhur ne shtëpi duke qarë, e tronditur. Sepse është ende një pëllumbeshë e vogël dhe i duket sikur i ka humbur një pasuri e tërë. Po nëna, nëna e saj që e di mirë se ky është vetëm një trishtim i vogël e ngushëllon duke i kujtuar bandillin. Ajo e di mirë se për një bukuri kaq të pafajshme i dashuri do të shkojë deri në fund të botës që t’ia blejë prej floriri. Është një dialog i mrekullueshëm midis nënës dhe vajzës së njomë me sy të përlotur. Një bisedë që shkëlqen nga një dashuri e madhe e përmbytur me dritën e  mirësisë dhe të humanizmit.  Një dritë të tillë ka brenda edhe kënga e vajzës që humbi sahatin teksa lante sytë e zezë tek burimi. Në të mund ta dëgjojmë gurgullimin e këtij burimi.

 

7.  kenga 7.   3.48   min  Vogëlushe hane – hane.  Tekst+ figure     1 minute

 

Vogëlushe hane – hane,

Aman, mike kapedane.

Leshrat si evropiane,

E hollë, qafë sorkadhe,

Të kam thënë nazemadhe,

Na trete me ato naze,

Zemrën se ç’ma more fare,

Aman, mike kapedane…

 

Një zemër që tretet e bëhet një këngë e rrallë si kjo… Në ison e saj bën vend derdhja e pafund e valëve himariote drejt  bregut. Duket sikur dy  dete të mëdhenj, ai në tokë dhe tjetri në zemrën e një djali nuk dinë të pushojnë në një lëvizje të përjetshme. Dy dete që ngjajnë. Sepse edhe kënga labe në një këngë si kjo bëhet e thellë dhe e paanë. Një det më vete që të rrëmben duke përshkruar me një bukuri tronditëse bukurinë e një vajze, një kapetane, me leshra si europiane.

Po që kjo bukuri të vijë e plotë duhet dëgjuar nga një grup kapedanësh të këngëve labe si ky që kemi përpara.

 

8.      Kënga 8.3.3 min O Çajup, o vend i bukur.  Teksti e video   1.30   minuta

 

 

O Çajup, o vend i bukur,

O bahçe e luleve,

Pi pak qumësht dhe ke pirë

Erë të trëndelinave.

 

Fusha e gjerë e Çajupit përmes maleve është është një nga bukuritë tronditëse të Shqipërisë. Kur do të përfytyrosh Parajsën, sado fantazi të kesh, mos u lodh shumë, ngjitu lart tek këto vise dhe ja ku e ke aty. Me sa duket, Zoti këtu qe me nge, i mblodhi e i vërtiti në një tablo marramendëse ujrat e borës, lulet, shkëmbinjtë, ujvarat, pemët; sa kur i sheh me sytë e tu mbetesh pa frymë. Po sikur të mos mjaftonte kjo punë kaq e mbaruar e zotit, Zagoria, vendi ku lindi edhe këngëtarja, qe po dëgjojmë, është edhe një lëndinë e madhe këngësh mahnitëse, që vërtiten si ylbere në të gjithë jugun e vendit.

Mbase ky ajër i qeltë t’i frynte mushkritë dhe vetëm kënga mund t’i qetësonte. Nuk  dihet,…kjo është një gjë, që nuk  thuhet  dot me fjalë.  Kënga është ushqim pa sofra…Ai që i këndon i ka të tëra me vete. E mbledh gjithë botën e madhe brenda në zemrën e tij të vogël. Kështu e ka marë këngën labe brenda në gjakun e saj qysh fëmijë edhe Mimoza Kosturi,  mbase pa i parë akoma me sy lëndinat plot dritë dhe avull lulesh të Zagorisë. Kur u rrit, edhe pse mbaroi shkolla arti, u diplomua për kanto, mësoi e këndoi muzikën e madhe në skena me drita, prapë brenda saj ditë e natë ishte isua e atyre këngëve që vinin prej fëminisë. Një iso e lashtë që i thosh, hë, pra ! këndoje këngën e maleve të tua. Nuk mund të mos i bindesh zërit të djepes. Është njësoj si t’i thuash: jo, zërit të nënës.

 

 

9        Kënga 9,   4.07 min    Bijë nga Janina        Teksti e vide   1.45   minuta

 

Vezir i Janinës, Padishah i lartë,

Në akroreane, për një ditë e natë,

Prikë Vasiliqisë i bëri kalanë,

Muret të florinjta, gurët të diamantë,

Zonjë e bukurisë ish Vasiliqia,

Dhuratë dashurisë nga e shenjtë Maria.

 

 

Kalatë shqiptare janë të gjitha kala lufte. Po ka një kala në Shqipëri, që ndryshe nga motrat e saja,  se ka lindur lufta, po dashuria.

Është fjala për kalanë e Vasilikës, gruas së famshme të Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo të Himarës. Vetëm një. Në botë mbase ka me qindra. Por duket gati e pabesueshme që në një vend, ku lufta ishte e zakonshme si ajri dhe buka, të lindtte një kala luksi, një kala e ndërtuar si kapriço për dashurinë  ndaj një gruaje. Një kala prikë, pa bedena dhe topa, pa depo baruti dhe frengji ankthi ku pritej vdekja. Një kala e ngritur si një peng dashurie.

Ajo vinte gati çdo behar këtu për verim. Mbasditeve, me një gotë vere në dorë, mbase rrinte në bedena, kujtonte Aliun dhe ditën kur e njohu.

Burri i madh mbi kalë dhe vajza ishin parë dikur një sekondë të vetme sy më sy në fshatin e saj. Kaq kishte mjaftuar. dhe ja, Aliu ishte mbytur në sytë eVasilikës. Ç’farë ishin ashtu ata sy, që i kishin marrë frymën  mu në muzg të jetës?! Mos ishte një xhind me fytyrë njeriu?!… Nuk u mendua dy herë. Zgjati krahun dhe e hodhi pas vetes mbi kalë. Për të mos e ndarë asnjë dekikë, deri në vdekje…Këtë histori mahnitëse bie kënga e radhës përmes një krijimi brlant të Poetit Lefter Çipa.

 

 

10       Kënga 10.  2.57min.   Vito pëllumbesha.   Teksti e vide     minutë

 

Vito erdhe si pëllumbi

Erdhe më zgjove nga gjumi,

Ç’ben kështu Vito të thashë,

Pse më zgjove, unë sa rashë,

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Vesë e yjeve ka rënë,

Do na lag-ë, s’kemi ç’bëjmë,

Po lësho flokët e gjata,

Të mos ftohemi nga nata,

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Cila është kjo grua që vjen si pëllumbi tek i dashuri i saj dhe e mbush natën e paanë me një paqe kaq të ëmbël ?! Cila është kjo grua që mund të mbulojë  me flokët e saj të gjata veten dhe të dashurin e saj nga të ftohtit dhe vesa e yjeve?! Vetëm poezia popullore mund të krijojë hapësira të tilla të mahnitshme për shpirtin e  njeriut. Brenda një kënge të tillë mund të ndjehesh përjetësisht i dashuruar në krahët e një gruaje dhe të mos kesh frikë nga vdekja. Këtë magji mund ta bëjë kënga labe, kjo pasuri e rrallë e viseve tona. Dhe ne ndjehemi krenarë deri në përuljen e një mirënjohje të pafund sa herë që e dëgjojmë…

 

11    Kënga 11,  4.02 minuta   Vajzë e valëve    Teksti e vide  1. 20  minuta

 

Vajzë e valëve

Zemëra ia mban

Mbi një gur anës detit,

Qan, e mjera, qan,

Qan, e zeza, qan.

 

Prêt atë që prêt

Dhe një dhembje ndjen

Gjithë bota venë e vijnë,

Por ai nuk vjen, e mjera,

Por ai nuk vjen.

 

Kjo këngë e krijuar në shkembinjtë e brigjeve të Himarës prej këngëtarit legjendar Neço Muko Marioti është kthyer tani në një legjende. Brenda kwsaj  kënge rri një vashwz, që quhet vajza e valëve dhe prêt e prêt aty mbi një shkëmb buzë detit të dashurin e saj, duke parë tutje deri në lodhje ujrat blu  që nuk pushojnë së përplasuri me bregun. As zemra e saj nuk lodhet duke pritur. Dhe qan prej dhimbjes. Mbase nga lotët e saj deti bëhet gjithmonë e më i kripur. Ka më shumë se 100 vjet që ajo prêt në brigjet e kësaj kënge legjendare të Himarës. Të gjitha grupet e mëdha e me emër të këngëve labe e kanë patur këtë kryevepër pjesë të repertorit të tyre. Ajo kërkon mushkri të forta, të mbushura me dhimbjen e vajzës së legjendes, që vijon të pres me sytë nga deti. Gjithmonë ka dashur ta këndoj këtë këngë rrënqethese ku deti rënkon si shpirti i saj i përvëluar edhe Mimoza me grupin e saj.  Gjithmonë…sepse një këngë si kjo hyn tek mrekullitë.

 

 

Renditja e re…

 

1. Kënga e nënës.                                               5.14    minuta

2 Ç’ka bari që s'mbin në Qafë.                          5        minuta

3. Legjenda e Urës                                             5         minuta

4. Nina- nina djalin-o

5. Per të venë në kadife.                                     4.16   minuta

6.Çu ngrita me natë.                                           4.30    minuta

7.Vogëlushe hane- hane.                                    3.48   minuta

8. O Çajup, o vend i bukur.                                3.30   minuta

9. Bijë nga Janina                                                4.07   minuta

10. Vito pëllumbesha.                                          2.57   minuta

11.Vajzë e valëve                                                 4.02   minuta

 

 

Tekstet e Kengëve. Moza.

 

1.  Kënga e nënës.   5.14    minuta

 

Udhë e gjatë më kish marrë,

Gji e zemër më kish tharë

Nënë, moj e mira nënë…

 

Det i thellë e i pamatur dhembshurie,

Sa meë prite atë natë, ti e dije,

Nënë, moj e mira nënë…

 

Era vjen më thot dy fjalë,

Ulërinte si e marrë

Nënë, moj e mira nënë…

Det i thellë e i pamatur dhembshurie,

Sa meë prite atë natë, ti e dije,

Nënë, moj e mira nënë…

 

Erdha të gjeta të gjallë,

Nënë, moj e mira nënë…

Të putha gjirin e tharë,

Po dot nuk ta nxorra mallë-ë

Nënë, moj e mira nënë…

 

2. Ç’ka bari që s’mbin në qafë ?!

 

Ç’ka bari që s’mbin në qafë ?!

Nga lotët që derdhin gratë

 

Ju të ligj e hu sakatë,

Amanet ju lëmë gratë.

 

Amanet ju lëmë gratë.

Se marrim rrugën e gjatë.

 

Se marrim rrugën e gjatë.

Dhe vallë a kthehemi prapë.

 

 

Legjenda e urës…

 

Atje tek ura në lumë

Hoj-hoj,

Ustallarët bëjnë një mur

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

Ç’i flet vjerra nuses së vogël,

Hoj-hoj,

Shpjeru bukë ustallarëve

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

Ma lini përjashta gjinë

Hoj-hoj,

Se lashë të vogël fëminë,

Hoj-hoj, e mjera unë….

 

 

Nina- nina djalin-o

 

Nina – nana djalin-o

Të voglin e neneso

Ç’i rrit foshnjat çiliminjtë

Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë…

 

 

Për të venë në kadife…

 

Një natë fjeta përjashta

Një natë të tërë,

Ç’bukuri që kishte nata

Një magji të tërë

Ish një natë e pikuar

Pranë buzës së kulluar

Për atë qiell

Për atë dhe

Për të venë në kadife

Përkëdhele veshur, mëndafsh kadife.

 

E veja si Afërdita,

Rrinte kryq i heshtur

Siç e hante natën dita

Ngjallja në të qeshur.

Nga të tjerat ishte ndryshe

Ish si piramidë egjypti,

Pse më iku goja,

Botën e shikoja,

Qënka bota tërë sekrete,

Tërë ëndrra, tërë qejfe

Për atë qiell

Për atë dhe

Për të venë në kadife

Përkëdhele veshur, mëndafsh kadife.

 

O boboo, me vete thashë,

O boboo, ç’pësova,

Në kërthizë të botës rashë,

Humba u harrova,

Se kush vdes, ikën, harrohet,

Ai që rron dashurohet,

Për atë qiell

Për atë dhe

Për të venë në kadife

Përkëdhele veshur, mëndafsh kadife.

 

Ç’u ngrita me natë…

 

Ç’u ngrita me natë…

Vajta tek burimi.

 

Lava sytë e zesë,

Me ujë trëndafili.

 

Më humbi sahati,

Më mbeti zinxhiri…

 

Hesht, mos qaj , moj bijë

Se ta blen bandilli.

 

E kishe të argjendtë,

Ta blen prej floriri…

 

Vogëlushe hane – hane,

 

 

Vogëlushe hane – hane,

Aman, mike kapedane.

Leshrat si evropiane,

Aman, mike kapedane,

E hollë, qafë sorkadhe,

Të kam thënë nazemadhe,

Na trete me ato naze,

Zemrën se ç’ma more fare,

Aman, mike kapedane…

Na trete me ato naze,

Aman, mike kapedane…

Zemrën se ç’ma more fare,

Aman, mike kapedane…

 

O Çajup, o vend i bukur…

 

O Çajup, o vend i bukur,

U ula të putha në ballë,

O bahçe e luleve,

 

Fusha e rrethuar me male,

Të bukur klime që ke.

 

Ujët e ftohtë si bora,

Ilaçi i sëmundjeve.

 

Pi pak qumësht dhe ke pirë

Erë të trëndelinave.

 

Ta ka ënda që të rrish,

Mu në mes të luleve.

 

Bijë nga Janina ..

 

Vezir i Janinës, Padishah i lartë,

Në akroreane, për një ditë e natë,

Prikë Vasiliqisë i bëri kalanë,

Muret të florinjta, gurët të diamantë,

Zonjë e bukurisë ish Vasiliqia,

Dhuratë dashurisë nha e shenjtë Maria.

 

Ishte Janinjote, vajzë e pamartuar,

Veziri në mote e kishte lakmuar,

Tërë bikurinë ia kish falur Zoti,

Vezirit, lakminë, Zoti pses’ia hoqi.

Bukuri  e saj dot nuk peshohet,

Aq sa mollë e artë përdheu rrëzohet.

 

Yjet seç i jepnin gotat plot me verë

Mëndafsh seç i bëhej vesa nëpër erë,

Ujët në burime i bëhej këmishë,

Kur duaj të krihej, qielli-pasqyrë.

Bukuri  e saj dot nuk peshohet,

Aq sa mollë e artë përdheu rrëzohet.

 

Vito, pëllumbesha….

 

Vito erdhe si pëllumbi

Erdhe më zgjove nga gjumi,

Ç’ben kështu Vito të thashë,

Pse më zgjove, unë sa rashë,

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Vesë e yjeve ka rënë,

Do na lag-ë, s’kemi ç’bëjmë,

Po lësho flokët e gjata,

Të mos ftohemi nga nata,

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Vetëm mos më vra me supe,

Mos më thuaj ik tutje,

Me flokët e tu mbulomë

Në fryftë e rarë borë.

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Në flokët et ua

Të vështron një fshat i tërë,

Atje gjumi më bën mirë,

Atje shkofsha djalërinë.

Vito, Vito pëllumbesha,

Në krahët e tua fjetsha.

 

Vajzë e valëve…

 

Vajzë e valëve

Zemëra ia mban

Mbi një gur anës detit,

Qan, e mjera, qan,

Qan, e zeza, qan.

 

Prêt atë që prêt

Dhe një dhembje ndjen

Gjithë bota venë e vijnë,

Por ai nuk vjen, e mjera,

Por ai nuk vjen.

 

Ju të bukur zogj,

Tek ju kam një shpresë

Ju që shkoni dete, male,

Dua tju pyes, e mjera,

Dua tju pyes.

 

Mos e pat a jo ?

Rron apo nuk rron,

Ndonjë lajm a ndonjë letër,

Vallë a më kujton e mjera,

Vallë a më kujton…

 

Një jetime jam,

Pa nënë e pa babë’

Një që kisha një që doja

Iku dhe më la, e mjera,

Iku dhe më la



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: