Doli nga shtypi libri i tretë i Magjistër Ardian Ramadanit
| E Merkure, 20.04.2011, 06:22 PM |

Doli nga shtypi dhe u publikua libri i tretë i Magjistër Ardian Ramadanit, me titull “Gjurmë realitetesh ”- Artikuj publicistikë dhe polemikë.

 

Libri përfshin studime, shkrime, artikuj dhe analiza të cilat janë të botuara më parë nga autori në gazetat e përditshme, revistat dhe portale të ndryshme në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, të cilat kanë të bëjnë me situatën aktuale politike në trevat etnike shqiptare, në Ballkan dhe në Evropë.

Botues i librit është vet autori. Redaktor i librit është publicisti i njohur nga Maqedonia Iljasa SALIHU, ndërsa recensentë janë Doc. Dr. Vlera EJUPI, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore dhe eseiste e njohur, si dhe Mr. Faton MEHMETAJ, publicist, analist dhe njohës i mirë i rrethanave politiko-diplomatike.

 

Në fjalën e tij redaktuese Iljasa SALIHU thekson: Kësisoj, përmes këtij rrugëtimi dhe epilogu të dhembshëm ndaj shqiptarëve, edhe në librin e tretë të tijin, ndërsa në librin e dytë eseistik, “Gjurmë realite­tesh”, autori i ri, por shumë i pjekur, z. Ardian Ramada­ni, do të vërtitet që të sjellë gjëra dhe fakte të padëshi­rua­ra dhe me kosto të lartë për brezin tonë të ardhshëm, që përkojnë me epërsinë e egër të pushtetit maqedonas, grek, atij serb dhe me servilizmin e paparë të “pushte­tarëve” shqiptarë.

Esetë dhe polemikat në fjalë nuk janë gjë tjetër, pos reflektim i asaj që rrodhi nëpër këto treva, mbase mund të jenë edhe emocionale, por ç’të bësh kur edhe më vajtuese është realiteti, i cili përmes atyre që e duan atë, vazhdon të nderohet ende me oksigjen të pastër, porse edhe sikur të gjithëve na bën me dije se një ditë, po këtë oksigjen mund ta përdor për ndezjen dhe përsh­kallëzimin e zjarrit, mbase të gjithë e dimë se shkëndijat e para dhe përshkallëzimi i zjarrit nuk shkak­tohen fillimisht prej shkrepëses, porse prej oksigjenit, pa të cilin zjarri as që mund të mendohej ndonjëherë.  Deri atëherë mbetet të pritet”.

 

Në fjalën e tij recensuese Doc. Dr. Vlera EJUPI thekson: Është për tu përshëndetur fakti që në kohën e dhimbjes më të madhe të shqiptarëve, natyrisht të atyre të cilët duhen të mburren se jetojnë në ish principatën legjendare-Dardaninë, një shkrimtar i ri dhe mjaft pro­duk­tiv, Mr. Ardian Ramadani, do me mish dhe me shpirt të na përkujtojë se koha për këta shqiptarë, për fat të keq nuk ec përpara. Koha ka ngecur ndokund nëpër disa kthina të çoroditura të të ashtuquajturve shqiptarë të cilët janë duke u udhëhequr këtë hapësirë. Është kjo një udhëheqje sa e padijshme aq edhe kërcë­nuese për atë pak pjesë të vogël dhe jo të kontaminuar të shqiptarëve, siç do ta kishte quajtur vetë autori i këtij libri i titulluar ”Gjurmë Realitetesh” i cili është për­mbledhje artikujsh publicistikë dhe polemika, të shkruara nga  Mr. Ardian Ramadani.

Gjurmë Realitetesh”, si titull përmbledh në mënyrë tejet të logjikshme qasjet e autorit të cilat janë të përmbledhura  në 21 artikuj, me tema mjaft serioze të cilat ngërthejnë në vete shumë të dhëna, shumë të vërteta në mënyrë tejet të guximshme të përpunuara, fakt ky i cili na dëshmon se ky autor nuk heziton tu rreket temave të cilat paraqesin dhe manifestojnë reali­te­tin tonë të mjerueshëm. Në terrin e plotësishëm të cilin e ka krijuar nomenklatura momentale qeveritare, “Gjurmë Realitetesh”, reflektojnë mesazh të drejtpër­drejtë tek lexuesi, duke përshkruar  kështu kulturocidin ndaj krijimtarisë, pra censurimi i librit të bukur të shkruar në gjuhën shqipe, e sidomos libri i cili ngrit vetë­dijen kombëtare, njollat e zeza të cilat paraqiten herë pas herë pa pikë nevoje në shoqërinë shqiptare, siç janë për shembull kidnapimet e shqiptarëve nga vetë shqiptarët, burgosjet e pafajshme të shqiptarëve për të kamufluar ndonjë skandal qeveritar, moszgjidhja e çështjes shqiptare, dhënie të shembujve se si do të kish­te mundur të rregullojë ky vend raportet me popullin shqiptar duke propozuar sistemin politik të Belgjikës, si një model shpëtimtar, përshkrimi shumë i gjallë i dhimbjes së nënave dhe motrave shqiptare të cilat kanë dhënë bijtë dhe vëllezërit e tyre viktima të pafajshme, si dhe një vistër argumentesh, faktesh të shtjelluara në më­nyrë të përkryer, të cilat nuk do të lënë as edhe lexuesin më të painformuar indiferent.”

 

Recensenti tjetër nga Kosova, Mr. Faton MEHMETAJ në fjalën e tij recensuese shprehet: Libri i autorit Ardian Ramadanit “Artikuj publi­cis­tikë dhe polemika- Gjurmë realitetesh” paraqet orvatjet e vazhdueshme të një klase të re studiuesish dhe politikanësh, të cilët po bëjnë projekte, po japin mendime e ide rreth rregullimit të ri shoqëror, rreth proceseve politike në të cilat janë të përfshirë shqiptarët e Maqedonisë të cilët janë shtetformues, por edhe e përbëj­në pothuajse pjesën shumicë të popullatës atje, pastaj shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Malit të Zi, të cilët domosdoshmërisht janë pjesë e integrimeve ndërshqiptare, por edhe e rregullimeve të ardhshme ndërshtetërore. Integrimi ndërshqiptar është njëra ndër kompo­nentat e rëndësishme të stabilitetit të rajonit por edhe më gjerë. Trajtimi i këtyre koncepteve që ndërlidhen me shtetndërtimin, format dhe mundësitë e realizimit të këtyre projekteve janë versione edhe më të hershme, disa prej tyre që nga Rilindja Kombëtare e që janë përcjellë deri në ditët e sotme. Këto teori, versione e ide janë duke u ripunuar dhe zgjeruar në forma të ndrysh­me, të pranueshme dhe që janë në përputhshmëri me zhvillimet ndërkombëtare të dekadave të fundit.

Libri i Ardian Ramadanit “Artikuj publicistikë dhe polemika-Gjurmë realitetesh”, është një interpretim i ideve dhe qasjes kritike ndaj disa fenomeneve negative në Maqedoni, veçanërisht ndaj shkeljes së të drejtave morale dhe njerëzore të shqiptarëve nga shteti. Trajti­met e Ramadanit, të përmbledhura në këtë libër, janë një hulumtim dhe reflektim mbi ngjarjet dhe fenomenet e shoqërisë, që e preokupojnë një klasë të shoqërisë shqiptare, në mesin e tyre edhe Ardian Ramadanin, të cilët përpiqen t’i tejkalojnë këto dukuri dhe fenomene, duke dhënë propozime konkrete për të dalë nga kaosi që e ka pllakosur shoqërinë shqiptare në Maqedoni.

Shkrimet që i ofrohen lexuesit në këtë libër të autorit Ramadani, janë një përmbledhje e shkëlqyeshme që pasqyrojnë situatën politike dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe më gjerë. Në këtë libër trajtohen ngjarje dhe paraqiten ide, ku janë anali­zuar mirë konceptet e shqiptarëve në Maqedoni, paraqitet shkoqur ecuria për të ardhmen dhe sukseset e pritshme të popullit shqiptar që jeton në Maqedoni”.

 

Përndryshe Ardian Ramadani është lindur më 1983 në Kumanovë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu me sukses të shkëlqyer në Kumanovë duke u zgjedhur nxënës i dalluar nga autoritetet komunale.

 Studimet deridiplomike i ka mbaruar në Univer­sitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku ka mbaruar Fakultetin e Trajnimit Pedagogjik e Metodolo­gjik, Dega e gjuhës dhe letërsisë frënge, duke u zgjedhur Student i dalluar.

Ka mbaruar studimet postdiplomike me sukses të shkëlqyer, në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, Drejtimi i studimeve të diplomacisë, ku ka magjistruar me temën “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison d`État”, me ç`rast ka marrë edhe titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike dhe Shkencave Politike.

Ka qenë deputet i Maqedonisë në Parlamentin Frankofon të të Rinjve në Bruksel.

Ka punuar për tre vite me radhë profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Kumanovës si dhe për tre vite të tjera profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ka qenë poashtu edhe ligjërues në Akademinë Diplomatike Shqiptare.

Aktualisht punon si sekretar i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ardian Ramadani është recensent i dy librave gjer më tani, mandej autor i rregullt i shumë shkrimeve, artikujve dhe analizave nëpër ëeb portale të ndryshme, revista dhe gazeta të përditshme shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. 

Deri më tani ka botuar librat “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`État dhe Shteti-Komb”, si dhe librin publicistik “Labirinth i shpalosur- Studime, Artikuj dhe Analiza”. Ky është libri i tij i tretë.

Ardian Ramadani jeton në Opajë të Kumanovës.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: