Pëllumb Gorica: Vështrim rreth tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie” të Lida Lazajt
| E Hene, 18.04.2011, 07:26 PM |

DUKE LEXUAR NJË TREGIM

 

Vështrim rreth tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie” të Lida Lazajt.

 

Nga PËLLUMB GORICA

 

Jeta është një rrjedhë e fuqishme në hapësirat e kohës. Atje ku mendohet se ajo është futur tërësisht në rrugën e saj, ngjarje tinëzare gremisin të natyrshmen. Në labirintet e realitetit të saj, në gurgullimat, oshtimat dhe vështirësitë ndodh që njeriu të burgoset brenda kornizave të ndjenjave dhe vetëndërgjegjes së tij. Ku është e keqja është edhe e mira, aty ku është gëzimi është edhe trishtimi, aty ku është ferri është edhe parajsa, aty ku është disfata është edhe lavdia. Aty ku të rrethon trishtimi, angështia, ku t’i thua se tani më mori lumi e u katandisa i pushtuar nga monotonia, duke u kokolepsur mes këtij qerfulli kërkon të dalësh për të kapur harmoninë e rrjedhës së jetës.

Të gjitha këto rrjedha të larmishme të jetës, mundohet t’i ngërthejë brenda tregimit të saj, “Profil vetëmjaftueshmërie” autorja Lida Lazaj.

 Një grua që i ka vdekur i shoqi  e vret vetminë, duke i shkuar çdo ditë “në takim” tek varri me një tufë lule në dorë, me mendimin se jeton më shumë me të kaluarën se sa me të tashmen e zbehur përkohësisht nga ndjenjat e sterilizuara dhe  vitet e vështira të jetës, rmundohet që prapë kafen e mëngjesit ta pijë me bashkëmoshatarin e saj, Klitin. I tillë është subjekti i tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie”, ku jeta monotone ka strukur në një rreze të saj një grua fatkeqe me emrin Elenë. Ajo tashmë e thithur nga monotonia e jetës sikur është bërë materie e ngurtë, është sendërtuar. I ngjan vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmen ndryshim: merrte frymë, shkruan autorja, për Elenën. Elena e kupton se jeta jashtë saj gjallon, përtërihet, ndryshon, ecën, herë me ritme të ngadalta e here të vrullshme, por ajo nuk e ndjen veten zonjë më pas vdekjes së të shoqit ta ndjek me hapin e saj të plakur. Ajo rri gjithë ditën brenda shtëpisë, fshin pluhura dhe shikon albume, mundohet të ndalë e rikthejë jetën pas, kohën që ka ikur. I duket se edhe krimbi i mërzitjes, rrezja e diellit që hyn nga dritarja e dhomës e bën të vuaj edhe më shumë, pasi mediton e kupton që bie në donkishotizëm, ndaj nis e loton. “Vajtonte me fjalë, në regjistrin më të ulët të zërit. Qaj-qaj i thoshte vetes, kush tjetër do t’i qajë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të vdekura” -shprehet autorja, duke arritur të futet artistikisht në të fshehtat e ndërgjegjes së personazhit. Elena në butësinë melankolike, por më shumë me vështrimin e sinqertë për atë që ndodh, përpiqet për një ndryshim të gjendjes shpirtërore, ndjenjë e cila  përzihet me brengën dhe në këtë pushtim të vetmisë, ndjen keqardhje për këtë gjendje që nuk e fsheh dot. “Ditët rrokullisen pothuajse njësoj” me vetëmbylljen e saj. Duhet ndryshuar kjo gjendje. Takimi me bashkëmoshatarin e saj, Klitin sikur zgjon diçka shpresëdhënëse, megjithëse autorja këtu nuk thotë atë që lëngëzon zemrën e tharë të vejushës. ”Dy të moshuar shquanin dhe në hapin më të ngadaltë ngutjen që tek ata e kish humbur prej kohësh kuptimin”. Por jo vetëm kaq, të moshuarit edhe pse pleq kanë nevojë të shijojnë jetën dhe më shumë të marrin hak për ato gjëra që u kanë mbetur pishman në jetë. Autorja Lida Lazaj, këtu mundohet, duke e zhytur Elenën në kujtime rinore, madje, duke kujtuar libra që kishte lexuar për dashurinë, por edhe atë krahasimin me të dashurën e mplakur të shkrimtarit Gabriel Garsia Markez, në romanin “Dashuri në kohën e kolerës”.  Elena mundohet kështu që të mbush boshllëqet e zemrës së saj me ç’të mundet. Telefonat e fëmijëve ”që hyjnë si një refren i shkurtër gazmor në mes të një melodie monotone”, ndërthuren edhe me takimet e bashkëmoshatarit të saj Klitit, por edhe më shumë, duke dërguar çdo ditë lule tek varri i të shoqit.

   Në fund të tregimit, Elena zgjohet dhe sikur rrezaton shpresa të reja. Nuk mjaftohet më me brendësinë dhe shtëpinë e saj. Dëgjon tingëllimën e telefonit dhe mendon për fëmijët e saj dhe me rrugën e së ardhmes që ecin fëmijët e saj. “Fëmijët me krahët si zogjtë e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej” - shkruan autorja. Ndaj autorja vë në gojën e Elenës këto fjalë:  “Koha që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra”. Ndaj sikur kënaqet në vetëmjaftueshmërinë e saj edhe për takimin me bashkëmoshatarin,Klitin. Jeta pulson me ritmin e kohës, dhe këto përmasa hapësinore sikur ja zbusin cënimet e dhembjes. Ç’hapësira paska për dhimbjet kur koha kalon. Jeta ecën, vazhdon, e kurrë nuk ka vetëmjaftueshmëri.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: