Pëllumb Gorica: Promovohet vëllimi poetik “Duke farkëtuar thika” i Niko Stylos
| E Shtune, 16.04.2011, 07:57 PM |

 

  KERKIM    ËNDËRRËS 

  

Promovohet  vëllimi  poetik  “Duke farkëtuar thika”  i Niko  Stylos

 

NGA  PËLLUMB GORICA

   

Këto ditë, poeti, intelektuali, studiuesi arvanitas, Niko Stylo, na mbodhi me magjinë e librit të tij, në një nga mjediset e Hotel Tirana. Takim mbresëlënës i organizuar thjesht e bukur. I konceptuar si një bashkëbisedim, falë vlerave që mbartin librat e tij, interesimi ishte i madh. Është një motiv i gëzueshëm të marrësh pjesë në takime të tilla ku shpalosen vlera artistike e individualitete krijuesish, por më shumë të njohur në sprova të tjera me ambicie solide. Ndjesitë e natyrshme për vlerat njerëzore edhe pse një gjë e vogël në dukje, janë të rëndësishme nëse duam të reflektojmë kulturën e kohës, aq më shumë që nuk kushtojnë asgjë për atë që e jep, ndërsa për atë që e merr është një kënaqësi e çmuar shpirtërore. Niko Stylo u përket studiuesve që punojnë me këmbëngulje dhe vullnet për çështjen kombëtare. I shquar në fushën e studimeve gjuhësore e historike me pasion e përkushtim hulumton në zbulimin dhe interpretimin e magjisë së gjuhës sonë në Gjermani, ku jeton.

  “Duke farkëtuar thika” është një libër i vyer me poezi, që i shtohet botimeve të autorit në gjuhën shqipe. Dhe ky botim i promovuar mes miqve poetë, studiues, shkrimtarë, artdashës, është pjesë e jetës së tij shpirtërore, të shkruara në një kohë dhe hapësirë mbi 30 vjet e ca  viteve më parë, në vitet e rinisë së tij, moshë kur çdo kujt i vlojnë dëshira, ëndrra, aspirata për jetën.  I botuar greqisht (viti 1978) ardhur për lexuesin tonë në shqip këto ditë. Respekti i mirënjohjes i takon për këtë libër të sjellë në shqip nga greqishtja, punës pasionante të poetit dhe përkthyesit Llambro Ruci, i cili në parathënien e këtij vëllimi poetik shprehet: “Poezia është një anë tjetër dritëplotë e personalitetit të Niko Stylos, një terren tjetër me mjete të tjera, ku drithërimat poetike të një shpirti delikat, përvijohet me një varg të ngjeshur me ide e mendime, që burojnë nga ndjesi të fuqishme e realiste dhe nga një përvojë e gjatë dhe e mprehtë jetësore”

Ajo që të le një shije të pashlyer nga kujtesa kur e lexon dhe e rilexon vëllimin poetik “Duke farkëtuar thika”, është se dëshmon potencial vlerash poetike. Vëllimi poetik “Duke farkëtuar thika” i Niko Stylos është një qasje e bukur tematike, që gëlon motive interesante, trille të ndjeshmërisë emocionale të fjalës. Niko Stylo evokon këtu shijen e pafund të ngjyer me penelata drite të Çamërisë, thelbin e kohës, dramat e rrjedhat e historisë. Dhe i gjithë ky kolorit poetik sintetizon mesazhe ideo - tematike dhe ideo - estetike të të qenit më shumë se vargje poetike, kundërshti ndaj anëve të këqija, por që rrezatojnë bukur në këtë vëllim, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë thjesht me vargje, por me ndjesi që zbulojnë thellësinë e marrëdhënieve njerëzore, jetën, kohën.. Tjetër gjë që ia shton vlerat vëllimit poetik “Duke farkëtuar thika” të Niko Stylos është se poezitë janë shkruar me frymë moderne. Nuk janë vargëzime të rëndomta, por të natyrshme, që shprehin ritëm, mendim përmes një figuracioni të pasur simbolik, ku spikat pasuria e vlerave njerëzore. Pra, duke shpalosur intensitetet të bën përshtypje lakonizmi proverbial i vargjeve. Në disa poezi ndesh gërshetimin e lashtësisë me kohën, filozofinë e saj.

Të flasësh më gjatë për ç’përmban ky libër kërkon një shkrim analitik, veçse në kornizën e tij, le të përcjellim mendimet e fjalët e të pranishmëve miq të autorit, poetë, shkrimtarë, studiues dhe historian në këtë promovim, që do ta quaj një sintezë vlerash artistike në shpërfaqjen e tyre për këtë vëllim si një arritje tjetër e Niko Stylos, por edhe të një vlersimi objektivpër këtë personalitet me kontribut të vyer në albanologji, studiues skrupuloz dhe i thellë në vlerat tona  njohëse për të ardhmen.

 Miqtë  e poetit e krahasuan gëzimin e  promovimit të këtij libri me një nuse të bukur që kërkon fjalë, urime, përgëzime.

Shkrimtari Enver Kushi i cilësoi poezitë përjetime emocionale që evokojnë vlera e drejtësi sociale dhe, duke i krahasuar me poetët e kohës, vargjet e tij zënë vend të nderuar në panteonin poetik.

 -Poeti gjen kohë pasi ka lënë për pak çaste skedat e gjuhës dhe hulumtimit të thesareve shpirtërore të lashtësisë sonë të futet në hullinë e vargjeve që na befasojnë- tha në mbyllje të fjalës së tij.

Duke  folur me çiltërsi, që është për t’u admiruar, studiuesi Bashkim Kuçuku flet në detaje për mbresat që i ka lënë vëllimi poetik “Duke farkëtuar thika”. Thekson se, i botuar  në dy gjuhë, ky libër i përket një elite dhe që është një mjet komunikimi ndërkombëtar, sepse një libër i tillë në dy gjuhë është për një lexues të shumtë, që e shijon leximin e tij dhe plotëson kulturën si një risi e së ardhmes.

Me gëzimin e shfrenuar shpreh mendimet e tij edhe studiuesi Kosta Papa. Ndër të tjera ai tha se poezitë e Niko Stylos kur i lexon të krijojnë një emocion mbresëlënës, poezi tipike për kohën, që shprehin një shpresë të ndierë me të vërtetë. Ka gdhendur këtu shumësinë e spektrit të Çamërisë me një tematikë të gjerë. Aty është historia, bëmat e saj, deti me stërkala, këngët, natyra e viseve me aromat e luleve, fëshfërimën e ullinjëve, trokitjet e hapave në kalldrëmet e vjetra.

  Studiuesi dhe poeti Ahmet Mehmeti në fjalën e tij vlerësoi vëllimin poetik për modernitetin me të cilin është shkruar.

 -Poezia e Nikos është  e bukur, lexohet me dëshirë dhe kënaqësi. Stili i këndshëm, gjuhë e pasur. Niko Stylo i ka dhënë fjalës shpirt me poezinë e tij metaforë brenda të cilave përmblidhet një botë e tërë që shpreh ndjenja e ashtu fuqishëm depërtojnë në botën e lexuesit.

Aktorja e madhe Margarita Xhepa me zërin e saj të ëmbël, interpretoi aq bukur fragmente të zgjedhura poezish nga vëllimi poetik “Duke farkëtuar thika”. Fjalë të mrekullueshme për pasionin poetik, vargjet e realizuara bukur, për vlerat shkencore e kontributin e tij i shfaqën edhe të tjerë emra të njohur të penës si: Bedri Myftari, Arben Kondi, Pertrit Belliu, Laurent Bica.

 Në fund të takimit,  studiusi Niko Stylo me një emocion të jashtëzakonshëm dhe befasues për të, falënderoi për fjalët fisnike që u thanë këtu. Herë pas here ndalej nën breshërinë e duartrokitjeve të miqëve. Më pas dëshirave të tyre dhe lexuesve u dedikon autografë për librin në fjalë. E kush nuk ka dëshirë të bisedojë me të, të bëj fotografi, shkëmbejë adresa.

Me përshtypjen e një dite të kaluar këndshëm dhe bukur mes miqësh të fjalës së bukur por edhe me  emocione që mund t’i shprehë kushdo natyrshëm, takimi u mbyll me urimin “U mbledhshim përsëri!



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: