Kalosh Çeliku: Tanusha
| E Diel, 17.04.2011, 07:00 PM |

TANUSHA

 

Moskokëçarës, përqeshës,

të egër – ashtu na do Urtësia:

ajo është grua

dhe gjithmonë e do vetëm

luftëtarin…

Friederich Nietzsche

 

Nga KALOSH ÇELIKU

 

Plot dy muaj njerëzit i shihja me nga dy koka. Vështirë i lexoja gazetat, ndonjë libër. Lëmsh shkronjat… Shkallët… Rruga…Ndërtesat… Megjithatë, nuk shkova e nuk shkova më te mjeku. Fatkeqësisht, nuk ia pash të bijën. E lash ç`do gjë në duar të Natyrës… Zotit… Miqtë filluan të më vizitojnë… Edhe Cuca Boheme pas dy muajve. Një natë e nisa edhe romanin tim më skandaloz: Gratë e mia besnike. Çudi, për një muaj e hodha në letër. Truri si duket ishte pastruar nga marrëzirat… Patriotizmi i rrejshëm… Patetika… Lufta për karrige… Pushtet…

         Në Tanushë nisi lufta. Çudi, sipas rrëfimit të një miku shkrimtar, pasi kisha vdekur në Voskopojë duke u ngutur që sa më parë të më shpien në spital në Korçë, rrugës kishin bërë aksidentë komunikacioni. Unë, atëherë kisha bërtitur: LUFTË… Miqtë që kishin humbur ç’do shpresë për shenja jete, vetëm tashti e kishin parë se unë ende jam gjallë… Ose, u ringjalla…

     Vallë, thua unë e paralajmërova luftën në Maqedoni… Unë të isha njëfarë profeti… Ku ta di… Realiteti e bëri të veten mes maleve. Tanusha një fshat, që pakkush e dinte se ku gjendej, e ngriti zërin. E dëgjoi Europa. E dëgjoi edhe bota. Nënës Parti ia prishi rehatllëkun në Qeveri. Shkak ky, që do ta shti Menduh Thaqin me shokë publikisht ti thotë Dosta Dimovskës: “Bjeru motër se, kemi të bëjmë me banda kriminele ndaj të cilëve shteti duhet ti marrë të gjitha masat e duhura”. Njëkohësisht, me shokë ti drejtohen popullit shqiptar në mjetet e informimit: “Qeni i keq ta sjell ujkun në torisht”. E më vonë të komentojë për “FAKTI-n” rreth kërkesave politike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare: “Mos tu shkojë ndërmend se do të arrijnë që ta nënshtrojnë PDSH-në me veprime të “këtilla”. Le të flasin për vete dhe punët e tyre. Punët e PDSH-së dhe strukturës së saj janë të qarta…

… Mendoj se kjo është një listë dëshirash. Fundi i fundit një plagiat me ndryshime kozmetike e platformës dhe programit të PDSH-së. Sipas të gjitha gjasave projektantët apo demagogët që qëndrojnë pas këtyre njerëzve janë njerëz të cilët kanë pasur dështime të mëdha në politikën legale dhe legjitime të shqiptarëve të Maqedonisë, madje edhe në vendet tjera në Kosovë e kështu me radhë. Mendoj se mënyra e tërë veprimit është tejet e paarsyeshme dhe shumë e dëmshme për ardhmërinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe në rajon. Këta njerëz sigurisht se nuk kanë legjitimitet të saktë dhe të qartë. Legjitimiteti i tyre është shumë i dyshimtë”, - deklaroi për “FAKTI-n” Menduh Thaçi, nënkryetar i PDSH-së, pas bërjes publike të kërkesave politike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare…

     “ FAKTI “ gazetë e përditshme e “pavarur” në Shkup, që kurrë nuk ka ditur se ku e ka kokën e ku bythën, në faqe të parë do të botojë editorialin: “UÇK-ja duhet ti dorëzojë armët”…

     Në një editorial tjetër të radhës edhe: “… Shqiptarët nuk duhet të bijnë në grackat e reja të interpretimit të gabueshëm të politikës. As Kushtetuta e as federalizimi, as regjistrimi i popullsisë nuk bëhet në male, prandaj çdo tentim për të futur në mal politikën shqiptare të Maqedonisë është tendencë e rrezikshme me pasoja të paparashikueshme. Njohja e sovranitetit dhe integritetit teritorial të Maqedonisë nuk mund të bëhet me maskë në fytyrë, sepse edhe ne që ecim pa maska njohim dhe respektojmë sovranitetin e Maqedonisë, prandaj edhe duhet të mos e humbim respektin dhe përkrahjen e aleatëve evroatlantik”.

       Nëna Parti do të organizojë në Shkup: “Marshi për paqë dhe drejtësi”:

“… Është e qartë që përgjigjen në këtë pyetje, veçmas menaxhimin me krizën nuk mund ta lëmë në duart dhe mendjen e shoqatave minore, pa rëndësi dhe ndikim shoqëror, pa informata, kapacitet, kompetenca dhe përgjegjësi shoqërore…

       PDSH-ja si subjekt me përgjegjësi objektive-shoqërore dhe kombëtare me guxim politik dhe patriotik, duke u mbështetur në informatat që i posedon, nuk mund të rri anash, të bëj sehir dhe në mënyrë opurtuniste të tentojë të përfitojë nga kriza ashtu si disa shoqata minore që synojnë të legjitimohen politikisht përmes fatkeqësisë të të tjerëve.

       PDSH-ja thotë haptas se kjo luftë nuk lejohet, aq më pak të fitohet…

       Bërllok! Bërllok shqiptar që me vite më zinte frymën. Zorrët mi kishte nxjerrë nga barku. Nëpër tubime Nëna Parti e kishte ngritur flamurin kuqezi. E kishin shaluar Kalin e bardhë me një këmbë të thyer nëpër Bit Pazar. Bustin ia kishin ngritur në Sheshin e Tun Batunit “patriotët” kuqezi... E kishin bërë Kosovë…Shypni Etnike E shi sot, përsëri vazhdonte me të njejtat kakërdhija... Vazhdonte të na e qelb lëmën… Atdheun…

       Kryengritësit vazhduan luftën. Grupeve të tyre iu bashkuan edhe shumë të rinj. Mjetet e informimit vazhdonin me propagandën… Terroristë… Banditë të hedhur nga Kosova, që ne gjatë egzodit në Kosovë i pritëm me bukë e ata me gurë… E ku ta di unë, çkamos… Në shtyp dolën edhe komunikatat e para të UÇK-së. Deklaratat e komandantëve: Hoxha… Sokoli… Mësuesi… Shpati… Mala… Baca… Teli… Leka… Gjini… Xhaxhi… Haxhi Baba…

        Dhe, pas bombardimeve të rënda nga policia dhe ushtria maqedonase, mu kur priteshte të shuhet kryengritja shqiptare në Tanushë, ajo plasi edhe në fshatrat e Tetovës… Shipkovicë… Gajre… Kala…

       Policia dhe ushtria maqedonase i sulmoi me armatime të rënda edhe këto fshatra. Demostroi forcë. Nuk i kurseu as fëmijët, as pleqtë, as shtëpitë. Çdo gjë u kall në flakë dhe u rrafshua me tokë… Po, kryengritja nuk u shua, jetoi në male. Edhe më keq, zbriti edhe në fshatrat e Kumanovës: Sllupçan, Orizare, Likovë…

       Mjetet e informimit në gjuhën maqedonase i mbushën faqet e tyre të gazetave dhe ekranet televizive me terroristë. E në realitet terrorizëm bënte policia dhe ushtria maqedonase mbi popullatën e pafajshme të cilët nuk i linin vatrat e tyre shekullore. Politikanët shqiptarë vazhdonin jetën e tyre në Qeveri, nëpër ministri me një asht në gojë. Deputeti i popullit të Karadakut H. Sh. mes këtij egzodi të paparë mbi popullatën që ia dha votat do ta lë parlamentin dhe do të dalë në mal, do ti bashkangjitet UÇK-së. Grusht i rëndë ky për Qeverinë maqedonase… Nënën Parti… Mjetet e informacionit që me javë të tëra do do të vazhdojnë ti mbushin faqet… Ekranet televizive…   

       Kryengritja mori hov maleve. Popullata e fshatrave të Kumanovës si gjithmonë nëpër shekuj edhe kësaj radhe e dha provimin kombëtar, nuk i la vatrat e tyre, po u ngujuan nëpër bodrume. Qeveria mes mjeteve të informacionit u bënte thirrje, u caktonte afate. Po, ata nuk lëviznin asnjë hap nga pragu i shtëpisë… Varret e të parëve... U përballuan të gjithave bombardimeve të artilerisë së rëndë dhe helikopterëve që Qeveria i bleu me paratë e tyre nga Rusia.

       Edhe hafiet e Qeverisë vazhdonin me propagandën. E dogjën Manastirin. Tashti radhën e ka Çairi… Çairin do ta kallim në flakë… Gjithë kohën cingërronin telefonat… Kërcnimet… Frika… Brenda një jave u zbraz i gjithë Çairi. Njerëzit ikën sa çelë e mbyllë sytë. Aty-këtu nëpër ndërtesa kishte mbetur ndonjë familje maqedonase… Edhe Gazi Baba u zbraz… Edhe Bit- Pazari… Lagjet, rrugët dukeshin si shkretirë. Pak njerëz, pak makina nguteshin si pa kokë…

E nesërmja erdhi si çdo ditë, me diell. Një qetësi e tmershme që të fuste frikën.Vdekje e

parakohshme, pa zhurmë makinash, zëra fëmijësh… Qetësi varri…

Ngadalë u ngrita dhe e lëshova BBC-në, lajmet e para të mëngjesit. Komandant Hoxha jepte

deklaratë se, nëse nuk i ndalnin goditjet e fshatit Haraçinë me raketa, predha e altileri, do ta sulmojë Shkupin. Dy aradha ushtarake që i ka UÇK-ja në Karadak të Shkupit dhe Vizbeg, mezi e presin urdhërin e Shtabit të përgjithshëm për sulm.

UÇK-ja arriti në fshat duke u kërcnuar me bombardime në Shkup, nga 10 kilometra largësi

në malet e Karadakut. Ajo çoi në armëpushimin e luhatshëm, bisedimet së shpejti u ndërprenë dhe forcat qeveritare hodhën çdo gjë që kishin në arsenalin e tyre për ti zhvendosur guerilët, ose siç u thonë ata “terroristë të ashtuquajturës UÇK”…

Tri ditë më vonë trupat e NATO-s i evakuan guerilët më falni të “ashtuquajturit terroristë

e të ashtuquajturës UÇK”, për ta shmangur kërcnimin e luftës civile, pasi që një burim diplomatik e quajti atë, hap i turpshëm. Pjesa më e madhe e fshatit ishte e goditur nga raketat, predhat dhe artileria…

Mirëpo, evakuimi rezultoi në trazira dhe të shtëna para parlamentit në Shkup nga

maqedonasit e mllefosur, të cilët besuan se NATO-ja u ka ndihmuar guerilëve, “terroristëve të ashtuquajturës UÇK”, për tiu ikur hakmarrjes së armatës e policisë maqedonase.

     Kryetari Trajkovski duheshte të apelojë për qetësi dhe të pranojë se evakuimi i

”terroristëve të ashtuquajturës UÇK”, ishte pjesë e planit paqësor në bashkëpunim me perëndimin për t’iu shmangur viktimave ndërmjet trupave maqedonase.

           Qeveria maqedonase duhet të kuptojë se nuk mund ti fitojë kryengritësit, ose siç u thotë “terroristë të ashtuquajturës UÇK”, me granata dhe të shtëna me artileri ndaj luftëtarëve të cilët janë fshehur mirë, asaj edhe mëtej i mungojnë trupa të stërvitura për ti zhbirosur pjesëtarët e UÇK-së, ose siç ka qejf t`u thotë “terroristë të ashtuquajturës UÇK”, jashtë maleve.

     Njësitë e forcave speciale maqedonase, Tigrat, Ujqërit dhe Shkorpionët janë kryesorët,

mirëpo janë në numër më të vogël. Këta janë trupat më të mirë që i kanë, mirëpo ata nuk janë aq të mirë ballë më ballë me “terroristët e të ashtuquajturës UÇK…”

     Televizioni në orët e vona në Maqedoni është përplot zjarr të pushkëve dhe ” heronj

aksioni, mundësitë supernjerëzore të të cilëve i tejkalojnë të gjitha kufinjt pa ndonjë kompromis.

     Fatkeqësisht, shumë maqedonas mendojnë se jeta reale mund ta imitojë televizionin

përplot Rambo, duke e mbushur ndjenjën e të dyja palëve të konfliktit etnik se rezultatet politike më së miri sigurohen me pushkë, tankse dhe mortaja… Helikopterë…

     Fshati i bombarduar Haraçina, i bëri ballë sulmit të dështuar të Qeverisë për ta

zhvendosur të “ashtuquajturën UÇK”, që lufton për të drejta kombëtare. Ata voziten nëpër kodra me xhipa pa kulm, kërcejnë nga xhipi përderisa ai është në lëvizje, gjuajnë me pushkë dhe granata në polici e ushtri, ata janë profesionistë. I mbushin bojlerët me eksploziv dhe i ngarkojnë në kuaj drejt pozicioneve të armikut. E lidhin nga një qen për dore që ti tërheqë të plagosurit nga fronti i luftës…

     Një Rrospi Mashkull në revistën e vet, deklaratën e përfaqësuesit politik të UÇK-së Ali

Ahmeti e futë në kornizë në mes shkrimit të Dhëndërit të Doktor Ziut…

     Vallë, a duhet njëherë e përgjithmonë të përfundojmë me këtë matrapaz letrar?!… Unë,

moti kam përfunduar dhe i kam hedhur në bërllokun shqiptarë…

     A duhet besuar ende një njeriu që rrit vetëm bark dhe bythë?! Jo. Kurrë Nuk e di pse në

jetë kurrë nuk u kam besuar matrapazave. Shkaku: bytha e tyre gjithëmonë në jetë, si lulja e diellit që rrotullohet rreth diellit, është rrotulluar rreth rroçkodanit

     Gjithëmonë, në jetë na kanë detyruar për të drejta kombëtare, ta shtrijmë dorën në rolin e

lypësit. E atyre, kur tu teket të na e hedhin një asht. Jo, kësaj radhe që i kemi rrokur armët, nuk do ta shtrimë më dorën, po do të jemi ose të barabartë ose ata, pala tjetër tashti e tutje do ta shtrinë dorën. Provojeni edhe ju këtë rol, shihni si u duket vetja në rolin e lypësit. Megjithatë, ne nuk do të biem në nivelin tuaj, me siguri do tju hedhim më shumë seç meritoni si lypës…

     Fundi i fundit, çfuqi kam të bëj unë si shkrimtar para këtij shteti pa shpresë, i mjerë dhe i

shkretë, që kur ti teket promovon “doktorë” shkence duke i shpërblyer me tituj, vende pune e dashnore e duke ua marrë gratë dhe “doktoresha” të shkencës, poashtu me vende pune e dashnorë duke ua marrë burrat?!…

     Asgjë. Shtegun e shoh tek e ardhmja, që duhet ti marrë punët në dorë. Njëherë e

përgjithmonë duhet futur shqelmin servilëve, matrapazëve e kulturofagëve të paaftë, që brenda natës i ndërrojnë njëqind fytyra. Nuk na duhet më bërlloku nëpër parti politike, arsim, kulturë dhe mjetet e informacionit… Individë me zgjebe komuniste që kanë shëtitur parti më parti, si kurva burrë më burrë…

     Nuk do të më vinte inatë, që këta matrapazë, bërllok shqiptarë të ishin politikanë. Po,

fatkeqsisht, këta shiten si “intelektualë”. Inatë ky, që për çdo ditë më shti të vjellë, tu bie me këmbë si konzerva të shprazura deri në varr…

     Papritmas, im Atë e hapi derën dhe u ulë këmbëkryq pranë oxhakut. E hoqi mauzerrin

nga krahu dhe e vëndoi në prehër. Kësulën e bardhë e shtrëmbëroi mbi vetullë.

         -Erdha përsëri nga varret…Biro, frikë kam pasur se nuk do të ma kalosh mua si prind. Një

urti popullore thotë: ti ngjash babës është adet, po tia kalosh marifet”. Edhe ti trembu nëse nuk ta kalon yt bir. Tashti e shoh se, aty ku e lamë ne, ju e vazhduat me penë e pushkë. E di se, na e kaluat neve si prindër, prandaj edhe jam i lumtur, po edhe më i lumtur do të jem, nëse fëmijët tuaj do tua kalojnë juve si gjeneratë. Nuk do të numrojmë në vend, po do të ecim përpara brez pas brezi…

Shpërthime në Shkup. “Të mërkurën pak para mesnate në Qendrën tregtare ”Çairçanja”, në Shkup ka shpërthyer një mjet eksplodues, që përpos dëmeve të konsiderueshme të disa lokaleve afariste të shqiptarëve, nuk pati viktima, edhe pse në këtë qendër gjatë kësaj kohe mblidhen të rinjtë shqiptarë…

       Ndërsa gjatë natës në lagjen “Kisella Voda” të Shkupit kanë eksploduar dy bomba me çrast është plagosur një grua maqedonase.

       Policia ka filluar me hetimet, ndërsa deri më tani nuk ka indikacione se kush ka mundur të jetë ekzekutuesi i këtyre shpërthimeve. Nuk ka njohuri nëse bëhet fjalë për shpërthime të njejta”…

       Në fund, pasi i dëgjova lajmet, më erdhi në telefonin tim celular një përshëndetje: “Në Çairçane bombë…” E kërkova numrin që ma dërgonte lajmin. Matanë, mu përgjegjë në gjuhën maqedone një zë i dehur burri… E mbylla celularin. Pas një kohe, i njejti numër ma dërgonte mesazhin: “më falni gabim”…

         Dita e sodit nuk e kishte këtë barrë, prandaj edhe më dha kohë që ta shfletoj gazetën. Në mes të titujve ma tërhoqi vëmendjen:  “Plumba të argjendtë për politikanët shqiptarë.

         Me letra kanosëse UÇK-ja ka porositur deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë që të marrin shembullin e deputetit Hysni Shaqiri, i cili para dy muajve iu është bashkuar aradhave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

        Sipas shërbimeve të fshehta maqedonase, ka njohuri se pjesëtarët e UÇK-së tanimë disa muaj, nëpërmjet letrave apo thirrjeve telefonike, iu kanosen me likuidim edhe liderëve shqiptarë në Maqedoni.

       Letra të tilla kanë marrë Menduh Thaçi dhe Arben Xhaferi, ndërsa këtyre u janë dërguar edhe “plumba të argjendtë” që do të thotë dënim me vdekje.

      Poashtu këto ditë letra dhe plumba të argjendtë kanë marrë edhe anëtarët e PPD-së, sepse kanë pranuar që të marrin pjesë në qeverinë e re. Gazeta “Dnevnik" shkruan se pikërisht për shkak të këtyre kanosjeve Naser Zyberi nuk ka pranuar të jetë ministër…

      Pesë ditë e pesë netë e mbylla veten në dhomë mes librave. Shtambave me verë, që pasi i ngreja me fund i hudhja për dritarje. Njeri i gjallë nuk ma hapi derën. E rrotullova gjithë banesën bythekrye nëpër dhomë. E zbrasa frigoriferin. Byfenë, që nuk lash shishe alkooli  më këmbë. Gjithë kohën të vetmen rrobe që e kisha, ishte një këmishë e bardhë deri në fund të këmbëve. Tri katër herë në ditë e zhvishja atë dhe e hudhja në mes të dhomës për të bërë banjo, larë djersët. E si për inat, këto ditë gushti vapa më shtrëngonte pamëshirë mes mureve. Herë pas here, edhe atë pasmesnate Zonja Vdekje ma hapte derën. E ngrenim me të së bashku nga një dolli, lexonim poezi dhe hiqnim valle. Dikur nga mëngjesi, mua kur do të më rrëzonte mes librave agimi, ajo do të përvidheshte tinës nga dhoma ime, do të ma  mbyllte derën dhe do të dilte nëpër qytet…

       Ora dymbëdhjetë. I hapa sytë, e kisha bërë gjumin e të vdekurit. E mora tabutin në shpinë dhe dola në oborr. Posa shkela në park, mu turr zhurma e fëmijëve. Gjallëri kjo, që më dukej se më kishte munguar me vite. Eca. Teposhtë rrugës e pash se edhe qyteti ishte gjallëruar. Ishte kthyer në gjendjen e mëparshme. Njerëz, makina turreshin si pa kokë në rrugë. Çudi, thash me vete me njerëzit. Edhe këta janë si dhentë, njëra të kërcejë në lumë dhe të gjitha njëra pas tjetrës në hurdhë. Posa ishin dëgjuar krismat e para në Tetovë, të gjithë kishin ikur nga sytë këmbët. E shi tashti, kur rreziku i luftës ishte edhe më i madh. UÇK-ja priste vetëm urdhërin dhe ta sulmonte Shkupin, ata ishin kthyer nëpër shtëpia. Vallë, thua ishin mërzitur dyerve të huaja, apo ishin mësuar më me krismat e luftës. Nuk e di. Me rëndësi është që Shkupit përsëri iu kthye jeta. Lojërat e fëmijëve… Zhurmat e makinave… Frika dhe trimëria…

       Edhe Rrapit i ishin kthyer banorët e zakonshëm. Në mesin e tyre edhe “patriotët“ kuqezi. Rrospitë Meshkuj që i kishin munguar disa muaj. Trusakatët. Tashti, ata ishin ulur kokë më kokë edhe me trima duke rrëfyer për trimëritë e atyre të maleve. Ndonjëri edhe duke u lëvduar se ka lidhje me ta, mbledh lekë dhe shpërndanë armë...

       Unë që kryeja obligimet e rregullta mes shtambave të verës, që dija shumë gjëra dhe i njihja këta “patriotë“ kuqezi, pak gjë u besoja rrëfimeve të tyre patriotike. Nën Rrap erdhi edhe Kulturofagu, që gjatë ndryshimeve demokratike me “vëllezërit”, turreshte qytet më qytet me moton: “ejani të bisedojmë”. Fatkeqësisht, këtij dialogu i printe një antishqiptar i tërbuar, Dhëndërri, hartues edhe i Kushtetutës së Maqedonisë. E shi sot, ky ”patriot” e ngrente zërin më së shumti në mjetet e informimit në duel me qëndrime të kundërta rreth disa temave, si rrezikut për një luftë qytetare në Maqedoni, propozimin e ASHAM për këmbim territoresh dhe popullatash, për zgjidhjen e konfliktit në Maqedoni etj.

       Nën Rrap erdhi edhe Matrapazi me mjekër të Cjapit, që e fshihte fytyrën apo matrapazllëqet e tija në këtë kohë të vështirë. Matrapazi politik që ta bindë opinionin se në gazetën e tij të “pavarur” nuk ka cenzurë dhe është patriotike, i ftonte në debat publik në mes të tjerave edhe shkrimtarët për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë???!!!…

       E dikur, kur kësaj “oferte“ nuk i përgjigjej asnjë shkrimtarë me përjashtim të ndonjë kalemxhiu, që pesëdhjetë vjet kishte punuar kundër vetëvetes e shi tashti, përpiqej të na shesë patriotizëm. Matrapazi politik edhe njëherë do të bëhet i gjallë po në gazetën e vet, te editoriali i njohur gjatë luftës: Intelektualeve shqiptarë, nuk u nevoitet Kushtetuta!…”

         O Imzot, më shpëto nga këta “ patriotë” kuqezi!… Rrospia Meshkuj… Kokat e tyre të mbushura me kashtë… Truri i tyre plot  krimba. Bythët e tyre, që si lulja e diellit që sillet rreth diellit ata sillen rreth rroçkodanit… Haletë që ma zënë frymën, ma qelbin Rrapin!…

       Përditë e më shumë vjell ”patriotë” kuqezi… Rrospi Meshkuj… Trusakatë… Frikë kam se një ditë do të mbushet Rrapi… Bit Pazari… Shkupi… “Patriotizmi” i tyre do të më detyrojë të ik nga Rrapi… Atdheu… Liria…

           Mëshirë, o Zot! “Patriotizmi” i tyre  më ndjek kudo, në rrugë… Nën Rrap… Dhomën time me libra… Në  një varg në të cilin e kërkoj varrin. Vetëm pak ma hapni dritaren, shtegun e maleve, të fluturoj drejt qiellit. Majën, nga e cila do ta thirr diellin… Shiun… Rrufetë…

       Dita e Ilindenit të tretë 2 gushti 2001 në Shkup kaloi pa zhurmë, pa flamuj shtetëror. Mjetet e informacionit në gjuhën maqedonase bënë shumë poterë për Shkupin që e gëdhiu festën me dy-tre flamuj nëpër institucione. E të mos flasim për Tetovën pa asnjë, ku vendin e tyre e kishin zënë flamuj kombëtarë me shqiponjën e zezë dykrenare.

     Reporterja e Televizionit maqedonas derdhte lotë krokodili edhe për të zhvendosurit që i kishin strehuar nëpër hotele, e asnjë organizatë humanitare nuk u kishte dërguar ndihma. E kur ishte rasti i refugjatëve kosovarë Qeveria i priti me banane, që mu ata sot të na e kthejnë pushkën…

     Papritmas cingërroi telefoni cellular:

Alo, mirëdita…

Mirëdita. Përsëri ishte Patrioti i Vonuar.

Po, ku je ti që nuk më bën as një telefonatë?!

Ja, nën Rrap, në Shkup.

Ne, do të vijmë edhe në Shkup… Për të gjitha do të na jepni llogari… Po, si është atje situata?!

Shkupin e kemi çliruar shtëpi për shtëpi… Kufirin e kemi te Ura e Gurit… Tashti na ka mbetur edhe Gostivari… Pastaj, përpak harrova të të tregoj se në “Flakën e mjerimit” një poete ta ka kushtuar një poezi…

E, a e ke aty afër gazetën, lexoma ndonjë varg!

Ja, me gjithë dëshirë:

              

                   Ky “ Patrioti “ një ballist i ri

                   Po lufton për Maqedoni

                   Për Maqedoni , o për Serbi

                   Po do me e bashkue këtë shkini…

 

Vetëm kaq, a?!…

Jo, ka ende. Është e gjatë poezia…

E pse nuk ma lexon gjithë, deri në vargun e fundit?

Jo , më mirë kur do të vish vetë, e lexon varg për varg…

Mirë, atëherë. Nesër, do të vij në Shkup…

Patjetër, e kemi vendosur me poeten të të presim si hero lufte… Nuk është çudi edhe Nëna Parti të të bëjë ndonjë befasi… Ku ta di unë, ndonjë post më të lartë në redaksi… Ose, do të të emërojë ambassador në Bullgari…

Çka?!…

Nuk e di. Përshpëritet për një post në redaksi… Vetëm duhet ngutur, një koleg i yti i ka rënë në erë dhe i sillet rrotull Nënës Parti…

E di unë atë komunist, është i poshtër. Por, kësaj radhe është vonuar në nuhatje. Veprime patriotike… Erdha nesër. Mirëupafshim!

Mirëupafshim! Të presim…

        Dialogu politik për dalje nga kriza në vend, në Ohër, që zvarritej me javë në mes të katër partive politike dhe të dërguesve specialë Fransua Leotar, Xhems Perdju dhe Maks van der Shtul nën ombrellën e kryetarit të shtetit Boris Trajkovskit ecte ngadalë, me këmbë të breshkës. Ngjarjet e fundit në Maqedoni ngjallën dyshim… Frikë… Luftë…

       Sulmi në Karpallak rrezikoi dialogun. Tetovën e mori nën kontrollë UÇK-ja. Rrugët janë plotësisht të shprazura, kurse dyqanet dhe institucionet shtetërore janë mbyllur që në mesditë. Lufta i mori me vete edhe disa të vrarë e të plagosur nga ky qytet…

       Luftë. Shkupin nuk e merr gjumi… Kërcnime… Krisma të herëpashershme nëpër natë. Vrasje në gjumë… Protesta para Parlamentit maqedonas. Demolime dhe vënja e zjarrit dyqaneve të shqiptarëve. Thirrje për armë…          

          O imzot! Askush nuk e di çka fsheh natën ky qytet. E mbyll derën me çels dhe bie në gjumë me frikë. Nuk e di se si do ta gëdhish të nesërmen, me kafen e mëngjesit mbi kokë apo me tru të derdhur nëpër dhomë. Dyshimi sa që vjen arrin kulminacionin. Shtegu shumë larg, për të ikur frika. Zonja Vdekje për çdo ditë më turret pas këmbëve:

         Nuk ke ku do të më ikësh, në mos sot, nesër do të ta zë udhën…



(Vota: 127 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: