Del Piero, arti në fushë
| E Hene, 11.04.2011, 06:36 PM |

Nëse do të përmendësh Juventusin, atëherë nuk ke si mos të përmendësh edhe simbolin e saj, Alesandro Del Pieron. Për tifozët bardhezinj, Del Piero dhe Juventus janë një. Aq e fortë është lidhja e Del Pieros me Juventusin, sa, edhe pse në moshën 36-vjeçare, ai konsiderohet si lojtari mund të bëjë diferencën. Prej vitesh është duke u folur për gjetjen e një zëvendësuesi të mundshëm për të, por, deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Dhe, gjasat janë që ai mos të gjendet. Sepse, atë që ka bërë Del Piero me Juventusin, zor se do ta mendonte dikush që ta arrijë.

Alesandro Del Piero, i lindur më 9 nëntor 1974 në Koneliano, Veneto, është një futbollist italian, fitues i Kupës së Botës, i cili luan në Serie A për Juventusin. Del Piero u emërua në FIFA 100, një listë e përbërë me 125 futbollistët më të mëdhenj që jetojnë, përzgjedhur nga Pele, si një pjesë e festimeve të qindvjeçarit të FIFA-s. Del Piero është votuar edhe në listën e lojtarëve më të mirë europianë për 50 vitet e fundit në Anketën e Jubileut të Artë UEFA. Në vitin 2000, Del Piero ishte lojtari më i mirëpaguar në botën e futbollit nga pagat, shpërblimet dhe të ardhurat nga reklamat.

Së bashku me tre çmime në Itali, ai ka fituar edhe çmimin Golden Foot(Këmba e Artë), që ka të bëjë me personalitetin dhe aftësinë për të luajtur.

Del Piero zakonisht luan si sulmues mbështetës dhe herë pas here midis mesfushës dhe sulmit, i njohur në Itali si pozicion “trekuartist”. Edhe pse ai nuk është shumë i gjatë, stili i Del Pieros në lojë është konsideruar nga kritikët si krijues në sulm, duke ndihmuar në shumë gola, si dhe duke shënuar vetë. Goditjet e dënimit dhe penalltitë janë ato që i kanë dhënë një status të veçantë në botën e futbollit lojtarit. Del Piero është bërë i njohur gjatë viteve për të shënuar nga një zonë që quhet “zona Del Piero” ose “Gol alla Del Piero”, duke u afruar nga ana e majtë se zonës dhe gjuajtur një top të lartë në shtyllën e djathtë. Del Piero mban rekordin e të gjitha kohërave për golat e shënuar te ekipi i Juventus. Më 6 prill 2008, Alesandro Del Piero u bë lojtari me më shumë ndeshje të luajtura në të gjitha kohërat te Juventusi, përpara legjendës Gaetano Shirea. Në maj 2010, ai u ngjit në vendin e tetë në Ligën e Kampionëve për golat e shënuar në të gjitha kohërat dhe ndan vendin e katërt me Roberto Baxhion në kombëtaren italiane.

 

Fëmijëria dhe karriera e hershme

 

Del Piero është i biri i Xhino, një elektricist dhe Brunës, një shtëpiake. Ai, si fëmijë luante rregullisht futboll në oborrin e shtëpisë me dy miq, Nelso dhe Pierpaolo. Të tre ëndërronin të bëheshin futbollistë, por vetëm Del Piero përfundimisht do të arrinte të bëhej i tillë. Vëllai më i madh, Stefano, ka luajtur për pak kohë futboll profesional për Sampdorian, para lëndimit që e detyroi të tërhiqej. Familja ka jetuar në lagjen e Sakon, një shtëpi rurale në San Vendemiano. Familja Del Piero nuk ka pasur shumë para për të udhëtuar jashtë vendit, kështu që Aleks ishte duke marrë parasysh të bëhej një shofer kamioni, me qëllim për të parë botën.

Duke luajtur për ekipin e të rinjve vendas në San Vendemiano, që nga mosha 7 vjeçare, Del Piero aktvizohej si portier. Nëna e tij mendonte se do të ishte më mirë për atë nëse ai do të luante si portier, pasi ai nuk do të djersiste shumë dhe mundësitë e tij për t’u dëmtuar ishin më të pakta. Stefano, vëllai i tij, i tha nënës së tyre: “A nuk e sheh se Aleks është i mirë në sulm?” Del Piero nga ai moment kaloi në atë pozicion.

Ai ishte duke luajtur me ekipin e tij lokal të San Vendemiano në 1988, kur u u largua nga shtëpia në moshë të re, 13-vjeç, për të luajtur me të rinjtë e Padova Calcios.

 

Juventus

 

Në vitin 1993, ai transferohet tek Juventus dhe që atëherë, nuk do të ndërronte më ekip. Del Piero bëri debutimin e tij në Serinë A kundër Foxhias në shtator 1993 dhe shënoi golin e tij të parë në ndeshjen e tij të ardhshme kundër Rexhianas, pasi hyri në lojë si një zëvendësues. Më pas, ai shënoi një tregolësh kundër Parmës. Juventus morri “Scudeto”-n e parë pas tetë viteve në sezonin e tij të parë dhe suksese të tjera e prisnin. Me klubin nga Torino, ai fitoi kampionatin e Serie A shtatë herë (1995, 1997, 1998, 2002, 2003, 2005 dhe 2006), Ligën e Kampionëve (1996), si dhe Kupën Interkontinentale (1996). Sezoni i tij më i mirë ishte në 1997-1998, kur ai shënoi 21 gola në Serie A dhe përfundoi golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve me 10 gola, i cili përfshinte disa goditje  dënimi prefekte, siç ishte ajo kundër Monakos në gjysmëfinale. Goli i tij në finalen e UEFA Champions League në 1997, nuk arriti të parandalojë humbjen e Juventusit ndaj Borusias së Dortmundit 3-1.

Në tetor1998, ai pësoi një dëmtim të rëndë në gju, në barazimin 2-2 me Udinesen. Kjo e mbajti atë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit. Juventus luftoi pa ndihmën e tij dhe në fund zuri vetëm vendin e 6-të në kampionat.

Gjatë kësaj kohe, Del Piero fitoi pseudonimin “Pinturikio”, në lidhje me një koment nga ish-presidenti Xhiani Anjeli, kur ai e krahasoi Del Pieron me Pinturikion, artist i rilindjes. Ai është mbiquajtur edhe nga tifozët “Il Fenomeno Vero”, që do të thotë “Fenomeni i vërtettë”, një lloj të krahasimi me Ronaldon, i cili ishte me nofkën “Il Fenomeno”, rival nga ana e përkrahësve të Inter.

Një prej fuqive më të mëdha të Del Pieros si futbollist, është shkathtësia e tij, që i lejon të luajë në shumë vende të ndryshme të sulmit. Ai gjithashtu ka qenë i pozicionuar si nje “playmaker” i lindur, një vend përpara sulmuesve. Nën sundimin e Marçelo Lipi tek Juventus si trajner, Del Piero ka luajtur në sulm, duke formuar “tre dhëmbëshin”, së bashku me veteranët Xhianluka Viali dhe Fabricio Ravaneli. Pas kësaj, ai mori një rol me Zinedine Zidan, prapa Filipo Inzagit.

Pas Euro 2004, Marçelo Lipi u zëvendësua nga Fabio Kapelon si trajner i Juventusit. Kapelo nuk ishte i bindur për aftësitë e Del Pieros dhe e nxirrte jashtë shpesh atë, në favor të të sapoardhurit Zlatan Ibrahimoviç, një zhgënjimin për shumë tifozë. Por, Del Piero gjithsesi arriti të shënonte 14 gola dhe Juventusi fitoi titullin e 28-të të tyre në ligë, në sajë të një asisti spektakolar për David Trezeguet, i cili shënoi golin e vetëm në një ndeshje vendimtare kundër Milanit, në San Siro.

Ekspertët janë dakord se Del Piero gjeti sërish formën e tij më të mirë në sezonin 2005-06. Ai shënoi 20 gola në të gjitha kompeticionet. Sidoqoftë, ai nuk po gjente paqe me trajnerin Kapelo. Për këtë shkak, ai deklaroi për sajtin e tij zyrtar: “Nëse Kapelo do të vazhdojë si trajner i Juventus, unë do të largohem”.

Më 10 janar 2006, Del Piero u bë golashënuesi kryesor për Juventusin, kur ai shënoi tri herë në një ndeshje të Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, në total për klubin ishin 185 gola. Mbajtësi i mëparshëm ishte Xhiampiero Boniperti, i cili kishte shënuar 182 gola për klubin. Del Piero shënoi golin e fundit për sezonin 2005-06, para se Juventus u dënua për shkak të skandalit famëkeq “Calciopoli”.

 

Rënia në serinë B

 

Juventus u rrëzua në Serinë B dhe dy “Scudetti”-t e fundit iu hoqën, për shkak të skandalit të shitblerjeve të ndeshjeve. Del Piero njoftoi se ai do të qëndrojë si kapiten i ekipit në Serinë B. Ai bëri të ditur se lojtarët duhet të rrinë me ekipin, duke shpjeguar se “familja Anjeli e meriton këtë, ashtu si edhe tifozët dhe drejtuesit e rinj”. Ndërkohë që lojtarë të tillë si Zlatan Ibrahimoviç, Fabio Kanavaro dhe Lilian Turam, lanë Torinon, ai zgjodhi të qëndronte për të ndihmuar Juven në ringritje.

Në 6 Prill 2008 ai vendosi një rekord të ri për Juven, duke kaluar rekordin e Gaetano Shireas, me 552 ndeshje në të gjitha kompetcionet.

Në javën e fundit të sezonit 2007-2008, Piero Del shënoi dy gola kundër Sampdorias në barazimin 3-3. Këto dy gola ishin mjaft të rëndësishëm dhe e çoi atë në kuotën e 21 golave për sezonin, duke fituar edhe çmimin golashënuesi më i mirë në Serinë A, për herë të parë në karrierën e tij.

Ai është edhe aktualisht golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Juventusin, dhe ka shënuar më shumë se 250 gola në të gjitha garat. Ai ka bërë edhe më shumë se 600 ndeshje zyrtare për klubin, duke thyer rekordin e Gaetano Shireas, i cili kishte 552 paraqitje për Juventusin.

Më 14 mars 2010, Alesandro regjistroi golat e tij të 300 dhe 301 të karrierës, gjatë një barazimi 3-3 me Sienën, duke shënuar golat në minutën e dytë dhe të shtatë. Më 30 tetor 2010, Aleks regjistroi golin e tij të 179 në Serie A, duke thyer rekordin e legjendës Boniperti si golashënuesi më i mirë i Juventus në Serinë A dhe përforcohet edhe më shumë ni statusin e tij si golashënuesi më “pjellor” në historinë e Juventusit.

Më 5 shkurt, 2011, me zëvendësimin e tij kundër Kaljarit, Alesandro Del Piero u bë lojtari me më shumë përfaqësime për Juventusin, duke lënë prapa legjenda, Xhiampiero Boniperti. Del Piero mbetet lojtari i tretë, për sa i përket pjesëmarrjeve në Serie A, pas Havier Zanetit dhe Françesko Totit, respektivisht.

 

Karriera ndërkombëtare

 

Del Piero është aktualisht golashënuesi i katërt i kombëtares së Italisë për të gjitha kohërat. Debutimi i tij në një turne ndërkombëtar ishte në Euro 1996, por ai bëri paraqitjen e tij vetëm në gjysmën e parë të ndeshjes kundër Rusisë, para se të zëvendësohej. Del Piero konkurroi me të preferuarin e tifozëve Roberto Baxho, për një vend në Kupën e Botës 1998, pasi ishte ende duke luftuar për t’u rikuperuar nga lëndimi i pësuar gjatë finales së Ligës të Kampionëve në 1998 me Juventusin. Ai gjithashtu humbi shansin e një trofeu në humbjen 2-1 të Italisë me Francën në finalen e Euro 2000.

Aleks u kthye në skenën ndërkombëtare në Kampionatin Botëror 2002, pas një sezoni në Serie A, në të cilin Juventus fitoi kampionatin. Del Piero shënoi golin vendimtar kundër Hungarisë, e cila vulosi kualifikimin e “Axurrëve” për në finale. Ai shënoi me kokë kundër Meksikës, pasi hyri në lojë si zëvendësues, një gol që shpëtoi Italinë nga poshtërimi i një dalje që në raundin e grupeve. Goli e dërgoi Italinë në raundin e dytë, ku ata u eliminuan për shkak të një goli të artë në një ndeshje të diskutueshme kundër Koresë së Jugut.

Del Piero e filloi Kupën e Botës 2006 në stol, duke u shfaqur në dy nga tre ndeshjet e grupit dhe bëri fillimin e tij të parë të kompetcionit në një raundin e 1/16 në fitoren 1-0 ndaj Australisë, më 26 qershor. Më 4 korrik, Del Piero hyri sërish si zëvendësues pranë fundit të kohës së rregullt dhe shënoi golin e dytë të Italisë në një gjysmëfinale, fituar 2-0 ndaj pritësve të Gjermanisë. Në finale kundër Francës, e cila përfundoi 1-1 pas kohës shtesë, Del Piero shënoi njërën prej penalltive, teksa Italia fitoi Kupën e Botës për herë të katërt. Ai ka pranuar më pas se fitorja e Kupës së Botës ishte ëndrra e tij e fëmijërisë.

Në maj ai u përfshi në ekipin që do të merrte pjesë në Euro 2008, ndikuar edhe nga kërkesa popullore, pas një mungese prej nëntë muajsh nga kombëtarja. Kështu, ai u bë lojtari i dyti italian që merrte pjesë në 7 turne të mëdha ndërkombëtarë (EURO 1996, 2000, 2004, 2008; Botërore 1998, 2002, 2006).

Në Euro 2008 në ndeshjen e grupit kundër Holandës, ai hyri si zvendësues i Antonio Di Natales dhe bëri një ndikim të menjëhershëm, përfshirë edhe disa përpjekje për gol. Megjithatë, ai nuk mundi të ndalojë humbjen 3-0 të “axurrëve”. Italia u kualifiku pas fazës së grupit në vendin e dytë pas-Holandë, duke eliminuar Rumaninë dhe Francën. Kundër Spanjës, Del Piero bëri një paraqitje si zëvendësues gjatë kohës shtesë. Në fund barazimi 0-0, u vendos nga gjuajtjet e penalltive, në të cilën Spanja fitoi 4-2. Në 20 gusht 2008 ai zhvilloi ndeshjen e tij të 90 për Italinë, në miqësoren kundër Austrisë. Vetëm pesë lojtarë “Axurrë” e kishin arritur këtë. Pavarësisht se ka lajmëruar se ai do të luajë derisa të bëhet 40 vjeç, ai nuk është thirrur që nga ndeshjet kualifikuese, në takimin e Italisë kundër Gjeorgjisë më 10 shtator, 2008.

 

Jeta private

 

Del Piero është i martuar me Sonia Amoruson dhe të dy kanë qenë së bashku që nga viti 1999, derisa u martuan në vitin 2005. Çifti kishte shpallur në korrik 2007 se ata ishin duke pritur fëmijën e tyre të parë.  Më 22 tetor 2007, Amoruso lindi një djalë që u quajt, Tobias Del Piero. Më 14 shkurt 2009, u njoftua shtatzënia e dytë e Amorusos. Më 5 maj 2009 vajza e tyre Dorotea, lindi në Torino. Në 12 shtator 2010, Del Piero njoftoi në faqen e tij personale për lindjen të fëmijës së tij të tretë.

Del Piero ka përdorur famën e tij dhe ka vënë në dispocion shuma parash për të promovuar dhe mbështetur hulumtimin e kancerit. Për këtë, atij i është akorduar nga Shoqata Italiane për kërkimet mbi Kancerin, çmimi “Beso në Kërkimin”, gjatë periudhës nëntor 2006.

Kur flaka olimpike për Olimpiadën e Dimrit 2006 kaloi nëpër Torino, Del Piero ishte një mbajtësi i pishtarit. Ai ka një interes në sport, jashtë futbollit, veçanërisht për basketbollin. Nga ana tjetër, ka fituar tifozët të veçantë nga ikona të sportit të tilla si ylli i NBA, Steve Nash dhe legjenda e çiklizmit, Eddy Merckx, që kanë deklaruar se ata janë tifozët e Del Piero. Del Piero gjithashtu ka një interes të madh në muzikë. Ai ka inçizuar edhe disa albume të tij. Së bashku me Marko Materacin, Del Piero u shfaq në skenë në një kocert të Rolling Stones në Milano, menjëherë pas Kupës së Botës të fituar nga Italia. Ai është një mik i mirë i muzikantit dhe këngëtarit Noel Gallagher dhe një fans i grupit të tij, Oasis. Madje, Del Piero shfaqet në videon e Oasis “Lord Don’t Slow Me Down”.

Aktualisht, ai është nën kontratë me prodhuesin gjerman të paisjeve sportive, Adidas, me ujin Uliveto, prodhuesit e makinave italiane Fiat dhe kompaninë japoneze të motoçikletave Suzuki.


Tema - Për ZSH: Ilir Dardani

(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: