Revista "Shqipëria etnike" Nr. 1/2011 (II)
| E Diel, 10.04.2011, 07:57 PM |

SHQIPËRIA ETNIKE
Revistë e pavarur tremujore:
informative-kulturore-politike
Për:
-Shqipërinë Etnike në kufijtë e saj
-Riatdhesimin e Shqiptarëve
të dëbuar me dhunë
-Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar
Viti XI nr. 1/2011 Nistor-Shkurtor-Larcor-2011
Çmimi: për Mërgatë: 5 CHF, 3 €, 3 $
për Vend: ( Kosovë-Maqedoni-Shqipëri) 1.50 €
Prokredit Bank- Prishtinë-(Kadri Osmani)
Nr. i llogarisë:1110162085000136
Drejtor: Fazli Maloku

Kryeredaktor: Idriz Zeqiraj
Zv.Kryeredaktor: Xhafer Leci
Redaktorepërgjegjëse: Ajshe Rexhbogaj

Zv.Redaktorepërgjegjëse: Vera Dushi

Redaktore: Fatjeta Muçolli
Lektore: Jeta Bytyçi
Redaktorteknik: Besnik Mehmeti
Anëtarë Nderi në Redaksi:
Rexhep Bunjaku, Ibrahim D. Hoxha,
Fetah Berisha dhe Ramadan Rexha
Simboli: Qamil Nivokazi
Adresa: "Shqipëria Etnike"
c/o Kadri Osmani            
Rr. “Hasan Jashari” p. n.
10000 Prishtinë
etnike@gmail.com
Redaksia ka të drejtën e redaktimit
e të lekturës të punimeve
Shkrimet dhe fotografitë mund
të kthehen: me kërkesën dhe
shpenzimet e autorit.
________________________
Numri i parë i revistës tonë
"Shqipëria Etnike" doli më 10
Qershor 1999: në 121-vjetorin e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit 1878-1999; prandaj
kjo Lidhje është busulla jonë orientuese 

 

Ushqimet që mbajnë sëmundjet larg

“Zëri”-12-03-2011

Jemi mësuar të përdorim vetëm produkte “tipike” të përhershme për tryezat tona. Shumë produkte të llojeve të ndryshme nuk i bëjmë pjesë të dietës sonë të përditshme. Ja disa produkte më "tipike" dhe disa alternativa të tjera, të cilat mund të zëvendësojnë këto produkte. Një udhëzues për të kuptuar më mirë atë që i duhet tryezës sonë.

Xhenxhefili

Përmban gjingjerol dhe mbrojtje anti-inflamatore, pasi frenon veprimin e një enzime të quajtur cyclooxygenase 2. Vepron mbi qelizat e ndryshuara dhe të dëmtuara,duke i shkatërruar. Sipas studimeve të fundit është shumë i dobishëm për oreks të dobët, ku ke të përziera, të zë makina, për mostretje, fryrje, lodhje mendore dhe fizike apo seksuale. Është mirë që të përdoret dhe nga personat që vuajnë nga reumatizma.

Papaja

Përmban papain, e cila ndihmon në tretjen e ushqimit. Stimulon largimin dhe asgjësimin e mbeturinave dhe të substancave duke pastruar gjakun, duke bërë edhe pastrimin e zorrëve. Ajo gjithashtu ndihmon për të reduktuar mbipeshën, sepse ndikon pozitivisht në funksionimin e metabolizmit. Gjithashtu ka veti antioksidante, vepron kundër radikalëve të lirë dhe stimulon sistemin imunitar. Këshillohet për parandalimin e influencës së virusit H1N1.

Farë liri

Vaji me fara liri përmban 50-60% esenciale yndyrore Omega-3, i njohur si acid linolenic ose acidi alfa-linolenic, dhe 18-20% omega-6. Është thelbësore për të futur këto acide në trupin tonë, sepse trupi ynë nuk është në gjendje për t’i prodhuar ato. Janë të rëndësishme për efektet e tyre metabolike hipotensive, antitrombotik dhe anti-inflamator. Ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe nivelit të ulët të kolesterolit të keq si dhe për aftësinë e tij për të mbrojtur kundër kancerit.

Shafran i Indisë

Përmban curcumin, një substancë me veti anti-inflamatore, sepse ndalon veprimin e një enzime përgjegjëse për inflamacion, i quajtur cyclooxygenase-2. Gjatë dekadës së fundit është vënë re se ngadalëson përparimin e HIV-it. Dhe akoma, sipas një studimi të SHBA, është në gjendje për të frenuar rritjen e kancerit të lëkurës (melanoma).

Karçofi

Zvogëlon kolesterolin, trigliceridet në gjak, ka një efekt laksativ të butë dhe nxit rritjen e bifidobacterieve pozitive. Inulina, një nga komponentët që përmban kjo bimë, përdoret për të përmirësuar tretje dhe është i përshtatshëm për reduktimin e gazrave në zorrë. Gjithashtu inulina ndihmon për diabetikët, pasi prodhon shumë karbohidrate në mënyrë të pavarur nga insulina(për kollë).

Mango

Përmban shumë vitaminë A dhe është gjithashtu një burim i mirë i vitaminës C. Kjo është treguar në rast të mungesës së vitaminave dhe për anemikët. Konsumi nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga sëmundje të veshkave, diabetit dhe zorrëve, pasi përmban shumë sheqer.

Shegë

Një shegë përmban 10% të vitaminave dhe është e pasur me kalium: mbi 300 mg në 100 g fruta. Përmban antioksidantë të fuqishëm të cilët janë efektive në vrasjen e qelizave të kancerit dhe në ngadalësimin e shpejtësisë së tyre për rigjenerim.

Specat djegës

Një nga erëzat më të përdorura në Etiopi për të përgatitur pjata tradicionale, me fuqinë e saj për të ndaluar rritjen e kolonive të Salmonellas dhe coliformas, përgjegjës për sëmundje të rënda të zorrëve. Vitaminat që përmban: C, A, E, riboflavin, niacin, acid pantotenik, acidit folik.

Dafinë

Është përdorur gjerësisht në kuzhinë. Shëron gjymtyrët e lënduar, përdoret si qetësues kundër kollitjes dhe bronkitit. Është përdorur në mbarë botën në prodhimin e kremrave farmaceutike.

Qepë

Nga përdorimi i saj fitohet bukuri dhe kujdes për trupin. Ndihmon në mosrënien e flokëve, në zbutje të lëkurës, duke larguar papastërtitë. Ajo është përdorur edhe si një shërues aktiv në disa kremra.

Brokoli

Përveç se ka një aromë të këndshme, është ushqim me cilësi të jashtëzakonshme. Efektive në trajtimin e kancerit (leukeminë dhe kancerin e gjirit), në reduktimin e nivelit të kolesterolit në gjak, stimulim të sistemit imunitar, veçanërisht kundër viruseve.

Majdanozi

Përdorimi i tij kryesor është i copëtuar. Është i pasur me vitaminë C, A, B, kalcium dhe hekur. Njihet për efekte pozitive në mitër, për rregullimin e ciklit menstrual dhe lehtësim të dhimbjeve.

Kungulli

Përmban vitaminë A, hekuri, kalium dhe kalcium, duke përfshirë minerale dhe fidhe. Vetëm 100 gram kungull jep 18 kalori dhe mbi 600 mikrogramë vitaminë A, që është kërkesë e përditshme për një grua, ndërsa për një burrë merr 700 mikrogramë, 94% të këtij perimi përbëhet nga uji. Kungulli ndihmon të mbajë lëkurën të shëndetshme dhe të re, parandalon rrudhat, zbut lëkurën, lufton radikalet e lira dhe, në sajë të pranisë së fidheve ndihmon në rregullimin e funksionimit të zorrëve. Ndihmon në tretjen e ushqimit, nxit urinimin, për inflamacion të rrugëve urinare, për veshkat, kapsllëkun, sëmundje të zemrës dhe diabetit, gjithashtu nxit gjumin.

____________

 

Idriz Dakaj

idriz_dakaj@hotmail.de

 

Mirë e di Perëndia

 

 

Dhjetë mars dymijëedhjetë

Në Kosovë tërmet i lehtë

Për fat të mirë, jo tërmet i randë

Megjithatë Allahut due me i thanë

 

O Zot i gjithëfuqishëm, kur e krijove gjithësinë

Pse nuk e forcove Tokën më mirë

Që njerëzit tu mbi Tokë të jetojnë të lirë

Pa brenga, që një ditë Toka do t’i dridhë?

 

Shumë hoxhallarë e besimtarë

Për këto dridhje që po e masakrojnë njerëzinë

 fajsojnë  Perëndinë

Na dënoj- thonë ata-Perëndia

Se janë prish njerëzia

Nëse janë prishur ca të rritur

Ç’faj kanë shtazët dhe fëmijtë e mitur?

 

Mirë e di Alluhu së shumica janë të mirë

Natyra është ajo që s`ka mëshirë

Gjithëçka shkatërron në këtë jetë

Herë me vullkan e herë me tërmet

 

Kujdes hoxhallarë e besimtarë

Tragjeditë që i përjeton njerëzia

Nuk na vijnë nga Perëndia

Mos e bëni Allahun kriminel

E fundmja mirë nuk iu del

 

Toka e Kosovës si të tillë nuk u mbanë

Edhe Zoti nuk ju don

Hoxhallarë e besimtarë kujdes

Për dyqind shkallë të bëni kthesë

 

Schönenberg-Kübel, Dt.11.03.2010

=========================

 

 

 U ndalova të hyja në UT

 

Nga Prof. Dr. Fadil Sulejmani


Atë çka s’mundi të ma bëjë policia speciale maqedonase, të më largojë nga universiteti, sot po ma bëjnë shqiptarët.
Më 23 shkurt 2010, në orën 9 të mëngjesit, ditë e zakonshme pune, bashkë me studentë hyra në objektin e universitetit, dhe si gjithnjë u ndala të portieri, meqë partitë e Qeverisë maqedonase që nga viti 2004 ma morën edhe një zyrë të vogël që e kisha dhe nuk më lanë as edhe një karrigë në korridor për t’u ulur ndonjëherë aty. Porsa u ula, portieri me një qëndrim të ftohtë doli jashtë, unë mbeta i vetmuar dhe pashë se diçka nuk është në rregull. 
Menjëherë hyri brenda tek unë një njeri dhe më thirri që të shkojë te zyra e sigurimit. E pyeta sekush është dhe ai m’u përgjigj se është njeri i sigurimit. U habita se çka do sigurimi nga unë. Sa çel e mëshel sytë erdhën edhe dy njerëz të tjerë të sigurimit dhe më thanë se kanë urdhër nga Rektori Agron Reka që të ma ndalojnë hyrjen në objektet e universitetit. 
-A nuk ka A.Reka ndonjë punë më të mirë se kjo, por të ma ndalojë hyrjen në universitet?- i pyeta dhe në atë çast më shkoi mendja në hisorinë e bujshme të UT-së që atë çka s’mundi të ma bëjë policia speciale maqedonase, të më largojë nga universiteti, sot po ma bëjnë shqiptarët. 
Kjo ndodhi është edhe një shembull se deri ku ka arritur politizimi i UT-së, forca e partisë dhe kukullat besnike të saj që janë në gjendje jo vetëm të shkelin mbi fytyrat, por edhe të ecin mbi kufomat e profesorëve dhe të studentëve për ta ruajtur postin e turpshëm dhe rrogën e majme që e kanë zënë në universitet me rrugë politike dhe jo me profesionalizëm, shkencë e dituri. 
Kërkova nga njerëzit e sigurimit që të më lënë nja dy-tri minuta të pushojë e pastaj do të largohem vetë pa pasur nevojë të përdoret dhuna mbi mua. 
Unë: A e keni urdhërin me shkrim?
Sigurimi: Jo, vetëm gojarisht. 
Unë: Po ju a e dini se ky urdhër është i partisë dhe se ju jeni roja e saj në universitet? 
Sigurimi: Po, m’u përgjigj njëri, ne e duam shumë këtë parti, BDI-në, ajo për herë të parë në jetën tonë na ka marrë në punë, këtu në universitet e po na jep rrogë, po na mban gjallë.
Unë: Megjithatë, ju duhet ta dini se me këto para të universitetit ajo po ju keqpërdor për interesat e veta, qe siç bëni sot e me siguri edhe nesër do t’i largoni nga universiteti profesorët e studentët për të mirën e partisë suaj e të keqen e universitetit! 
Sigurimi: Ne do t’i përzëmë nga universiteti vetëm ata njerëz që janë kundër partisë, ju nuk e doni BDI-në. 
Unë: Jo, unë nuk jam kundër asnjë partie që ajo të rrijë atje ku e ka selinë e vet, jo të hyjë në universitet dhe ta bëjë atë pronë private për interesa të veta politike e financiare. Prandaj, kërkojmë që partitë të rrinë larg universitetit. 
Sigurimi: Po ju nëse e largoni BDI-në nga universiteti, atëherë ne do të mbetemi pa punë.
Unë: Jo, jo ju do të mbeteni këtu, por do ta mbroni universitetin nga partitë dhe Qeveria maqedonase, kurse universiteti do t’ju japë juve edhe të tjerëve si ju edhe vendime pune, e jo si partitë që po u shfrytëzojnë sot për nesër edhe pa kontrata pune që në momentin kur nuk do t’i pëlqeni asaj ajo do t’ju largojë nga universiteti, dhe kjo do t’ju ndodh kur nuk do t’i kryeni urdhërat e partive që jo vetëm t’i përzini nga puna, por edhe ta rrahni ndonjë student, dekan ose edhe vetë Rektorin, nëse partisë i dalin nga kontrolli.
Sigurimi: Ju, profesor, vetë keni qenë në këto parti, edhe me BDI-në, edhe me PDSH-në?
Unë: Jo, unë asnjëherë s’kam qenë, s’jam dhe s’do të jem me asnjë parti. Partia ime ka qenë, është dhe do të mbetet Universiteti i Tetovës. 
Është e vërtetë se unë i kam përkrahur ndonjëherë partitë në pushtet për të mirën e universitetit që ato të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së tij dhe ndryshimin e rrethanave, me të cilat ai është ballafaquar historikisht, duke qenë vazhdimisht i kërcënuar nga qeveritë maqedonase. 
Pikërisht, kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam qenë në konflikt dhe i padëshirueshëm për partitë politike, sepse unë nuk i kam lëvduar, por i kam qortuar ato për ambiciet politike dhe lakmitë pushtuese që kanë pasur dhe kanë ndaj UT-së. 
Sigurimi: PDSH-ja hyri në universitet me kallashnikov!
Unë: Po, veprimet politike sjellin edhe akte dhune në universitet. Prandaj, ne kërkojmë që njëherë e përgjithmonë të kemi një universitet pa kallashnikova e pa topa, pa politikë, pa ndikime partiake dhe përzierje të Qeverisë maqedonase në punët e tij të brendshme. 
Sigurimi: A ju kujtohem, profesor, se edhe unë kam qenë me ju dhe me vendimin e nënshkrimin tuaj në mbrojtje të universitetit, mu në këtë ndërtesë?
Unë: Po. Por sot, si ti, ashtu edhe unë, dhe mbarë populli shqiptar kemi rënë viktimë e partive politike të qeverisë maqedonase. 
Besoj se u kuptuam dhe prej tash e tutje nuk do të mbetemi edhe më pre e kësaj të keqeje partiake dhe të gjithë së bashku do ta çlirojmë shumë shpejt UT-në nga prangat e Qeverisë maqedonase. 
Më pas ata filluan të zbuten dhe të arsyetohen se këtë e bëjnë për ta ruajtur bukën e gojës, se janë të varfër, se s’kanë asnjë burim tjetër të ardhurash dhe se me këtë rrogë të vogël mbajnë familjet e tyre.
Më treguan se kush janë edhe me emër e mbiemër dhe shprehën keqardhje se pse atyre u ka rënë ky detyrim i rëndë, dhe se “kush jemi ne që ta përzëmë nga Universiteti i Tetovës prof. Fadil Sulejmanin!”
Unë i ndërpreva, duke u thënë se nuk jemi fajtorë, as ju, as unë, por dreqi i zi që na ka hyrë në universitet dhe po na armiqëson vëlla me vëlla e po na përçanë shqiptar me shqiptar në baza politike e partiake. Ju si sigurim e keni për detyrë ta siguroni ndërtesën dhe ta mbroni atë nga dhuna, dhe jo të respektoni çdo urdhër të partisë për interesa të saj, siç po bëni më këtë rast ndaj meje, që nuk arsyetohet.
Universiteti na takon të gjithëve, ai është interesi ynë i përbashkët, njësoj kemi detyrime dhe përgjegjësi ndaj tij që ta ruajmë si sytë e ballit nga ata që e shpallën foshnjë të vdekur dhe nga shërbëtorët e tyre. 
Duke dalë nga dera, u ndesha edhe me z. Agim Nuhiun, dekan i partisë në F.Juridik dhe kërkova nga ai sqarim për këtë vendim të Rektorit partiak, Agron Rekës, që ta thërrasë në telefon, pasi ai nuk ma hapi telefonin. 
A.Nuhiu: Jo, profesor, kam frikë, mos se do të m’i prishni punët!
Unë: Po, ti i ke punët mirë, por universiteti i ka keq, ai është në krizë, fakulteti yt nuk po zhvillohet, ti a je dekan i tij vetëm në listën e rrogave? Kush është dekan i vërtetë aty? Ti apo Bujar Ahmeti, nipi i kreut të BDI-së?
A.Nuhiu: Po ju nuk e dini se të mos kisha pranuar unë të bëhem dekan, A.Ahmeti do ta sillte për dekan në këtë fakultet z. Mersim Maksutin, dhe kështu të gjithë udhëheqësit në Universitetin e Tetovës do të ishin kërçovarë pa asnjë tetovar. Derisa po largohesha nga objekti i universitetit, pashë një kameraman dhe një gazetar të “Alsatit”, të cilët ma morën një deklaratë për këtë ndodhi, por, edhe pse më premtuan, nuk e dhanë në televizor. Nuk e di pse? Ndoshta edhe ata i ka ndaluar Partia dhe Qeveria. 
Në këto rrethana të kontrollit total politik mbi Universitetin e Tetovës, formimi i një Këshilli të pavarur për ndryshim nga ana e intelektualëve dhe dashamirëve të universitetit ishte mëse i domosdoshëm. 
Ne nuk do të pushojmë së vepruari derisa ky universitet të çlirohet nga prangat e politikës ditore që e ka dobësuar. Në këtë mision tonin të shenjtë ne do të kërkojmë edhe ndihmën e nevojshme të çfarëdo qoftë faktori të brendshëm dhe të jashtëm që vlerëson pavarësinë e institucioneve arsimore-shkencore.

 

__________

 

HYSEN KOBELLARI/Një cikël vjershash

kobellari@yahoo.com

  

ZOGU BËHET POET

Po t’iu them se Korça është një gjurmë dreri, 
do t’më besonit, vallë?!
- Përrallat mënjanë, leri! – do t’më thoshit,
Duke më parë me inat, si të marrë.
Paçka se e kam seriozisht, unë i mjeri …

A nuk e dini ju, miq të dashur, 
që pinin ujë nënat tona,
në atë gjurmë, si në postaf;
dhe zbukuroheshin pastaj, si amazona
mbi gjunjët e Moravës lëkurëkaf?!

Dikur na lindnin ne, Zogj të gëzimit,
që ndryshe nga të tjerët, qeshnim që në djep ...
Kur bota – buçe pjell ujq prej frymëzimit,
Korça nënoke flamur për paqe qep.

Si zogj të etur, ne pijmë në këtë gjurmë,
çukthin e ngrejmë, shikojmë diellin.
Lëmshi i zjarrtë na duket si një hurmë,
me “ciu-ciu!” kudo duam ta mbjellim.

Mos prit të kthehet zogu në drenushë,
ai ngreh karhët dhe kridhet nëpër qiell;
hija e tij si pikë bie mbi det,
është bërë poet.

Dhe prapë kthehet tek qyteti im,
Postjer fjalësh magjike, lot mes vesës,
Letërkëmbyes i shpirtrave,
Letërprurës i shpresës.


Mesim kimie

Ndërtimi i lëndës;
Hidrogjeni- element i parë;
Ari- element i 79-të,
Këtu i hyn krimbi botës mbarë...
U r a n i –
Element i 92-të, i fundit;
pas tij nis shkatërrimi i gjithësisë,
i Lindjes, Perëndimit, Jugut, Veriut ...

Përse u dashkan zbuluar elementë të tjerë,
O shkencëtarë të mjerë!?

Hej, zbuloni Dashurinë, 
elementin selitur brenda Zotit,
brenda Njeriut!

 

PAK MISËRNIKE HËNE

Dëbora zbardh gjithë botën, 
sundon kudo, si një Tirane;
Lart, në qiell, rri pezull, si e ngrirë
Hëna migjeniane
me fytyrën veremlie.

Kush ka uri në këtë natë magjike, 
le të ngopet me bardhësi;
ai që ka pakëz shpresë, qan nën zë: Oji, oji!

E kush guxon sot të thotë: “Zoti të dhashtë !”?!
Një qen i kënaqur brenda kasolles, mbi kashtë,
bie të flerë;
asnjë plesht nuk guxon ta ngacmojë, si në verë.
Bukuria që vret mbetet jashtë.

- Mos vdis, o shpirt nëne!
Kushdo qoftë i uritur, anë e kënd botës,
Le të kafshojë pak misërnike hëne!


PËRRALLA E PËRRALLAVE


Në breg të lumit, shokë mjerimi,
Plepi, Unë, Qeni dhe Dielli;
duam të pimë ujë burimi
dhe të shikojmë fytyrat, si jemi...

Duam të pimë ujë burimi,
po druajmë, mos lumi është gjurma e drerit
dhe pastaj... ju përrallën e dini ...

Plepi e dinte përrallën dhe gjethet rrëzoi, 
Qenit, ia thanë përrallën dhe iku...
Por uji-pasqyrë shëmbëlltyrat fiksoi,
i mori me vete, i treti, i fiku.

Mbetëm veç Unë dhe Dielli.
Po prisnim. Ne të dy.
Koha kalon. Ajo s’ka mëshirë.
Është një farë Zoti. Na ikën nëpër sy.

Unë, Dielli dhe krejt jeta jonë, 
duam të pimë ujë burimi,
po druajmë mos Lumi është gjurmë dreri
dhe ju... përrallën e dini ...

- Pi, në Lumin e jetës! – tha Dielli.
- Historisë rrotën mbarë
Ja vërtitin guximtarët!
Dhe Unë piva, etjen shova.
U bëra Dre, Diell, Shqiponjë, Plep, 
Qershi dhe Hurmë.

Po, shyqyr Zotit, e kuptova :
Çdo gjallesë në Lumin e jetës
e ka një gjurmë.

 

 

NATË E SHKREHUR

Midis lëpushkave të një misri të sapopjekur
qëndron paqja e kësaj nate feste.

Ç’natë e shkrehur!

Asnjë daulle nuk bën: Bum! Dum!
Veç një yll i madh, bukurosh, vëngërosh,
vështron
q’atje lart
si dudum.

Midis lëpushkave të një misri të sapopjekur
qëndron fara e shurdhuar
e një lufte të mekur...

 

 

 

MJEGULLA KA RËNË PËRMBI BEDENA …

Gjithandej mjegull përmbi bedena :
Përse thonë që Ali Pasha ka 7 zemra?!

Kështjellat – Oda, ku yjet kanë arenën,
Era dhe shiu i Tepelenës këtu janë;
Mbi një shkëmb të madh, si sofër,
Xha Aliu me ndjekësit pi duhan.

Ditë e natë pinë merakun e pamasë,
Gjerbin hallet e mëdha të fukarasë.

Etja për liri ia ngjyen sytë e sertë,
Inati i paskaj ia ngre qimet përpjetë.
Struken atje të egrat dhi; Perandoria
Që udhë s’i hapi, po me dredhi
Në sy e pat, si halë...

Prej flokëve të njomë del mjegull palë – palë,
tymi që mbulon e fsheh dhitë e pabindura,
Perandorinë kryeneçe, të ligë;
Popullin që nuk vetëmban rregull,
Pa kërrbaç e frikë.

Po dielli bie dhe mjegulla bën fir,
Çibukët e duhanit shndërrohen në oxhakë,
mes buzëve të kohës mbërthyer me kapakë...

Hesht, vetëm hesht Ali Pashai,

ky vigan i egër.
Trupin përmbi tokë, kokën nëpër mjegull...

Fluturo shqiponjë mbi male, fluturo!
Dheu i tret trupat,
mjegulla kokat – jo!

Mjegullën e thithin gjethet, e tret pylli,
Drurët bëhen letër, libra, histori.

Dilni të blini historinë e Plakut të Hekurt,
Që të mund të kuptoni pakëz Shqipëri!

 



XHINDI ÇAMARROK, LIQENI DHE ÇUPËRLINA

Mbi të djeshmen njomzake fluturoi ajo, 
Mbi Liqen.
Qesh e luan,
Motiv Ilirie.
Pajdisur me Xhindin Çamarrok.

Botën nga e para nis ...
Flatrat e flakta mbi shpirt ia nden,
midis nofullash të ujta diçka bluan,
Përralla dhe Tirq.
Kostume jashtëtokësorësh.

Çupërlina kryeneçe mokrare, nazelie
Nuk ia hesh sytë Xhindit me pelerinë.

Dallgë e Liqenit ngrihet
Si këmishë lazgushjane në erë,
atje ku Nositi ka shtëpinë ...

Ai zemrën e bëri klinikë shpirtërore
Me perin e gjakut të vet përjetësisht arnon
Plagë njerëzore,
qep e shqep pambarim.

Në vetmi harrojmë të luajmë mëngjesthi.
Dëshpërimisht mbetet i mjerë
Kush kërkon vetminë.

Xhindi Çamarrok, Liqeni dhe Çupërlina
Vallzojnë lingthi krahëhapur
Dhe zbret nga rrotëdisku i Diellit
Rrëkeza e kërthizës së përgjakur ...

Liqenit i përflaket mjekra lara – lara;
muzikantit shaluar mbi hënë
i shkrin mbi gjoks kitara.

Xhindi... Liqeni... Çupërlina...
Dallgaviten, puthen, përputhen,

Thërrmohen si copra yjesh të valë
Zhduken, 
Zhuriten.
Dalngadalë.

(Korce,2007)

---------------

 

Lista e dëshmorëve të Kosovës të rënë në vitet 1964-1992


I. Të vrarë me atentat


1. Jusuf Gërvalla, i vrarë me atentat, më 17 janar 1982, në Shtutgart
2. Bardhosh Gërvalla, i vrarë me atentat, më 17 janar 1982, në Shtutgart
3. Kadri Zeka, i vrarë me atentat, më 17 janar 1982, në Shtutgart
4. Enver Hadri, i vrarë me atentat, më 25 shkurt 1990, në Bruksel


II. Të vrarë në luftim


5. Rexhep Mala, i vrarë duke luftuar në rrethim me 11 janar 1984
6. Nuhi Berisha, i vrarë duke luftuar në rrethim me 11 janar 1984
7. Bajram Bahtiri, i vrarë duke luftuar në rrethim me 8 shkurt 1984
8. Afrim Zhitia, i vrarë duke luftuar në rrethim, më 2 nëntor 1989, Prishtinë
9. Fahri Fazliu, i vrarë duke luftuar në rrethim, më 2 nëntor 1989, Prishtinë
10. Ali Ajeti , i vrarë duke luftuar me 1989, në Shtedim të Besianës
11. Tahir Meha, 13 maj 1981, Prekaz i Ulët
12. Nebih Meha, 13 maj 1981, Prekaz i Ulët
13. Besim Latifi, nga fshati Pollatë, Podujevë, vrarë në rrethim më 1990.
14. Skender Munolli, nga fshati Pollatë, Podujevë, vrarë në rrethim më 1990
15. Tahir Lush Berisha (vrarë gjatë përpjekjes së armatosur më 1992, në Leshan të Pejës)


III. Veprimtarë të mbytur në burg

16. Fazli Grajçevci, më 1964 në burg
17. Shaban Shala, vrarë më 1964 në burg
18. Afrim Abazi, i mbytur në torturë në burgun e Ferizajt
19. Zijah Shemsiu, i mbytur në burg
20. Xhemajli Blakaj, nga Istogu, i mbytur në torturë më 1987
21. Xhemajli Berisha (31 vjeç), profesor, nga fshati Brestovc Rahovec, i mbytur në torturë në burg të Prizrenit

IV. Të vrarë në demonstrata


22. Naser Hajrizi (i vrarë në Prishtinë, më 1981)
23. Asllan Pireva (i vrarë në demonstratë, më 1981)
24. Sherif Frangu (i vrarë në Ferizaj, më 1981)
25. Riza Matoshi (i vrarë në Ferizaj, më 1981)
26. Ruzhdi Hyseni (i vrarë më 1981)
27. Xhelal Maliqi (i vrarë më 1981)
28. Sali Abazi (i vrarë më 1981)
29. Salih Maloku (i vrarë më 1981)
30. Nesimi Dervish Dana (i vrarë më 1981, në Gjakovë)
31. Salih Zeka (i vrarë më 1981)

32. Ismet Krasniqi, i vrarë më 1989, në Prishtinë
33. Nesimi Elshani (28 vjeç), student, Nagavc, Rahovec, vrarë më 27.01.1990, në Brestovc, Rahovec
34. Bedri Sokoli, vrare ne vitin 1989
35. Elfete Humolli (17 vjeçe), Lupç i Poshtëm, Podujevë
36. Agron Fetahu (23 vjeç), bujk fshati Celinë, Rahovec, vrarë më 27.01.1990, në Brestovc, Rahovec
37. Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël, Rahovec, vrarë më 27.01.1990, në Brestovc, Rahovec
38. Halim Hoti nga Krusha e Madhe, Rahovec, vrarë më 27.01.1990, në Brestovc, Rahovec
39. Mehmet Ejupi (23 vjeç) fshati Sekiraçë, vrarë në Podujevë
40. Agim Rashiti, (19 vjeç), Dragash, vrarë në Gjilan,
41. Agim Kukleci (31 vjeç), punëtor, vrarë në Isniq, Deçan
42. Basri Ibrahimi, nga fshati Smirë, vrarë në Smirë, Viti
43. Gjymshit Ahmet Badallaj (24 vjeç), nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
44. Gjylbear Izet Badallaj (22 vjeç) bujk, nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
45. Bali Badallaj (22 vjeç), nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
46. Xhemshit Badallaj (28 vjeç), nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
47. Naim Qemajli, nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
48. Fatmir Hoxha, nga fshati Zhur, vrarë në Zhur, Prizren
49. Haki Pavataj, Decan.
50. Zyle Gashi (23 vjeç), vrarë në Prishtinë
51. Mujë Berisha, nga fshati Maznik, vrarë në Maznik, Deçan
52. Ismet Qorraj (21 vjeç), punëtor, vrarë në Carrabreg, Deçan
53. Xhafer Qorraj, vrarë në Carrabreg, Deçan
54. Selman Haxhosaj, nga fshati Pobërxhë, vrarë në Deçan
55. Musa Gashi, nxënës, nga fshati Peçan, vrarë në Suharekë
56. Mirvete Avdiu, nxënëse, nga fshati Muzeqinë, vrarë në Shtime
57. Mustafë Veselaj (23 vjeç), nga fshati Peçan, vrarë në Suharekë
58. Hilmi Jashar Kajtazi (31 vjeç), teknik, nga fshati Vitak, vrarë në Mitrovicë
59. Bedri Sergjonaj (19 vjeç), nga fshati Klladonicë, vrarë në Mitrovicë
60. Behram Saniçi, nga fshati Roshan, vrarë në Mitrovicë
61. Hakif Bislimi (24 vjeç), i papunë, nga fshati Koshtovë e Vllahisë, vrarë në Mitrovicë
62. Sali Hadërgjonaj (19 vjeç), nxënës, nga fshati Voksh, vrarë në Deçan
63. Selat Berisha (28 vjeç), punëtor, nga fshati Barilevë, vrarë në Prishtinë
64. Ismet Krasniqi (32 vjeç), nga fshati Grashticë, punëtor, vrarë në Prishtinë
65. Muharrem Kabashi (19 vjeç), i papunë, nga Dushanova, vrarë në Dushanovë, Prizren
66. Idriz Rrahmani (41 vjeç), vrarë në Gjilan
67. Rrahman Demaj, vrarë në Skenderaj
68. Bedri Hasanaj (21 vjeç), vrarë në Mitrovicë
69. Sevdat Xhafolli (25 vjeç), vrarë në Prishtinë
70. Shukrije Obërtinca (17 vjeçe), nxënëse, nga fshati Dobri Dubi, vrarë në Prishtinë
71. Nufret Gashi (40 vjeç), vrarë në Suharekë
72. Muhamet Imeri (19 vjeç), vrarë në Dushanovë, Prizren
73. Ibrahim Krasniqi, vrarë në Prishtinë
74. Ismet Curraj, vrarë në Carrabreg, Deçan
75. Xhafer Curraj, vrarë në Carrabreg, Deçan
76. Muhamet Bytyçi, nga fshati Dushanovë, vrarë në Dushanovë, Prizren
77. Bujar Haxhimusa (24 vjeç), vrarë në Mitrovicë,
78. Riza Smajli, vrarë në Gjilan
79. Betim Shala (21 vjeç), student, nga fshati Nashec, vrarë në Prizren
80. Beqir Shimaniqi (41 vjeç), pensionist, nga fshati Roshan, vrarë në Mitrovicë
81. Ramadan Zeqiri (34 vjeç), punëtor, nga fshati Kopiliç i Epërm, vrarë në Mitrovicë
82. Istref Gashi (42 vjeç), punëtor, vrarë në Suharekë
83. Sakip Bislimi (33 vjeç), i papunë, fshati Koshtovë e Vllahisë, vrarë në Leposaviq
84. Afrim Bytyçi (14 vjeç), vrarë në Dushanovë, Prizren
85. Rrahman Sopa, Kaçanik, vrarë në Prishtinë
86. Shefki Sejdiu, Ferizaj, vrarë në Prishtinë
87. Shaip Bytyçi (30 vjeç), Dushanovë, vrarë në Dushanovë, Prizren
88. Ali Ajeti (30 vjeç), nga fshati Sveçël - Podujevë, vrarë në Mitrovicë
89. Xhemajl Krasniqi, demonstrues, i burgosur, vrarë në burg
90. Fatmir Hazir Ukaj (18 vjeç), Pejë
91. Agron Ukë Gashi, Celinë, Rahovec
92. Hilmi Rexhep Krasniqi (41 vjeç), Hoçë e Vogël
93. Halim Malush Hoti (29 vjeç), Krushë e Vogël, Rahovec
94. Nazim Qemal Elshani (28 vjeç), Nagavc
95. Reshat Ymeri (21 vjeç), Gjilan
96. Rexhep Aliu (43 vjeç), punëtor, Ferizaj
97. Bekim Ruzhdi Sejdiu (15 vjeç), Koshare, Ferizaj
98. Meliot Kryeziu (32 vjeç), bujk, Suharekë
99. Hysni Abdullah Mazrreku (15 vjeç), Bubavec, Malishevë
100. Ali Din Kryeziu (28 vjeç), Bubavec, Malishevë
101. Rexhep Selman Aliu,(36 vjeç), Bubavec, Malishevë
102. Sadik Malaj (23 vjeç), Stanovc i Poshtëm, Vushtrri
103. Sadri Maksuti (53 vjeç), Stanovc i Poshtëm, Vushtrri
104. Xhevat Hoxha (24 vjeç), Gjakovë
105. Fatmir Kërleshi (20 vjeç), Gjakovë
106. Qamil Morina, Logjë, Pejë
107. Fadil Nazmi Talla (25 vjeç), Podujevë
108. Ragip Brahim Hasanmetaj (23 vjeç), Strellc, Deçan
109. Islam Morina (38 vjeç), Topanicë, Kamenicë
110. Sylë Hazir Ukëmetaj (23 vjeç), Strellc i Epërm, Deçan
111. Nuhi Azemi (21 vjeç), Prelezi i Jerlive, Ferizaj
112. Xhevdet Breznica (22 vjeç), Magurë, Lipjan
113. Enver Morina (22 vjeç), Çikatovë e Vjetër, Drenas
114. Sahit Shala (25 vjeç), Krajkovë, Drenas
115. Gani Daci (22 vjeç), Nabërgjan, Pejë
116. Ali Hysevukaj (19 vjeç), Pejë
117. Ali Isë Zuka, Pejë
118. Nazmi Tefiku, Dubravë, Kaçanik
119. Sadri Shoshi, Istog
120. Samedin Bylykbashi, Prishtinë
121. Agron Fetahu (23 vjeç), bujk, Rahovec
122. Milazim Karaxha, Çikatovë, Drenas
123. Smajl Lladrovci, Gllanasellë, Drenas
124. Xhavit Lladrovci, Gllanasellë, Drenas
125. Shani Morina, Drenas
126. Bahtijar Gashi (52 vjeç), Prizren, mbytur në Gjilan
127. Sylë Ukë Haxhaj (46 vjeç), Carrabreg, Deçan
128. Haziz Shora (10 vjeç), Kaçanik
129. Milot Kryeziu (9 vjeç), Suharekë
130. Qazim Shoshi, Kashicë, Istog
131. Ali Tafa, Shtime
132. Vehbi Shesholli, profesor, Zveçan, Mitrovicë
133. Rasim Sheqer Mulliqi, profesor, Beleg, Deçan
134. Osman Vokshi (66 vjeç), Pejë
135. Osë Muqaj, Podujevë
136. Ragip Hasanmetaj (23 vjeç), fshati Strellc i Epërm, Deçan, vrarë më 31.01.1990

__________________
Joseph Biden: Hashim Thaçi Komandant Gjarperi është George Washingtoni i Kosovës

 

SHQIPJA MES GLOBALIZIMIT DHE VARIANTIZIMIT

Kumtesë e lexuar ne Konferencën shkencore mabarëkombëtare: “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit”, organizuar nga Qendra e Studime Albanologjike e Tiranës, Durrës, 15-17 dhjetor 2010

Nga Prof.asc.dr. Bahtijar Kryeziu

I. Shqipja aktuale dhe statusi shpërfillës i saj

Konferenca shkencore mbarëkombëtare me temën “Shqipja në etapën e sotme: politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit”, e cila u mbajt në kuadër të Edicionit II “Ditët e Albanologjisë”, ishte një mundësi e mirë për të debatuar problematikën e realitetit të sotëm gjuhësor, sfidat që po e përcjellin atë dhe perspektiva e shqipes nesër, nga njerëz përgjegjës e me kompetencë, para se me këtë çështje aq madhore të merren profanët dhe të gjithë ata të cilët nuk kanë një formim të mirëfilltë gjuhësor. Këtu dhe e kemi parë arsyen e organizimit të kësaj konference nga QSA-ja (Qendra e Studimeve Albanologjike e Tiranës, për çka ato ditë edhe pati mjaft polemika si në mjetet tona elektronike dhe të shkruara, ashtu edhe në ato të Shqipërisë), dhe pjesëmarrjen në këtë konferencë, pavarësisht pikëpamjet dhe pozicionimet e kundërta, krejt natyrshëm, që mund t’i ketë një studiues apo një tjetër, pra, si ata që kërkojnë tabuizimin e stan-dardit gjuhësor dhe çdo gjë që ka të bëjë me gjuhën, ashtu edhe ata që mendojnë se duhet variantizuar a rrënuar kulla “e vjetër” e shqipes për të ndërtuar një të re.

Shqiptarët janë një komb dhe kanë një gjuhë - gjuhën shqipe, pavarësisht nga variantet që e karakterizojnë atë, në veçanti formën e folur të saj, si gati çdo gjuhë tjetër të botës. Gjuha letrare ose gjuha standarde (shqipe), siç cilësohet më fort sot, është varianti më i përpunuar i gjuhës. Është një e arritur kulturore e kurorëzuar në një etapë të caktuar të zhvillimit politik e shoqëror që për sa vjet u ka shërbyer dhe u shërben kërkesave të komunikimit të bashkësisë sonë, duke u bërë edhe shprehëse e njësisë kombëtare. Si e tillë ajo dhe kërkon kujdes të veçantë të pjesëtarëve të shoqërisë sonë, të institucioneve arsimore e shkencore dhe të organeve shtetërore të vendeve tona, e që për fat shqipja sot këtë nuk e ka në shkallën e duhur. Ajo vazhdon të jetë (me gjithë rezultatet e arritura) një gjuhë mjaft e nënvleftësuar dhe e shpërfillur, në radhë të parë, si shprehje e një mentaliteti tonë mediokër.

Përdorimi i mbishkrimeve të firmave të bizneseve tona në gjuhë të huaja më tepër se në shqip; emërtimi i fëmijëve me emra të huaj (Kevin, Dajana, Denis...) në vend të emrave shqip - të vjetër (Ilir, Entela, Alban...), a të rinj (Gëzim, Blerim, Besnik etj.); të shënuarit e veturave të policisë së trafikut Police trafik safety dhe të autoambulancave Ambulance vetëm në anglisht (në Repubikën e Kosovës), sikur ato automjete të jenë në shërbim të një popullate anglofone, ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës, neni 5, faqe 21; emërtimi i disa shtëpive “të fuqishme” meditatike po në gjuhë të huaj, si: Top Channel, News 24, Ora News, BBF, Club FM; përdorimi i një gjuhe të bastarduar e me lloj-lloj shprehjesh dhe më absurde për kohën në mjaft shfaqje të humorit e të emisioneve televizive, për “të krijuar art” me “jo art”; përdorimi i një gjuhe joserioze - qoftë edhe nga botues seriozë; mosinteresimi i duhur për pasurimin dhe përmirësimin e standardit gjuhësor; mungesa e vullnetit institucional e shtetëror për hartimin e fjalorëve terminologjikë në kohën e ndikimit aq të madh të internetit me terma të huaj; mosorganizimi i ekspeditave shkencore dialektore, si forma shumë të rëndësishme për pasurimin e gjuhës me fjalë e shprehje

1 Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, faqe 2.

burimore; imponimi (i pakriter) i gjuhës së medieve dhe i gjuhës bisedore si stile kryesore funksionale; mosndërtimi i politikave dhe i planifikimit gjuhësor; kurrikulat joadekuate dhe joserioziteti i mësimit të gjuhës në shkolla të niveleve të ndryshme, tekstet shkollore e mësimdhënia tradicionale – si detyra dhe përgjegjësi institucionale; moszbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në tiketat e produkteve të ndryshme, sidomos të atyre që hyjnë nga jashtë, si e drejtë jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorit, por diç edhe më shumë se kjo, kur dihet se gjuha “nuk është asnjëherë vetëm gjuhë”2, si dhe ndikimi i disa faktorëve të tjerë jashtëgjuhësorë, shkurt: mungesa e një disipline dhe edukimi gjuhësor, janë vetëm disa dëshmi jo dhe inkurajuese për shqipen e ditëve tona dhe perspektivën e saj.

Kur gjithë kësaj i shtohen edhe përpjekjet e pareshtura për variantizimin dhe copëzimin e hapësirës sonë gjuhësore; kur dihet se procesi i globalizimit, si synim i unifikimit të botës në një gjuhë dhe në një kulturë ka marrë hov aq të madh, shqetësimi ynë e njëherazi dhe interesimi për fatin e shqipes nuk ka se si të mos rritet edhe më.

II. Globalizimi gjuhësor – proces i pashmangshëm: frikë apo kurajo?

Globalizimi si një proces gjithëpërfshirës dhe i pashmangshëm botëror, që nënkupton lëvizjet e njerëzve, të mallrave, të kontakteve kulturore e gjuhësore e të ideve përgjithësisht, krahas dhe përdorimit të internetit, telefonisë celulare, televizionit satelitor etj., që sot janë kthyer në pushtues të rinj të botës, kanë bërë që asnjë popull e gjuhë të mos shpëtojë pa u ndikuar nga një popull e gjuhë tjetër. Anglishtja, e cila edhe ashtu merret si një gjuhë me më shumë huazime, sidomos nga frëngjishtja, është njëra prej gjuhëve me shtrirje më të gjerë të përdorimit dhe me ndikimin më të madh të saj.

Se ç’pushtet ka fituar anglishtja në këtë kohë, ç’hapësirë ka pushtuar dhe ç’rrezik apo të mira sjellë ajo, po përmendim vetëm këtë shembull, nga më shumë syresh*:

Qeveria e Federatës Ruse në programin special “Gjuha ruse në vitet 2006-2010”, jo moti, ka paraqitur të dhëna shqetësuese për (mos)përdorimin e rusishtes, si gjuhë “e madhe” dikur. Kështu që, derisa në kohën e BRSS-së, rusishten si gjuhë zyrtare e kanë përdorur 286 milionë folës, tashti në ish-shtetet e BRSS-së, numri i njerëzve që e flasin këtë gjuhë është zvogëluar për 50 milionë, e që ky numër deri në vitin 2015 mendohet se do të zvogëlohet edhe për aq. Në Lituani, për shembull, gjithnjë sipas këtij studimi, gjuhën ruse e flasin afro 80% e gjeneratave më të hershme dhe të mesme, kurse të rinjtë deri në moshën 15 vjeçare, rusisht flasin vetëm 13% prej tyre, gjë që dëshmon se gjuhën ruse e flasin ose e kuptojnë vetëm gjeneratat më të vjetra.

2 Rexhep Ismajli, Gjuhë dhe etni, Prishtinë, 1991, faqe 29.

* Rreth një miliardë e gjysmë njerëz në botë e flasin anglishten si gjuhë amtare, si gjuhë të dytë ose si gjuhë të huaj. Mbi 80% të informacioneve të ruajtura në mënyrë elektronike në botë janë në anglisht. Dy të tretat e shkencëtarëve të botës shkruajnë në anglisht e 36% të përdoruesve të internetit, nga 200 milionë, sa vlerësohet se janë, komunikojnë në anglisht. Anglishtja është gjuhë zyrtare ose ka status special në mbi 75 territore të botës (www.i-uk.com/servlet). Ose shembulli tjetër:

Sipas rezultateve të projektit Web Characterization të OCLC-së 4 të realizuar në vitin 2002, deri 72% e përmbajtjeve tekstore në sajte janë në gjuhën angleze, 7% në gjuhën gjermane, 6% në gjuhën japoneze, 3% në spanjishte e 3% në frëngjishte dhe 9% në të gjitha gjuhët e tjera të globit. Edhe pse përdorues të internetit anglofolës janë 36.5%, sipas statistikave që nxjerr po ky projekt, anglishtja mbizotëron me 72% dhe më të drejtë mund të quhet gjuha e internetit3. Jo vetëm në punë të internetit është gjendja e tillë dhe kjo trysni e globalizimit nuk ndodh vetëm me popujt e vegjël e gjuhët e tyre.

3 Boris Varga, korrespondent i BBS-së për Europën Juglindore, revista “Vreme”, Beograd, 19 korrik 2007.

Madje edhe më shqetësues është fakti, në saje të disa parashikimeve, se ”Në një distancë disavjeçare ekziston mundësia që të eliminohen edhe afro 50% e gjuhëve që ekzistojnë në botë”3.

Në rast të tillë nuk duhet fort mend të dimë se ç’mund të ndodh me gjuhët e vogla, ku bën pjesë edhe shqipja.

Karshi disa huazimeve të rrënjosura, siç janë ato nga greqishtja e re (dhomë, pronë, qefull, qëndis etj.), nga gjuhët sllave (çekiç, çudit, grusht, kosë...), nga italishtja (barkë, fitoj, paguaj, timon...), ose edhe sa e sa ndërkombëtarizma (analizë, atmosferë, element, financë, miliard, kilogram, olimpiadë...), si dhe huazimet turke, që mbartin në vete ngjyrime dhe ngarkesa emocionale-stilistike, si: vatan (pranë shqipes “atdhe”), milet (“popull”), xhan (“shpirt”) etj., pavarësisht rrugët e futjes dhe mënyrën e krijimit të tyre në gjuhën tonë, të cilat, siç do të thoshte akademik Jani Thomai, erdhën si “mikesha të nderuara”4 dhe i imponoi koha e për të cilat (hiq ato turke) shqipja nuk ka zëvendësime të mirëfillta, apo edhe disa fjalëterma të domosdoshëm, si: rëntgen, embrion, hipotenuzë, neutron... – dikur e internet, celular, globalizim, tender etj. – sot, shqipes i kanë rënë në qafë dhe po përdoren pa farë arsye fjalët: draft, bord, eveniment, implementim, distribuim, konsensus, divorcim, menaxhim, workshop, postim, evaluim, CV-i (Sivi), live, ok-ej, ose shprehjet: in-servis e pri-servis, online, e me qindra të tjera, edhe pse shqipja nuk ka nevojë për to, sepse i ka përgjegjëset e saj.

Tani shtrohet pyetja: ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj globalizimit? Shkurt e thënë: të gjejmë rrugët që pajtojnë atdhetarizmin dhe globalizmin! – porosit në një vend gjuhëtarja Shefkije Islamaj. Pra, nuk duhet të dalim kundër këtij procesi, pasi dhe nuk mundemi, por edhe s’duhet ta lëmë veten “të na marrë lumi”. Nuk duhet spikatur atë si një fakt tërësisht pozitiv apo dhe tërësisht negativ.

III. Tabuizimi dhe variantizimi – dy skajshmëri të papranueshme

Edhe variantizimi i gjuhës letrare, i standardit të gjuhës, mbështetur në idenë se “standardi kishte në thelb metodat e vendosjes së hegjemonisë dhe të monopolit”, se “ishte produkt i nji konsensusi në diktaturë”, se “disa shkrimtarë u përjashtuan prej letërsisë”, se “gjuha letrare krahasohet me një pilaf të piperosur ku pilafi është toskërishtja dhe piperi është gegërishtja”(A. Pipa)5; se “me këtë standard sui generis, të ngurtësuem i është bërë aparteied, jo vetëm dialektit verior, por edhe shqipes në tërësi”6, “të cilin duhet shembur, siç u shemb diktatura, për t’ia kthyer shqipes demokracinë” etj., krahas kërkesës për një liberalizëm, deri në atë shkallë saqë kushdo mund të flasë e të shkruajë dosido, që Dell Hymes e quan “kompetencë komunikatave” që nënkupton “aftësinë për të komunikuar me kode të ndryshme, nuk mendojmë se shkon në dobi të një kodi gjuhësor. Standardi, norma, parimi, janë mjetet më të mira për të mënjanuar mishmashet dhe anarkitë. Çdo shtet i përparuar, si Franca, Gjermania, po edhe Kroacia e shtete

4 Akademik Jani Thomai, Parathënia e veprës “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe” të Ali Jasharit, Tiranë, 2007, faqe V.

5 Prof. Fehmi Agani pas mbajtjes së Konsultës së Prishtinës, më 9 mars 1970, i kishte shkruar prof. Arshi Pipes, në shenjë respekti në gegërishte, për t’i shpjeguar se: “Për gjuhën kemi pasë nji Konsultë të madhe gjuhësore në vitin 1968. Edhe për ne shtrohej problemi i dialekteve, përveç tjerash edhe sepse prej shqiptarëve në Jugosllavi, shqiptarët e Maqedonisë shkrujshin tosknisht. Konsulta qe shprehë të shkruhet edhe në Kosovë gjuha e njësueme, në bazë të rregullave të drejtshkrimit të Institutit të Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. Kështu sot shkruejnë ndër ne të gjitha revistat, tue përfshi edhe shtypin e ditës. Martin Camaj më pat thanë nji herë në Mynhen se nji ndërmarrje e këtillë, përkah aspekti gjuhësor, asht e pakuptim. Ndoshta, por gjuhëtarët tonë nuk mendojshin ashtu dhe nga ana tjetër, mënyra e re e të shkruemit, me gjithë laramaninë e periudhës kalimtare, asht përvehtësue me aq entuziazëm dhe për nji kohë të shkurtë, asht mbërri aq sa që dhe unë, më besoni po kam vështirësi me shkrue gegënisht” (Fehmi Agani, Vepra 8, “Dukagjini”, Pejë, 2002, f.382-383)

6 Primo Shllaku, Gjuhëtarët kundër shkrimtarëve (internet, postuar më 24.11.2010).

të tjera, kanë një politikë gjuhësore dhe institucione që e zbatojnë këtë politikë. Andaj, përse mos ta ketë edhe shqipja një “privilegj” të tillë, një gjuhë normale dhe natyrale, si një gjuhë e të gjithëve për të gjithë?

Ashtu si tendencat për një standard policentrik të shqipes, siç ka vënë re gjuhëtari i njohur Ranko Bugarski7, edhe tabuizimi, përkatësisht mbyllja vetëm në "guaskën" e asaj që është parashikuar si normë para afro 40 vjetësh, mbështetur në treguesit e atëhershëm, sot, në dritën e disa trysnive që na sjellin zbatimet (në fakt: moszbatimet e thyerjet) e ditpërditshme do të ishte jodobiprurëse. Çabej nuk e ka thënë më kot se “Një popull, siç ndërron në rrymë të kohëve..., zhvillon dhe pasuron edhe gjuhën që flet”. Fundja, për ndryshime të arsyeshme dhe ato të cilat i imponon koha, që shqipen e bëjnë më funksionale në shërbim të vetë shoqërisë sonë, leja ekziston edhe nga Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972, f. 27), ku qartë e mirë thuhet: “duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr politika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura”.

IV. Probleme standordologjike që duhen diskutuar

Në kontekst të këtij parimi, pikërisht dhe ne, duke çmuar gjithnjë bazën e përbashkët të standardit të shqipes, e “në favor të rregullimit më të mirë të rregullave të drejtshkrimit” – siç theksoi këto ditë akademik Kolec Topalli8, po shprehim opinionet tona se: prurjet e reja dialektore nga gjithë hapësira shqiptare, si nevojë e madhe e pasurimit të gjuhës; mundësia e zëvendësimit të trajtave të fjalëve basmë, dasmë etj., me ato basëm e dasëm (siç është biseduar në takimin e Këshillit Ndërakademik (më 12 maj 2006); normëzimi i formës dysore (dubletit gegë) borë e jo edhe dëborë (krahaso: borëbardha, lulebora e jo dëborëbardha e as luledëbora), ose dhe: krua – kroi, ftua – ftoi dhe të tjera si këto; kodifikimi i fjalës së gegërishtes: e ejte (për e enjte të toskërishtes); mospranimi i ambigjinisë tek emrat me shumës në -e (male të lartë, mendime të drejtë...)9, siç ka kërkuar prof. S. Riza (e jo male të larta, mendime të drejta... – siç e kemi të kodifikuar tani); rrafshimi i dallimit të numërorit tre (për gjininë mashkullore e femërore) - një trysni mirëfilli toske, në thelb e pamirë, por thuajse e përfillshme sepse po përgjithësohet, sikurse që u tret dallimi i numërorit dy (për gjininë mashkullore) dhe dy (me y të gjatë për gjininë femërore, që ka mbetur vetëm në gegërishten); formimi i shumësit me –a, si te shembujt: mësuesa, maturanta10, studenta, profesora, shofera, oficera, instrumenta etj., që vjen nga ndikimi i gegërishtes, por që po gjen përdorim të gjerë e pëlqehet si një shumës më i qartë ndaj formave përkatëse me -ë, që këshillon norma e sotme morfologjike e drejtshkrimore11, kujtojmë se janë në të mirë të standardit – sot apo nesër.

Sipas gjedheve të lartshënuara, kemi bindjen se edhe disa emra të përgjithshëm, si: çam, lab, prind, nip e ndonjë tjetër i këtij lloji që, siç dihet, kanë dy forma të shumësit, ku njëra formë sajohet duke i prapavënë njëjësit të tyre mbaresën -ë ose -a (çamë, labë, prindë, nipa), siç përdoren kryesisht në gegërishte, kurse forma tjetër e shumësit të këtyre emrave sajohet me

7 Ranko Bugarski, Nova lica jezika, Beograd, 2002, faqe 136.(Shih: Qemal Murati, “Gjuha shqipe”, nr. 2, IAP, 2010, f.25)

8 Elas Demo, Diskutimi i standardit: nga do të mbajë? (“Shekulli” në internet, 8.12.2010)

9 Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, Një tezë e Selman Rizës për gjuhën letrare shqipe (internet)

10 “Raporti i përfaqësuesavet të P. T. Ministris s’Arsimit në provimet e semimaturës në Liceun franceskan të Shkodrës”, datë 30 Qershor 1939, nënshkruar nga Eqrem Çabej. Sipas një shkrimi të prof. Emi Lafe, “Nga liberalizimi gjuhësor te shqipja standarde”, del se origjinali ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.

11 Gj Shkurtaj, punimi i cituar.

mbaresën -ër (çamër, labër, prindër, nipër etj.), si në toskërisht, ose edhe një tip tjetër emrash të përgjithshëm: drapër, gjarpër dhe gisht, që në shumësin e pashquar dalin si: drapinj dhe drapërinj, gjarpinj dhe gjarpërinj, gishta dhe gishtërinj etj., përdorimi i të cilëve nuk bie ndesh me normën letrare12, më mirë është të kodifikohen me format që i karakterizon një ekonomizim gjuhësor. Pra, kujtojmë ne, se më mirë është të thuhet: një çam - disa çamë, një lab – disa labë, një prind – disa prindë, një nip – disa nipa, sesa: disa çamër, labër, prindër, nipër, ashtu siç do të shqiptoheshin më lehtë edhe format e shumësit të emrave: drapinj, gjarpinj (ose dhe drapij, gjarpij), arij, barij, huj, budallej, fukarej, lumej, ullij...), gishta, sesa: drapërinj, gjarpërinj, arinj, barinj, hunj, budallenj, fukarenj, lumenj, ullinj, gishtërinj etj., e që edhe ky parim mendojmë se mund të përputhet me mendimin e prof. Rizës “për rolin ndërtues e pasurues të folësve gegë në gjuhën letrare shqipe të njësuar”, si një mendim e tezë frymëgjatë ndaj ardhshmërisë së standardit të gjuhës shqipe.

Po ashtu është koha për të rishqyrtuar përdorimin e fonemës ll në vend të l-së (përkundër Drejtshkrimit..., Shënimi 1, f. 105) te disa emra të përveçëm sllavë, si: Millan, Millosh, Valldimir..., analogjikisht me Jugosllavi, jugosllav, sllav etj., për Milan, Milosh, Vladimir, kur dihet se këta emra dhe shumë të tjerë si këta, në gjuhët burimore (sllavojugore) dhe nga folës të atyre gjuhëve, nuk përdoren me l por me ll. Edhe shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, por edhe të disa krahinave të Shqipërisë këta emra i shqiptojnë kryesisht me ll, sado që në të shkruar, për të respektuar paragrafin e cituar të standardit tonë gjuhësor, i shkruajnë me l. Arsyeja për të bërë një korrigjim në këtë pikë është se edhe gjuhët sllave me të cilat shqipja ka kontakte më të shpeshta, kanë fonemat l e ll, të cilat në disa raste formojnë edhe kundërvënie fonologjike (ludi “njerëz” – lludi “budallenj, të marrë” etj.). Pra l e ll janë dy fonema të ndryshme me të cilat, bie fjala, serbishtja dhe kroatishtja formojnë alfabetin e tyre prej 30 fonemash. Prandaj emrat e tillë e të ngjashëm mund të normëzohen dhe të shqiptohen e të shkruhen pa pengesë si: Millan, Millorad, Millosh, Mlladenov, Vlladimir..., ashtu sikurse që do të duhej të përdoreshin dhe përdoren me l e jo me ll emrat e përveçëm: Lubomir, Lilana, Lublana e jo Llubomir, Llillana, Llubllana.

Edhe kodifikimi i fjalës Europë për Evropë - siç ka zënë vend tanimë edhe në FESh dhe siç përdoret edhe në gati në të gjitha vendet evropiane; të shënuarit e datave me një zero përpara si në shumë gjuhë të tjera dhe siç e kërkon tani edhe teknologjia informative bashkëkohore, kur datat e ditëve dhe muajt janë njëshifrorë; përdorimi i shkronjës së madhe tek emrat e popujve; tek emrat e festave fetare, ashtu sikurse edhe për emrat Zot, Perëndi, Allah etj., nuk do të ishin mëkate standardologjike, por fjalë të cilat shumë shpejt do të mund të fitonin qytetarinë në standardin e gjuhës së sotme që nga veriu e gjer në jug.

Dhe në fund, për shkak të kohës dhe respektit që ndjejmë ndaj këtij auditori të nderuar, do të shtonim vetëm edhe këtë, se standardi i shqipes as nuk duhet t’i përjashtojë e mohojë dialektet dhe prurjet e reja, por as të krijohen nga ai “statuse të reja dialektore”; as të tabuizohet por as të copëzohet a rrënohet. Ai duhet të jetë një mjet njësimi, mjet bashkimi për kombin dhe kulturën tonë, të cilin mendim më së miri e përligj një thënie e shkurtër e klasikut të fundit të albanologjisë - akademik Idriz Ajeti, kur thotë se “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë sonë”. Në kohën e kërkesave gjithnjë e më të theksuara për variantizimin dhe copëzimin e standardit të shqipes, të shpërfytyrimit të gjuhës dhe trysnive të globalizmit, ky mendim vetëm sa fuqizohet edhe më.

12 Grup autorësh, Gjuha letrare shqipe për të gjithë, Tiranë, 1976, faqe 27 dhe 28.

______________

 

Tregim kushtuar luftëtarëve të papepur kosovarë

VDEKJA E BESMIRIT

/Me rastin e ditës së lirisë të Kosoves/

 

 

Nga  Riza LAHI

 

Ngrini ballin lart. Përkuluni ashtu fëmijërisë, burrërisë, pleqërisë së thellë, trashëgimisë së një fëmije 9 vjeçar, njerëz të fisit tim. Edhe ti, i papërkuluri si kollan i mermerit. Edhe ti, gjaknxehti si vetëtimë. Mih dheun me sy edhe ti, i damkosuri me vulën e burrërisë. Ti! Ti! Ti që të kumbojnë në tru himnet e “Bella Rukës”; që mbase të lindi nëna me sy të kaltërt e vetëm për të dashuruar, por që jeta t’i ktheu një copa tehu të vringëllimshme. Ti! Ti që kur Kosova duke kulluar gjak prej dorës tënde përcillte xhenaze e kufoma të njoma, pive shampanjën e turpit dhe derdhe fishekzjarre nëpër netët e sterrtë si shpirti yt.

Përkulu!

Përkulu të them!

Përkulu përmbi gjakun e Besmirit!

Je matur me një ferishte; të ka mundur. Të ka munduar. Ai do të jetojë si yjet e ti si Neroni. Ti si Juda e ai si Krishti.

Opo … ooooooo.

Fëmija e besmirit nuk kthehet më kuuurrë… As e ytja, o Pilat. E pe se si e dha frymën e fundit një shpirt! I kishte faqet e bardha si qumësht. I kishte të mbuluara me një cipë pjeshke… Përkulu të them…! Përkuliu Besmirit! Dora ka për t’u dridhur deri në natën e varrit. Njerëz! Ja se si vdiq Besmir Kryeziu. Vjeç nëntë! Në viset e Ballkanit plak!

* * *

Nuk kam pasur rast ta njihja nga afër. Do të shkruaj vetëm se çfarë kam parë me këta sytë e mi… Jam në spital. Jam krejt i vetëm. Duhet të kem ardhur në vete para 15 minutash. Kështu më tha ajo infermierja. Kam gati katër ditë pa u ndjerë… Nuk nxjerr asnjë fjalë as tani. Unë e kuptoj. Me siguri që kam të dëmtuar ndonjë vatër të trurit – atë të të folurit. Unë nuk artikuloj asnjë zanore.

Dilte në rrugë gjithnjë me të motrën. Me Dadën. Ne këndej nga Kosova Dadë u themi motrave. Ai ia tërhiqte dorën gjithmonë për të shkuar diku, e ajo nuk ia lëshonte. Ajo pastaj i pëshpëriste diçka në vesh, e ai ia jepte faqen e nuk ia tërhiqte dorën më. Dhe vazhdonin e largoheshin nga sytë e mi, ai duke kërcyer, ajo…

-Oj Dadë… Dua sheqera të shkruar… Dada e Besit ishte sikur ta kishin endur yjet me dritën e tyre. Vishte një fund të zi dhe një bluzë të kuqe sikur hidhte përmbi supe flakë. Shkonte rrugës sikur ecte një luledredhëze nëpër parvazin e dritares.

… Dora nuk po më dridhet, i lumi. Letër kam boll… Dhimbjen nuk po e ndjej më.. Mua këmbën e majtë ma ka bluar tanku. Ma shkeli me zinxhir. Kam … Edhe këtë … Vatrën e të folurit … Më kanë qëlluar pas me diçka metalike. Ndoshta me kondak. Duket se do të vijë vdekja për mua… Tani shpejt; diç kam hetuar në sytë e asaj infermieres... Duhet të nxitoj për të shkruar ç’kam parë. Mbase unë jam dëshmitari i vetëm. Pas atyre të pesë policëve…

 

* * *

 

Aq e kam dashur të motrën e Besmirit!

Ajo, e shkreta, kurrë s’e ka ditur se sa e ka dashur dikush.

Ajo dilte për të shëtitur vetëm me Besin. Me Besin si bec për mbrapa… Mua më mbërthehej gjoja kur kalonin ata të dy… Jam 21 vjeç dhe kurrë nuk kam puthur në jetën time një vjazë… Një herë, pas tri ditësh që i isha ndenjur te shtegu i rrugës së saj, unë mora guximin t’i flisnja me gojë. Krejt kot.. Oh …! Nisi të më dhëmbë prapë.. “A keni orë ju lutëm?” Dhe kur pata ardhur në vete, ata po ecnin për krah njëri-tjetrit. Dhe ish ndalur para një vitrinë ku kishte sheqera të shkruar.

Një herë unë e dëgjova Besin t’i thoshte të motrës, Liridonë:

- Oh… askush nuk ka për ta thërritur më “Lira”… Oh …! As Liridona … Sa po më dhemb… Aman…! Të shkruaj sa pa dhënë frymën e fundit… - Oj Dadë… Unë nuk du sheqera t’shkruar…”

Atë ditë u tubuan mbi 70 mijë. Demonstratë! Të gjithë thërrisnin “Demokraci”! Kush nuk ka qenë atë ditë, ndonjë herë tjetër ndër kësi soj tubimesh, le ta mendojë veten duke dëgjuar të thirruara të njëkohëshme nga 70 mijë gojë me të tërë inatin e Zemërimin. Vallë cila zemër nuk do të prekej? Cili tiran nuk do të tmerrohej? Por policët serbë, sill e sill! E kanë një farë helmi ato bomba që hedhin ndër ne, që t’i mbushin sytë, e ta bëjnë të turbullt gjithçka. Po ne i mbulojmë sytë me ç’të mundim. Ne mbrohemi gjithsesi nga ato bomba që të mbushin me lot. Dhe thërresim “Liri – Demokraci”. Me gishtërinjt në formën e gërmës “V” lart të fitores.

Unë isha nga fundi i turmës. Para meje ishte Besmiri me të motrën. Krejt, fare krejt rastësisht i pashë ata në tubim. I pashë dhe vendosa të isha mbrojtësi i tyre. Mbrojtësi i tyre i fshehtë … Ka kaq ditë që dalim në rrugë. E therresim … O, kaq të bashkuar s’e kemi ndjerë veten asnjë herë. Kurrë … si të bashkon rruga… Si të bashkon dhuna e policit… Pardje ndjeva si në kllapi se kishin fillu me ia falë gjaqet njëritjetrit në tërë Kosovën… Oh, ç’ka po më dhemb… Ishallah po mundem me i dalë në fund pa vdekur… Kaq ditë që mblidhemi e shpërndahemi për nga akshami. Ka kaq ditë. Megjithëse na qëllojnë me pluba, e me këto bomba lotësh. E mblidhemi prapë nesër… sikur çahet dheu kur thërrasim “Demokrasi … Liri … Demokraci”.

Tanket. Nisi sulmi i përbashkët i tyre kundër nesh. Pas njëritjetrit. Si  një kolonë xhelatësh kokëmbuluar. Befas, te kulla e tankut të parë kërceu një oficer nga kabina. Drejt te mitralozi dhe hapi zjarr. Në mish. Dikë vrau pisi sërb. E kë? Ai vazhdonte të ndërronte karrikatorët e fishekëve që nga maja e kullës si një helmetë. Sikur u bënë më kaposh nga ardhja e tankeve. Nisën të shtinin me pistoleta, me “kallashnikovë”, me grushte, me shkopinjë kauçuku.

Unë nuk u ndahem atyre që kam marrë në mbrojte. Edhe ata bulurojnë “Liri – Demorkaci”! “V”-të lart! Lart…!

… E ndjeve veten të shtrirë përtokë… Me këtë … Plagën në kokë.. Tru… Ndoshta ma ka marrë gojën përjetë. Për aq jetë sa më ka mbetur… Më kish marrë një plumb në kofshën e majtë. Plagën e kisha valë të nxehtë; nuk ndjeja asgjë. Domethënë fare pak. Kështuuu… O zot i madh… Pranë meje shtrirë Liridona. O zot… ! Nëna ime…! Liria .. Nuk lëvizte … Një lule e madhe kuqëlonte në anën e majtë të gjoksit të saj. Dhe gojën e bukur të çelur pak. Me dy kroje të kuq anash. O, sa i kuq ishte gjaku i Liridonës…! Si një rabeckë e vogël! Besmiri i sillej së motrës përqark. Si një rabecëk e inatorsur që nuk ka frikë më. Me gishtat bardhoshë duke bërtitur “Liri – Liri”.

Përkulej prapë mbi të motrën: “Oj Dade … Paj boll ma… Çoju oj Dade”. Liridona nuk kishte asnjë shenjë jete.

Kërkëllitje zinxhirësh. Tanket. Përsëri tanket. Nënë… Nënë, moj … Nëna ime…

Kulla e tankut ishte drejtura mbi mua… Besmiri me të motrën janë ca më tej… Zinxhirët e tankut po e thyejnë kalldrëmin si me nofulla. Me nofulla çeliku … Nënë… Nëna ime… Nënë moj … Tanku është drejtuar mbi mua.. Mu mbi mesin e rrugës. Atje jam unë. Me këmbën që s’e lëviz dot, këtë, të varruemen njëherë, e mandej … Të tundurat e dheut “Demokraci … Demokraci” sikur janë larguar ca … Janë lëshuar përmbi turmën tanket … Nuk arrij ta mbledh këmbën e varrueme. Ai… Ai afrohet. Ngadalë… Si një falangë prej çeliku… Fundi im…

“Bëhu burrë”… E shoh mu në grykë tankun. Mu te shpella e tij… E di që më vështorojnë sy që andej. Nëna ime… “Bëhu burrë… Zot... Më jep zemër… Nënë… Një herë vdiset bre…” më erdh vdekja nga zinxhiri i tankut… Këtu paska qenë fundi im…

Fundi. Thërras fjalën e fundit “Demokraci…” Tanku ishte gati mbi mua. “Demokraci…”  O zot i madh. Po… Unë nuk e ndjej zërin tim… “Demokraci … Demokraci…” Përsëri nuk e ndjej zërin tim… Oj lokja ime… Ata mendojnë së më tutën… Paska edhe më të llahtarshme se sa  vdekja…

… Në çastet kur tanku do të më shtypte, unë ngrita lart para surratit të tij “V”-në e gishtave. Nuk tutet more jo Kosova e besa kurrë…

 

* * *

Kur erdha në vete, pashë se më kishin nxjerrë në anën e rrugës. E tanku… Ai i kishte kaluar me të tëra tonelatat e tij përmbi këmbën time të plagosur që nuk mund ta mblidhja. Ajo tani ishte vetëm një fërtele.

Se kush më ka vënë një gur nën kokë.. Krah meje është shtrirë kufoma e Liridonës... Lulja e bukur e Kosovës .. Oh, sa më dhemb këmba… Mos po do të më lërë zemra… ? Gajret… Gajret… “Demokraci…”Përsëri nuk e ndjej zërin tim.

… Një zë fëmije… Një zë i vetëm… Dhe ky, një zë fëmije. Se turma qenka larguar. Britmat e saja “Demokraci … Demokraci” dëgjohen tani larg. Me zor kthej kokën nga ai zë fëmije. Me aq sa mundem e kthej… Besi … Besmiri i vogël. E kanë vënë në mes e po e rahin… Janë pesë policë që po e rrahin Besin. Janë të pestë me kallashnikovë. Njëri nga ata qesh.

E qëllojnë me shqelma dhe ia hedhin njëri-tjetrit vocin… Ai që qeshi qëparë, e qëlloi mu në hundë me shkelm… Fytyra e Besit kullon gjak… Pas çdo goditje ai thërret “Demokraci… Demokraci”.

Lus Zotin që të mos çmendem… Unë jam krejt i pafuqishëm për të bërë diçka për Besin… Shpresoj që e motra të mos ngjallet papritur. Ajo do ta kishte dhënë jetën duke qeshur për Besin e saj. “Oj Dade… Unë nuk due sheqerka të shkruar…“ Ndjej që më kanë mbytur lotët…

Opopo…! Nënë moj…! Nëna ime …! Ç’po më shohin sytë? Ai… Ai nxorri pistoletën… Me siguri që do ta kërcënojë Besmirin. Që të mos thërrasë më. Jo, jo…! Ai nuk do ta kërcënojë Besmirin. Që të mos thërasë më. Jo, jo…! Ai nuk do ta vrasë … E qysh vritet  një kërthijë nëntë vjeç…? Po fundja, mos thërrit një herë more Besi… Ata me siguri janë të pirë… ç’i kushton të qëllojnë me pistoletë një të dehuri…? Ja, të qetësohet puna pak… thërrasim të dy tok sërish”. Me atë zërin e vogël si të një vajze… “Mos… Mos këlysh i kurvës… Jebena majka… Mos luaj me pistoletë para një fëmije… “.

Në vend të zërit tim – krisma e pistoletës. Polici shtiu… Tri herë shtiu mbi Besmirin e vogël… Besi u përplas me kalldrëm… O sa i kërciti trupi, si një burri të madh…

Ai e kapi Besin nga këmbët… E ngriti lart… E përplasi mu pranë meje… Po të ka pjellur  ajo kruva pasi ta ka lëruar djalli, more xhins krimineli…

Se ç’çuçuritnin me njëritjetrin të pesë policët. Kokë me kokë. Dhe iknin me vrap. Me shumë vrap. Dhe pa kthyer kokat pas në drejtim të kudnërt nga ka kaluar turma e sulmuar nga tanket.

-Besmir…! Besmir…!

O… Nuk kam zë… Ata më kanë dëmtuar vatrën e të folurit… Të artikullimit të tingujve.

Fytyra e Besit ishte krejt e kuqe nga gjaku… ai ngriti dorën. Atë dorën e vogël. Atë doçkën e bukur… Ooohhh… Me gishtat me formën e “V”-së.

-“Demokraci… Demokraci …”Doçka i ra mbi gjoks. Te plaga më e madhe… Fare pranë zemrës… Atje ku i kishte marrë Liridona.

Ky qe çasti që dha shpirt martiri nëntë vjeçar kosovar, Besmir Kryeziu. Ra për lirinë e Atdheut të pushtuar. Në moshën nëntë vjeçare.

… Oshëtimat… “Demokraci …” po dendësoheshin sërish. Mbase këto britma qenë që më morën nga kthetrat e vdekjes ato çaste. Me siguri që kam qenë duke dhënë shpirt, edhe unë.

Po afrohen zërat… Po vijnë… Po vijnë kosovarët e mij… Po vijnë… Po vijnë…

Merrni kufomën e Liridonës Vëllezër… Merrni kufomën e Besmirit… Shëtitini nëpër tërë Kosovën… Fytyra e Besmirit është si e mbuluar me flamur… Ngrijini në vend të flamurit Besin… Kë, bre, se po çohna edhe unë… Po…

* * *

Erdha në vete në spital. Flisnin shqip… Ishin mbledhur përmbi mua njerëz që flisnin shqip.

Kaq kisha. Ani le të vdes tani. U lodha tmerrësisht duke shkruar. Sepse dorën, e kam coptuar me gur. Këtë pëllëmbën që shkruaj, të dorës së djathtë.

Sa i fortë qënka njeriu. Unë paskam shtrënguar një gur në dorën e djathtë kur po vdiste Besmiri. Dhe nuk e paskam ndjerë se e kisha coptuar se ciflat e tij ishin futur në mish.

 

_____________

 

Duke ju uruar 7 Marsin, Diten e Mesuesit

 

PROFESORI  I  SHKELZENIT

 

-KUSHTUAR  MESUESIT VETERAN, SOKOL ZMAJLI (OSMAJ)… -

 

“…Kendoma kangen sa t’jam gjalle,

Se kur te vdes,mos t’qofsha fale…”

-popullore-

 

Shenim: Ky Cikel me vjersha eshte nxjerr nga libri “Duhama e Valbones”,

qe publicisti shqiptar-amerikan Zeqir Lushaj,e ka ne prag botimi.

 

 Nga Zeqir Lushaj

 

HYRJE PER CIKLIN

 

 

*   *   *

Per sakrificat e madha te mesuesve,

Modelin e Sokolit,

Po marr si shkas,

 

Me simpati shikoja,studentin at’here,

Qe dhimbja e ndoqi,

Gjithe jeten pas !

 

*   *   *

 

SI NE LEGJENDE !

 

-Parathanie e Pasthanie,per kete Cikel- 

 

…!

Sokol Zmajli i Berbatit !

Subjekt i nje filmi,

Mjaftojne imazhet,pa fjale,

 

Me gjeni ne tere Globin,

Nje rast ? Nje rast,ku mesuesi,

Shkon ne shkolle me kale !!

 

…!

 

 

1.MUND TE PYESNI

 

Cikel,(nje portret),me vjersha,

Lexuesite e nderuar le ta dijne,

Ndjesite e mia,ma te sinqerta,

Ndaj  emrit te mesuesit te mire.

 

Per sa do te lexoni ma poshte,

Qe peshen e duhur me e pas,

Po nuk u mjaftoi fjala ime,

Pyetni,kur te shkoni ne Gash .

 

…!

Permendeni mesues Sokolin,

Do e kuptoni,keni thane shume,

Do te ju kujtohen keto vjersha,

Qe sot, po i lexoni nga Une !

 

./.

 

2.MYSAFIRI-STUDENT

 

 

-“Varur”,ne kujtese femijerie…-

 

 

Mbramje e ashper e atij dimri,

Pak pas viteve ’60 e dicka,

Hapa deren e kulles,ne muzg,

Tre “burra bore”…,si ata !

 

Me fshise kafnjerri,ne koridor,

Te tre studentet,u pastruan pak,

U rikthej shpirtin,vatra e ngrohte,

Bisedat me baben,zjarri bubulak.

 

…!

Dy  dite rruge, Gurit te Kuq,

Per te familja, per Vitin e Ri,

Qafa e Malit ,ish e bllokuar,

Neser-vone,arrijne ne shtepi !

 

Nje nate, e paharruar dimri,

Mysafire,ne nje mot te zorshem,

Sokoli-flokebardhe,me 4 femij,

Vertete,asht student ne Shkoder?

 

Po,po ! Student,bile shume i mire,

Prej te epres,strehe te Shkelzenit,

Per te rinjte e sotem,ndoshta “cudi”,

Sfida  e  cdo kohe, pasjoni i Njerit .

 

…!

Per sakrificat e medha te mesuesve,

Modelin e Sokolit ,po e marr si shkas,

Me simpati shikoja, studentin at’here,

Qe dhimbja e ndoqi,gjithe jeten pas !

./…

 

3.DHANDERR KOKEULUR

 

“Ma mire nje mik,se nje ceflik”,

Keshtu thote,nje fjale e vjeter,

Jo rralle ndodhe, e kunderta,

Jeta,rezervoka,dicka tjeter !

 

Grueja-shpate,e mesuesit Sokol,

Azize Ahmetja,emin e ka pase,

Bije,e Biberajve “mbrapshtana”,    *

Dy gure-thone,si lanshin bashke!

 

E njoh mire ate grua,qysh femi,

Imazhi i saj ,kurr nuk me hupe,

E kujtoj ,me respekt ate emer,

Kunaten,e motres time-Ruke !

 

Koha kish ngarkesa negative,

Bija e Biberajve,”folke vet”,

Mes dy zjarresh,Sokol Zmajli,

Familja…,e puna ne Hyqymet !

 

…!

 

Njeri i forte,vertete nje burre,

Si dhander,ndihej  “kokeulur”,

Ama,kurre nuk e dha vehten,

Perpara kerkujt ,nuk u ba ure !

 

./.   *Biberajt-nje familje e mirenjohur e Tropojes.(Ish) te persekutuar politike.

 

 

4.BASHKE ME MONIZMIN

 

Nje jete…, i nderuar,i pafjale,

Ne Berbat,Babine e Kerrnaje,     *

I mbijetoi (drejte) Diktatures,

Nje fjale te keqe,pa e lane.

 

Pensionimi i pare…i Sokolit,

Binjak me monizmin,(si cudi),

Edhe pse  e kishte  moshen,

…Nuk i pati  shume hijeshi !!

 

…!

Shkolla mbeti pa mesues,

Ndergjegj-ja e thirri mesuesin !

Burrat,i kerkon vendi,

Ta cojne,ku duhet hudutin !         *

 

Po iu drejtove,burrit te mire,

Nuk duhet  (shume) politike,

U gjet nje zgjidhje “fshatce”:

-Sokolin e kemi,per kete dite.

 

…!

Per zotni-mesues- Sokolin,

Gjithcka tjeter ishte nje hic,

Oferta,e ka vec nje randesi,

Shkolla,hapur, huhej te ish !

./.

 

*Fshatrat,ku ka sherbyer me shume Sokol Zmajli.

*Hudutin=kufinin.

 

5. PROFESORI…ME KALI !

 

…!

Paraqitje burri,sadoqe plak,

Monument-skulpture e gjalle,

Ashtu si Shkelzeni-perballe !

 

Gatoi kalin,(at’ mundesi kish),

Me nje ditar nensqetull,

Drejte shkolles u nis.

 

…!

Sokol Zmajli ,i Berbatit !

Subjekt i nje filmi,

Mjaftojne imazhet-pa fjale,

 

Ma gjeni,ne tere Globin,

Nje rast ? Rast, ku mesuesi,

Shkon ne shkolle,me kale !!

 

…!

Disa vjet ,e kryeu ate detyre,

Ashtu sic dinte mesues Sokoli,

Prap e goditen…, prap nuk foli !

 

./.

6. DRYNI NE DERE !

 

- Ne plotesim te “standarteve” per integrim me  Europen-

 

Nje dite,krejt papritur,

Kur ra ne oborr te shkolles,

Trishtim i mesuesit veteran,

 

Ja duk vetja…,ne anderr,

(Anderr e keqe!),

Ne nje gjume te rande !

 

U zverdhe “profesori”,

Ju nda fryma,

Si rralle ne jete…,

Nuk ju besonte syve,

Shkruar tabela-shqip…(!!),

Shkronjat,qe i bekoi vet !

 

-Ndal ,

-Foli ,dryni ne dere!

Shterngoj frerin e kalit!

 

Lexonte me  rrenqethje …:

-Shkolla,prone private…,

-Ju  kthye  pronarit…!!

 

Me syte mjergulluar,

Mbeshteti koken ne oblluk:

-…Ktheu mbrapa!…-Hup !

 

…!

U shemb Shkelzeni,

Mesuesit,i ra mbi krye,

-Duhet me u kthye !!

 

Po kali ? S’kthehej kali!

Vertete, per tu cudite,

Donte pushimin,si perdite !

 

Perplaste kembet ne toke,

Sert, hingellinte:

-Kujdes ! –Je,ne prite !!

 

…!

Per hire te te vertetes,

(Pse nuk jam prokuror),

Ky eshte,realiteti i jetes!

 

Pushteti , (gjoja,i Tij ) ,

(Veteranit-pensionist),

Ish i persekutuar politik,

 

Guxoj t’ja mbylli shkollen,

Ne plotesim te “standarteve”,

Per  integrim me  Europen !!

 

 

./.

7.ARRATISJE…,NE DEMOKRACI (!)

 

 

Kjo bote…,sa befasuese,

Shpesh here,deri ne cudi.

E vetmja rruge e mbetur:

-Profesori …,ne arrati !

 

Nga Kulla e Zmajl Arifit,

Trimit te Gashit,fanolist,

(Makarenko i Shkelzenit),            *

Drejt Qafe-Morines,u nis…!

 

Tek Lisi i Berbatit,ndali kalin,

U kthye mbrapa,…po kqyre !

Syte ju mjergulluan kah ahishta,

C’fare ti thoshte? -Lamtumire !

 

…!

Me peshen e jetes,dikur,

Arratisja e miqve-problem !

Po sot,moj Azize Ahmetja:           *

-Eksodi i kohes,si po te vjen!?

 

…!

Keshtu,nuk i kishim fjalet,

E deshem jeten,pa arrati,

Kallxom,i dashur pushtetar:

-A jemi,a nuk jemi ne liri ?

 

./.

*Makarenko,profesori i famshem,qe ka vene bazat e pedagogjise

*Azize Ahmetja,bije e Biberajva,gruaja e mesues Sokolit,ka vdek ne  dhjetor,1986.

 

 

8.  …JETA E MESUESIT

 

-Lufte,kunder analfabetizmit,ne dy sisteme politiko-shoqrore-

 

 

…!

Kish mesuar,nga,

Histori e Pedagogjise,

(Edhe) profesorin e famshem:

-Makarenko !

 

Ndaj,

“Poema Pedagogjike”,

Shpesh,ne kujtese i vjen.

 

Tek punonte,

Kunder analfabetizmit,

(Ne dy sisteme politike-shoqrore!),

 

Nen hijen e ,

Malit te Shenjte,

(Shkelqen) = Shkelzen !

 

*  *  *

Poshte e lart,mire apo keq.

I nderuar,apo,(qofte larg),

Fund pusit !

 

Poeme pedagogjike,

Ishte dhe mbetet,

Vet-Jeta e mesuesit !

./.

 

9. LETER E HAPUR

-  Ministrit te Arsimit te Kosoves,zotit Rame Buja -

 

…!

Zotni Minister i Kosoves!

Qe’ ky burre-simbol-flori,

Jeton ,vitesh ne Kosove,

Qe’,kjo eshte adresa e tij !       1)

Do te me falesh, i nderuar!

Mesues Sokoli i Shkelzenit,

Asht miniere ari,e mbyllur,

Si kallukanxha,mes jezerit!

 

…!

Arsyetimet,jane te shumta,

Une,mund te gjeje nje dyzine,

…Aresimi… ,eshte autostrade,

Me forte se,Durres-Prishtine !

 

…!

Nuk jane edhe aq interesante,

Njoftimet,(vetem),per korrupsion,

Ta naltojme shembullin e rralle,(si),

Profesorin e Shkelzenit-Sokol !

 

 

*    *    *

Te lutem minister i ri i Kosoves,

Gjeje kohen,nderoje kete Njeri,

Ne shtetin-Ame,kemi halle tjera,

Bane ,(edhe) per Mue,kete burrni !

./.

1)Familja Osmaj,

Lagj-ja “Deshmoret e Kombit”, nr 10,

Baballoq – Decan,  KOSOVE

 

 

10.KA ME ARDHE DITA

-Propozoj qe,kurdo te rihapet ajo shkolle,te marre emrin e Tij…-

 

 

Une,nuk jam krejt profet,

Se si vjen jeta,nuk e di,

Berbati do kete nje shkolle,

Ndryshe,nuk ka mundesi.

 

C’ka bjen e nesermja,

Kerkush,nuk mund te flase.

Cohet,Ndrec Ndue Gjoka?

Edhe (kjo),mund te ngjase.

…!

Edhe (nese) “Komisari i Drites”,

Mund te kthehet ne Shkelzen,

Sa profesor Sokoli ,(i vendit),

Aty…,kerkush nuk vlen !!

 

Nje dite ,ajo shkolle do te hapet,

Kete e besoj ,me shume siguri,

I takon emri ,“Sokol Zmajli”,

I kerkoj falje pronarit,me tapi !

./.

 

 

11….”KUR TE VDES,

MOS T’QOFSHA FALE…!”

 

-Nje prof. i nderuar, i meriton  edhe keto vargje…-

 

…!

Nje kange e vjeter,ashikase,

Mes  te dashurve,i ka keto fjale:

“Kendoma kangen,sa t’jam gjalle,

Se kur te vdes,mos t’qofsha fale…”.

 

…!

E…,Sokol Zmajli,thelle ne pleqri,

Nuk e di, si ndjehet ne Kosove?

Fjalet e mia dalin nga shpirti,

Fjala e mire,kurre nuk asht vone !

 

….!

Per ymrin,nuk duhet me thane gja,

Jashte kompetencave-nuk shkon,

Ndoshta vdesim, para Sokolit,

Une,qe shkruaj,e,Ti qe po lexon!

 

./.

 

12.MOS MA (PARA)GJYKONI KETE CIKEL

 

Mos ma (para)gjykoni ,

Kete cikel me vjersha,

A  thue ,keq,

Apo ,mire, e shkrojta?

 

 

Mbani mend,Sokolin,

Profesorin ne kali,

Them se,kete shembull,

Nuk e ka  krejt Bota !!

 

./.

 

13.UNE,THEM SE…!

-Ndoshta,qetash ,aty,asht’ ka rinise jeta !-

 

Nga buza e Valbones,

Disa fshatra ne at’ shpat,

Deri,ne rreze-Shkelzen,

Me sy,te doket ngat !

 

Krejt,e epra,nder shtepija,

Mbi Berbat,ne mes ahishte,

Turistike…,edhe e “dyshimte”,

Ajo kulle,do te doket ndryshe !

 

Ate fllad-bjeshke,plot oksigjen,

Mesuesi,u detyrua ta braktise!

(…! Une,them se…: ! ),
Ne thember te malit - Shkelzen,

Rishtas,jeta,perseri do te nise!

 

./.

14. ME DY FJALE

-Poemth’,ne gjashte rrjeshta…-

 

*   *   *

Nje jete, me sakrifica,

Ne vend te vet,

I harruar !

 

Eshte “Mesues i Popullit”,

Packa,se,

I padekretuar !!

 

*  *  *

 

15….NESER !

 

…!,

Jo edhe shume larg,

Edhe ne Shkelzen,

Do shkoje asfalti,

Do hyje Interneti.

 

Them se,

Do ta arrijme diten,

Kur te kete edhe teleferik,

Ne at’ kamp pushimi- Acik !!

 

Do te kete biznese,

Ashtu si dhe ne fusha,

Bylmet bjeshke e  geshtenja,

Kosha me molla kuqulushka !                    *

 

…!

Per keto,e te tjera,

Mundesia dhe koha po vjen.

Punoi per to edhe Mesues-Sokoli,

Ne ahishten e shpesht,nen Shkelzen!

./.

*Kuqulushka=molle karakteristike e rretheve te Gashit,Tropoje.

./.

Nju Xhersi, USA, Mars 2011

E-maili: ZeqirLushaj@msn.com

 

_________

 

Përkujtojmë dëshmorët, me rastin e 12-vjetorit të rënies në altarin e lirisë
Besim Isë Vitia- Quqa (12.07.1969-20.04.1999)
Nga Fazli Maloku

Besimi u lind dhe u rrit në fshatin Marec të komunës së Prishtinës, njëri ndër fshatrat më të mëdha jo vetëm të Prishtinës. Fshati Marec ka një reliev kodrinoro-malor.Lartësitë e majave të maleve arrijnë mbi 1000m mbi nivelin e detit. Ipasur me kullosa, lisa të gjatë e të shpeshtë, me ujëra të bollshme dhe natyrë të shëndetshme. Vera e nxehtë përvluese dhe dimra të ashpër e më dëborë të cilët dinë të zgjatin edhe nga gjashtë muaj. Me pak tokë buke por me një popullatë gjithmonë shqiptare jo shumë të dendur e njohur për bujari, mikëpritje e mbi të gjitha atdhedashuri. Këtu shekuj me radhë me gjak e sakrifica u mbrojt me fanatizëm çdo cep i tokës shqiptare dhe historia na mëson se në këto male sa herë që e kërkoi nevoja në mbrojtje të tokës së Arbërit, nga pushtues të ndryshëm, jehoi si bilbili, krisma e pushkës së lirisë. Po cili ishte portreti i dëshmorit të kombit- Besim Vitia:
Besimi u lind nga prindërit: Isë e Nazife Vitia si edhe dy vëllezërit: Bashkimi (19760, Bekimi (1971) si dhe motrat: Flora (1973) dhe Lumnia (1981).
Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukse shembullor. Kreu edhe dy vite në Shkollën e Mesme Ekonomike në Prishtinë, por pasi që familja e tij jetonte në varfërinë e skajshme iu desh t'a ndërprej shkollimin e nëtutjeshëm. Me gjithë skamjen që kishin dhe fëmijët i rrisnin me një kore buke misernike, Xha Isa dhe bshkëshortja Nazife njiheshin si familje mjaftë bujare, miqësore dhe mbi të gjitha fëmijët i rrisnin në frymën e atdhedashurisë. Në familjen e Besimit ishte krijuar tashmë tradita e gadishmërisë për sakrificë sublime për mbrojtjen e Atdheut. Gjyshi i Besimit Abaz Vitia kishte qenë bashkëluftëtarë me Shyt Marecin, i njohur në këto anë për trimëri dhe atdhedashuri.
Babai i Besimit, xha Isa, për ta zbutur sadopak varfërinë, në vitin 1969, punësohet si punëtor krahu në ish ndërmarrjen Kombinati Ndertimor Industrial "Ramiz Sadiku" në Prishtinë. Xha Isa ishte punëtor i zellshëm i dashur për shokë dhe burrë i fjalës. Këto tipare të burrësisë i trashëgoi edhe Besimi. Aty kah fundi i viteve të shtatëdhjeta, xha Isa me familje braktis fshatin e lindjes e të krenarisë s'bashku me familje dhe vendoset në lagjën "Kodra e Trimave" në Prishtinë. Në këtë lagje lirisht mund të thuhet se Besimi e gjeti vetën në një mjedis ku mbretëronte skamja por rrezistenca kundër pushtuesit ishte mjaftë e avancuar. Besimi në lëkurën e tij të njomë i përjetonte kthetrat gjakpirëse të pushtuesit serbosllav. Besimi qysh si fëmijë u përplas me policinë e pushtetit okupues, në demonstratat e njohura të viteve të '80-ta. Mori pjesë aktive në të gjitha protestat dhe demonstrimet që organizoheshin në Prishtinë, bile gjithmonë në rolin e organizatorit të rinisë së lagjes. Ky aktivitet patriotik i Besimit nuk mund të mos hetohej dhe të ndiqej nga organet përkatëse policore serbiane. Pas disa përpjekjeva të dështuara për ta arrestuar Besimin, bile me një rast edhe e plandos për toke policin- Zoran..., në vitn 1992, arrestohet dhe dënohet me 60 ditë burg të cilat i mbajti në burgun e Prishtinës. Sa më shumë që e kërcënonin, e burgosnin Besimin liridashës, këtij i rritej mllefi dhe urrejtja ndaj pushtuesit. Në vitin 1995, xha Isa, nga organet e dhunshme serbiane, largohet përfundimisht nga puna 'sbashku me mijëra të tjerë punëtorë shqiptarë, kështu gjendja sociale e familjes keqësohet edhe më shumë. Në këto rrethana skamjeje e

mjerimi, Besimi detyrohet të punë sohet në firmën "Mabeteks", pronar Behgjet Pacolli, me seli në Rusinë e largët. Në këtë firmë punoi nga viti 1997 e gjerë në nëntor 1998. Shokët e Besimit dhe bashkëvendasit e tij: Rrahman Haxholli e Tefik Gërbeshi, tregojnë se: " Besimi, vetëm trupin e kishte në Rusi, mendjen dhe zemrën në Kosovë. Ai shpesh na thoshte: "Çfarë na duhen paratë, kur ne Kosovë kemi lënë vllezër e motra, nëna e baballarë në duar të shkaut. Atje po vritet populli, po dhunohet çdo gjë shqiptare. Edhe kjo ndihmë në para qe ne po e japim për luftën (Këta kishin dhënë nga 1000 marka për ta ndihmuar luftën), nuk është asgjë fare. Edhe gjumin si gjumë nuk e bëj. Toka nën këmbë po më dridhet. Duhet të kthehemi në Kosovë dhe ta rrokum pushkën!"
Kështu tha dhe kështu veproi. Viti 1998, në Kosovë ishte shëndërruar në fuqi baroti. Flaka e lirisë përfshinte çdo cep të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte zotuar se do ta çlirojë Kosovën dhe pjesët e tjera të Shqipërisë të pushtuar nga sllavët dhe do ta bëjmë Shqipërinë. Komandanti i Batalionit të I-rë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit (ZOLL), z. Behxhet Vitia,

ushtarë i të cilit ishte edhe Besimi, dëshmon:
" Besimi me tu kthyer nga Rusia e largët, pa u hamendur u kyq fillimisht në strukturat e Guerilës-"BIA",e cila vepronte brenda qytetit të Prishtinës dhe aty mori edhe nofkën e luftës "Quqa". Në këto struktura ushtarake Besimi do të kryej detyra me shumë rreziqe. Do të bëhet një shtyllë kryesore e saj dhe do ti fitojë me të parën zemrat e bashkëluftëtarëve dhe trupës komanduese të guerilës. Në muajt e '99-tës, Besimi vjen në fshatin e tij të lindjes-Marec dhe do të kyqet në batalionin tim. Besimi në fillim dom ta ndihmojë ushtrinë me furnizime (ushqime, veshmbathje e barna), por duke e parë shkathtësinë e tij, guximin dhe pjekurinë atë e kisha krahun e djathtë t'imin gjatë gjithë kohës së luftës. Meqenëse në batalionin tim mbretëronte mosha e re e ushtarë, 16-22vjeç, Besimit ia ngarkoja detyrat më specifike. Çdo detyrë që i jipja e merrte me shum seriozitet dhe kryente me një disiplin të lartë ushtarake. Çdo ushtarë i batalionit

tim edhe unë e ndjenim vetën shumë më të sigurtë kur e kishim pranë Besimin. Në ofenzivën e njohur të prillit 1999, e në veçanti 18,19 e 20 prilli ishin po thuaj

vendimtare për egzistencën e Brigadës 153, të cilën e drejtonte me profesionalizëm oficieri i karierës,  tiranasi-majori Adem Shehu, i cili ishte shpirti dhe zemra e brigadës. Armiku me shumë forca ushtarako-policore të armatosura deri në dhëmbë, kishte synim asgjësimin dhe shkatërrimin përfundimtar të kësaj brigade të re. Por edhe ne kishim synimin të mbijetonim dhe ta dëmtonim sa më shumë armiku. Tri ditë e net mësymje të armikut dhe zbrapsje nga forcat tona. Batalioni im i vendosur në lagjen "Halipaj" të Vitisë,kishte marrë për detyrë ta mbronte vijen ballore të zjarrit, për ta penguar me çdo çmim që forcat armike të mos depërtonin për në "Zllash" aty ku ishte selia e Shtabit të Brigadës 153. Në këto beteja ranë edhe dëshmorët e parë të lirisë nga Brigada 153, por edhe forcat armike lanë dhjetëra të vrarë dhe numër të madh nga arsenali luftarak një pjesë e të cilit tani është vendosur në Muzeun e Kosovës, si dëshmi lufte. Armiku na kishte futur në një rrethim të hekurt tre rrathësh. Municioni na ishte në të sosur. Gjendja dukej e pazgjidhur. Por ushtarët tanë luftonin si luaj. Ishim krejtësisht të izoluar dhe pa ndihma nga ZOLL-i. Pasdita e 20 prillit 1999 qe e kobshme për Besimin dhe Aliun, të cilët i përzgjodha nga më të mirët për shkak të situatës dhe ju dhash urdhër që të shkojnë në drejtim të lagjës së "BUllajve" të Marecit për të marrë mundësisht lidhjet me ndokend nga ushtarët apo eprorët e Zonës Operative të Karadakut, detyrë të cilën këta e kishin kryer edhe më parë. Fati e deshi që me të arritur në lagjën e "Bullajve" të bien në pritë të ushtarëve serbianë. Në thirrjen e shkieve që të dorëzohen, dëshira ishte që ti zënë të gjallë për të marrë informacione të duhura nga ta, Besimi Vitia- Quqa dhe Ali Vitia- Alushi, si dy zogj

Behxhet Vitia, kom. i Batalionit të I-rë të Brigadës 153, Zona Operative e Llapit-ZOLL
Behxhet Vitia, kom. i Batalionit të I-rë të Brigadës 153, Zona Operative e Llapit-ZOLL

shqiponje në drejtim të zërit të shkaut i dhanë zjarr automatikut du ke arritur të hedhin edhe nga disa bomba dore në drejtim të armikut, por rafalet e mitralozëve armiqë shtrin për toke dy ushtarë liridashës, dhe flijuan jetën e tyre për çlirimin e Kosovës dhe bërjen e Shqipërisë Natyrale. Humbja e Besimit dhe e Aliut nga të gjithë ne ishte tepër e rëndë dhe e pa riparueshme, por edhe gadishmëria për hakmarrje ishte e fuqishme."
 Autori i këtij shkrimi ishte në vizitë tek familja e Besimit me datën 2 mars dhe mora edhe këto shpjegime nga anëtarët e familjes së dëshmorit.

Nënë Zarifja,tani në moshën 69vjeçare, ka nëntë vite e paralizuar dhe dregjet në shtrat deklaron:  " Me kohë e mora vesh se Besimi ishte rreshtuar në Ushtrin Çlirimtare të Kosovës. Unë u mundova ta bindi që mos të largohet nga familja sepse ai ishte shtylla e shtëpisë. U mundova ta mashtroi edhe duke e martuar me një nuse- Makfire nga Krileva. Por Besimi e kishte vendosur dhe nuk përfilli asgjë. Fjalën e fundit ma tha:" Kam me shku në luftë dhe po të jap besën se nëse vritem nuk do të shkoj gjak humbës!" Lajmin për vrasjen e Besimit ma dha burri im Isa. Po koritëm por po ua them të vërtetën. Më ra si prej qielli dhe u përplasa për toke. Por s'shpejti e mora vetën disi. Isa u mbajt si burrat. Edhe nusja e Besimit me të cilën nuk pati fëmijë e përjetoi rëndë humbjen e burrit. Por tha:" Ndjehem krenare që pata fatin të jem nuse e Aliut".
Vëllai i Besimit- Bashkimi, edhe ky bashkëluftëtar i të vëllait, me nusen e tij-Hasime nga fshati Bubavec i Malishevës ishin nikoqir të pritjes s'onë. Në familjen e dëshmorit njeriu edhe pse hynë me emocione gjenë dashuri, sinqeritet, bujari dhe mbi të gjitha krenaria. Aty merr forcë edhe i ligu. Bashkimi tregon:
"Aliu gjithmonë shokët i porosiste për mua sepse isha më i ri. Asnjëherë nuk i shkonte mendja se do ta kapte plumbi. Kishte tepër besim në vete dhe na frymëzonte edhe ne. Dy orë para se të vritej ndejta me te në odën e Ilaz Vitisë, babai i dëshmorit-Sefedinit. Me vete kishte kallashnikovin, një "Beretë" dhe disa bomba dore. U nisen në detyrë s'bashku me Aliun dhe nuk u kthyen më. Ditën e tretë e mora vesh që ishte vra nga Shemsi Haxholli dhe Ismail Haxholli. Jam krenar që pata një vëlla të tillë."Bashkimi ka tre fëmijë: Delvina-2004, Isa-2006 dhe Betimi-2008. Ndërsa emrin e Besimit e trashigon djali i të vëllait-Bekimit.
Për figurën e Besimit flet edhe shoku i tij i ngushtë i djalërisë, z. Nazif Jashari, tani drejtor i shkollës fillore "Zenel Hajdini" në Prishtinë:

Besimi me gruan Nazifen e bijen e madhe me familje
Besimi me gruan Nazifen e bijen e madhe me familje

" Besimi ishte njëri prej shokëve të cilët qysh në rinin e hershme e preokuponte pushtimi i tokave shqiptare nga Jugosllavia. Ai ishte i përkushtuar për të ndërmarrë masa të ndryshme ndaj pushtuesit serbian si: protesta, demonstrata, bojkote e deri te lufta e armatosur e UÇK-së. Në vitet e '90-ta kur u formua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)ishte ndër të parët që u angazhua në Forumin Rinor, dega "Kodra e Trimave". Ky çdo herë ishte në ball të aktiviteteve të ndryshme të cilat organizoheshin në atë kohë. Ishte i pari që mori pjesë nga të rinjët e lagjës në ushtrimet për përvetësimin e pjesës teorike të mjeshtrisë ushtarake, të cilat në mënyrë ilegale i organizonin veprimtarët e dalluar të çeshtjes kombëtare: Sejdi e Shemsi Veseli dhe kapiteni i karierës-Bilall Syla. Besimi këto ushtrime i ndoqi me zell e dashuri. Besimi kishte karakter të fortë dhe guxim të pashoq. Besimi ishte i dashur për shokët dhe djalë i besës. Kishte vizion të qartë kombëtar, Çlirimin e Kosovës nga Serbia."
Edhe sot e mot, gjaku i dëshmorëve do të jetë ushqyes, frymëzues dhe vizion për brezat që do të vijnë, që në çdo rrethanë dhe kurdoherë që kërcënohet çdo cep i tokës së Shqipërisë Etnike apo siq po quhet tani Shqipëri Natyrale, të jenë të gatshëm për sakrificë sublime, ti dalin zot vatanit.
Lavdi dëshmorit: Besim Isë Vitia!
Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit!
Rroftë Shqipëria Etnike!

____________

Përkujtojmë dëshmorin në dymbëdhjetëvjetorin e rënies në altarin e lirisë

Ali Vesel Vitia-"Alushi" (07.03.1960-20.04.1999)

Nga Fazli Maloku

Aliu u lind dhe u rrit në fshatin Marec të Prishtinës. Si edhe bashkëfshatarët e tij ishte fëmijë i shëndetshëm faqekuq i zhvilluar drejt dhe i bukur. Këte dhunti natyrore ia kishte dhuruar natyra e pastër dhe plot hijeshi, me lëndina të gjelbëruara e përplot lule, uji i freskët si biluri nga krojet e ftohta të verës, buka misernike e qumshti i deleve e dhive të kuqe.

Aliu dallohej për shkathtësi e dashuri për shokët. Nga familja trashëgoi miqësinë, bujarinë e mbi të gjitha atdhedashurinë. Babai i Alit-Vesel Vitia, s'bashku me vëllezërit: Namani, Mehmeti e Ahmeti ishin bashkëluftëtarë të prijësit të kaçakëve të këtyre anëve, sypatremburit Shyt Mareci, si dhe në mbrojtjen e kufirit nën komandën e Idriz Gjilanit. Bile nga këto luftime, Namani doli me plagë të rënda. Ndërsa Mehmeti ishte i dënuar me dy vite burg të rëndë dhe burgun e mbante në burgun e Ferizajit, ku pas gjashtë muaj arriti të ikte nga burgu s'bashku me bashkëfshatarin e tij Zeqir Vitinë. Besimi u rrit në aromën e patriotizmit edhe nga ana e dajallarëve. Shaban Sijarina, i vëllai i nënës së Aliut po ashtu ishte luftëtar me nam në njësitin e Shyt Marecit si dhe në Brigadën e Mulla Idriz Gjilanit, i cili vritet në pusin e zënë nga serbët tek "Varrezat e e Shehitëve"pranë Kalasë së Novobërrdës. Shaban Sijarina i njohur për shpejtësi në përdorimin e armës edhe me këtë rast arriti ti vras tre serbianë. Rinia e Malësisë së Gallapit e patën fatin të thithin nektarin e lirisë si dhe të brumosen me ide liridashëse e patriotizëm edhe përmes mësuesve të popullit, atdhetarëve të shquar siq ishin: Shaban Shala i Letancit të Besianës-tani dëshmor, Kadri Osmani i Makreshit të Novobërrdës, i dënuar me 25 vite burg nga këto 17 vite të mbajtura kuptohet për çeshtje kombëtare, Fatmir Sopi nga Mramori e shumë të tjerë.
    Prindërit e Aliut, Veseli e Hava, linden dhe rriten hiq më pak se katër djem:Hamdiu, Kadriu, Aliu dhe Shefkiu e gjashtë vajza: Remzie, Rifadie, Arife, Xhemile,Elfete dhe Rifadie. Toka e bukës ishte e pakët dhe familja kryesisht mirrej me blegtori.
Aliu, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, në Viti të Marecit. Ishte nxënës i mirë, tejet i sjellshëm, fjalë pak dhe mbi të gjitha i disiplinuar. SHkollën e Mesme dhe dy vitet e para të Akademisë Pedagogjike i kreu në Prishtinë. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por edhe të sëmurjes së babait detyrohet ta ndërpres shkollimin e mëtutjeshëm. Aliu me bashkëshortën_ Maliqe Rexhepi, nga Verbica e Zhegovcit, linden dhe rriten katër vajza: Vlora-1993, Antigona-1994, Ardita-1996, Blerta-1997 si dhe Çlirimtarja-1999, kjo e fundit lindi pas vrasjes së babait.

Baskëshortët Aliut e Maliqja
Baskëshortët Aliut e Maliqja
Shtrirja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në Malësinë e Gallapit, Aliun e gjeti të gatshëm për ta rrokur armën e lirisë. Komandanti i Batalionit të I-rë të Brigadës 153, Zona Operative e Llapit, tani në sherbimin policor të Kosovës z. Behxhet Vitia, për ish ushtarin e tij, tani dëshmor i kombit shprehet:

"Ali Vesel Vitia me nofkën e luftës "Alushi",më 24 nëntor të vitit 1998, vullnetarisht iu bashkangjit Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga kjo ditë me përkushtim të madh rroku armën e lirisë me dorë dhe nga ajo nuk u nda derisa ra në altarin e lirisë. Detyrat i kryente me përkushtimin më të madh. Ishte ndër më të disiplinuarit në gjithë batalionin tim. Aliu ishte aty ku e kërkonte nevoja, në beteja të cilat i organizonte Zona Operative e Karadakut ( në formim e sipër-F.M), në betejat të cilat i organizonte Batalioni ynë apo edhe në përforcime të shpeshta në vijat e tjera të frontit. Aliu po thuaj ishte kuadër i përgatitur mirë për operacione luftarake qofshin ato edhe të ndërlikuara. Mund të them se Aliun e kisha dorën e djathtë.
Ai e ndihmoi ushtrinë edhe me bukë, me veshmbathje, bile në janar të vitit 1999, kur të gjitha rrugët u bllokuan nga dëbora dhe furnizimi i Brigadës 153 ishte furnizuar dukshëm, për ta përmirësuar ushqimin e varfër të ushtrisë vuri në dispozicion të ushtrisë edhe bagëtinë e familjes me të cilën sigurohej buka dhe ulej kafshata e gojës. Në ditët e ofensivës së madhe të 18,19 e 20 prillit 99, ku bëhej luftë për jetë a vdekje, duke e parë edhe gjendjen e mjerueshme të familjes së Aliut dhe të mijëra familjeve të futura në malet e Marecit e sidomos tek "Përroi i Zi", e ndava nga luftëtarët tjerë Aliun dhe i sugjerove që të bëhet kurban i familjes së vet dhe i familjeve të tjera dhe për momentin të shkëputet nga ushtria dhe të vihet në dispozicion të familjes, bile vetm derisa të futen në qytetin e Prishtinës, ai prerazi deklaroi: " Familja ime do ta pësojë fatin e familjeve të tjera, dhe nuk i tradhëtoi shokët në këtë situatë të jashtëzakonshme. Kam dhëmbje për familjen time si dhe për të tjerët. Megjithate për mua liria është mbi të gjitha."
Autori i këtij shkrimi i shoqëruar edhe nga ish komandanti i Aliut, z. Behxhet Vitia,në mrëmjen e ditës 15 mars 2011 vizituam familjen e dëshmorit dhe pas një pritje të ngrohtë dhe tepër miqësore në rrjedha të bisedave shenova:
Nënë Hava deklaron:" Me kohë e mora vesh se Aliu është rreshtuar në ushtrinë çlirimtare. U mundova me ia mbush mendjen se kishte shumë fëmijë të gjithë të vegjël si dhe nusen shtatëzënë, dhe të jetë afër familjes por nuk më dëgjoi. Pak ditë para se të vritej e pashë për herë të fundit. Erdhi tek ne por foli vetëm me të vëllain_ Kadriun, të cilit i kishte thënë "Amanet gruan dhe vajzat"! Pas një muaj që ishte vrarë unë e mora vesh. Vinin njerëz pa da por unë nuk kuptoja gjë. Një ditë Isa, babai i Besimit më tha: Besimi i jem dhe Aliu i yt janë të vrarë!" Më erdhi keq prej vajzave dhe u mbajta. Unë ia bëra hallall gjirin dhe jam krenare që pata djalë të tillë! Nusja e Aliut-Maliqja u mbajt si një burrëneshë e vërtetë. Kjo më dha forcë edhe mua."
Sebahatja-bashkëshortja e Aliut, e cila me përkushtim te një gruaje dëshmori po i rritë dhe shkollon vajzat e veta si dhe po kujdeset për nënën e Aliut, e sëmurë e të thyer në moshë.

" Me Aliun u martuam në Prishtinë, por gjatë luftës qëndruam në fshatin e tij të lindjes, në Marec. Kishte respekt për mua dhe fëmijët i donte shumë. Që nga fillimi i luftës pasi që i shtina ne be, për krye të motrave, ai ma bëri me dije se kishte vendosur të rreshtohej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Jam betuar më tha dhe me shokët ushtarë do ta luftojmë edhe shkaun e fundit. Pushkën e fshihte në pleme dhe asnjëherë tek ne nuk vinte me uniformë ushtarake. Vinte natën dhe mirrte bukë pa u hetuar prej familjes. Pas një muaji e kuptova se ishte vrarë. Paraditën që u vra erdhi tek familja. Me që ujin e kishim shumë larg, shkoi na solli ujë dhe ua lajti fytyrën vajzave. I puthi me radhë dhe mua

 

më tha:" Amanet vajzat!" Edhe një herë dikund rreth tre javë para se të vritej më pyeti:" Nëse unë vritem, a do t'i ruash fëmijët?" Unë i thash: Do të bëhëm kurban i fëmijëve. Kur u vra ne veq kishim arritur në Prishtinë. Ditën e tretë që nuk erdhi në familje, unë e dita që vetëm mund të jetë i vrarë! Kjo u vërtetua pas dy javësh. Jam krenare për vajzat që mi la si dhe që jam grua e dëshmorit të lirisë!"
Motra Sebahate, e cila rastësisht qëlloi në shtëpinë e familjes së Aliut deklaroi:
" E para e kam diktuar se Aliu e kishte vendosur të dilte ushtar i UÇK-së. Dilte vonë në mbrëmje me shokë dhe kthehej kah mëngjesi. E shtina në be për krye të motrave a je ushtar? Më tregoi se e kishte vendosur ta luftojë pushtuesin serbian. Edhe unë e kisha dëshirën ta rrokja armën dhe të luftoja. Që nga fëminija dija ti përdorja armët. Por nuk e mora lejen nga familja e burrit! Pas luftës vinin shumë njeërz për të na ngushlluar. Sot ndjehem krenare për vëllain tim dëshmor! Lavdi  i qoftë vëlla Aliut! E ndëroi familjen dhe kombin shqiptar."

Edhe Çlirimtarja e vogël, e cila lindi pas vrasjes së babait. Ajo thot:
" Ndjehem krenare që pata një baba të tillë si dhe jam bijë e dëshmorit. Ndjej ndiej dhëmbje që nuk pata fatin e motrave të mia e ta shihja babain vetëm një herë, që ta përkujtoja.Ajo na e recitoi edhe një vjershë kushtuar babait dhe dëshmorëve të lirisë.
Buzëqeshja
A ka më të bukura se rrezja e hënës?
Buzqeshjet e nënës.
Për kënd lulëzojnë lulet e majit?
Për dëshirën e babit e të mamit.
Përse e përqafoj motrën,
kur filloj të qaj?
Më qetëson dashuria e saj.
Kush më bën të lumtur,
e më mbush fuqi?
Gjyshja ime e dashur,
me histori.
Por edhe mbesa e vogël e Aliut-Mirjeta Gashi, e cila ishte musafire tek dajët, na recitoi një vjershë për dajë Aliun:
Kur vija në Marec,
isha e vogël shumë.
Edhe pse s'te njoha, dajë Ali,
unë të dua shumë!
 
Lavdi të qoftë dajë-Ali,
për veprat e t'ua!
Për vajzat që i le- 
e të ngjajnë shumë.
 
Janë të vyera e të ndëruara,
ty dajë-Ali, të qoftë lavdi!
S'të harron kurrë Kosova-
me Shqipëri!
Edhe vëllai i madh i Aliut- Hamdiu, i cili kishte katër djemë ushtarë të lirisë në të njejtin njësit ku ishte edhe Aliu: Duraku-69, Asllani-76, Bujari-8o dhe Fatoni-82, deklaron:
" Tërë familja e gjerë ishim të përkushtuar të japim hisen tonë të kontributit duke ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E kishim pritur këtë moment me gëzim si lindjen e diellit.
Aliu ishte shumë trim dhe i vendosur. Jam i ndëruar që pata një vëlla si Aliu."
Komandant Behxheti vazhdon: " S'bashku me Besimin ju dhash detyrë të mundohen me çdo kusht të vejnë kontakte me ushtarë apo eprorë të Zonës së Karadakut, për ta ditur si e kemi gjendjen në rrethinë. Të gjitha radiolidhjet që posedonim kishin dalë prej funksioni për arsyena të ndryshme. Ishim të shkëputur prej botës. Aliu si zakonisht me përkushtim e mori detyrën. Pas instruksioneve që ua dhash s'bashku me Besimin vazhduan për në destinacion. Fati e deshi që posa arriten në lagjen e "Bullajve" hasen në pritë të shkaut dhe luftuan si burrat duke paguar vetën disaherë. Paraprakisht ata kishin shpetuar pa ra në prita të ushtrisë serbiane një grup ushtarësh të Z. së Karadakut dhe falë gjeturisë dhe shkathtësisë se Aliut dhe Besimit ata sot jetojnë. Por, atë që e bën për shokët nuk arritën ta bëjnë edhe për vete. Në vendin e rënies së tyre kemi gjetur gjurmë gjaku të ushtarëve serbianë, shumë gëzhoja fishekësh dhe siguresa të bombave të dorës që posedonin Aliu dhe Besimi. Kjo dëshmon se ata edhe në ato rrethana bënë një luftë fytafyt me serbianë dhe ranë siq ju ka hije vetë trimave. Humbja e tyre ishte tepër e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shokët luftëtarë. Mbsa rëndi them se e përjetova unë sepse humba dy bashkëluftëtarët më të spikatur, më me përvojë lufte dhe me pjekurinë maksimale të tyre jepnin motivacion dhe rrisnin moralin luftarak edhe tek të tjerët. Vrasja e shokëve në luftë përjetohet rëndë. Por ky ishte raraçi që u desh ta paguajmë. Ideja e luftës së UÇK-së dhe betimi i ushtarëve të saj ishte çlirimi i tokave të pushtuara nga sllavët e jugut dhe bashkimi me Nënën Shqipëri.
Kam nderin që pata ushtarë të rangut të Aliut dhe Besimit. Lavdi!"
Sa herë që viziton njeriu familjet e dëshmorëve fiton besimin në vetvete, largon dëshprimin e kohës, merr forcë dhe kurajo për beteja të tjera që i sjell koha. Dëshmorët e kombit janë themelet e shtetit e të shoqërisë, themeli i ardhmërisë së kombit. Mallkuar qoftë dhe ju thaftë vatra e ju shoftë fara atij që shkelë mbi gjakun e dëshmorëve!
Por nënat e dëshmorëve kanë edhe një kërkesë për bashkëluftëtarët e djemve të tyre: " Mos i harroni nënat. Kur ju na vizitoni, na duket se po na ngjallen edhe djemt tanë!"
Në fund falëndëroj familjet e dëshmorëve për pritjen e ngrohtë si dhe për të gjitha që na i ofruan si dhe kom. Behxhetin i cili jo vetëm më shoqëroi, por edhe më ofroi matrial të çmuar për ta ndërtuar këtë shkrim.
Lavdi dëshmorit: Ali Vesel Vitia!
Lavdi dëshmorëve të kombit të të gjitha brezave!
Rroftë Shqipëria Etnike! 

___________

JAHJA FUSHA HEROI I MADH I KOMBIT

/27.12.1919-27.12. 1944/ 

 

Nga Gani Mehmeti

gani_mehmeti2@hotmail.com

 

Jahja Fusha u lind  më 27 dhjetor 1919 në Podujevë në një familje të madhe, të pasur, bujare e humaniste. Nderi, arsimi dhe atdhedashuria ishin themele të kësaj familjeje arsimdashëse e  heroike, historikisht të dëshmuar atdhetarë të Llapit, e cila u sakrifikua shumë herë për lirinë e popullit shqiptar. Babai i Tij Sahidi solli ABETAREN e parë shqipe në Llap, ai më vonë ishte Kryetari i parë i Komunës së Podujevës. Nëna e Tij Shehidja ishte një grua burrërore, intelegjente e përparimtare e kohës. Kjo familje ishte diçka e veçantë në Llap, ishte shembull për të gjithë dhe për të gjitha.

Jahja Fusha u shkollua në Shkup. Atje kreu Shkollën Normale që për kohën ishte shumë e fortë, për të vazhduar me studim në drejtësi e filozofi e në zotërim të gjuhëve të huaja .Gjatë kësaj kohe zhvilloi aktivitet të madh brenda e jashtë në të mirë të kauzës kombëtare, duke bashëkvepruar me patriotë e intelektualë si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Luan Gashi, Bedri Pejani....Gjatë Luftës së Dytë Botërore u zgjodh Nënprefekt i Rrethit të Llapit. Edhepse udhëheqës më i lartë politik e ekzekutiv vetë organizoi, udhëhoqi e komandoi me forcat luftarake në mbrojtje të brezit kufitar mes Krahinës së Llapit dhe Serbisë nga çetnikët e partizanët barbarë serbë, që nga Kepi i Krypës në Reçicë e deri në Orllan, duke e mbrojtur popullsinë llapjane nga masakrat e spastrimi etnik.

 Jahja Fusha ishte delegati më i ri zyrtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit të mbajtur në Shtator të vitit 1943, ku u përpoqën të mbroheshin tokat etnike shqiptare në Ballkan e të mos copëtohen, ashtu siç u copëtuan pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke ua bashkangjitur këto toka shteteve si Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë e Greqisë, duke u aneksuar përgjakshëm nga ish Jugosllavia edhe vetë Kosova.

Jahja Fusha, në një fjalim të fuqishëm historik, mahniti delegatët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit që në fillim të mbledhjes, të cilët e ndërprenë shumë herë gjatë fjalimit me duartrokitje, brohoritje e ovacione frenetike miratimi. Kërkesa e Tij drejtuar Kuvendit ishte që të ndërmerren të gjitha masat, që sipas vullnetit të konfirmuar të popullit etnik shqiptar të gjitha  Tokat shqiptare të okupuara nga ish Jugosllavia t`i bashkohen Mëmës Shqipëri.

             “Unë jam delegat i Llapit, të atij vendi që, ndonëse vuejti shekuj nën zgjedhën e Perandorisë Otomane, ndonëse hoq nji mijë e nji të zeza nën shkelmin e klikës ushtarake imperjaliste të Belgradit, nuk flet, as nuk din të flasë, prej njij skaje në tjetrën të gjanësisë së vet, tjetër gjuhë veç gjuhës s’onë amtare; Shqipes së pavdekshme; jam delegat i Llapit, i atij vendi qind për qind shqiptarë, që padrejtësinat e Fuqivet imperjaliste t’Evropës kishin dënue, si shumë vende të tjera thjesht shqiptare, me nji padrejtësi të randë”.

(Pjesë nga Procesverbali zyrtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit nga Fjalimi i Delegatit Jahja FUSHA)

 Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, duke ditur për tradhtinë e përgjakshme që komunistët sllavoserbë po ua gatuanin patriotëve, popullit e tokave shqiptare, Xhafer Deva e luti dhe e priti disa javë rresht t`i bashkohet grupit të njohur të patriotëve e udhëheqësve politikoushtarak shqiptarë që të largohet nga vendi e të strehohet në Amerikë, për të vazhduar aktivitetin kombëtar. Martiri Jahja Fusha e refuzoi këtë kategorikisht duke i thënë : “Unë nuk mund ta thej Besën që ia  kam dhanë Popullit se do të jemi bashkë në të mirë apo të keqe, unë do të qëndroj me Popullin tim. Nuk kam ba asnjë të keqe, kam luftue për Liri. Lufta për Liri ashtë e drejtë themelore natyrore e njeriut e Popullit... Nëqoftëse bishat çetnikokomuniste e fajsojnë dike le të më fajsojnë mue, nëqoftëse e dojnë jetën time, nuk më dhimbet do ta jap dinjitetshëm por nuk do ta jap Popullin tim e as një nga bashkluftëtarët e mi... “

Nuk u largua as bashkëshortja e Tij Lucia Gio Fusha, me kombësi gjermane por me zemër e ideale shqiptare, duke thënë : “Ti e ke lidhë fatin Tënd me Popullin Shqiptar, unë e kam lidhë fatin tim me Ty. Do të jam pranë Teje e Popullit tonë përgjithmonë...”

Bashkëshortja e Jahja Fushës, Lucia, u likuidua egërsisht edhepse ishte shtatëzënë.

 Kapitullimi i Gjermanisë e vërtetoi drojën e patriotëve shqiptarë. Sllavokomunistët e shërbëtorët e tyre të mjerë shqipfolës ushtarakisht aneksuan Tokat shqiptare e likuiduan bijat e bijt më të mirë të kombit.

 Jahja Fusha u likuidua pa gjyq sipas të dhënave të besueshme në ditëlindjen e Tij më 27 dhjetor 1944 diku në Taukbahçe në Prishtinë. Xhelatët sllavokomunistë e zagarët e tyre shqipfolës e kishin torturuar barbarisht një kohë të gjatë. Torturave çnjerëzore e mizorive shtazarake të pakufi iu kishte qëndruar heroikisht pa kërkuar mëshirë, pa kërkuar falje, pa e zbuluar asnjë atdhetar, duke i marrë të gjitha veprimtaritë politikoushtarake atdhetare mbi vete.(dëshmuan të burgosurit e asaj kohe: Halil Visoka, Muharrem Hoxha, Adem Beselica e shumë të tjerë)

 Jahja Fusha me trimëri mbinjerëzore e mbajti Fjalën e Besën e dhënë.(Që ishte edhe Amaneti i Babait të Tij : ("Biri im qëndroi besnik Popullit e Atdheut edhe në momentet më të vështira...”)

Kjo është njëra nga madhështitë e Tij, madhështia e Tij qëndron në çdo veprim të Tij.

 Ai ishte intelektuali më i fortë në Llap e jo vetëm në Llap, ishte Kombëtari më i madh, më i drejti nga të gjithë dhe trimi më i paepur, edhepse e dinte përfundimin, nuk u largua nga populli e nga vendi, për të mos pësuar askush për veprimtarinë e Tij heroike kombëtare e anti sllavokomuniste.

 Veprimtaria e Jahja Fushës ka vulë historike në çerdhet e shëndosha atdhetare në tokat shqiptare e botërore. "Djalosh me bukuri magjepëse, qëndrim mbretëror, filozof e diplomat, politikan dhe ushtarak, poet e sportist, muziktar e orator, mbi të gjitha njeri botëror e shqiptar hero faqebardhë..." Janë këto fjalë të bashkëveprimtarëve të tij anembanë botës.

 As sot e kësaj dite nuk dihet vendi ku pushojnë eshtrat e Tij (që është brengë e Familjes Fusha e duhet të jetë edhe e Kombit Shqiptar e Institucioneve shtetërore të Kosovës), ndërsa eshtrat e Babait të Tij pa përmendore (!) “pushojnë” në oborrin e godinave shkollore, njëra nga të cilat është edhe shkolla jonë. Ky kompleks shkollor është i ndërtuar në pronën e Familjes Fusha nga e cila u konfiskua prej sllavokomunistve me arsyetim se Familja Fusha është armike numër një i Shtetit Jugosllav. Në këtë pronë ishte dikur shtëpia e madhe e Familjes Fusha në të cilën u lind Heroi i madh i Kombit Shqiptar JAHJA FUSHA.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: