Revolucioni i 25 janarit; Ndryshimet kushtetuese dhe e ardhmja e politike e Egjiptit
| E Premte, 08.04.2011, 07:41 PM |

Qytetarët e Suezit, organizuan një simpozium për nder të fitores së arritur më 25 janar 2011, nga revolucioni popullor i Egjiptit. Në këtë simpozium ata përkujtuan me nderim dëshmorët e Suezit dhe të mbarë vendit.

Intelektualë dhe mysafirë të tjerë, nga Kairo, ishin gjithashtu të ftuar në këtë tribunë, të mbajtur në një prej qyteteve flamurtare të revolucionit. Ligjëruesit, ishin akademikë të shquar egjiptianë dhe të huaj. Prej tyre përmendim: Prof. Dr. Muhamed Ebu Lejla, Dekan i Studimeve Islame në gjuhën angleze -Universiti Al-Azhar; Prof. Dr. Beqir Ismaili nga Kosova; Prof. Dr. Xhemal Sejdibi, Zv. Dekan dhe Drejtor i Fakultetit të Edukimit në Universitetin Kanal Suezit; Konsulent Muhamed Fuad Xhadellah, Zv. President i Këshilli i Shtetit.

Aktiviteti u përcoll nga shumë media të shkruara dhe Tv dhe u drejtua nga Prof. Adil Abdil-Kadir, një prej gazetarëve më të njohur të Radios dhe Tv në Egjipt.

Në emër të banorëve të Suezit, të pranishmit i përshendeti ish-deputeti dhe Zv i Suezit në Parlamentin e egjiptit Muhamed Hasen Seud.

Më pas fjalën e mori Konsulent Muhamed Fuad Xhadellah, Zv. President i Këshillit të Shtetit, i cili foli për ndryshimet në kushtetutë, duke theksuar se ky revolucion popullor tronditi  mbarë botën. Të gjithë së bashku-tha ai- intelektualë dhe qytetarë, luftuan për një të ardhme më të mirë, për më shumë liri të fjalës dhe të veprimit”.

Në nder të popullit të Kosovës fjala e rastit ju dha Prof. Dr. Beqir Ismailit, i cili pasi përshendeti të pranishmit, rininë egjiptiane dhe revolucionin e 25 Janarit, i falenderoi organizatorët për ftesën dhe nderin që ju bë Kosovës dhe atij personalisht, për të marë pjesë në këtë tribunë e për të ndarë së bashku gëzimin e fitores. Ndër të tjera ai tha: -“ Qytetarët e Kosovës, hynë në luftë duke besuar se vdekja për liri dhe pavarësi është më e rëndësishme se jeta në skllavëri dhe kolonializëm. Bijtë e saj luftuan nën parullën: Kosova është e jona, ne nuk luftojmë për interesa partiake apo ideologjike, qëllimi ynë është liria dhe pavarësia. Ata që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre për Kosovën nuk janë të vdekur, por janë pishtarë të lirisë, ata janë heronj e për këtë arsye nuk i vajtojmë, por u kemi thurur vargje lavdie e këngë. Heronjtë e Kosovës janë gjithnjë të gjallë mes nesh, ata jetojnë në shpirtin e lirisë.

Ëndërra dhe qëllimi i tyre, u përmbush më 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i lirë e Sovran. Në ato ditë aq të vështira për Kosovën dhe popullin e saj, populli vëlla egjiptian ishte përkrah trimave të lirisë. Kërkojmë që kjo mbështetje morale, shpirtërore dhe ekonomike që nuk i mungoi Kosovës nga Egjipti në ato ditë aq të vështira, të kurorëzohet sot me mbështetjen politike ndaj Kosovës, duke njohur pavarësinë e saj, e duke u bërë kështu Egjipti, vendi i 76 që njeh Kosovën si shtet të pavaruar”.

“Duke qëndruar në Sheshin e Lirisë në Tahrir-vazhdoi më pas Prof. Ismaili- në sytë e revolucionarëve, pashë dritën e lirisë. Jehona që ngrihej nga ky shesh, përcillte erën e lirisë. Ndërsa qëndroj sot këtu, mes jush, sjell ndërmend fjalët e komandantit të Suezit, këtij komandanti të Revolucionit, simbol i lirisë së Egjiptit, heroit të betejës së famëshme të Tetorit 1973, udhëheqësit të madh Sh. T. Hafidh Selame, i cili duke folur para popullit egjiptian tha: -“Dy rrugë ka; ose të jetojmë të lirë, ose të kthehemi në skllavërinë e shkuar. Ne nuk e dorëzojmë kurrë për së gjalli vendin tonë. Do të vdesim të gjithë për të, po qe nevoja”.

Duke sjellë të gjitha këto në mendje, nuk mund të mos bëj një paralelizëm ndërmjet martirëve të Kosovës dhe dëshmorëve të revolucionit egjiptian. Nuk mund të rri pa përmendur Adem Demaçin, simbolin i lirisë së Kosovës, njeriut që kërkonte lirinë e një kombi, pa cënuar lirinë e askujt tjetër.

Po kështu kujtoj legjendarin Adem Jashari, Simbolin dhe Komandantin e Luftës Çlirimtare, i cili i bashkoi të gjithë shqiptarët.

Përulje dhe respekt dëshmorëve të lirisë, në Kosovë, Egjipt e kudo ku luftohet për liri e pavarësi”.

Aktivitetin e përshëndeti një grup të rinjsh, të cilët recituan poezi dhe kënduan këngë të ndryshme kushtuar revolucionit. Në fund të pranishmit bënë pyetje të ndryshme, shumica e të cilave ishin për Kosovën, gjë që tregoi dhe një herë interesin e madh popullor, lidhur me çështjen e Kosovës.

 


Alba Press - Kairo

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: