Pëllumb Gorica: Një udhëtim në trevat amtare
| E Enjte, 24.03.2011, 08:59 PM |

Ali Ahmeti i dorezon cmimin Doruntina Adem Demacit
Ali Ahmeti i dorezon cmimin Doruntina Adem Demacit

 

NJË  RRUGËTIM    TREVAT  AMTARE

 

Nga PËLLUMB  GORICA

 

Nisemi nga Tirana dhe udhëtojmë drejt Maqedonisë për të marrë pjesë një aktivitet historiko - kulturor. Udhëtimi merr një vlerë të veçantë kur vjen në një ngjarje të tillë, por edhe në një vend me një numër të konsiderueshëm popullsie shqiptare. Udhëtimin ynë e kishte objektivin e vet në njërin nga qytetet e njohura të Maqedonisë, Kumanovë. Dhe duke udhëtuar përgjatë rrugëve automobilistike syri shijon ngeshëm me kureshtje peizazhe të ndryshëm, konturet e maleve që shquhen tej në horizont, lugina, qytete, të natyrës, monumente historike dhe kulturore.

 

Në prehrin e Kumanovës

 

Kumanova shtrihet në pjesën veriore të Maqedonisë, afër kufirit me Serbinë dhe Kosovën. Zanafilla e qytetit është e hershme. Këtu, si banorë të parë njihen Ilirët, në provincën Dardane. Duke u mjaftuar me kaq me të kaluarën e largët të këtij vendbanimi le të përmendim edhe disa të dhëna të tjera shkurt.

Qyteti shtrihet në një hapësirë të gjerë, me parqe, dyqane, rrugë të gjëra, buste dhe ndërtime të vjetra e të reja. Rreth e rrotull, një varg fshatrash. Xhamia e ndërtimet e vjetra i japin një rëndësi të veçantë vendbanimeve me popullsi shqiptare dhe janë dëshmi e kulturës gjatë shekujve. Arsimi shqip, gjatë viteve të fundit, këtu ka përjetuar një zhvillim të kënaqshëm. Aktualisht, përveç shkollave të mesme, është hapur edhe fakulteti i Administrim Biznesit, degë e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Nga shoqëruesi ynë, Fatoni, mësojmë se fakultetit të Kumanovës këtë vit do t’i shtohen edhe dy degë të tjera.

Edhe një qëndrim i shkurtër disa orë është mundësi e mirë për ta vizatuar këtë qytet të njohur me një aureolë boreale. Mali i zhveshur, që vendasit e quajnë Karadaku, në diellin e pastër të marsit shfaqet me një shkëlqim të kristaltë. Përshtypjet e pamjeve madhështore mbresëlënëse dhe të ashpra të tij janë edhe në epikën krijuese të poetëve të kësaj treve. Po kështu edhe në legjendat, këngët, rrëfimet, emërtimet e organizmave, shoqërive prodhuese etj. Kumanova jeton jetën e vet të vrullshme, dinamike. Mjaftohemi me shëtitjen në qendrën e qytetit dhe pjesën ku banojnë shqiptarët. Takohemi me poetët e qytetit: Burhanedinin, kryetarin e Klubit Letrar “Jehona e Karadakut”, Sevdailin, Blerimin, etj. Ata na ofrojnë një pritja tepër bujare, që vetëm shqiptarët e saj dinë ta bëjnë. Aty ndjehesh i mikluar dhe i respektuar. Në një atmosferë të tillë miqësore e vëllazërore biseda, aty, rrjedh natyrshëm. Në vazhdim, bashkëbiseduesi ynë, Sevdailiu, gazetar e poet, shpreh dëshirën që të na shoqërojë në mjedise të ndryshme të qytetit.

 

Takimet poetike të Karadakut

 

Pasditja na gjeti të mbledhur në fshatin Çekreze, ku do të zhvillohen “Takimet poetike të Karadakut”.

Kam dëshirë të ndalem e ta përshkruaj këtë festë, ku pata kënaqësinë të jem i ftuar. Mjedis i mbushur plot, si kurrë ndonjëherë dhe i tejngopur me entuziazëm. Takime të tilla ngjallin interes të veçantë. Ato janë edhe një mjet i fuqishëm shpirtëror, përvojë krijuese, konkurrim, burim dijesh, revokim historie e, çka është më e rëndësishme, ngjarje më rëndësi për komunitetin e krijuesve. Ato janë dhe një arsye më shumë për të shkruar për ndjesitë që përjeton, për thjeshtësinë, sinqeritetin e ngrohtësinë ne të cilat shfaqet ndenja e gëzimit kur mendon se je mes vëllezërve të një gjaku, e sidomos të penës. Atmosferën e ndjeshme festive, poeti Agim Bajrami dëshiron ta përkufizojë me një ditë të jetuar intensivisht, sintezë arti, kulture, historie, poezie, vlerë miqësie e njohje.

Takimet poetike të Karadakut” organizuar nga Klubi Letrar “Jehona e Karadakut  zhvillohen për 18 vjet rresht. Në krye të herës duhet të themi se ky aktivitet i përvitshëm që organizohet tashmë është kthyer në një traditë, me pjesëmarrjen e poetëve nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë. 20 vjet më parë poetët e shkrimtarët e këtij qyteti, nën drejtimin e Fadil Bekteshit u mblodhën dhe krijuan klubin e tyre Letrar “Jehona e Karadakut”, që përkon me 11 marsin e demonstratave  studentore në Kosovë.

 

Përkujtim të ngjarjeve

 

Për t’i dhënë manifestimit “Takimet poetike të Karadakut” edhe mesazhe vlerash patriotike, organizatorët u përkushtuan një hapsirë të gjerë ngjarjeve të 11 marsit 1981, por dhe atyre të mëvonshme, mos mbylljes së shkollave shqipe në 1988, në 2001 konfliktit të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.  11 Marsi është edhe krijimi i formacionit luftarak të UÇK në Kumanovë. Të bën përshtypje prezantimi. Nazmi Beqiri, krijues dhe ish pjesëmarrës i UÇK, duke u marrë me detyrat e të zotit të shtëpisë, me përkujdesjen e zakonshme që të ndjejnë kënaqësinë e tyre të ftuarit i jep udhë zhvillimit të aktivitetit gjithëpërfshirës.

- Thellësisht të rrënjosura në zemrat e tyre, ngjarje të tilla do të përkujtohen gjithmonë, - e nisi fjalën e tij Nazmi Beqiri.

Madhështia e këtyre ngjarjeve të vështira, të denja për t’u revokuar me kujtime, priten me plot emocion dhe interes nga pjesëmarrësit. Rrëfimet, padyshim janë reflekse të ngjarjeve të ndodhura dhe të pamohueshme të historisë. Jehona të atyre viteve të rënda, që në rrjedhën e kohës patën rëndësinë e tyre. Dëgjon histori, episode nga më të ndryshmet për ato vite ngjarjesh, kontributesh e vlerash. Gjithë krenari, këto rrëfime tërheqëse me frymë epike e patriotike, tregohen aq bukur sa të duket sikur i ke përjetuar vetë. Radhitja e emrave që sakrifikuan është e madhe: Shaban Pollluzha, Adem Jashari, Ahmet Haxhiu etj. Dhe këtu ishin jo vetëm ata që i përjetuan këto ngjarje, por edhe që dhanë kontributin e tyre apo vuajtën në burgjet e Jugosllavisë.

- Kjo ka qenë atmosfera e kësaj periudhe e rëndë dhe ndërgjegjësuese për shqiptarët në Jugosllavinë e madhe, - shprehet në hyrje të fjalës së tij, Ahmet Thaçi, një nga protagonistët e ngjarjeve të përmendura në trevën e Kumanovës, por edhe i burgosuri i Goli Otikut. Me rrëfimin, edhe pse kanë rrjedhur shume vite që atëherë, ai sjell emocione, që në këtë kërrusje të viteve nuk e kanë ndalur të jetë objektiv.

Adem Demaçi, një figurë e nderuar e patriotizmit kosovar, këtyre ngjarjeve do t’u kushtonte minuta të tëra. Në fjalët e tij ndihej krenaria jonë shqiptare. Si një njohës i tyre dhe i krejt çështjeve të identitetit tonë kombëtar, ai shfaqi diapazonin e tij për virtytet e shenjta të shqiptarit, të trashëguara brez pas brezi, për të mos iu nënshtruar dhunës dhe presionit serbomadh. Pikërisht për këto vështirësi, që Kosova e trevat amtare kalojnë, duke iu dashur edhe t’i mposht e kapërcejë me luftë, solli kujtime, revokoi ngjarje, argumente të një sistemi që ishte shndërruar në një burg të qytetarëve të vet. Fjalët e tij rridhnin si ujët e pastër të burimit edhe pse ndërpritej herë pas nga duartrokitjet e ngrohta e të fuqishme të pranishmëve. Humori i tij i lehtë dhe batutat ndaj politikanëve shqiptarë të kohës në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, që me spontanitetin e jashtëzakonshëm shpërthenin çiltër, u pritën me të qeshura e duartrokitje.

Lidhur me këto ngjarje studiuesi Faslli Veliu, kryetar i shoqatës së Veteranëve të Luftës, me dokumentet e larminë e të dhënave, për kujtim të datave historike, paraqiti detaje nga koha dhe sistemi.

Humanistja Flora Brovina fjalën e saj e nisi me vitin e largët 1981 dhe me poezinë e shkruar  në atë vit, të cilën ja kushtoi të rënëve të kombit. Një foto e tillë dëshmon këtë çast emocional, kur fytyra e saj engjëllore, që ashtu siç shkruan poezi shpërndan humanizëm, me fjalët e veprat e saj.

Veterani i arsimit Shuaip Saliu, Drejtori i Institutit të Trashëgimisë kulturore Nazmi Halili, mësuesja Halide Palloqi,  kryeredaktori i Gazetës “Fakti” Emin Azemi etj, përmendën ngjarjet në këndvështrimin e tyre, duke u dhënë atmosferë interesante, që s’ka se si të përshkruhet më bukur.

Burhanedin Xhemaili, kryetar i Klubit Letrar “Jehona e Karadakut” të Kumanovës, ftoi Ali Ahmetin t’i dhuronte Çmimin “Doruntina” Adem Demaçit. Një çast që gjithsesi e emocionoi Adem Demaçin, por edhe i entuziazmoi të pranishmit. Ndjen kënaqësi edhe për këtë fakt, që nderimi ndaj figurave të tilla reflekton vlera të pamohueshme shpirtërore, për të gjithë ata që kanë punuar e punojnë për kombin, për prosperitetin demokratik.

 

Ora letrare

 

Poetët, të njohur, por edhe të rinj nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Bosnje Hercegovina dhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë në orën letrare sjellin artin e shpirtit të tyre me një lum emocionesh mbresëlënëse. Nuk mund të mos fshehësh gëzimin e brendshëm kur dëgjon poezi të shkruara bukur me frymëzime nga shpirti i pasur njerëzor. Krijime që bien në sy edhe për individualite poetësh. Diku, poezitë shprehin një lirizëm e, diku, mendimet rrjedhin me një shpërthim të natyrshëm të dimensioneve të dhimbjes, kuptimin për jetën, të harmonizuara e të përshkruara edhe nga ndjenja të thella patriotike. Diku, poezi të gjata e, diku, të shkurtra e konçize. Emri i Klubit Letrar “Jehona e Karadakut”, malit që e kanë përkundruall, i ka inspiruar shumë poetë jo vetëm nga Kumanova, por edhe nga Kosova e Lugina e Preshevës t’i kushtojnë vargje.

Brenda këtij manifestimi, organizatorët kishin konceptuar edhe promovimin e librit “Hullime artistike” të studiuesit Bilall Maliqi dhe revistës “Qëndresa” të Klubit  Letrar “Feniks” nga Lugina e Preshevës.

Mbresat e përshtypjet e veçanta nga kjo festë e bukur i merr edhe nga fituesit e çmimeve. Në kujtesë të mbetet çasti i bukur, kur poetesha Flora Brovina, fituese e çmimit të I, e shprehu humanizmin e saj njerëzor, të cilin dëshiroj ta bëj të njohur për të gjithë, që shpërblimin me vlerë monetare të këtij çmimi ia dhuroi familjes së Arif Ibrahimit, që u vra në Likovë. Emocionet e çmimit II, poeti Kujtim Morina i përcjellë gjatë. Komplimenteve dashamirëse për Çmimin e III nuk u shpëton as poetesha nga Kosova, Lumnie Thaçi, e cila ndjehej tepër e emocionuar.

Ndjehesh i obliguar për të fiksuar në kujtesë foto e momente të veçanta që lenë mbresa. Poetët, thellësisht të përfshirë në atmosferën festive, përfshihen në bisedat e shtruara e miqësore, por edhe plot humor, për ngjarje e krijime. Takojmë e bisedojmë me mjaft prej tyre me një gëzim të pafrenuar, mes miqve të penës, por edhe të tjerëve, që kanë një kulturë të gjerë letrare si: Flora Brovinën, Agim Bajramin, Bajazit Cahanin, Ekrem Ajrulin, Lumnie Thaçin, Arsim Halilin, Kalosh Çelikun, Demush Berishën, Bilall Maliqin, Buranedin Xhemailin, Seita Buganoviçin, Kujtim Morinën, Mexhit Ahmetin, Nazmi Beqirin, Sevdali Demirin, Xhem Karadakun, Man Pogën. Këmbimet e mendimeve për poezinë, librave, artin në përgjithësi e plot humor i bëjnë këto takime interesante, të gëzueshme e të paharruara. Kështu vazhdoi deri vonë kjo festë e bukur poetike.

Shkupi na shpalos  historinë  e  tij

 

Jemi në Shkup, në këtë qytet të bukur e me histori të lashtë. Koha e ngrohtë, qielli kristal. Sapo shkel, përshtypjen e parë, ta damkosin ndërtimet e veçanta dhe të bukura, gjallëria e qytetit me zhurmat, lëvizjet dhe trafikun e tij. Ecim nëpër rrugët e mbushura me njerëz. Rrugët kryesore të Shkupit skajohen në

Pankarta e Takimeve poetike te Karadakut
Pankarta e Takimeve poetike te Karadakut
degëzime të shumta që  të çojnë në periferi  të tij. Për Shkupin është shkruar shumë, veçse në këtë udhëtimin tonë do të përshkruajmë qendrën historike, pasi e ke të vështirë të shëtisësh brenda ditës të gjithë qytetin.

Si  një adhurues i vendeve historike, në shoqërinë e miqve tanë, vëllezërve studentë nga Kumanova, Armend e Hajdin Ukaj, shëtitja të duket edhe më e lehtë. Një prej vendeve të veçanta që vizituam ishte edhe Çarshia e qytetit. Përveçse një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar edhe një vend tregtie me shumë dyqane e suvenire. Çarshia tek - tuk ruan ndërtimet e kohëve të vjetra të kombinuara me bashkëkohoren. Të mahnit arkitektura, pastërtia, kalldrëmet e bukura e të lëmuara. Kalojmë nëpër rrugicat me kalldrëm të shtruara me gurë të mëdhenj. Në brendësi të Çarshisë mund të shihen ndërtime madhështore të xhamive dhe teqeve të shumta, që janë të rrethuara me banesa të ndërtuara  me një stil të bukur. Gjëja e parë sapo vë këmbën është një xhami e re e ndërtuar mbi themelet e një xhamie të vjetër. E përveçse një xhami ajo është edhe një monument kulture me vlera. Pak metra me tutje një tjetër xhami e madhe dhe e bukur, me një kulm të përbërë nga një kube e madhe dhe disa më të vogla.

Ecim dhe vështrimin tonë e përqafojnë skulptura, godina hijerëndë mbresëlënëse me vlera të spikatura historike, kulturore, të cilat të tërheqin vëmendjen e të futin në një botë të vjetër, atë të përfytyrimeve, të  atmosferës së lashtësisë. E natyrshme të jesh kureshtar, t’i prekësh këto thesare e sigurisht të ndjesh kënaqësi. Duke shkelur nëpër këto thesare të kulturës e duke shuar kuriozitetin pamjet bëhen më interesante, kur kalon në një nga sheshet e Shkupit, ku është vendosur busti i Heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Ndalojmë për ta kundruar gjatë. Ndjen një kënaqësi të thellë në këtë mjedis të krijuar edhe për çlodhje dhe që merr të tjera vlera. Ta ka ënda të rrish aty një copë herë të mirë e të vështrosh monumentin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, teksa përballë të shpalosen pamjet e kalasë së lashtë me mure të lartë e të qëndrueshëm, që tregon për madhështi dhe histori. Pamjet e mureve të kalasë së lashtë, që shfaqen në sytë e çdo vizitori si një ndërtesë madhështore, kjo edhe prej asaj që ngrihet në një lartësi dominuese. Ajo, si një dëshmi reale e historisë së këtyre territoreve, për të cilën ke lexuar literaturë e dëgjuar nga tregimet, tani para syve, evokon vlera. Aty po ndërtohet një kishë, për të cilën shqiptarët me të drejtë protestojnë. Shteti maqedonas po përpiqet të shtojë dhe zbukurojë qytetin me skulptura dekorative, të krijojë mite, histori të paqena, duke privatizuar kulturat dhe historitë e popujve të tjerë.

Ndër të tjera që të kap syri i vëmendshëm janë edhe statujat prej bronzi të luanëve të Aleksandrit të Madh, në të dy anët e lumit Vardar, që nën shkëlqimin verbues të dritës së diellit të marsit marrin madhështi. Po aq e bukur e tërheqëse edhe Ura e Gurit, një monument i veçantë me vlera arkitektonike. Një urë e gjatë në lumin e rrëmbyer të Vardarit, që përshkon mes përmes  Shkupin.

 

Një kafe në Tetovë

 

Fshatra të popullsisë shqiptare duken e zhduken në anë të rrugës, rrëzë kodrave e fushës së Pollogut, që edhe pse kalojnë me shpejtësi të mrekullojnë me ndërtimet, shtrirjen. Soditja të krijon një ndjesi të veçantë.

- Shih sa mal i bukur që është, – na thotë shoferi, një vendas, kur i afrohemi Tetovës. Çdokush përhumbet me ato çka kjo hapësirë me një reliev mahnitës të shfaqet para syve dhe të ndodh si rrallë herë të miklohesh nga pamje të tilla edhe pse një mjegull e brishtë dhe e praruar notonte mbi malet. Tetovën e rrethojnë malet majëbardhë Sharri, Kodra e Diellit, Mali i Thatë, që janë mbresëlënëse e padyshim me një bukuri të ashpër që të rrëmbejnë vështrimin.

Fshatra të tjerë shquhen nga larg në shtrirjen e  malit të Sharrit mbushur me dëborë. I tërhequr nga mahnitja e maja maleve mbuluar me borë, si një tjetër mrekulli e trojeve amtare e ndjejmë se kemi arritur në Tetovë. Patëm kohë të bëjmë edhe një vizitë të shkurtër në këtë qytet të njohur e erëmirë. Ai është i madh, me rrugë të gjëra, i banuar thuajse me shumicë shqiptarësh. Në këtë udhëtimin do të takojmë historianin dhe publicistin Arben Llalla, një zë i fortë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Në mjediset e një lokali rrethuar me gjelbërim, të këndshëm e çlodhës, kaluam orë të gëzuara me bashkëshoqëruesin tonë, poetin Agim Bajrami dhe Arbenin. Të zhytur në ndjenja të natyrshme të kënaqësisë që je mes njerëzve të tillë me pasione, erudicion dhe vlera e harron kohën.

 

*      *       *

 

Përvijimet e  malit të  Sharrit u çrrodhën atje larg, ndërsa ne kalojmë nëpër një tjetër masiv mali, të Shtrasit në Gostivar, mbuluar nga bora e duke lënë pas të tjera qytete e fshaktra shqiptare si Kërçovën e rrethuar nga kodrat magjepse, Strugën buzë liqenit ne morëm rrugën e kthimit. Diku, matanë reve të hirta të maleve të Çervenakës, dielli po perëndonte, ndërsa ne kalojmë traun e Doganës së Qafë Thanës.

Humanistja Flora Brovina
Humanistja Flora Brovina

Busti i Heroit tone kombetar ne Shkup
Busti i Heroit tone kombetar ne Shkup

Fakulteti i Administrim-Biznesit ne Kumanove

 



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: