Ilia S. Karanxha: Luka Ulqinaku, Bernardino de Vitali dhe ballina e Historisë të Skënderbeut
| E Diel, 20.03.2011, 09:00 PM |

DY SHQIPTARË NË FILLIMET E EDITORISË VENEZIANE

 

6 -  Luka Ulqinaku,  Bernardino de Vitali dhe ballina e Historisë të Skënderbeut.

(Vështrimi editorial-ikonografik)

   

Nga Ilia S. Karanxha

 

E parë nga një këndvështrim i jashtëm e tërësor Historia e Skënderbeut na paraqitet edhe si një realizim tipografik e artistik që në llojin e vet zë një vend të nderuar ndër botimet e kohës dhe, si e tillë, është paraqitur edhe në ekspozita ndërkombëtare (Catalogue de l’exposition du livre italien, Mai-Juin 1926, Imprimirie Moderne des Beaux-Arts. 1926 p. 124, n. 773). Në Shqipëri në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut një pullë e emisionit filatelik kushtuar kësaj ngjarje paraqet ballinën e veprës së Barletit; ndërsa Biblioteka Kombëtare në Tiranës në një riprodhim fotografik të zmadhuar (200x186cm) e ka shndërruar këtë ballinë prej shumë vitesh jo vetëm si një element dekorativ të ambienteve të saj, por në mënyrë simbolike na rikujton kështu gurin themeltar në fillimet e historiografisë shqiptare.

 

   Vlerësimi, pra, nuk ka munguar mirëpo  përpjekjet për një interpretim shkencor  në Shqipëri duken tepër të varfëra  nganjëherë të sipërfaqshme  mbasi janë parë e interpretuar jashtë ambientit të artit të Rilindjes Italiane ku vepra u shkrua dhe u botua.

 

I pari element që të bie në sy sapo merr në dorë librin është ksilografia e stampuar në formë katërkëndëshi në frontespizio   brënda të cilës krahas titullit   janë edhe dy vjersha në latinisht. Aspekti më interesan këtu është se  autorët e tyre Petro Regulus Vicentini dhe Domenik Alzanjano rezultojnë dy persona të paindentifikueshëm. Po ashtu siç mund të quhej në atë moment  i panjohur editori që firmoste vetëm me gërmat e para B.V. apo autori që gjendej  në brëndësi të saj dhe prezantohej me emrin Marin Barleti prift shkodran.  Pra kemi të bëjmë me një vepër të maskuar ku prezantuesit e saj, editori dhe autori fshehin identitetin e tyre. Ka fakt gjithashtu nuk është marë kurrë në konsideratë nga historiografija shqiptare apo e huaj.

 

   Me qënëse  në këtë studime na intereson vetëm  data e botimit të veprës përqëndrohemi  tek katërkëndëshi i ksilografuar.  Ajo përbëhet nga katër pjesë të pavarura njëra nga tjetra dhe nga pikpamja e përmbajtjes trajtojnë ngjarje të lidhura me legjendat dhe historinë maqedone por më shumë me atë romake të trajtuara  kryesisht  në historitë  e  Tit Livi-t  apo Plutarkut  në Jetë paralele. Të katër blloqet që formojnë ksilografinë katërkëndëshe  kanë përmasën 171x257mm, ndërsa faqja komplet e ballinës është 205x301 mm.

 

Blloku i sipërm i ksilografisë (114x36 mm),  i referohet heroit romak, Horacio Koklide gjatë dyluftimit të tij kundër

etruskëve për mbrojtjen e urës Subliçio. Emrin e tij e gjejmë të gdhendur poshtë kalorësit luftëtar e, sipas legjendës, qëndresa heroike e tij duhej t’u jepte kohën e duhur romakëve për shkatërrimin e urës me qëllim që të pengohej kalimi etrusk. Prapa këtij kalorësi shikohen dy persona në aktin e shkatërrimit të kësaj ure. Për nder të këtij heroi të shquar të antikitetit ishte ngritur në Romë edhe një statujë, që ishte akoma e dukshme në kohën e Plinit Plak, i cili e referon gjithashtu ngjarjen në veprat e tij. Tema e aktit heroik nga Horacio Koklide gjeti një jehonë të gjerë në artin rilindës dhe

artistë të ndryshëm dhanë variantet e tyre në veprat që realizuan. Barleti gjithashtu nuk del jashtë frymës të Rilindjes Italiane dhe për të, Skënderbeu, që iu kundërvu hordhive osmane të cilat vërshuan në Ballkan, nuk është as më pak e as më shumë se një Koklide kundër etruskëve, apo një Leonidha që në Termopile mbajti ushtritë persiane të Kserksit. Prandaj ai shkruan në veprën Historia e Skënderbeut: Kështu guximi i shkëlqyer i Horac Koklidit ndër romakët

mundi të përmbante tërë ushtrinë e Prosenës, për sa kohë që ura prapa mbetej e shkatërruar. Edhe te

grekët laqedemonasi Leonida nuk ngurroi të gozhdonte me pak luftëtarë pranë Termopileve fuqitë e

panumërta të Kserksit (“Historia..., T. 1982, f. 337).

 

Blloku i poshtëm (114x45 mm),  përmban dy episode të ndara njëra nga tjetra nga pozicioni mbrojtës i një Kimera (Sfinksi) ku stilizimi i saj të kujton edhe një ndikim të përtej oqeanit. Djathtas kemi Mucio Shevola-n, i cili me guxim të jashtëzakonshëm vetëdënohet duke vënë dorën mbi zjarr për faktin që kishte vrarë një

(skriba) sekretarin, në vend të Porsenës, mbretin etrusk, që mbante të rrethuar Romën e desh të vendoste aty pushtetin e Tarkuinjëve(etruskëve). Ndërsa majtas, Kolatina e Xhiunio Bruto betohen para trupit të Lukrecias se do t’i dëbojnë etruskët nga Roma.  Ideja që transmetohet nga këto dy episode është ajo e qëndrueshmërisë dhe mosfrikësimit as para rrezikut më të madh. Episodi legjendar i Mucio Shevolës pati gjithashtu një jehonë të madhe në artin rilindës brenda dhe jashtë Italisë.

 

Katërkëndëshi plotësohet nga dy grafika anësore me shtjellim të ngjarjeve në pozicion vertikal. Ato dallohen nga dy blloqet e tjera për motivet floreale që veçojnë episodet e ndryshme të futura brenda strukturash arkitektonike.

Fashoja e djathtë (28x257 mm) trajton episodet më tipike të jetës të Remo-s e Romolo-s pra origjinën e tyre nga albanët tek të cilët autori ynë shikonte albanët e përtej Adriatikut.  Legjenda e treguar nga Platuraku ka zanafillën me jetën e mbretit alban  Numitori i cili u dëbua nga pushteti prej  vëllajt të  tij Amulio. Ky i fundit i rëmbeu vajzën  e vetme Rea Silvën dhe për të penguar kundërshtimet e të vëllajt Amulio deshte ta bënte Rea-n  damën e pallatit mbretëror për rujtjen e zjarrit. Në  këtë funksion, që konsiderohej i shënjtë, zgjidheshin vajza virgjëresha mirëpo Rea kishte mbetur shtatzanë me Marsin (Perëndinë  e Luftës).  Ajo lindi dy binjakët Remo e Romolo të cilët   Amulio urdhëroi t'i venë në një kanistër dhe t'i hedhin në lumin Tevere.

 

 Kështu në pjesën e poshtme kemi me radhë Amulio në dialog me Rea Silvën.  Më sipër legjenda e famëshme e ujkonjës që ushqen dy binjakët. Vazhdohet me vrasjen e Amulios  nga Remo e Romolo  dhe pjesa më e sipërme mbyllet me fluturimin ugurmirë të hutave  nga numuri i të cilave do të përcaktohej vendi për  ngritjen e qytetit të Romës.  Episodi i fundit në në artin rilindës italian shoqërohet shpesh me rrëmbimin e grave (quhet: Ratto delle Sabine= Rëmbimi i Sabinave) të albanve që në variantin e Historisë të Skënderbeut mungon.

 

Barleti nuk heziton as në lidhje me këtë ikonografi të vendosë një paralele me Skënderbeun. Përpara se Heroi shqiptar të niset për t’u ndeshur me ushtritë e Ballabanit, ai na referon:“Me këtë mënyrë Skënderbeu duke dalë kundër turqve barbarë, së pari, iu lut Zotit të madh e të vërtetë. Dhe padyshim ai prijës kishte njëfarë natyre si ajo e Numës dhe e Romulit që s’linte pas dore asnjë ndihmë as hyjnore, as njerëzore.... (Historia..T. 1982, f.  607)

 

Në fashion e majtë (20x257 mm) dy episodet e sipërme i referohen legjendave e ngjarjeve  të lidhura me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë  dhe  Pirron e Epirit.  Ndërsa dy të fundit  kanë të bëjnë përsëri me historitë e Romës antike. E para paraqet Vestale Tuçia e cila  demonstron pafajësinë e saj duke mbledhur me një shoshë ujin e Tevere-s e më poshtë kemi Lukrecian që përdhunohet nga Tarquino.  Mes këtyre episodeve  qëndron  një shqiponjë dykrenore e cila simbolizon lidhjen mes botës antike maqedone-epirotike dhe asaj romake simbol i cili përjetoi në vazhdën shekullore në perandorinë Bizantine dhe prej nga mbahej me krenari nga  mjaft princa shqiptarë (Shih testamentin e Muzakës) e po ashtu edhe nga Gjergj Kastrioti  Skënderbe.

 

Siç shihet zgjedhje e aspekteve ikonografike që do të ilustronin librin  ka një lidhje të ngushtë me mentalitetin e autorit por edhe me përmbajen e veprës ku Skënderbeu konceptohej si një hero që ringjallte kohrat e Aleksandrit të Madh të Piros të Epirit apo të mbretërve e strategëve të  famshëm romakë të cilët kishin pasur një zanafillë tek albanët.  Në këtë pikë nuk qëndron vlerësimi i bërë nga studiuesi italian F. Barberi që e quan ballinën në Historia e Skëndërbeut  se një zgjedhje e rastësishme e kondicionuar nga pazari me çmim të lirë. ( F. Barberi, Il Frontespizio..., 1969, f. 133.)

 

Mirëpo, jo të gjitha pjesët e kësaj ksilografie mund t’i konsiderojmë origjinale mbasi episodet e paraqitura aty të treguara nga Tit Livi do të gjejnë më parë vend në veprat e tij ose në formë pak të ndryshuar në veprat e autorëve të tjerë të antikitetit e në veçanti Vite paralele të Plutarkut.  Sipas zakonit të kohës riqarkullimi i këtyre ksilografive nga nje editor tek tjetri ishte një fenom mjaft i përhapur në editorinë veneciane dhe atë italiane ku Bernardini De Vitali kuptohet nuk bënte ndonjë përjashtim.  Kështu  të botuara për herë të parë nga Vitali  janë  vetëm dy ksilografitë(dy fashot) anësore të ballinës të cilat i shpjeguam më lart.  Ndërsa blloku i sipërm dhe i poshtëm vijnë nga një vepër e Tit Livit e botuar më 3 Maj 1520 në Venedik (Livius, Titus, “T. Liuius Patauinus historicus duobus libris auctus: cum L. Flori Epitome.... (Venetiis:... per Melchiorem Sessam & Petrum de Rauanis socios, 1520 die III Maii).”, (70), 295, [1] c.: ill., 4º. )

 

Në studimin e mëparshëm  që i kemi bërë këtij argumenti ( Karanxha I. S.: Barleti apo Beçikemi?...Tiranë Kumipres 2010, f. 107) nxorëm në pah afrimitetin e bashkëpunimin e Bernardino De Vitalit me editorët e veprës të mësipërm Melchior Sessa dhe Pietro Ravani me që kjo është e dokumentuar për shkëmbim ksilografish edhe në vitet që do të vazhdonin. Kuptohet që zgjedhja e tyre nuk mund të bëhej pa këshillat e autorit pra Marin Beçikemit (Barletit).   Tani  konstatojmë që vepra madhore e Tit Livit  mbi historitë e Romës ku ndodhen dy ksilografitë që kanë kaluar në veprën tonë ka qënë botuar nën kujdesin e një tjetër shqiptari, një tjetër humanist i shquar i panjohur nga filologjija shqiptare me emrin Luka Ulqinaku (ndryshe: Lucas Panetius; Lucas Olchinensis; Lucas Pannetius )  i njohur si filolog, editor dhe jurist në gjysmën e parë të shek. XVI.

 

Më 1519 Luka kishte publikuar një vepër mbi Virgjilin të cilën ja dedikonte pikërisht Marin Beçikemit (Allen P.S...Opus Epistolarum Des.Erasmi Roterodami...Tom. VI (1525-1527) Oxford University Press 1926 (1992) f. 141, nota 83. ) Ja pra bashkëpunimi për zgjedhjen e ksilografie vërtetohet si mes editorve po ashu edhe mes autorve të veprave.

 

Në Historia e Skëndërbeut është e dukshme stili i interpretimit grafik në fashot anësore  që ndryshojnë mjaft  po të  krahasohen  me  format e thjeshta ndarëse në kuadrate pa asnjë zbukurim mes tyre tek vepra e  Tit Livit. Kështu  ksilografitë  anësore tek Historia e Skëndërbeut  janë realizauar në një moment të dytë pra pas 3 majit të vitit 1520 kur Luka Ulqinaku botoi veprën e vet.

 

Një paralelizëm gati i plotë nga  pikpamja editoriale dhe ikonografike  vërehet mes veprës të  Luka Ulqinakut mbi Tit Livin (Padova 59 p. K. - 17 m. K.) dhe veprës të Marin Beçikemit(Barletit) në  Historia e Skëndërbeut. Në të parën  portreti i Tit Livit vendoset si frontespicio ndërsa në brëndësi si një frontespicio e dytë korniza katërkëndëshe e ksilografuar me episode të pasura nga historia e Romës.  Tek  Historia e Skëndërbeut kemi një këmbim të subjekteve. Në frontespicio  vendoset  korniza  katërkëndëshe e  ksilografuar ndërsa në brëndësi portreti i Skënderbeut.

 

I njëjti  kompozimin siç e shikojmë ne sot ballinën e Histrorisë të Skëndërbeut doli  më 26 gusht të vitit 1522 si frontespizio e dytë  në veprën e Erazmit të Roterdamit (Erasmi Roterodami, “Prouerbiorum chiliades...,  (Impressum Venetiis: per Melchiorem Sessam & Petrum de Rauanis socios, 1522 die XXVI Augusti)pra editorë janë përsëri M. Sessa dhe P. Ravani. Si frontespicio të parë në korniza katërkëndëshe  ruhen përsëri  dy fashot anësore që kishin dalë më 1520 në vepra e Luka Ulqinakut mbi Tit Livin ndërsa lart e poshtë vihen kësaj radhe  portretet e filozofëve dhe historianve. Një dëmtim i vogël i fashos të djathtë në pjesën e sipërme i dukshëm si në vepra e Historisë të Skëndërbeut po ashtu edhe në atë të Erazmit të Roterdamit vërteton jo vertëm faktin që ajo kaloi fill nga njëra vepër tek tjetra pa u zmontuar por edhe se kemi të bëjmë me të njëjtën ksilografi pra jo me ndonjë riprodhim të saj.

 

Më 1525 po nga këta editorë të njëjtat ksilografi që kemi folur deri këtu u rikompozuan në dy variante të reja në vepra me dy vëllime  e Plinit të  Dytë (vëllimi i parë doli më 24 mars 1525, i dyti më 28 prill 1525) me komente nga humanisti i shquar venecian Ermola Barbari(1453-1493) (C. Plinii, Secundi Naturalis historiae libri XXXVII e castigationibus Hermolai Barbari...”, Impressum Venetiis...: per Melchiorem Sessam, & Petrum Serenae, socios, 1525 die XXIIII Martii. (Venezia, Melchiorre Sessa il vecchio & Pietro Ravani.) Kjo vepër në botim të mëparshëm më 1519 na prezantohet me një kornizë katërkëndëshe në një pjesë të vetme  me plot ornamente floreale dhe gjeometrike  të cilën e gjejmë të përdorur  shumë herë në vepra të ndryshme të editorve të tjerë  mes të cilve edhe de Vitali.  Pra  në këtë pikë mund të themi se ksilografitë me episode legjendare dhe historike  për të cilat kemi folur deri këtu  Sessa dhe Ravani i kanë pasur vetëm pasi botuan veprën e Luka Ulqinakut mbi Tit Livin(3 maj 1520) dhe Bernardino de Vitali pasi boti veprën e Marin Beçikemit mbi Historinë e Skëndërbeut(prill-maj 1522). Këta të fundit  e pasuruan katërkëndshin e ksilografuar në ballinë me episode të reja më të detajuara por mbi të gjitha me një stil grafik  më të bukur.

 

Kështu Norton ka pasur të drejtë kur e shtyvi botimin e veprës Historia e Skëndërbeut  mbas vitit 1520.

Fakti që në colophon shënohet  Roma do të thotë se në maj të vitit 1522 Bernardino de Vitali  ka pasur në dorë lejën për botimin e saj. Para apo mbas majit të këtij viti, në Romë apo në Venedik  mund t'i konsiderojmë tashmë   si  çështje anësore. Shkenca shqiptare për dekada e dekada me rradhë  ka paguar një çmim shumë të lartë për Marin Barletin.  Mbetet tashmë  shumë për tu bërë me qëllim që humanizmi shqiptar të zerë sa më parë  vendin që meriton në themelet e kulturës evropiane.

 

Firence 9.III. 2011



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: