Avzi Mustafa: Shkolla shqipe qëndron mbi eshtrat e patriotëve tanë
| E Diel, 06.03.2011, 11:00 PM |

Me rastin e 7 Marsit - Ditës së Mësuesit

 

SHKOLLA SHQIPE QËNDRON MBI ESHTRAT E PATRIOTËVE TANË

 

“Ata ishin njerëz me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilëve edhe Ferri i Dantes ishte një panair i bukur” - NOLI

 

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit kombëtar, dhanë kushtrimin se pa rrokur armën e shkrimit nuk mund të mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.

Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”

Pa marrë parasysh vështirësitë dhe pengesat, ata dhanë basen e shqiptarit që fjalës ilirike t’ia japin shpirtin në hapësirën e Gjithësisë dhe nën mbikëqyrjen e shenjtorëve tanë: Koto Hoxhit, Hoxhë Tasinit, Pashko Vasës, Jani Vretos, Sami e Naim Frashërit, Ismail Qemalit…, e pastaj të shkruhet një ABETARE, me të cilën do të përhapet drita për shqiptarët ku që janë.

Dhe, siç thotë Skender Luarasi, “Sami Frashëri me shokë i dha Fjalës Fytyrë, Abdyl Frashëri me shokë i dha Fjalës Fuqi, Naim Frashëri i dha Fjalës Frymë”. Natyrisht këtyre emrave duhet t’u shtohen edhe shumë e shumë emra, që Fjalës së shkruar shqipe ia dhanë Qëllimin dhe Shqiponjës dhe krahët për të fluturuar anembanë truallit arbëror, duke ringjallur shpresat edhe në errësirën më të dendur, për të mos humbur qëllimin edhe në mjerimin më të hidhur.

Gjatë historisë shumë herë u rrëzuam dhe u ngritëm më të fortë se më parë, se kemi durimin, dhe qëllimin. Dhe këtë porosi na e ka lënë Petro Nino Luarasi kur thotë “Edhe nëntëdhjetë herë të rrëzohemi e përsëri duhet të ngrihemi”.

Në truallin Arbërisë çdo pushtues mundohej të lë gjurmë në shpirtin e shqiptarit duke hapur shkolla turke, greke, latine, sllave, por asnjë shqipe. Banorët e Arbërisë quheshin arnaut, latin, kaurë, por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Shqiptarët kurrë nuk e identifikuan veten me pushtuesit. Pavarësisht nga përçarja fetare, ata mbetën gjithmonë shqiptarë. Këtë e bënte gjuha e cila ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.

Abetarja shqipe është shkruar me gjak nga promethenjtë tanë dhe me kocat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura që sakrifikuan jetën për shkollën shqiptare. Si Naum Veqilharxhi që na fali Abetaren e pare dhe këtë e lau me kokë në burgun e Patrikanës greke më vitin 1866. Gjithashtu me kokë e pagoi veprimtarinë patriotike dhe humane mësuesi parë i shkollës shqipe, Pandeli Sotiri, që u vra prej të vjehrrit të së shoqes me prejardhje greke.

Pse çeli shkollë shqipe në Negovan edhe pse predikonte çështjen shqiptare, xhandarët grek, të ndërsyer nga dhespoti i Kosturit, më 12 shkurt 1905 e vranë Papa Kristo Negovanin me të vëllain, Theudosin, dhe pesë patriotë negovanas përkrahës së shkollës shqipe, vetëm e vetëm për të futur frikë, që shqiptarët të mos mësonin në gjuhën amtare. Patriotit Koto Hoxhi – yllin e gjuhës shqipe, që edukoi jo vetëm me ndenja patriotike, por ua mësoi gjuhën shqipe shumë mësonjësve, po ashtu iu hakmorën mizorisht. Mitropolia e Manastirit me dinakëri e futi në dorë të kusarëve duke mbajtur rob Gjerasim Qiriazin, vetëm e vetëm që të heqë dorë nga shqipja e shqiptaria. Fanari grek, në bashkëpunim me hyqimetin osman, më 1911 e helmuan Petro Nino Luarasin, më 1884 nga tortura në burgun e Athinës e mbytën Anastas Kulloriotin, ndërsa Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësojtores së Korçës, e mbytën në internim.

Ndaj shkollës dhe Abetares shqipe qeveria osmane merrte masa të rrepta, duke torturuar, syrgjynosur e vrarë edhe në zandanët e Turqisë, si ishte rasti me Sadik Zajmin e Idriz Novokasin pse kishin hapur shkolla shqipe ne Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ata e internuan Hamdi Ohrin që hapi shkollë edhe në burgun e Manastirit, ndërsa Said Njadenin, mësuesin e Dibrës, e mbytën në moshën 39 vjeçare po ashtu pse hapi shkollë klandestinë në Dibër.

Tmerr të tërbuar kundër shkollës shqipe merrte pansllavizmi. Ai vrau At Shtjefan Gjeçovin, mbyti në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish-mësuesin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit më 1909.

Me këtë rast i përmendëm vetëm disa emra, ndonëse ka edhe shumë emra të tjerë që u sakrifikuan për gjuhën dhe shkrimin shqip. Megjithatë gjithë ky krim më barbar, që iu bë mësuesve e patriotëve shqiptarë, nuk i trembi, por i bashkoi shqiptarët, duke e realizuar amanetin e mësuesve e patriotëve shqiptarë të Rilindjes, të cilat na kanë porositur “Si do të jemi e ku do të jemi, edhe nëse na ndjek qeveria e s’ na le të hapin shkolla në gjuhën tonë, gjuha shqipe le të shkruhet edhe në kalldrëme dhe le të këndohet”. Ky amanet u realizua më 7 Mars të vitit 1887 kur u çel Shkolla e Parë në Korçë, në të cilën mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe me mësues shqiptarë dhe me program e libra në gjuhën shqipe. Ajo pati edhe misionin e vet kombëtar, sepse realizoi parimin e kombit mbi atë të fesë. Me këtë shkollë u hap rruga e forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Kjo shkollë mobilizojë të gjitha forcat për t’i bërë ballë terrorit e intrigave të sunduesve, duke shprehur vendosmërinë e popullit shqiptar për ta ruajtur e për ta shkruar gjuhën shqipe. Ashtu siç thoshte Sami Frashëri, “S’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja”.

Lufta për shkollën kombëtare shqipe ka vazhduar edhe pas copëtimit të tokave shqiptare nga ortodokset sllavo-grekë me bekimin e Konferencës së Londrës (1913). Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore arsimi shqip në Maqedoni dhe Kosovë u zhvillua në kushte shumë të ndërlikuara. Pas viteve 1981 është periudha më e errët në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Në këtë periudhë u vu në zbatim të hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit. Pushteti jugosllav në këtë periudhë u tregua shumë i ashpër për të flakur gjoja “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar”. Politika antishqiptare, që ushtrohej nga organet partiake me direktivën e shtetit, filloi ta sulmojë arsimin shqiptar nga të gjitha anët. Se pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin pedagogjik që duhej të shkruhej në gjuhën e shtetit. Në vitin 1989 u sollën edhe dy amendamente, 43 dhe 57 ttë Kushtetutës së Maqedonisë, me çka gjuha shqipe u hoq plotësisht nga përdorimi, kurse në Kosove kjo mbeti në të dyja gjuhë.

            Prej vitit 1986/87 filloi kryqëzata e vërtetë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist filluan të pushojnë nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë të komunikohet në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave, u mbyllën shkollat e mesme dhe shkollat e larta etj.

Megjithatë shqiptarët asnjëherë nuk pranuan shkollën e përkthyer në gjuhën shqipe, por vetëm shkollë kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit tanë patriotë shqiptarë, që sot brezi ynë i kujton me admirim emrat e tyre. Po në këtë ditë të shënuar ua kemi borxh që ata t’i përshëndesim me përshëndetjen më humane të botës arsimore: Lavdi ndër shekuj mësuesve tanë patriotë!



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: