Tefik Selimi: Intervistë me Ilire Avdiun, këngëtare
| E Merkure, 02.03.2011, 06:01 PM |

Intervistë me Ilire Avdiun

Idhull e kam klarinetistin tyrk Husnu Senlendiriçi...

 

”Bota sot”: Cila është biografia e jua?

 

Intervistoi: Tefik Selimi

 

Ilire Avdiun e gjetëm duke punuar me ditar në dorë në shkollën e mesme “Naim Frashëri” në Shtime, por jeton në Prishtinë. Ajo është arsimtare e artit muzikor në shkollën në fjalë. Kur flet njeriu me Iliren, sikur ke një femër të “pjekur”, përkundër moshës së saj të re. Pse jo? Flet si zogjët e pranverës. I ka fjalët e ëmbla dhe çdo fjalë e saj tingëllon bukur si me nota muzikore. Ajo sapo i ka mbushur 24 pranvera. Jeton me këngën, instrumentet, melodinë, zërin, tingullin e me “sendet” tjera të artit muzikor. Jo vetëm kaq. Ajo në vitin 1995, së bashku me familjen e saj ka emigruar në Gjermani, ku ka qëndruar deri në vitin 2001. Ilirja, pas kësaj kohe,  kthehet me familjen e saj në Kosovën e pavarur. Si e kreu klasën e tetë të shkollës fillore "Iliria" në Kodrën e Diellit në Prishtinë, ajo regjistrohet në shkollën e Mesme të muzikës "Prenke Jakova” në Prishtinë, drejtimin e përgjithshëm. Në vitin e dytë të shkollës së mesme të muzikës e merr Klarinetin si instrumentin e dytë të saj, me të cilin ajo kalon në drejtimin instrumental. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo regjistrohet në Fakultetin e Arteve - Departamenti i muzikës - drejtimi për Klarinetë, te pedagogu Astrit Mustafa. Pas përfundimit të Fakultetit, Ilirja filloi të punojë si arsimtare e muzikës në shkolln e mesme në Shtime. Tani ajo është në përgatitje për regjistrimin në Master në drejtimin e Klarinetit në Shkup te pedagogu Stojan Dimov. Krahas kësaj ka angazhime me “Zig Zag” Orkestrën nëpër vendet e Ballkanit dhe të Evropës.
 
”Bota sot”: Si e kuptoni artin e këngës dhe sa e adhuroni atë?

 

Ilire Avdiu: Po. Arti i këngës është  diça magjeps. Të rrëmben e të bën për vete. Dhe, kurrë në jetë s’mund ta ndahesh nga magjia e tij. Arti, për mua do të thotë, një largim nga bota reale. Një botë imja, në të cilën unë përcaktoj çfarë dëshiroj të kem, siç është lumturia, fluturimi nëpër horizontin e pastër, dashurinë e butë të cicërimave të zogjve, qetësinë e natyrës së gjelbërt, diellin me rrezet që shërojnë shpirtin dhe mbush atë me energji pozitive, qiellin argëtues me figura të lloj-llojshme paqësore dhe fëmijërore. Aty, te arti i muzikës, e gjen atë botë, në të cilën do të jesh fëmija i lumtur, gazmor, argëtues, i vëmendshëm me dashuri besnikërie dhe sy që xixëllojnë për jetën. Aty (në artin e muzikës) e gjen edhe ngushëllimin, por edhe pendimin dhe pikëllimin. Aty gjen ushqimin e shpirtit, por aty asnjëherë nuk e gjen nervozizmin, inatin, luftën, tërbimin, çmendurinë. Ajo çka të sjellë arti është paqja, rehatia shpirtërore. Pra, arti apo muzika, të cilën e ndëgjon, tregon diçka për karakterin e individit. Arti mund ta ndryshojë një vend, por si? Nëse unë shembull do t`i marrë disa fëmijë dhe do t’ua servojë atyre vetëm muzikë ushtarake, ata do të bëhen me karakter ushtarak. Prandaj, i gjithë populli duhet të ndëgjoj muzikë të mirëfilltë, të pastërt, sepse muzika të influencon shumë, të merr me vete në botën e saj. Askush nuk ka dëshirë ta ketë botën e quajtur - vuatje. Andaj, shtoj, mos ndëgjoni shumë muzikë vuajtjesh, por muzikë gazmore, e cila të bën të lumtur në jetë...

 

“Bota sot”: Çka është klarineti për ju?

 

Ilire Avdiu: Për mua Klarineti është një instrument i “shenjtë” që ka një tingull të ngrohtë, përmes të cilit mund të shprehësh dashuri pa kufi... Mua më frymëzon natyra dhe shpeshherë dëshiroj verës që të interpretoj për “qefin” tim në natyrë. Klarineti për mua është një “terapi” qetësuese ditore, përmes të cilit i liroj ndjenjat shpirtërore dhe qetësohem në jetë. Nëse gjatë ditës bëhem nervoz, padyshim që me anë të interpretimit të muzikës me klarinet, e largoj nervozizmin tim dhe i kthehem gjendjes qetësuese. Ideja që unë të kem Klarinetin si instrument ka qenë e znj. Elizabeta Musliu, që atëherë ka qenë profesoresha ime e pianos, kur isha në shkollën e mesme. Ajo pati shtuar: "Nuk ka femër që i bie klarinetit dhe do të doja ta mësosh këtë “zanat”, dhe do të kesh përparësi si e vetmja femër ta interpretosh Klarinetin". Vendosa dhe e bleva këtë instrument. I fillova ushtrimet te profesori Astrit Mustafa. Te dytë sot i falenderoj nga zemra. E dua tash klarinetin pa masë dhe nuk kalon natë e ditë pa e i rënë këtij instrumenti që më bën për vete e për të tjerë.  

 

”Bota sot”: Cilat janë shpëblimet e sukseset e juaja si muzikante?

 

Ilire Avdiu: Po, me një thjeshtësi po e them përgjigjen. Kam marrë pjesë në koncerte të ndryshme me trio, kuartete, por edhe solo në kuadër të shkollës së muzikës. Morra pjesë në garat e organizuara nga Sihana Badivuku „Ars Kosova“, në garat e muzikës kamertale në Tiranë për dy vite rradhazi, por kam marrë pjesë edhe në koncerte të Fakultetit në Sallën e Kuqe, në  vorkshope të ndryshme me muzicientë nga Evropa, mastercllas me klarinetistë Florent Heau nga Parisi, Vedran Tuce nga Bosnja. Pjesëmarrja në koncerte me Orkestrën e Ilir Bajrit, pjesëmarrje në DAM festival, në Re Musica Festival, në garat „ Pjeter Gaci“ në Shkoder. Po ashtu, kam qenë bashkëpunetore e „Ansamblit të vallave dhe këngëve popullore „Shota“, të udhehequr nga profesor Fahri Beqiri, me të cilën kam pasur koncerte në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.Tani jam e angazhuar me „Zig Zag“ orkestrën, me të cilën do të kemikoncerte në "Koko Camden Theatre" në Londër, më 13 shkurt të ktij viti (2011).

”Bota sot”: Si e ndjeni vetën kur këndoni para publiku?

 

Ilire Avdiu: Kur interpretoj para publkut mundohem të reflektoj ate që e më është përcaktuar nga vepra. Ndihem shumë mirë kur shoh njerëzit që e pëlqejnë 
interpretimin tim. Mbi të gjitha, duartrokitjet janë si tinguj të artë që më bëjnë të ndihem shumë e lumtur në jetë. 
 
”Bota sot”: A ka diçka të mund të shtohet për të mirë apo...?

 

Ilire Avdiu: Mua s`me pëlqen në artin e këngës, kur e gjitha merr një të vluar që qon deri te një tepricë, e cila duhet të dalë nga kapaku, sepse brenda është aq nxehtë sa që nuk mund të durohet. S`më pëlqen kur arti i këngës bëhet vlerë e dytë, ndersa dukja - vlera e parë. Nëse dëshiron të tregosh artin e këngës, atëherë shpirti i individit bashkë me artin e këngës duhet të dalë në sipërfaqe, e jo dukja e jashtme. Në artin e këngës, gjithnjë flitet nga brendësia.Të mirat e saj janë të dukshme dhe të ndikushme për të mirë, vetëm nëse ajo ka qëllim të mirë nga projektuesi i saj. Përndryshe, mund të ndodhin dy opsionet e sapocekura.

”Bota sot”: Si ishte dalja e parë e juaja para publikut?

 

Ilire Avdiu: Hera e parë që kam interpretuar para publikut ishte në fund të vitit të dytë të shkollës së mesme. Kisha për ta interpretuar një Sonte, (forme muzikore) me klarinet në përcjellje të pianos dhe isha e kompleksuar se si do ta interpretoj. Po ashtu ishte një realizim i një ëndrre, ishte një emocion me të dridhura të lehta dhe ndihesha kinse të gjithë e dinin që unë jam kompleksuar dhe me emocione. Doli bukur, pse jo...

”Bota sot”: Cilat janë porositë e juaja për të rinjtë?

 

Ilire Avdiu: Për të rinjtë, po. Nuk dua të jap porosi për muzikën. Dua, thjeshtë të them që gjërat bazë për një jetë të mirë janë: analiza për të ditur realitetin, qëndrimi stabil, leximi, urtësia dhe vizioni i jetës. Për ta bërë një jetë, siç dëshiron ti, duhet së pari ta bësh projektin dhe ti qëndrosh stabil. Për ta ditur se a është i përshtatshëm plani, të cilin do ta realizosh, duhet të dish realitetin nga i cili rrethohesh dhe ta njohësh vetën. Prandaj, analizo me logjikë të shëndosh!

”Bota sot”: Cila është dëshira e juaj pos këngës?

 

Ilire Avdiu: Ne, si njerëz, jemi egoistë nga natyra. Nuk mendojmë për shumicën, por gjithnjë për vetën. Nietzsche thotë që në jemi vetëm ëndrrat tona, asgjë më tutje. 
Dëshira ime me e madhja do të ishe që njerëzit të mendojnë për shumicën. Si ta kemi një jetë më të mirë në Kosovë, kur mendojmë secili për vetën, ndërkohë që mund të mendojmë se si bashkarisht mund të arrijmë një gjendje ekonomike të mjaftushme për vendin tonë. Një mollë e kalbur i kalb të gjitha. Kujdes të keni, rini të shëndoshë! Dhe, me një lule nuk çelë pranvera!.

”Bota sot”: A mund të shtoni diçka që mendoni se nuk u kam bërë pyetje?

 

Ilire Avdiu: Idoli im është klarinetisti nga Turqia, Husnu Senlendiriçi.


Gjilan, 28 shkurt (Ky shkrim eshte botuar me 5 shkurt ne Bota sot”, f20,21)

(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: