Seanca e heqjes së imunitetit Azem Hajdarit. Deputeti i PD: Njeriu që di duhet të zhduket
| E Diel, 27.02.2011, 07:57 PM |

SHTATOR 1992

 

Këto janë diskutimet në seancën kur do diskutohej heqja e imunitetit për deputetin demokrat, Azem Hajdari. Bëhet fjalë për seancën e shtatorit të vitit 1992. Hajdari akuzohet se ka goditur përgjegjësin e administratës së Partisë Demokratike, zotin Sotir Qirjaqi. Azemi mban një fjalim të zjarrtë dhe e quan gjithçka një sajesë politike. "Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket," thotë ai.

"Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature," vijon më tej Hajdari.

Deputetët demokratë shprehen kundër njeriut që dha kontribut për ardhjen e demokracisë, kurse të tjerët, përfshi socialistët, e mbrojnë. Spikasin fjalimet e Gramoz Pashkos, Arben Imamit e Teodor Kekos. Lexoni më poshtë diskutimet e kësaj seance.

 

SEANCË PLENARE

E hënë, 28 shtator 1992, ora 18:00, seanca e parë. (Drejton seancën Kryetari, Pjetër Arbnori)

Sadedin Balla - Raport i Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit.

Komisioni i Mandateve më ngarkoi mua të raportoj para Kuvendit Popullor për sa më poshtë:

Më 15.09.1992 Kryesisë së Kuvendit Popullor, me shkresën nr. 754 i ka ardhur kërkesa e prokurorisë së Tiranës, nëpërmjet së cilës kërkohet pëlqimi për ndjekje penale të deputetit Azem Hajdari me këtë përmbajtje:

Lënda: (Nr. i protokollit 754) Kërkohet pëlqimi për ndjekje penale për deputetin Azem Hajdari.

Kryesisë së Kuvendit Popullor

 

Tiranë

Më datë 15.09.1992 në prokurorinë e Tiranës ka ardhur materiali kallëzues në ngarkim të deputetit Azem Hajdari, nga ana e të cilit shtetasi Sotir Qirjaqi ankohet se më datën 11.09.1992 në zyrat e selisë së PD-së është fyer dhe goditur për shkak të detyrës nga zoti Azem Hajdari, si rezultat i së cilës i janë shkaktuar dëmtime që futen në kategorinë e rrahjeve. Në bazë të kërkesave procedurale, detyrë e prokurorisë është të fillojë ndjekjen penale, të marrë të pandehur zotin Azem Hajdari e pasi të zgjidhë masën e sigurimit, materialet t'ia kalojë për gjykim gjykatës së rrethit. Këto veprime nga ana jonë nuk mund të bëhen, pasi në bazë të nenit 22 të ligjit nr. 7491, dt. 29.04.1991 "Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese", ndaj deputetit nuk mund të bëhen ndjekje penale pa u marrë pëlqimi i Kuvendit Popullor. Në këto rrethana, kërkojmë që problemi të shqyrtohet nga ana juaj për të na dhënë mundësi të ndjekim çështjen.

Prokurori i rrethit

Kadri Sela

 

Kryesia e Kuvendit Popullor, nëpërmjet shkresës nr. 1133/1, dt. 17.09.1992 ka kërkuar që kjo kërkesë të paraqitet nga Prokuroria e Përgjithshme, si organ i centralizuar.

Prokuroria e Përgjithshme me shkresën nr. 978/1 më datën 17.09.1992 i kërkon Kryesisë së Kuvendit Popullor sa më poshtë:

Kërkohet pëlqimi për ndjekje penale për deputetin Azem Hajdari Kryesisë së Kuvendit Popullor, Tiranë. Më 15.09.1992 në prokurorinë e rrethit Tiranë është bërë denoncimi ndaj deputetit Azem Hajdari për veprat penale të fyerjes dhe të goditjes për shkak të detyrës në dëm të përgjegjësit të administratës së Partisë Demokratike, zotit Sotir Qirjaqi.

Prokuroria e rrethit më datën 15.09.1992 i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit Popullor dhënien e pëlqimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Azem Hajdari. Më datën 17.09.1992 Kryesia e Kuvendit Popullor ka kërkuar që shkresa duhet të vijë nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi kemi të bëjmë me organ të centralizuar.

Njëkohësisht është kërkuar që të njoftohet menjëherë Kryesia e Kuvendit Popullor lidhur me këtë problem.

Mbi këtë bazë prokuroria e rrethit Tiranë më dt. 17.09.1992 ka sjellë në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë praktikën në ngarkim të zotit Azem Hajdari, nga ku rezulton se ka bazë të mjaftueshme për fillimin e ndjekjes penale për veprat penale të fyerjes dhe të goditjes për shkak të detyrës, të parashikuar nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.

Meqenëse në bazë të nenit 22 të ligjit nr. 7491, dt. 29.04.1991, "Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese" ndaj deputetit nuk mund të bëhet ndjekje penale pa marrë më parë pëlqimin e Kuvendit Popullor, kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit Popullor që, pasi të shqyrtohet kjo çështje, të na japë përgjigje nëse do të na lejohet që deputeti Azem Hajdari të ndiqet penalisht sipas denoncimit të bërë.

Zëvendës prokuror i përgjithshëm

Alush Dragoshi

 

Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit shqyrtoi dokumentet që iu vunë në dispozicion nga Kryesia e Kuvendit Popullor në prani të të gjithë anëtarëve të tij dhe tre juristëve të Kuvendit Popullor, të thirrur nga ky komision si specialistë. Tre anëtarë të komisionit, përfaqësues të PD-së, pas sqarimeve që u bënë dhe nga specialistët, pranuan kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana e tyre përfaqësuesit e PS-së paraqiten rezerva, duke kërkuar:

1. Përveç materialeve në dispozicion dhe specialistëve të Kuvendit të vinte për sqarim në komision përfaqësuesi i prokurorisë së rrethit Tiranë.

2. Të konsultoheshin me grupin parlamentar ose të thërrisnin në komision kryetarët e grupeve parlamentare.

3. Të thirrej për sqarime në komision deputeti Azem Hajdari.

Pas diskutimeve u kalua në votim, rezultati i të cilit është si më poshtë:

Deputetët Sadedin Balla, Lindita Prifti, Afërdita Zëri u shprehën pro kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme; deputeti Xhevat Lloshi votoi kundër, ndërsa deputeti Ndre Legisi nuk mori pjesë në votim.......

 

Seancë pyetjesh dhe diskutimesh

 

Namik Dokle - Nuk e kam për diskutim, zoti Kryetar, e kam lidhur me pyetjen që bëra unë dhe mjaft deputetë të tjerë, që i drejtoheshin prokurorisë, sepse këtu kemi të bëjmë me një akt jo të zakonshëm në Parlament. Është një akt që parlamenteve nuk u ndodh çdo ditë, as çdo vit. Ka parlamente që s'u ndodh as për pesëvjeçarë të tërë me radhë. Dhe megjithëse ndodh një akt i tillë, unë nuk e kuptoj se si këtu nuk vjen asnjë përfaqësues i prokurorisë, jo për të na bërë neve hetime, po heqja e imunitetit ka të bëjë me votim. Çdo deputet, para se të ngrejë kartonin, jeshilin, të kuqin apo të bardhin, duhet të bindet për atë çfarë ngre, sepse me kartonin e tij ngre ose ul dinjitetin e Parlamentit. Prandaj i duhet kjo bindje. Dhe për të pasur këtë bindje, duhet domosdo që të sqarohet për rrethanat dhe anët ligjore të problemit që diskutojmë. Unë drejtova një pyetje për një përfaqësues të prokurorisë, i bindur se këtu me siguri do të ketë përfaqësues të prokurorisë. Por ata përfaqësues e vunë në pozita tepër të vështira zotin Balla, i cili pyetjeve që kishin të bënin me detyrën e tij si kryetar i Komisionit të Mandateve dhe Imunitetit iu përgjigj me korrektësi, ndërsa shumë nga pyetjet që s'kishin të bënin me detyrën e tij, mbetën në ajër. Dhe unë nuk e kuptoj se si shkresat e prokurorisë këtu mund të çmohen si magjike, kur është fjala për të kequr imunitetin e një deputeti, aq më tepër që prokuroria në këtë rast, qoftë ajo e Tiranës, qoftë ajo e Përgjithshmja, sillet si një pronare apo eprore ndaj Parlamentit, madje na trajton si fshesarë të qosheve të saj të errëta. Unë këtë nuk e kuptoj dot.

 

Pjetër Arbnori - Zotërinj, puna e parë nuk duhet ta politizojmë problemin.

Puna e dytë, që t'i heqësh imunitetin një deputeti, nuk do të thotë ta cilësosh atë "fajtor". Ai mund të dalë i pafajshëm dhe unë uroj që të dalë i pafajshëm dhe ata që mund të bëjnë akuza të padrejta ose të shtrembëta, të marrin atë që meritojnë.

Këtu Komisioni i Mandateve paraqiti një raport në bazë të kërkesës së prokurorisë, në bazë të denoncimeve të dëshmitarëve dhe raportit mjekësor. Për këtë do të gjykojmë. Dhe unë uroj që problemi të mos politizohet.

 

Skënder Gjinushi - Për procedurën, sepse ne për çështje të tjera, që janë më pak delikate sesa kjo. Procedura ka qenë që ai që bën kërkesën, paraqet projektligjin, projektdekretin dhe çdo gjë tjetër. Është prezent, pra nuk e merr përsipër komisioni ynë të mbulojë defektet ose të argumentojë se çfarë qëllimi ka pasur pala kërkuese. Pra, në rastin konkret Prokuroria nuk është prezent dhe rrjedhimisht nuk u jepen përgjigje disa pyetjeve esenciale ligjore. Zëvendësprokurorit nuk i njihet me ligj të ushtrojë kompetencat e prokurorit, është ndihmës dhe Prokuroria është organ i centralizuar. Komisioni i Mandateve ka shkelur procedurën, sepse s'ka dëgjuar deputetin. Dhe mua më duket kjo është shkelje e rëndë. Asnjeri nuk gjykohet në mungesë. Ju kujtoj se këtu në Parlament të paktën, është hequr imuniteti dhe vjet dhe ndonëse bëhej fjalë për dy deputetë që akuzoheshin për konfrontime të rënda, megjithatë me kërkesën e tyre u kërkua të rishikohet në Komisionin e Mandateve, t'i dëgjonte Komisioni dhe iu plotësua kjo kërkesë. Nuk e kuptoj pse Azem Hajdarit nuk i plotësohet kjo kërkesë. Pra, për këto shkelje unë mendoj që ne sot s'mund të gjykojmë pa u plotësuar dhe defektet e mësipërme.

Sadedin Balla - Zotërinjve që u është hequr imuniteti vjet, e ka vendosur kjo sallë. Pasi është dhënë raporti i Komisionit të Mandateve, është vendosur këtu nëse do të pranohet që ata të bëjnë sqarime në komision. Është rimbledhur komisioni, kanë sqaruar problemin, bile kanë kërkuar nëpërmjet një debati shumë të madh këtu në Parlament. Pra, nuk është detyrë e Komisionit të Mandateve të thërresë. Ne gjykojmë vetëm mbi materialet që na paraqiten.

 

Arben Imami - Unë mendoj se është normale vërejtja e zotit Gjinushi lidhur me paraqitjen e prokurorit të rrethit të Tiranës edhe në komision, të paktën, po kështu edhe paraqitjen e deputetit për të cilin bëhet fjalë, zoti Hajdari në atë komision, në mënyrë që kur komisioni të japë një mendim apo një vendim, të ketë një vizion më të qartë dhe më të plotë të situatës. Po kështu shumë nga pyetjet që u zhvilluan këtu, do të kishin nevojë për një përgjigje profesionale, gjë që askush nga ne këtu nuk do të mund ta jepte, prandaj unë mendoj që ardhja e prokurorit të rrethit të Tiranës për ta sqaruar më qartë situatën, në mënyrë që vendimi që do të marrim ne të jetë një vendim i bazuar dhe një vendim për të cilin duhet të jemi koshientë, të mund të realizohet.

Pra, unë do të propozoja që Komisioni i Mandateve të mblidhet dhe ta rishqyrtojë edhe një herë problemin, të ftojë prokurorin e rrethit, sikurse dhe zotin Hajdari. Dhe po kështu seanca që do të bëhet, të bëhet me praninë e prokurorit, të cilin ta pyesim rreth këtij problemi. Nga ana tjetër, unë do të thosha që ne jemi dakord të punojmë dhe nuk është problem koke, ka pasur raste që kemi ndenjur deri dhe mëngjesin në Parlament, dhe është normale, por unë nuk mendoj se ka një urgjencë ky problem, meqenëse provat, në qoftë se ka ndodhur kjo gjë, ekzistojnë si sot, si nesër. Nxitimi i ndonjë parafolësi nuk do të më pëlqente. Dhe për të vendosur o sot o kurrë, është pak më tepër se ç'duhet.

 

Gramoz Pashko - Faleminderit zoti Kryetar!

Vërtet ma dhatë fjalën, por ma dhatë mjaft me vonesë, kështu që shumë nga gjërat që kisha ndër mend të thosha, i thanë të tjerë. Unë desha ta vë theksin në dy gjëra:

Së pari, nga argumentet që dëgjuam këtu nga Komisioni i Mandateve, rezulton se ky komision ka bërë një punë relativisht të dobët, sepse argumentet ishin shumë pak bindëse. Fjala e Azemit ishte shumë më tepër bindëse, domethënë lë të nënkuptohet se çështja nuk është kaq e thjeshtë.

Së dyti, këtu u përmend zelli për ta paraqitur këtë çështje sa më shpejt. Unë desha t'i shtoj këtij zelli për ta paraqitur çështjen sa më shpejt dhe për të marrë masa sa më shpejt për Azem Hajdarin disa lapsuse, që çuditërisht unë i konstatova dhe për fat të mirë nuk i përmendën parafolësit. Zoti Balla dy herë gaboi: një herë atje në tribunë dhe një herë këtu në vend, duke mos thënë "t'i heqim imunitetin", por "t'i heqim mandatin". Gjithashtu më bëri përshtypje fakti se në këtë komision mandatesh tre deputetë kanë votuar pro heqjes së imunitetit. Domethënë zelli i tyre tregon se diçka ishte paramenduar. Unë nuk dua që salla e Parlamentit të bëhet sallë gjyqi, nuk dua të bëhet sallë ku të sillen prova, argumente. Boll kemi bërë gjyqe, këta dy muajt e fundit akoma më tepër, po t'i ngremë në fuqi eksponenciale, se hallet që ka vendi, me të drejtë e tha zoti Milo, presin nga ne ç'bukë do t'i japim popullit, si do ta ndihmojmë këtë popull dhe jo të fillojmë të bëjmë gjueti shtrigash ndaj personave si Azem Hajdari. Mua më bindi fjala e Azem Hajdarit sot këtu në Parlament dhe ftoj deputetët e tjerë, të të gjithë krahëve, të reflektojnë në votën që do të japin dhe njëkohësisht propozoj që votimi të jetë nominal, sepse secili do të mbajë përgjegjësi nesër për atë votë që ka dhënë sot. (Reagime).

Në qoftë se zotërinjtë bezdisen nga fjalët e mia, le të më durojnë, kemi duruar këtu dhe sharje, dhe fyerje etj. Unë nuk atakova askënd personalisht. Problemi është ky: Azem Hajdarin unë e kam njohur që në natën e parë. Më ka thirrur në mes të natës, jemi takuar në godinën e studentëve, sipër, dhe Azem Hajdari është ai të cilit i dedikohemi shumë. Unë nuk di se ç'ka ndodhur këto kohë në Partinë Demokratike, sepse nuk bëj pjesë në të që kur më përjashtuan, por më duket i çuditshëm fakti se si Azem Hajdari, kryetar i një komisioni të partisë, siç thuhet këtu, rreh një nga nëpunësit e vet, ndërkohë që ky vartës ndodhej në krye të detyrës. Azem Hajdari, ish-nënkryetar i partisë, Azem Hajdari, kryetar i Komisionit Politik, dalka këtu se paska kryer një gjest rrahje në detyrë të një nëpunësi të vet. Pra, të gjitha këto argumente, para se të nënshkruheshin aktet, që të kërkohej nga ne heqje imuniteti dhe futjen e tërë këtij procesi, që për mendimin tim do të krijojë nesër një skandal të vërtetë në popull, mua më duket se komisioni duhej të ishte menduar mirë, nuk duhej të kishte reaguar me kaq urgjencë. Dhe me të drejtë shumëkush e ngriti këtë gjë.

Si përfundim, unë mund të kem divergjenca me zotin Hajdari, mund të kem mendime të ndryshme nga ai, por më duket se këtë radhë çështja nuk është se zoti Hajdari po atakohet për mendimet e tij, çështja po shtrohet jo se Hajdari po atakohet sepse ka një ideologji të caktuar. Mua më duket se çështja e fyen atë dhe na fyen të gjithëve ne, ai po atakohet si person. Me të drejtë u tha që Azem Hajdari po atakohet për një çështje krejtësisht ordinere. Dhe nuk do të jetë në nderin tonë që të dënojmë një nga nismëtarët e demokracisë shqiptare për një çështje krejtësisht ordinere.

Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp.

Kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë. Unë shpreh edhe një herë votën time kundër heqjes së imunitetit. Do të isha dakord që çështja të ishte shumë më transparente dhe atëherë, në qoftë se do të bindesha, edhe unë mund të thosha se s'ka asgjë të keqe, le të vazhdojë procesi në mënyrë të natyrshme. Me kaq argumente sa u sollën këtu, çështja nuk na bind. Ftoj dhe deputetët e tjerë që të votojnë kundër heqjes se imunitetit të zotit Hajdari.

 

Azem Hajdari - Të nderuar deputetë,

Nuk jam aspak i shqetësuar që edhe në këtë kokë të vonë ndodhem përpara jush për të dhënë shpjegime për akuzën që më bëhet. Do të ishte shumë më mirë që në bazë të një deklarate që kam bërë këtu përpara një muaji, të ngrihej një grup parlamentar dhe të merrte në analizë gjithë jetën dhe veprimtarinë e Azem Hajdarit, ku jeton Azem Hajdari, cili është, ç'defekte, të mira e të këqija ka, a i duhet një e mirë e tij Shqipërisë dhe sa dëm i bëjnë dy të këqija të tij. Dhe jo të binim viktimë e skenarëve politikë që ndërtuan njerëz diletantë dhe që duan të fillojnë sot maratonën e diktaturës. Mua nuk më shqetëson aspak ky skenar nga mënyra si është ndërtuar. Më shqetëson vetëm një fakt: shumë, shumë pak profesionalizëm në këtë drejtim.

Unë jam shumë dakord që të mbrohet qytetari i thjeshtë, të mbrohet, sepse diktatura fillon kur cenohet individi i thjeshtë dhe nuk ka të drejtën as deputeti, as kushdo të dënojë kënd. Por nuk jam aspak dakord që një deputeti t'i mbyllen dyert e ankimit kur akuza ndaj tij është e pabazuar, e paargumentuar në bazë të legjislacionit që ka sot në dispozicion Republika e Shqipërisë.

Unë mbrojtjen time do ta bëj në gjyq dhe nuk ia kam frikën aspak gjyqit. Por grupi parlamentar i PD-së, ashtu siç mori nismën Anton Çeta për pajtim kombëtar, në rast se dhe unë do ta kisha bërë këtë gabim, do të merrte nismë për pajtimin e vet, duhej ta thërriste të dëmtuarin dhe të bisedonte me të. Duhej të më thërriste edhe mua. Kryesia e PD-së, ku jam anëtar i saj, dhe sot kryetar i komisionit politik të PD-së, duhej të bënte një mbledhje kryesie, të diskutonte. Grupi parlamentar më me dashamirësi duhej të dëgjonte fjalën time që unë dhashë. Megjithëse shkresa e komentuar nga ATSH-ja u komentua në të gjitha agjencitë e botës. Sapo u ktheva, unë kërkova urgjent që të merrej në analizë heqja e imunitetit tim. Ne rast se grupi parlamentar i PD-së do ma kërkonte heqjen e imunitetit, jo veçse grupi parlamentar, por edhe një deputet i thjeshtë, unë do t'i jepja edhe imunitetin, edhe mandatin. Por këtu ka një problem tjetër. Në rast se unë i hyra kësaj rruge për të dhënë jetën time e të familjes sime, nuk lejoj kënd që të më marrë nderin nëpër këmbë.

Problemi është politik dhe thjesht politik. U ktheva nga Shtetet e Bashkuar për të ndihmuar dhe për të dhënë kontributin tim mes shokëve që më ka bashkuar gjithçka me ta dhe më kanë ndarë vetëm gjëra të vogla, që nëpërmjet një dialogu do të ishin gjëra të riparueshme.

Unë sapo zbrita nga avioni kisha përpara dy alternativa: atë që të shkoja të ndihmoja diktaturën dhe atë që të isha me shokët e mi të mirë dhe të ndihmoja demokracinë. Unë nuk shkova me ata që më prisnin, që donin të më shfrytëzonin dhe nëpërmjet meje të realizonin qëllimet e tyre ogurzeza, por shkova me miqtë e mi, me Arbenin e me të tjerë, ashtu siç shkova në Shijak, dhe kjo është rruga ime. Kësaj rruge as nuk i jam trembur dhe as kam për t'iu trembur. E dija që një ditë do të dilja përpara Parlamentit ose përpara një institucioni tjetër dhe do të diskutohesha. Pse? Jam i pari. Isha tre muaj kryetar i Partisë Demokratike, ish-kryetar i Lëvizjes Studentore dhe nënkryetar i saj. Domethënë di, dhe njeriu që di duhet të zhduket.

Nuk dua ta fsheh, jam i shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve të fundit në jetën politike, që çoi deri në kërkimin e heqjes së imunitetit tim, lidhur me një pseudokrim dhe që nuk dihet se ç'situata të reja do të sjellë në ditët që do të vijnë. Jo heqjen e imunitetit të deputetit Azem Hajdari, po heqjen e imunitetit të çdo deputeti tjetër të Parlamentit tonë me këtë motivacion unë do ta kundërshtoja ashpër dhe me forcë. Për ç'arsye do ta mbaja këtë qëndrim?

E para, sepse bota e qytetëruar do të na tallte ne. Nëse një deputet bën një kundërvajtje penale dhe atij i hiqet imuniteti për këtë kundërvajtje, atëherë ne nuk jemi më deputetët e kohës së demokracisë, por deputetë të kohës së Enverit. Kjo do të thotë se ne jemi marioneta, që na i ngre dhe na i ul duart një regjisor dhe që bën me ne si t'i dojë qejfi, pa pyetur as elektoratin dhe as Kushtetutën.

E dyta, lidhet me kokën e turkut, që në këtë rast jam unë.

Ju, të nderuar deputetë, e dini si drita e diellit se kjo kundërvajtje penale e inskenuar nuk do ta çojë në dënimin e Azem Hajdarit. Ju sot kërkoni autorët e gjyqeve politike të kokës së Enver Hoxhës dhe jo të sajoni gjyqe politike në kokën e demokracisë. Harxhoni kohën tuaj të çmuar me çështje boshe, siç është çështja "Hajdari", sepse kështu ju thotë regjisori. Për ta pasur ndërgjegjen të pastër, unë do t'ju thosha juve se imuniteti i Azem Hajdarit hiqet sot, dhe kjo do të thotë se asnjë në këtë Parlament nuk ka më imunitet. Sepse nesër, kur ndonjëri prej jush do të bëjë gabim, gabimin tim, duke u përpjekur të thotë të vërtetën ndershmërisht, do t'i hiqet në çast imuniteti. Dëshmitarë të rremë në një vend të varfër gjen plot.

Duke u justifikuar, ne i hoqëm dje imunitetin Azemit, jo të mos ia heqim këtij apo atij. Prandaj, pa lypur mbrojtjen tuaj, ju këshilloj të merrni që sot masa për të mbrojtur veten.

E treta, Shqipëria është vend i varfër ekonomikisht, por e pasur mendërisht. Në Shqipëri Enveri provoi dhe përvoja e tij la një proverb: "Kur punët shkojnë keq në fushën ekonomike, lumi kapërcehet me procese të montuara politike". Në Shqipëri nesër do të thonë: "Domethënë, vështirë se e kapërcejmë këtë dimër, prandaj mos u merrni sot me një kundërvajtje ligjore, po merruni me ata profanë ekonomikë, që janë projektues të katastrofës." Është turp të marrësh një njeri nga shtëpia dhe t'i thuash: "Është faji yt që ecën keq ekonomia". Zotërinj deputetë, mos kërkoni koka turku, sepse s'ua ka kush borxh t'i ndërroni kombësinë.

E katërta, procesi im i sotëm është një proces luksi në një vend lypsarësh. Le të zhvillohej procesi im, por pasi të ishte zhvilluar procesi i deklaratave skandaloze në Maqedoni, deklaratave të tjera që u komentuan nga shtypi brenda vendit, në Lezhë; pasi të ishte zhvilluar këtu procesi i imagjinuar i mikrofonave i Serreqit, pasi të ishte zhvilluar procesi i qeveritarëve antikapitalistë (kam parasysh fjalën e Presidentit Berisha mbajtur me kapitalistët e vegjël shqiptare); pasi të rizhvillohej çështja "Gazidede" në Parlament, ku për turpin tonë brenda javës e bardha u bë e zezë dhe bloza u bë qumësht. Ne deputetet kemi një "të dashur": ajo është e vërteta. Zgjohuni, zotërinj deputetë, zgjohuni, se "e dashura" ju ka ikur nga shtrati.

Përpara se të diskutoni dhe të ngrini kartonët tuaj, desha t'ju kujtoj një thënie të një shkrimtari të madh dhe një këngë të Veriut. Shkrimtari i shquar thotë: "Burrat gjykojnë me argumente, kurse gratë gjykojnë ne dashuri". Ndërsa kënga e Veriut thotë:

Paska ra nji pushk' e shkretë,

vra i paska dymbëdhetë vetë,

njëmbëdhetë gjallë e nji ka vdekë...

Unë nuk po qaj atë që ka vdekë, por po qaj ata që kanë mbetë. Sot nuk sulmohem unë, sot sulmoheni ju, të dashur deputetë. Pra, demokracia shqiptare. Sot goditem unë, po kambanat bien për ju.

Azem Hajdari është ai i dhjetorit 1990 dhe nuk luan nga pozicioni i tij i atëhershëm, sikur edhe malet të luajnë nga vendi. Populli e di mirë këtë, mësojeni edhe ju. Ta doni partinë ju zotërinj. Ta doni edhe më shumë sesa e kam dashur unë, dhe e dua edhe sot, por gjykoni me argumente. Nuk dua ta shqetësoj Parlamentin. Në çdo rast deputeti ka të drejtë ta çojë kartonin dhe të vendosë për çdo lloj çështjeje. Por gjyqtarëve të goditur kaq rëndë këto ditë do t'u thosha: "Konsultohuni me Kushtetutën. Deputeti hiqet për krime të rënda dhe të dukshme. Konsultohuni me provat dhe pyetni ku ka qenë deputeti atë ditë."

Në rast se kjo diktaturë e re, e cila ka ndërmarrë një maratonë, vazhdon në këtë mënyrë, le të jem unë viktima e parë e kësaj diktature. Sot nëpërmjet një informacioni më thanë: "Azem, çfarë do të thuash në Parlament". Kisha në plan të mos flisja dhe u nxitova kur shkrova dhe këto fjalë. Por çuditërisht, mbledhja kësaj radhe për Azem Hajdarin nuk u zhvillua në sallën e vogël të Kuvendit Popullor, as në selinë e vogël të PD-së, por në malin e Dajtit, në vilën e Enverit, ku pesë makina radhazi në orën një e tridhjetë shkuan njëra pas tjetrës atje. Ishte e turpshme kur unë pashë vartësit e mi që nga maja e piramidës - se dikur i kam pasur vartës - duke shkuar dhe duke bërë këtë inskenim. Është e pandërgjegjshme për ta dhe nuk është krimi i Azem Hajdarit aq sa lapsi i tyre jo i hollë në ekonominë shqiptare. Nuk është krimi i Azem Hajdarit aq sa dreka që ata bënë. Nuk i kërkoj asnjërit mëshirë. Asnjëherë s'kam për të hequr dorë nga rruga ime për demokraci: jam i ri. Dikush mund të thotë: "E paska ba Azemi me fjalë, se Azemi do me ra në burg, siç ka ra Pjetri, dhe pas 20 vjetësh me u ba kryetar Kuvendi." Jo, nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj askujt post. Po në kohën e diktaturës, kur unë mora vendim që te jepja jetën, fëmijë, familjen dhe me traditat e pasura që ka, unë nuk e dija që ju do më çnderonit, se ky është një çnderim. Mbase nuk ma bëni këtë çnderim siç ia bëtë vogëlushes Pashko, po do ta bëni në një mënyrë tjetër. Mos ju qofsha falë as sot, as kurrë! Kur kam shkuar në Shijak, vetëm një gjë i kam thënë Shijakut: "Trimi në Shijak nuk bie në sy, kurse në Parlament hipokriti, antikombëtari dhe nacionalisti bie në sy." Në këto pozita nuk do të më shihni asnjëherë. Dikush sot mund të ketë menduar përplasjen time me dikë tjetër, që deri nesër të ketë mundësi që një dru të kalbur ... ose një mik 45-vjeçar e 50-vjeçar djalin 29-vjeçar ta zbojë. Jo, unë jam i ri, do t'i pranoj edhe goditje të tjera, edhe inskenime të tjera, nuk largohem nga Shqipëria. As unë, as fëmija im. Nuk largohem as nga Partia Demokratike. Nuk largohem as nga pikëpamjet e mia antikomuniste. Vetëm një gjë kini parasysh: vazhdoni, vazhdoni radhën. Populli kësaj radhe le të gjykojë. Në rast se është e mira në favor të drejtësisë, unë për veten time që sot jam gati t'i nënshtrohem kujtdo.

 

Bardhyl Londo - Në rast se demokracia vjen në këtë mënyrë, mos ardhtë kurrë. Dhe ju demokracinë po e sillni me shumë dhimbje.

Teodor Keko - Zoti Kryetar, unë kam qenë i parapërgatitur që ky Parlament do të merrte një vendim për zotin Azem Hajdari. Mirëpo mendoja se vendimi ynë i parë në lidhje me zotin Azem do të ishte shpallja e tij Hero Kombëtar i Shqipërisë dhe jo heqja e imunitetit të tij. Kjo lidhej me faktin se deputeti Azem Hajdari, duam apo nuk duam ne, ka hyrë në historinë e re të Shqipërisë. Po ne, të dominuar ende nga pasionet, duket se nuk i shohim dot të vërtetat me kurajë dhe gjakftohtësi.

Heqja e imunitetit të zotit Azem Hajdari nuk vjen rastësisht në këtë tempull të shenjtë, zoti Kryetar. Ajo është pasojë e një klime të ashpër politike që ekziston mes nesh dhe në Shqipëri, ku shqiptarët, për fat të keq, po flakin emëruesin e tyre të përbashkët: të qenit shqiptar, dhe po e zëvendësojnë këtë thelb të shenjtë me ngjyrat politike, ndërkohë që Azem Hajdari është pozicionuar qartë si shqiptar, duke krijuar përshtypjen se e ka vënë Shqipërinë përpara partive politike. Dikujt ky pozicion duket se nuk i pëlqen. Pak ditë më parë në një kryeartikull pa autor "RD"-ja godet rëndë demokracinë shqiptare në thënie të tilla prej njeriu të papërgjegjshëm e antikombëtar, si: "Demokracia e brishtë njeh tolerancën demokratike, por jo deri në vetësakrifikim të pakujdesshëm" ose: "Me këta elementë ose forca të errësirës ka efekt vetëm një gjuhë: ajo e diktaturës së ligjit demokratik". Ç'do të thotë ky vringëllim armësh? Ç'kupton autori me togfjalëshin skizofrenik "diktaturë e ligjit demokratik"? Druhem, zoti Kryetar, se këta tipa, që përdorin togfjalëshat e preferuar të Enver Hoxhës, nuk kanë luftuar që të jetojnë në demokraci, por janë përleshur me ish-administratorët e burgut shqiptar për t'u zënë vendet. Duke lexuar fjali të tilla, merret vesh qartë mesazhi: "T'i futim brenda këta vagabondë që na dalin kundër!". Një sinjal i qartë është edhe diskutimi i sotëm i imunitetit të zotit Azem Hajdari. Në qoftë se ne i heqim sot imunitetin deputetit kaq lehtësisht, kjo do të thotë se nesër mund të sajohen aq historira të tilla, sa të hiqen qafe të gjithë ata deputetë që quhen kundërshtarë politikë. Atëherë, unë shtroj pyetjen: me këtë demokraci do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa? Më vjen keq, por ky është realitet. Sulme politike nga më të fëlliqurat kanë filluar. Në numrin e fundit të "RD"-së, në dy raste shkruhet në një mënyrë të tillë që të lë të kuptosh se dosjet kanë filluar të hapen pa urdhër të Parlamentit. Akuzohen deputetë për agjentë të ish-Sigurimit. Kulmi arrin kur organi i PD-së akuzon për spiun ish-nënkryetarët e partisë së saj, çka veç të tjerave dëshmon edhe mungesë të theksuar karakteri dhe afirmon devizën: "Sa je me mua të mbroj, më dole kundër të shkatërroj". Pse manipulohet opinioni publik në mënyrë kaq të ulët? Zoti Kryetar, po luhet në mënyrë të turpshme me fatet e shqiptarit. Ju lutem, ndalojeni këtë kasaphanë, ndryshe turpi do të bjerë mbi ju dhe turpi është më i rëndë se burgu që keni vuajtur. Për këtë mund të jeni i sigurt. Unë nuk jam prekur nga këto sulme, prandaj besojuni shqetësimeve të mia, zoti Kryetar.

Zoti Kryetar,

Si shqiptar, ndihem i detyruar t'ju përsëris se keni hyrë në një rrugë pa krye. Imuniteti i zotit Azem Hajdari sot merr një kuptim simbolik në këtë sallë. Kam frikë se reforma administrative po fillon të zbatohet edhe në mes deputetëve të këtij parlamenti. Ju lutem, parandalojeni këtë të keqe kombëtare që ka hyrë mes nesh. Luani rol që në këtë sallë të mbretërojë shqiptarizmi dhe që argumenti të jetë arma jonë e vetme, sepse argumenti do të ngjitë në skenën politike shqiptarë të mençurit dhe do të mënjanojë nga kjo skenë mediokrit, ata që bëjnë be për kokë të ligjit të agjitacion-propagandës dhe urrejnë çdo individ me mendime të pavarura.

Ndihem i detyruar t'ju paralajmëroj se po bëjmë më shumë gabime nga ç'na lejohet. Ndihem gjithashtu i detyruar t'ju vë në dijeni se jo të gjithë deputetët shqiptarë janë të bindur se malli i babait është tjetër gjë dhe Shqipëria është gjë tjetër fare. Uroj të mirëkuptohemi dhe të mos keqkuptohen e të keqinterpretohen fjalët e mia.

 

Gaqo Apostoli - Zoti Kryetar, sot po jetojmë një moment historik parlamentar, sepse po i heqim imunitetin një deputeti që një pjesë e madhe e popullit, vetë Partia Demokratike "Rilindja demokratike", ish-kryetari i PD-së, sot President i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, deri para pak koke e kanë quajtur "hero i demokracisë".

Unë e quaj moment historik, sepse në histori hyjnë si gjërat e bukura, ashtu dhe gjërat e shëmtuara. Pra, hyn si demokracia, ashtu dhe diktatura. Megjithatë, e quaj të natyrshme që dhe një hero, një deputet mund të bëjë gabime, faje apo dhe krime dhe për të duhet të fillojë ndjekja penale dhe të dënohet. Por duke i gjykuar në kompleks ngjarjet politike, jo vetëm ato që kanë ndodhur në PD, sepse e gjykoj që është puna e kësaj partie t'i prishë apo t'i ndreqë punët e saj, por duke gjykuar në kompleks, sidomos punët e këtij parlamenti, i cili në mjaft raste nuk e ka për gjë të shkelë Rregulloren, ligjshmërinë, bile edhe Kushtetutën. Pra, mbi këtë bazë komplekse si dhe mbi pamjaftueshmërinë e provave që ka sjellë prokuroria dhe kryetari i Komisionit të Mandateve, unë krijoj bindjen sikur po montohet një proces gjyqësor ordiner për interesa të caktuar partiakë në dëm të Parlamentit dhe ndoshta po të zhvillohen më tej, do të cenojnë interesat kombëtarë. Duke qenë se heqja në këtë formë e imunitetit një deputeti përbën një kërcënim serioz për demokracinë, unë deklaroj votën kundër heqjes së imunitetit të deputetit Hajdari dhe i them këtij parlamenti: si shumë shpejt po i vrasim heronjtë e demokracisë!

 


Shekulli

(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: